100vjetori
Vinaora Nivo SliderVinaora Nivo Slider

Rrugëtimi në jetë i veteranit 90 vjeçar Xhelo Dautaj

 

-Rrëfim-

 

Një rrugëtim në jetë prej 90 vjetësh nuk janë as shumë, por as edhe pak, po të kemi parasysh moshën mesatare në vendin tonë, atë të burrave që është rreth 75-tave. Në ketë botë secili ka fatin të jetojë jetën dhe ditët e tij. Jeta, ashtu siç nuk mund t'i falet kujt, edhe nuk mund t'i merret ajo. Jo më kot i thonë që "zoti të sjellë në jetë dhe po zoti ta merr jetën". Rëndësi ka që çdonjëri ta jetojë e shijojë jetën personale e atë familjare në mënyrën e tij më të mirë të mundshme. Në jetë njeriu, përveç vetes dhe familjes, duhet të ketë edhe disa detyrime dhe kontribute ndaj shoqërisë, ashtu siç duhet të marrë nga shoqëria, duhet edhe të jap diçka ndaj saj, pra siç i thonë në gjuhën e popullit “të lerë gjurmë”, që pasi të larohet nga kjo botë, të mbahet mend e të kujtohet nga brezat e ardhshëm për atë që ka bërë. Shembuj të tillë ka plot. Një nga këta mendoj se është  edhe veterani Xhelo Dautaj me origjinë nga Kallarati i Vlorës.

Xhelua në vigjilje të këtij viti, pikërisht më 2 janar 2017 mbushi 90 vjet. Rrugëtimi i tij në jetë në shërbim të familjes dhe shoqërisë nisë që me aktivizimin e tij në formacionet partizane, pjesëmarrjen në vitet pas çlirimit në rindërtimin e vendit, kryerjen e detyrave të ndryshme partie e rinie në shërbim të shoqërisë, duke filluar në Kurvelesh, Tepelenë, Gjirokastër, Tiranë dhe prej më se 30 vjetësh në rrethin e Matit. Xhelo Dautaj në gjoksin e tij mban një sërë dekoratash lufte e pune. Një jetë të tërë në detyra nga më të vështirat dhe të rëndësishmet.

Me një kontribut të vyer në Organizatën e Veteranëve të LANÇ-it, shoqatën “Labëria” e “Kallarati”, me botime në organe të ndryshme. Po cila është një pjesë e rrugëtimit të tij në jetë?. Këtë le ta mësojmë sipas rrëfimit, që ai vet i bën jetës së tij personale, familjare e shoqërore.

Kujtime nga fëmijëria e tij

Xhelo Miftar Dautaj lindi më 2 janar 1927 në Kallarat të rrethit të Vlorës nga prindërit Miftar e Selime, të cilët të dy rridhnin nga familje me ndjenja të theksuara atdhetare e liridashëse. Gjyshi i tij, Daut Abazi dhe djali i tij i madh, Bilbili, patën luftuar me armë në dorë më 1914 kundër andartëve grekë që dogjën fshatin e Kallaratit. Po kështu edhe dy djemtë e tjerë Miftari e Shabani morën pjesë në Luftën e Vlorës më 1920 në përbërje të çetës së Kallaratit.

Ja se çfarë kujton sot Xhelua për fëmijërinë e tij. Nëna ime Selimeja merrej kryesisht me punët e shtëpisë, rritjen e fëmijëve dhe punimin e tokës, ndërsa babai Myftari çoban në blegtori. Unë nga mosha e vegjëlisë mbaj mend  fjalët e ëmbla, të ngrohta e të përzemërta të nënës time dhe gjyshes Mezesë. Gjyshja më mbante tërë ditën kaçi, më gostiste me ato pak gjëra që kishte dhe më vinte në gjumë me nina-nanat e saj.

