100vjetori
Vinaora Nivo SliderVinaora Nivo Slider

KALLARATASI, QË E NISI KARRIERËN USHTARAKE PARTIZAN I BRIGADËS I SULMUESE DHE E PËRFUNDOI ATË SI DREJTUES I LARTË I SAJ

(Intervistë me veteranin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Dalan Memushaj)  

Dalan MemushiDalan Memushaj lindi në Kallarat më 1924. Pasi mbaroi arsimin fillor, u detyrua që qysh në moshë të njomë të futej në punë në guroren e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Sjelljet e pushtuesve italianë me qytetarët vlonjatë i ngjallën urrejtjen për fashizmin, urrejtje që, nën ndikimin e fuqishëm edhe të rrethit familjar e shoqëror, erdhi duke u rritur. Partizan i çetës "Hajredin Tremishti" që ditën e parë të krijimit të saj, më 6 dhjetor 1942, e deri në mesin e korrikut 1943. Më 15 gusht 1943 inkuadrohet në radhët e Brigadës I Sulmuese. Mori pjesë në inkursionin e saj Veri, ku edhe u plagos rëndë në Drizë të Gramshit. Çlirimi i vendit e gjen me detyrë komandant kompanie. Në vitin 1948 dërgohet në Bashkimin Sovjetik, ku studion për artileri. Pas kthimit në atdhe më 1952, shërbeu për disa kohë në armën e artilerisë, pastaj kalon në organet e zbulimit. Më 1966 mbante gradën nënkolonel. Komisar i Brigadës së Parë Autonome të Këmbësorisë. Më 1974, në valën e spastrimeve në ushtri, nxirret në lirim para kohe pa asnjë shkak.

Është autor i librit me kujtime "Ditët kur luftova"; ka botuar shumë shkrime për figura atdhetarësh e dëshmorësh në shtypin ushtarak dhe në gazeta të tjera. Është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me shumë urdhra e medalje.

Për të mësuar diçka më tepër rreth jetës dhe veprimtarisë së këtij veterani të fshatit tonë, një ndër të paktët dëshmitarë të periudhës së Luftës që jetojnë sot, mundëm t’i merrnim atij një intervistë për lexuesit e gazetës “Kallarati”.

 

1. Dalan Memushi, i njohur si partizan i orëve të para në Brigadën I Sulmuese, më vonë kuadër i lartë ushtarak, tashmë në pension pleqërie në moshën 89 vjeçare, si e kaloni kohën dhe si ndiheni në këtë moshë?


Së pari dua t’ju falënderoj për intervistën, jo se më bëhet mua, por për atë që i drejtoheni një të moshuari që i përket brezit të të rinjve që luftuan kundër fashizmit për një Shqipëri të lirë e të pavarur. Ka vite që unë jam në pension pleqërie, por kjo nuk më ka bërë që të jem indiferent dhe i shkëputur nga situata në të cilën jetojmë, nga zhvillimet e vendit, nga hallet e problemet që shqetësojnë sot shqiptarët, por edhe të afërmit e bashkëfshatarët e mi kallaratas kudo që ndodhen. Aktualisht jam afër të nëntëdhjetave. Edhe pse me shëndet ndihem mirë, mosha bën të vetën. Nuk mund të lexoj lirisht, por ndjek rregullisht lajmet në televizor për të mësuar zhvillimet në Shqipëri. Dal e shëtis nga pak sipas rastit me vajzat, nipërit e mbesat, por ajo që nuk më mungon kurrë në këto shëtitje, është pa dyshim bashkëshortja ime, Bejazja.

 2. Memushajt janë të dëgjuar në krahinë për atdhetarizmin e tyre, megjithatë do të ishte me interes, sidomos për brezin e ri, të dinim diçka më tepër për vëllazërinë edhe familjen tuaj?

Ashtu si çdo familje në Kallarat edhe Memushajt kanë vendin dhe rolin e vet në historinë e fshatit. Në përgjithësi, edhe paraardhësit e prindërit tanë janë dalluar për ndjenja atdhetare e trimërie. Ne kemi qenë dy vëllezër, Dashua, më i vogli, i cili nuk jeton më, dhe unë. Ne na rriti gjyshja me sakrifica, pasi mëma na vdiq shumë e re, duke më lënë mua 5 vjeç. Babai vdiq në vitin1970. Tre klasë të shkollës fillore i kam bërë në Kallarat, një vit në Bolenë dhe një vit në Vranisht. Me ndihmën edhe të Rrapo Metos do të shkoja në Shkollën Tregtare në Vlorë, por filloi lufta dhe nuk munda të vazhdoja shkollën e mesme. Më vonë u aktivizova, madje shumë i ri, në lëvizjen çlirimtare, fillimisht në çetën territoriale “Mumin Selami” të fshatit, më vonë në çetën “Hajredin Tremishti” të Kurveleshit dhe pas një viti në Brigadën I Sulmuese. Çlirimi i vendit më gjeti oficer në ushtri, ca vjet më vonë kryej studimet ushtarake në Bashkimin Sovjetik dhe, pasi kthehem, shërbej me devotshmëri në ushtri deri në vitin 1974.

