100vjetori
Vinaora Nivo SliderVinaora Nivo Slider
Gabim
  • Gabim në ngarkimin e të dhënave feed.

HISTORIKU I KALLARATIT, NGA ENVER STRATI

Historiku i Kallaratit

PARATHËNIE:

Historia shekullore e Kallaratit për ne banorët e tij përbën një temë shumë tërheqëse që, për shkak të dokumentimit të paktë, jo aq të lehtë për t'u trajtuar. Me gjithë këtë vështirësi, kam guxuar t'i vihem shkrimit të historikut të fshatit tim, mbështetur në dokumentacionin e zbuluar deri më sot, po kryesisht në tregimet e prindërve të mi dhe të të moshuarve të brezit të tyre, si dhe në kujtimet vetjake. Për 

Kallaratin ka pasur autorë që nëpërmjet shkrimesh kanë hedhur dritë mbi të kaluarën e tij; edhe në të ardhmen do të ketë të tjerë që do të zbulojnë fakte të tjera e do të shkruajnë për njerëz, ngjarje, data, rite e zakone. Guximi që më shtyu t'i vihem punës për të shkruar historikun e Kallaratit, tani që këtë historik e kam mbaruar ia ka lënë vendin dyshimit se a kam arritur te pasqyroj, sado pak, jetën dhe veprimtarinë shekullore të popullit të Kallaratit.

Historia e Kallaratit nuk mund të shkëputet nga ajo e Kurveleshit në veçanti dhe e Labërisë në përgjithësi. Kurveleshasit janë shquar në shekuj për qëndresën ndaj pushtuesve. Jo më kot Follmerajeri e ka quajtur Kurveleshin "akropol" të Labërisë. Prandaj kënga popullore thotë: "Kurveleshasit" trima burrat, trime gratë, të shqyejnë me sëpatë." Pjesë e kësaj historie janë edhe trimat dhe trimet e Kallaratit. Kjo traditë e shkëlqyer përpjekjesh për liri duhet të njihet nga brezat që vijnë. Shoqëria ka nevojë për përvojat e kaluara, me qëllim që të dijë të zgjedhë rrugën e duhur në përballjet e së ardhmes. Shkrimtari i madh Dritëro Agolli thotë: "Kush harron të kaluarën, nuk ka të ardhme."

Të fshehësh apo të harrosh prejardhjen tënde, është një gabim i pafalshëm, kudo që lind apo të hedhin valët e jetës. Qëndrimet e deritanishme tregojnë se bijtë dhe bijat e Kallaratit, ngado që i ka shpërndarë jeta, nuk e kanë harruar prejardhjen e tyre apo të prindërve të tyre, ata e quajnë veten krenarë që janë nga Kallarati. Këtë e vërteton pjesëmarrja e tyre në kremtimet e organizuara në Kallarat vitet e fundit në kujtim të ngjarjeve të ndryshme historike, si vendosja e bustit të Heroit Popullit Mumin Selami në vitin 2002, përkujtimi i 90-vjetorit të qëndresës kundër andartëve grekë më 2004, në takimin e brezave më 2005, në tubimin e Bashait më 20 gusht 2008 për të përkujtuar betimin e popullit 65 vjet më parë për luftë deri në fund kundër pushtuesve fashistë etj.

Dallgë të shumta janë përplasur mbi banorët e Kallaratit gjatë rrjedhës së historisë jo pak herë, ai është vrarë, shkatërruar e djegur tërësisht ose pjesërisht nga pushtuesit e ndryshëm, është goditur nga fatkeqësi të natyrës dhe epidemi shfarosëse, por pavarësisht nga këto, ai ka mbijetuar, duke i përballuar me stoicizëm e optimizëm të rrallë këto fatkeqësi dhe duke besuar gjithnjë në një të ardhme më të mirë. E përgjithshmja ka qenë progresive, ai ka jetuar dhe është zhvilluar në sasi dhe cilësi.

Fatet e banorëve te Kallaratit kanë qenë të lidhura e të kushtëzuara nga fatet e të gjithë vendit dhe shoqërisë shqiptare. Ata kanë dhënë ndihmesën e tyre në fatet e kombit, i cili ka qenë vendimtar për ekzistencën e zhvillimin e këtij fshati. Historia na ka mësuar se kurdoherë interesat e fshatit t'i shikojmë të lidhura ngushtë me ato të mbarë vendit dhe këto të fundit të vihen në plan të parë, në zbatim të devizës: "Kombi mbi te gjitha".

Në përballjet shekullore me kushtet e vështira të natyrës dhe me pushtuesit, populli i Kallaratit ka fituar shumë cilësi të larta morale e virtyte, të cilat përbëjnë atë thesar të pasur traditash e veçorish specifike e të përbashkëta me ato të popullit tonë. Veti të tilla, si patriotizmi, trimëria, vendosmëria, shpirti i sakrificës, solidariteti popullor, modestia, atdhetaria, besa, mikpritja, dashuria, respekti dhe shpirti i pamposhtur i lirisë, kanë qenë një burim i brendshëm i vitalitetit e i forcës së tij, që e kanë nxjerrë atë faqebardhë në situatat më të vështira të historisë. Këto veti përbëjnë një pasuri të madhe dhe një trashëgimi të pasur për brezat që do të vijnë për të çarë përpara me sukses në të ardhmen. Prandaj në këtë libër, krahas pasqyrimit të jetës dhe të vetive të mira të popullit të Kallaratit, u kam kushtuar një vend të dukshëm të rënëve për liri e pavarësi në dy shekujt e fundit dhe për ndërtimin e vendit, shoqëruar me këngët e thurura e të kënduara nga populli dhe vajet e prindërve të tyre. Gjaku i derdhur prej tyre qëndron në themelet e të arriturave të kombit dhe sakrifica e tyre sublime nuk duhet harruar kurrë. Luigj Gurakuqi na thotë: "Një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekëson kujtimet e tyre, jo vetëm nderon faqet e historisë, por mbi rrasat e në monumente ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndenësi të hollë."

Banori i Kallaratit në shekuj ka qenë i lidhur ngushtë me tokën, me natyrën ku ka lindur, ka jetuar e punuar, ku ka derdhur djersë e gjak brez pas brezi. Malet, fushat, luginat, kodrat, majat e qafat, lumenjtë, përrenjtë e pyjet i kanë mbrojtur; tokat, edhe pse të pakta, së bashku me blegtorinë i kanë mbajtur. Ato i kanë dhënë atij kënaqësinë shpirtërore dhe lumturinë që s'mund ta gjente kollaj gjetkë.

Ndryshimin i sistemit politik dhe hapja e vendit nuk qe pa pasoja edhe për Kallaratin. Me hapjen e kufijve të vendit, shumë bashkëfshatarë të moshave të reja e të mesme u larguan nga fshati, duke emigruar në Greqi, Itali, Angli, Gjermani, në SHBA dhe në vende të tjera të Europës, ku janë ngulur ose kanë krijuar familje. Një pjesë tjetër kanë zbritur në qytetet e mëdha të vendit, sidomos në Vlorë e Tiranë. Këto lëvizje sollën edhe ndryshime demografike. Sot në Kallarat kanë mbetur shumë pak familje, kryesisht çiftet moshuarish. Megjithatë, të ikurit nuk e kanë harruar fshatin ku kanë lindur e janë rritur dhe kjo jep shpresa se Kallarati nuk do të braktiset.

Për hartimin "Historikut të Kallaratit", veç materialeve arkivore dhe botimeve historike, janë shfrytëzuar dhe botime të bashkëfshatarëve, si ato të profesor Rami Memushajt, Llano Llanajt, Seit Jonuzajt, Dalan Memushajt si dhe mjaft shkrime të autorëve të ndryshëm në gazetën e shoqatës së Kallaratit, si Enver Golloshi, Gafur Shameti, Çize Xhaferi etj. Veç këtyre, jemi mbështetur në shënime dhe kujtime të pjesëmarrësve në Luftën Antifashiste dhe në ngjarje të tjera të rëndësishme, por edhe në mendime të vjela nga të moshuar e bashkëkohës

Falënderoj shokët që më kanë ndihmuar me të dhëna të vlefshme: Idajet Llanaj, Kujtim Dauti, Bejo Xheferi, Luto Demiri, Sulo Hoxha, Xhemal Strati dhe Besnik Gjombratin, Agim Stratin për hedhjen në kompjuter të një pjese të materialit, Razip Golloshin për të dhënat. Falënderoj veçanërisht prof. Rami Memushaj, që me durim e redaktoi librin për ta sjellë në formën që po i paraqitet lexuesit. Më në fund, por jo të fundit, falënderoj djemtë e mi, që më mbështetën financiarisht për botimin e librit, dhe bashkëshorten time, Hanushe, për kushtet e krijuara gjatë punës.

Autori

Tiranë, mars 2010

_______________________________________________________________________

KREU I PARE

LASHTËSIA

Kallarati është një ndër fshatrat e Labërisë. Nga pikëpamja etnografike i përket krahinës së Kurveleshit. Ai është një nga pesë fshatrat e Kurveleshit të Poshtëm, që bashkë me Bolenën, shënon kufirin veriperëndimor të Kurveleshit me krahinën e Mesaplikut. Nga ana administrative, Kallarati sot është pjesë e komunës së Vranishtit të rrethit të Vlorës.

Fshati i Kallaratit ngrihet në një terren kodrinor që shtrihet të dy anët e rrjedhjes së sipërme të Shushicës, poshtë Kuçit. Nga verilindja e lindja kufizohet me Bolenën, nga juglindja e jugu me Kuçin, nga perëndimi me Pilurin dhe Himarën, kurse nga veriu e veriperëndimi me Vranishtin. Kallarati ka një sipërfaqe të përgjithshme – me toka bujqësore, kodra e male – prej rreth 30 km². Tokat e bukës shtrihen kryesisht në të dy anët e lumit të Shushicës dhe në zonën kodrinore. Kodrat zënë rreth 50% të sipërfaqes së territorit të tij. Është fshati më i ulët i gjithë Kurveleshit, në lartësinë mesatare 354 m mbi nivelin e detit. Përmes tij kalon lumi i Shushicës dhe rruga automobilistike Vlorë–Kuç–Borsh, që gjarpëron përgjatë brigjeve të lumit.

