100vjetori
Vinaora Nivo SliderVinaora Nivo Slider

PERFORMANCË, Tegim nga Petrit Qejvani

PetritQejvani

Sapo kisha dalë nga një seminar me të huaj mbi demokracinë në komunitet dhe decentralizimin. Ishim në vitet e parë të demokracisë dhe seminarë të tillë ishin të shpeshtë dhe të nevojshëm , sidomos për ne shqiptarët, që ishim nga rreshti i fundit dhe për europianët dukeshim një zbulim. Sidoqoftë, dukej se europianët jo rrallë e tepronin në këtë drejtim dhe kërkonin që ne veç të aprovonim si nxënës kokëulur çdo mësim apo sugjerim të tyre dhe nuk iu vinte fare mirë po qe se ne do të kundërshtonim ose do të polemizonim për çështje të veçanta. Pikërisht se kishte ndodhur diçka e tillë me mua, ndjehesha i kënaqur dhe me një ndjenjë deliri apo supremacie, meqë kisha tërhequr vëmendjen e auditorit për mënyrën e diskutimit tim, ose, thënë më mirë, për kundërdiskutimin tim, i cili, pa shumë fjalë, i habiti të gjithë,vendas e të huaj.Vendasit, sepse dukej se unë mohoja përparimin e tyre demokratik dhe të huajt, sepse unë po flisja krejt ndryshe nga ata, që kishin diskutuar para meje, drejtorë shkollash të mesme.

 

E ndjeva që u prish qetësia e takimit që nga mënyra si kërkova fjalën dhe , qysh në fillim, idenë time e kisha në fakt një akuzë, jo ndaj thelbit të problemit, që teorikisht mund të qëndronte, pra në parim, por jo dhe në rastin konkret.

 

