100vjetori
Vinaora Nivo SliderVinaora Nivo Slider

EKONOMIA KALLARATASE NË SHEK. XIX–XX, nga Enver Strati

Format e pronësisë dhe taksat

 

Enver StratiNë Kallarat dhe zonat përreth, për shkak të terrenit malor, elemente të sistemit skllavopronar dhe feudal kanë jetuar së bashku me bashkësitë e lira fshatare. Çdo familje e bashkësisë kishte arën, kopshtin, vreshtin vet. Pyjet, kullotat, kodrat, malet etj. ishin të përbashkëta. të përbashkët kishin edhe disa fusha: mushatë e mëhallës apo të fshatit, të cilat janë dhe sot, ose fushat që kulloteshin bashkërisht pas korrjeve apo vjeljes së prodhimeve.

Krijimi dhe zhvillimi i pronës personale në Kallarat është bërë nëpërmjet dy fazave: ndarja e madhe, që përfshin pronat e patundshme për çdo mëhallë, si: tokat bujqësore, kullotat, pyjet malet etj.; ndarja e vogël që bëhet kur kemi ndarje të vëllazërisë, ku së bashku me pronën e tundshme u bë dhe ndarja e pronës së patundshme, të dyja në mënyrë paqësore. Në varësi të zhvillimit ekonomik, në Kallarat kane ekzistuar tri forma prone: a) prona private mbi mjetet e prodhimit, e përbërë nga arat, kullotat dhe pyjet; b) prona e përbashkët e mëhallës apo e vëllazërisë, ku hynin malet, pyje dhe mushatë; dhe c) prona e përbashkët e fshatit, që përfshinte masivet pyjore, kodrat, livadhet etj.

Në Kallarat, si në gjithë Labërinë, sistemi i timareve nuk arriti të zbatohej, si rrjedhim i veprimit të venomeve, kështu që toka dhe bagëtitë mbetën pronë fshatarëve. Në vitin 1856, Porta e Lartë shpalli dekretin e “Shenjtë” Hat-i-Sherif (Humajum). Mbështetur në këtë dekret, qeveria osmane më 1858 nxori ligjin agrar. Me këtë dekret, i jepej fund pronësisë feudo-ushtarake dhe sanksionohet prona private mbi tokën, dhe garantohej shitblerja e saj.

Vënia në zbatim e sistemit të ri të taksave që pasoi shtypjen e kryengritjes së Tanzimatit dhe vendosjen e administratës turke në Labëri, e rëndoi shumë gjendjen ekonomike të banorëve të Kallaratit. Ata duhet t’i paguanin shtetit të dhjetën, taksën e xhelepit, taksë personale, taksë për shkollë e shkollë s’kishte, taksë për rrugë e rrugë s’ndërtohej. Edhe taksat e bagëtive ishin shumë të larta. Dhe taksat shtoheshin sa herë që Turqia vihej para krizave ekonomike.

Turqia më parë merrte në 10 pjesë një 1 pjesë nga gjëja e gjalle, pastaj i bëri në të holla nga dy grosh për kokë, më vone 3, 3, 5, 4 dhe në fund 6 grosh (1 frangë e 30 qindarka). Gafur Shameti, në një shkrim në gazetën e Kallaratit, shkruan se çmimet e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale pas viteve 1800 lëviznin si më poshtë: gruri shitej për 20–40 para, elbi 5–14 misri 5–16, djathi 10 para oka, një dash 12 grosh ose 500 para, një dele me qengj 4–8 grosh ose 160–320 para, mushka e mirë kushtonte 200–250 groshë etj. Kështu që fshatarit me të vërtetë i mbeteshin kakërdhitë, sikundër shkruante një gazetë e kohës.

Barrën e taksave e bënin më të rendë mashtrimet e shumta të taksidarëve. Edhe pas shpalljes së pavarësisë më 1912, qeveritë që erdhën pas përmbysjes së Qeverisë së Ismail Qemalit në janar 1914, në vend që të merrnin masa për të shëruar plagët e luftërave shekullore me osmanët, grekët e italianët, nuk bënë asgjë, përkundrazi e rënduan më shumë gjendjen ekonomike të fshatarëve me vendosjen e 11 taksave. Madje, ato arritën deri aty sa të nxirrnin ligje për burgosjen e atyre që nuk paguanin. Veç kësaj, thatësira e madhe e 1921–1923 preku rëndë edhe Kallaratin, ku pati edhe të vdekur nga uria

Përballë kësaj gjendjeje, populli i Kallaratit, i bashkuar me atë të Kurveleshit, ngriti zërin. Për këtë, pleqësia e krahinës u mblodh në tetor 1922 në Kuç dhe iu drejtuan qeverisë me kërkesën që për drithërat të hiqej taksa doganore. Varfëria, që kishte pllakosur popullin e Kallaratit vijoi edhe për disa dhjetëvjeçarë të tjerë, deri aty nga fundi i viteve ‘50 të shekullit të kaluar, kur u arrit të sigurohej buka në vend.

Bujqsia

Bujqësia në Kallarat zinte vendin e dytë si burim të ardhurash, por në plotësimin e nevojave ushqimore për drithëra buke, perime e fruta ka qenë dega bazë. Prandaj banorët e Kallaratit në fundin e shek. XIX iu kthyen punës për zhvillimin e saj. Nëpërmjet hapjes së tokave djerrë, ledheve, tarracave e pritave kundër gërryerjes e shtuan sipërfaqen e tokës arë dhe morën masa për vënien nën ujë të sa më shumë sipërfaqeve, duke ndërruar për këtë qëllim kanale ujitëse e hurdha për mbledhjen e ujit të burimeve.

Kjo degë në Kallarat është zhvilluar në përputhje me nevojat që kishte fshatari, sidomos për drithërat e bukës. Ekzistenca e disa fushave, luginave e tarracave, e kushteve të mira klimaterike dhe e ujit për ujitje të një pjese të mirë të sipërfaqeve të mbjella bënë që në Kallarat të zhvillohej një bujqësi pak a shumë komplekse. Vendin kryesore e zinin drithërat e bukës, ku misri zinte vendin e parë, pa lënë kultivimin në sipërfaqe të pakta mbi ujë të grurit, bathës, elbit dhe thekrës, që kultivohej në Gjothanas e Vale.

Veç drithërave, janë kultivuar dhe perimet për gjellë. Vendin kryesor në to e ka zënë fasulja (qorre dhe e madhe), kungulli, të mbjella zakonisht në shoqërim me misrin. Me pakicë janë kultivuar patatja, qepa, thjerrëza, hudhra, spinaqi, laboti, bizelet etj., që përbënin kopshtin e perimeve të çdo familjeje. Si perime janë përdorur dhe bimë të egra, si: lëpjeta, hithra, qumështorja, nenat, gjuhë lope, marrulja etj. Megjithatë, përdorimi i perimeve nuk ka qenë në traditën e kallaratasve, gjë që e tregon dhe numri i kufizuar i perimeve të kultivuara.

Në Kallarat kushtet e mira kanë lejuar të tokës dhe klima pak a shumë e butë kanë mundësuar edhe zhvillimin e pemëtarisë. Vendin e parë ndër pemët frutore e zë fiku, pastaj rrushi në formë pjergullash, dardha, kumbulla e arra. Veç tyre, rriten edhe ftoi, molla, pjeshka, zerdelia, shega e qershia. Në gjendje të egër rriten gorrica, thana, kumbulla shtirake dhe larushku. Frutat në përgjithësi janë përdorur të freskëta ose të përpunuara, sidomos fiku që bëhej bukëfiqe, pala ose thahej e bëhej çapele; me dardhët vjeshtake dhe gorricat bëhej uthulla; kurse prej rrushit, fikut e koçimares aty nga fillimi i viteve ‘50 të shekullit të kaluar nisi të prodhohej rakia.

