100vjetori
Vinaora Nivo SliderVinaora Nivo Slider

PASIONI PËR PËLLUMBAT. Bisedë me Agron Mersin Tozajn nga Hiqmet Meçaj

 

Hiqmet MecajI dashur Agron. Ti rrjedh nga një familje e nderuar e fshatit Kallarat. Paraardhësit tuaj janë të njohur në të gjithë Shqipërinë për kontributin e tyre të veçantë. Por sot nuk dua të bisedojmë për këtë. Të kam vëzhguar që në vegjëlinë tënde dhe kam vënë re se ti tregon vëmendje dhe përkujdesje të veçantë për pëllumbat, një pasion i cili po zgjat dekada të tëra. Kur dhe si ke filluar të merresh me ta?

Rreth moshës dymbëdhjetë vjeç, kur isha nxënës në klasën e pestë, fillova të kuptoja se shpendët ishin qenie të dashura për mua. Ndër ta, vendin e parë e zinin pëllumbat. Kështu që po atë vit fillova të ndërtoja " shtëpi" për ta, ose siç quhen zakonisht, kafaze. Kujdesesha për ta sikur të ishin fëmijë të vegjël. I ushqeja, pastroja vendin e tyre dhe kaloja orë të tëra me ta.

Si kuptohesh me këta zogj? A kanë emra, sepse një njeriu të zakonshëm i duken të njëllojtë.

Ashtu si edhe njerëzit, po t'i vëzhgosh me kujdes, pëllumbat janë të ndryshëm nga njeri tjetri. Pas kaq kohësh që merrem me ta, unë arrij t'i dalloj nga sytë, hunda, sqepi, bishti dhe krahët. Pikërisht për shkak veçorive të tyre, ata kanë edhe emrat e tyre, si për shembull: Larashi, Alvaro, Bojëhiri, etj...Por edhe ata më dallojnë mua nga njerëzit e tjerë. Sapo më shohin, nisin të më afrohen, duke m'u përkëdhelur te këmba apo duke m'u hedhur në sup.

Për ne, që i duam pëllumbat, por nuk dimë shumë gjëra për ta, do të ishte gjë e bukur të na tregosh, për shembull, sa vjet jeton një pëllumb? Cili është më I moshuari që ke?

Pëllumbi mund të jetojë deri në pesëmbëdhjetë vjeç. Më i vjetri që kam unë është gjashtë vjeç. Kam vënë re se u ke ndërtuar një shtëpi të madhe e jo kafazë të vegjël siç kanë zakonisht pëllumbat.

Arsyeja e parë është lidhja ime e ngushtë me ta, dëshira që kam për t'i rritur sa më mirë. Kurse arsyeja e dytë është edhe më e rëndësishme. Ajo kushtëzohet nga lloji I pëllumbave që rris unë. Ata nuk janë të zakonshëm, apo shtëpijakë, si ata që jemi mësuar të shohim nëpër ballkonet dhe tarracat e pallateve. Këta të mitë janë pëllumba të veçantë.

Ç'të veçantë kanë pëllumbat e tu dhe sa raca prej tyre rrit?

Këta pëllumba janë një racë jomigratore, të aftë për ta gjetur shtëpinë e tyre edhe po t'i çosh në distancë të largët prej qindra kilometrash. Aftësitë fluturuese të pëllumbave të tillë janë shumë impresionuese. Në kushte moti të mirë ata mund të përshkruajnë edhe 800 kilometra me shpejtësi mesatare 70 km në orë, për t'u kthyer në shtëpinë e tyre të origjinës, me të cilën pëllumbi rri i lidhur për gjithë jetën. Sa për pak histori, mund të them se përzgjedhja e pëllumbave (udhëtar apo mesazher), i ka fillimet në Belgjikë rreth viteve 1800. Në atë kohë dalloheshin tre varietete kryesore: liegese, anversese dhe të përzier mes tyre. Janë quajtur mesazherë gjatë Luftës II botërore, kurse sot përdoren për të zhvilluar gara largësish të gjata në të gjithë botën.

A mund të na tregosh rrugën që nga grumbullimi I vezëve e deri te mosha madhore e një zogu të tillë?

Rruga që nga grumbullimi i vezëve, deri në rritjen e një zogu të tillë, është jo vetëm shumë e gjatë, por edhe tepër e vështirë. Kjo gjë kërkon mund, lodhje dhe përkushtim të veçantë, por këtë mund ta kuptojë fare mirë vetëm një rritës i mirëfilltë dhe i pasionuar pëllumbash, i cili është edhe trajneri i tyre

Jam tepër kurioz të di si i stërvit për garë?

Kujdesi fillestar nis me daljen për herë të parë të këtyre zogjve nga foleja e tyre. Unë kujdesem që tre-katër orët e para të daljes zogu të regjistrojë në kujtesë objektet kryesore që ndodhen pranë vendbanimit të tij, duke e ruajtur nga ndonjë trembje e mundshme prej maceve apo shpendëve grabitqarë, siç janë fajkonjtë. Rrugëtimi i pëllumbit nis qysh kur zogu mbush tre muaj jetë. Më pas, me kalimin e javëve, nis faza e stërvitjes. Zogjtë lëshohen fillimisht nga një largësi prej dhjetë kilometrash nga vendbanimi i tyre. Ata duhet të kthehen në "shtëpi" brenda një kohe të shkurtër, edhe pse nuk kanë qenë kurrë më parë larg prej saj. Kjo është edhe karakteristika gjenetike kryesore e tyre, ta gjejnë vendbanimin në rrugën e kthimit, edhe pse nuk e kanë parë atë gjatë transportit. Është mister edhe sot se si, këta zogj e gjejnë rrugën e kthimit edhe po t'i lëshosh me qindra kilometra larg.

