100vjetori
Vinaora Nivo SliderVinaora Nivo Slider

Një orë gjeografie, nga Petrit Qejvani

PetritQejvaniKishte rënë zilja paralajmëruese e orës së mësimit, kur mësuesi veteran i gjeografisë iu drejtua kolegut të vet Kristos, në fund të korridorit të katit të dytë, edhe ky mësues i historisë dhe gjeografisë, që përgjigjej për kabinetin e hartave : Më jep shpejt një hartë se do vijë për kontroll dejtori këtë orë tek unë! Kristo i hodhi tjetrit një shikim sa pyetës aq dhe qortues. Zakonisht drejtori e thoshte planin e kontrollit dhjetë minuta para fillimit të orës së mësimit, pra sapo mbaronte një orë mësimi, domethënë në intervalet midis orëve të mësimit, që mësuesi të merrte masat, sidomos të përgatiste bazën materiale dhe mjetet e nevojshme për atë orë mësimi, t'i çonte në klasë ato në mënyrë që gjithçka të ishte gati për orën e mësimit. Por kjo mënyrë njoftimi kishte brenda edhe befasinë për t'i kapur në gabime mësuesit, sidomos në pasqyrimin e përgatitjes ditore me shkrim, një bezdi jo e vogël kjo edhe për mësuesit e rregullt, pale për ata neglizhentë, të cilët mund të linin ndonjë orë mangut në fletoren e përgatitjes ditore apo ditarit, siç thuhej shkurt.

Kështuqë mësuesi veteran i gjegrafisë, që shquhej për vigjilencë politike dhe ideologjike, por nuk shkëlqente në zotërimin e lëndës që jepte, i kërkoi me ngut kolegut të vet një hartë, që do të shërbente për ilustrimin e mësimit të ri. Kristo, intrasigjent në punë, e pyeti se ç'hartë donte, pasi nuk mund t'i jepte një hartë kuturu... Ndërkaq drejtori u shfaq në skajin tjetër të korridorit, serioz dhe me bllokun e zi të shënimeve në dorë, para klasës ku do të zhvillohej ora e gjeografisë.

Kjo e alarmoi mësuesin veteran , i cili i tha kolegut, që po kërkonte në grumbullin e hartave: një hartë të Azisë, se po pret drejtori te dera...Mirëpo hartat ishin rrëmujë për shkak të restaurimit të kabinetit dhe sistemimit të tij dhe duhej më tepër kohë për të gjetur hartën e duhur. Por mësuesi veteran, që nuk e dinte se do t'i vinte drejtori për kontroll dhe pak vrarëmendës siç ishte, s'e kishte vënë ujin në zjarr më parë. Tjetri kapte një hartë, e shikonte, e linte atë dhe shikonte një tjetër, por s'po e gjente të duhurën. Atë hartën pas derës, i tha mësuesi veteran gjithë inat kolegut. E kam lënë qysh dje. Po ato janë përzier, iu përgjigj mësues Kristo, se po e sistemoj kabinetin. Ë njoh unë, ngulmoi mësuesi veteran, ajo është. Shpejt, se po bie zilja dhe drejtori po më pret mua...Kristo, i vënë në siklet, rrëmbeu një hartë të rrëzuar pas derës, të mbedhura kutullaç dhe ia zgjati. Me hartën e mbledhur, me regjistrin në njërën dorë dhe me çantën në dorën tjetër, mësuesi shpejtoi drejt klasës ku kishte mësim dhe ku e priste drejtori autoritar, që nuk e fshihte nervozizmin.