Edhe babai më mbante afër, më kishte si shokë, më jepte këshilla dhe më edukonte. Edhe pse isha i vogël, ai më merrte me vete atje në stan ku kulloste bagëtitë, donte që edhe unë të bëhesha bari i dalluar në të ardhmen. Po nga ana tjetër ai  donte që unë edhe të arsimohesha. Babai im ishte mësuesi im i parë. Ai më bleu abetare, defterë dhe kalem dhe duke kullotur dhentë më mësonte shkrim e këndim. Kisha shumë dëshirë të mësoja germat, të shkruaja e të këndoja. Me ato pak njohuri çava fillimisht në jetë.

Por në dhjetor 1938 papritur babai më vdiq dhe ne fëmijëve dhe nënës tonë na u krijua një situatë mjaft e vështirë dhe e rëndë. Në kohën që prisnim ditë më të mira na gjeti hataja, ngelëm jetim. Më i madhi i fëmijëve isha unë 11 vjeç, motra Hamideja 7 vjeçe, vëllai Abazi 4 vjeç dhe motra e vogël Xhixhua 1 vjeçe. Tërë barra e shtëpisë ra mbi nënën tonë. Ajo me guxim, kuraje dhe mençuri ia doli faqebardhë duke na rritur, shkolluar dhe martuar të gjithëve. Mirënjohje prindërve të mi!

Përfshirja në luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Familja jonë - tregon Xhelua - ashtu si i gjithë fshati i Kallaratit dhe zona e Labërisë u lidh që në fillim me lëvizjen  nacionalçlirimtare. Më 5 shkurt 1943 u pranova në radhët e Rinisë Komuniste dhe u futa menjëherë në përbërje të çetës  territoriale “Mumin Selami”. Shtëpia jonë në atë kohë ishte bazë lufte. Më 20 korrik 1943 mora pjesë në Kuvendin e Kallaratit, ku burrat e fshatit u betuan “Luftë të paprerë  kundër fashizmit deri çlirimin e plotë të vendit”. Më vonë bashkë me shumë bashkëfshatarë të mitë u rreshtuam partizanë në Brigadën e Tetë Sulmuese, që u formua në Sheper të Zagorisë më 25 prill 1944. Në këtë brigadë mora pjesë në të gjitha luftimet që ajo zhvilloi kundër forcave gjermane e atyre balliste si në Sopik të Pogonit, gjatë gjithë operacionit armik të qershorit 1944, në sulmim për çlirimin e  Gjirokastrës më 28 korrik 1944, në sulmin për çlirimin e Konispolit më 24 gusht 1944, në Urën Vajgurore, Kuçovë në Qafën e Sqepurit, në luftën për çlirimin e Tiranës më 17 nëntor 1944 etj. Gjithashtu kam marrë pjesë edhe në luftimet në ish Jugosllavi, ku brigada e tetë mori pjesë në përbërje të divizionit të gjashtë në ndjekje të armikut edhe matanë kufijve tanë, por që jetonin shqiptarë. Atje gjatë luftimeve në Tuz së bashku me disa shokë u sëmurëm rëndë me ftohje dhe na sollën në spitalin e Shkodrës. Mbaj mend se pas daljes nga spitali deshëm që t’i bashkoheshim përsëri brigadës, por ajo ishte larguar shumë, rrugët ishin të zëna me dëborë, gjuhën nuk e dinim, ushqim e veshmbathje nuk kishim, kështu që vendosëm të mos shkonim dhe na shpërndanë në reparte të ndryshme. Mua më caktuan  në kompaninë e shtabit të korpusit të tretë. Aty gjeta dhe u njoha me shumë shokë nga Lumi i Vlorës dhe krahina e Labërisë. Aty më zgjodhën sekretar rinie dhe më pranuan në parti. Gëzim shumë i madh për mua.