Për të mos ju lodhur me hamëndje lidhur me atë që ndodhi, po ju sqaroj se tema e diskutimit ishte zhveshja e drejtorëve të shkollave nga superkompetencat, të cilat e kishin fuqizuar aq shumë dejtorin e shkollës, sa kishte rrezik që një drejtor me prirje autoritariste të shndërrohej në diktator!...Aq më e besueshme bëhej kjo, kur kujtohej që ne vinim prej një diktature sui generis dhe mikrobet e saj ende vërtiteshin në atmosferë me rrezikun e përhershëm të riinfektimit.Takimi mbahej në një nga ndërtesat më domethënëse për  nga rëndësia e veprimtarive, që zhvilloheshin aty si dhe nga arkitektura, pra në ndërtesën më ekzibicioniste apo performante të kryeqytetit, po të përdorim një term, që kishte fituar qytetari pas rrëzimit të komunizmit dhe përdorej vend e pa vend, sidomos nga drejtuesit e emisioneve televizive, posaçërisht nga femrat. Edhe salla e caktuar për këtë veprimtari ishte më performantja. Atje gjithçka ishe performancë dhe ekzibicion. Salla shkëlqente nga pastërtia dhe nga pjesëmarrësit: ajka e arsimit, drejtorë të drejtorive arsimore rajonale, drejtorë gjimnazesh të shoqëruar me mesuese të bukura të veshura hijshëm, që jetësonin projektin dhe, në krye, ministri i arsimit dhe shkencës dhe, për t’ia shtuar më tepër shkelqimin , edhe ministri i arsimit i një vendi europianoperëndimor, organizator dhe donator i projektit, i cili thuhej se kishte ardhur enkas për këtë veprimtari, për të bashkuar forcat për të zhveshur drejtorët e shkollave , këta diktatorë në miniaturë, nga pushteti i tepërt...Ajo që më nxiti më tepër për t’u ngritur ishte jo aq ideja e të huajve rreth kësaj teme, por sidomos ideja e njëjtë me ta edhe e pjesës shqiptare të organizimit, ca specialistë të për fshirë në projekte, që ua dinin kimetin, pasi kështu dyfishonin ose trefishonin rrogat e tyre të ulta. Por më kot revoltohesha me bashkëatdhetarët e mi organizarorë, sepse ata , më tepër se për bindje, shkonin pas avazit të të hujave për ca dollarë (euro atëhere nuk ishte). Dhe, pasi dëgjuan plot preokupim diskutimet e para të kolegëve të mi, që ishin në linjë, ata shtruan pyetjen: Si mund të bëhen më pak të rrezikshëm drejtorët e shkollave në Shqipëri? Çfarë kompetencsh duhet t’u hiqeshin atyre me qëllim që të mos ishin sundimtarë të shkollave, por administratorë, menaxherë, pra drejtues demokratë? Të gjitha këto pyetje më dukej se i jepnin më tepër trajtën e një gjyqi se sa të një seminari takimit. Dhe kjo nuk mund të durohej . Pikërisht në këtë moment, duke parë nga dy kolegët e mi, njeri drejtor gjimnazi si unë, tjetri drejtor rajonal, kërkova fjalën dhe u çova.      Ndjeva që menjëherë ra heshtja, ndoshta nga mënyra si u ngrita, apo ndoshta nga performanca ime që, ç’është e vërteta, në takime publike është imponuese. Edhe ministri shqiptar më nguli sytë. Zotërinj, nisa unë fjalën, dëgjova me vëmendje dhe me habi çfarë u tha këtu dhe po ju them se, me gjithë respektin që kam për ata që flasin, bile dhe për ata që thonë budallallëqe, këtu po rrihet ujë në havan. Të gjithë shtangën. Ministri ynë u mat të ndërhynte, por vrulli im ishte i pandalshëm. Së bashku me logjikën. Përpara se të mendojmë të pakësojmë kompetencat e drejtorit të shkollës, duhet të dimë ç’kompetenca ka ai aktualisht. Dhe të më falin specialistët e huaj që nuk kanë fare faj, sepse ndoshta nuk e njohin mirë gjendjen. Po kolegët e mi shqiptarë, nuk e dinë ç’të drejta ka drejtori i shkollës? Po ta dinë zotërinjtë e huaj se ç’ka në dorë drejtori i shkollës në Shqipëri, me siguri do organizonin një takim për shtimin e kompetencave të drejtorëve të shkollave!..Fjalia e fundit ishte vërtet një bombë, që i hidhte në erë diskutimet e deriatëhershme. Këto fjalë i shokuan ata dhe askush nuk foli. Për çudi heshtën edhe shqiptarët. Si duket i kisha zënë në befasi. Ose argumentimi dhe logjika  ishin mbërthyese. Dhe, duke përfituar nga kjo, vazhdova me një ndjenjë krenarie dhe dinjiteti të merituar, duke iu drejtuar më shumë të huajve : Ju keni të drejtë të mendoni se, meqë vijmë nga një sistem diktatorial, të gjithë drejtuesit e çdo niveli duhet të jenë nga pak diktatorë...Por kjo është dhe s’është e vërtetë. Zotërinj, edhe në socializëm kishte ligje, pavarësisht se ato ishin vullnet i të parit të vendit dhe askush nuk bënte me kokën e tij. Nëse duhet demokratizuar shkolla, vazhdova, duhet demokratizuar ligji dhe të shihen kompetencat e ministrisë, që vendos për gjithçka dhe të drejtorëve të drejtorive rajonale, të cilët janë praktikisht ministra lokalë të arsimit me kompetenca të tepërta. Mjafton t’ju them se drejtori i shkollës në Shqipëri ka vetëm detyra dhe shumë pak të drejta. Ai harton planet edukativë të shkollës, harmonizon veprimtaritë e klasave në rang shkolle, pergjigjet për respektimin e orarit dhe disiplinës në shkollë dhe paraqet listëpagesën e mësuesve etj. ,që të mos  vazhdoj me gjithë gjërat rutinë që kolegët i dinë...Ai nuk mund të marrë asnjë masë ndaj një mësuesi, edhe kur ky gabon, bile as ndaj nxënësve problematikë. Edhe kur një nxënës shkel në mënyrë flagrante rregulloren e shkollës apo dispozitat normative, ai vetëm mund të këshillohet, ndonëse në këtë rast parashikohet përjashtimi nga shkolla. Edhe pse formalisht propozohet masa e përjashtimit, është drejtori rajonal ai që vendos. Kështu thotë ligji. Dhe shpesh drejtori rajonal e anullon vendimin e drejtorisë së shkollës dhe ku vajti autoriteti i drejtorit të shkollës?  Atëhere më thoni, iu drejtova jo pa ndjenjë e superioritetit të gjithëve, që po më dëgjonin me vëmendje të madhe: Ç’i mbetet drejtorit për të bërë, vetëm t’u lutet në mënyrë demokratike nxënësve problematikë dhe mësuesve të pandërgjegjshëm që të zbatojnë rregulloren e shkollës? Kaq kisha, thashë dhe u ula jo pa një ndjenjë triumfi.