 3. Si pjesëmarrës me armë në dorë në Luftën Nacionalçlirimtare në një njësi mjaft të dëgjuar, në Brigadën I Sulmuese, mund të na thoni diçka më tepër për veprimtarinë tuaj, por edhe të njësisë ku bënit pjesë?

Siç theksova edhe më lart, familja jonë, ashtu si edhe familjet e tjera kallaratase kishim të kultivuar ndjenjën e lirisë. Kështu, xhaxhai im Veipi kishte marrë pjesë në Luftën e Vlorës më 1920-ën dhe me fillimin e lëvizjes së armatosur antifashiste u vu në krye të çetës territoriale të Kallaratit. I rritur në një mjedis të tillë atdhetar, që ditën kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, m’u shtua së tepërmi ndjenja liridashëse dhe urrejtja ndaj pushtuesit. Edhe pse isha veç 13 vjeç, vendosa të luftoj për atdheun. Në vitet 1939–1940 nuk kishte ndonjë lëvizje të theksuar me armë; lufta me armë në dorë filloi në vitet 1940–1941. Në shtëpinë tonë vinin shpesh partizanë të dëgjuar të asaj kohe, si Bexhet Mema, Memo Metua, Shefqet Peçi etj., me të cilët më vonë u bashkova edhe unë. Mbaj mend që në betimin që një pjesë e burrave të Kallaratit bënë në Qesarule në gusht 1942, morëm pjesë si më të rinj edhe unë, Perlat Qejvani e Petref Zhibi. Burrat e Kallaratit u betuan se do të luftonin kundër pushtuesit dhe për betim se nuk do të tregonin se kush mori pjesë në këtë mbledhje, vunë dorën në kuran dhe futën lekun në gojë.

 Më vonë unë u rreshtova në çetën territoriale “Mumin Selami” dhe, me krijimin e çetës “Hajredin Tremishti” të Kurveleshit, më 6 dhjetor 1942 në Kuç, u bëra pjesë e saj. Në përbërje të kësaj çete mora pjesë në shumë luftime të përgjakshme, ku do të përmend luftimet në Borsh, në Grykën e Mezhgoranit etj. Më 15 gusht 1943 inkuadrohem në Brigadën e Parë Sulmuese, së bashku me Selam Qejvanin, Sinan Petanin, Nuredin Breshanin, Adil Petanin dhe Tare Gjonin, këta tre të fundit dëshmorë. Në përbërje të kësaj brigade historike, me komandant Mehmet Shehun, njërin nga ushtarakët më të zotë të kohës, që do ta konsideroja njeriun më të betuar për çlirimin e Atdheut, mora pjesë në luftime të shumta nga Jugu në Veri. Në këto luftime, më 20 prill 1944, gjatë një sulmi kundër gjermanëve dhe ballistëve për marrjen e një garnizoni ushtarak në afërsi të fshatit Drizë të Gramshit plagosem rëndë. Në errësirën e natës shqova mes shkurreve qeleshe të bardha dhe pandeha se ishin fshatarë të zonës që ishin bashkuar me brigadën, por m’u përgjigjën me breshëri zjarri. Qenë ballistë, që më plagosën rëndë me dy plumba në krahun e majtë. Megjithëse i plagosur, munda të hidhja dy granata kundër tyre, që u pasuan nga sulmi i shokëve të Brigadës, të cilët më gjetën të mbytur në gjak. Ndihma e parë m’u dha nga shoqja e luftës Janka Qirici. Më strehuan në një shtëpi të fshatit dhe, pas tetë ditësh, kur plaga më kishte zënë krimba, mundën të më dërgonin në spitalin partizan të Helmësit. Aty, nën kujdesin e një mjeku italian, i cili bëri të pamundurën që të mos më pritej krahu. Edhe unë në asnjë mënyrë nuk pranova të mbetesha pa një dorë, pasi edhe vëllai, Dashua, ishte i gjymtuar nga dora; veç kësaj, pa dorën e majtë, nuk mund të përdorja mitralozin, që ishte bërë shoku im i pandarë. Pas shërimit, u ktheva përsëri si mitraljer dhe mora pjesë në të gjitha luftimet e Brigadës.