Kthimi pas lufte në Kallarat pranë nënës time të dashur

Pasi lufta kishte përfunduar, më 8 shkurt 1945, u lirova nga ushtria dhe në mëngjesin e datës 10 shkurt 1945 arrita në vendlindje në Kallarat, pranë nënës dhe njerëzve të mi të dashur që malli më kishte marrë aq shumë. Rrugën, nga Qafa e e Ubavit, atje ku më linte rruga automobilistike e fshatit e deri në shtëpi, e bëra vetëtimthi, fluturoja nga gëzimi. Doja të arrija në shtëpi sa më parë, të takoja njerëzit e mi të shtrenjtë, të shikoja arat, pyjet, malet, bagëtitë, malin e Bogonicës. Si me porosi 10 shkurti ishte një ditë e kthjellët, edhe pse ishte akoma dimër, ishte disi ngrohtë. Dielli shkëlqente. Mua çdo gjë më dukej e mrekullueshme dhe mahnitëse. Me nënën u takuam ballë për ballë diku afër shtëpisë, krejt papritur. Ishte një çast shumë prekës e mallëngjyes, pse jo edhe tronditës. Ishte një moment ku madhështia e atij takimi nënë-djalë nuk mund të përshkruhet dot me fjalë. Nëna sa më pa  m’u hodh për qafe dhe me vështirësi belbëzoi fjalët “Lumthi unë që më erdhi djali, drita e syve”. Buzët filluan tii dridheshin, nga sytë i shpërthyen rrëketë me lot, shumë e drithëruar. Edhe unë isha po në atë gjendje, por mundohesha ta mbaja veten. Të tilla ngjarje ndodhin rrallë dhe janë të papërsëritshme. Së pari kishim gati dy vjet pa u parë me njëri tjetrin dhe asnjë mundësi komunikimi. Së dyti duke qenë në vijën e parë të luftës, kthimi gjallë nga lufta nuk ishte i sigurt, prandaj nëna më tha: “Jam me fat që na erdhi djali nga lufta shëndoshë e mirë. Nuk besoja  se do të më ktheheshe gjallë e të të shikoja përsëri. Kam derdhur shumë lot. Më dridhej zemra  kur dëgjoja që në fshat vinin lajme për vrasjen e bijve të nënave në luftë. Do bëjmë davetë (dasmë)”. Edhe takimi me vëllain e motrat ishte po aq prekës sa edhe me nënën.

Puna me rininë, puna më e bukur dhe tërheqëse

Në kohën që u ktheva nga lufta dhe shkova në Kallarat, komisari më dha një zarf të mbyllur, për t’ia dorëzuar në dorë vetëm sekretarit të partisë së nënprefekturës të asaj kohe në Gusmar të Kurveleshit. Ashtu bëra, më 1 mars  1945 shkova në Gusmar dhe takova personin e rekomanduar, Halil Serjani quhej. Pasi foli me dikë më shtrëngoi dorën dhe më tha që më 5 mars të presë përsëri në zyrë. Në atë datë, ai së bashku edhe me disa shokë të tjerë më komunikuan detyrën e sekretarit të rinisë së nënprefekturës dhe më uruan punë të mbarë. Detyra ishte e bukur dhe e vlerësova jashtëzakonisht. Mua, ashtu thjesht, aty në zemër të maleve të Labërisë dhe popullit të shquar e kreshnik të Kurveleshit, m’u hap porta e madhe e së ardhmes me rreze të fuqishme drite. Në Kurvelesh punova 8 muaj pa u lodhur vullnetarisht  dhe në kushte të vështira. Puna me organizatën e rinisë shkëlqeu.

Në muajin nëntor të vitit 1945 transferohem në Tepelenë në detyrën e sekretarit organizativ të komitetit të rinisë, ndërsa në mars 1947 në Gjirokastër në detyrën e instruktorit të komitetit të rinisë të qarkut. Në qershor 1947 kthehem përsëri në Tepelenë tashmë në detyrën e sekretarit të parë të rinisë së rrethit, ku punova 7 vjet. Këto ishin vite të bukura e të zjarrta, ku rinia merrte pjesë në shumë aksione për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta, në ndërtimin e hekurudhave e rrugëve anembanë Shqipërisë.