Pemët frutore mbilleshin kryesisht në mezhdat e arave, në tarraca e buzë përrenjve. Po numri i familjeve që kishin baça ishte i vogël. Kështu, baça me pemë ose vreshta kishin pak familje. Në Lëmëplak ishte vreshta e Demire; në Brodane baçat e Izet Bushit dhe të Remzi Janjit; në Qesarule ishte baça e Shahin Jonuzit, i cili kultivonte edhe perime që nuk i njihte fshati; në Fierin e Sipërm ishte baça e Zimo Abazit; baça dhe vreshta e Veip Balilit në Qafën e Toçe; dhe në Ubav baça e Shabos dhe e Melaizes. Pas krijimit ë kooperativës bujqësore u krijuan blloqe fiqsh dhe mollësh në Gjikvesh, bllok kumbullash në hijet e Bodeit dhe vreshta në Fshira e gjetkë.

Klima e ftohtë nuk favorizonte kultivimin e ullirit dhe të agrumeve. Megjithatë, në Kallarat janë mbjellë ullinj të egër (argëlidhë), si në arat e Toçe dhe të Veip Balilit, ku ullinjtë janë edhe sot.

Pavarësisht thënieve të E. bej Vlorës që kurveleshasit s’kishin qejf të punonin tokën, në Kallarat ka pasur bujq të talentuar, që e kanë dashuruar tokën. Edhe pse pa një kulturë të mirëfilltë agroteknike, përvoja e të parëve dhe nevoja i kishte specializuar dhe i kishte bërë ata të dinin mirë kushtet se kur duhej punuar, mbjellë, ujitur, kur duheshin kryer shërbimet e tjera në kulturat bujqësore. Të tillë bujq ishin Hiro me djalin Rrapo Breshani, Islam Jovani, Nelo Golloshi, Ali Thanasi, Teslim e Ramadan Strati, Ferat Llani, Xhevit Gjombrati, Dalip Gjoni, Neim Boçi etj. Një përvojë të tillë e kishin përfituar edhe gratë, të cilat kryenin pothuajse të gjitha shërbimet e kulturave të arave.

Me gjithë kujdesin e treguar, duhet thënë se rendimentet kanë qenë të ulëta: në misër 12 kv/ha dhe grurë 5 kv/ha. Në tokat pa ujë rendimentet më të ulëta ishin në tokat pa ujë; shpeshherë ndodhte që fshatari nuk merrte as farën. Faktorët përgjegjës për këto rendimente ishin kushtet agroteknike primitive: punimi i cekët që bënte parmenda e drurit; mungesa e qarkullimit bujqësor, që shprehej në mbjelljen e tokave për vite të tëra më të njëjtën kulturë; përdorimi i farërave të degraduara; mosplehërimi në sasinë e duhur me pleh organik, pasi për plehërimin kimik as që bëhej fjalë etj. Si rrjedhim, sasia e drithit të prodhuar prej afërsisht 400kv në vit nuk plotësonte nevojat vjetore për bukë.

Blegtoria

Kushtet e përshtatshme që paraqet terreni kodrinor dhe malor, kanë mundësuar zhvillimin e blegtorisë në Kallarat, duke e bërë atë degën kryesore të ekonomisë, prej së cilës plotësonin nevojat për mish, për bulmetra, për veshje e mbathje dhe për plehërimin e tokave. Pothuaj të gjithë kanë mbarështuar si bagëtitë e imta dhe të trashat. Ne strukturën e blegtorisë, vendin e parë e kanë zënë të imtat, dhen e dhi, edhe këto të pakta, se ishin dëmtuar nga luftërat, me një prodhim bulmeti prej 400–600 kv në vit. Ndërsa mbarështimi i kafshëve të trasha është kushtëzuar nga terreni malor: në dythundrakët, më shumë qetë e punës dhe më pak lopët; në njëthundrakët më pak kuajt dhe më shumë mushka dhe ndonjë rast gomari. Derri dhe lepuri i butë nuk njiheshin fare, derri edhe për shkak të traditës fetare myslimane. Kooperativa bujqësore eksperimentoi mbarështimin e derrit për shitje, por pa sukses. Nga shpendët, është rritur vetëm pula shtirake, ndërsa pata, rosa dhe pula e detit nuk janë njohur e as njihen.

Megjithëse blegtoria kishte njëfarë zhvillimi, duhet theksuar se luftërat shekullore, taksat e rënda, sëmundjet që binin në bagëti, e kanë penguar vazhdimisht rritjen numerike të saj. Por veç arsyeve të mësipërme, mungesa e kullotave dimërore në fshat, mbajtja shtrenjtë e tyre nga pronaret e Delvinës dhe të Vlorës, mungesa e tregjeve të shitjes e kishin fashitur interesin e barinjve për tufa të mëdha. Kështu që shumica e banorëve të Kallarati mbanin tufa të vogla bravaresh, më shumë të dhirta, brenda fshatit, sa për bulmet, lesh e mish. Shifra që jep R. Memushaj në librin “Histori e Kurveleshit” se në fillim të shek. XX në gjithë Labërinë kishte vetëm 2 kokë të imta për frymë qëndron dhe për Kallaratin.

Krahas bujqve të dalluar, qëndrojnë dhe emrat e blegtorëve të pasionuar, si Hodo Shakaj, Shate Qejvani, Sako, Rait, Damo e Shuko Karabolli, Dule e Gani Strati, Sabri Demiri, Maman e Maze Boçi, Meto e Bino Laçe (Leskaj), Meto Jazo Sinavarfi, Llano Mehmeti, Faslli e Begdash Breshani, Muslli e Ahmet Ribi, Idriz e Nazif Jonuzi, Demo Breshani, Razo e Qerim Rjepi dhe blegtorët e dhjetëvjeçarëve të fundit Bejkush Lace, Hekuran Ribi, Refat Rjepi, Namaz Tozaj, Brahim Strati etj.; bletërritësit Tafil e Muslli Ribi, Shahin e Murat Jonuzi dhe Hava Gjoni. Mjalti i Bashait, Qesarules dhe Game nga cilësia zinin vendin e parë në zonë.

Artizanati

Banorët në Kallarat, në kushtet e një ekonomie të mbyllur natyrore dhe larg tregjeve, kanë qenë të detyruar të ushtronin në shtëpitë e tyre edhe zeje të ndryshme, që lidheshin me nevojat familjare për vegla pune, orendi, shtresa e mbulesa dhe veshje. Bujqit prej druri prodhonin vetë të gjitha mjetet dhe veglat që përdoreshin për punimin e tokës, si: parmendat, telvigjet (kularët), hostenët, branat, lesat, bishtat e veglave etj. Disa prej tyre ishin të specializuar, si Nelo Golloshi, Rrapo Breshani, Islam Jovani etj. Prej druri vetë banorët bënin dhe pajisje kuzhine: çeturë e lugë, sofra buke e petësa tëhollimi, magje dhe qëre për bukë, mashtrapanë dhe bucjela uji, hambarë drithi dhe baule e sepete për të mbajtur teshat, djepe fëmijësh, frona druri, samarë për kafshët e ngarkesës, tezgjahe, furka dhe boshte për tjerrje etj.

Banoret përdornin për veshje personale, për mbulesa dhe shtresa rroba prej leshi. Shajaku prej leshi ishte i përshtatshëm për terrenin malor e të ftohtë, që kërkonte veshje të trasha. Për prodhimin e tij artizanët e Kallaratit e prodhonin vetë tezgjahun (argalinë). Prodhimi i shajakëve kalon nëpër disa procese pune me dorë në formë zinxhiri, që i përngjan një filature për prodhim tekstilesh.

