100vjetori
Vinaora Nivo SliderVinaora Nivo Slider

MJEKU KALLARATAS, QË GËZON RESPEKTIN E TË GJITHËVE

-Intervistë me mjekun anestezist-renimator të Spitalit Rajonal të Vlorës, Edmond Breshanaj-

Intervistoi: Besnik GJONBRATAJ

Edmond Breshanaj është lindur në Kallarat të Vlorës më 8 gusht 1958. Arsimin 8 vjeçar e kreu në vendlindje dhe atë të mesëm në shkollën mjekësore “Jani Minga” në Vlorë në vitet 1973-1977, të dyja me rezultate shumë të larta. Pas tre vitesh pune si ndihmësmjek në Kallarat e Bolenë, në vitet 1980-1982 kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Karaburun, në detyrën e ndihmësmjekut të repartit. Në vitin 1982 kthehet përsëri në Kallarat ku shërben për dy vite rresht deri në vitin 1984. Në ato vite Kallarati e kishte të nevojshme një mjek vendas, pasi të ardhurit për shkak të largësisë nga Vlora qëndronin një kohë të shkurtër dhe largoheshin. Nisur nga rezultatet e tij të larta në shkollën e mesme, të përkushtimit në punë si ndihmësmjek, drejtuesit e atëhershëm të Kallaratit e Bolenës u kërkuan autoriteteve të Vlorës që Edmondi të vazhdonte shkollën e lartë të mjekësisë në Tiranë, me qëllim që pas përfundimit të saj të kthehej përsëri në vendlindje. Dhe kështu ndodhi, në vitet 1984-1989 kreu me sukses fakultetin e mjekësisë dhe pasi bëri edhe stazhin si mjek në spitalin e Vlorës, Edmondi duke mbajtur fjalën e dhënë, pasi kishte edhe mundësi të tjera dhe duke justifikuar besimin e atyre që e ndihmuan të shkonte në shkollën e lartë, kthehet përsëri në vendlindje, tashmë si mjek. Pas dy vitesh pune e shërbimi pranë bashkëfshatarëve të tij, në vitet 1992-1996 do të kryente specializimin pasuniversitar në Tiranë për anestezi-reanimacion. Nga viti 1996 e deri tani vazhdon të jetë mjek anestezist-renimator në spitalin rajonal të Vlorës, ku nga 2005 në pozicionin e shefit të këtij shërbimi. Ka kryer specializime afatshkurtra në spitalin universitar në Piza, Itali, si dhe trajnime për menaxhim spitalor. Prej vitit 2007 është  anëtar i shoqatës anestezi-terapi intensive të Italisë.

Fakti që prej vitit 1996 është mjek në spitalin rajonal të Vlorës, ka bërë që në përgjithësi kallaratasit të gjejnë tek ai mbështetjen dhe shpirtin e tij human për çdo nevojë shëndetësore që kanë pasur, të lehtë, por në shumë raste edhe të vështirë dhe rrezik për jetën.

Për të mësuar diçka më tepër për jetën e tij, të familjes, arsimimin, punën si mjek dhe për kënaqësinë timen si bashkëmoshatarë, por edhe të lexuesve të gazetës “Kallarati”, Edmondit i morëm intervistën e mëposhtme:

Je lindur nga dy prindër të shkëlqyer, babai Bilali dhe nëna Kafazja, e cila nuk e pati fatin t’iu rriste si gjithë fëmijët e tjerë pasi u nda para kohe nga jeta, por një nënë e dytë për ju dhe sidomos vëllezërit e tjerë më të vegjël, do të bëhej Nasipja, e cila edhe ajo është ndarë nga jeta. Çfarë kujton sot Mondi për të dyja këto nëna të mrekullueshme?