Drejtori përpara dhe ai pas tij hynë në klasë. Nxënësit u çuan në këmbë, përshëndetën drejtorin dhe mësuesin duke thënë në kor mirëdita dhe, pas urdhërit të mësuesit, u ulën. Në klasë ra heshtja.Drejtori u ul në bangën e fundit, rreshti i mezit. E kishte zakon që, kur nervozohej, shtrëngonte nofullat, ku i dalloheshin muskujt e tendosur në fytyrën e tij eshtake, si tani. Mësuesi veteran, ndonëse jo shumë i ndërgjegjshëm në orën e mësimit, alarmohej kur i shkonte në kontroll drejtori dhe çakordohej fare, duke e shthurur metodikisht orën e mësimit. Dhe para kujt? Jepi hakun, pikën më të fortë drejtori kishte përgatitjen metodike. Pasi mori mungesat nga kujdestari i klasës, mësuesi heshti për disa çaste, pastaj iu drejtua klasës: Sot besoj jeni përgatitur mirë, pasi kemi edhe miq si drejtori i shkollës, që ka ardhur të dëgjojë një orë mësimi në klasën tuaj, pasi jeni një klasë e mirë.

Drejtori, një burrë thatim bjond, i rreptë dhe shumë energjik, i vëmendshëm si një gjahtar me përvojë në gjetjen e gabimeve, u nxi në fytyrë nga kjo hyrje e tepruar në orën e mësimit dhe nuk iu durua: shoku mësues, nxënësit më njohin, filloni orën e mësimit! Kjo e hutoi krejtësisht mësuesin, i cili po i drejtonte klasës ca pyetje të hallakatura, që nuk merrej vesh ç'kërkonin. Më sill fletoren e ditarit, urdhëroi me ton të prerë drejtori. Mësuesi ia coi i prishur në fytyrë. Dorëzimi i ditarit në këto raste ishte një rregull. Nga kjo fillonte kontrolli.

Në fillim të orës së mësmit mësuesi i drejtonte zakonisht klasës disa pyetje thelbësore për temën e kaluar dhe pastaj kalonte në kontrollin individual të nxënësve, që, si rregull, planifikoheshin dhe vlerësoheshin me notë. Por ky planifikim edhe mund të prishej, sipas situatave, që krijoheshin në klasë, të cilat nuk mund të parashikohen të gjitha. Mësuesi i drejtoi klasës pyetje të tilla si ku ndodhet India, sa është numri popullsisë, ç'prodhon India , cilës race i përkasin indianët etj. Nxënësit më të mirë, si gjithmonë ngrinin dorën të përgjigjeshin dhe mësuesi miratonte përgjigjet e tyre, duke lëvizur sa nga e majta në të djathë të klasës, nga dera tek dritarja pranë katedrës, duke evituar shikimin e ngulur të drejtorit.

Më pas ai ngriti në drrasë të zezë dy nxënës, duke i drejtuar pyetje secilit, me kushtin që, kur nuk përgjigjej njeri, përgjigjen duhet ta jepte tjetri, të cilit i ngrihej nota.

Ndërsa po mbaronte kontrollin e njohurive u drejton nxënësve pyetjen: Kush di ndonjë gjë jashtë mësimit për Indinë? Klasa heshti. Si, nuk di asnjë, ndërhyri mësuesi për të nxitur klasën.

Me leje, u ngrit një nxënës në bangën para drejtorit, filmi "Raxh Kapuri". Gjithë klasa qeshi. Nxënësi kishte përmendur emrin e personazhit kryesor dhe jo titullin e filmit. Kësaj radhe nuk rezistoi as drejtori hijerëndë, ndonëse u përpoq ta mbante të qeshurën. Ishte fjala për një film shumë popullor indian në ato vite me titullin "Vagabondi", plot aventura të këndshme dhe këngë, që shfaqej gjithandej në kinematë shqiptare. Domethënë, tha mësuesi, India ka dhe artistë të mirë, dhe ngriti gishtin tregues si për të theksuar se edhe kjo është e rëndësishme. Drejtori herëpashere diçka shënonte në bllokun e tij, ndërsa i hidhte sytë edhe fletores së përgatitjes ditore të mësuesit. Ai mbante shënime të imta për orën e mësimit dhe, në përgjithësi, ishte i saktë në vërejtjet që u bënte mësuesve. Deri këtu thuajse ora po rridhte normalisht, me gjithë pasigurinë metodike të mësuesit, sidomos pas cakordimit, që shkaktoi ndërhyrja e drejtorit në fillim të orës.