Shajakut prodhohej sipas nevojave të përdorimit, p.sh. sherqet e barinjve dhe sharket e grave bëheshin me flokë për të mos futur shi; me flokë bëheshin flokatet për shtresa, Shajakët për veshje dhe velenxat prodhoheshin të bardha, kurse sixhadetë, qilimat, hejbetë e kuajve, çantat e shkollës prodhoheshin me fill të ngjyrosur.

Rrobave prej shajaku para përdorimit u bëhej trashja në dërstilë, që ishte në Kuç. Në përgjithësi, shajakët për veshje ngjyroseshin, me përjashtim të atyre që përdoreshin të bardha, si xhamadanët, fanellat, tirqit, velenxat dhe gunat e dhirta dhe të disa rasteve që disa përdornin pallto e poture të bardha, si Alem Qejvani, Fein Strati e Mehmet Goxhi.

Për ngjyrosje përdorej lëkura e drurit të frashrit dhe zgjyrë. Procesi i ngjyrosjes fillonte me zierjen në ujë me gradacion të lartë të lëkurave të frashrit të përziera me skorie (zgjyrë) farkëtarie e shtypur. Lëngu, që merrte ngjyrë të zezë, hidhej në një talër të madh, ku futeshin shajakët. Procesi i zierjes përsëritej derisa rrobat të merrnin ngjyrën e zezë. Për ngjyrosje kishte gra të specializuara, si Velide Golloshi, Shabezene Breshani, Xheko Strati, Lale Davaci Hajrie Karabolli, Sara Demiri etj. Rrobat e veshjes prej shajaku, si pallto, poture, sherqe etj., priteshin dhe qepeshin nga vetë gratë dhe burrat e specializuar.

Veç punëve në tezgjah, gratë prodhonin me dorë prej leshi triko, çorape, tërkuza, gjëlmitër mesi dhe tirqesh. Në bazë të zakonit, vajzat e fijuara, përpara martesës përgatisnin pajën. Veç qilimave dhe sixhadeve, stromave e jastëkëve që bëheshin në tezgjah, ato prodhonin për vete dhe për të çuar dhoro për burrin dhe të afërmit e tij çorape, triko, gjëlmitër etj. Vajzat garonin se cila do të bënte me shumë gjëra dhe më të bukura, duke kombinuar ngjyrat.

Duhet thënë se në fillim veglat muzikore dhe të argëtimit kane qenë të thjeshta të prodhuara nga vetë përdoruesit. Prej druri barinjtë bënin longarë (cula dyjare), fyej, kërraba me kokë dreri, rrathë për zile e këmborë, furka leshi, bastunë etj. Aty nga viti 1930, mësuesi Meçan Selami solli një gramafon me pllaka të këngëve labe që mund të përdorej në dasma.

Në Kallarat janë zhvilluar dhe veprimtari të tjera ndihmëse të nevojshme për ndërtimi e shtëpive, si prodhimi i gëlqeres, pllakave (rasa) për mbulim çatish dhe skalitja e gurëve për qemerë dhe qoshe. Në fshat kishte zdrukthëtarë, gurskalitës e muratorë. Si muratorë njihen Xhemil Tozaj, Neim Boçi, Shaqo Hysi etj.; ndërsa Hajdër Bejko thirrej për mbulim e ndërrim çatie. Veç këtyre, për bërje shtëpish kanë punuar dhe zanatçinj nga fshatra të tjera, si nga Panariti i Korçës, Vunoi etj. Në kohën e kooperativës u krijua një brigadë e vogël investimesh. Për prodhimin dhe mirëmbajtjen e veglave të punës prej hekuri, fshati ka pasur që në shek. XVIII farkëtari. Mbahet mend si farkëtar Petro Thanasi, të cilit në vitin 1914 ia zuri vendin Izet Daut Ismaili. Në tre mullinjtë e blojës të fshatit kanë shërbyer si mullisë kallaratas, të cilët dinin t’i bënin vetë të gjitha pjesët e mullirit.

Kovaçana plotësonte të gjitha, nevojat e banorëve për prodhimin dhe ndreqjen e veglave të punës, si: lopata, shate, plore, thika, kosa, sëpata e sfurqe; pirusti, demiroxhakë, masha zjarri etj. Çdo pranverë nga Sopiku vinin mjeshtra që punonin nëpër shtëpira dhe prodhonin kundrejt shpërblimit bute, talëre, vedra, dybeqe etj.; sharrëxhinj për çarje lënde ndërtimi, kallajxhinj për kallajisje të enëve prej bakri, teneqexhinj për bërje seçesh buke, për zënie enësh etj.

Djemtë dhe vajzat e moshës së vogël, për tu argëtuar, bënin vetë lojëra prej druri, leckash e guri si, bilbila prej shelqi e lofate, konakë shtogu, që imitonin pushkën. Konaku ishte një degë shtogu ose fiku rreth 12 cm e gjatë me diametër 3-4cm të cilit i hiqej palca, që të shërbente si tytë. Për shul përdorej një dru i rrumbullakët i trashë sa të hynte në tytën e konakut dhe i shtypur në majë sa të krijonte një xhufkë, në mënyrë që të shërbente si piston për ngjeshjen e ajrit. Për plumba përdoreshin kokrrat e dëllinjës. Konaku funksiononte si pushkët pneumatike: futej kokrra e dëllinjës nga prapa në tytë dhe shtyhej me forcë shuli. Kokra në dalje bënte një krismë të vogël si pushkë. Ky përdorej nga fëmijët në dyluftim.

Gjithashtu, fëmijët bënin cingla (copë druri 10 cm të prerë pjerrët në një anë) dhe kute (shkop 50 cm i gjatë) dhe luanin me to lojën e quajtur kutepilë. Njeri e qëllonte me kut cinglën dhe tjetri përballë. Nëse ky e priste në dorë cinglën, fitonte lojën dhe këmbenin pozicionet. Djemtë luanin edhe dërrajthi, lojë që i stërviste në hedhjen e gurit me saktësi. Lojë tjetër e përbashkët për djem dhe vajza ishte yçi me 3, me 6 dhe me 9 gurë dhe gurapeçi me pesë gurë; luanin symbyllazi, turajazi me shami etj. Vajzat bënin nuse (kuklla) prej lecke. Në mbrëmje, pas ngrënies së darkës, luanin me vila gjatë zhveshjes së misrit, më të mëdhenjtë tregonin përralla e gjëegjëza, të cilat, sidomos në kushtet e mungesës së shkollës, ishin veprimtari edukuese që shërbenin për njohjen e krijimtarisë popullore nga fëmijët dhe zhvillimin mendor të tyre.

Në mungesë të shërbimit shëndetësor nga shteti, popullit i është dashur të kujdesej vetë për ruajtjen e shëndetit dhe shërimin e sëmundjeve duke zhvilluar mjekësinë popullore, dijet ë së cilës përcilleshin gojë më gojë nga brezi në brez. Për mjekim e kurim janë përdorur sipas llojit të sëmundjes lloje të shumta bimësh mjekësore: lloje të ndryshme çajrash me çaj mali, rigoni, dëllinjë, dafinë, me kokrra e murrizi etj.; për shërimin plagëve fleta e dellit, ferrës, arrës etj.; hedhja e venduzave (kupat), fërkimet me vaj e uthull avull me lëngje të ngrohta, sidomos dëllinjë për ftomë; veshje e lëkurëve të bagëtive të therura në çast për ata që kishin marrë ftomë të thellë etj

Veç këtyre, në fshat kishte disa të specializuar si kirurgë, të cilët mjekonin plagët me armë zjarri, zinin kockat e thyera, shëronin ndrydhjet, hiqnin dhëmbë e dhëmballë etj. Të tillë ishin Alem Totua për plagë arme dhe për ndrydhje; Xhebro Muço Strati, Myftar Ali Golloshi dhe Xhikë Lule (Karabolli) për heqjen e dhëmbëve dhe dhëmballëve me darë. Mami të zonjat dhe të njohura kanë qenë Dudë Strati, Hava Gjoni, Sara Demiri, Velide Golloshi, Hava Mataj Meno Qejvani etj. Shumë nga këta “mjekë popullorë” njiheshin dhe në fshatrat fqinjë dhe thirreshin në raste sëmundjesh.

