100vjetori
Vinaora Nivo SliderVinaora Nivo Slider

NJË JETË TË TËRË PËR EDUKIMIN E BREZIT TË RI KALLARATAS

 

-Intervistë e dyfishtë me intelektualët bashkëshortë, Violeta e Çize Xhaferaj-

Violeta e Çize Xhaferaj, bashkëshortë, kolegë, por edhe eprorë e vartës për vite të tëra në arsim për edukimin e brezit të ri kallaratas e më gjerë. Rast i rrallë ky. Dy intelektualë të mirëfilltë, që përveç kontributit në arsim kanë dhënë dhe vijojnë ende të japin kontribut të vlerësueshëm në jetën shoqërore në Kallarat. Dy bashkëshortë, me një kontribut mbi 35 vjeçar në arsim, aktualisht pensionistë, që edhe pse kushtet i kanë të jetojnë në Vlorë, a diku tjetër pranë fëmijëve, nuk largohen nga vendlindja e tyre, Kallarati. Dy njerëz, që aq sa kanë në gjak e pasion leximin e studimin, kanë edhe punën fizike në pronën e tyre private, dhe këtë nuk e quajnë përbuzje, përkundrazi krenari. Janë me qindra fëmijë kallaratas, nxënës, që kanë dalë nga duart e tyre dhe sot janë bërë dikush në jetë, kjo i bën ata të ndihen edhe më krenarë.

Sot pas më se 35 vjetësh në arsim, siç shprehen vetë ata, edhe pse ndjejnë nostalgjinë e atyre viteve, edhe pse ju mungon zilja e fillimit të mësimit, rreshtimi, cicërimat e fëmijëve, përgatitja e ditarit, dhënia e mësimit, ngritja në mësim dhe marrja në provim e nxënësve, kolegët e punës me të cilët së bashku kontribuuan për vite të tëra, ndjehen krenarë dhe të vlerësuar kur takohen, përshëndeten, kur u bie zilja e celularit, kur marrin një letër apo kartolinë urimi në raste festash të mësuesit, ditëlindje apo për raste të tjera të gëzueshme, nga ish nxënësit, por edhe bashkëfshatarët e tyre. Kjo për ta vlen më shumë se çdo gjë tjetër.

Për të mësuar diçka më tepër për jetën e tyre familjare, por në veçanti për kontributin e tyre në arsim le të ndjekim intervistën e mëposhtme, e cila për vetë arsyet e të qenurit kolegë, epror e vartës, njëkohësisht edhe bashkëshortë, e kemi titulluar:

“Intervistë e dyfishtë me intelektualët bashkëshortë,Violeta e Çize Xhaferaj”

Diçka për familjen, fëmininë dhe shkollimin tuaj, do të ishte me interes për lexuesit e gazetës  “Kallarati”.

Çizja. I nderuar Besnik, është kënaqësi për mua dhe patjetër  edhe për Violetën  të bisedojmë me ju,  si një ish nxënësi ynë. Por kam një kërkesë, që në këtë intervistë tuajën, të dyfishtë siç e cilësoni, për xhelintesë dhe për të respektuar si gjithnjë femrat, mendoj së pari t’i drejtoheni Violetës. Intervistuesi: “Ju falënderoj për ndërhyrjen, kini shumë të drejtë dhe ju siguroj se gjatë gjithë intervistës, Violeta do të jetë e para që do të përgjigjet” .

Violeta. Atëherë, meqënëse Çizja si përherë ka dëshirë të më resepktojë, si femër, por edhe si bashkëshorte, unë me kënaqësi do të përgjigjem e para. Jam lindur në Kallarat më 31 janar 1949 nga prindërit e mi Qerim Ibro Rjepaj dhe nëna Velide Teslim Strataj, të cilët e krijuan familjen e tyre aty nga vitet 1930. Babai merrej me blektori, nëna stanore, maleve. Kështu që edhe unë fëmijërinë time deri në moshën 7 vjeç e kam kaluar në mal. Ne ishim katër  fëmijë, Nekiu më i madhi, Refati, Hikua dhe unë.

Dy të parët u bënë blegtorë të zot, Hikua shofer. Vetëm mua m’u dha mundësia të shkollohem. Mbaj mend shumë gjëra nga prindërit. Babai në tërësi  ishte i qetë, punëtor, shumë i hollë në mendime dhe shikonte punën e tij. Duhej të kishe shumë kujdes kur flisje me të, se të këpuste një të qeshur me ironi dhe hajt ta kuptoje dhe ta mirrje vesh sado shkollë të kishe. Ai më tregonte shpesh për luftën e 1920-ës dhe i vinte keq që më vonë njerëzit ishin ndarë e përçarë. Ai nuk i ndante njerëzit dhe këtu ishte “sherri” më i madh me nënën, saqë babai ngrinte ndonjëherë mashanin e zjarrit (për të qeshur).

Klasën e parë e fillova në Kallarat me mësues Sami Karabollaj. Mbaj mend mësuesin tim të parë, një djal i qeshur, i pashëm dhe shumë i afrueshëm me fëmijët edhe pse të paditur. Pasi mbarova ciklin e ulët në Kallarat, se ciklin e larët e mbarova në Vlorë, vijova klasën e  6-të e  të 7-të në shkollën 7-vjeçare “Hysen Çino”, Vranisht. Isha një nxënëse e mirë dhe kisha dëshirë të madhe të vazhdoja shkollën më tej, por prindërit nuk dëshironin, pasi nuk më përballonin dot nga ana financiare, megjithatë më lejuan dhe u interesuan për shkollën time. Më doli gjysëm bursi me 920 lekë të asaj kohe në shkollën Pegagogjike “Jani Minga” në Vlorë. Problem ishte veshja ime, por më ndihmuan dajot e mi Cane dhe Sinan Strataj, të cilët kujdeseshin vazhdimisht për mua dhe gjej rastin  edhe nëpërmjet faqes së kësaj gazete t’i falënderoj dhe të shpreh mirënjohje pa kufi ndaj tyre, edhe pse tani ata nuk jetojnë më. Në shkollë falë kërkesave të asaj kohe, isha një nxënëse që ecja pa probleme dhe e aktivizuar në korin e shkollës, deri në kor kuartet, i bija mandolinës, zërin e kisha talent dhe profesorët Piro Cakrani dhe Avni Gurëbardhi më dallonin midis 400 vajzave.