Po, e vërtetë ata prindër më rritën me kujdes dhe më dhanë shumë dashuri, por nëna Kafazja më la krejt papritur duke u larguar me shpejtësi si rrufeja në botën tjetër në moshë shumë të re. Zoti e largoi prej nesh duke lënë pas gjashtë djem, unë më i madhi pa mbushur 12 vjeç dhe i vogli 13 muajsh. Ishte dita e pushimeve pranverore, unë iu ndodha pranë deri në momentet kur zemra e saj pushoi, babai ishte në zbor, kurse gjyshja Dudia ishte në Skrapar, ata e gjetën pa jetë. Ishte një tronditje për gjithë familjen, më të vegjlit bile nuk kuptuan asgjë vetëm në vitet që erdhën pas ndien që ju mungonte diçka, ajo shpirtërorja, nëna. Si më i madhi sjell në retrospektiv imazhin e saj, një nënë e dashur, e qetë, punëtore, e respektuar në shoqëri, iku në kohën kur ne kishim më shumë nevojë për të, por ndoshta misioni i saj si nënë për kaq ishte. Ajo si një engjëll na ka shoqëruar në ecurinë e jetës sonë dhe për fat pas 45 viteve ne gëzojmë shëndet të plot, ajo sot është hyjnore. Por këtë mungesë na e lehtësoi Nasipja, e cila na shoqëroi në vitet më pas. Edhe pse ishin vite të vështira, ajo u kujdes dhe na plotësoi gjithçka që lidhej me ne. Edhe ajo iku shpejt nga një sëmundje e rëndë, ne bëmë gjithçka për t'ia lehtësuar dhimbjen. Mirënjohje dhe për gjyshen Dudinë, e cila bëri shumë për ne.

Babai juaj, profesor Bilali, edhe ai nuk jeton më, për vite të tëra ushtroi me mjaft kompetencë profesionin e bukur të mësuesit. Besoj se nuk ka kallaratas që të mos ketë mësuar gjuhën e bukur shqipe prej tij. Nëse shumë prej nesh kanë çarë në rrugën e dijes në jetë, meritë e padiskutueshme është edhe puna e këtij profesori të nderuar, që veç mësuesit dhe edukatorit ishte edhe një veprimtar i shquar në fshat dhe më gjerë. Çfarë kujtoni sot për jetën e tij  familjare, por edhe si mësues dhe veprimtar?

 

Babai, Bilali është një ndër pionierët e arsimit në rrethin e Vlorës pas çlirimit, mësues që prej vitit 1949 në moshën 15 vjeç në Nartë dhe pastaj duke u plotësuar me shkollimet përkatëse si mësues dhe drejtor shkolle në Kocul, Bolenë, Lapardha, Dushkarak dhe prej vitit 1966 në Kallarat, kur u çel cikli i lartë 8 vjeçar. Ishte prind i kujdesshëm dhe autoritar si në familje dhe shkollë. Na ka ndjekur nga afër si gjatë kohës qe ishim në fshat dhe më vonë gjatë viteve të shkollimit. U kujdes që ne të arsimoheshim të gjithë. Me njohjet, relacionet që kishte na siguroi degë të preferuara, gjë të cilën ne e justifikuam me rezultate dhe vlerësime të larta. Njëkohësisht babai ishte një veprimtar shoqëror, njeri që përqafonte të renë, përparimtar në mendime dhe jetën aktive. Te gjithë i flisnin profesor, një titull jo akademik, por që ia dhanë nxënësit e tij që ai donte shumë. Gjithashtu ai është nderuar me urdhrin “Naim Frashri” dhe me titullin “Mësues i Dalluar”. Ishte elegant dhe i drejtpërdrejt në gjithçka. Me daljen në pension ka qenë i zgjedhur vendor, kryetar i Këshillit të Komunës Horë Vranisht, kryeplak i fshatit, etj. Në vendimet dhe gjykimet e tij ishte shumë racional.

Sot që prindërit nuk jetojnë më, si më i madhi ndër shtatë vëllezërit, a luani rolin e prindit për vëllezërit e tjerë? A mund të na thoni diçka më të veçantë për secilin?

 

Babai bën dy vjet që na ka lenë, ai jetonte me vëllain e tretë Fredin, si gjithmonë shkojmë përherë atje në kujtim të tij. Unë si më i madhi patjetër jam dirigjenti në një farë mënyre, kam komunikim me të gjithë pavarësisht se jemi larg fizikisht. Vëllai i dytë Arbeni inxhinier mekanik banon në Tiranë dhe punon me kompanitë e sigurimeve, Fredi i treti mësues biokimi në Vlorë, Aleksandri dhe Krenari në Itali prej vitesh, Mentori dhe Artani në Londër prej 20 vite, të gjithë me familje dhe punë.

Aktualisht ushtroni me mjaft kompetencë profesionin e nderuar e human, atë të mjekut, profesion të cilin e filluat si ndihmësmjek në vendlindje në Kallarat dhe pas disa vitesh pune, nisur jo vetëm nga rezultatet tuaja të shkëlqyera të shkollës së mesme, por mesa mbaj mend edhe të një nxitjeje e dëshire të drejtuesve të asaj kohe të fshatit që ju të vazhdonit shkollën e lartë të mjekësisë dhe të riktheheshit përsëri atje si mjek. Çfarë kujton Edmondi për atë vite?