 E quaj për nder dhe ndihem krenar që kam qenë pjesë e kësaj lufte antifashiste, e cila me gjithë dështimin e sistemit komunist, mbetet një faqe e ndritur e historisë së popullit tonë, kur ai për herë të parë qysh nga koha e Skënderbeut u bashkua dhe ngriti një ushtri kombëtare që i doli zot Atdheut. Çdo pjesëmarrës i asaj lufte ka të drejtë të krenohet, po ashtu siç duhet të krenohen bijtë, bijat, nipërit dhe mbesat e tyre.

Sot, edhe pse dikush mundohet ta mohojë atë duke e quajtur luftë civile, brezi i ri i duhet ta njohë dhe ta studiojë atë periudhë të lavdishme dhe të marrë prej saj atë që është më e rëndësishme, ndjenjën e bashkimit e të sakrificës për të qenë të lirë e të pavarur, që në Shqipëri të valëvitet flamuri i kuq me shkabën dykrenore dhe jo flamuri i dikujt tjetër. Për këtë arsye luftuam dhe sakrifikuam përkrah edhe aleatëve të tjerë kundër fashizmit. Për të kuptuar pse duhet ta çmojmë këtë trashëgimi heroike në këtë periudhë deheroizimi, që sot është bërë modë në Shqipëri, po i sjell lexuesit të kësaj gazete një detaj të vogël. Një nga dhëndurët e mi, që është amerikan, kur mori vesh se vjehrri i tij kishte luftuar kundër fashizmit, prodhoi dhe u shpërndau miqve të tij stilolapsa me stemën e Shqipërisë, në të cilët shkruhet: "Dalan Memushi, veteran i Brigadës I Sulmuese", "Shpresë për popullin, tmerr për armikun". Këtë e bëri jo për ndonjë arsye tjetër, po thjesht se amerikanët i çmojnë dhe i nderojnë ata që luftuan kundër murtajës fashiste, e cila i shkaktoi aq humbje e shkatërrime njerëzimit. Asnjë justifikim nuk ka për tradhtinë, e cila në të gjitha kohët e për të gjithë popujt mbetet një njollë që shlyhet me shumë vështirësi.

4. Edhe diçka më tepër për Bejazen, jo vetëm si bashkëshorte, por si një shoqe jete me të cilën keni lindur, rritur e edukuar fëmijët, por edhe keni përballuar çdo vështirësi të jetës si dhe të detyrave që keni kryer?

Bejazja është bijë fshati nga Abazajt, vajza e xha Zimos. Me të unë u martova në vitin 1953. Me Bejazen lindëm, rritëm dhe edukuam pesë vajza, njëra më e mirë se tjetra: Liljanën, Vojsavën, Mimozën, Lavdien dhe Almirën. Edhe pse nuk patëm djalë, siç ka dëshirë çdo prind, jemi tepër të kënaqur me vajzat, me sjelljen dhe dashurinë e tyre jo vetëm prindërore, por edhe në shoqëri dhe familjet e tyre. Kuptohet që në rritjen dhe edukimin e tyre rol kryesor ka Bejazja, jo vetëm si nënë, por për vetë detyrat që unë kam kryer si ushtarak, shpesh larg familjes, në shërbime të shumta në Jug e në Veri, ka bërë që asaj, si çdo grua ushtaraku, t’i bjerë barra më e rëndë në rritjen e fëmijëve. Ajo krahas punës si centraliste në Sanatorium, ka përballuar me sukses edhe detyrat prindërore. Ajo jo vetëm që ka rolin kryesor për rritjen e fëmijëve, por ka qenë dhe është një amvisë shumë e mirë në familje. Shtëpia jonë ka qenë e hapur për të afërmit, por edhe për bashkëfshatarët që vinin në Tiranë dhe këtë Bejazja e ka bërë jo e imponuar, por me vetëdije, me dëshirë e dashuri për njerëzit. Bejazen nuk e kam parë vetëm si një bashkëshorte, por në radhë të parë si shoqe. Me të kam qarë hallet jo vetëm të familjes, por edhe të punës. Në karrierën time si ushtarak kam kaluar jo pak situata të vështira të kohës dhe ka qenë Bejazja ajo me të cilën unë kam ndarë shqetësimet e punës. I jam shprehur asaj hapur për përplasjet dhe kam marrë nga ajo në çdo kohë mbështetjen dhe kurajën për të ecur në rrugën time të drejtë, shpesh duke më dhënë këshilla tepër të nevojshme. Mirëkuptimi dhe harmonia jonë e sinqertë në këta 60 vjet të jetës sonë bashkëshortore ka bërë që sot të kemi një familje të shëndoshë e të kalojmë së bashku si çift një jetë normale në pleqëri.