Çizja. Përpara se të flas për prindërit dhe veten time, do të dëshiroja të tregoja diçka lidhur me mëhallët dhe fiset në përgjithësi të Kallaratit dhe në veçanti për fisin Xhaferaj. Kallaratasit gjithmonë kanë qenë në krahë të njëri tjetrit. Ata, si fise e vëllazëri, kanë jetuar në harmoni dhe për të realizuar sa më mirë marrëdhëniet e tyre ishin të grupuar në mëhallë. Ne si fis i Xhaferajve kemi bërë pjesë në mëhallën e  Mërtire, e cila ka qenë më e madhja nga 6 të tilla që ka pasur në Kallarat deri në fillimet e shekullit të 20-të. Aty kanë bërë pjesë edhe këto vëllezëri: Elezajt, Muharremaj, Jonuzaj, Llanaj, Hoxhaj, Boshaj, Maçaj, Konjveshaj, Jovanatjt, Reçaj, si dhe ata që sot mbajnë mbiemrin zyrtar Breshanaj, që janë Çamajt, Haxhirajt, Latifajt, Demçajt. Të parët e kësaj mëhalle kanë qenë: Goxhi, Majtho e Zaho. Ata ishin djemtë e Mërtir Nikollës. Në gjysmën e dekadës së tretë të shekullit 20-të, si shkak i shkeljes së një norme martesore brenda mëhallës së Mërtire, ajo u shpërbë  duke u ndarë në dy grupime: Xhaferajt, Muharremajt, Elezajt, Jovanajt dhe ata që sot kanë mbiemrin Breshanaj formuan grupimin që u emërtua Breshanaj. Grupimi i vëllezërve të tjerë formuan mëhallën e Gjizese. Të dyja këto emërtime nuk kanë lidhje me asgjë nga të parët e tyre, ato janë “nofka”. Një ndarje e tillë e mëhallës së Mërtire rriti numrin e mëhallëve në Kallarat nga gjashtë në shtatë të cilat veprojnë edhe sot.

Prindërit e mi, Veip Azemi e Venetike Laçia, kjo nga fisi Aliaj në Kuç, formuan familjen e tyre në fillim të viteve 30-të të shekullit 20-të. Të dy prindërit ishin rritur bonjakë, babai pa nënë dhe nëna pa babë. Kur babai s’kishte mbushë ende 1 vjeç, i vdes e ëma Selvie Gjonia, një grua me zemër të madhe. Alidie Sulia, e shoqja e Murat Avdulit, e vuri në gjoksin e saj bashkë me të birin Sabriun. Nëna ime u rrit në Gjonaj, pas të ëmës në familjen e Belul Gjonajt. Kur unë isha ende adoleshent, babai më tregonte për jetën e tij dhe të vëllezërve Xhaferaj. Më tregonte për jetën e vështirë duke punuar në fshatrat e bregdetit. Më kishte treguar edhe për pjesëmarrjen në luftën e 1920-ës, për komandant Fein Çelon dhe për intendentin  Habip Gjoni. Ai më thoshte: “Në fushën e Peshkëpisë u rrëzua balloni i Italisë nga djemtë trima të Labërisë”. Për një periudhë gati 15 vjeçare ai punoi punëtor krahu në puset e naftës në Kuçovë, në minierën e Selenicës, në depot e naftës në Ujë të Ftohtë e në transportin e serës në Skelë të Vlorës. Në vitet e luftës nacionalçlirimtare ishte pjesë e çetës së fshatit në luftimet e zhvilluara në Himarë, Kalanë e Borshit e gjetkë.

Shkollën fillore e fillova në vitin 1948. Mësoja mirë e mësuesit sikur më dallonin midis të tjerëve. Tek shkolla vinte shpesh herë nënë Duzja, një grua që të bënte për vete me fjalën e saj shumë të ngrohtë e të dashur. Ajo na sillte shpesh edhe fletore e lapsa, goma e maja pene. Në shkollën e Kallaratit në ato vite 1948-1952, kanë dhënë mësim mësuesit normalist: Liza Doda nga Shkodra, Mërgim Korça po nga Korça, Në klasë të parë kisha mësues Kozma Llazanin nga Lukova. Shkollën 7 vjeçare e nisa në shtator 1952 në Horë të Vranishtit, ku për arsye familjare më hoqën nga shkolla për të vazhduar në vitin pasardhës. Në tre vjtetët e shtatëvjeçares isha në një klasë me Lutfi Hoxhën, Bejo Xhaferin, Muhamet Boçin, Rauf Stratin po kallaratas’

Në vitin 1954 u pranova në radhët e organizatës së rinisë. Për gati 1 vit e gjysëm drejtova organizatën e rinisë të shkollës. Në tetor të vitit 1956 më doli bursa për në shkollën pedagogjike 4 vjeçare që ishte hapur atë vit në Vlorë. Për shkollën pedagogjike në ato vite kishte kërkesa të shumta, mësonim deri edhe mineralogji. Profesorët e asaj shkolle, disa prejt të cilëve kishin kryer studimet në vendet perndimore, na armatosën me dije të shëndosha shkencore, na formuan si qytetarë dhe me shëmbullin e tyre edhe si mësues të ardhshëm. Nuk do ta harroj kurrë profesor Xhevdet Kofinën, i cili na jepte lëndën e nacionales dhe e kisha edhe profesor kujdestar të klasës. Ai shkonte në Bankën e Shtetit merrte blloqe faturash dhe na i shpërndante ne nxënësve të mbanim shënime. Po kishte ndodhur edhe kështu: Një ditë më ishte këputur kopsa e xhaketës kadife që mbaja. Profesor Kofina më solli kopsën, perin e zi, dhe gjilpërën ta qepja. Të shtunën mbasdite erdhi e më mori e shkuam te lokal “Sahati”, ku piu kafe me shokët e tij dhe me mua. Pasi më prezantoi me ata, më vuri përpara një çokollatë të madhe. Gjithëmonë këtë veperim të profesorit Xhevdet Kofina e kam ruajtur si model në jetë në marrëdhënuet dhe komunikimin tim me nxënësit. Profesori gati enciklopedik Harilla Kuculi më jepte gjuhën shqipe, dhe sa hynte në klasë më drejtohej të parit se isha nxënës kureshtar e më thoshte: “Dhaskali nga Kallarati, që ka ardhur të mësojë djemtë e Vunoit”. Ai, siç do të ma sqaronte më vonë, e kishte fjalën për intelektualin e shquar kallaratas Meçan Selami, e unë duhet të bëhesha një pasues i rrugës së tij. Ma thoshte shumë herë këtë profesor Harilla dhe unë krenohesha, por siç do të sqaroj më vonë, rastësia bën të sajën. Të dy këta profesorë të mi: Xhevdet Kofina e Harilla Kuculi iu dha titulli “Mësues të Merituar”. Gjej rastin të sjell në kujtesë me shumë respekt edhe shumëq nga profesorët e mi të shkollës pedagogjike si: Vangjel Picin, Kristaq Sulin, Spiro Jovanin, Bubulina Arapin, Bajram Hajrullahun, Elmas Aliaj, etj. Ata këtë titull nuk e kishin me dekret, por e kishin fituar në jetë.

Kur dhe ku e filluat për herë të parë profesionin e bukur të mësuesit dhe sa kohë e ushtruat atë?

