100vjetori
Vinaora Nivo SliderVinaora Nivo Slider

MORALISTËT E MUNDUR NGA PRAGMATISTËT, nga Petrit Qejvani

                                                                 

 
PetritQejvaniMe moral dhe me  Berishën, apo  pa moral dhe pa Berishën? Kjo është alternativa që shtrohet sot gjithandej në tribunat politike, po dhe në ato mediatike. E gjitha kjo bëhet për të justifikuar aleancën PS-LSI, që i zuri krejt në befasi të gjithë, vecanërisht moralistët idealistë.Si cdo alternativë dhe kjo është shumë dilematike. Cdo zgjedhje nuk është  e lumtur. Në të dy rastet fiton dicka dhe humb dicka. Bile fitorja dhe humbja janë të barabarta. Është pak a shumë si ajo “Sokrat i vuajtur, apo derr i kënaqur”, e cila ka dy zgjidhje: moralistët do zgjidhnin Sokratin, kurse pragmatistët-derrin. Që do të thotë që moralistët (idealistët) vuajnë, kurse pragmatistët shijojnë përfitimet. Pra, përzënia e Berishës nga pushteti, në këtë rast, përligj cdo kombinacion politik. Në instancë të fundit kjo do të thotë se Berisha, jo vetëm është ë keqja më ë madhe (plotësisht dakord), por dhe një e keqe e cimentuar, që kërkon një mobilizim të jashtëzakonshëm të të gjithë faktorëve politikë për ta larguar. Ndryshe Berisha s’bie!
 
Pas kaq vitesh kujtoj thenien e nje kryetari bashkie socialist me 1997, fill pas zgjedhjeve, ku Berisha humbi thellë, i cili tha: Ky bandit s’duhet të lejohet të vijë më kurrë në pushtet! As kjo parti për nja 50 vjet! Unë e di që Berisha është i rrezikshëm dhe shumë i vështirë për t’u mundur demokratikisht.  Ai ka dhënë boll prova për këtë. Dhe tani është ca vonë për ta konstatuar. Dhe doemos shtohet kostua e largimit të tij.       Por c’e ka bërë Berishën, një përbindësh politik, një kucedër me shtate koka, që ka zaptuar të gjitha pushtetet, si kucedra e legjendës, që ka tharë të gjithë krojet ë fshatit? Ku e gjen ky këtë fuqi për të mos u shkulur nga karrigia e pushtetit? Sa fuqi ka ai vet dhe sa i kanë shtuar të tjerët? Që Berisha është i tillë ka disa shkaqe, që duhen evidentuar. Ë para zotësia e tij, aftësitë e tij politike, e dyta, përçarja e së majtës dhe roli negativ i një sharlatani si Nano, e treta, “paterica” LSI më 2009, e katërta, mëndjelehtësia dhe gabimet politiko-taktike të Edi Ramës, (ndryshimet famëkeqe kushtetuese të 2008 që e bënë atë praktikisht diktator, jo autoritar) dhe e pesta, përkrahja që i kanë dhënë ndërkombëtarët. Por unë mendoj se, mbi të gjitha, Berishën e ka favorizuar mungesa në PS e një lidershipi të fortë, të pjekur politikisht (që s’bën gabime as me kundërshtarin, as me të vetët),  të zgjuar dhe të vendosur në luftën politike.
 
Sikur Berisha të kishte përballë simetrikun e tij nga e majta (PS) në aftësi politike , kapacitete dhe vendosmëri, me ato që ka bërë (1996,1997,1998 etj.), në rastin më të mirë sot ai do të ishte pjesë e arkivit politik, do t’i takonte “historisë”. Por është fati i tij që e majta ( në këtë rastPS) nuk e pati një lider të tillë!..
 