Territori i Kallaratit në lashtësi përfshihej në trevat e fisit iliro-epirot të kaonëve. Ashtu si sot, ai shënon kufirin verior të Kurveleshit me fshatrat e krahinës së Mesaplikut, edhe në lashtësi kjo trevë gjendej në kufirin verior të Kaonisë me fisin ilir të Amantëve. Malet me kullota verore, pyjet mesdhetare dhe ato të dushkut si dhe burimet e pasura ujore përbënin kushte ideale për rritjen e bagëtive të imta. Lugina e Shushicës, ku shtrihet Kurveleshi i Poshtëm, me një klimë relativisht të butë, me toka megjithëse të pakta, por pjellore, të ujitshme, në pjesën më të madhe, dhe luginat e përrenjve, tarracat të krijuara nga dora e njeriut, pyjet masive, shkurret dhe kullotat e pasura të kodrave në të dy anët e Shushicës kanë plotësuar kushtet për ekzistencën dhe zhvillimin e jetës shoqërore qysh nga lashtësia e deri në ditët e sotme.

Për shkak të klimës relativisht të butë dhe të kushteve natyrore të përshtatshme, lugina e rrjedhës së sipërme të Shushicës duhet të ketë qenë e banuar nga fise kaone. Për këtë dëshmojnë gjetjet arkeologjike në këto treva. Kështu, në Katafiq të Kuçit, që ndodhet në veri të Buronjave dhe jo shumë larg Kunjovës (vennddodhja e mëparshme e Kallaratit), gjenden rrënojat e një kalaje të lashtë; gjurmë kalash të tjera ka edhe në vende të tjera përreth. Në Kunjovë e gjetkë ka ledhe me gurë të mëdhenj, varre me pllaka guri etj.

Lashtësia e këtyre objekteve është provuar edhe nga të huajt, edhe nga zbulime të bëra nga vetë banorët e kësaj treve. Të tilla janë zbulimet e bëra nga historiani anglez Hammond, autor i një libri për Epirin, i cili gjatë kërkimeve të tij për lashtësinë e kësaj pjese të banuar nga fise ilire ka arritur deri në Kuç. Në këtë libër ai shkruan se banorët i folën për dy pllaka guri me gdhendje, njërën prej të cilave, që ai e pa me sy dhe e përshkruan me hollësi, mbahet si emblema e Katafiqit.

Më 1977, traktoristi Yeir Ribi, duke bërë punime të thella me traktor në afërsi të shtëpisë së Llano Memetit në Kurpicë, zbuloi një varr të vjetër gruaje. Në varr u gjetën dy vathë dhe një pllakë 5 x 10 cm, me një shkrim të padeshifruar. Kjo pllakë ruhet në Kallarat, në shtëpinë e Bejo Xhaferit.

Me interes për periudhën e lashtësisë është një zbulim i prof. Rami Memushaj më 1970 në Pajame, në krahun verior të përroit të Brate, aty ku ndahet kufiri i Kallaratit me Kuçin. Aty, nja 10 m mbi udhën e makinës, ai ka zbuluar një varr me pllaka guri anash dhe sipër, që ngjante me varret ilire të zbuluara në trevën e Amantias. Në këtë varr u gjet një skelet i ruajtur mirë dhe një inventar sendesh. Riti i ndjekur në varrimin e kufomës dhe inventari i sendeve të gjetura brenda varrit dëshmojnë për një varr tipik ilir. Skeleti ishte vendosur me drejtim veriperëndim-juglindje, me trup të shtrirë me fytyrë nga dielli. Inventari përbëhej nga dy amfora, një majë heshte, një satër, katër monedha bronzi dhe një argjendi. Monedhat, që mbajnë të gjitha legjendën "Aperiotan", janë dorëzuar prej tij qysh atëherë në Muzeun Arkeologjik në Tiranë. Këto monedha janë të prera gjatë periudhës 232-170 nga "Lidhja Epirote", organizimi i fundit shtetëror i popullsisë së Epirit, që më 168 p.e.r. u zhbë nga pushtimi romak. Legjenda e monedhave dëshmon qartësisht për përkatësinë etnike të pronarit të tyre, i cili ka qenë anëtar i një fisi kaon të luginës së sipërme të Shushicës. Ekzistenca e monedhave vlen edhe si tregues i shkallës së zhvillimit ekonomik të arritur në atë periudhë. Përdorimi i tyre tregon se ekonomia e Kaonisë kishte kaluar ose, të paktën, ishte duke kaluar në një fazë më të përparuar, ku shkëmbimit mall me mall ia kishte zënë vendin shkëmbimi mall–para, gjë që nënkupton zhvillimin e tregtisë.

Por periudha nga e cila vijnë gjetjet arkeologjike është ende shumë e largët nga zanafilla e fshatrave. Duhet të kalojnë gati një mijë vjet për të ardhur para se të shfaqen fshatrat më të vjetra të vendit. Gjatë kësaj periudhe, mbi popullsinë e Ilirisë dhe të Epirit kanë kaluar dallgë të egra pushtimesh, të cilat kanë shkaktuar ndryshime të thella në organizimin e këtyre shoqërive. Pushtimi romak shembi shtetin ilir të Agronit dhe Lidhjen Epirote dhe shkatërroi qytetet e tyre. Për t'i shpëtuar kthimit në skllevër, popullsia e qyteteve u tërhoq në male, të cilat përbënin një strehë të sigurt. Këto lëvizje të popullsisë dhe organizimi i ri administrativ që u bëri pushtuesi trojeve të Ilirisë patën sipas ojë të drejtpërdrejtë shthurjen e fiseve dhe krijimin e lidhjeve të reja në njësi territoriale relativisht të vogla. Ndër këto bashkime të reja mbi bazë territori e lidhjesh të gjakut, që lindën në vendin tonë aty nga shek. IX i erës sonë, dmth. në periudhën kur rendit skllavopronar ia kishte zënë vendin rendi feudal dhe prona feudale, ka qenë edhe Kurveleshi. Në ngjizjen qysh herët të Kurveleshit si njësi territoriale-etnografike rolin kryesor do ta kenë luajtur faktorë të tillë, si shtrirja e njësive familjare në hapësirat e ngushta të pllajës me të njëjtin emër ku banonte kjo popullsi, lidhjet e gjakut dhe lidhjet ekonomike e zakonore të tyre. Këtu duhet parë fillimi i katundeve, që përbëheshin nga disa lagje me lidhje gjaku. Dalëngadalë, katundet u zgjeruan me elementë të tjerë të ardhur, duke u kthyer në njësi me lidhje fqinjësie, territoriale dhe jo gjaku. Këto njësi të reja që u zunë vendin katundeve, ishin fshatrat. Ky transformim ka vijuar deri në fund të mijëvjeçarit të parë të erës sonë. Emrat Kallarat, Progonat, Zhulat, Dukat të shpien në periudhën e katundeve, si njësi me lidhje gjaku që të krijuara gjatë disa brezash nga një i parë i përbashkët: Kallogjero për Kallaratin, Progoni për Progonatin, papa Zhuli për Zhulatin dhe Duka për Dukatin. Por me kalimin e kohës, lidhjet e gjakut erdhën duke u pakësuar, si rrjedhim i lëvizjeve të shumta, i largimeve të vëllazërive dhe i ardhjes së familjeve të huaja, që mbështeteshin në mëhallët vendëse.

Kjo popullsi rurale mbështetej në pronën private, që përbëhej nga bagëtitë dhe tokat e bukës, duke mbetur kolektive kullotat dhe burimet e ujit. Nga lashtësia ajo trashëgoi zakonin e shtegtimit nga një vend në tjetrin me bagëti, që njihet me emrin transhumancë, zakon që kushtëzohej edhe nga terreni malor, që dimrit mbulohej që në nëntor nga bora dhe e bënte të detyrueshëm shtegtimin e bagëtisë në kullota dimërore. Barinj "transhumanë" janë hasur dhe në Kallarat deri vonë. Familjet që merreshin me blegtori ose dhe të tjerë, kishin dy ose tri qendra banimi: shtëpi ne fshatin që u dogj, stane malore apo fushore si dhe kasolle në vërri pranë tokave të bukës për të mbledhur prodhimet. Në këto të fundit banohej përkohësisht, por pas djegies së fshatit më 1914 ato u kthyen në banime të përhershme.

Fillimisht, djepi i Kallaratit duhet të ketë qenë pllaja e Kurveleshit të Sipërm, ku thamë se u ngjizën katundet e lashta. Por me shtimin e numrit të familjeve lindi nevoja për hapësira të reja, kullota e toka buke. Kjo nevojë do t'i ketë shtyrë banorët e hershëm të Kallaratit të zbresin nga pllaja dhe të vendosen në shpatet perëndimore të malit të Kunjovës, që do të ketë shërbyer si vend ku banorët e tij zbritnin për të dimëruar bagëtitë. Fazën e parë kësaj lëvizjeje nuk ia dimë, por mund ta marrim vetëm më mend, duke u nisur edhe nga ajo që Kallarati është pjesë e Kurveleshit.

Duhet të kalojnë edhe disa shekuj të tjerë derisa emri i Kallaratit të shfaqet për herë të parë në dokumente të shkruara. Ai del më 1432 në regjistrin osman të tokave të sanxhakut të Shqipërisë si fshat i vilajetit të Kaninës, me 87 shtëpi (familje), i ndarë në timaret 88 e 90.

Me këtë numër shtëpish, Kallarati del si fshati më i madh i Kurveleshit. Jehonën e madhësisë së fshatit e gjejmë edhe në vargjet e kësaj kënge të vjetër që këndohet në fshat, ndonëse shifrat për numrin e shtëpive, të xhamive e të shitoreve janë të stërzmadhuara:

Kallarati për karshi

Në Kunjovë e për veri

Një mij'e dyqind shtëpi,

Kasaba e magazi,

Dyqane tridhjet' e dy.

Në defterin osman të vitit 1432, emri i fshatit del në trajtat Kalojrat e Kallojrat; në vitin 1507 del në trajtën Kiljorat; në letrën e shkurtit të vitit 1581 të krerëve të krahinës së Himarës për Papën e Romës (të botuar nga Nilo Borgia në librin "I monaci basiliani d'Italia in Albania", 1935, f. 21) del në trajtën Calojerates dhe Kalloqerat më 1583, në regjistrin osman të kazasë së Delvinës. Edhe në shek. e 18-të del dy herë: Calloghirates në një relacion italisht të priftit arbëresh Pal Skiro aty rreth vitit 1720, dhe Calozherates (sipas përkthimit shqip) në letrën dërguar nga krerët e krahinës më 1759 careshës Elisabetë të Rusisë.

Nisur nga këto trajta të emrit, prof. Ali Dhrimo e pas tij prof. Rami Memushaj emrin e fshatit e nxjerrin nga emri i përveçëm Kallogjero, që në trajtën e plotë dokumentohet si emër personi ose si mbiemër tek arbëreshët e Italisë, kurse në trajtën e shkurtuar haset si emër vendi: Kllogjër (Picar), Kisha e Kllogjrit (Bolenë), Guri i Kllogjrit (Çorraj) etj. dhe si mbiemër familjeje në Shqipëri. Prof. Eqrem Çabej ka treguar se emrat Progonat, Lazarat, Kallarat, nga pikëpamja gjuhësore janë shumësa kolektivë, dmth. Progonat do të thotë "të fisit e Progonit", Lazarat pasardhësit e Lazarit, Kallarat pasardhësit e Kalo(g)jeros.