Nuk kishte ngelur pas dhe veterinaria. Barinjtë i dallonin menjëherë bagëtitë e sëmura dhe sëmundjet e tyre. Ata njihnin infeksionet që mund të merrnin bagëtitë dhe merrnin masa për parandalimin e tyre. P.sh., dinin se në vendet me moçale zhvillohej gëlbaza, mikrob që prekte mëlçinë dhe nuk i linin dhentë apo lopët të kullotnin në vende të tilla; dinin mushatë që kishin rriqra e këpushë, kopetë e afërme të prekura nga zgjebja. Ata dinin se vesa në pranverë u prekte dhenve thundrat dhe u shkaktonte sëmundjen e çalës, prandaj nuk i nxirrnin në kullotë pa u tharë vesa.

Barinjtë dinin të zinin këmbët e thyera duke u përdorur gështallë, dinin te mjekonin dhe disa sëmundje, si p.sh. tensionin e gjakut që u binte në kohë vape bagëtive të leshta. Për t’i shëruar nga kjo, bagëtisë së sëmurë i pritej veshi, bishti ose një venë nën vetull për tërhequr gjakun e tepërt. Në kohë pjelljesh, barinjtë kryenin dhe punën e mamisë te bagëtia, duke i ndihmuar femrat që pillnin të nxirrnin pjellën, duke ua afruar këtë që ta njihnin dhe duke e mënur të voglin tek e ëma kur nuk ngrihej për të pirë. Ata që kishin kuaj, dinin të bënin edhe punën e nallbanit (prisnin thundrat dhe mbathnin kuajt). Më vonë, kur u futën në përdorim barnat, barinjtë mësuan të përdornin ilaçet si dhe teknikat e përparuara të veterinarisë.

Në vitet ‘20 të shek XX veprimtarive tradicionale iu shtua dhe tregtia. Më parë, banorët për të plotësuar nevojat me sende konsumi që nuk i bënin dot vetë, shkonin në Himarë, Vlorë e Gjirokastër ose i siguronin nga tregtarë ambulantë, si Mehmet Sulçia nga Bolena. Po më pas, mallra të tilla, si: kafe, sheqer, kripë, vajguri, nixhate (beze), penj e gjilpëra qepjeje, bojëra për ngjyrosje. artikuj shkollorë, letër duhani etj., i blinin në dyqanet e vogla që hapën ne fshat Telo Zhibi, Murat Ribi, Veip Balili, Velo Hysi dhe Bushe Islam Harizi etj.;

Nga sa u vu në dukje deri tani, shihet se kallaratasit i kanë plotësuar në vend, me mjetet dhe me punën e tyre nevojat e jetës së përditshme. Me thonj e dhëmbë, ata ia kanë zhvatur natyrës të mirat materiale, duke arritur jo vetëm të jetojnë, por dhe të zhvillohen në të gjitha drejtimet. Por si degët kryesore të ekonomisë së tyre, bujqësia e blegtori, dhe ato ndihmëse, që ekonominë e Kallaratit, për vetë sasinë e vogël dhe rrënimet e herëpashershme nga luftërat, nuk arrinin të plotësonin të ardhurat e nevojshme për jetesë e zhvillim.

Prandaj në kohën e Turqisë ishte i përhapur si burim jetese mercenarizmi dhe labët kanë qenë të parapëlqyer për të shërbyer si ushtarë me rrogë, sepse ishin trima, të besës dhe të dajandisur ndaj vështirësive. Prandaj burrat largoheshin periodikisht si ushtarë me pagesë në shërbim të Turqisë, po edhe të mbretërive europiane: të Venedikut, Napolit, Spanjës etj. Pas vdekjes së Skënderbeut, pothuajse në të gjithë Europën u bënë të famshëm stratiotët, që ishin luftëtarë me pagesë, kryesisht nga Labëria. Luftëtarë kallaratas me pagesë ka pasur dhe në ushtrinë turke. Të tillë kanë qenë Hasan Toçi (bylykbash), Dervish Qejvani, Haredin Haxhiaj, Birbil Dauti, Balil Xhaferi, Tare Karabolli i parë, Sulo Kondi, Halo Llani, Bendo Habili financier dogane etj.

Banorët që kishin pak tokë e bagëti, detyroheshin të largoheshin nga fshati. Më vonë, për të punuar në çifligjet e Delvinës e të Vlorës ose në kërkim të burimeve të tjera suplementare për të jetuar. Për arsye të punës së rëndë, detyrën e çifçiut nuk e kanë bërë, por kanë përdorur format e marrjes së tokës me qira nga çifligaret, duke u kthyer në gjysmëbujq e gjysmëpronarë, siç është rasti i fisit të Elez Breshanit (Shuaipit), i Karrabollajve në Mavrovë, i Jonuzajve (Karafilit) në Penkovë, i Aliajve (Sinan Maze) e Xhaferajve (Faiku) në Armen, i Shakajve (Dauti) në Qishbardhë; Jonuzi, Abazi, Zeqaj, Ruçaj, Tozaj e Qejvanaj në Sarandë, Delvinë e Borsh; Golloshi në Gjirokastër, Qejvani në Rexhin, Tepelenë e Kuçovë; Breshani në Dhëmblan të Tepelenës etj., një pjesë e të cilëve më vonë kanë krijuar ekonomitë e tyre bujqësore e blegtorale.

Disa blegtorë morën nga bejlerët dhe agallarët bagëti me qinosi ose për 5 vjet në mese, duke u kthyer gjysmëbarinj dhe gjysmëpronarë. të tillë kanë qenë Sabri Qemiri, Dule Strati, Gani Strati, Maman Boçi etj. Këtë lloj marrëveshjeje e kanë vijuar sa krijuan tufat e tyre. Kishte të tjerë që shkonin argatë sezonalë, të cilët punonin si muratorë, barinj e sidomos rojtarë vreshtash, ullinjsh etj.

Në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XX fillon edhe emigrimi i kallaratasve në Amerikë, Francë etj. Kështu, Carua nga fisi Breshane, i njohur me Emrin Carlo di Kallarati, emigroi në Amerikë; Hiro Breshani, Xhebro Golloshi, Serjan Thanasi, Begë Petani, Meçan Strati, që u kthyen gjallë në vendlindje; ndërsa Kadri Haxhiraj, Pasho e Rrapo Kokëvelaj dhe Serjan Thanasi e ndonjë tjetër nuk u kthyen, por eshtrat e tyre prehen në dhe të huaj, pa e ditur se ku.

Me krijimin e shtetit shqiptar, shumë burra e të rinj nga Kallarati u larguan në qytete, ku u punësuan në shoqëritë e huaja aksionere në Kuçovë, Selenicë, në punë botore në Vlorë (Çelpa) etj. Një pjesë u punësuan edhe në shtet, si: Meçan Sealm Qejvani e Telo Zhibi mësues; Izet Bushi, Shahin Jonuzi, Veledin Rjepi dhe Demir Lato Haxhiraj oficerë; Abaz Shakaj, Hasan Shameti, Lilo Habili, Rruzhdi Petani nënoficerë; dhe Bendo e Rushan Habili, Nurçe Hoxha, Nelo Golloshi, Sheme Llani, Hasan Shameti, Xhafer Xhaferi etj. në funksione të tjera. Pas Çlirimit të vendit, numri i individëve dhe i familjeve të larguara u shtua shumë. Pjesa më e madhe e tyre u vendosën në qytete, sidomos në Vlorë, Tiranë, Gjirokastër, Sarandë e gjetkë, po edhe në ndërmarrjet bujqësore shtetërore. Ata që u larguan në qytete punuan në administratë, kryesisht si oficerë në ushtri e polici dhe nëpunës.