Njohja me bashkëshorten Nikën dhe krijimi i familjes

Padyshim që krijimi i familjes për këdo është një obligim dhe ëndërr në jetë. Në vitin 1951-1952 vazhdova studimet në shkollën njëvjeçare të partisë në Tiranë. Aty u njoha me Nika Treskën, një vajzë me origjinë nga Korça e banim në Tiranë. Nika ishte e zgjuar, me kulturë dhe edukatë shembullore. Mbasi u njohëm mirë, krijova bindjen se ajo do të ishte shoqja ime jetës që kisha ëndërruar, e cila më vonë nuk do të ishte vetëm bashkëshortja, por edhe bashkëpunëtorja e jetës. Asaj i shpreha dashurinë drejtpërdrejt duke i thënë: “Të dua të fejohemi të krijojmë familjen tonë”. Edhe ajo duke qenë se kishte arritur të më njihte si djalë, por edhe si karakter dhe puqeshim në shumë gjëra të përbashkëta, pranoi me kënaqësi. Familja e Nikës ishte një familje korçare mjaft e njohur dhe e vlerësuar në atë kohë, familje e lidhur tërësisht me luftën antifashiste nacionalçlirimtare.

Me mbarimin e shkollës, Nikën e emëruan instruktore në Komitetin Qendror të Partisë, ndërsa mua përsëri në Tepelenë, sekretari i parë i komitetit të rinisë në detyrën e mëparshme. Në kohën që ne ishim të fejuar dhe mendonim si të krijonim familjen e re, më transferojnë edhe mua në Tiranë në Komitetin Qendror të Rinisë, instruktor për qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe pas disa kohësh më zgjodhën në udhëheqjen më të lartë të rinisë. Një mrekulli e madhe dhe një gëzim i pa përshkruar. Më vonë edhe Nikën e sollën në Komitetin Qendror të Rinisë, shefe seksioni. Pra u krijuan në këtë mënyrë që themelet e familjes së re t’i hidhnim në Tiranë, ku qëndruam për gati pesë vjet.

Transferimi i përkohshëm në rrethin e Matit, ku qëndrova 30 vjet derisa dola në pension, ndoshta më shumë se vetë matjanët.

Vitet 50-60 ishin vitet që kuadrot që ishin me punë në Tiranë shpesh u kërkohej që vullnetarisht të shkonin të punonin në rrethet e tjera kryesisht në zonën verilindore. Nikës dhe mua na u kërkua të shkonim në rrethin e Matit, Nika përgjegjëse e gruas, unë sekretar i komitetit të rinisë. E pranuam me dëshirë, edhe pse familjarisht duhej të zhvendoseshim atje së bashku me dy vajzat që kisha në atë kohë, Arianën 3 vjeçe dhe Afërditën 4 muajsh. Në fillim të vitit 1958 u vendosëm me banim në qytetin e Burrelit, i cili në atë kohë nuk kishte drita, ujë dhe as rrugë. Por ne nuk ishim të vetëm, pasi me ato kushte jetonte një popull i tërë. Vështirësitë e para i përballuam me kurajë dhe nuk u bëmë aspak pishman, pasi ky qytet u bë për ne për gati 30 vjet qyteti më i dashur. Në Mat populli na priti mjaft mirë. Aty gjetëm mikpritje, bujari e solidaritet të ngrohtë e vëllazëror. Në atë kohë nëna ime Selimeja jetonte e vetme në fshat. I shkrova letër ku e njoftoja se isha transferuar me punë dhe banim në Burrel. Ajo u trondit shumë nga ky lajm dhe më shkruan: “Fëmijë, çfarë gabimi keni bërë, mos më kini turpëruar?”. Duke mos besuar dhe nga meraku erdhi vetë  në Burrel dhe, duke na parë nga afër mes miqsh e shokësh matjanë, na besoi dhe u qetësua shumë.

Mbas pak vitesh jeta ekonomike, shoqërore e arsimore e qytetarëve të Burrelit, ashtu si edhe gjithë qyteteve të Shqipërisë filloi të ndryshojë. Ne vajtëm vullnetarë për të punuar për pak vite, por qëndruam shumë gjatë, tridhjetë vjet derisa dolëm edhe në pension. Ndoshta edhe vetë matjanët  u larguan në Tiranë e qytetet të tjera më herët.