 5. Pas çlirimit, shërbeni për një kohë të gjatë si ushtarak në detyra mjaft të rëndësishme. A mund të na thoni cila ka qenë karriera juaj ushtarake dhe a keni diçka që ju ka ngelë merak nga ajo kohë?

Pas përfundimit të luftës dhe çlirimit të Atdheut, u vesha oficer në armën e tankeve në Tiranë. Si shumë ushtarakë të tjerë edhe unë në vitin 1948 u dërgova për studime në Bashkimin Sovjetik, por për disa arsye nuk studiova për tanke, por për prodhimin e armëve, pavarësisht se në vendin ende nuk kishim uzinë të prodhimit të tyre. Pasi u ktheva nga Bashkimi Sovjetik, shërbeva shumë pak në Gjirokastër, pasi më tërhoqi Teme Sejkua në Tiranë, në sektorin e zbulimit, ku shërbeva deri në vitin 1969, kur ky sektor u shkri dhe kaloi në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Më pas, më caktuan komisar në Brigadën e Parë në Tiranë, në atë njësi që mbante emrin e Brigadës së Parë Sulmuese, ku unë kisha qenë partizan dhe për të cilën ruaja kujtimet më të mira. Në vitin 1974, pak para se të goditej grupi puçist në fushën e mbrojtjes, lirohem nga ushtria për shkak të mosqenies dakord me të ashtuquajturat “tezat e zeza”. Pavarësisht nga këto, unë kohën e qëndrimit ushtarak, duke përfshirë edhe atë si partizan, e quaj një kohë të vështirë, me shumë përgjegjësi, por edhe të lavdishme. Ndihem krenar dhe i privilegjuar që shërbeva në njësi me emër dhe histori të rrallë në kohën e luftës dhe në vitet e pasluftës, në Brigadën e Parë, e konsideruar me të drejtë "Shpresë për popullin, tmerr për armikun".

 6. Si shumë kallaratas të moshës tuaj me banim në Tiranë, keni qenë mbështetje për bashkëfshatarët tuaj. A mund të tregoni çfarë ju shtynte ta bënit një gjë të tillë?

100 0589Nuk mund të them se vetëm familja ime ka qenë mikpritëse dhe ka pasur derën e hapur për bashkëfshatarët, miqtë dhe shokët tanë. Çdo familje kallaratase jo vetëm në Tiranë, por edhe në Vlorë a qytet tjetër ka qenë strehë për bashkëfshatarët. Na takonte ta bënim një gjë të tillë, sepse derën hapur e gjenim edhe ne sa herë që shkonim në fshat. Kanë qenë të shumta rastet kur unë me vetëdije dhe me shumë dashuri kam ndihmuar kallaratasit e mi, nisur edhe nga detyra dhe njohjet që kisha në Tiranë. Po kujtoj një rast, kur Hasan Shamua kishte ardhur te dera e Ministrisë së Mbrojtjes për të më kërkuar ndihmë, pasi për çështje biografie i kishin përjashtuar nga universiteti djalin, Gafurin. I thashë të shkojmë te Shefqet Peçi, se të dy kishim njohje me të, dhe ai na dha një deklaratë me të cilën Gafuri u pranua përsëri në universitet dhe e përfundoi atë me sukses, duke u bërë më vonë kuadër i zoti. Këshilloj që edhe sot, ndonëse kohët e mentaliteti kanë ndryshuar, të gjithë ata që kanë diçka në dorë, të ndihmojnë bashkëfshatarët e tyre, pa u kërkuar shpërblim. Shpërblimi më i mirë për ta do të ishte mirënjohja.

 7. Ju si edhe shumë të tjerë keni kontribuar për Kallaratin, në veçanti për bërjen e historikut të tij, edhe pse ai sot nuk është përfunduar.  A mund të na thoni diçka më tepër për këtë?

Siç dihet, fillimisht, fshati ynë ka qenë në Kunjovë, po më pas, ndoshta aty midis viteve 1660 e 1720, nga shkaku i sëmundjes së kolerës u shpërngul rrëzë të malit të Bogonicës, në vendin e quajtur rrëza e Pelingrisë. Gjatë shekujve, sidomos për shkak të raprezaljeve që pasonin shtypjen e kryengritjeve të mëdha të Labërisë në shek. XV–XVI, po edhe më vonë për shkak të epidemive të kolerës e të murtajës. Shumë banorë të Kallaratit janë shpërngulur në fshatra të tjera, si në Pilur, Borsh, Piqerras, Sasaj, Lukovë, Shën-Vasil e gjetkë. Pasi u dogj nga grekët në vitin 1914, banorët e braktisën fshatin, nga i cili sot ruhen rrënojat e shtëpive me emrin “Fshati i Djegur”, dhe u vendosën pranë arave, në të dy krahët e lumit, aty ku është edhe sot.