 

E kishta shtangur sallën. Kjo ishte vërtet performancë! Për pak çaste pati qetësi, pastaj filloi një gumëzhimë valë-valë që pushtoi gjithë sallën. Unë në thelb kisha të drejtë, ndonëse po ekzagjeroja ca qëllimisht. Kolegu që kisha përbri më shtrëngoi dorën në shenjë miratimi për kurajën e treguar. Ka të drejtë, ka të drejtë nisën të thoshnin disa.Të tjerë po kundërshtonin. U ndez debati. Mora frymë thellë, u mbështeta mirë në karrige dhe po dëgjoja. Dhjetra sy ishin drejtuar nga unë. Shumica më referohej mua dhe më mbështeste. Të tjerë tundni kokat duke më kundërshtuar, kurse disa, më tepër me shikime se me fjalë, më linin të kuptoja se kisha hedhur një gur në lumë dhe hajde ta nxirrnin tani. Sidomos ajo drejtoresha me fustan me pika të mëdha kuq e blu, që s’i ndahej ministrit, po më hidhte ca shikime ziliqare dhe ledhatare. Në të vërtetë nuk po i ndiqja me vëmendje dikutimet dhe replikat. Më tepër se me mua, grupet e ndryshme replikonin me njeri-tjetrin. Tani po shijoja frytet e diskutimit tim kundër rrymës. Befas isha kthyer në hero, gjë që natyrisht më pëlqen shumë. Zaten, takime të tilla i shfrytëzoj me mjeshtëri, edhe kur s’kam të drejtë, pale kur kam të dretjën me vete, falë dhe elokuencës, që ma njohin të gjithë.

 

Më në fund drejtuesit e seancës diç biseduan midis tyre, pastaj u drejtuan te dy ministrat e arsimit dhe, pas disa mëdyshjesh, përfaqësuesi shqiptar i projektit tha me zë të lartë: 15 minuta pushim, sa për një kafe. E kisha turbulluar gjëndjen..Edhe në kafene isha në qendër të vëmendjes.Një valë të nxehti ndjeva të më ngjitej nga këmbët te koka dhe duhej të isha skuqur, se balli po më digjte. Bashkë me kolegun tim, drejtor gjimnazi  dhe drejtorin e drejtorisë arsimore  po prisnim të na vinte radha e kafes, ndërsa njerëzit lëviznin në grupe të vogla, sipas njohjeve, që kishin. Por e ndjeja që kisha tërhequr seriozisht vëmendjen dhe mundohesha të isha sa më i natyrshëm. Disa më hidhnin shikime miratuese, të tjerë hiqeshin indiferentë, sikur fjala ime nuk iu kishte bërë përshtypje, sidomos ata të kryeqytetit, që u është mbushur mendja se i dinë të gjitha, ashtu siç kishte dhe të tjerë, që afroheshin dhe më shprehnin simpatinë për diskutimin origjinal dhe pa komplekse që bëra. Edhe dy ministrat po më shihnin me vëmendje.Ministri shqiptar kishte një lloj qortimi në sy. S’i kishte ardhur mirë, me sa duket, ndonëse diskutimi im dukej realist, pavarësisht një toni autoritar, që ma jep besimi në vete dhe është pjesë e natyrës sime të pavarur.