Aleanca PS-LSI ka tronditur skenën politike shqiptare dhe e ka turbulluat aq shumë situatën parazgjedhore dhe analistët e ndryshëm, saqë disa prej tyre, moralistë të thekur deri dje, pa dalë në skenë kjo aleancë, tani janë shndërruar në pragmatistë “moralistë” duke na kënduar refrenin bajat  më mirë pa moral dhe pa Berishen, se me Berishën në pushtet. Sipas tyre kjo shoqëri është amorale( dhe nuk bëjnë ndonjë gabim të madh) dhe prandaj sakrificat morale pa rezultate politike pozitive s’ vlejnë dy lekë!.. Me një fjalë ata e trajtojnë këtë njëlloj si fruthi, i cili duhet kaluar pa tjeter në jetën e njeriut. Me gjithë shkallën e lartë të amoralitetit unë mendoj se morali nuk ka vdekur te të gjithë, sepse një shoqëri amorale nuk ka shpresë shërimi, nuk ka forcë të luftojë të keqen, nuk ka shanse të ringrihet, po deshët ju dhe të rilindë. Pse ka patur gjithnjë moralistë bota është bërë më e mirë. Një konstatim i tillë nga ana e tyre është shprehje e rënies morale të shoqërisë sonë në një shkallë të frikshme. Por nga ana tjetër zhveshja e politikës nga morali për hir të një rezultati politik ende të pasigurtë, do të thotë ta shfajësosh atë nga përgjegjësitë para qytetarëve, t’ia kundërvesh qytetarit. Dhe këtu me të grejtë shtohet pyetja: Kur do të japin ndonjëherë llogari politikanët në këtë vend? Pa dhënë llogari politikanët, pa u ndëshkuar ata që bëjnë zullume, ky vend do tërhiqet zvarrë pas qerres së tyre të molepsur. Mirëpo ndëshkimin ta jep morali. Pa moral, s’ka ndëshkim dhe pa ndëshkim, s’ka korrigjim të së keqes. Të tjerat janë pallavra. Mirëpo kjo marrëveshje vret moralin dhe shpresën për të nesërmen.Ose, së paku, e cungon atë.
 
Ndërsa analistët janë ndarë në dy kampe: ose Aleanca PS-LSI dhe pa Berishën, ndonëse e pamoralshme, ose me moral dhe me Berishën në pushtet. Këtë aleancë e mbrojnë më tepër natyrisht ata që e gatuan, por dhe analistë të ndryshëm rreth tyre apo edhe të pavarur, të cilët i ka lodhur Berisha. Ndërsa e kritikojnë si të pamoralshme edhe  të tjerë zëra, jo vetëm militantë të PS, por edhe intelektualë pa parti. Këtu nuk ë kam fjalën për ata që bëjnë lojën e pushtetit, por për moralistët prej vërteti.
 
Largimi i Berishës është bërë makth, gati quhet fatalitet! Kjo tregon përgjegjësinë e shumicës qytetare, që nuk e voton Berishën dhe sidomos të opozitës politike, pale të shoqërisë civile të paqënë. Pasthirrmat e tjera të lëshuara me shumicë këto ditët e fundit se duhet ndryshuar populli, apo se të gjithë jemi amoralë, se cdo qelbësirë duhet të bashkohet për ta rrëzuar Berishën,. tregon lodhjen dhe dëshpërimin që ka kaplluar pjesën  e shoqërisë, që refuzon Berishën. Populli dihet që është turmë, pa liderat. Prandaj duhet bariu. S’mund të fajësohet delja pse e ha ujku, por bariu. Prandaj janë udhëheqësit, që të gjejnë rrugën, kur kjo mungon për të tjerët.
 
Lidershipi socialist, duke dashur të qetësojë të zhgënjyerit e vet moralistë, deklaron se kjo aleancë u bë, pasi nuk e kishim të sigurtë fitoren, sepse Berisha do na vidhte prapë votat!..Kjo deklaratë është ë sinqertë, por njëherësh e gabuar politikisht në dy aspekte: në të parin se legjitimon vjedhjen e zgjedhjeve në demokraci, domethënë të pushtetit dhe në të dytin se demoralizon votuesit e tu, të cilët s’kanë pse hedhin një votë që do u rrëmbehet nga Berisha, per shkak te dobesise se  lidershipit te opozites. Pastaj, si mund të thuhet kaq thjesht një gjë ë tillë në mes të Europës? Si mund të pajohemi me një logjikë të tillë? Si të ishim në Kongo apo në Ruanda! Por Saliu jeton politikisht edhe falë kësaj logjike. Me sa di unë, në asnjë vend tjetër ballkanik nuk ka gjëra të tilla. Atëhere ç’na duhen ndëkombëtarët në mes të Tiranës? C’na duhen arbitra të tillë tifozë të qeverisë? Që të tallen me shqiptarët dhe “demokracinë” shqiptare? Prandaj në këtë sens ndëkombëtarët janë po aq fajtorë sa Berisha për deformimet ë demokracisë në Shqipëri. Dhe këtë jo vetëm media, por edhe opozita duhet ta thotë me zë të lartë. Që të “binden” edhe ata se më kanë të bëjnë dhe jo të mendojnë, sic kanë menduar, se opozitën mund ta qorollisësh kur të duash! Edukatën e opozitës ata e marrin për dobësi. Ata janë ca horra që në vendin ë tyre s’i njeh  njeri dhe këtu tallen me shqiptarët!
 