Gjatë kohës që punova në Burrel m’u dha rasti të vizitoja ish Bashkimin Sovjetik të Stalinit  dhe Bullgarinë e Dimitrovit, një eksperiencë më vete do të ngelej për mua dhe shokët e mi.

Duke qenë me punë në Burrel në vitin 1963 kreva shkollën e partisë. Në vitin 1965 u diplomova për shkencat politiko-shoqërore. Në vitin 1973-1974 vazhdova studimet po në shkollën e partisë për filozofinë. Kryerja e këtyre shkollave dhe kualifikimet e bëra më ndihmuan në formimin tim si intelektual dhe drejtues i asaj kohe, më bënë që të jetoja më afër shqetësimeve, halleve dhe problemeve të njerëzve.

Vullnetarizmi më ndoqi gjatë gjithë jetës, vullnetarë në luftë, vullnetar për të shkuar në Mat dhe përsëri vullnetar për të shkuar në fshat. Kështu në vitet 1975-1980 shkova vullnetar, sekretar partie në Kurdari-Gurrë, një ekonomi me 8 fshatra e 10.000 banorë.  Iu futa një bote me shumë të panjohura, u vura para një prove të madhe, kërkohej rritja e prodhimit. Gjatë pesë vjetëve që qëndrova atje, në diell e në shi në erë e acar do të isha pranë brigadave e njerëzve. Në shtëpi shkoje vetëm kur kisha mbledhje në Burrel. Ditët e festave e vitin e ri shpesh i kaloja atje në fshat. Praktikoja takime me burra të mençëm, ata më jepnin mendime të çmuara. Pashë që njerëzit krijuan besim dhe më mbështetnin në punën time drejtuese. Kjo me bënte krenar dhe më frymëzonte për të bërë të pamundurën për atë zonë dhe banorët e tij.  Pesë vitet e punës në këtë ekonomi për mua ishin më shumë se një universitet. Për punën e mirë dhe rezultatet e arritura,  në vitin 1981 u ktheva përsëri në Burrel në Komitetin e Partisë, ku qëndrova deri në daljen në pension, bile edhe një vit më tepër. Këto janë vitet që punova e jetova në Burrel, këto janë vitet më të mira të jetës time, të bashkëshortes, por edhe të fëmijëve.

Mirënjohje e respekt popullit matjan

30 vjet në Mat dhe mes matjanëve nuk janë pak.  Prandaj, nëpërmjet rreshtave të kësaj gazete, dua të shpreh mirënjohje, falënderime dhe shumë respekt popullit të mençur, të zgjuar, bujar, punëtor, mikpritës e atdhetar matjanë, familjeve që na kanë pritë e përcjellë me respekt vëllazëror, kuadrove dhe gjithë bashkëpunëtorëve të nderuar të rrethit të Matit. Ju e patët vlerësuar punën tonë, fisnikërinë, ndershmërinë, vendosmërinë, korrektësinë, besnikërinë, personalitetin dhe drejtësinë në punën tonë, prandaj na mbajtët në gjirin tuaj me shumë respekt për më shumë se 30 vjet. Diçka e rrallë, e veçantë dhe e bukur. Në Mat bashkë me ju kaluam ditë të gëzuara e të lumtura. Në Burrel na lindi vajza e tretë, Teuta. Në Burrel u rritën, u arsimuan dhe dolën në jetë tria vajzat. Në Burrel u bënë tre dasmat, ku vajzat dolën nuse, krijuan familje, u bënë të lumtura dhe na gëzuan me nipër e mbesa.

Mati që në fillim e deri në fund na nderoi e respektoi si bijtë e vet, duke na emëruar në detyra të larta e të privilegjuara. Në Mat, së bashku me bashkëshorten Nikën, punuam me përkushtim. Aty kaluam rininë dhe shkrimë jetën, por jemi të lumtur e të gëzuar se e mbyllëm me lavdi, duke marrë edhe mjaft dekorata të kohës, por mbi të gjitha mirënjohjen e matjanëve.