 

Por tani nuk më interesonte shumë shikimi i ministrit, se sa shikimi i asaj drejtoreshës simpatike me fustanin kuqeblu, e cila ishte pranë grupit të ministrit duke pirë kafe dhe, here pas here, më hidhte ndonjë shikim domethënës. Katër –pesë hapa mund t’i bëja edhe unë për të shkuar te grupi i ministrit, por s’e bëra një gjë të tillë, megjithë respektin për ministrin, edhe pse te ai shkuan plot të tjerë për ta përshëndetur e për të shkëmbyer ndonjë mendim me të, ose thjesht për mirësjellje. Bile dhe dy kolegët e mi. Kjo për shkak se gjithë jetën i jam druajtur servilizmit apo idesë se në ndonjë çast mund të dukem i tillë para më të mëdhenjve në detyrë. Bile, për të evituar këtë, ndonjëherë  kam vepruar dhe i sforcuar, duke lënë të mendohet se jam edhe pa edukatë, gjë që nuk është aspak e vërtetë.

 

Por ky jam unë dhe për këtë kam pagur dhe ndonjë haraç. Këtë ma kanë vënë në dukje dhe shokë të mi të afërt. Megjithatë, këtë gjë nuk e ndryshoj dot, sepse është pjesë e lëkurës sime, edhe pse një kolegu im thotë shpesh, si me të qeshur, se kush humbi nga servilizmi? Sikur ta kisha këtë cilësi, do bëhesha të paktën deputet, iu them miqve të mi, jo pa një dozë ironie. Ndërkaq,ndërsa ora po shkonte, po drejtoheshim për në sallën e takimit. Për dreq u përplasa te dera me ministrin me atë drejtoreshën e bukur në krah, me flokët gështenjë të prera shkurt, me një skuqur të purpurt në mollëzat e faqeve, në një moshë përvëluese, rreth të dyzetave. Aty ministri më zgjati dorën duke buzëqeshur formalisht, dhe, pasi më pyeti kush isha, më tha me mirësi se dikutimi im iu duk interesant, ndonëse duhej të isha më delikat në të shprehur. Më erdhi mirë. Ndërsa drejtoresha interesante, që rrinte gjithmonë pranë ministrit për arsye të paqarta, më shtëngoi dorën më shumë se ç’duhej apo m’u duk mua dhe më tha se kisha bërë një performancë intriguese!...Ja pra, drejtoresha simpatike i vuri kapakun: kisha shkëlqyer.Tani kjo nuk ishte një ide vetëm imja. Përformanca ime ishe e vërtetë dhe imponuese. Dhe kur ta thoshte këtë një femër gjithë performancë!.. Ndihesha vërtet i lumtur.

 

Kur filloi pjesa e dytë e diskutimit, m’u referuan mua dhe u munduan të gjenin argumente për të zbutur kundërshtimin tim. Kësaj radhe nuk kisha ndëmend të ndërhyja. Nuk ishte serioze. Duhet të ruaja dinjitetin dhe vlerën e diskutimit të bërë.      Në këto raste duhet të kesh insinkt të mprehtë, për të mos rënë në ujrat, nga të cilat sapo ke dalë...Bile nuk po i dëgjoja se ç’thoshnin. Më vinte mirë që merreshin me mua. Po vështroja  drejtoreshën simpatike në krah të ministrit, e cila, edhe ajo, më hidhte ca shikime kureshtare. Kur mbaroi takimi mora 50 dollarët që më takonin për tri ditët e seminarit dhe u largova me nxitim. U ndava nga kolegët, sepse doja ta shijoja vetëm kënaqësinë e triumfit tim dhe se, pasi ke tërhequr vëmendjen e të tjerëve për diçka, duhet të largohesh sa më shpejt nga ai mjedis, për të treguar se gjëra të tilla janë normale për një njeri me dinjitet. Gjithmonë jam udhëhequr nga mendimi që duhen respektuar  caqet e gjërave. Qëndrimi i mëtejshëm e kompromenton atë që ke bërë, duke treguar që je njeri, që pret ca elozhe mikluese të panevojshme.