Kallaratasit, megjithëse të varfër, nuk kanë pranuar varësinë nga bejlerët dhe agallarët, veç asaj që të tillë në Kallarat nuk ka pasur. Familjet në gjendje të mirë jetonin me pasurinë dhe punën e anëtarëve të tyre, pa marrë mëditës apo barinj. Të tilla familje kanë qenë ajo e Alem Totos, Hodo Shakajt, Lame Petanit, Lato Haxhirajt, Lelo Jazo Davacit, Veliko Breshanit e ndonjë tjetër. Bagëti shumë kishin edhe Nazo e Sabri Demiri, Maman e Maze Boçi, Teslim e Dule Strati, Idriz e Nazif Jonuzi, Sako e Rait Karabolli, Meto e Bino Laçaj, Muslli e Ahmet Ribi, Xhebro e Nelo Golloshi, Faslli Breshani etj., por edhe këta i mbanin me njerëzit e vet.

Në gjendje të mirë ekonomike ishin, veç personave të përmendur me lart, dhe disa që mbanin postet e kryepleqësisë, bekçinjtë dhe hoxhët, të cilët shpërbleheshin me një sasi karroqesh drithi për familje (i matur në karroqe). Por duhet thënë se as këta nuk hynin në kategorinë e të pasurve. Nga ana tjetër, as barinjtë dhe bujqit e punësuar te bejlerët apo agallarët nuk janë cilësuar as argatë dhe as bujkrobër, pse kanë ruajtur pavarësinë e tyre. Pra, del se në Kallarat diferencimi ekonomik nuk ka shkuar aq thellë sa të krijoheshin dy klasat ekstreme: bejlerë e agallarë dhe bujkrobër e argatë. Ka pasur vetëm fshatarë të lirë, që u takonin tri shtresave: të mesëm, të varfër dhe shumë të varfër.

Zhvillimi ekonomik   pas Luftës ANÇL

Gjatë luftës 5-vjeçare, populli i Kallaratit pësoi dëme të konsiderueshme. U dogjën gati gjysma e shtëpive si dhe ato pak objekte social-kulturore që kishte fshati; u grabitën gati gjysma e bagëtive të imëta dhe të kafshëve të punës. Ekonomia ishte shkatërruar, bujqësia, blegtoria dhe artizanati qenë paralizuar, shkolla ishte mbyllur qysh më 1939 dhe çdo gjë duhej filluar prapë nga e para. Për të dalë nga kjo gjendje shumë kritike, kërkohej të merreshin masa urgjente.

Partia komuniste, krahas luftës për çlirimin e vendit, nuk la pas dore edhe kujdesin për plotësimin e nevojave për bukë dhe strehim të popullsisë së zonave të lira të sapodalë nga lufta, duke shfrytëzuar çdo mundësi. Për këtë, pas mbarimit të luftimeve për çlirimin e Bregdetit, në tetor 1944 luftëtarët e çetës “M. Selami” u kthyen në fshat dhe u filluan punën për likuidimin e plagëve të luftës.

Problemi më i ngutshëm ishte ushqimi i popullsisë, që në vjeshtën e 1943-së dhe në pranverën e 1944-ës nuk kishte mundur tëmbillte as të lashta, as të vonaa. Sipas udhëzimeve të dhëna, celula e partisë dhe këshilli popullor i fshatit organizuan dërgimin e të rinjve dhe të rejave për korrjen dhe shirjen e të lashtave në fshatrat e braktisura Velçë, Vajzë, Gjorme e Lepenicë, ku siguruan një sasi gruri dhe elbi për dimrin e 1944–1945, i cili u nda nga këshilli sipas nevojave të popullatës. Në vjeshtë të atij viti, me ato pak pendë qe që u kishin mbetur dhe me atë pak farë që kishin mundur të siguronin, fshatarët arritën të mbillnin ca të lashta dhe në pranverën e 1945-ës misër, duke siguruar një sasi drithi, metë cilin plotësuan një pjesë të nevojave për drithë. Megjithatë deri aty nga viti 1950 situata ekonomike vijoi të mbetej shumë e vështirë dhe njerëzit ishin të detyruar të mbaheshin me lakra, që i përzienin me qull misri, e me bathë.

Fundin qershorit nga shtatori kur fillojnë shirat, e ndajnë vetëm dy muaj, prandaj strehimi i popullsisë së mbetur pa shtëpi mbetej një detyrë e ngutshme. Luftëtarët e çetës dhe i gjithë populli u mobilizuan kolektivisht për rindërtimin e shtëpive te djegura jo plotësisht dhe ndërtim kasollesh të vogla për t’u strehuar provizorisht, sa për të kaluar dimrin, duke përmbushur porosinë e Konferencës së qarkut të Gjirokastrës që “të mos ngelet asnjë pa bukë dhe pa kasolle”. Më vonë, me vendosjen e pushtetit popullor, u morën masa dhe me kontributin e shtetit u rindërtuan shtëpitë e djegura dhe u ndërtuan shtëpi të reja, u rindërtua dhe u hap shkolla etj. Këto punë kryheshin në solidarësi të plotë dhe me një dashuri të madhe për njeri-tjetrin. Brenda 5 vjetësh (1945–1950) u ndërtuan shkolla, 44 shtëpitë e djegura,dyqanet, mulliri si dhe nëntë shtëpi të reja për ata që nuk kishin: Fuat Petani, Nuro Memushi, Haxhi Strati, Izet Dauti, Shako Shakaj, Velo Hysi, Sulo Memushi dhe Ramiz Hoxha.

Shumë shpejt shteti filloi furnizimin me drithëra dhe disa ushqime të racionuara, si vaj, oriz, makarona etj. për çdo familje të fshatit. Për zhvillimin e bujqësisë dhe të blegtorisë, shteti ndihmoi me kredi për blerje të qeve të punës, siguroi farëra e damazë të zgjedhur. Pas kapërcimit të krizës së bukës të fundit të viteve ‘40 të shekullit të kaluar, bujqësia filloi dalëngadalë ta merrte veten, u futën plehrat kimike që shtuan ndjeshëm rendimentin në misër, që ishte drithi kryesor në Kallarat.

Masa u morën edhe për ndërtimin e infrastrukturës. Ndërtimi i rrugës automobilistike që lidhi Bratin me Kuçin, shërbeu jo vetëm për shkurtimin e lidhjes me Kuçin dhe Vlorën, por edhe për hapje fronte pune, si prerja e lëndës së drurit për ndërtim e djegie si dhe e shtyllave për minierën e Selenicës. Një burim i mirë të ardhurash për banorët ishte edhe grumbullimi i bimëve mjekësore, si çaji, dafina, rigoni etj. dhe ë lendeve të lisit, përrallit e ilqes për bagëtitë e shtetit. Në fshat u hapën dyqanet e shitblerjes, që, veç furnizimit me mallra ushqimore e industriale, bënin dhe grumbullimin e detyrimeve dhe të tepricave të prodhimeve bujqësore e blegtorale.