VENBANIMI I KUNJOVËS

Vendi ku kanë jetuar për disa shekuj banorët e Kallaratit, është Kunjova, që ndodhet në rrëzë të malit me të njëjtin emër, në veri të Grykës së Shurit dhe në anën lindore të lumit të Shushicës. Ekzistenca e vendbanimit të vjetër të Kallaratit në Kunjovë vërtetohet nga toponimet e vjetra në Bolenë (Gropa e Kallaratit, Qafa e Kallaratit) dhe në Kuç (Pazaret e Kallaratit), si dhe nga legjenda që na përcillet nga vargjet e mësipërme. Ky vendbanim është i hershëm; aty kallaratasit duhet të kenë zbritur nga pllaja e Kurveleshit të Sipërm shumë kohë para pushtimit osman. Kufiri i Kallaratit fillonte nga Gryka e Shurit të Kuçit në jug deri në lumin e Mesaplikut në veri dhe midis Çipinit të Bolenës në lindje dhe lumit të Shushicës në perëndim.

Sipas legjendës, shkak për braktisjen e Kunjovës ka qenë një epidemi kolere. Dhe kjo legjendë nuk është pa baza. Në ato kohë vendin e pllakosnin periodikisht epidemi vdekjeprurëse e tërmete shkatërruese. Kështu, në burimet e shkruara përmenden murtaja e vitit 1628, tërmeti i vitit 1688, për të cilin thuhet se "përmbysi Akrokeraunin", murtaja e vitit 1720, kolera e 1744-ës etj. Këto fatkeqësi, të shoqëruara shpesh edhe me ekspeditat shkatërruese të turqve apo konfliktet midis fshatrave fqinje, i kanë detyruar shumë familje, madje edhe fise e fshatra të tëra të Kurveleshit të largohen në kërkim të vendbanimeve të reja më të sigurta ose të emigrojnë në zona të tjera a në vende të huaja. Koha e saktë kur ka ndodhur kjo shpërngulje e plotë e fshatit dhe shkaqet e saj nuk dihen me siguri, por ka shumë mundësi që kjo të ketë ndodhur jo më parë se fundi i shek. XVI.

Sipas legjendës që na e sjell kënga popullore, banorët e Kallaratit u goditën rëndë nga epidemia e kolerës, sa që në një natë vdiqën treqind vetë. Për t'i shpëtuar katastrofës, banorët vendosën të vendoseshin gjetkë, në një vend të painfektuar. Por duket se kolera nuk ka qenë shkaku i vetëm braktisjes së Kunjovës. Sipas dëshmive të plakut Ali Dalan Birçe të bëra më 1988 për historikun e Bolenës, themeluesit e Bolenës, Gjin, Kon dhe Laj Marica dhe babai i tyre, të cilët merreshin me blegtori, stanet e verës i kishin në Rexhinin e sotëm, kurse në dimër donin t'i zbrisnin bagëtitë për dimërim në vendin ku shtrihet Bolena sot. Po kallaratasit që banonin në Kunjovë nuk e lejonin fisin Marica që të zbriste në dimër në vërri, pse tokat i kishin bërë të vetat.

Fiset e Bolenës, vendosen t'i merrnin me forcë këto tokat e zëna nga Kallarati, por nuk kishin forca, se Kallarati ishte fshat i madh. Prandaj vendosën të lidheshin me kuçjotët. Banoret e Kuçit që qenë vendosur aty ku është qendra e Kuçit sot më vonë se Kallarati, donin dhe ata t'i shtrinin kufijtë në veri, kështu që interesat e përbashkëta pronësore bënë të mundur lidhjen e aleancës. Bijtë e Maricës, Gjini, Lai dhe Koni, për të forcuar aleancën u bënë vëllam me hajmali me Konin, që kishte themeluar Kuçin. Aleatët pritnin vetëm momentin e volitshëm për ta sulmuar Kallaratin.

Momenti erdhi kur Kallarati në vitet e fundit të shek. XVI u godit rëndë nga kolera. Kuçjotë e bolenas e sulmuan Kallaratin. Sipas tregimit të Ali Birçes, është bërë një luftë e ashpër në Gropat e Kallarate, vendi ku është sot Bolena. Ata i ndoqën banorët e Kallaratit dhe në vendbanimin e tyre u vendos fshati i Bolenës. Kallaratasit u larguan dhe u vendosën në Pilingri, në rrëzë të Bogonicës.

Në të vërtetë, në ato kohëra ka pasur konflikte mes fshatrave për hapësira kullotash e toka buke. Edhe në kohë të mëvonshme, aty nga fundi i shek. XVIII, kur Kallarati ishte vendosur rrëzë Bogonicës, ka pasur luftë me Kuçin dhe Bolenën, për të cilën do të flitet më poshtë.

Cilado të ketë qenë arsyeja e shpërnguljes nga Kunjova, kolera vetëm apo kolera dhe konflikti me fshatrat fqinje, e vërtetë është se Pilingria nuk ka qenë vendbanimi i parë i Kallaratit. Që Kallarati është vendosur në vendbanimin e ri aty nga fundi i shek. XVI, kjo mund të provohet edhe duke u mbështetur në legjendën tjetër të Kallaratit lidhur me atë se si u zbulua vendbanimi i ri.

Për t'i shpëtuar epidemisë, Vëllezërit Gjin dhe Pëllumb Toja, u nisën në kërkim të një vendbanimi të ri e të përshtatshëm për të vendosur në të pjesën e mbetur të fshatit. Orientimi ishte drejt malit të Bogonicës, se merrej për bazë dhe mbrojtja nga ekspeditat e pushtuesit. Duke udhëtuar nëpër një pyll të dendur, të armatosur me "tapanxha" (armë të atëhershme) vrasin një sorkadhe, që u pret rrugën. Të shtënat e pushkëve tronditin 25-30 familjet që banonin në rrëzë të Bogonicës (Pilingri), që menduan se po sulmoheshin nga ushtria turke, apo banda te ndryshme dhe u larguan me nxitim duke lënë gjithçka në vend. Legjenda thotë se u gjet gjella në zjarret e ndezura si dhe kupa e verës mbi lagjen, lënë pa pirë nga prifti. Nga kjo ka lindur dhe shprehja: "E la si prifti kupën mbi lagjen." (vendi ku vihej gota e verës).

Gjini dhe Pullumb Toja, pasi e këqyrën mirë vendin, e gjetën të përshtatshëm, për të vendosur aty fshatin. Aty kishte ca shtëpi, një krua, vend kulti, i mbrojtur dhe burime të tjera ekonomike. Ata u kthyen në Kunjovë, biseduan me të parët e fiseve (mëhallëve) dhe, pasi e pleqëruan, një pjesë e tyre u shpërngulën dhe u vendosën aty, rrëzë malit të Bogonicës.

Po Gjin e Pëllumb Toja i takojnë brezit të dytë të mëhallës Mërtigjin, e cila arrin në 15 breza. Duke qenë se për studimet demografik çdo brezni merret 33 vjet, atëherë 13 brezni përfshijnë një periudhë kohore prej 429 vjetësh (13X 33). Pra, del se braktisja e vendbanimit të Kunjovës ka filluar diku aty pas vitit 1580.

Braktisja është bërë me dhimbje e lot në sy. Thuhet se shumë prej tyre kanë marrë me vete nga një trastë me dhe për t'i mbuluar kur të vdisnin.

Këtë dhimbje e pasqyrojnë vargjet e mëposhtme:

Kallarat, o Kallarat,

Qaj për ty dit e natë,

Lotët nuk janë tharë.

Një trastë me dhe kam marrë

Të ma hedhin mbi trup në varr.

Vendbanimi i ri paraqiste kushte shumë të mira për jetesë. Kishte një hapësirë mjaft të gjerë për sistemimin e një popullsisë shumë më të madhe se ajo që vinte nga Kunjova. E ndodhur përkundrejt diellit, ajo rrihet gjithë ditën nga rrezet e tij, gjë që e bënte shumë të përshtatshme nga ana shëndetësore. Afërsia e saj me malin dhe kodrat e pyllëzuara lehtësonte mbarështimin e bagëtisë së imtë. Lënda e ndërtimit dhe djegëse ishte shumë afër dhe në sasi të mëdha. Më në fund, afërsia e saj me malin u siguronte mbrojtje të sigurt banorëve nga ekspeditat e pushtuesit.

Të shpërngulurit u vendosën në një hapësirë në formë trekëndëshi, mbi bazë mëhallësh. Me kalimin e kohës, morën formë lagjet dhe rrugët e fshatit. Shtëpitë u ndërtuan afër njëra-tjetrës me gur të punuar me kujdes, me mure të gjera, lidhur me brezar pishe, për të rezistuar sa me gjatë. Shtëpitë ishin me dy kate ose një kat e gjysmë; në katin e poshtëm ishte kuzhina apo katojt për zahire a mbajtjen e bagëtive. Portat me qemer guri, ta punuara me shije artistike, dyert e dritaret, tavani dhe dyshemeja ishin me dërrasë pishe dhe me mozaikë. Çatitë, sipas traditës së ndërtimit në Labëri, ishin të mbuluara me pllaka guri. Thuhet se gurskalitësit patën ardhur nga Janina, kurse për nxjerrjen e lëndës së drurit kanë punuar në Pirrëdrënjë 12 çifte sharrtarësh.

Banorët e Kallaratit, kur u vendosën në vendin e ri, ishin ende në fenë ortodokse. Prandaj si vend kulti ata shfrytëzuan dy kishat e gjetura. Me ndërrimin e fesë, në qendër ta fshatit u ndërtua një xhami me përmasa 17X 5 X 6 m. Xhamia kishte një oborr të mjaftueshëm; çdo mëhallë kishte shkallën e saj; në oborr, për freski, u selit një rrap i madh. Nën hijen e këtij rrapi zhvilloheshin mbledhjet apo kuvendet dhe merreshin vendime të rëndësishme për fshatin.

Rreth e rreth xhamisë ishin shtëpitë e ndërtuara më parë të fiseve Mërtiri e Gjokon; më poshtë ishin Qesërajt, në krye të Mërtigjine, anash ishin shtëpitë e Gjinasve dhe të Misërgjone. Vendosja ë shtëpive jepte një pamje piktoreske, duke formuar një ansambël kompakt, me rrugë që zbritnin nga kreu i fshatit në fund të tij. Këto banesa të ndërtuara me kudes, megjithëse u dogjën dhe u shkatërruan nga grekët më 1914, qëndruan më këmbë për afro një shekull.