 Jo vetëm kombi, po edhe çdo pjesë e tij, krahinë a fshat ka historinë e vet, e cila duhet shkruar, në mënyrë që të njihet dhe të trashëgohet brez pas brezi. Edhe Kallarati ka historinë e tij dhe për fatin tonë ka një histori të shkëlqyer, e cila, sipas studiuesve tanë, fillon që në vitin 1432, kur emri i fshatit përmendet për herë të parë në defterin osman. Fshati ynë ka marrë pjesë në të gjitha lëvizjet kundër pushtimit osman, duke filluar me kryengritjen e Gjergj Arianitit më 1432. Po pikat më kulmore të historisë që e nderojnë fshatin tonë janë pjesëmarrja në kryengritjen e Tanzimatit më 1847, lufta me andartët grekë më 1912–1914, pjesëmarrja në Luftën e Vlorës dhe në Luftën Antifashiste, në të cilën dha 26 dëshmorë, ndër ta një Hero të Popullit, Mumin Selamin, dëshmor i orëve të para.

Po kështu, edhe pas Çlirimit, kallaratasit, krahas rindërtimit dhe zhvillimit të fshatit të tyre, kanë kontribuar në të gjithë vendin, duke nxjerrë mjaft personalitete dhe intelektualë të spikatur, me vlera të veçanta dhe të vlerësuar nga shteti dhe shoqëria si në arsim, kulturë, art, ushtri, sport, mjekësi, bujqësi, ekonomi, diplomaci, drejtues të rëndësishëm të institucioneve shtetërore, deputetë në Kuvendin Popullor etj. Këto duhen njohur nga të gjithë, por që të njihen duhen edhe shkruar. Para viteve ‘90 u bënë shumë përpjekje për hartimin e historikut të Kallaratit. U krijuan grupe pune në Kallarat, Vlorë e Tiranë. Pjesë e këtij grupi për hartimin e historikut kam qenë edhe unë. U arrit që të hartohej një projekt në dorëshkrim, i cili nuk arriti që të botohej dhe sot nuk i dihet fati. Pavarësisht se brezi im nuk arriti të linte tamam një historik të pranuar nga të gjithë, në kohën e sotme të demokracisë e të pluralizmit politik ekzistojnë të gjitha kushtet, pasi materiale ka plot për Kallaratin, veç duhet që një grup intelektualësh ta marrin përsipër një gjë të tillë. Një hap në këtë drejtim është hedhur me botimin e librit “Historiku i Kallaratit” nga Enver Strati, i cili, me gjithë përpjekjet dhe punën e tij këmbëngulëse, nuk mund të themi se është i plotë, pasi ka edhe pasaktësi. Që historiku të jetë i besueshëm dhe t’i rezistojë kohës, mendoj se nuk duhet bërë nga një individ, sado i mirë të jetë ai, por të jetë rezultat i punës së një grupi intelektualësh të fushave të ndryshme, intelektualë që Kallaratit nuk i mungojnë. Sot, kur është ngritur edhe shoqata “Kallarati”, e cila ka edhe gazetën e saj, duhet që kjo të jetë detyra më parësore e saj. Brezave të ardhshëm duhet t’u lëmë të shkruar historinë e fshatit tonë. Sa më shumë të vonohemi, aq më e vështirë do të jetë ajo. Mesazhi im do të ishte: Historinë e Kallaratit ta shkruajmë ashtu siç ka qenë dhe është, duke pasur si qëllim bashkimin me njëri tjetrin dhe jo ndarjen.

8. Para disa vitesh keni botuar librin “Ditët kur luftova”, që ia kushtoni kryesisht Brigadës I Sulmuese. Ky botim erdhi si detyrim moral për të gjitha ata njerëz që luftuan në rreshtat e kësaj Brigade?