Mësuesi, e kishte nisur karrierën në vitet e para pas çlirimit, me një kurs një vjeçar të përshpejtuar mbi shkollimin e detyruar 7-vjeçar. Ishte koha kur ndihej nevoja urgjente për mësues në kuadrin e luftës kundër analfabetizmit të qeverisë komuniste. Zakonisht, ai pasaktësitë shkencore-metodike i mbulonte me komente ideologjike, që kërkoheshin shumë në orën e mësimit, ku përparësi kishte boshti ideologjik, që konkretizohej në të ashtuquajturin aktualizim të mësimit dhe lidhjes së shkollës me jetën.

Kështu kaloi gjysma e orës së mësimit. Mësuesi, pasi vlerësoi përgjigjet e nxënësve , nuk harroi të shtonte se nxënësit, edhe ata më të mirët, kishin harruar dicka të rëndësishme pa evidentuar, faktin që India kishte një parti komuniste të fortë, që po luftonte për vendosjen e socializmit në Indi...Kjo është e rëndësishme, tha mësuesi duke u avitur me shpinë te drrasa e zezë, se tregon që revolucioni socialist po e ngushton gjithnjë e më shumë hapësirën kapitaliste.Harta e Botës po bëhet gjithnjë e me shumë e kuqe, e mbylli ligjëratën entuziaste mësuesi.Tani kalojmë te mësimi i ri. Mori shkumësin dhe shënoi në dërrasë me shkronja kapitale Republika Popullore Kinës. Dhe e nënvizoi. U kthye nga klasa me fytyrë të ndricuar dhe plot siguri. E kishte marrë përfundimisht veten. Aq më shumë që tani ishte në terrenin e tij. Tema e re e mësimit të ofronte mundësi për komente ideologjke, që ishin dhe arma e tij e preferuar.

Sot do shpjegoj një mësim shumë të bukur, apo jo, iu drejtua ai nxënësve, që befas u gjallëruan. Dhe, i qeshur në fytyrë, filloi të shpjegojë.Tha sipërfaqen dhe numrin e popullsisë së Kinës me një ton solemn, sikur të mos ishte në klasë duke shpjeguar, por diku në një miting.Tha se Kina është shteti më i madh në botë, se kinezët kanë shpikur letrën dhe busullën dhe nuk kanë frikë nga imperialistët amerikanë. Kaq patetik u bë sa, pas këtyre fjalëve, tha se Kinës i marrin të keqen armiqtë!..Drejtori u ngërdhesh, duke tundur kokën sa majtas, djathtas. Ndërsa për zhvillimin ekonomik ai përmendi vetëm faktin që ajo prodhon bomba bërthamore dhe se Mao Ce Duni ka thënë që amerikanët janë tigra prej letre. Këtu mësuesi u entuziazmua shumë dhe shtoi se shoku Enver dhe Mao Ce Duni janë shokë të ngushtë.

I mbrojtur nga koraca ideologjike, si cdo herë, ai mendoi se edhe kësaj here drejtori do ta kishte të vështirë ta kritikonte për pasktësitë metodike dhe shkencore. Aq më tepër që drejtori nuk ishte as komunist. Ndërsa ai vet ishte një komunist i përjashtuar nga partia, po mik i partisë, sic ishte shprehur jo pa humor një funksionar i lartë lokal i partisë për të. Gjatë shpjegimit, me përjashtim të Pekinit dhe Shangait nuk përmendi asnjë qytet tjetër kinez dhe, si përforcim, e mbylli shpjegimin e mësimit të ri : Amerikanët nuk na bëjnë dot gjë, pasi na mbron Kina! Kështu ka thënë Mao Ce Duni, theksoi ai, megjithëse në tekstet e nxënësve nuk kishte agjë të tillë. Ai e mbingarkonte vet idelogjikisht tekstin.