Në këtë vendbanim nuk erdhën të gjitha familjet e Kunjovës që shpëtuan nga kolera. Një pjesë e tyre u largua në fshatra të tjera ose mërgoi jashtë vendit. Shumë syresh u vendosën në Borsh, në Piqerras, në Shevasi etj. Flitet që të ikurit nga Kallarati kanë formuar fshatin Sasaj; pilurjotët e mbajnë veten të ardhur nga Kallarati; në Dhërmi është një fis Strati, i ikur nga Kallarati; nga Kallarat është formuar mëhalla e Mërtikajve në Qeparo etj.

Në vitin 2005, Azbi Haxhi Strati shkon tek i vëllai në Greqi, i cili banonte në një ishull të Greqisë dhe shërbente si kamerier në një restorant. Në një nga ditët në këtë restorant vjen një çift turistësh nga Australia. Gjatë kohës që Njaziu, vëllai i Azbiut u shërbente klientëve, çifti australian dëgjoi mbiemrin Strati dhe e pyesin se nga ishte? Ai u thotë se jam shqiptar nga fshati Kallarat. Burri australian, i emocionuar, i thotë se dhe ai nga Kallarati ishte. Të parët e tij kishin ikur nga fshati afro 350–400 vjet më parë dhe se, në kujtim të fshatit të prejardhjes, mbanin akoma këtë mbiemër.

Fise ose individë të veçantë janë larguar nga Kallaratit dhe gjatë kohë që banonin në fshatin e ri, si p.sh. rasti i një vëllazërie të Breshane e të Qejvane të vendosur në, Dhëmblan, Martalloz të Tepelenës. Nga fisi Breshani që ka shkuar atje, rrjedh atdhetari Ismail Kaso, i cili, për të mos humbur fisi, i vë djalit emrin Breshan. Për të mërguarit në Greqi e Itali nuk ka të dhëna. Dihet vetëm se familje nga Kallarati janë hedhur në ishujt grekë Oton, me emrin "Strakëna", që ndodhen 40 milje larg Himarës. Këto për një kohë kanë ruajtur marrëdhëniet me himarjotët. Qysh atëherë në Kallarat përdoret mallkimi: "Vafsh në Strakëna!"

KREU I DYTË

NE VENDBANIMIN E RI

KUSHTET NATYRORE.

Kallarati ka një shtrirje gjatësore prej 3 km dhe gjerësi 2, 5 km. Në jug, përroi i Cergëzës e ndan nga fshati i Kuçit, në lindje kufizohet me Kuçin dhe me Bolenën, në veri e veriperëndim me Vranishtin dhe në perëndim Mali i Bogonicës (1672 m) dhe i Gjothanasit e ndajnë nga Vunoi, Himara e Piluri. Ashtu si fshatrat e tjera të luginës së sipërme të Shushicës, që janë edhe sot të vendosura rrëzë maleve, edhe Kallarati u vendos në shpatet e Bogonicës. Po sot ai është në mesin e pellgut të rrethuar nga malet: në njërën anë ngrihet Bogonica e mali i Gjothanasit dhe në anën tjetër Çipini; më larg në veriperëndim është mali i Bratit, kurse në jug malet e Kuçit.

Lartësia mesatare e Kallaratit mbi nivelin e detit është 354 m (niveli më i ulët, arat e Ruçe në Lëmëplak 254 m, fshati djegur 423 m). Ai ka disa pasuri tokësore, bimore e ujore, duke u dalluar për shumëllojshmërinë e formave të relievit: fusha, lugina, pllaja, tarraca, kodra, qafa, pyje e male, si dhe shumë rrjedha ujore: disa burime e përrenj, po mbi të gjitha lumi i Shushicës, që përbën një nga pasuritë më të rëndësishme të fshatit. Lumi i Shushicës e ndan Kallaratin pothuaj në mes. Ai hyn në territorin e fshatit tonë te shkëmbi i Bletëzës, që ndan Kallaratin nga Kuçi: nga kjo pikë e deri në Babëzote, ku ndahet kufiri me Vranishtin, janë 5, 6 apo 3, 6 km lumë. Prurjet mesatare vjetore të tij jane 23, 1 m3/sek, prurjen më të vogël e ka në gusht–shtator 4, 8 m3/sek, ndërsa prurjen më të madhe prej 43, 1m3/sek e ka pasur në dimrin e vitit 1964. Nga kufiri me Kuçin e deri në Lëmëplak shtrati i lumit është i ngushtë, për shkak se kalon mes brigjesh të larta; nga Lëmëplaku e deri kufi me Vranishtin, Shushica e zgjeron shtratin100 e më shumë metra. Kur vërshon, lumi bëhet i rrëmbyeshëm e i pakalueshëm, duke shkaktuar edhe gërryerje e përmbytje të tokave bujqësore dhe duke e ndërruar rrjedhjen nga një anë e shtratit në tjetrën. Shushica është burimi kryesor për ujitje. Qysh nga kohë që nuk mbahen mend, bujqit kallaratas kanë ndërtuar vija (kanale ujitëse), duke e marrë ujin nga sfratet në Gjimuf, në Skordholl dhe në Rapeta. Nga vitet '70 të shekullit të shkuar tokat mbi ujë të Gjimufit të Poshtëm, Varthit, Povlës e të përroit të Gjorme, u bënë të ujitshme me anë të elektropompave, që u vendosën nga shteti dhe që pas vitit 1990 u shkatërruan nga elementë të papërgjegjshëm.

Veç lumit, Kallarati përshkohet edhe nga disa përrenj, të cilët rrjedhin nga shpatet e përkundërta të maleve të Bolenës e të Kallaratit dhe derdhen në Shushicë. Nga malet e Bolenës burojnë përroi i Pajameut, Povlës, Skordhollit, Gjorme dhe i Kurpicës, ndërsa nga malet e Kallaratit burojnë përroi i Cergëzës, Ubavit (ku derdhen përroi i Njonjinit, Bodeit, Qesarules dhe i Bashait) dhe i Morrezës. Në dimër, përrenjtë kanë vërshime të mëdha, sidomos përroi i Brate dhe i Ubavit, kurse në verë shterojnë. Nga këta, përroi i Gjorme, Kurpicës, Bashait dhe i Morrezës përdoren dhe për ujitje. Përroi i Morrezës dhe i Bodeit vinin në lëvizje mullinjtë e blojës.

Vërshimi i Shushicës dhe i përrenjve në vjeshtë e dimër, veç që shkaktonin gërryerjen e tokave anës tyre, por dhe pengonin lëvizjen normale të popullatës dhe të bagëtive. Për të kaluar përrenjtë, në vende të ngushta ndërtonin mbi to ura me trarë e lesa druri. Po lumi ishte i vështirë për t'u kaluar nga vjeshta në pranverë dhe ura të tilla mbi të nuk mund të ndërtoheshin për shkak të gjerësisë së shtratit. Vetëm aty nga viti 1930 në Fierin e Sipërm u ndërtua një urë e lëkundshme (vinxhë) me kabëll çeliku të sjellë nga bashkëfshatarët Hasan Shameti dhe Abaz Shakaj. Më vonë, u ndërtuan edhe dy ura të tilla në Fierin e Poshtëm dhe në Rapeta. Me ndërtimin e rrugës automobilistike, që kalon përmes fshatit në një gjatësi prej 4, 5 km, u ndërtuan tri ura druri: një mbi përroin e Morrezës, një tjetër mbi përroin e Ubavit dhe e treta, ura e Memetes, mbi Shushicë, e cila u shkul nga lumi më 1964 dhe u ndërtua e re prej betoni një vit më pas.

Kallarati ka mbi 15 burime uji të pishëm: burimi i Gurrës, Qesarules, Bashait, Morrezës, i Llane në përroin e Gjorme, Nikolagjt, burimet e Gropës së Muçe, i Gjoçalit, dy burime të Strate dhe Toze në Përruan e Gjorme, i Povlës, Skordhollit, Game, Shtyllasit, Kurpicës etj. Burime uji ka edhe ne male: burimi i Hunës së Gurëve, Gjothanasit, Valit të Poshtëm dhe një burim i vogël në Bogonicë (burimi i Laçe). Kur fshati u dogj dhe fshatarët u shpërndanë në kasollet në krye të arave, si ujë të pishëm kanë përdorur dhe ujin e Shushicës, por për pastërti merrej herët në mëngjes.

Me prurjet e tyre, lumi dhe përrenjtë kanë formuar afërsisht 15 fusha me përbërje argjilore, të krijuara nga depozitimet e dheut dhe të humusit. Në krahun e majtë të lumit, duke filluar nga jugu, janë disa fusha: Gjimufi i Sipërm dhe Gjimufi i Poshtëm, Nakot, Fieri i Sipërm e Ubavi dhe Fieri i Poshtëm, Rapetat dhe Babëzotet; kurse në krahun e djathtë vijnë me radhë sheshi i Varthit, Dhimot, Povla, Lëmëplaku, Armixoret, Shtyllat dhe Lëfosa (Rrëza e Imerit). Të gjitha këto sheshe, me madhësi jo më shumë se 10 ha janë toka buke, pjesa më e madhe e tyre toka nën ujë. Ato ujiten nga disa vija (kanale): vija e Fierës, që e merr ujët nga lumi, pak mbi përroin e Cergëzës, dhe me një sistem kanalesh, lugjesh e akuaduktesh e sillte ujin deri në Ubav, Fier të Sipërm e të Poshtëm; vija e Rapetave, që e merr ujët te shtëpia e Tefo Feges, dhe vija e Babëzotes, e përbashkët me Vranishtin, që e merr ujët të shkëmbi i Kopriftit. Në krahun e djathtë është vija e Lëmëplakut, që shërben për të ujitur edhe arat, dhe deri vonë edhe për mullirin Lëmëplakut; vija e Armixores, që e merrte ujët te vinxha e Gjone dhe ujiste Armixoret e Shtyllat; dhe vija e ujit që e merrte ujët te shkëmbi i Kopriftit dhe ujiste Babëzotet, arat e Vraanishtit e të Tërbaçit, si dhe vinte në punë mullinjtë e Vranishtit.