Kam botuar shpesh kujtime nga Lufta në organet e shtypit, si para edhe pas viteve ‘90. Libri “Ditët kur luftova” nga vetë titulli i tij flet për kohën kur unë luftova, por ato nuk janë thjesht kujtime për mua si Dalan, por për të gjithë shokët me të cilët unë luftova, duke i rënë vendit kryq e tërthor, nga Jugu në Veri, nga bregdeti në Korçë, në përleshje me fashistët italianë, me nazistët gjermanë, me tradhtarët e vënë në shërbim të tyre dhe me bandat fill pas çlirimit të vendit. Një vend të veçantë në libër zënë kujtimet që i përkasin kohës kur unë u rreshtova në formacionin partizan më të dëgjuar, në Brigadën I Sulmuese, që nga themelimi i saj në Vithkuq të Korçës, në fushën e Makrëzës, shtatëdhjetë e tre vjet më parë, më 15 gusht 1943. Këto kujtime kam nisur t’i shkruaj aty nga fillimi i viteve '60 dhe i kam vijuar më vonë, por për shkaqe që tashmë të gjithë ata që e kanë jetuar atë kohë, i dinë, nuk e dorëzova për botim. Një vend të veçantë në këtë libër zë vlerësimi dhe adhurimi që kisha për Mehmet Shehun, komandantin legjendar të kësaj njësie partizane, i cili pas (vetë)vrasjes u shpall "armik i popullit". Për këtë arsye, e mbylla dorëshkrimin në sirtar, pa më shkuar mendja ta ndryshoja e ta retushoja, siç ishte në modë atëherë për ta bërë të botueshëm në rrethanat e krijuara pas daljes së Mehmet Shehut nga skena politike. Kështu që, edhe pse ky libër u botua në një kohë tjetër, materiali i ka mbetur besnik origjinalit, duke e ruajtur kështu vlerën njohëse. Ky libër është edhe si një detyrim moral për të gjithë ata partizanë të kësaj brigade që dhanë jetën për çlirimin e vendit, apo edhe të atyre që sot nuk jetojnë më. Përveç Mehmet Shehut, ruaj kujtime shumë të mira edhe për komisarin e Brigadës Tukë Jakova dhe zëvendëskomandantin e saj Tahir Kadarenë, të cilët, megjithëse ishin besnikë të atdheut e të popullit, më vonë u cilësuan si tradhtarë.

 Në fund të këtij libri unë jap mesazhin për brezat e rinj: “Kurrë mos e përbuzni dhe mos e mohoni atdheun tuaj, edhe atëherë kur ai do t’ju ofrojë pak, po përpiquni t’ia lartësoni emrin dhe ta begatoni për brezat që do të vinë pas jush. Vetëm kështu do të jeni bij dhe bija të vërtetë të tij, pasardhës të denjë të mijëra e mijëra vetëve që kanë derdhur gjakun për lirinë dhe pavarësinë e kësaj toke.”

 9. Mbas daljes në pension, cili ka qenë angazhimi juaj në veprimtaritë shoqërore?

Në vitin 1974, në një moshë të re do të thosha, dola në pension. Ishte koha që unë duhej t’i jepja akoma ushtrisë. Ishte koha që edhe ushtria kishte nevojë për ne, por vitet 1970–1974 ishin vite që u goditën gjithë sektorët e jetës, sidomos më tepër e pësoi ushtria. Pjesa më e madhe e kuadrave të saj, të ardhur nga lufta, por që kishin studiuar edhe jashtë, që kishin punuar me shpirt për ngritjen dhe zhvillimin e ushtrisë, u goditën rëndë. Në këtë kuadër, duke pasur dhe një detyrë të rëndësishme, atë të komisarit të Brigadës së Parë në Tiranë, shok dhe bashkëluftëtar me disa nga figurat më kryesore të ushtrisë të asaj kohe, nuk ishte e lehtë që të shpëtoje pa marrë ndonjë ndëshkim të madh, burg, pushkatim, internim apo, dhe më lehtë, lirim nga ushtria, siç ndodhi edhe me mua.

 Pas daljes në pension në një moshë 50-vjeçare, kuptohet që nuk mund të rrish e të mbyllesh brenda shtëpisë. Sigurisht që kam qenë tepër aktiv në organizatat shoqërore në lagje, por edhe në qytetin e Tiranës për vite të tëra, duke dhënë ndihmesën time në edukimin e brezit të ri me ndjenjën e atdhedashurisë. Kontribut dhe angazhim të veçantë kam pasur deri kohët e fundit në Organizatën e Veteranëve të Luftës Antifashiste. Tani, në këtë moshë, nuk mund të jem më aq aktiv, por megjithatë jam në korent të gjithë situatës politike, shoqërore dhe ekonomike që kalon vendi. Dëshiroj që politikanët e sotëm, ashtu siç bëmë ne dje në luftë dhe në rindërtimin e vendit, të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të mendojnë më shumë për Shqipërinë dhe hallet e popullit në përgjithësi sesa për karrigen e tyre.

 10. Le t’i kthehemi edhe njëherë vendlindjes, Kallaratit. Kur ka qenë vizita juaj e fundit në Kallarat dhe si e kujtoni atë sot?