Violeta. Profesionin e mësuesit e fillova më 15 gusht 1976, në Gabrian të Lushnjës, tre orë larg qyetit në këmbë pasi makina nuk kishte. Atje më çoi vëllai i madh, Nekiu. Ishte një shkollë e madhe, me një staf pedagogjik prej 21 vetësh, me kërkesa ndaj kuadrove. Unë nuk e kisha problem, pasi isha e përgatitur, vetëm se më merrte malli për prindërit dhe vëllezërit, sepse drejtori dy herë në vit na jepte leje të shkonim në shtëpi. Gabriani ishte fshat i madh por jo autokton, kishte shumë të internuar. Ishin jashtë mase të edukuar e të kulturuar dhe neve mësueseve të huaja na shikonin me respekt. Ata na ruanin të mos flisnim me ta pasi do të kishim pasoja, gjë që ne nuk e dinim, pasi ishim të vogla dhe të paditura për situatat. Ne mësuesit ishim aktivistë, merrnim pjesë në mbëmjet që bënte rinia, pikëniqet, ekskursionet, vendet ku kishin rënë ata që sakrifikonin në interes të atdheut. Një nga ata që sakrifikoi jetën për nxënësit dhe udhëtoi për të shkuar tek ata në kohë shumë të keqe, ishte mësuesi hero, Ismet Sali Bruçaj. Ai ra në malet e Shkodrës. Unë shkova atje me të rinjtë lushnjarë, ku edhe ne na u desh të kalonim në male të thepisura e tepër të vështirë, biles për këtë u shkrua edhe një libër, ku përmendet edhe emri  im. Gjithashtu në ato vite në Dushk, ra Shkurte Pal Vata në aksionin për ndërtimin e hekurudhës Rogozhinë-Fier. Unë kam qenë një ndër aksionistet e para në atë hekurudhë, ku e përuroi kryeministri i asaj kohe Mehmet Shehu. Kam qenë edhe në sa e sa aksione të tjera të asaj kohe.

Në Lushnjë punova dy vjet dhe mandej u transferova në Vlorë, në vendlindjen time, Kallarat, pasi u fejova me bashkëshortin tim Çize Xhaferin. Mora klasën e parë, ku ruaj disa nga  emrat e nxënësve të mi: Ferdinand Breshani, Tana Ribaj, Bako Memushi, Gëzim Mataj, Shyqyri Laçaj, Tefta Muharremi etj, fëmijë të mirë, të urtë dhe kureshtarë për të mësuar. Unë isha pak e ashpër me nxënësit, por gjithsesi vetëm kërkesë për të mësuar. Mbaj mend që aty nga klasa e tretë apo e katërt, njeri prej këtyre që përmenda më lart, më bëri një pyetje të çuditshme. Më tha: “Me leje  mësuese”, po i thashë. “Çfarë është partia”,- më tha. Unë u hutova në fillim se s’dija çfarë t’i thosha,  pastaj e mblodha veten dhe i thashë: “Partia është një grumbull i madh njerëzish që kanë të njëjtën ide dhe në krye të këtyre njerëzve është Enver Hoxha”.

Kallarati gjithmonë ka pasur kuadro shumë të zotë e të mirë dhe me kulturë të lartë shkencore, por edhe etike. Ne si mësues mundoheshim të merrnim prej tyre atë më të mirën, ashtu si edhe ata prej nesh.

Të shumtë janë mësuesit me të cilët unë kam punuar për vite të tëra. Më jepet mundësia të përmend disa prej kolegëve si: Bilal Breshani, Hamit Muharremi, Ali e Zonjë Sadikaj, Thëllëza, Pranvera, Valentina Hoxhaj, Angjelina Habilaj(Gjipali), Irma Mihali, Miranda Tushi, Laureta Dhefto, Leonidha Mërtiri, Elena e Pranvera Shkurti, Mareglen Ferra, Lefter Beqiri, Engjëll Hasimi, Vasil Tata, Lefter Hysi, Viron Avduli, Nezinete Leskaj, Renata Godaj, Nikollaq Dumani, Vangjel Bojaxhiu. Kate e Rajmonda Alikaj etj, por s’mund të lë pa përmendur qershinë mbi tortë, të paharruarin Feti Mezinin. Shumë respekt e mirënjohje për të gjithë.

Kam punuar në arsim me përkushtimin më të madh të mundshëm, por ndonjëherë edhe të pamundshëm, për 35 vjet rresht në Kallarat, nga këto 5 vjet, 1999-2004, edhe drejtoreshë e shkollës. Kam nxjerrë nga duart e mia breza të tërë nxënësish. Shumë e shumë më respektojnë, më përshëndesin, më kujtojnë në raste  festash, por edhe pse të paktë, ka edhe ndonjë mosmirënjohës.

Çizja. Më lejo ta nis përgjigjen e kësaj pyetje me shprehjen e popullit: “Ma (E) çove gjuhën, ku më dhemb dhëmballa”. Në korrik të vitit 1960, u emërova mësues në shkollën 7 vjeçare në Horë të Vranishtit. Ç’kënaqësi për mua, sikur u dëgjuan fjalët e profesor Harillës. Erdha mësues në atë fshat, ku Meçan Selami, nxënësi i përzgjedhur i Ismail Qemalit, dje mësues i qeverisë tij, u emërua mësues dhe çeli shkollën e parë shqipe në dhjetor të 1913-s. Por unë isha në kushte e rrethana të reja. Katër vjet më parë kisha qenë nxënës në këtë shkollë, ndërsa tani do të isha mësues. Iu përkushtova me dëshirë detyrës së re. Ishim një kolektiv mësimor jo shumë i madh, por një këshill pedagogjik i gjërë, ku bënin pjesë mësuesit e fshatrave Kallarat, Bolenë, Mesaplik e Vranisht. Drejtor shkolle kishim Sezai Shytin. Na vinin nxënës nga fshatrat që përmenda më lart, megjithëse bënin 15-20 kilometra rrugë në këmbë në ditë, mësonin mirë. Ishin vitet ku ora e mësimit po i largohej riprodhimit mekanik e po futej drejt demostrimit e eksperimentimit dhe e udhëhiqte arsyetimi logjik. Dy vjet pune në Vranisht, ku krahas mësimit të ditës 3-4 herë në javë zhvillonim edhe mësim me klasat e mbrëmjes në klasat e 6 e të 7-ta.  Kështu që së bashku me Armano Kushtën ktheheshim nga fshati i Vranishtit në dhomën e fjetjes që kishiim në Horë. Në vitin e dytë të punës këtë rrugë do ta bëja me Bashkim Gjonbratin, pasi edhe ai erdhi mësues në këtë shkollë. Fshatarët ishin shumë të interesuar për ecurinë e fëmijëve të tyre. Ata kishin lidhje të ngushta me shkollën. Kujtimet janë të shumta.

Në vitet shkollore 1962-1966 punova si drejtor shkolle në Drashovicë e Peshkëpi dhe në korrik  të vitit 1970 emërohem drejtor shkolle në Kallarat, në vendlindjen time. E prita me shumë kënaqësi. Punova si drejtor shkolle gati 25 vjet, prej të cilave 20 vjet në shkollën e fshatit tim “Mumin  Selami”, deri në qershor 1990 dhe më vonë edhe disa vite të tjera si mësues po në Kallarat.

