100vjetori
Vinaora Nivo SliderVinaora Nivo Slider

ÇLIRIM HYSI, MODELI I NJERIUT TE KULTURUAR DHE SPORTISTIT SHEMBULLOR

CLIRIMHYSIKallarati edhe pse një fshat i vogël, ka dhënë kontribut modest në zhvillimin e llojeve të ndryshme të sportit në vendin tonë. Nga gjiri i këtij fshati me tradita luftarake e liridashëse kanë dalë edhe mjaft sportistë cilësorë, të cilët janë bërë të njohur jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare. Kështu mund të përmendim kampionen e Evropës në qitje me pistoletë, të mirënjohurën Elisabeta Karabollin, pjesëtare e ekipit të 17 Nëntorit dhe atij Kombëtar, volibollisten Drita Shakaj, basketbollisten Afërdita Laçaj të ekipit të Flamurtarit, atletin e ekipit Partizani Kastriot Karabollin, shahistin e ekipit Flamurtari Krenar Gjonbratin, futbollistin e ekipit të Selenicës Ilir Abazin, si dhe gjyqtarët e futbollit për Kategorinë e Parë Valter Gjonbratin e Kastriot Hysin (ky i fundit njëkohësisht edhe futbollist) etj. Kontributi i gjithë këtyre sportisteve është për tu vlerësuar dhe përshëndetur nga të gjithë. Secili ka meritat e tij, por në këtë shkrim deshëm të flasim diçka më shumë për njërin prej atyre sportistëve, që për një kohë të gjatë ju përkushtua sportit si futbollist, por edhe në rolin e një drejtuesi të suksesshëm, pikërisht për Çlirim Hysin (Xhaferaj), i cili me aftësitë dhe talentin e tij si futbollist në vitet 1961-1974, bëri që shumë sportdashës kallaratas të bëheshin "tifozë" personal të tij dhe të ekipit të Dinamos.

Por kush është Çlirim Hysi? Çlirimi, i biri i Xhaferit dhe Sheleges, është lindur më 01.01.1945 ne fshatin Kallarat, rrethi Vlorë. Vendbanimi aktual në qytetin e Tiranës. Rrjedh nga në familje me tradita luftarake e liridashëse. Gjyshi i tij Hyso Balili, është dëshmor i fshatit, vrarë në vitin 1914 në mbrojtje të trojeve të fshatit Kallarat, sulmuar nga antardët grekë. I ati Xhaferi, ka qenë pjesëmarrës në luftën nacionalçlirimtare, i inkuadruar në Brigadën e Tetë Sulmuese, pjesëmarrës në Kongresin e Përmetit. Mbas çlirimit deri në daljen në pension ka shërbyer si oficer në detyra të ndryshme në Ministrinë e Brendshme. Po kështu edhe e ëma Shelegia, veprimtare e aktiviste gjatë luftës dhe mbas çlirimit të vendit. Çlirimi është i martuar dhe ka dy djem.

Arsimimi dhe kualifikimi: Nga viti 1952 deri në vitin 1959, ai kreu arsimin 7 vjeçar në qytetin e Tiranës. Nga viti 1959 deri në vitin 1961 kreu dy vjet të arsimit të mesëm në Teknikumin Veterinar në Shkodër, ku për arsye të aktivizimit në sportin e futbollit, ndërpret studimet në këtë shkollë dhe vazhdon Teknikumin e Fizkulturës në Tiranë, të cilin e përfundon në vitin 1963. Nga viti 1963 deri në vitin 1966 përfundon Arsimin e Lartë, Institutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve "Vojo Kushi". Nga viti 1967 deri në vitin 1972 përfundon edhe Fakultetin Juridik në Universitetin e Tiranës. Ka kryer kualifikim pasuniversitar ne degën e filozofisë, në Universitetin e Tiranës, zotëron gjuhën frënge.

Eksperienca në punë: Nga viti 1966 deri në vitin 1973 nëpunës në Klubin Sportiv "Dinamo". Nga viti 1974 deri në vitin 1975 oficer në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Nga viti 1976 deri në vitin 1978, Shef i Klubit Sportiv "Dinamo". Nga viti 1979 deri në vitin 1985, Instruktor në Komitetin e Partisë së Tiranës për problemet e Sportit. Nga viti 1986 deri në vitin 1990, Shef i Klubit Sportiv "17 Nëntori". Nga viti 1991 deri në vitin 1997, mësues i Edukimit Fizik në Shkollën 8 vjeçare "Mihal Grameno", Tiranë. Nga viti 1998 deri në vitin 2005, nëpunës në doganën e Tiranës. Pra siç shikohet në pjesën më të madhe të kohës Çlirimi i është kushtuar sportit.

Aktiviteti sportiv: Si familje, janë shquar për pasion e dashuri ndaj sportit, ku përveç Çlirimit, edhe vëllezërit e motrat janë aktivizuar në sporte të ndryshme, si dhe si mësues të edukimit fizik. Që në vogëli, Çlirimi do të spikaste si futbollist, duke luajtur bukur në shkollë, por edhe në lagje dhe dalëngadalë do të shfaqej si një talent e do të tërhiqte vëmendjen e trajnerëve të asaj kohe. Gjatë kohës së shkollës 7 vjeçare është aktivizuar për disa vjet me radhë në përbërje të ekipit të futbollit të Pallatit të Pionierëve në Tiranë, ku dalëngadalë, spikasin aftësi të rralla të një sulmuesi të ardhshëm. Në vitin 1961, gjatë kohës që kryen shkollën e mesme Veterinare në Shkodër, aktivizohet me ekipin e të rinjve të "Vllaznisë". Aktivizimi me këtë ekip, bëri që të tërhiqte vëmendjen e skuadrës të "17 Nëntorit" të asaj kohe, ku me ndërhyrjen e tyre ndërpret studimet në shkollën veterinare dhe në vitin 1963, vazhdon Teknikumin e Fizkulturës në Tiranë dhe aktivizohet në ekipin e futbollit të të rriturve të "17 Nëntorit", në rolin e sulmuesit të majtë, ku gjatë këtij viti fiton edhe Kupën e Republikës.