Lapidari i Deshmoreve te KallaratitSi për këdo vendlindja është ajo nuk harrohet. Për mua Kallarati ka qenë dhe do të mbetet gjëja më e çmuar. Edhe pse i larguar prej fshatit, qysh në kohën që u rreshtova në luftë, e pastaj në shkolla brenda e jashtë vendit dhe në punë, kryesisht në Tiranë, e kam ndier veten çdo ditë sikur ndodhesha atje, midis njerëzve të mi. Në Kallarat shkoja shpesh, jo vetëm në raste festash e përvjetorësh të ngjarjeve historike të fshatit, por edhe në raste gëzimesh dhe hidhërimesh. Edhe pse në fshat nuk kishim ndonjë të afërm të familjes, e kam fjalën për njerëz të familjes sime – nënë, baba, vëlla a motër – për mua dhe familjen time, fisi i Memushajve e kishte derën hapur dhe gjej rastin t’i falënderoj dhe vlerësoj shumë, ashtu si edhe çdo familje tjetër kallaratase. Kallarati, ashtu si çdo fshat tjetër i krahinës së Labërisë, ka tradita shumë të mira në pritjen e njerëzve, jo vetëm të bijve të vet, por edhe të të huajve që kanë qenë në ato anë, si në kohën e Luftës, duke i strehuar, ushqyer e mbathur ata, por edhe gjatë viteve të mëvonshme të rindërtimit të vendit. Përveç kallaratasve që jetonim në Tiranë, Vlorë, a qytet tjetër, dua të çmoj dhe vlerësoj ata burra e gra të asaj kohe që qëndruan dhe kontribuuan për vite të tëra për rindërtimin dhe lulëzimin e fshatit. Në mënyrë të veçantë dua të përmend vëllezërit Sinan e Sihat Tozaj, Duze Bajramin, Telha Duron, Muço Xhevitin, Tafil Boron etj. Uroj që kjo traditë të trashëgohet edhe në ditët e sotme të demokracisë.

Tani, le t’i kthehem pyetjes suaj se kur kam qenë për herë të fundit në Kallarat. Me sa mbaj mend, ka qenë viti 1980. Tani në këtë moshë e di që nuk mund të shkoj më, por kam shumë mall dhe do të kisha shumë dëshirë që të isha edhe njëherë atje. Do të kisha dëshirë të ndaloja në Morrez, pranë lapidarit kushtuar dëshmorëve tanë të Luftës, të përulesha para tyre dhe të vendosja një buqetë me lule, të takoja me mall bashkëfshatarët, të vizitoja shkollën, edhe pse aktualisht e mbyllur, të pija ujë të ftohtë te burimi i Rrepeve, të kaloja në Qafën e Ubavit, atje ku mbaheshin kuvende dhe ku lidhej besa, atje ku kallaratasit regjistroheshin dhe niseshin për në luftë, të shkoja edhe njëherë te trualli i shtëpisë së prindërve të mi në Dhimo, të shkoja në varreza në Fshira dhe të vendosja edhe atje një buqetë me lule, jo vetëm prindërve të mi, por edhe çdo bashkëfshatari që prehet atje. Pa le sikur të ngjitesha dot në Val apo në Bogonicë, si dikur kur isha djalë. Por le t’i lemë të gjitha këto, se për moshën që kam janë veç ëndrra. Uroj që Kallaratit t’i kthehet bukuria, uroj që shumë nga të larguarit për arsye ekonomike në mërgim të kthehen në vendlindje dhe të zhvillojnë ekonominë e tyre atje. Kallarati i ka të gjitha mundësitë të zhvillohet e të kthehet edhe si qendër turizmi, pasi ka bukuri natyrore shumë veçanta: fshat që përshkohet nga rruga automobilistike mes për mes, me toka me ujë dhe mjaft pjellore, me lumin që e përshkon mes për mes, me malin për kullotë, pse jo edhe për të ushtruar sportin, pra natyra i ka dhënë gjithçka të bukur. Të gjithëve le të na bashkojë thënia shumë e goditur që tashmë është kthyer si lajtmotiv për të gjithë ne kallaratasit: “Ec ngado, por Kallaratin mos e harro”.

 11. Kallarati, prej më se 10 vjetësh ka krijuar shoqatën “Kallarati”, si një bashkim vullnetar pa dallime partiake, si dhe boton rregullisht gazetën me të njëjtën emër. Cili është mendimi juaj që të dyja këto ta lozin më mirë rolin e tyre atdhetar e kulturor për të gjithë e sidomos për brezin e ri?