 

Ne vitin 1977 përfundova shkollën mjekësore dhe u emërova nd/mjek në Qendrën Shëndetësore Bolenë, u çel një pikë ambulance në Hundxhepe ku unë shkoja tre herë në javë dhe pjesën tjetër në Bolenë qendër dhe Kallarat. Ato vite më njohën me profesionin dhe njerëzit ku unë shërbeva në çdo familje për vaksinimin e fëmijëve, higjienën në shkolla kopshte, çerdhe dhe higjienën në komunitet. Bëja tre orë rrugë vajtje ardhje Bolenë-Kallarat plus lëvizjet në fshat, por mosha nuk pyeste. Ato vite më dhanë shumë elementë që më formuan si specialist dhe njeri, kujtimet më të mira për ata njerëz që më falën dashuri dhe mirënjohje për çka u shërbeva. Si shpërblim ai popull shtroi kërkesën para strukturave të asaj kohe që unë të shkoja në universitet, e cila u realizua në vitin 1984. Pak shpresa kisha për shkollën e lartë dhe si mosbesim në realizimin e saj edhe valixhen e bleva pa rëne në sy, ditën që ika për Tiranë. Isha shumë i emocionuar dhe nuk u përshëndeta me asnjë.

Pas mbarimit të shkollës së lartë, duke mbajtur premtimin e dhënë, ju u rikthyet përsëri në vendlindje dhe u shërbyet bashkëfshatarëve tuaj për disa vite, tashmë si mjek. Largimi juaj për specializim në Tiranë e pastaj emërimi në Vlorë, a ishte i lehtë për ju që në një farë mënyre u shkëputët  përfundimisht nga Kallarati?

Në vitin 1990 kthehem prapë tek njerëzit që lashë, por me njohuri dhe bindje më të avancuara. Si përgjegjës i Qendrës Shëndetësore Bolenë bëra ristrukturimin e saj, me ekipin që kisha ngrita cilësinë e shërbimit. Bëra kartelizimin e popullatës sipas patologjive përkatëse, sigurova aparate për sterilizim të shiringave dhe instrumenteve, materiale hotelerie për shtëpitë e lindjes, u sigurua një mjet si ambulance për urgjenca, agjenci farmaceutike në Kallarat, gjithashtu rikonstruksion i godinave në Kallarat dhe Bolenë. Koha në dispozicion ishte e shkurtër sepse u largova për specializim pasuniversitar në Tirane 4 vite, ky ishte dhe pikësynimi im që unë t'i shërbeja një komuniteti më të gjerë për vet kërkesat në rritje ndaj vetes. Pavarësisht se u largova Kallaratin e kisha me vete, çdo gjë që lidhet me të është e shtrenjtë për mua.

Prej afro 20 vitesh jeni mjek anestezist-renimator në Spitalin Rajonal të Vlorës dhe që nga 2005 edhe shef i këtij shërbimi, keni trajtuar plot pacientë nga gjithë Vlora dhe më gjerë. Një pjesë jo të paktë kanë qenë kallaratas, të cilët kanë gjetur pranë jush mbështetjen dhe përkujdesjen maksimale. Si jeni ndjerë duke u shërbyer bashkëfshatarëve të tu dhe a mendoni se keni marrë mirënjohjen e tyre?

 

Profesioni im është i vështirë ka të bëjë me sëmundje dhe procese që kërcënojnë jetën, kjo më ka bërë më të fortë. Vitet e para krijuan eksperiencën dhe prej vitit 2005 jam në krye të këtij shërbimi të spitalit rajonal, ku niveli dhe rezultatet flasin. Të gjithë bashkëfshatarët kanë gjetur mikpritjen time ku ose u kam shërbyer direkt ose kam ndërmjetësuar për problemet  që kane, bile shumë prej tyre me telefonojnë kudo që janë duke ju dhënë këshilla dhe rrugën që duhet ndjekur, këtë praktikë e ndjek dhe me infermierët në zonë.

Për lexuesit e gazetës do të ishte me interes të flisnit pak edhe për kualifikimet tuaja në fushën e mjekësisë dhe angazhimet shkencore në këtë fushë brenda dhe jashtë vendit?