Në Kallarat, shkolla nga fillore në 8 vjeçare u realizua në vitin shkollor 1967-1968. Si drejtoreshë e parë e shkollës 8 vjeçare 1967-1970, ka qenë zonja Lumturi Godaj nga Kuçi. Kallaratasit dhe fëmijët e tyre ishin bërë pjesë  e veprimtarisë mësimore të shkollës, kjo më vinte para detyrash të reja. Në mesin e viteve 80-të, shkolla e Kallaratit hyri në një rrjedhë të re. Ndërimi i godinës së re dhe pajisja e saj me laboratore e kabinete e rriti dukshëm nivelin  cilësor të procesit mësimor. Si institucion i rëndësishëm arsimor në fshat, shkolla e kolektivi i saj arsimor u bënë përçuesit e të resë përparimtares. Ardhja në Kallarat, pas një periudhe disa vjeçare i larguar, më krijoi mundësinë të njihja nga afër jetën që bëhej në fshatin tim dhe të punoja së bashku me bashkëfshatarët. Kanë qenë të shumta bisedat më bashkëfshatërë si në Kallarat e jashtë tij. Ato biseda përqëndroheshin për jetën ekonomike të vieteve të shkuara, për lidhjet gjaksore, fise e mëhallë, për historinë, e në veçanti për “Fshatin e Djegur”, për shkollën, vietet e para të çeljes së saj. Më lejo të përmnend disa prej tyre si, Tafil Boron, Veip Balilin, Shahin Jonuzin, Izet Bushin, Muço Xhevitin, Rrapo Ribin, Hadër Bejkon, Veledin Rjepin, Abaz Shakon, Hasan Shanon, Lelo Jazon, Sabri Muratin e Llano Delon, ky i fundit ka qenë i vetmi që sa qe gjallë mbajti të veshur veshjen e lashtë karakteristike të labërisë, e gjurmëve të veshjes iliriajane. Sot përulem me respekt para kujtimit të tyre.

Ç’mund të na thoni për arsimin në Kallarat, mësuesit, por edhe nxënësit që kanë  mbaruar këtë shkollë, ndonjë statistikë në këtë drejtim a keni?

Çizja. Nxënësit e shkollës së Kallaratit në përgjithësi në jetë kanë preferuar më shumë të zgjedhin arsimin e mësuesinë dhe shërbimin në radhët e ushtrisë. Janë të shumtë ata që kanë punuar në arsim si mësues e drejtues në shumë qyetete e krahina të Shqipërisë. Në vitet e para pas çlirimit në shkollën e Kallaratit kanë punuar: Meçan Selami, Telo Duro, Xhemal Gjoni (mësues kursi). Në vitet pas çlirimit kanë punuar: Bilal Breshani, Enver Golloshi, Sami Krabolli, Shelege Karabolli, Servet Golloshi, Namik Mehmeti, Dafina e Burbuqe Qejvani, Proletare Habili, Kujtim Hysi, Çize Xhaferi, Violeta  Xhaferi, Hamit Muharremi, Jazo Davaci, Lefter Hysi, Pranvera Hoxhaj, Thëllëza Hoxhaj, Ferdinand Breshani, Vojo Davaci, Vojsava Davaci, Eglantina Demiri, Enkeleda Hoxhaj, (të gjithë këta me arsim pedagogjik, gjysëm të mesëm, të mesëm dhe të lartë). Për një periudhë më të gjatë kanë dhënë mësim: Violeta Xhaferi 35 vjet, Bilal Breshani, Hamit Muharremi e Çize Xhaferi mbi 20 vjet.

Kalimi i shkollës nga fillore në 8-vjeçare solli ndryshime cilësore, e rritjen e nivelit arsimor të fshatarëve të Kallaratit. Nëse në vitet pas çlirimit jepnin mësim 1e 2 mësues, pas viteve 70-të, numri i tyre u rrit ndjeshëm. Shumë prej tyre me arsim të lartë me Universitetin e Tiranës si: Leonidha Prifti, Shaban Mehmeti, Vangjel Bojaxhiu, Dhimitër Haxhia, etj. Ata vinin në shkollën e Kallaratit nga krahina të ndryshme. Vinte nga Vlora Shaban Mehmeti, Dhimitër Haxhia, Nikollaq Dumani, e shumë të tjerë. Të gjithë i karakterizointe një disiplinë e lartë në punë. Shumë herë niseshin në orën tre të mëngjezit nga Vlora sipër në makina drush në mes të acarit dhe në orën 7 të mëngjesit  i gjeje te shkolla. Ruaj kujtime të mira për ata djem e vajza, për zellin dhe pasionin e tyre në punë. Harmoninë dhe unitetin  e mësuesve të shkollës tonë, rrallë e gjeje në shkolla të tjera. Përkushtimi i tyre në punë ishte i madh. Shkolla e Kallaratit kishte kabinete e laboratore tepër funksionale, po kishte edhe bibliotekë me libra të skeduara, kishte muzeun e saj, por kishte edhe një ambjent e terren të jashtëm, ku gërshetohej tradita me të renë, qetësia me terrenet sportive. Ato ishin vepër e nxënësve, mësuesve, por edhe bashkëfshatarëve tanë, të cilët edhe natën vonë me drita kanë punuar. Gjej rastin të shpreh respektin më të madh për të gjithë ish mësuesit , nxënësit, bashkëfshatarët e mi kallaratas, përgjegjësin e sektorit të asaj kohe z. Luto Demirin për punën e bërë dhe djersën e derdhur për atë shkollë, që u përkiste të gjithëve si djep i diturisë në fshat. Kallaratasit i kanë respektuar bijtët e bijat e tyre mësues dhe shteti i ka vlerësuar me tituj dhe dekoarata. Janë dekoruar si mësues me urdhërin “Naim Frashëri”, Meçan Selami, Telo Duro e Bilal Breshani. Janë dekoruar si drejtues të arsimit me urdhërin “Naim  frashëri”, Çize Xhaferi.

Shumë nxënës që kanë përfunduar këtë shkollë, pasi kanë përfunduar shkollën e mesme dhe atë të lartë, janë bërë kudro të zotë në sektor të ndryshëm të jetës, a mund të na përmendni disa prej tyre dhe a mendoni se ecja e tyre në karierë është edhe kontribut i kësaj shkolle?