 

Takimin tjetër e kishim pas dy muajsh.Tek dera e daljes hodha pardesynë krahëve dhe me çantën në dorë po nxitoja në trotuarin para kryeministrisë ( ndërtesat qeveritare më shkaktojnë një ndjenjë bezdie) dhe devijova djathtas në trotuarin para Piramidës në lokalin  e parë me dru, tani të prishur nga kryetari ekstravagant i bashkisë, një lokal i bukur dhe i ngrohtë, sidomos në dimër dhe kurdoherë plot. Hyra në lokal dhe pasi qëndrova disa çaste pas derës për të parë ku mund të kishte ndonjë tavolinë të lirë, por edhe për t’u zhveshur nga avulli xhamat e syzeve për shkak të diferencës së temperaturës nga jashtë brenda, eca majtas në fund, ku ishte një tavolinë prej druri katërkëndëshe. U ula me fytyrë nga hyrja ( në çdo kafene e kam zakon të ulem në një mënyrë të tillë, që shpinën ta kem nga muri, sepse kjo më krijon një ndjenjë sigurie) me qëllim që të shoh kush hyn dhe del nga lokali. Para meje ishte një tavolinë tjetër bosh  dhe luta zotin që të mos vinte ndonjë grup djemsh, që flasin me zë të lartë dhe bëjnë gallatë, siç thonë ata. Hoqa pardesynë dhe e vendosa në shpinën e karrikes përbri (tavolina kishte katër karrike, dy nga çdo anë, meqë ishe katërkëndëshe e gjatë) , ndërsa nga çanta nxora një gazetë  të pavarur të ditës  dhe nisa të lexoj sa të vinte kamarierja. Më  në fund ajo erdhi dhe gjithë mirësjellje më pyeti se ç’dëshiroja. I thashë një pije alkoolike të bardhë çfarëdo dhe ajo qeshi dhe, pasi qëndroi disa çaste duke më parë me një habi të lehtë , nxitoi drejt banakut.

 

Ula sytë mbi gazetë duke lexuar titujt e faqes së parë, pastaj u hodha te faqja e jetës parlamentare dhe sytë më mbetën te deklarata fantastike e kreut të kuvendit, një ish i persekutuar politik i diktaturës, i njohur për shprehjet ekstra , i cili kishte thënë në një takim me përfaqëses të rinisë së djathtë, ku ishte ftuar dhe missi albania e vitit, se misset nuk mund të jenë të majta!...U kënaqa nga kjo shprehje dhe nuk e di në qesha edhe me zë dhe ngrita kokën nga gazeta. Në një tavolinë djathtas meje dy çifte serioze më hodhën dy-tre shikime dhe diç thanë me njeri-tjetrin. Ndoshta u bëri përshtypje performanca ime. Këtë fjalë, e cila në fillim nuk më pëlqente, sot, mesa duket, do ta përdorja  gjithë ditën. Me kostum dhe me çantë zyre në një mjedis argëtues si kafeneja, tërhoqa vëmendjen e klientëve, që kur u futa. Sepse është provokative, ekzibicioniste. Me një fjalë është dhe performancë, dukje, rënie në sy..Sidomos kur bëhet natyrshëm.