Ndërsa kishin mbetur pak minuta që të mbaronte ora e mësimit, u kujtua që nuk e kishte përdorur hartën. Shkoi te katedra dhe, me fytyrë nga klasa, pa e parë , e shpalosi hartën duke e vendosur në gozhdën që ishte në mur, mbi drrasën e zezë. Nxënësit shtangën. Drejtori brofi nga vendi ku qe ulur dhe doli i nervozuar jashtë. Duke dalë i tha mësuesit: Të pres në drejtori pas mësimit! Klasa nuk pipëtinte. Mësuesi e kishte humbur fare dhe, pasi qëndroi disa caste i ngrirë para klasës pa e kuptuar shkakun e largimit demostrativ të drejtorit , hodhi sytë nga drrasa e zezë, ku ishte shpalosur harta dhe qëndroi i përhumbur disa caste. Pastaj shkoi te dritarja me duar të kryqëzuara nga pas dhe qëndroi derisa ra zilja.

Në heshtje shkoi te katedra, mbylli regjistrin, mbështolli hartën dhe doli pa u thënë "ditën e mirë" nxënësve, sic bënte zakonisht, ndërsa në sytë e fëmijve, më shumë se hutim, pasqyrohej keqardhja për mësuesin. Kur shkoi në drejtori, dejtori, pa e lënë të ulej, i tha: kam vetëm një pyetje: Pse kishe marrë hartën e Europës, kur do të shpjegoje Kinën? Dhe mësuesi iu përgjigj: Që t'u tregoja nxënësve se Kina nuk bie në Europë!.. Drejtori, i shokuar nga përgjigja e hatashme, pasi e vështroi disa caste mësuesin në sy, mbylli bllokun e shënimeve i zbardhur krejt në fytyre dhe tha i kapitulluar : dil jashtë!

Kishte bërë analizën më të shkurtër dhe më të cuditshme të karrierës së tij si drejtor shkolle...

Marre nga blogu "Fjala ime"

Një orë gjeografie, nga Petrit Qejvani

KËNGË & VIDEO

SONDAZH

Cili është mendimi juaj për uebsaitin tonë të porsa çelur www.kallarati.com?
 

FACEBOOK FanBox

SPONSOR i faqes www.kallarati.com

Sponsor te faqes www.kallarati.com

GAZETA "KALLARATI"

NUMURI I LLOGARISË I SHOQATËS ATDHETARE & KULTURORE “KALLARATI”

Banka: Societe Generale Albania.
Në LEK në numrin e llogarisë: 1175099
Në EURO në numrin e llogarisë: 1175101
Pë çdo kontribut kontaktoni në adresat:
kontakt@kallarati.com
gazetakallarati@yahoo.com
Sefer Jonuzi Cel: 00355682745862

Nga Blogu

09 Shkurt, 2017

Rrugëtimi në jetë i veteranit 90 vjeçar Xhelo Dautaj

  -Rrëfim-   Një rrugëtim në jetë prej 90 vjetësh nuk janë as shumë, por as… Lexo më shumë...
26 Dhjetor, 2016

TË NOHIM SHKRIMTARIN DHE PËRKTHYESIN BAJRAM KARABOLLI

Bajram Karabolli - lindur në Mavrovë (Vlorë) në 1943, prindërit e tij me… Lexo më shumë...
27 Tetor, 2016

NË KALLARAT U FESTUA ME KRENARI 100-VJETORI I HAPJES SË SHKOLLËS SË PARË SHQIPE

  Nga Besnik GJONBRATAJ AMBJENT FESTIV NË KALLARAT Në datat 13 dhe 14 gusht… Lexo më shumë...

Lajmet nga vendi