Veç këtyre fushave, në grykat e përrenjve banorët kanë bërë prita e kanë ngritur mure mbajtëse, duke përfituar kështu ledhe e tarraca për mbjelljen e kulturave bujqësore. Të tilla janë ledhet e përroit të Brate, Skordhollit, të përroit të Gorme e të Kurpicave, të Ndrekështisë, Shelqet, Njonjinit, ledhet e përroit të Bodeit, Qesarules, Bashait, Morrezës, Argjimares etj. Disa prej këtyre ujiteshin me ujët e burimeve e të hauzeve, si arat e Kurpicës, Qesarulet, arat e Bashait dhe të Morrezës. Aty nga fundi i shek. XX u vunë në përdorim edhe motopompa në lumë, me ujin e të cilave u ujitën Gjimufi i Poshtëm, Dhimot, Varthi e Povlat. Sipërfaqja e tokave të punueshme të Kallaratit arrin në rreth 75 ha, pjesa më e madhe e së cilës është tokë nën ujë. Në këtë mënyrë, Kallarati ka më shumë tokë për frymë se gjithë fshatrat e rrjedhës së sipërme të Shushicës.

Pjesa tjetër e territorit të Kallaratit përbëhet nga kodrat dhe malet. Kodrat janë formacione flishore-argjilore që shtrihen në formë vargjesh të çrregullta në të dy anët e lumit dhe të ndërprera nga përrenjtë. Ato të krahut të majtë të Shushicës shkojnë në drejtim jug–veri: kodrat e Ramanait, Shelqit, Gjashtës, Varjeshtit, Bodeit, të Rrethit të Bardhë, të Bashait, të Harcës, të qafës së Koçiut, Qafës së Zezë, majat e Fierit etj. Këto janë të pyllëzuara me shkurre mesdhetare, si: mare, mrete, murrize, dëllinjë e pak përrall. dhe në lartësi më të mëdha ilqe e qelbës. Pyjet e shkurreve janë përzier aty-këtu me dushqe e panjë. Ndërsa kodrat e krahut të djathtë të lumit janë në trajtë kurrizesh dhe shkojnë nga lindja në perëndim, duke zbritur drejt Shushicës. Nga ky krah janë Vanrat, Çetllazi, Dhimot, Kullxhiu, Trapi i Fiqe, Derviçalit, Bregu i Luës, Gjimashet, Kodhima, Lëmplaku etj., të mbuluara me përrall e mrete, që janë të përziera me dushk e shqope; në lartësi më të mëdha mbizotërojnë pyjet e dushkut, që në ditët tona pothuajse prerë krejt. Në të majtë të Shushicës, në drejtimin jug–veri ndodhen Qafa e Gjashtës, Gjolagje, Varjeshtit, Bodeit, Pirrës, Dërrasës, Koçiut dhe Qafa e Zezë. Kurse në të djathtë të lumit janë: qafa e Vanrës, Kullxhiut, Çetllazit, Kurkubetës, Armixores dhe e Shtyllave. Në këto vargje kodrash spikatin disa maja, si e Gjashtës, Çetllazit, Derviçalit, Bodeit, Lëmëplakut etj.

Kallarati ka mal vetëm në anën perëndimore. Mali i Bogonicës është pjesë e vargut të Maleve të Vetëtimës. Ai ndahet prej malit të Çikës nga vali i Vranishtit, duke u ngritur si një kështjellë gjigante që bie në sy që larg. Nga tri anë, Bogonica rrethohet nga male e maja që zbresin shkallë-shkallë: nga veriu mali i Gjokëndreut (1393m), mali i Pirrëdrënjës (1402m) dhe Mali i Zi (1202m); nga perëndimi mali i Melishtit (1425m) dhe mali i Skëndolleshit (1382m); nga jugu Maja e Zogut (1464m), ndërsa në juglindje mali i Gjothanasit (1450m). Bogonica kulmon me një majë të rrumbullakët (Qenjëra), që është 1672 m mbi nivelin e detit. Nga kjo majë në mot të kthjellët duket Korfuzi, madje netëve pa re e pa avuj deti duken edhe dritat e brigjeve të Italisë. Bogonica është një mal hijerëndë; shumicën e vitit maja e saj është e mbuluar me re, të cilat ia shtojnë edhe më shumë madhështinë.

Bogonica ka një përbërje gëlqerore të metamorfizuar (stralli). Ajo dallohet për shumëllojshmëri relievi: në perëndim ka shpate të buta e të mbuluara me bar, në lindje shpate shkëmbore shumë të thepisura e të zhveshura, të vështira për t'u arritur e me rrezikshmëri për njerëzit dhe bagëtitë e imta. Në kohë të ndryshme, në to kanë ndodhur humbje jetësh, gjë që e tregojnë dhe emrat që mbajnë, që janë emrat e të aksidentuarve: Dërrasa e Merxhanes, e Bejkos, e Çipit, e Honit, e Gjokndreut, e Lulos, Lëma e Xhixhos etj. Edhe në kohët e reja në këto shpate kanë ndodhur fatkeqësi. Aty rrufetë kanë vrarë Razo Rjepin dhe Murat Ribin; aty është gremisur vajza e Pelivan Shakos dhe është plagosur duke mbledhur dafinë Melaize Begaj. Mbi fshatin e djegur, ndodhet Guri i Gjinasve, ku janë varrosur tre udhëtarë (thuhet nga fshati Brataj) që shkonin për Himarë, të cilët ngrinë në dëborë. Aty nga fundi i shekullit që shkoi u ranë në humnerat e Bogonicës afër 200 krerë dhen të kooperativës bujqësore.

Shpati lindor i Bogonicës të kujton pamjen e një koni vullkanik, të prerë tërthorazi, ku dy anët e Grykës së Honit janë shumë simetrike. Si rrjedhim i veprimit të dukurive karstike, konfiguracioni i këtij shpati paraqitet me shumë çarje, dhëmbëzime, shkrepa, hone dhe shpellat, si shpella e Ariut, e Bushit, e Reçit, e Panjës, e Kurrizit të Kone, e Boshe, e Brahimit, e Qilarit, e Hasan Kudhit etj. Disa nga këto shpella janë përdorur për strehimin e bagëtive, por në kohëra lufte në to janë strehuar banorët e fshatit, duke qenë se nuk ishin të arritshme nga armiku, madje, gjatë Luftës së Dytë Botërore, as nga predhat e mortajave dhe të topave.

Mali i Bogonicës nuk ka burime ujore, kështu që bagëtia zbresin për të pirë ujë në burimin e Valit, që ndodhet në shpatet juglindore të malit. Ujë ka pasur vetëm në sterra diku mbi grykën e Honit. Sipas një legjende, një nuse shkon me një kudhe të merrte ujë në një sterrë në Gropën e Bredhit të Bogonicës. Nga pakujdesia, kudhja i shket nga duart dhe bie brenda në sterrë. Kjo kudhe, duke ndjekur rrugën e ujërave të nëndheshme, doli në përruan e Morrezës, që buron nga mali i Bogonicës.

Bogonicë do të thotë "Mal i Zotit" (nga sllav. bog "zot"). Ardhësit sllavë e quajtën kështu mbështetur në traditën vendëse që këtë mal e kishte të shenjtë, duke përkthyer emrin e lashtë shqip të malit, që më pas ia la vendin emrit të huaj. Hamondi në librin e tij "Epiri" (1967) thotë se himarjotët ngjiteshin në malet e Akrokerauneve për t'i bërë fli Zeusit kaon. Ky vend ku banorët e të dy krahëve të maleve të Vetëtimës nderonin Zotin, nuk mund të ketë qenë tjetër veçse Bogonica, pasi maja e Çikës është e thikët dhe e paarritshme. Kjo është edhe arsyeja pse ky mal mban këtë emër. Bogonica është njëra nga dy majat e maleve ku u strehuan banorët dhe kryengritësit në kohën e ekspeditës së sulltan Bajazitit kundër Himarës më 1492 për të mos rënë në duart e akinxhinjve dhe të jeniçerëve.

Në Bogonicë janë edhe dy objekte me vlerë kulturore: Guri i Hijes dhe Lëmi i Lejlerëve. Lëmi i Lejlerëve, ose Lëmi i Shenjtorëve, ndodhet në perëndim të majës së Qënjërave, me pamje nga deti Jon, në një qafë midis Bogonicës dhe malit të Skëndolleshit. Është i rrumbullakët, shtruar me pllaka guri, me sipërfaqe 40–50 m2. Sipas gojëdhënave, emrin e mori ngaqë në këtë vend kërcenin shenjtorët dhe besohej se, në kohë thatësirash, po të bëje kurban, zoti jepte shi. Banorët ngjiteshin këtu në fillim të muajit qershor, kur bagëtia dilnin në male. Ata thernin si kurban desh të zinj, këndonin dhe hidhnin valle, bisedonin me njëri-tjetrin dhe i uronin njëri-tjetrit mbarësi. Uronin që gjatë verës të kishte lagështirë, që të rriteshin prodhimet bujqësore dhe bari për bagëtitë, që mali të kishte ujë për të pirë tufat e bagëtive, që viti të kishte qumësht dhe bletët të bënin mjaltë. Me kthimin në fenë myslimane, në Lëmin e Lejlerëve vinin vetëm barinjtë, që dilnin me bagëti në kullotat verore.

Guri i Hijes është një gur në trajtë paralelepipedi dhe me përmasa 12 x 6 x 3 m, që ndodhet poshtë Dërrasës së Bejkos, në të majtë të Grykës së Honit, në lartësinë 900 m mbi nivelin e detit. Këtë emër e ka marrë nga hija e malit që e zë këtë gur në orë të caktuara të ditës. Gjatë verës, nga qershori në gusht, lëvizja e hijes mbi gur shërbente për banorët e Kallaratit, të Kuçit e të Bolenës që ndodhen përkundrejt malit të Bogonicës si një orë natyrore që, në mungesë të orës, i ndihmonte të përcaktonin kohën. Kur hija mbulonte gurin, aty nga ora 3 pasdite, për fshatarët kjo do të thoshte se moti ishte freskuar dhe se ishte koha për të rifilluar punën në arë apo për të nxjerrë bagëtitë në kullotë.

Kallarati bën pjesë në zonën me klimë mesdhetare-kodrinore dhe pjesërisht në atë malore-mesdhetare, me një temperaturë mesatare 160C. E rrahin erërat të forta, shiroku (juga) në fillim të pranverës dhe murrlani (murrëri) në dimër, të cilat për shkak të relievit tokësor formojnë një kazan pështjellimesh. Reshjet janë të shumta, mesatarisht 2100–2200 mm në vit. Shirat fillojnë në vjeshtë dhe pushojnë në maj, intensitetin më të lartë e arrijnë në dimër, që është shumë i lagësht. Pjesa malore gjatë dimrit dhe në muajt e parë të pranverës mbulohet me borë. Në fushë, bora dhe ngricat nuk mbajnë gjatë, megjithatë në dimër bën shumë ftohtë. Vera në përgjithësi është e nxehtë dhe e thatë, gjë që vështirëson ujitjen e bimëve dhe në male mungesën e ujit për blegtorinë.