 

Ekziston një psikologji e çuditshme: jo në një rast kam vërejtur se, kur kam hyrë në lokale të tilla i veshur shik, me çantë zyre të madhe dhe pastaj edhe me syze , kam tërhequr vëmendjen e të pranishmëve. Dhe kjo, mendoj, thjesht për shkak të efektit të kontrastit me mjedisin. Ndërsa po meditoja, kamarierja solli një xhin. E ktheva i etur, pa e përzier me ujin tonik, se jashtë bënte ftohtë, ndonëse ca lule mëndjelehta kishin çelur te lulishtja e vogël në hyrje të lokalit. Ishte ende fillim marsi dhe në mars ka gjithmonë ca ditë të ftohta brisk, sidomos kur shoqërohen edhe me lagështirë.

 

Duke qenë vetëm, i hodha sytë sërish gazetës për t’u ndjerë i shoqëruar. Shpesh veproj kështu, ose pjesërisht kështu, kur hyj i vetëm në lokale, ndëkohë që të tjerët janë në grup. Është një lloj mbrojtjeje ndaj shikimit të të tjerëve. Isha duke lexuar për të dyrën herë një artikull për performancën në vendet publike, sikur e kishin shkruar qëllimisht për mua,  kur një zë femre po më kërkonte çakmakun. Automatikisht u përgjigja se nuk e pi cigaren, me një ton më tepër qortues se sqarues, pa e ditur kush e bëri kërkesën dhe pa i hequr sytë nga gazeta. Kur ngrita kokën  pashë se ajo që më kërkoi çakmakun ishte një grua e re, pak mbi të tridhjetat, e shëdetshme, por tëheqëse dhe i shkëlqente lëkura.

 

Pse, ne që e pimë, çfarë jemi, m’u drejtua ajo me njerën vetull të ngritur lart. Në krah të saj një tjetër femër, afërsisht si ajo në moshë dhe fizik. Ngjanin shumë. Duhet të ishin të afërta. Të dyja me çizme të shtrenjta dhe me minifund. Ishin në tavolinën përballë dhe kishin ardhur me sa duket gjatë kohes që po lexoja gazetën. Karshi tyre, me shpinë nga unë, ishin dy gra të tjera, njera e thinjur krejt, kurse tjetra duhej të ishte shumë e re.Them kështu pasi e shihja vetëm si kontur, kurse fytyrën nuk mund t’ia shihja,edhe per shkak te nje berete qe mbante ne koke. Pasi e pashë disa çaste i përqendruar, por turbull bukuroshen,  që kisha përballë, vura syzet optike ( kur lexoj i heq, sepse janë për larg) dhe konstatova se ishte shumë seksi. Minifundin e kishte prej meshi të zi, kurse lart kishte një bluzë të kuqe të ndezur, me jakë v. I ktheva përgjigje kërkesës së saj të guximshme dhe provokative. Jeni gra të reja, prandaj s’duhet ta pini. Një përgjigje-këshillë, që do t’i shkonte kryetarit të  shoqatës së luftës kundër duhanit dhe jo mua. Ju dëmton cigarja,vazhdova kësaj here me një ton didaktik. Pirjen e cigares nuk e lidh me asgjë tjetër, sqarova pastaj ftohtë për ta mbyllur bisedën. Pse, ç’të keqe ka, m’u drejtua prapë, duke i ngritur kësaj here të dyja vetullat e holla të harkuara dhe duke më parë ngultas. E kuptova që ia kishte qejfi të vazhdonte bisedën me mua. Sepse një femër, që pi cigare nuk është e shijshme kur e puth, i thashë jo pa romuz, i joshur nga shikimi i saj inkurajues. Qënke interesant ti,vazhdoi ajo për të më dhënë përgjigjen që meritoja. Dhe shtoi: ç’punë bën?,duke më pyetur në njëjës. Teknik lëkurësh, iu përgjigja flakë për flakë me shumë seriozitet, për të mos e kuptuar që po tallesha. Nuk më dukesh i tillë , më tha me të qeshur dhe më hodhi një shikim përfshirës si për të më thënë nuk të besoj. Pse, vazhdova lojën unë, mos do të më shohësh duke regjur lëkurë, që të më besosh? Ajo tundi kokën disa herë në shenjë mohimi. Sepse keni një performancë tjetër, tha. Ku e gjeti dhe kjo këtë fjalë, thashë me vete i kënaqur. Isha vërtet një performant i shkëlqyer. Në pamje dhe në të folur. Ose, sipas estetikës klasike, isha një unitet i pamohueshëm i formës me pëmbajtjen. A nuk e kisha treguar këtë pak më parë në seminarin me të huaj? Ku ta dinte ajo se kishte përballë një person, që kishte mundur një taborr me intelektualë , pale një femër të vetme!..Përfundimisht u binda se performanca është pushtet. Edhe ekzibicioni është pushtet. 