Çizja. Sipas disa statistikave që disponojmë del se në Shkollën 8 vjeçare “Mumin Selami” kanë mbaruar arsimin fillor e tetëvjeçar 1240 nxënës. Nga bangat e kësaj shkolle në dekada kanë dalë nxënës me rezultate shumë të mira. Shumë prej tyre janë arsimuar më vonë në shkolla të larta brenda dhe jashtë vendit si në ish Bashkimin Sovjetik, Egjypt, Itali, Çeki, Kinë etj. Më lejo të përmend disa prej tyre si; Hasan Selami, Demir Lato, Shahin Jonuzi, Izet Bushi, Seit Jonuzi, Nexhip Memushi, Nako Jovani, Hamit Qejvani, Xhemal Gjoni, etj.  Shumë nga nxënësit e Kallaratit arritën të bëhen drejtues të organeve më të larta legjislative si, Sihat Tozaj; drejtues të ndërrmarrjeve në rang republike si, Sinan Xhemili; drejtues institucionesh e ndërrmarrjesh të rëndësishme si, Imer Strati, Enver Strati. Shumë prej tyre arritën të bëhen drejtues të rangjeve të larta në ushtri si, Dalan Memushi, Vasil Xhaferi, Seit Jonuzi, Arif Abazi, Baftjar Tozi, Përparim Gjonbrati, Petref Zhibi, Micol Haxhia; drejtues të koperativave e ndërrmarrjeve bujqësore apo edhe pushtetit lokal si, Pëllumb Gjombrati, Lavdosh Jonuzi, Bejo Xhaferi e plot të tjerë. Nga bangat e shkollës dolën edhe ata që i shërbyen shkencës së gjuhësisë dhe artit si, profesor doktor Rami Memushi, shkrimtari Neshat Tozaj etj. Më lejo të përmend gjithashtu edhe disa nga nëxënësit më të shquar në mësime në  vitet kur unë kam qenë drejtor shkolle, pasi ata janë shumë më tepër, si Arben Breshani, Dilaver Mati, Tana Ribaj, Marjeta Hoxhaj, Besnik Gjonbrati, Xhevdet Qejvani, Gezim Mati, Suela Jonuzi, Desilda Jonuzi,  e shumë e shumë të tjerë. Të gjithë këta ia çuan më lart emrin shkollës “Mumin Selami” të Kallaratit. Ishim krenar për punën e tyre. Ata ishin pasqyrë e familjeve të tyre dhe shkollës tonë. Çdo arritje dhe ecje në karrierë të mëvonshme të nxënësve kallaratas, përveçse kontribut të tyre personal, me të drejtë e quajmë kontribut edhe të kësaj shkolle të nderuar, kontribut i mësuesve të saj  ndër vite dhe patjetër i prindërve të tyre.

Diçka më tepër për historikun e shkollës “Mumin Selami”, kur u hap për herë të parë, etapat e zhvillimit të saj dhe derisa ajo mbyll?

Çizja. Si çdo institucion edhe shkolla e Kallaratit ka historikun e veprimtarisë së saj. Siç është bërë e njohur edhe në shkrime të botuara nga ishnxënës të kësaj shkolle më parë, shkolla e fshatit u çel më 20 tetor 1916 në Qafë të Ubavit, në shtëpinë e Zenepe Toçes. Para çlirimit ajo funksionoi me ndërprerje për periudhën 1923-1935. Ndërprerje pat edhe në periudhën e luftës nacionalçlirimitare(1940-1944). Pas çlirimit funksionoi si shkollë fillore për periudhë 1945-1966 dhe si 8 vjeçare 1966-2006. Siç shikohet në hapësirën kohore 90 vjeçare (1916-2006) shkolla ka funksionuar 74 vjet. Ruaj kujtime të shkruara, që ish nxënës të kësaj shkolle i kanë dërguar me rastin e 70 vjetorit të saj si, Dalan Memushaj, Arif Abazi, Namik Abazi, Afeza Janjia, Xhemal Gjoni, Sami Karabolli, Bajram Qamili, Çune Qejvani, Petref Zhibi, Enver Golloshi, Seit Jonuzi, Sinan Strati,  si dhe të mësuesve, Feti Mezini,  e letrën e mësuesit Kozma LLazari e materiale të tjera dërguar shkollës së Kallaratit nga Panajot Gjiknuri të vitit 1922, mësues i viteve 20-të e koleg i Meçan Selamit, apo edhe referate në raste përvjetorësh.

Në vitin shkollor 2006, shkolla e Kallaratit pushoi veprimtarinë e saj. Mbyllja e saj, edhe pse numri i nxënësve ishte mbi 25, dobësoi ndjeshëm veprimtarinë jetësore edhe brenda në fshat. Ndihem keq kur shoh ndërtesën e shkollës, dikur model dhe konkuruese me shkollat më të mira të qytetit të Vlorës, tani kthyer gati si në një gërmadhë nga “lufta”, apo më saktë  në një “stallë bagëtish”.

Le t’i kthehemi jetës bashshortore dhe familjare. Kur u dashuruat me njëri- tjetrin, pasi për t’u njohur nuk bëhet fjalë, a ju shtyu profesioni i njëjtë, apo diçka tjetër më shumë?. Mesa dimë ju Violeta jeni edhe e para femër që në fejesën tuaj shkuat në shtëpinë e bashkëshortit, duke thyer një zakon do ta quanim të vjetër në Kallarat, por edhe më gjerë.

Violeta. Siç dihet jetën e kam kaluar me Çize Xhaferin. U njohëm me mblesëri, sepse unë me punë në Lushnjë, ai në Kallarat. U fejuam më 1969 dhe u martuam më 13 Korrik 1970. Kam qenë e para në fshat që kam përkrahur të renë përparimtaren, e para vajzë që kam shkuar tek shtëpia e të fejuarit ditën e fejesës, që bënim xhiro bashkë, deri atëherë tabu, bisedonim, qeshnim e qanim hallet e jetës që na prisnin përpara, por edhe prindërit dhe vëllëzërit nuk më kanë ndaluar. Gjithashtu edhe më parë, pra kur isha mësuese e re në Lushnjë kam marrë pjesë në shumë aksione  seminare që organizoheshin në atë kohë. Mbaj mend sidomos takimet dhe aktivitetet për bujqësinë që organizonte brigadierja Themie Thomai, ku unë do të isha shpesh e pranishme me shumë shoqe të miat. Në këto takime unë nuk nguroja të shprehja mendimin tim dhe në ndonjë rast të ngrija edhe zërin. Kurajua për të thënë atë që ndjej dhe që mendoj, pavarësisht kufizimeve të kohës, më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës time, në punë, por edhe në familje. Kjo mendoj se duhet të jetë për këdo njeri, aq më tepër tani në demokraci.

Bashkë me Çizen  ndërtuam një shtëpi, duke punuar të dy, por edhe me ndihmën e familjes së babait tim. Me Çizen kam ecur krahë për krahë duke na karakterizuar mirëkuptimi, dashuria për njëri tjetrin, por patjetër edhe toleranca.

Çizja. Edhe unë jam dakord me ato që shprehu Violeta. Si dy intelektualë të asaj kohe, më tepër Violeta, por edhe unë, mundoheshim të fusnim në fshat elementë të përparimtares. Kjo edhe për faktin se të dy kishim bërë jetë konviktore në qytet. Një nga ato elementë ishte ardhja e Violetës në shtëpinë time në datën e fejesës, e cila sipas zakonit nuk paraktikohej. Po ashtu ne dilnim shpesh bashkë, bisedonim si dy të rinj, si dy njerës të të njëjtit profesion. Pra pa dalë shumë nga vetë kornizat e kohës dhe pa u bërë “gazi i botës, apo fshatit” siç i thonë, mundoheshim të ndryshonim diçka nga jeta  bashkshortere, duke filluar nga fejesa, por edhe në vitet e mëvonëshme, ku çdo vizitë në fshat te njerëzit tanë, por edhe te çdo bashkëfshatarë do ta bënim patjetër bashkë. I kujtova këto, për brezin e ri, sepse sot me civilizimin që ka arritë shoqëria as që nuk mund të imagjinohen veprime e kufizime të tilla për dy vetë që dashurohen dhe vendosin të lidhin jetën së bashku. Megjithatë çdo kohë, çdo etapë e jetës ka rregullat, normat e parimet e saj të shkruajtura dhe më shumë ato të pashkruajtura, që edhe pse koha ecën para, duhem parë me seriozitet në ndërtimin e një familje të shëndoshë e të qëndrueshme, që pretendojmë. Në jetën tonë bashkëshortere me Violetën në çdo kohë na ka udhehequr e karakterizuar bashkëpunimi, mirëkuptimi, respekti dhe toleranca ndaj njërit tjetrit, veti këto që jemi muanduar t’jua transmetojmë sadopak edhe fëmijëve.