Gjatë punës në vite kam kryer specializime në Itali në vitet 2005 dhe 2007 në spitalin universitar Piza, jam pedagog i jashtëm i Fakultetit të Infermierisë Vlore, shkollës së lartë Reald, kam udhëhequr tema diplomash dhe oponenca, kam referuar tema në konferenca dhe kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare. Kam kryer trajnime dhe specializime për menaxhim spitalor nga Universiteti i Firences.

Në Kallarat, punonjësit e shëndetësisë kanë qenë vendas, por edhe të huaj. A keni ndonjë statistikë a të dhënë të personelit të mesëm a të lartë mjekësor që ka punuar në Kallarat ndër vite, ashtu si edhe ata kallaratas që kanë punuar larg  tij, Vlorë, Tiranë a gjetkë?

Nga sa mbaj mend infermierja e parë që ka shërbyer në Kallarat pas vitit 1960 ka qenë Liri Meçaj nga Kuçi dhe aktualisht sot shërben Bejaze Qejvanaj pas disa trajnimeve dhe shkollave  plotësuese që ka bërë. Pas Lirisë përsëri ka qenë një kuçiot tjetër Kapo Mema, i cili shërbeu për një kohë të gjatë deri në daljen në pension rreth vitit 1975. Infermieria si godinë ishte në shkollë në një dhomë të saj, rreth vitit 1972 ndërtohet godinë e re me mjedise për shtëpi lindje, sallë e lindjes me dhomat për nëna dhe fëmijë, me banjë dhe ujë brenda, ngrohje për dimër, dhoma vizite dhe manipulimesh dhe oborri përreth i modeluar. Në këto vite punuan infermiere nga Kallarati si Tefta Jonuzi dhe mami Hurma Demiri me shkolla të plota mjekësore, të cilat u larguan pas martesës. Pas tyre punon Diana Hasani nga Vranishti dhe Mimoza Jonuzi nga Kallarati, në 1977 Edmond Breshanaj për 5 vite, pas vitit 1984 Aliko Shkurti nga Vranishti, Adelina Gjonbrati, Myrvete Beqaj të martuara në fshat, Minella Koreta në 1984 nga Llakatundi, i cili zëvendësoi Edmond Breshanaj, pas viteve 1990. Gjithashtu në Kallarat kanë  shërbyer si infermiere edhe Loreta Luto Demiraj 1 vit dhe pasi martohet përsëri punoi infermiere në Brataj, sot në Amerikë, motra  e saj Etleva Demiraj më 1994 ka punuar në një lagje të Vlorës  infermiere dhe sot është mjeke farmaciste në Vlore, Miranda Laver Gjonbrati infermiere në Kallarat nga viti 1994 e deri sa sëmundja e rëndë e largoi nga jeta duke lindur djalin me operacion në gjendje kome, të cilit në kujtim të të ëmës iu vendos emri Mirand dhe sot jeton për mrekulli, kujtesë dhe mirënjohje për të si infermiere dhe si nënë ripërtëritëse e jetës,  Dallandyshe Alem Qejvanaj 1993-1995 infermiere në Kallarat dhe në vazhdim në spitalin e Vlorës me detyrë për disa vite si kryeinfermiere në spital dhe poliklinikë, Ednora Besim Jonuzaj Kallarat 1993-1995 sot në Itali, Shefo Jonuz Jonuzaj pas viteve 1980 në Kotë, aty ku shërben edhe sot. Gjithashtu mund të përmend Mystehak Habilaj infermieri më i vjetri, i cili ka punuar në spitalin e Vlorës në vitet pas çlirimit. Uroj të mos kem harruar ndonjë tjetër kallaratas që ka shërbyer ose shërben në fushën e shëndetësisë, pasi me shpërndarjen  e tyre anembanë botës edhe mund të ketë.

Në 1975 qendra shëndetësore u bë me mjek, i pari ishte dr. Kujtim Roshi 1975- 1978, Filip Billa 1978-1981, Tare Zemani 1982-1984 me të cilët unë punova në vite, respekt për punën e tyre, Fatos Shkurti 1984-1990 të cilin e zëvendësova unë 1990-1992, Patriot Hoxha 1992-1995 dhe tej disa mjekë midis të cilëve dalloj Luan Abazi nga Kuçi për disa vite. Por krahas atyre që kanë patur mundësinë të punojnë në vendlindje, ka edhe mjaft mjekë me emër dhe cilësor me origjinë nga Kallarati që kanë punuar gjetkë ku mund të përmend: Hane Petani Tiranë, nefrologe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë; Imer Strati drejtor në Sanatoriumin e Vlorës; Maksim Qejvani reumatolog spitali Vlorë dhe për disa kohë edhe drejtor i Shëndetit Publik po në Vlorë; Klodjan Rjepi specialist shëndeti publik në Tiranë, aktualisht Zëvendësministër i Shëndetësisë etj.