 

Isha i kënaqur që këtë paradite po shkëlqeja në dy mjedise të ndryshme. Nuk iu përgjigja më oponentes sime pëballë. Nuk desha të bëhesha i bezdisshëm. Jam mësuar të bëhem indiferent në kulmin e interesimit për mua. Dhe kjo t’i shton vlerat, thonë. Dhe, për më tepër, është pjesë e performancës sime. Ndërkaq vazhdoja ta hetoja dinakërisht  me sy partneren time në dialog. Më kishte tërhequr. Dikush i zgjati një çakmak. Piu disa cigare rresht  bashkë me të tjerat. Ishte energjike në bisedë, nxirrte herëpashere nga porofoli kartëmonedha dollari, i numëronte, i fuste sërish, diçka thoshte, përmendte emra bankash, interesa e ku di unë dhe të gjitha këto i shoqëronte me një mimikë shumë aktive. Dukej e sigurt në ato që thoshte. Me siguri që, ose punonte në ndonjë bankë, ose ishte e pasur dhe kishte futur para në bankë. Me një fjalë ishte një femër që s’i dhimbte koka.Gjithë qenia e saj rrezatonte mirëqenie dhe siguri. Kishte bërë një tualet të fortë, buzët i kishte si të përgjakura, thonjtë me manikyr të kuq të ndezur, ndërsa një varëse floriri në formë zemre i rrinte rehat në kanalin midis gjinjve jo të pakët, që tendosnin bluzën  e kuqe me jakë v. Fundi ishte tërhequr lart për shkak të uljes, duke i nxjerrë provokueshëm kofshët e plota nën çarapet e holla ngjyrë mishi. Duke e ndjerë këtë, herëpashere me njerën dorë ulte mundimshëm fundin e saj të shkurtër për të treguar se ishe dhe e ndershme, ndërkohë që më kontrollonte me cep të syrit, nëse e vëreja apo jo. Ky veprim i saj më kujtonte ato gra, që hipin në biçikleta me fustan të shkurtër dhe me njerën dorë ulin vazhdimisht fustanin, duke tërhequr më tepër vëmendjen.

 

Automatikisht i hedh një sy orës .Ishte tamam koha për të drekuar. Po bëhesha gati të ngrihesha, kur befas ktheu kokën nga unë , nuk e di pse, pjesëtarja e katërt e tavolinës fqinje, së cilës nuk ia kisha parë fytyrën, pasi ishte  me shpinë nga unë dhe gjatë gjithë kohës nuk e ktheu kokën pas. E ktheu edhe gruaja e thinjur, që ndoshta ishte nëna e tyre. Shtanga për një çast. Ishte një mrekulli. Rreth18 vjeçe. Që tymoste aq rëndshëm, sa të habiste. Për pak çaste fytyra e saj u rrethua nga elipse tymi. Nuk m’u durua dhe i them:Ti kaq e re dhe pi kaq shumë cigare? Kishte pirë katër cigare rresht pa ndërprerje! (Siç i pija vet dikur, ndërsa kisha vite që e kisha lënë). Ajo buzëqeshi duke lëshuar një shtëllungë të gjatë tymi drejt meje, krejt pa qëllim. S’kam ç’u bëj , tha plaka, duke lëshuar vet një lëmsh tymi nga goja.. U kam thënë, po s’më dëgjojnë...Ekzibicion, performancë! U degustova vërtet. Ekzibicioni ka performanca të ndryshme, mendova. Është i mirë apo i keq?!Është gjithmonë i vlefshëm ekzibicioni? Ç’e shtynte atë vajzë të re dhe të bukur të pinte aq cigare? Ndoshta ishte në modë, sepse pirja e duhanit ishte kthyer në epidemi tek femrat e reja pas viteve’90. Ndoshta ishte ekzibicion, performancë, prezencë. Apo mos ishte shenjë lirie?!