Si i kini kaluar këto vite jetese, të qënurit të dy në arsim, por edhe epror e vartës, si kanë ndikuar në jetën tuaj?

Violeta. Në punë isha shënjestra, sepse duhej të isha unë në rregull, që Çizes t’i jepej mundësia t’u kërkonte llogari edhe të tjerëve. Çizja “na ka nxirë jetën”, nuk bënte lëshime, por askush nuk mërzitej, detyra i kishte këto, pasi jashtë ishim shumë shokë të gjithë. Çizja në vitin 1990 u largua si drejtor, pasi vetë proceset e reja demokratike kërkonin ndryshime. Siç theksova më lart edhe unë kam qenë gati pesë vjet drejtoreshë 1999-2004 dhe në atë kohë Çizja ishte mësues, pra erdhi radha që edhe unë “t’ia nxija jetën”, por ia ktheva reston me të njëjtën monedhë si edhe ai, pra unë me korektesën e një drejtueseje dhe ai me korektesën e një edukatori.

Çizja. Të qënurit në punë, pra paradite epror dhe vartës dhe mbasdite bashkshortë, ndonjëherë edhe “vartës e gruas”, nuk është e lehtë, por jo e  pamundur. Kjo kërkon në radhë të parë mirëkuptim midis të dyve, i cili nuk na ka munguar asnjëherë. Gjërat duhen ndarë, puna ka vendin e vet dhe koha e lirë e familja, pra jeta bashshortore vendin e vet. Këto dy gjëra si unë dhe Violeta mendoj se i kemi bërë mirë. Të qënurit e bashkëshortes për një kohë të gjatë në të njëtin kolektiv, aq më tepër duke qenë në rolin e drejtuesit, më bënte që çdo hap në marrëdhëniet me kolegët dhe vartësit ta hidhja të matur, pasi isha  edhe në “shënjestrën” e saj. Mendoj se edhe Violeta në marrëdhëniet e punës ka ditur të gjejë vendin e saj “në rresht”, por në shumë raste sidomos në shtëpi, dëgjoja dhe merrja në konsideratë edhe ndonjë mendim të sajën, kur kisha shkelë ndonjë gjë në punë, ose për ta bërë më mirë. E njëjta gjë ndodhi më vonë kur u ndërruan portat, ajo drejtoreshë dhe unë thjesht mësues. Por besoj se të dy kemi qenë në kontroll të njeri tjetrit, gjithëmonë për mirë. Toleranca dhe mirëkuptimi na ka shoqëruar në gjithë jetën tonë, në punë dhe në familje si bashkëshortë.

Kini lindur, rritur dhe arsimuar tre fëmijë dy djem dhe një vajzë, tani besoj se jeni bërë edhe gjyshër, a jeni të kënaqur me ta?

Të dy. Gjatë jetës bashshortore lindëm edhe tre fëmijë: Ardianin, Almirën dhe Kreshnikun. Sot nga fëmijët jemi shumë të kënaqur. Jemi bërë gjyshër katër herë, 2 Ardiani, i cili jeton dhe punon në Greqi prej shumë vitesh dhe po 2 edhe Kreshniku. Almira ende nuk ka, punon dhe jetoin në Itali. Kur na krijohet mundësia shkojmë e i takojmë, vinë edhe ata. Gjithësesi për kurbetllinjtë jemi të përmalluar, por si gjithë të tjerët edhe ne  mallin e përballojmë me punë dhe me bashkëfshatarët, miqtë e shokët që nuk na mungojnë në asnjë çast.

Në Kallarat keni qenë dy intelektualë gati të përhershëm, përveçse detyrës si mësues keni qenë pjesëmarrës dhe dhënë koontribut të vlerësueshëm në jetën kulturore e artistike të fshatit, biles Çizja i zgjedhur disa vite në Këshillin e fshatit dhe Violeta në Organizatën e Gruas, duke u bërë edhe gruaja e dytë  nga Kallarati  pjesëmarrëse në Kongresin e Gruas pas asaj të nënë Duzes, ç’mund të na thoni më tepër për këtë kontribut Tuajin, por në përgjithësi edhe të mësuesve të tjerë?

Violeta. Në fshat nuk bëja vetëm punën e mësueses, por edhe të nënës, kur u bëra me fëmijë, edhe të bashkëshortes, por më e madhe ishte ajo “komisares së kuqe të partisë”. Ndonjëherë më plekseshin nëpër këmbë edhe litarë të pa merituar, sepse babai im ishte me ide nacionaliste, ndjehesha ndonjëherë keq se kishte nga ata që më ofendonin, unë eksplozive isha dhe për përgjigje, por falë maturisë së bashkëshortit tim i suportoja me qetësi. Vazhdoja punën time si mësuese me përkushtim dhe si aktiviste në rini dhe më vonë në organizatën e gruas, por për motivet që përmenda më lart asnjëherë nuk kam qenë kryetare, por sekretare, ku u bëja kryetareve raportet pa asnjë hezitim. Isha e vlerësuar nga organizata e gruas në rreth, personalisht nga Marika Kasneci dhe për këtë ajo dhe sekretari i byrosë së partisë, Ferjat Shkurti më caktuan delegate në Kongresin e Grave në Shkodër. Mora kurajë dhe mendova që paska edhe njerëz që më vlerësojnë, por edhe për faktin se isha e dyta  delegate pas nënë Duzes në Berat në ato kohë të vështira lufte. Edhe sot që jam në pension vazhdoj të kontribuojë në jetën shoqërore të fshatit, kryesisht me gratë. Me këtë rast dua të përmend aktivitetin e sivjetshëm me rastin e  8 Marsit, Ditës së Nënës, ku u mblodhëm të gjitha gratë e fshatit, pa dallime partiake dhe festuam së bashku. Nuk kishte si bëhej më bukur.

Çizja. Po është e vërtetë. Ne kemi qenë dy intelektualë dhe fshati e shoqëria na ka vlerësuar për punën. Unë për 18 vjet kam qenë i zgjedhur  në organet e pushtetit në Këshillin e fshatit si sekretar dhe në atë të Bashkuar një legjislaturë po sekretar. Një gjë e tillë, jo vetëm si drejtor shkolle, por edhe si përfaqësues i popullit në pushtet më jepte mundësinë që t’i njihja nga afër  hallet  e jetën e kallaratasve e të bolenasve, të ngrije zërin ku e kur duhej. Shpesh herë kam qenë pjesëmarrës i kuvendeve të hapura por edhe të mbyllura. Kam ndjekur e dhënë ndihmesën time në veprimtarinë kulturore e artistike, në problemet e muzeale e historike apo në ato urbane të fshatit, etj. Tani në pension përsëri jap ndihmesën time në punët dhe problemet e fshatit.