 

Me gjithë përmirësimet në fushën e shëndetësisë e të përkujdesjes ndaj njerëzve, shëndetësia në Vlorë, ashtu si edhe gjithë vendin, ka ende probleme, aq më tepër në Kallarat e fshatra të tjerë të largët. Cili është mendimi juaj si mjek dhe intelektual i Vlorës, çfarë duhet përmirësuar diçka në këtë drejtim?


 

Me ndërrimin e sistemit në vitin 1991 mjekësia shqiptare u përball me shumë probleme të cilat me kalimin e viteve po vihen në zgjidhje. U prish ajo infrastrukturë sepse popullsia lëvizi në zona urbane, personeli mjekësor u largua dhe asistenca mjekësore ishte e dobët. Në Vlorë spitali rajonal ka ndryshuar në strukturë dhe përmbajtje, stafi mjekësor ka një kualifikim më të lartë, ka pajisje mjekësore të kohës. Megjithatë mendoj se duhet të zbatohen paketat e shëndetit që janë të miratuara me ligj për sëmundje të veçanta nga fondi i sigurimeve që ka kosto të lartë për pacientin dhe shoqërinë; të zbatohet në terren ligji për sistemin e urgjencës në Shqipëri; të sensibilizohet dhe sanksionohet me ligj sigurimi shëndetësor i popullatës; kujdesi paliativ dhe kimioterapia të jenë me korrekte. Në zonat e largëta rrugët e këqija pengojnë shpejtësinë dhe cilësinë e shërbimit mjekësor, punonjës më të kualifikuar do ta ngrenë cilësinë e asistencës paraspitalore.

 

Le t’i kthehemi pak familjes, cila është përbëja, puna, arsimimi dhe sa afër tyre qëndroni, edhe pse profesioni i mjekut ju bën shpesh të sakrifikoni nga koha juaj e lirë dhe në shërbim të saj?


 

Familja ime përbëhet prej meje, bashkëshortes sime Miranda dhe dy çunave Trevi dhe Kristjani. Miranda është mësuese në 9 vjeçare prej 30 vitesh ku fillimet e saj në Kallarat bënë që sot të jemi bashkë. Trevi, djali i madh 25 vjeç pas dy vitesh studimi në Londër përfundoi studimet e larta në Universitetin Evropian për drejtësi-shkenca politike dhe së afërmi do të udhëtojë në New York ku do të bashkohet me shoqen e jetës për të ecur më tej në vendin e mundësive. Kristjani, i vogli vazhdon studimet për ekonomi në Vlorë. Të dy çunat janë të lidhur me kujtimet për Kallaratin dhe njerëzit e tij dhe shpesh kërkojnë të shkojnë atje, por rruga e keqe është pengesë, sido që ata në zemër dhe shpirt ndjejnë për fshatin i cili u dha kënaqësinë kur shkonin tek gjyshi.

Bashkë jemi afërsisht të një moshe. Adoleshenca ka të veçantat e saj, a mund të kujtosh diçka ose ndonjë ndodhi të atyre viteve?

Në kujtesë sjell edhe pjesëmarrjen në aktivitete të ndryshme si paraqitja në konkurrimin e teatrove amatore të rinisë në 1971 ku morëm vendin e parë në Brataj dhe konkurruam në Vlorë, isha në klasën e shtatë, regjisor ishte mjeku veteriner kallaratas Zubi Jonuzaj, gjithashtu pjesëmarrja në aktivitete sportive, isha ndër organizatorët e ndërtimit të fushës së futbollit së bashku me Bastri Hoxhaj, etj ku ndesheshim me skuadra të zonës. Në kujtesë sjell pjesëmarrjen në grupet artistike të këngëve ku në Vranisht morën vend të parë dhe në Vlorë dy prej pjesëve tona u paraqitën në festivalin e Gjirokastrës. Kujtoj me shumë respekt gjithë shokët dhe shoqet e mijë të fëmijërisë, te cilët më deshën dhe i desha përherë të freskët në memorien time!