Konfiguracioni i territorit të Kallaratit, me shumëllojshmëri njësish tokësore dhe me një diapazon të madhe lartësie, nga 254 m në lartësinë 1672 m, si dhe rrjedhat ujore paraqesin kushte të përshtatshme për një botë bimore dhe shtazore të pasur. Flora dhe fauna janë të shumëllojshme, duke filluar nga shtrati deri në majën e Bogonicës. Si përfundim, territori i Kallaratit, Sipas lartësisë mbi nivelin e detit, tokat e fshatit ndahen në toka aluvionale, me përbërje superargjilore, që ndodhen në anën lindore të Shushicës; toka të hirta-kafe, që shkojnë deri në lartësinë 500–600 m, përbëjnë zonat kodrinore, të formuara mbi formacionet flishore; dhe toka livadhore, deri në lartësinë 1400–1500 m, që ndodhen në male: Gjothanas, Vale e deri në Bogonicë.

Bimësia është e vendosur sipas lartësisë në 4 kate. Kati i parë fillon nga makiet e bimë barishtore të ndryshme, shkurret me gjelbërim të përhershëm, si përralli, mbretja, marja, shqopja, dëllinja dhe ato gjetherënëse, si murrizi, trëndafili i egër, shkoza, rrapi etj., që shkojnë deri në lartësinë 700 m mbi nivelin e detit. Kati i dytë dhe i tretë shtrihen në zonën kodrinore dhe malore të ulët (deri 1200 m). Bimësia e kësaj zone përbëhet nga drurë të lartë, si lisi, panja, ilqja, frashri, krekëza, mollëza, rrobulli, dafina, pisha, bredhi i bardhë etj. Kati i katërt përfaqësohet nga pjesa e sipërme e maleve. Kurora malore, e zhveshur nga drurët, është me kullota alpine, që gjatë verës i ngjajnë një qilimi natyror.

Në kodrat dhe malet e fshatit rriten një numër i madh bimësh mjekësore, si: rigoni, sfaka, mëllaga, gjethe delli, dëllinja, murrizi, dafina, sherebeli, bari i bletës, truma, çaji i malit etj. Në kushtet kur mungonte shërbimi mjekësor disa prej këtyre bimëve janë përdorur në mjekësinë popullore për shërimin e sëmundjeve të ndryshme, ndërsa pas Çlirimit e këndej mblidhen dhe tregtohen, duke shërbyer për banorët si burim plotësues të ardhurash.

Pyjet më parë zinin rreth 40% të sipërfaqes së fshatit. Por banorët, për të plotësuar nevojat për lëndë ndërtimi dhe djegëse, i kanë dëmtuar në një masë të ndjeshme. Sidomos pas Çlirimit, për nevoja ndërtimi, dru zjarri dhe shtylla minierash, një pjesë e mirë e pyjeve u prenë nga shteti. Ndërsa këta 20 vjetët e fundit pyjet po digjen për kullota dhe për qymyr. Kështu që sot masive të tëra pyjesh dushku e ilqeje, si ato të Trapit të Fiqe, të Vanrave, të Shelqit, të Ramanait etj., janë zhdukur.

Ekzistenca e një flore të pasur, ka ndikuar dhe për një faunë të shumëllojshme: kafshë të egra, si: ujku, çakalli, derri, dhelpra, kunadhja, baldosa, lepuri, nuselala etj.; shpendësh, si: sorra, grifsha, laraska, skifteri, shkaba, qyqja, kali i qyqes, mëllenja, thëllëza, korbi, pëllumbi i egër, turtulli; dhe zvarranikësh e brejtësish. Në lumë dhe në përrenj gjenden lloje të ndryshme peshqish, si: mustaku, levreku, pestrova (trofta) e ngjala. Që gjatë Luftës, si pasojë e krismave të armëve të zjarrit dhe e shpërthimeve të bombave e të gjyleve, u zhduk kaprolli. Kurse pas Çlirimit, sipas ojë e prerjes së pyjeve, e shpërthimeve të minave për hapjen e rrugëve dhe e vrasjes me shpërblim nga shteti të kafshëve grabitqare, u zhdukën ujku, çakalli, dhelpra e kunadhja si dhe derri i egër. Flitet që kohët e fundit kafshët grabitqare janë kthyer e po shtohen dhe kanë filluar të bëjnë dëme sidomos në bagëti.

Kallarati ka pasur dhe ka edhe monumente kulture, pavarësisht se këto nuk mbrohen nga shteti. Të tilla janë ura e Shafiut, midis Fshirës dhe Bashait, dhe ura e Bodeit, që ka shërbyer për kalimin e ujit për ujitje dhe për të vënë në punë mullirin e Bodeit. Ura e fundit dhe ura e Nakos, nja 500 m në jug të saj, mendohet të jenë ndërtuar aty nga mesi i shek. XIX, kur, sipas Eqrem bej Vlorës, janë ngritur shumë vepra ujitëse në luginën e Shushicës dhe të Dukatit. Fshati i djegur, me rrugicat dhe shtëpitë dykatëshe, ka qenë një monument historik, por marrja e gurëve të shtëpive për ndërtimet në Morrez, e rrafshoi përfundimisht. Nga ndërtimet e mëvonshme, me interes janë shtëpia e Alem Toto Qejvanit, me dy kate e me avlli, në qafën e Ubavit, shtëpia e Izet Bushit, e ndërtuar më 1935, e Duze Barjamit dhe e Meçan Selamit në përrua të Gjorme. Veçantia e tyre është se ruajnë tipare të shtëpive të fshatit të djegur: janë me një kat ose me dy kate dhe qoshet e mureve i kanë të skalitura me finesë. Me vlerën e monumenteve të kulturës janë edhe disa objekte natyrore, si rrepet e Morrezës, lisi në Harcën e fshatit, Guri i Hijes, Lëmi Lejlerëve, vinxhi i vjetër etj.

MËHALLËT DHE VËLLAZËRITË E FSHATIT

Me kalimin e brezave, pasardhësit e një familjeje formuan vëllazëri dhe barqe, që bashkoheshin të gjitha në një lagje (mëhallë). Kur u ndanë familjet e mëdha, kurorat që dolën syresh, formuan disa barqe. Barqet që kishin lidhje gjaku nga babai formuan një vëllazëri dhe vëllazëritë me lidhje gjaku një lagje (mëhallë). P.sh., në Kallarat nga ndarja e familjes Amati u formuan tri vëllazëri: Strati, Qejvani dhe Çelo (Karabolli), që ishin tre djemtë e Amatit. Ndërsa shkëputja e Qesarit nga Gjok Koni formoij mëhallën e Qesërajve, nga e cila më vonë u formuan disa vëllazëri. Mëhallët në Kallarat në përgjithësi u formuan nga vëllazëritë me lidhje gjaku, por më vonë, në mbështetje të zakonit të kohës së kanuneve të lashtësisë, pati të ardhur që u mbështetën në një mëhallë. Mbështetja bëhej në atë mëhallë në tokën e së cilës të ardhurit ngulnin gozhdën. Janë afërsisht 7 vëllazëri që mendohet të jenë të ardhur.

Kanuni i Labërisë e ndalon martesën brenda një vëllazërive të një mëhalle, qofshin këto me lidhje gjaku ose të mbështetura (të ardhura). Kjo normë mbetet në fuqi në Kallarat. Megjithëse kanë kaluar 15 breza, në Kallarat nuk ka asnjë rast martese brenda mëhallës, ndonëse shkencërisht martesat brenda mëhallës lejohen që nga brezi i katërt e tutje.Familjet me të lashta prej të cilave kanë rrjedhur mëhallët e sotme të Kallaratit janë pesë: Gjokë Kondi, Gjin Ziu, Misir Gjoni, Gjin Nasi, Mitro Toja (po merret Gjini). Emrin mëhallët e kanë marrë nga bashkimi i emrit të djalit me emrin e babait:

1) Gjoka + Kon(d)i = Mëhalla e Gjokone, ose Gjokon

2) Gjini + Ziu = mëhalla e Gjiziut, ose Gjizes

3) Misir + Gjoni = mëhalla e Misërgjone, ose Misërgjon

4) Gjini + Nasi = mëhalla e Gjinase, ose Gjinas

5) Mitro + Gjini = mëhalla e Mërtigjine, ose Mërtigjin

Nga të parët e këtyre familjeve e deri sot janë 15 breza, ose rreth 500 vjet. Kjo do të thotë që brezi i parë ka jetuar afro 500 vjet më parë.

Mëhallët e fshatit kanë pësuar ndryshime natyrale, dmth. shtime dhe pakësime, dhe mekanike. Kështu, në brezin e tretë të mëhallës së Gjokone është shkëputur fisi Qesar Gjoka që ka formuar mëhallën e gjashtë në Kallarat, me emrin e Qesëraj (nga Qesar + aj). Nga vitet 20–30 të shek. XX, për arsye të një fëjese dy herë brenda vëllazërisë Jonuzaj shkëputen nga mëhalla e Gjizeze vëllazëritë Breshanaj, Xhaferaj, Meçaj, Boshaj, Zeqaj dhe Shero, që formojnë mëhallën me emrin Breshani, duke e çuar numrin e mëhallëve në shtatë, nga pesë që ishin në fillim: Gjokon, Gjizez, Misërgjon, Gjinas, Mërtigjin, Qesëraj dhe Breshanaj.

Luftërat, në radhë të parë, por edhe shkaqe të tjera, si epidemi e hasmëri, kanë shkaktuar largime nga fshati, por dhe ardhjen e familjeve të ndryshme. Sipas dëshmive të Alem Totos, Selam Toçit, Shamo Meçes, Hodo Shakajt, Teslim Stratit, Medin Ribit etj., në Kallarat kanë ardhur në kohë të ndryshme 7 vëllazëri:

1) Pulajt, që mendohet se kanë ardhur nga Hundëcova e Sarandës dhe janë mbështetur në mëhallën e Gjokone në breznin e pestë. I pari ka qenë Qesari pastaj Pulo – Hasan – Xhafer – Belul – Selam – Mecan – Xhezair – Ismet etj. Në vëllazërinë Qesar bëjnë pjesë dhe Derajt, të përfaqësuar nga Dërmishi dhe Dullahu, duke ndjekur vijën: Hasan – Dero – Emin – Islam –Dërmish – Lefter etj. dhe Hasan – Dero – Çobo – Laze – Dulla – Polo etj.

2) Gjombrataj (Bunecaj), të ardhur nga fshati Bunec i Sarandës, mbështetur në mëhallën e Gjinase.