Sa të respektuar e ndjeni veten tani në këtë moshë nga bashkëfshatarët tuaj, por më shumë do të thosha nga ish nxënësit që sot ndodhen anekand atdheut dhe në detyra nga më të ndryshmet?

Violeta. Besnik, ne kemi shtëpi dhe mund të jetojmë në qytet, por të them të vërtetën çdo gjë që njeriu e ndërton vet, i dhimbset. Dhe ne na dhimbset shumë ta braktisim shtëpinë e ndërtuar me djersë dhe sakrificë në atë kohë. Po na pëlqen edhe ajri i pastër, çdo gjë këtu është “bio” dhe kështu e kalojmë kohën me ndonjë bahçe të vogël dhe midis atyre që kemi kaluar së bashku rininë. Ndjehemi të respektuar nga bashkëfshatarët tanë, natyrisht të japin respekt, por edhe marrin, të pranishëm në gëzime e hidhërime, mua më thërrasin mësuese Leta, kurse Çizes drejtor.

Mërzia më e madhe ishte kur dola në pension. M’u desh ta lija punën, pasi duhet të rrisja një fëmijë 0-4 muajsh të Ardianit. Vetëm ajo ma largonte stresin se më mungonin: orari 07:30, zilja, cicërimat e fëmijëve, shokët, shoqet, kafja së bashku, shakatë e gjithçka. Më dukej se qe mbyllur jeta për mua. U mësova dalëngadalë, falë “ilaçit”, por mendova që duhet të pushoja pak, sepse 37 vjet nuk i thonë pak. M’u ofrua punë në Vlorë, por e refuzova.

Çizja. Ashtu siç u shpreh edhe Violeta respekti më i madh për ne është kur ish nxënësit dhe bashkëfshatarët tanë na flasin, përshëndesin dhe sidomos ndihemi më të vlerësuar kur dikush na merr në telefon në festën e mësuesit apo për ditëlindjen. Kjo është gjithçka që vlen më shumë se çdo gjë tjetër. Ndjehemi gjithashtu krenar për çdo ish nxënësin tonë kur bëhet dikush në jetë.

A ndjeni nostalgji për jetën si mësues, orari, përgatitja, ditari, rreshtimi, zilja a ju mungojnë sot? Po mbyllja e shkollës si ju duket  dhe a mendoni se një ditë ajo do të rihapet pasi edhe kallaratasit e larguar t’i kthehen vendlindjes?

Të dy. Sot pas më se 35 vjetësh në arsim, edhe pse ndjejmë nostalgjinë e atyre viteve, edhe pse na  mungon zilja e fillimit të mësimit, rreshtimi, cicërimat e fëmijëve, përgatitja e ditarit, dhënia e mësimit, marrja në provim e nxënësve, mbledhjet, takimet, kolegët e punës me të cilët së bashku kontribuuam për vite të tëra, ndjehemi krenarë dhe të vlerësuar kur takohemi, përshëndetemi, kur na bie zilja e celularit, kur marrin  ndonjë letër apo kartolinë urimi në raste festash të mësuesit, ditëlindje apo për raste të tjera të gëzueshme, nga ish nxënësit, por edhe bashkëfshatarët tanë. Kjo për ne vlen më shumë se çdo gjë tjetër. Për rihapjen e shkollës në Kallarat, do të kisha shumë dëshirë që ajo të ndodhte, pasi do ta gjallëronte më tepër jetën në fshat, por nisur nga numri i vogël i nxënësve dhe kriteret për funksionimin e shkollave, jam pesimist. Megjithatë uroj që në një të ardhme të afërt të ndodhë. Ndoshta me rregullimin e rrugës një ditë shumë kallaratas të larguar mund të kthehen në vendlindje, gjë e cila mund të bëjë të mundur hapjen e shkollës. Le të shpresojmë të ndodhë kështu.

Tani në pension, duke qenë edhe gjyshër, si e kaloni jetën në fshat, lexoni, merreni me punëra të ndryshme të pronës private? Kaq vjet në arsim dhe në drejtim të shkollës në Kallarat, ndoshta rast tepër i rrallë, a keni ndërmend të botoni kujtimet tuaja për arsimin kallaratas?

Violeta. Përveç  punës fizike, pjesa tjetër janë librat. Lexojmë çdo libër të ri, që na pëlqen. Shumë libra na i dhurojnë për kënaqësinë e tyre me mbishkrime të vlerësuar, por edhe shkruajmë për të lënë kujtimet e jetës tonë.

Çizja. Po, leximi e sidomos literatura me karakter historik mund të them se është e rregullt. E ndjej për detyrimin tim moral për një historik të shkollës. Shkollat janë tempuj të dijes. Breza të tërë kalojnë aty dhe janë të shumta kujtimet e çdo brezi. Shpesh u kthehem e i lexoj shumë prej tyre. Ato për një moment më ligështojnë. Por i nderuar Besnik, mbyllja e mosfunksionimi më i shkollës, rrënimi e shkatërrim i plotë i saj, sikur nuk e patëm ndërtuar vetë ne kallaratasit, ma ka prerë kurajën, si të them, ma ka “thyer penën”. Është vërtetë që ruaj materiale të bollshme, ndofta një ditë edhe mund të realizohet shkrimi i një materiali historik për arsimimin në Kallarat.

Kallarati ka një histori të lashtë dhe të ndritur në kohëra të ndryshme. Koontributi i kallaratasve   është i sipkatur në fusha të ndryshme dhe anekand atdheut, megjithatë kjo histori duhet njohur, a mendoni se është bërë punë në këtë drejtim dhe çfarë mendoni se duhet të bëjë më mirë Shoqata “Kallarati” dhe gazeta e saj sot dhe në të ardhmen?

Çizja. Po. Historia e kallaratasve është një libër i madh me faqe gati kompjuterike. Shkrimi i tij është një detyrë që na takon brezit që tani jemi në largim. Kanë qenë të shumta përpjekjet për të shkruar historinë e fshatit. Më të përkushtuar për të realizuar atë kanë qenë bashkëfshatarët tanë, Sinan Xhemili, Dalan Memushi, Seit Jonuzi e Hasan Shamo. Që në vitin 1965 u hartua një material historik me disa faqe. Iu bënë ndryshime e përmirësime, por asnjëherë nuk arriti atje ku duhej. Kohët e fundit shoqata “Kallarati” ka nxitur punën për përgatitjen e historikut të fshatit, duke krijuar komisione pune. Mendoj se kësaj radhe  ai do të realizohet mirë, por gjithmonë historiku është vepër e studiuesve, historianëve e gjuhëtarëve. Ne për fatin tonë të mirë kemi në krye të këtij grupi pune profesorin dhe gjuhëtarin tonë të nderuar Rami Memushin. Unë si një intelektual që kam jetuar gjatë me bashkëfshatarët e mi do të jap gjithë ndihmesën time. Mendoj që materiali që do të përgatitet le të dalë në fillim në formën e një maketi në disa kopje. Mendoj gjithashtu që historiku të mos mbushet me fotografi individësh a përkujtimesh, pasi ai nuk është album. Gjithmonë periudha më e diskutueshme ka qenë ajo e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Si atë periudhë dhe të tjerat le t’i shkruajmë me mendje të kthjellët, pra siç thotë populli, pena të shkruaj “jo me shat”. Le të gjejnë kallaratasit në këtë historik veten e tyre. Historiku do të mbetet për brezat një dokument me vlerë.