Kurveleshi dha në Luftën Antifashiste një kontribut të paçmuar, duke mbetur, ashtu si për 400 vjet me radhë në kohën e pushtimit osman, një nga zonat e pakta ku armiku nuk mundi ta vendoste pushtetin e vet. Kjo krahinë, edhe pse e vogël, i dha Luftës qindra e qindra partizanë e kuadra drejtues, shumë prej të cilëve derdhën gjakun për lirinë e atdheut. Pjesë e këtyre ishin dhe bijtë e Kallaratit, që mbushën radhët e çetave, batalioneve e brigadave partizane. Këto kontribute udhëheqja komuniste i ka vlerësuar lart.

Si një vlerësim për këto kontribute, më 2 tetor 1947 Kallarati vizitohet nga Enver Hoxha dhe udhëheqës të tjerë. Kjo vizitë ngjalli gëzim në popull dhe rriti mobilizmin në përpjekjet për kapërcimin e vështirësive. Kjo dëshmohet nga një letër që Shahin Osmëni i dërgon Rruzhdi Petanit në Tiranë: “Këtu pritja e komandantit ka qënë entuziaste dhe mallëngjyse. Një ditë më parpara u njoftua populli dhe po atë ditë u grrumbullua në qendër... Komandanti mbriti në orën 11 dhe zbriti tek hauri i Zhibe. Së pari përqafoi gratë një nga një, d.m.th. plakat dhe të rejat, më tej kaloi te burrat, duke u dhënë dorën dhe duke i përqafuar dhe bëri disa pyetje të shkurtra. Populli mbasi i tha se do të vimë me ty në Kuç dhe me makina transporti mbritën atje. Ishin grumbulluar popull shumë, nga të dy Kurveleshët, shumë gra kishin ardhur me djepe. Pas fjalimit, shpërthyen dhjetëra palë valle, Komandanti në çdo grup hodhi valle vënçe, së bashku me pjesëtarër që e shoqëronin. Burra e gra shpërthyen nga gëzimi, kush e kush të shkonte tek komandanti për të hedhur valle me të...”

Në atë fjalim të mbajtur në Kuç, Enver Hoxha vlerësoi shumë lart kontributin e popullit të Kurveleshit në shekuj, duke thënë: “Kur flitej për luftë, kur flitej për sakrifica, kur flitej për heroizma, kurveleshasit qëndronin në ballë.Gjaku i djemve të tij, gjaku i çupave të tij u derdh pa kursyer. Ata ishin atje ku rreziku ishte më i mdh, atje ku duhej guxim, atje  ku duheshin  mbajtur istikamet. Atje ishin djemtë e Kurveleshit. Atje ishin çupat e kurveleshit. Kurveleshi  ishte kala e celiktë ku armiku theu qafën, ku djemtë partizanë pritëshin me krahë hapët. Që nga kalamani e deri te plaku kanë luftuar. Ata u çonin partizanëve bukë nga buka e tyre dhe municione. Kurveleshi i ka dhënë qeverisë sonë dhe do t’i japë Shqipërisë djem të zotë që do të drejtojnë pushtetin tonë popullor.”

Zhvillimi ekonomik   pas Luftës ANÇL

Më 1946, me zbatimin e reformës agrare, në Kallarat u shtetëzuan malet dhe pyjet masive. Kurse tokat e bukës, bagëtitë dhe pemët, pse ishin të pakta, nuk u preken, duke ngelur siç ishin më parë, me ndryshimin që ndalohej shitblerja e tokës.

Për të zhvilluar një bujqësi dhe blegtori intensive duhet të futej e mekanizimi, metodat e përparuara shkencore, të përdoreshin farëra dhe damazë të zgjedhur, plehra kimike. Por duhet thënë se në vitet e para pas çlirimit ndiko për keq politika e gabuar jugosllave për fshatin.

Sipas orientimeve jugosllave, në vjeshtë bëhej plani i mbjelljeve për çdo ekonomi bujqësore. Çdo fshatari i planifikohej mbjellja në misër, grurë etj., pa pacaktuar rendimente. Detyrimi ndaj shtetit vihej mbi bazën e sasisë prodhimit të marrë. Një komision bujqish i caktuar nga këshilli i fshatit në kohën e korrjes së grurit a të vjeljes së misrit shkonte në arë dhe vlerësonte prodhimin me sy. Pastaj llogaritnin detyrimin, duke vepruar në këtë mënyrë: I lihej fshatarit për bukë deri në korrjet e reja 12 kg për frymë në muaj, . Hiqnin dhe sasinë që duhej për farë dhe pjesa e mbetur i jepej si detyrim shtetit. P.sh., nëse një fshatar që kishte në familje pesë frymë, prodhonte 8 kv grurë, nga kjo sasi zbriteshin 5 x 12 kg = 60 kg drithë në muaj; deri në vjeljen e misrit janë 4 muaj, atëherë 60 kg x 4 muaj = 240 kg, plus dhe 2 kv për farë, bëheshin 4, 4 kv. Si detyrim ndaj shtetit mbetej pjesa që mbetej pasi nga prodhimi i përgjithshëm zbritej sasia që duhej për ushqim dhe për farë, dmth. 8 kv – 4, 4 kv = 3, 6 kv. Marrë në përqindje, i binte që shteti të merrte 45% të prodhimit, dmth. gati gjysmën e prodhimit. E njëjta mënyrë përllogaritjeje e detyrimit përdorej edhe për misrin. Për fshatarët që me prodhimin e tyre nuk siguronin bukën e vitit, shteti jo vetëm që nuk merrte detyrim, po jepte kundrejt pagesës për muajt e mbetur me 8 kg misër për frymë në muaj.

Pra, shteti merrte një taksë prodhimi shumë më të lartë nga ajo e kohës së Zogut dhe e Turqisë. Një formë e tillë taksimi, që edhe jugosllavët e kishin huazuar nga politikat ekonomike të Rusisë komuniste, pengoi shtimin e prodhimit bujqësor, sepse fshatari nuk ishte i interesuar të prodhonte më shumë, pasi gjysmën e prodhimit ia merrte shteti. Meqenëse fshatari nuk ishte i interesuar të prodhonte, kishte raste që furnizohej nga shteti për plotësimin e sasisë vjetore.

Ky sistem u zëvendësua më 1949 me një sistem të ri, të quajtur Nepi, i huazuar edhe ky nga Rusia sovjetike. Kjo politikë e re taksash i nxiste fshatarët të prodhonin sa më shumë, po taksa mbetej përsëri e lartë. Edhe tani planifikimi i mbjelljes së tokave bëhej qysh në vjeshtë, por detyrimi i shtetit caktohej, në bazë të pjellorisë së tokës së punueshme, në kv/ha grurë (detyrimi mund të shlyhej dhe me misër, po me rritje koeficienti). Në bazë të sipërfaqes së tokës së punueshme caktohej edhe detyrimi në fasule, në mish, në lesh dhe në vezë. Tokat e Kallaratit sipas pjellorisë ishin të kategorisë së IV, dmth. të kategorisë së fundit, si rrjedhim dhe detyrimi ishte më i ulët. Për sasitë e dorëzuara si detyrim fshatari shpërblehej nga shteti me çmime më të ulëta se çmimet me të cilat ia merrte tepricat.

Fshatari, pasi shlyente detyrimin, tepricat e prodhimit në grurë, misër, fasule, mish, lesh e vezë i shiste njësitë e shitblerjes me çmime me te larta. Për këto, veç lekëve, merrte një kupon (stimulacion) me vlerë në lekë sipas sasisë së dorëzuar. Me këtë kupon ai kishte të drejtë të blinte në njësitë e tregtisë mallra të ndryshme ushqimore dhe industriale me çmime të ndërmjetme midis tregut të garantuar me triskë, ku furnizoheshin të punësuarit në shtet, dhe tregut të lire (të zi), që kishte çmime shumë të larta. Edhe me sistemin e ri fshatari që kishte shlyer detyrimin dhe nuk plotësonte nevojat me buke për vitin, mbështetur në listën e bërë nga këshilli popullor i fshatit, kompensohej me drithë nga shteti duke i dhënë 8 kg misër për frymë në muaj me çmime të garantuara. Kjo formë detyrimi vijoi deri në vitin 1956, kohë kur populli i Kallaratit ngriti kooperativën bujqësore-blegtorale.