Kthimi në Vlorë si pensionist dhe aktiviteti si veteran i luftës dhe i punës

Pas më se 30 vjetësh pune e banimi në Burrel, në vitin 1988, pasi dola edhe në pension, në kohën që edhe vetë matjanët filluan të lëvizin e të ndërtojnë jetën në qytete të tjera të Shqipërisë e sidomos edhe jashtë vendit, edhe unë lëviza në Vlorë në qytetin tim me arsyen e vetme që kohën e mbetur të jetës të jem më afër njerëzve të mi e të afërme. Por dua të nënvizoj se lëvizja si imja, e bashkëshortes dhe fëmijëve ka qenë shumë e vështirë, sepse Burreli dhe populli matjanë për ne u bënë pjesë e jetës, aq sa me të drejtë duam ta quajmë veten tonë vlonjato-matjanë, ashtu si në fakt edhe na thërrasin.

Me ardhjen në Vlorë, përveç çmallje me njerëzit e të afërmit, miqtë e shokët, fillova menjëherë të  aktivizohem në Komitetin e Veteranëve të Rrethit së bashku edhe me bashkëshorten Nikën. Aty gjeta mjaft shokë e shoqe të brezit tim të luftës, shkollës e të punës. Për vite me radhë kam kontribuar në edukimin e brezit të ri me ndjenjën e patriotizmit e të atdhedashurisë, në përkujtimin e datave historike të vendit. Kam kontribuar me të gjitha forcat dhe mënyrat për mbrojtjen e idealeve të luftës nacionalçlirimtare nga njerëz dhe forca të ndryshme politike që donin ta zbehnin atë deri në mosnjohje të qëndresës së popullit shqiptar ndaj pushtuesve të vendit.

Me ardhjen në Vlorë kam kontribuar në krijimin dhe funksionimin e shoqatës së vendlindjes “Kallarati” dhe gazetës së saj me të njëjtin emër, si edhe ndaj shoqatës “Labëria” dhe gazetës “Kushtrim Brezash”.

Dy fjalë për Nikën si bashkëshorte por më tepër si bashkëpunëtore

Theksova edhe më lart që me bashkëshorten Nikën u njoha në shkollën e partisë. Aty lidhëm jetën familjare, por që nga ajo kohë e derisa ajo ishte gjallë atë e kisha më tepër bashkëpunëtore, që të dy ndihmuam njëri tjetrin në çdo detyrë që kryem ndaj vendit. Mund të jetë rast i veçantë, ndofta edhe i vetëm ky yni. Tërë jetën derisa dolëm në pension, kemi punuar me organizatat shoqërore. Nika ishte jo vetëm një bashkëpunëtore e bashkëluftëtare e shquar, por edhe një nënë dhe gjyshe shembullore. Në Mat ajo punoi me përkushtim, me talent, kulturë e krijimtari. Kjo bëri që ajo të fitojë prestigj, autoritet, respekt dhe të admirohej. Ishte njëra nga gratë më të shquara me një personalitet të spikatur e të padiskutueshëm. Për punë e përkushtimin e saj Nika u zgjodh për disa herë delegate e kongreseve të partisë, gruas e të frontit. Ajo për disa vite me radhë kreu me sukses detyrën më të lartë në Burrel, atë Kryetares së Komitetit Ekzekutiv të qytetit.

Me Nikën, ndanim e qanim të gjitha hallet, jo vetëm të familjes, por edhe ato që kishin të bënin me tërë shoqërinë. Ajo ishte bashkëshoqëruesja ime e jetës, por ndarja pa pritur nga jeta në vitin 2009 më preu duart, më ligështoi mjaft, më ngeli krahu bosh. Po jeta këto i ka. Të mbeturit vetëm, bëri që për disa vite të jetoj pranë vajzës Arianës në Fier, ku edhe këtu kam gjetur miq e shokë të luftës e punës dhe bëj jetë aktive me organizatën e veteranëve, por megjithatë Nika më mungon....