3) Rjepaj, sipas Qerim Rjepit, të ardhur nga Vithkuqi i Korçës dhe mbështetur në mëhallën e Mitërgjine, në brezin e tetë. I pari i tyre ishte Hikua: Hiko – Ibro – Qerim – Neki etj. Mbiemri Rjepi nuk dokumentohet, duhet të jetë nofkë. Nofkë duhet të jetë dhe mbiemri Ribi, sepse ky nuk lidhet me trungun e vëllazërisë dhe konkretisht: Toja – Gjini – Skëndo – Yzeir – Skëndo – Yzeir – Skëndo – Boro – Tafil – Caush – Boro etj.

4) Petanaj, të ardhur nga fshati Matohasanaj i Tepelenës dhe mbështetur në mëhallën e Mitërgjine.

5) Janjaj, të ardhur nga fshati Janjar i Sarandës (sipas mbiemrit).

6) Habilaj, të ardhur nga fshati HundëKuq i Gjirokastrës nga gjysma e dytë e shek. XVIII, mbështetur në mëhallën e Gjokone në brezin e shtatë. I pari i trungut familjar quhej Habil, pra: Habil – Dervish – Habil – Matush – Bendo – Mevlan etj.

7) Ismaili (Izet Dauti), ardhur nga Gjirokastra si farkëtar dhe mbështetur në mëhallën e Gjinase. Kovaçanën e ngiti në Buzujk, në konakun e Toçe.

Në vëllazërinë Qejvanaj të mëhallës së Gjokone janë disa nënvëllazëri që kanë ndryshuar mbiemrin dhe kanë marrë mbiemra të tjerë, po pa e mohuar trungun e mëhallës, siç është rasti i Demirajve dhe Memushajve. Kurse disa vëllazëri të tjera përdorin mbiemra të tjerë, siç janë Pulajt, Derajt, Hitajt, Totajt e Muharremajt, po zyrtarisht mbajnë mbiemrin Qejvani, të vëllazërisë së cilës i përkasin. Kështu, edhe në Stratajt të tillë janë Zykajt (Ramadani) dhe Çelajt (Feini).

Vëllazëritë dhe nënvëllazëritë që përbëjnë mëhallët e Kallaratit janë:

1) Mëhalla e Gjokone: vëllazëritë Strati, Qejvani, Çelo (Karabolli), Habili. Mbiemri Karabolli është nofkë, nuk lidhet fare me trungun e mëhallës: Kondi – Gjoka – Qesari – Amati – Çelo – (5 brezni, nuk dokumentohen) fillon – Haxhi – Sejko – Haxhi – Birbil – Zini – Kastriot etj. Nënvëllazëritë e Qejvanit: Memushaj, Demiraj.

2) Mëhalla e Qesërajve: vëllazëritë Mehmeti – Shakaj – Hysoaliaj – Mataj – Tozaj – Janjaj –

Bushaj – Boçaj – Golloshaj – Thanasi.

3) Mëhalla e Gjizeze: vëllazëritë Llanaj – Jonuzaj – Kokëvelaj – Hoxhaj – Ruçaj (e shuar).

4) Mëhalla e Misërgjone: vëllazëritë Abazaj – Fejzaj – Harizaj – Lacaj (Leskaj), Goxhaj dhe Reçaj (e shuar).

5) Mëhalla e Gjinase: vëllazëritë Gjombrataj – Zhibaj – Toçaj – Sinavarfi (Davaci) – Jovanaj – Konaj – Ismaili (Izet Dauti).

6) Mëhalla e Mërtigjine: vëllazëritë Peatanaj – Begaj – Mecaj – Ribaj – Haxhiraj, Rjepaj, Hysi (Dauti).

7) Mëhalla e Mërtire (Breshanaj): vëllazëritë Breshanaj – Xhaferaj – Boshaj – Shero (Elezi) – Zeqaj – Maçaj (e shuar).

ORGANIZIMI I JETËS SHOQËRORE

Që nga fillimet e deri në krijimin e shtetit kombëtar më 1912, Kallarati, ashtu si gjithë Labëria, është qeverisur me kanun. Edhe pas kryengritjes së vitit 1847, kur shteti osman vendosi administratën e vet në Kurvelesh, legjislacioni osman nuk u pranua. Si ligj i pushtuesit, pranimi i tij do të thoshte nënshtrim i plotë ndaj pushtimit; së dyti, sheriati përshkohej nga një fryme anakronike e korruptive. Ligjet e tij pasqyronin mendësinë e një shoqërie primitive, shumë larg e shumë prapa mendësisë së shoqërisë shqiptare. Ato lejonin poligaminë, kërkonin bindjen pa kushte të gruas ndaj burrit, i mohonin kësaj të drejtën e trashëgimisë etj.

Në Kallarat është zbatuar Kanuni i Labërisë, i cili ishte shumë përpara në krahasim me ligjet e sheriatit. Normat e këtij kanuni nuk mbetën të ngurta, ato ndryshoheshin për t'iu përshtatur ndryshimeve në marrëdhëniet shoqërore, të pronës etj. Ligjet Osmane i ndalonin gratë të punonin, ndërsa kanuni e lejonte gruan të punonte krah për krah me burrin. Kanuni Labërisë lejonte martesat midis besimeve te ndryshme fetare, ndërsa ligjet e kishës (ortodokse e katolike) dhe ato të Kuranit i konsideronin të paligjshme.

Në normat e Kanunit të Labërisë dallohen dy shtresa, që ishin pasqyrim i periudhave të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë labe. Shtresa e vjetër kishte norma që mbronin pronën kolektive mbi kullotat dhe mullinjtë dhe shtresa e re, që mbronte pronën private dhe pronën kolektive. Pronë private e familjes, që trashëgohej në breza në Kallarat kanë qenë: shtëpia e banimit dhe trualli rreth saj, orenditë shtëpiake, gjëja e gjallë, arat, vreshtat dhe punishtet e ndryshme. Këto pronari kishte të drejtë t'ia linte trashëgim, t'ia falte apo t'ia shiste kujtdo (fisit, lagjes, fshatit ose dhe jashtë tyre). Pronë kolektive ishin mushatë e fshatit sipas lagjeve. Në pronën kolektive çdo familje kishte pjesën e vet, afër ose larg banimit. Kjo trashëgohej, por s'lejohej shitja apo trashëgimi jashtë familjes dhe lagjes. Prona të përbashkëta ishin kodrat, pyjet (jo ato afër banesave), rrëzat e maleve, mushatë e përhershme (lëndinat) dhe toka buke që kulloteshin bashkërisht pas vjeljes dhe korrjes së prodhimeve, burimet dhe rrjedhat ujore, kanalet e ujitjes dhe mullinjtë e blojës, që mbaheshin me punën e të gjithëve. Për bluarjen në mulli asnjë familje e fshatit nuk jepte ujem. Në një periudhë të mëvonshme, mullinjtë u bënë pronë individësh apo e vëllazërish. Kështu, mulliri i Toçe në Morrez u trashëgua nga Hanko Toçia (Janji), ndërsa mulliri i Lëmëplakut kaloi në pronësi të vëllazërisë Qejvanaj dhe më vonë u nda në pjesë midis disa familjeve. Për bluarjen në mulli vëllazëria nuk paguante ujem, kurse të tjerët jepnin ujem sipas barrëve që bluanin dhe të ardhurat e ujemit ndaheshin brenda vëllazërisë.

Në punët bujqësore kishte rregulla të caktuara që gërshetonin punën kolektive me punën private. Kështu, sfratet dhe lugjet bëheshin bashkërisht nga familjet që merrnin ujë prej atij kanali. Pjesa e kanaleve ujitëse jashtë arave bëhej nga bujqit sipas sasisë së tokës së ujitur, kurse kanalet në krye të arës i bënte i zoti i arës. Rregulla të tjera kishte për ujitjen, e cila drejtohej nga një komisioni i bujqësisë. Ujitja bëhej sipas sipërfaqes dhe ndahej në shate ujë nga komisioni i bujqësisë. Ky komision, për të pasur një ujitje normale, caktonte dhe radhën e mbjelljeve, sipas strukturës së tokës. Me shartet e Idriz Sulit, prona private forcohet në dëm të pronës së përbashkët. Kështu, në Kallarat kullotat si në male dhe në fushë, u ndanë në bazë lagjesh. Më vonë, kullotat e çdo lagjeje u ndanë sipas vëllazërisë e barqeve dhe çdo pjesë kullote u quajt shtrungë. Mali i Bogonicës u nda në tri shtrungë, Karabollaj, Laçaj dhe Shakaj, e kështu me radhë. Vëllazëria Strati në fillim mori malin e quajtur Qafa, po më vonë e këmbyen këtë me Karabollajt me pjesën e këtyre në Bogonicë. Kullotat e një vëllazërie i shfrytëzonin ato barqe që kishin bagëti dhe, më pakësimin e bagëtisë, u pakësohej edhe kullota. P.sh., mali që ishte pronë e vëllazërisë Strataj shfrytëzohej vetëm nga barku i Imos, vëllezërit Teslim, Meçan e Dule Strati, se Ramadani dhe Feini nuk kishin bagëti. Mushatë në Kallarat u ndanë me urdhër qeveritar në vitet 1916–1917.

Shartet e Idriz Sulit reformuan shumë aspekte të jetës. Në martesat, burri kishte të drejtë ta bënte vetë ndarjen me gruan, po pa vrasje dhe gruaja që ndahej nga burri, kishte të drejtë të merrte pjesën e pasurisë së vënë bashkërisht. Në shartet e I. Sulit të ashpra ishin dënimet për tradhti e vjedhje. Tradhtia konsiderohej krim edhe dënohej me vdekje dhe me shkatërrim të pasurisë. Në rast shkeljeje të kurorës si nga burri dhe nga gruaja, ndëshkoheshin të dy si fajtorë. Kurse për vjedhjet dënimi barbar i kohëve të Bizantit me prerjes të dorës, u zëvendësua me dënimin me gjobë: kur vjedhja bëhej jashtë shtëpisë, vjedhësi dënohej me dyfishin e vlerës së vjedhur dhe 100 grosh kallauz; kur vidhte brenda shtëpisë, paguante pesëfishin dhe 500 grosh kallauz. Dënime të rënda jepeshin për ata që bënin pretari në fshatra apo krahina të tjera. Por më e rëndësishmja ishte vendosja e rregullave për gjakësitë (hakmarrjet). Ai që donte të merrte hak (gjakun) kishte të drejtë të vriste vetë dorën vrasëse, ose babain, djalin, vëllain dhe nipin nga babai, pjesa tjetër e fisit të vrasësit nuk ruheshin nga hasmi.