Krijimi i kooperativës bujqësore-blegtorale

Si rrugë të vetme për të kaluar në një bujqësi dhe blegtori intensive PPSH shihte bashkimin vullnetar të pronarëve në kooperativa. Edhe më parë në Kallarat ishte praktikuar puna kolektive. P.sh., barinjtë përzienin bagëtitë, ndihmonin njëri-tjetrin në kohën e qethjes së të imtave etj.; edhe bujqit bashkonin qetë gjatë kohës së punimit të tokave, në periudhën e korrjeve punonin kolektivisht në arat e njëri-tjetrit; punë kolektive bënin edhe për ndërtimin e shtëpive, ngritjen dhe djegien e kaminave, në ndërtimin e sfrateve, të lugjeve etj. Këto forma pune kolektive të trashëguara nga e kaluara përgatitën truallin për një bashkim të ri e më të madh të të gjithë fshatit. Kooperativa si formë pronësie është e njohur edhe në Perëndim, por parimet e organizimit të kooperativave në vendet kapitaliste ndryshonin nga ato të vendeve socialiste dhe pikërisht këtu qëndronte e keqja që do t’i shkatërronte 35 vjet më vonë kooperativat në Shqipëri.

S.MatajMë 16 shtator të vitit 1956, në përgjigje të thirrjes së PPSH për kolektivizimin e bujqësisë 32 familje të Kallaratit formuan vullnetarisht bërthamën e parë të kooperativës bujqësore-blegtorale, të pagëzuar me emrin e Heroit të Popullit Mumin Selami. Mbledhja e anëtarëve zgjodhi një kryesi prej 13 vetash, e cila zgjodhi si kryetar Salo Rexhep Mataj e llogaritar Shahin Osmënin dhe hartoi statutin e kooperativës. Siç shihet nga numri, në fillim në kooperativë nuk u futën të gjithë; por nuk zgjati shumë dhe të gjithë i bashkuan tokat, bagëtitë dhe mjetet e punës me pjesën tjetër.

Organizimi i njësive të punës u bë me bazë skuadre dhe brigade. U krijuan dy brigada bujqësore sipas zonave dhe një brigadë blegtorale me dy tufa. Brigadat në bujqësi morën në ngarkim inventarin bujqësor, ku hynin tokat bujqësore, qetë e punës, mjetet e punës (parmenda, plugje dhe një sasi veglash), pemët që gjendeshin në parcelat që i kaluan kooperativës dhe forcat e punës. Drejtimi bëhej nga brigadieri i zgjedhur nga vetë anëtarët

Sipas statutit tip të kooperativës, çdo familjeje iu la për nevojat vetjake 1, 5 dynym tokë arë afër qendrës së banimit, që zinte në shkalle fshati 15 ha, 20 krerë bagëti të imta ose 1 lopë dhe 10 krerë të imta, të gjitha shpendët dhe kafshët e ngarkesës, pemët që ishin në pjesën vetjake të tokës dhe veglat e dorës të punës. Toka për përdorim vetjak, 10-20 krerët e të imtave dhe kafshët e ngarkesës të familjes përbënin atë që u quajt oborr kooperativist. Oborri kooperativist kishte karakter ndihmës, në shërbim të familjes kooperativiste. Natyrisht, toka punohej nga mjetet e kooperativës kundrejt pagesës.

Pjesa tjetër e tokës arë, pemëve në parcelat që u kolektivizuan, bagëtive të imta dhe gjedhet, qetë e parmendës dhe mjetet e punës: (plugje, parmenda lesa, brana etj, u kolektivizuan. Toka, pemët dhe mjetet e punës u kolektivizuan pa pagesë, ndërsa e gjithë bagëtia me pagesë. Këto u vlerësuan nga një komision i caktuar nga vetë anëtarët dhe shlyerja e tyre u bë brenda10 vjetëve me këste vjetore.

Me kolektivizimin u krijuan dy forma prone: personale, ose oborri kooperativist, dhe prona kolektive, kooperativiste. Kjo e fundit përbënte bazën e zhvillimit ekonomik të kooperativës së Kallaratit, që erdhi duke u zhvilluar nga viti në vit. Me krijimin e kooperativës, prona private mbi mjetet e prodhimit, u shndërruan automatikisht në pronë shoqërore (kolektive) të të gjithë anëtarëve. Prona dhe puna kolektive u vunë në plan të parë.

Shpërblimi bëhej individual sipas sasisë dhe cilësisë së punës, të vlerësuar në ditë pune, që kishte 100 pikë. Pra, për punë të barabartë jepej shpërblim i barabartë. Gjatë vitit anëtarët merrnin të ardhura në formë paradhënieje, në fund të vitit bëhej vlerësimi i të ardhurave dhe jepej pjesa e mbetur e shpërblimit që i takonte çdo kooperativisti në varësi të numrit të ditëve të punës.

Bashkimi në kooperative solli nevojën e përqendrimit të fshatit, që më parë ishte shumë i shpërndarë. Por dëshira për ta grumbulluar fshatin në një vend të vetëm dhe ky vend të ishte Qafa e Ubavit, u penguan nga drejtuesit e kooperativës, që i kishin shtëpitë në Morrez, siç e kanë pohuar vetë ndonjë prej këtyre, kështu që u krijuan tri qendra: Qafa e Ubavit, Bashai dhe Morreza. Në këto qendra u ndërtuan afërsisht 40–50 shtëpi të reja, shumica të mbuluara me tjegulla, me tavan e dysheme dërrase apo betoni, me dritare me dritë, me ujë dhe me tualet brenda.

Grumbullimi ishte afër rrugës automobilistike dhe burimeve të Bashait dhe të Morrezës. Në qendrën e Morrezës u përqendruan objektet social-kulturore: përveç shkollës 8-vjeçare, u shtuan salla e leximit, qendra shëndetësore me infermieri e shtëpi lindjeje, ku shërbente edhe një mjek, zyrat e këshillit dhe të kooperativës, furra e bukës, magazinat e grumbullimit të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, plehrave kimike etj., postë-telegrafa, dyqane dhe klube tregtie, terrene sportive, qendër mekanike etj.

Bejo XhaferrajNë fillim të vitit 1970, kooperativa e Kallaratit dhe ajo e Bolenës u shkrinë në kooperativën e bashkuar bujqësore-blegtorale Bolenë-Kallarat, me qendër në Hundën e Xhepe. Kallarati mbeti sektor me plane prodhimi e financimi dhe me organe drejtuese më vete, si: përgjegjës sektori, specialist bujqësie, blegtorie e finance dhe gjithë aparatin e nevojshëm administrativ, por në varësi të kryesisë së kooperativës së bashkuar, ku kishte përfaqësuesit e saj. Pas Salo Rexhepit, që qëndroi kryetar deri në bashkimin me Bolenën. Pas bashkimit, për një kohë të gjatë përgjegjës sektori ka qenë Luto Sabri Demiraj dhe së fundi Bejo Rizo Xhaferi kryetar kooperativës së bashkuar Bolenë-Kallarat.