 

Kësaj radhe s’kisha ndër mend të bëja moral, veçanërisht aty ku morali vlen më pak se kudo. Dhe automatikisht e lidhja me ekzibicionin tim intelektual, që sidoqoftë, ia vlen...Apo...Tashmë duhet të largohesha, isha i ngopur me gjithçka. Kjo ishte dita ime! Po prisja të shfaqej kamarierja, pasi salla ishe e madhe dhe një pjesë e saj formonte kënd të drejtë me pjesën tjetër, kështu që  kamarierja shfaqej rrallë. Sapo u duk, ia bëra me shenjë dhe ajo erdhi, si të rrëshqiste mbi patina. Më falenderoi për bakshishin dhe u largua. Vesha pardesynë , mora çantën dhe , duke kaluar pranë tavolinës së fqinjeve të mia të rastit, u thashë më tepër me kokë se me fjalë, mirëupafshim.

 

Nuk të morëm vesh ç’ishe, më tha ajo, që kishim shkëmbyer  replikat për duhanin, me një shikim të lëngëzuar. Punë performance thashë, ndërsa po largohesha drejt derës së daljes. Para se të kapërceja pragun e derës ktheva kokën prapa dhe pashe gruan e çuditshme, që po më ndiqte me sy. Dukej një femër e guximshme dhe e përkushtuar...

 

 Janar 2008

   PERFORMANCË, Tegim nga Petrit Qejvani

KËNGË & VIDEO

SONDAZH

Cili është mendimi juaj për uebsaitin tonë të porsa çelur www.kallarati.com?
 

FACEBOOK FanBox

SPONSOR i faqes www.kallarati.com

Sponsor te faqes www.kallarati.com

GAZETA "KALLARATI"

NUMURI I LLOGARISË I SHOQATËS ATDHETARE & KULTURORE “KALLARATI”

Banka: Societe Generale Albania.
Në LEK në numrin e llogarisë: 1175099
Në EURO në numrin e llogarisë: 1175101
Pë çdo kontribut kontaktoni në adresat:
kontakt@kallarati.com
gazetakallarati@yahoo.com
Sefer Jonuzi Cel: 00355682745862

Nga Blogu

09 Shkurt, 2017

Rrugëtimi në jetë i veteranit 90 vjeçar Xhelo Dautaj

  -Rrëfim-   Një rrugëtim në jetë prej 90 vjetësh nuk janë as shumë, por as… Lexo më shumë...
26 Dhjetor, 2016

TË NOHIM SHKRIMTARIN DHE PËRKTHYESIN BAJRAM KARABOLLI

Bajram Karabolli - lindur në Mavrovë (Vlorë) në 1943, prindërit e tij me… Lexo më shumë...
27 Tetor, 2016

NË KALLARAT U FESTUA ME KRENARI 100-VJETORI I HAPJES SË SHKOLLËS SË PARË SHQIPE

  Nga Besnik GJONBRATAJ AMBJENT FESTIV NË KALLARAT Në datat 13 dhe 14 gusht… Lexo më shumë...

Lajmet nga vendi