Thuhet se orientimi i tyre është i lidhur me fushën magnetike të Tokës. Pas kësaj, nis faza e dytë, kur pëllumbat hidhen nga një largësi prej 20-30 kilometrash. Faza e tretë shkon 100-150 kilometra e kështu vazhdojnë duke u rritur distanca në fazat e tjera. Si shembull po ju përmend se para pak ditësh kam hedhur nga Spliti i Kroacisë pesë pëllumba, të cilët u kthyen brenda dymbëdhjetë orësh.Në shumë vende të botës dhe Evropës rritja dhe stërvitja e këtyre pëllumbave është një nga sportet më të përhapur. Por në Shqipëri nuk e kemi krijuar ende një federatë të mirëfilltë kur vetëm në Vlorë ka rreth 70 rritës pëllumbash të tillë gare.

Federata do të ishte një lloj rregulluesi për organizimin e veprimtarive të tilla. Nëse doni të dini ndonjë kuriozitet, mund t'ju them se kampionati i parë i garave me pëllumba është bërë në vitin 1820 në Paris dhe e ka fituar një pëllumb belg, i cili kur ka hyrë triumfator në vendin e tij, është shoqëruar nga banda muzikore dhe dy topa që shtinin për nder të tij.

Një tjetër kuriozitet që lidhet me rritjen e pëllumbave të garave, është fakti se me një aktivitet të tillë merret edhe një seksion i Ministrisë Italiane të Mbrojtjes, i cili bashkëpunon me federatën dhe shoqatat e tjera italiane të rritjes së pëllumbave. Këta Pëllumba kanë qenë protagonistë të vërtetë në shunë çaste të vështira të historisë. Gjatë Luftës I Botërore, në vitet 1915-1918, ata ishin mjetet kryesore të komunikimit atje ku luftimet ishin të ashpra. Për këtë arsye, në përfundim të asaj lufte, në Francë u ngrit një monument për të përjetësuar lavdinë e këtyre pëllumbave trima, por edhe heroikë.

Në sa gara brenda e jashtë vendit ke marrë pjesë dhe a të kanë nderuar pëllumbat e tu?

Këtë vit kam filluar të marr pjesë në kampionatet qëzhvillohen në Shqipëri dhe Greqi. Deri tani mund të them se nga stërvitja paraprake që u është bërë pëllumbave nga ana ime, ata kanë dalë në pesë vendet e para dhe kam besim se në të ardhmen do të jenë protagonistë, pse jo edhe kampionë.

Ti u kushton atyre një pjesë të madhe të kohës. Lodhesh dhe shpenzon shumë. Ç'të lidh kaq fortë me ta? Ç'kënaqësi të japin? A do ta mendoje ndonjëherë jetën tënde pa pëllumbat dhe gugatjet e tyre?

Harxhoj me ta një pjesë të mirë të kohës sime të lirë, duke u kushtuar vëmendje dhe kujdes. Ata ma kthejnë duke më falurqetësi shpirtërore. Ata janë bërë pjesë e pandashme e jetëssime. Nuk mund ta kuptoj jetën asnjëherë pa pëllumbat dhe gugatjet e tyre. Ata janë për mua jo vetëm hobi, por diçka e rëndësishme, si të gjitha gjërat e tjera të rëndësishme. Unë mendoj se çdokush duhet të merret me diçka të bukur e të dobishme që fisnikëron jetën e njeriut. Për vete kam zgjedhur pëllumbat e bukur dhe prej tyre nuk do të heq dorë kurrë.

Të falënderoj duke të uruar të fitosh sa më shumë gara e ndonjë ditë t'i lëshosh nga Bogonica, mali i shenjtë ikallaratasve.

Drejtoi bisedën Hiqmet Meçaj

Botuar ne Gazetn Kallarati, Nr.66 Nentor-Dhjetor 2012

PASIONI PËR PËLLUMBAT. Bisedë me Agron Mersin Tozajn nga Hiqmet Meçaj

KËNGË & VIDEO

SONDAZH

Cili është mendimi juaj për uebsaitin tonë të porsa çelur www.kallarati.com?
 

FACEBOOK FanBox

SPONSOR i faqes www.kallarati.com

Sponsor te faqes www.kallarati.com

GAZETA "KALLARATI"

NUMURI I LLOGARISË I SHOQATËS ATDHETARE & KULTURORE “KALLARATI”

Banka: Societe Generale Albania.
Në LEK në numrin e llogarisë: 1175099
Në EURO në numrin e llogarisë: 1175101
Pë çdo kontribut kontaktoni në adresat:
kontakt@kallarati.com
gazetakallarati@yahoo.com
Sefer Jonuzi Cel: 00355682745862

Nga Blogu

09 Shkurt, 2017

Rrugëtimi në jetë i veteranit 90 vjeçar Xhelo Dautaj

  -Rrëfim-   Një rrugëtim në jetë prej 90 vjetësh nuk janë as shumë, por as… Lexo më shumë...
26 Dhjetor, 2016

TË NOHIM SHKRIMTARIN DHE PËRKTHYESIN BAJRAM KARABOLLI

Bajram Karabolli - lindur në Mavrovë (Vlorë) në 1943, prindërit e tij me… Lexo më shumë...
27 Tetor, 2016

NË KALLARAT U FESTUA ME KRENARI 100-VJETORI I HAPJES SË SHKOLLËS SË PARË SHQIPE

  Nga Besnik GJONBRATAJ AMBJENT FESTIV NË KALLARAT Në datat 13 dhe 14 gusht… Lexo më shumë...

Lajmet nga vendi