A keni nostalgji për vendlindjen, Kallaratin, për njerëzit që jetojnë ende atje dhe sa shpesh shkoni?

Kujtimet më të mira për vendin që më lindi, gjithçka që lidhet me aktivitetin tim jetësor, për njerëzit që janë atje dhe mbresat më të mira, mirënjohje dhe kujtesë për ata që nuk jetojnë më! Në fshat shkoj rrallë, kjo më tepër nga rruga e keqe, por po u  rregullua sipas premtimeve të bëra do të jem më shpesh pranë tij. Ai fshat më jep jetë dhe ndihem krenar për të.

Po me shoqatën “Kallarati” dhe gazetën po me të njëjtën emër me qendër në Vlorë, sa i lidhur jeni dhe a keni ndonjë mendim konkret?

Gazeta “Kallarati” është ushqim shpirtëror  për të gjithë, gjithkush ndihet mirë kur e lexon, ajo na mban të lidhur pavarësisht se jemi larg fizikisht, gjë që na jep energji pozitive. Atë unë e lexoj rregullisht dhe më mban në tonus për gjithçka që shkruhet në të, por ne intelektualët duhet të jemi më aktivë për të pasqyruar në tërësi çdo gjë të re e të vjetër që ka lidhje me Kallaratin.

 

Cili do të ishte mesazhi juaj për kallaratasit, sidomos e lidhur ky edhe me profesionin tuaj të mjekut?


Ta duam Kallaratin. Këtë dashuri le t’ua transmetojmë edhe fëmijëve tanë, të tregojmë kujdes për veten, të bëjmë jetë aktive, të ushqehemi me produktet vendase, të bëjmë kontrolle periodike te mjeku që të jemi vital si ato male hijerëndë!

Mondi! Ishte kënaqësi që komunikuam së bashku në këtë intervistë të shkurtër, duke bërë që lexuesit e gazetës tonë “Kallarati”, të kenë mundësi për të mësuar diçka më tepër për fëmijërinë, arsimimin dhe kualifikimin tuaj, për jetën familjare dhe sidomos për punën si mjek në Kallarat e Bolenë dhe së fundmi në Vlorë, si dhe shumë kujtime tuajat për prindërit, shokët dhe vendlindjen Kallaratin.

Duke përfunduar, në emër edhe të redaksisë, ju urojmë shëndet  e suksese  juve dhe familjes, si dhe sa më shumë ndihmë dhe humanizëm në detyrën tuaj si mjek në shërbim të njerëzve ngado qofshin dhe kudo qofshin!

Faleminderit.

Botuar ne numrin 84 te gazetes "Kallarati"

Shkurt, 2016

MJEKU KALLARATAS, QË GËZON RESPEKTIN E TË GJITHËVE

KËNGË & VIDEO

SONDAZH

Cili është mendimi juaj për uebsaitin tonë të porsa çelur www.kallarati.com?
 

FACEBOOK FanBox

SPONSOR i faqes www.kallarati.com

Sponsor te faqes www.kallarati.com

GAZETA "KALLARATI"

NUMURI I LLOGARISË I SHOQATËS ATDHETARE & KULTURORE “KALLARATI”

Banka: Societe Generale Albania.
Në LEK në numrin e llogarisë: 1175099
Në EURO në numrin e llogarisë: 1175101
Pë çdo kontribut kontaktoni në adresat:
kontakt@kallarati.com
gazetakallarati@yahoo.com
Sefer Jonuzi Cel: 00355682745862

Nga Blogu

09 Shkurt, 2017

Rrugëtimi në jetë i veteranit 90 vjeçar Xhelo Dautaj

  -Rrëfim-   Një rrugëtim në jetë prej 90 vjetësh nuk janë as shumë, por as… Lexo më shumë...
26 Dhjetor, 2016

TË NOHIM SHKRIMTARIN DHE PËRKTHYESIN BAJRAM KARABOLLI

Bajram Karabolli - lindur në Mavrovë (Vlorë) në 1943, prindërit e tij me… Lexo më shumë...
27 Tetor, 2016

NË KALLARAT U FESTUA ME KRENARI 100-VJETORI I HAPJES SË SHKOLLËS SË PARË SHQIPE

  Nga Besnik GJONBRATAJ AMBJENT FESTIV NË KALLARAT Në datat 13 dhe 14 gusht… Lexo më shumë...

Lajmet nga vendi