Kolektivizimi i pronës, puna e përbashkët dhe e organizuar e krahëve të punës, ndihma shtetërore me investime prodhuese në bujqësi e blegtori, futja e mekanizimit (traktorë, makina transporti, makina shirëse, kombajna), përdorimi plehrave kimike dhe i pesticideve, furnizimi me farëra dhe damazë të zgjedhur (ndërzimi artificial), shtimi i sistemit të ujitjes me ngjitje elektromekanike, zbatimi i një agroteknike të përparuar për kohën, puna këmbëngulëse e vetë kooperativistëve, dhe drejtimi i mirë sollën një kthesë të madhe në bujqësi e blegtori. U zhduk parmenda e drurit, dhartia që shinte grurin dhe elbin, qethja me dore e bagëtive u zëvendësua me makineri qethjeje. U rritën rendimentet në drithërat e bukës, duke arritur rekorde që as ishin ëndërruar më parë. Struktura e ekonomisë së kooperativës u pasurua me sektorë të rinj, si zejtaria, pemëtaria, perimtaria, bletaria e ndërtimi. Me krijimin e kooperativës u sigurua buka në vend, që kishte qenë problemi më i madh i pazgjidhur në të gjitha kohërat.

U rrit ndërgjegjja dhe solidariteti në punë e kudo, që çuan brenda një kohe jo shumë të gjatë në rritjen e treguesve në ekonomi, arsim e kulturë dhe të mirëqenies së kooperativistëve. Ndryshoi mënyra e jetesës së kooperativistëve si në aspektin material dhe në atë shpirtëror. Hynë në përdorim veshjet qytetare për burrat, çitjanet ia lanë vendin fustanit, u hoq dorë nga pija me dolli dhe shumë zakone të vjetra. Në çdo shtëpi hyri radioja dhe shumë familje kishin edhe televizorë, lavatriçe e frigoriferë.

Këtu poshtë për konkretizim po japim disa tregues të arritur gjatë periudhës së ekonomisë kolektive krahasuar me vitin 1956, kur funksiononte ende ekonomia individuale.

Emërtimi                                           1956    1990    Rritja në %

1. Tokë e përgjithshme                       50        99, 4    198

nga kjo:

a) Tokë arë                                         35        97, 1    227

      nga kjo

b) E ujitshme                                      30        50        166

Kulturat bujqësore në ha

1. Grurë                                              8          42        525

2. Misër                                              30        40        133

3. Perime                                            2          3          150

Pemë frutore në rrënjë

1. Drurë frutorë gjithsej                     120      700      580

2. Vreshta në ha                                             2, 3

Prodhime bujqësore në kv

1. Grurë                                              40        1118    2795

2. Misër                                              371      1720    463

3. Perime                                            35        90        257

4. Fruta të njoma                                200      700      350

5. Rrush                                                          60

Rendimentet në kv

1. Grurë                                              5          26, 6    523

2. Misër                                              12, 5    43        463

Blegtoria në krerë                

1. Të leshta                                         466      2000    429

2. Të dhirta                                        305      708      232

3. Gjedhe gjithsej                               34        52        153

      nga këto:

a) Lopë                                                           40

b) Qe pune                                         20        32        160

3) Prodhim qumështi në kv                500      1100    200

Kafshe ngarkese                                             20

Shpendë shtirake në kooperativë                   1500

Zgjoje bletësh në kooperativë                        1100

Prodhim mjalti në kv                                      20[1]

Rritje ekonomike e kulturore vijoi deri në fund të viteve ‘70 të shekullit të kaluar, pastaj, me shkatërrimin e oborrit kooperativist, filloi edhe rënia e shpejtë ekonomike, që pati si pasojë shkatërrimin e kooperativës dhe hedhjen në erë të djersës dhe të mundit të paparë të kooperativistëve kallaratas.

Më 1981, në valën e euforisë së ushqyer nga propaganda partiake, shteti shpalli “tufëzimin” e bagëtive të oborrit vetjak, me justifikimin se këto shkaktonin dëme në pronën kolektive dhe se gjoja kooperativa ishte forcuar dhe merrte përsipër furnizimin me bulmet dhe mish të familjeve. Organizata e partisë dhe drejtuesit e fshatit nxituan ta vinin në jetë këtë masë. Po fshatarët, duke e parë me dyshim këtë masë, dorëzuan një pjesë të vogël bagëtish në tufën e përbashkët, kurse pjesën tjetër e therën. Gjatë kësaj masakre të gjësë së gjallë në Kallarat brenda pak ditësh u therën mbi 70 lopë. Ky vendim absurd dhe tepër majtist shkatërroi ekonominë dhe mirëqenien, duke i hequr fshatarit bulmetin dhe mishin, ushqimin kryesor tradicional te. Shumë shpejt u pa se ekonomia kooperativiste nuk ishte në gjendje të plotësonte as nevojat më minimale për prodhime blegtorale. Njerëzit duhet të shkonin nga Bashai, Fshirat e Qafa e Ubavit për të marrë një litër qumësht. Dhe mezi arrinin të merrnin pak qumësht ose mish për ndonjë fëmijë, plak apo të sëmurë, pa le për gëzime e hidhërime.

Kjo nismë e gabuar, që shkatërroi ekonominë e familjeve të Kallaratit, më pas u kritikua dhe atje ku nuk ishte zbatuar u anulua, por udhëheqja e Partisë së Punës nuk pati kurajën që ta ndreqte duke u kthyer fshatarëve një sasi qoftë dhe të vogël të bagëtive. Përkundrazi, Ramiz Alia vijoi me reforma qesharake. Rekomandimi i tij që fshatarëve t’u jepeshin dy qengja apo keca për t’i rritur dhe në fund të vitit një ta mbanin për vete dhe tjetrin ta dorëzonin në kooperativë, ishte një tallje dhe jo zgjidhje e këtij problemi shumë të mprehtë. Kjo masë ishte kazma e fundit që iu vu ekonomisë kooperativiste. Ajo rrënoi nivelin e jetesës në fshat e në qytet dhe shpuri në falimentimin me turp të vetë sistemit.

Marre nga Libri “Historiku i Kallaratit”, shkruar nga Enver Strati



[1] Këto shifra, të bazuara në dokumentet zyrtare të kooperativës bujqësore, më janë dhënë nga Bejo Xhaferi, Luto Demiri dhe Sulo Hoxha, ish-kuadra të kooperativës.

 

EKONOMIA KALLARATASE NË SHEK. XIX–XX, nga Enver Strati

KËNGË & VIDEO

SONDAZH

Cili është mendimi juaj për uebsaitin tonë të porsa çelur www.kallarati.com?
 

FACEBOOK FanBox

SPONSOR i faqes www.kallarati.com

Sponsor te faqes www.kallarati.com

GAZETA "KALLARATI"

NUMURI I LLOGARISË I SHOQATËS ATDHETARE & KULTURORE “KALLARATI”

Banka: Societe Generale Albania.
Në LEK në numrin e llogarisë: 1175099
Në EURO në numrin e llogarisë: 1175101
Pë çdo kontribut kontaktoni në adresat:
kontakt@kallarati.com
gazetakallarati@yahoo.com
Sefer Jonuzi Cel: 00355682745862

Nga Blogu

09 Shkurt, 2017

Rrugëtimi në jetë i veteranit 90 vjeçar Xhelo Dautaj

  -Rrëfim-   Një rrugëtim në jetë prej 90 vjetësh nuk janë as shumë, por as… Lexo më shumë...
26 Dhjetor, 2016

TË NOHIM SHKRIMTARIN DHE PËRKTHYESIN BAJRAM KARABOLLI

Bajram Karabolli - lindur në Mavrovë (Vlorë) në 1943, prindërit e tij me… Lexo më shumë...
27 Tetor, 2016

NË KALLARAT U FESTUA ME KRENARI 100-VJETORI I HAPJES SË SHKOLLËS SË PARË SHQIPE

  Nga Besnik GJONBRATAJ AMBJENT FESTIV NË KALLARAT Në datat 13 dhe 14 gusht… Lexo më shumë...

Lajmet nga vendi