Nisur nga aftësitë dhe talenti i tij, si dhe nga fakti që i ati Xhaferi, ishte tifoz i "sëmurë" i ekipit të "Dinamos", bëri që në vitin 1964 të aktivizohet pranë kësaj skuadre mjaftë të njohur e me tradita, ku do të luante stabël deri në vitin 1974, vit në të cilin për arsye moshe do të linte edhe sportin e futbollit, të cilin e dashuronte aq shumë dhe i fali atij rininë. Vitet më të bukura të karrierës së tij sportive, mbeten ato me ekipin e "Dinamos", si një sulmues shumë i suksesshëm, përkrah futbollistëve të asaj kohe, si Frederik Gjinali, Medin Zhega, Mehdi Bushati, Faruk Sejdini, Gani Xhafa, Iljaz Çeço, Ilir Pernaska, Jani Rama, Mehmet Xhafa, Torez Çiraku, Ahmet Ahmedani, Kujtim Çoçoli, Haxhi Mergjyshi, Saimir Dauti, Namik Jareci etj. Ka luajtur në disa ndeshje ndërkombëtare në përbërje të ekipit Kombëtar dhe në rang klubesh në Kupat e Evropës. Në karrierën e tij sportive ka shënuar mjaft gola dhe ka dhënë kontributin e tij në fitimin e disa Kampionateve dhe Kupave te Republikës në përbërje fillimisht të ekipit të "17 Nëntorit" dhe më vonë në atë të "Dinamos". Çlirimi ka qenë dhe mbetet modeli i një sportisti me kulturë, ku në karakterin e tij mbizotëronte korrektësia, ndërgjegje, dashuria dhe respekti për shokët, drejtuesit e trajnerët dhe mbi të gjitha sportdashësit, të cilët i jepnin duartrokitje tepër të zjarrta. Me të vërtetë ai la fushën e blertë në vitin 1974, por ai kurrë nuk ju nda sportit, tani jo më në rolin e lojtarit të skuadrës, por duke marrë mbi supe detyra me peshë dhe përgjegjësi edhe më të mëdha si drejtues i dy klubeve më kryesore dhe më me peshë në Shqipëri, në atë të "Dinamos" dhe "17 Nëntori". Në rezultatet e larta që këto dy klube kanë arritur në sportin e futbollit, volejbollit, qitjes, basketbollit atletikës gjatë viteve 1976-1990, patjetër që pjesë e këtyre trofeve është edhe puna drejtuese e organizuese e Çlirimit.

Për aftësitë dhe talentin e tij si sportist, por edhe drejtues i sportit në përgjithësi, Çlirimi ka marrë një sërë vlerësimesh dhe dekoratash nga Kuvendi Popullor. Me punën dhe përkushtimin e tij, ai ka nderuar në radhë të parë veten e tij, familjen, por edhe Kallaratin si bir i denjë i tij, duke manifestuar në çdo kohë modelin e një intelektuali me kulturë, si dhe të një sportisti e familjari shembullor.

BESNIK GJONBRATAJ

Maj, 2007

Botuar ne gazeten "Kallarati"

ÇLIRIM HYSI, MODELI I NJERIUT TE KULTURUAR DHE SPORTISTIT SHEMBULLOR

KËNGË & VIDEO

SONDAZH

Cili është mendimi juaj për uebsaitin tonë të porsa çelur www.kallarati.com?
 

FACEBOOK FanBox

SPONSOR i faqes www.kallarati.com

Sponsor te faqes www.kallarati.com

GAZETA "KALLARATI"

NUMURI I LLOGARISË I SHOQATËS ATDHETARE & KULTURORE “KALLARATI”

Banka: Societe Generale Albania.
Në LEK në numrin e llogarisë: 1175099
Në EURO në numrin e llogarisë: 1175101
Pë çdo kontribut kontaktoni në adresat:
kontakt@kallarati.com
gazetakallarati@yahoo.com
Sefer Jonuzi Cel: 00355682745862

Nga Blogu

09 Shkurt, 2017

Rrugëtimi në jetë i veteranit 90 vjeçar Xhelo Dautaj

  -Rrëfim-   Një rrugëtim në jetë prej 90 vjetësh nuk janë as shumë, por as… Lexo më shumë...
26 Dhjetor, 2016

TË NOHIM SHKRIMTARIN DHE PËRKTHYESIN BAJRAM KARABOLLI

Bajram Karabolli - lindur në Mavrovë (Vlorë) në 1943, prindërit e tij me… Lexo më shumë...
27 Tetor, 2016

NË KALLARAT U FESTUA ME KRENARI 100-VJETORI I HAPJES SË SHKOLLËS SË PARË SHQIPE

  Nga Besnik GJONBRATAJ AMBJENT FESTIV NË KALLARAT Në datat 13 dhe 14 gusht… Lexo më shumë...

Lajmet nga vendi