Në këtë rrugëtim prej nëntëdhjetë vjetësh ndjehem i lumtur dhe i gëzuar në jetë

Unë e them me krenari e zë të lartë se në gjithë jetën time kam qenë dhe jam i gëzuar se krijova familjen me Nika Treskën, të cilën e kisha jo vetëm bashkëshorte të shkëlqyer e të mrekullueshme, por edhe një bashkëpunëtore e bashkëluftëtare të përkryer. Ajo solli në shtëpinë dhe familjen tonë gëzim, kulturë, hare lumturi e krenari. Me Nikën luftuam e punuam gjithë jetën në një front, atë të punës me dinjitet e krenari. Kam qenë dhe jam i lumtur me vajzat Arjanën, Afërditën dhe Teutën, të cilat janë dielli i jetës tonë. Jam i lumtur dhe i gëzuar me dhëndurët shembullorë, nipërit e mbesat  e shkëlqyer. Kam qenë dhe jam me fat që kam miq personalitete të shkëlqyera, burra shteti me kontribut kombëtar. Jam krenar e i lumtur që kam vëllazëri të nderuar e të respektuar, motra e vëllezër të dashur e fisnik. Kam qenë dhe jam i lumtur e krenar për pjesëmarrjen në luftën nacionalçlirimtare dhe që punova një jetë të tërë në sektorin e propagandës e me njerëzit e thjeshtë. Si djalë kallaratas jam krenar që punova më shumë se tridhjetë vjet, vetë e me familje, në rrethin e Matit. Jam i lumtur e krenar që jam vlonjat dhe që me të drejtë mund dhe duhet të quhem edhe matjanë.

Dashuria për vendlindjen, Kallaratin

Ashtu si kushdo, edhe unë kam qenë dhe jam i lidhur me vendlindjen time, Kallaratin. Aq më tepër të qenurit me punë dhe banim larg tij dhe Vlorës, dashuria për vendlindjen më është shtuar edhe më tepër. Me Kallaratin kam qenë i lidhur mjaft ngushtë, sepse atje u linda dhe u rrita. Kallarati më edukoi me virtytet më të mira, me bujarinë e atdhedashurinë. Atje mësova përrallat, proverbat, tregimet, legjendat, këngë e thënie të mençura popullore. Kallarati më këshilloi: Puno me nder e dinjitet/ec ngado me kokën lart/rrezato kudo në jetë/ se je nga fshati Kallarat”. Në Kallarat më prehen eshtrat e gjyshit, gjyshes, babait e motrës së vogël. Kallarati është fshat me histori të rrallë dhe kontribuues në lëvizjen nacionalçlirimtare për lirinë e vendit. Nga gjiri i këtij fshati kanë dalë njërës burra e gra, të rinj e të reja që kanë bërë emër në fushat të ndryshme të jetës në vend, në të kaluarën dhe në ditët e sotme dhe e quaj me fat dhe ndihem krenar që jam bir i këtij fshati të bukur e piktoresk që shtrihet në të dy anët e lumit të Shushicës dhe që bën pjesën Kurveleshin e Poshtëm e krahinën e Labërisë. Me shumë ndjenjë dhe si detyrim fshatit tim të dashur i kam kushtuar shumë shkrime në gazetat të ndryshme të vendit, të cilat i kam përmbledhur të gjitha në një dorëshkrim dhe që pres t’i botoj në një libër të titulluar “Kallarati në vargje”. Kallaratasve të mi, kudo që ndodhen brenda e jashtë atdheut ju uroj shëndet e lumturi dhe i këshilloj, që ngado që të venë të mos harrojnë vendlindjen e tyre nën moton tashmë të njohur “Ec ngado, po Kallaratin mos e harro”!

Gjithashtu, brezit të ri të shqiptarëve do t’ju sugjeroja:Shkollohuni, duajeni vendin tuaj, punoni për ta ndryshuar dhe lulëzuar këtë vend, vlerësoni sakrificat e mundimet e të parëve tanë, shikoni nga e ardhmja, por mos harroni të ktheni edhe kokën prapa nga kemi ardhur, nga do që të shkoni mos harroni që jeni shqiptarë dhe për këtë të ndiheni  krenar”.