Vlerësoj shumë të gjithë ata kallaratas që kanë punuar dhe punojnë për mbarëvajtjen e kësaj shoqate. Zhvillimi i shumë veprimeve kulturore dhe atdhetare, si ai i takimit të brezave, i kujtimit të datave historike, janë veprimtari të vlerësueshme nga të gjithë. Mendoj se përfshirja në këtë shoqatë është e vetmja rrugë që i bashkon kallaratasit kudo që ndodhen, duke lënë mënjanë të kaluarën, por pa e nënvlerësuar atë, dhe duke parë më shumë nga e ardhmja. Edhe pse vetë nuk mund të kontribuoj fizikisht për shkak të moshës, do të dëshiroja që në përbërje të saj të afrohet më shumë brezi i ri. Të organizohet dhe të funksionojë në çdo qytet të Shqipërisë ku ka kallaratas, e sidomos edhe jashtë vendit. Po kështu edhe gazeta “Kallarati”, e cila po bën gati 10 vjet që botohet, mendoj se ka bërë një punë të mirë në ndriçimin e ngjarjeve më të rëndësishme të Kallaratit dhe të njerëzve të tij. Të themi se çdo gjë ka shkuar mirë, do të ishte gabim. Duke falënderuar pa masë drejtuesit si të shoqatës dhe të redaksisë së gazetës për punën e tyre vullnetare në respekt të fshatit të tyre, duke falënderuar të gjithë ata që e marrin mundimin dhe shkruajnë për vendlindjen e tyre, të gjithë ata që në një mënyrë apo në një mënyrë tjetër kontribuojnë për të, do të bëja thirrje që në to të ofrohen sa më shumë njerëz, bij dhe bija të këtij fshati, por edhe nipërit dhe mbesat e tyre, të ofrohen njerëz të kulturës e të dijes, intelektualë të fushave të ndryshme që Kallaratit edhe pse fshat i vogël nuk i mungojnë dhe të japin ndihmesën e tyre. Po kështu le të ofrohen edhe biznesmenë sepse ekzistenca e tyre kërkon edhe mbështetje financiare. Të gjithë duhet të ndihemi krenarë që jemi nga Kallarati, nga ky fshat i vogël, por me një histori të madhe që, siç thotë kënga e vjetër popullore “Kallarati fshat i paktë, / trima burra, trime gratë”.

 12. Duke përfunduar cili do të ishte mesazhi juaj për kallaratasit kudo që ndodhen?

U dëshiroj të gjithë kallaratasve, kudo që ndodhen, shëndet e suksese në familjet e tyre dhe, nëpërmjet kësaj interviste, u përcjell urimin tim: “Qofshin kurdoherë të lumtur e të bashkuar” 

Faleminderit për intervistën e dhënë. Kujtimet, mendimet dhe vlerësimet e dhëna për Kallaratin dhe kallaratasit, le të shërbejnë për këdo, veçanërisht për brezin e ri për të mos harruar dhe shkëputur asnjëherë nga vendlindja e tyre ose e të parëve, Kallarati. Në emër edhe të redaksisë ju urojmë shëndet e suksese familjarisht.

 Intervistoi: Besnik Gjonbrataj

 Botuar ne numrin 69 te gazetes Kallarati, Maj-Qershor 2013

 

 

KALLARATASI, QË E NISI KARRIERËN USHTARAKE PARTIZAN I BRIGADËS I SULMUESE DHE E PËRFUNDOI ATË SI DREJTUES I LARTË I SAJ

KËNGË & VIDEO

SONDAZH

Cili është mendimi juaj për uebsaitin tonë të porsa çelur www.kallarati.com?
 

FACEBOOK FanBox

SPONSOR i faqes www.kallarati.com

Sponsor te faqes www.kallarati.com

GAZETA "KALLARATI"

NUMURI I LLOGARISË I SHOQATËS ATDHETARE & KULTURORE “KALLARATI”

Banka: Societe Generale Albania.
Në LEK në numrin e llogarisë: 1175099
Në EURO në numrin e llogarisë: 1175101
Pë çdo kontribut kontaktoni në adresat:
kontakt@kallarati.com
gazetakallarati@yahoo.com
Sefer Jonuzi Cel: 00355682745862

Nga Blogu

09 Shkurt, 2017

Rrugëtimi në jetë i veteranit 90 vjeçar Xhelo Dautaj

  -Rrëfim-   Një rrugëtim në jetë prej 90 vjetësh nuk janë as shumë, por as… Lexo më shumë...
26 Dhjetor, 2016

TË NOHIM SHKRIMTARIN DHE PËRKTHYESIN BAJRAM KARABOLLI

Bajram Karabolli - lindur në Mavrovë (Vlorë) në 1943, prindërit e tij me… Lexo më shumë...
27 Tetor, 2016

NË KALLARAT U FESTUA ME KRENARI 100-VJETORI I HAPJES SË SHKOLLËS SË PARË SHQIPE

  Nga Besnik GJONBRATAJ AMBJENT FESTIV NË KALLARAT Në datat 13 dhe 14 gusht… Lexo më shumë...

Lajmet nga vendi