Me sa duket, megjithë deklaratat entuziaste të paradokohëshme se fitojmë edhe pa LSI, disa llogari të frikshme e kanë detyruar opozitën të ndrrojë “fletën”. Fakti që Berisha po përgatit manipulimin ë radhës ka imponuar aleancën PS- LSI, moralisht e pajustifikueshme.(Këtë ë kam thënë në një shkrim para se të deklarohej kjo aleancë). Por dhe pragmatikisht është e paqartë për shkak të palexueshmërisë së Metës. Dhe këtë Rama ë di shumë mirë, prandaj përpiqet të na e justifikojë me “gogolin” Berisha. Rama është i trembur kësaj radhe se një humbje e mundshme do ishte e fundit për të. Kjo frikë është shenjë dobësie dhe mungesë guximi. Për moralistët  kjo aleancë shihet me dyshim dhe fitorja, edhe e papastër, ju duket e largët dhe nuk ua ngroh zemrat.
 
Në një shkrim rreth një vit më parë kam theksuar se, që opozita të vijë në pushtet, veç të tjerave, duhet të paktën të sigurojë hapjen ë kutive të votimit me kod zgjedhor (kur dyshohet për manipulim me kërkesën ë dy anëtarëve të KQZ, pa apelim në kolegjin zgjedhor, pra pa të hedhur Saliu degë më degë si më 2009) si dhe t’i rrëmbejë Berishës aleatët e vet, ndëkombëtarët. Kaq do ishte  mjaftueshme për një fitore të pastër politike dhe morale.
 
    
8 prill 2013  Shkruar per blogun Petrit Qejvani "Fjala ime"
MORALISTËT E MUNDUR NGA PRAGMATISTËT, nga Petrit Qejvani

KËNGË & VIDEO

SONDAZH

Cili është mendimi juaj për uebsaitin tonë të porsa çelur www.kallarati.com?
 

FACEBOOK FanBox

SPONSOR i faqes www.kallarati.com

Sponsor te faqes www.kallarati.com

GAZETA "KALLARATI"

NUMURI I LLOGARISË I SHOQATËS ATDHETARE & KULTURORE “KALLARATI”

Banka: Societe Generale Albania.
Në LEK në numrin e llogarisë: 1175099
Në EURO në numrin e llogarisë: 1175101
Pë çdo kontribut kontaktoni në adresat:
kontakt@kallarati.com
gazetakallarati@yahoo.com
Sefer Jonuzi Cel: 00355682745862

Nga Blogu

09 Shkurt, 2017

Rrugëtimi në jetë i veteranit 90 vjeçar Xhelo Dautaj

  -Rrëfim-   Një rrugëtim në jetë prej 90 vjetësh nuk janë as shumë, por as… Lexo më shumë...
26 Dhjetor, 2016

TË NOHIM SHKRIMTARIN DHE PËRKTHYESIN BAJRAM KARABOLLI

Bajram Karabolli - lindur në Mavrovë (Vlorë) në 1943, prindërit e tij me… Lexo më shumë...
27 Tetor, 2016

NË KALLARAT U FESTUA ME KRENARI 100-VJETORI I HAPJES SË SHKOLLËS SË PARË SHQIPE

  Nga Besnik GJONBRATAJ AMBJENT FESTIV NË KALLARAT Në datat 13 dhe 14 gusht… Lexo më shumë...

Lajmet nga vendi