Ndërsa për sa i përket gazetës “Kallarati’, që ju më pyesni, ajo siç kam shkruar dikur është “Lulja” që mbiu në fushën e demokracisë. Jo gjithmonë aroma e faqeve të saj ka qenë e këndshme, andaj jo çdo shkrim i saj duhet të jetë si bazë për materiale historike.

Cili do të ishte mesazhi juaj i përbashkët për kallaratasit tuaj kudo që ndodhen dhe në veçanti për brezin e ri, si dy intelektualë të mirëfilltë dhe dy ish edukatorë  për një kohë të gjatë në Kallarat?

Shumë kallaratas në këto vite të demokracisë u larguan nga fshati. Ata kanë bërë shumë mirë. Koha e kërkonte një lëvizje të tillë. U uroj gjithë kallaratasve dhe atyre me origjinë nga ky fshat, kudo që janë, shëndet, mbarësi e lumturi në familjet e tyre. Kallarati është fshati me histori të lashtë. Toka e tij e begatë ka mbajtur, rritur dhe ushqyer breza e breza në shekuj. Resurset e tij natyrore janë të shumta. Bukuritë e tij natyrore ka ndodhur që janë bërë pjesë e figuracioneve letrare të shkrimtarit të Madh, Dritëro Agolli. Është detyrë e të gjithë kallaratasve të edukojnë tek fëmijët, nipërit dhe mbesat e tyre  dashurinë për Kallaratin, t’i njohin me historinë e tij dhe t’i çojnë të shkelin tokën dhe gurët e tij. Në gjë e tillë u pa në pjesëmarrjen e kallaratasve të larguar në kremtimin e 100 vjetorit të qëndresës së kallaratasve ndaj andartëve grekë. Brezit të ri, kudo që ndodhen, veçanërisht atyre që për shume arsye prindërit e tyre banojnë në Kallarat, të mos ndërpresin për asnjë çast shkollën, ta vazhdojnë atë edhe pse larg në Vranisht, jo vetëm 9 vjeçaren e të mesmen, por të synojnë për arsimin e lartë. Sot rrugët e dijes janë të hapura. Mos nguroni t’i ndiqni ato. Prindërve të fëmijëve që janë në Kallarat u bëjmë thirrje të mos i lënë fëmijët pa shkollë, edhe pse për momentin mund të ndodhen me të ardhura të pamjaftueshme. Përkrahini dhe  mbështetini ata të vazhdojnë shkollën si gjithë bashkëmoshatarët e tyre kallaratas dhe me gjerë. “Atë që do të mbillni sot, do të korrni nesër”,- thotë një fjalë e urtë popullore. Pra investoni sot për arsimimin e fëmijëve tuaj, që nesër jeta e tyre të jetë më e sigurt. Banorëve që banojnë në Kallarat, duke përfshirë edhe veten tonë, duhet të ruajmë  si gjënë më të shenjtë vlerat e tij natyrore dhe historike. Shpresojmë se do të jetë e afërt dita, kur Lugina e Sipërme e Shushicës, bashkë  me të edhe Kallarati, do të hyjnë në rrjedhën e qytetarisë evropiane.

Edhe njëherë u urojmë gjithë kallaratasve shëndet e lumturi, shoqatës “Kallarati” vizione të reja dhe shtrirje edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, gazetës “Kallarati”, shkrime cilësore dhe me shtrirje edhe më të gjerë. Juve i nderuar Besnik shëndet e lumturi në familje dhe pena jote le të vazhdojë të rrëshqasë si gjithmonë këndshëm nëpërmjet faqeve të gazetës “Kallarati”. Të dy së bashku, Violetë dhe Çize, u falënderojmë për intervistën!

Intervistuesi. Ishte kënaqësi, që unë si një ish nxënësi juaj i viteve 1967-1974, të asaj shkolle të nderuar, që ju për vite të tëra punuat me përkushtim për edukimin e brezit të ri, t’Ju intervistoja dhe t’Ju krijoja mundësinë që lexuesi të dijë diçka më shumë  për jetën Tuaj të gjatë në arsim, por edhe për jetën familjare, duke Ju konsideruar me të drejtë “Mësues, bashkëshortë dhe prindër shembullorë”. Me këtë rast në emër edhe të gjithë lexuesve,  sidomos të gjithë brezave të nxënësve të shkollës, që mban emrin e Heroit të Popullit “Mumin Selami”, t’Ju falënderojmë për punën e bërë ndaj nesh dhe në të njëjtën kohë t’Ju urojmë jetë të gjatë e të lumtur familjare.

Intervistoi: Besnik Gjonbrataj

Botuar ne gazeten Kallarati, nr. 80, Nentor-Dhjetor 2014

 

NJË JETË TË TËRË PËR EDUKIMIN E BREZIT TË RI KALLARATAS

KËNGË & VIDEO

SONDAZH

Cili është mendimi juaj për uebsaitin tonë të porsa çelur www.kallarati.com?
 

FACEBOOK FanBox

SPONSOR i faqes www.kallarati.com

Sponsor te faqes www.kallarati.com

GAZETA "KALLARATI"

NUMURI I LLOGARISË I SHOQATËS ATDHETARE & KULTURORE “KALLARATI”

Banka: Societe Generale Albania.
Në LEK në numrin e llogarisë: 1175099
Në EURO në numrin e llogarisë: 1175101
Pë çdo kontribut kontaktoni në adresat:
kontakt@kallarati.com
gazetakallarati@yahoo.com
Sefer Jonuzi Cel: 00355682745862

Nga Blogu

09 Shkurt, 2017

Rrugëtimi në jetë i veteranit 90 vjeçar Xhelo Dautaj

  -Rrëfim-   Një rrugëtim në jetë prej 90 vjetësh nuk janë as shumë, por as… Lexo më shumë...
26 Dhjetor, 2016

TË NOHIM SHKRIMTARIN DHE PËRKTHYESIN BAJRAM KARABOLLI

Bajram Karabolli - lindur në Mavrovë (Vlorë) në 1943, prindërit e tij me… Lexo më shumë...
27 Tetor, 2016

NË KALLARAT U FESTUA ME KRENARI 100-VJETORI I HAPJES SË SHKOLLËS SË PARË SHQIPE

  Nga Besnik GJONBRATAJ AMBJENT FESTIV NË KALLARAT Në datat 13 dhe 14 gusht… Lexo më shumë...

Lajmet nga vendi