Shoqata Kallarati uron Xhelo Dautajn në 90-vjetorin e lindjes se tij

Në ditët e para të vitit të ri 2017,  urimin e parë, Kryesia e Shoqatës "Kallarati", ia dedikoi njërit prej kallaratasve me moshë më të vjetër, veteranit Xhelo Dautaj, me rastin e 90 vjetorit të lindjes së tij. Në urim thuhej: Me respekt e mirënjohje vlerësojmë dhe çmojmë kontributin  Tuaj shumëvjeçar ne interes e dobi te familjes, shoqërisë, vendlindjes dhe me gjere;  për kontributin e çmuar dhënë që pionier në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare; për kontributin në vitet e rindërtimit të vendit, në Kurvelesh, Tepelenë, Gjirokastër, Tiranë, e sidomos te kontributit më se 30 vjeçar në punë rinie  e partie, së bashku me bashkëshorten Niken, në rrethin e Matit; për dashurinë dhe kontributin ndaj vendlindjes Kallaratit; për përkushtimin ndaj Organizatës së Veteranëve të Luftës; për kontributin ndaj Shoqatës dhe  gazetës "Kallarati", e të tjera kontribute me vlerë. Në këtë përvjetor të nëntëdhjete te lindjes Tuaj ju urojme: "Jete të gjatë e të lumtur plot shëndet mes vajzave, nipërve e mbesave, të afërmve, miqve, shokëve e bashkëfshatareve të tu kallaratas”.

I prekur shumë nga ky urim Xhelua u shpreh: Falënderoj me shumë mirënjohje e respekt të thellë gjithë miqtë, shokët, familjarët, tërë dashamirësit, kryesinë e shoqatës Kallarati kudo ku jini për urimet tuaja shumë të ngrohta dhe të përzemërta që më dërguat për 90 vjetorin e lindjes. Çdo fjalë e mendim ka ndjenja të fuqishme solidariteti vëllazëror, ato më gëzojnë, frymëzojnë dhe më japin energji. Mesazhet tuaja janë për mua dhe fëmijët e mi një dhuratë shumë e bukur, janë një thesar i shkëlqyer kulture. Ju shpreh të gjithëve mirënjohje”- përfundon falënderimin e vet Xhelua.

“Jetë të gjatë e plot shëndet, o vlonjato-matjani, Xhelo Dautaj”!

 

Nga Besnik GJONBRATAJ

Rrugëtimi në jetë i veteranit 90 vjeçar Xhelo Dautaj

KËNGË & VIDEO

SONDAZH

Cili është mendimi juaj për uebsaitin tonë të porsa çelur www.kallarati.com?
 

FACEBOOK FanBox

SPONSOR i faqes www.kallarati.com

Sponsor te faqes www.kallarati.com

GAZETA "KALLARATI"

NUMURI I LLOGARISË I SHOQATËS ATDHETARE & KULTURORE “KALLARATI”

Banka: Societe Generale Albania.
Në LEK në numrin e llogarisë: 1175099
Në EURO në numrin e llogarisë: 1175101
Pë çdo kontribut kontaktoni në adresat:
kontakt@kallarati.com
gazetakallarati@yahoo.com
Sefer Jonuzi Cel: 00355682745862

Nga Blogu

09 Shkurt, 2017

Rrugëtimi në jetë i veteranit 90 vjeçar Xhelo Dautaj

  -Rrëfim-   Një rrugëtim në jetë prej 90 vjetësh nuk janë as shumë, por as… Lexo më shumë...
26 Dhjetor, 2016

TË NOHIM SHKRIMTARIN DHE PËRKTHYESIN BAJRAM KARABOLLI

Bajram Karabolli - lindur në Mavrovë (Vlorë) në 1943, prindërit e tij me… Lexo më shumë...
27 Tetor, 2016

NË KALLARAT U FESTUA ME KRENARI 100-VJETORI I HAPJES SË SHKOLLËS SË PARË SHQIPE

  Nga Besnik GJONBRATAJ AMBJENT FESTIV NË KALLARAT Në datat 13 dhe 14 gusht… Lexo më shumë...

Lajmet nga vendi