Edhe Kallarati ka pasur pleq gjyqtarë që janë dalluar për njohjen, kodifikimin dhe interpretimin normave të kanunit. Këta thirreshin edhe në fshatrat fqinjë për zgjidhjen e konflikteve që lindnin për çështje pronësie, për gjakmarrje, ndarje kullotash etj. I tillë ka qenë Kamber Çelua dhe të tjerë më vonë, si Alem Totua, Veliko Murati etj. Në Kallarat janë ruajtur dhe një varg zakonesh të periudhës gjinore, të shprehura në përkrahjen e ndërsjellë. Kjo është mishëruar në forma të ndryshme të punës kolektive, në ndihmën me forca në korrje, prashitje, pastrim kullotash, qethje, ndërtim tendash të bagëtive, pastrim kanalesh ujitëse dhe sfratesh, prerje e transportim lëndësh ndërtimi, ndërtim e djegie kaminash etj. Në raste dasmash, karthjet (drutë) siguroheshin kolektivisht nga nuset e vajzat e mëhallës dhe fshatit, të cilat shkonin me këngë në pyll dhe ktheheshin po me këngë. Në shkop si simbol martese vinin një shami të kuqe, dhe një mollë, kurse i zoti dasmës therte mish dhe shtronte drekë për nder të tyre.

Veç ndihmës kolektive, që përfshinte pothuaj të gjithë banorët, për të vobektit dhe gratë e veja nga vëllazëria ose nga fshati jepeshin ndihma, me prodhime te ndryshme (sadaka) ose me bagëti (zeqate). Këto ndihma mblidheshin, nga të afërmit ose miqtë e atij që do të ndihmohej, por gjithmonë me pëlqimin e atyre qe do t'u jepej ndihma. Në mulli vihej një trastë dhe, kush bluante, hidhte një sahan miell. Ishte bërë zakon që blegtoret qumështin e mjelë ditën e parë ta ndanin në familjet që s'kishin bagëti. Për festat fetare, si bajrami etj., këto familje ndihmoheshin duke u dhënë një mish "kurban barjami".

Me shthurjen e marrëdhënieve patriarkale, kjo ndihmë filloi të quhej si lëmoshë. Më parë, ai që nuk jepte ndihma përbuzej duke i thënë "i balë", "i pacipë". Kurse më pas, ndihma nuk pranohej, pasi konsiderohej si lëmoshë. Kur dikush donte të thoshte se nuk kishte nevojë për ndihma, thoshte: "Nuk kam mbetur për lëmoshë" ose " S'të kam varur trastën" etj. Me gjithat, duhet thënë se përfundimisht kjo lloj ndihme u zhduk në pas mesit të shek. XX.

Format e ndihmës kolektive më vonë morën kuptim dhe përmbajtje më të thellë, duke shërbyer si bazë e bashkimit të fortë luftarak që u shfaq në shkallën më të lartë, gjatë Luftës. Antifashiste dhe në vitet rindërtimit të vendit të djegur e të shkatërruar nga lufta, në ndërtimin e shtëpive, shkollës së djegur nga pushtuesit; pjesëmarrja vullnetare në ndërtimin e veprave kombëtare, si hekurudha, rrugë automobilistike, kombinate, hidrocentrale, kanale ujitëse, pastrim kullotash etj.

Njësia më e vogël e organizimit shoqëror në Kallarat ishte familja patriarkale me shumë kurora që jetonin në një shtëpi dhe me ekonomi të përbashkët, në të cilën bënin pjesë meshkujt e një trungu, gratë dhe fëmijët e tyre. Familja kishte një hierarki drejtimi: në krye të saj qëndronte i pari i shtëpisë "plaku", që thirrej "babëzoti". Ky drejtonte gjithë familjen, gëzonte autoritet dhe respektin e gjithë familjes. Ai përfaqësonte familjen në fshat e kudo. Gruaja e tij, "mëmëzonja", merrej me organizimin e punëve brenda shtëpisë; mbante çelësat në brez, kishte ndodhur qe për arsye të ndryshme, kishte lënë çelësat, me humor i thuhej: Dorëzove çelësat e brezit, si trimi armët e mesit", pra barazohej me një trim". Kur babëzoti dhe mëmëzonja nuk ishin më në gjendje të qeverisnin shtëpinë ose ndaheshin nga jeta, këtë detyrë e merrte vëllai dhe kunata e madhe, ose ngarkohej të drejtonte edhe ndonjë tjetër që tregohej më i zoti.Nga fillimi i shek. XX, megjithëse familjet e mëdha patriarkale në Kallarat u shpërbënë, gjurmë të saj vijuan të ruheshin ende. Në shumë raste, djemtë e një familjeje që martoheshin vijonin të rrinin në familjen e prindërve edhe kur bëheshin me fëmijë e madje edhe pasi vdisnin prindërit. Në këto raste, detyrën e babazotit dhe të mëmëzonjës e bënin vëllai më i madh dhe e shoqja. Mbaj mend që në vegjëli jetonim me xhaxhain (vëllai i madh i babait). Ky, në rolin e babëzotit mbante kuletën, ndërsa xhaxhesha, në rolin e mëmëzonjës, mbante çelësat e sënduqit, ku mbyllte disa ushqime te rezervuara, sidomos kafe, sheqer etj., që përdoreshin për raste të ndryshme, si ardhja e mikut ose për festa, sepse ne fshat s'kishte dyqan.

Siçu tha edhe më sipër, shumë zakone të kanunit janë ruajtur edhe pas krijmit të shtetit kombëtar, duke u bërë një pengesë për një jetë normale në familje dhe për harmoni brenda fshatit e midis fshatrave. Prandaj qeveritë kombëtare, sidomos qeveritë progresive janë përpjekur të ngrenë opinionin vendëss për braktisjen e këtyre zakoneve. Kështu ndodhi në kohën e qeverisë demokratike të Fan Nolit, kur me nismën e Halim Xhelos dhe të elementëve të tjerë përparimtarë, kur më 28 nëntor – 4 dhjetor 1924, u mblodh në Kuç të Kurveleshit Kongresi i Labërisë, ku midis 300 burrave, ishin edhe përfaqësuesit e fshatit tonë Alem TotoQejvani, Telo Duro Zhibi, Meçan Selam Qejvani dhe Veliko Murat Breshani, i cili edhe ka diskutuar. Ky kongres vendosi zëvendësimin e normave të vjetra me norma të reja, si kufizimi i gjakmarrjes, i martesave në djep etj.Për çrrënjosjen e zakoneve të këqia 40 vjet më vonë, në qershor 1966, u mblodh në Horë të Vranishtit një kuvend tjetër i Labërisë. Ky kuvend miratoi një varg vendimesh, si ai për zëvendësimin e çitjaneve me veshjet me fustan e tuta, për ndalimin e ngarkesës së gruas, të fejesave me shkesi e në moshë të vogël, të pijes me dolli, si dhe për pakësimin e shpenzimeve për dasma e morte. Vendimet e këtij Kuvendi patën jehonë të gjerë dhe disa prej tyre u vunë në jetë. Kështu, më pas çitjane mbanin vetëm gra shumë të moshuara; u braktis dollia me detyrim dhe disa shëndete mund të piheshin më një gotë etj. Por tërkuza nuk u hoq, jo vetëm për shkak të mungesës së kafshëve të ngarkesës a të mjeteve motorike, po edhe për karakterin tepër të thyer të terrenit.

ORGANET VETËQEVERISËSE

Siç u thamë sipër, në kuadrin e venomeve të fituara pas kryengritjes së vitit 1492, Labëria është vetëqeverisur. Në këtë sistem vetëqeverisjeje, çdo fshat përbënte një njësi autonome, që kishte organet vendore të qeverisjes: individuale dhe kolegjiale. Organe individuale kanë qenë plaku i shtëpisë, i barkut, i vëllazërisë dhe i mëhallës; kurse organet kolegjiale përbëheshin, nga këshilli i pleqve të barkut, lagjes (mëhallës), fshatit, krahinës dhe kuvendet e të gjitha shkallëve. Plaku i barkut, lagjes gjykonte dhe zgjidhte konfliktet brenda këtyre njësive familjare si dhe përfaqësonte barkun në këshillin e pleqësisë së lagjes, ose lagjen në këshillin e pleqësisë të fshatit. Mosmarrëveshjet brenda lagjes i zgjidhnin këshillat e tyre e pleqve, të përfaqësuar nga një për çdo vëllazëri. Konfliktet midis dy shtëpive ose individëve të lagjeve të ndryshme i gjykonin pleqtë e këtyre lagjeve.

Këshilli i pleqve të fshatit përbëhej nga një burrë me përvojë e autoritet dhe i njohur për ndershmëri i zgjedhur nga çdo lagje. Ky këshill shqyrtonte ngjarjet që ndodhnin midis familjeve, fiseve, lagjeve dhe kur të dëmtuarit ishin jetimë ose të huaj etj. Vendimet merreshin në mbledhje të fshehta. Këshilli i pleqve kishte të drejtë të jepte dënime të rënda për vjedhje, grindje kufijsh, çështje nderi, vrasje, tradhti dhe shkelje zakoni. Vendimet kishin formë të prerë dhe pas komunikimit viheshin në zbatim nga persona të autorizuar prej tij. Në rast se palët nuk pranonin t'i zbatonin vendimet e pleqve të fshatit, kërkohej ndërhyrja e këshillit të pleqve të krahinës, që përbëhej nga 33 pleq, nga një për çdo fshat të Labërisë.

Këshilli i pleqve i çdo shkalle për të gjykuar ngjarjet, më parë hetonte me hollësi rrethanat, pastaj thërriste të interesuarit, që i dëgjonin me gjakftohtësi e maturi dhe në fund merrnin vendimet përkatëse. Vendimet u bëheshin të njohura çdo lagjeje dhe të interesuarve. për t'i zbatuar. Procesi i gjykimit ishte i njëjtë, si për çështjet civile dhe ato penale. I dëmtuari kishte të drejtë të bënte padi ose të falte shkaktarin.

Zakonisht, gjyqi i çdo shkalle në fillim mundohej t'i pajtonte palët. Në qoftë se i dëmtuari e falte të akuzuarin, fajtori shkonte dhe i kërkonte falje të dëmtuarit. Si simbol pendimi ai varte në qafë një degë hardhie dhe i thoshte: "Jeta ime është në dorën tënde" dhe e puthte. Për faljen e gjakut bëhej një ceremoni pajtimi në prani të këshillit të pleqve dhe të të afërmve të të dy palëve në gjakësi. Vrasësi shkonte me duar lidhur, falësi i gjakut zgjidhte duart e vrasësit, duke thënë fjalët: "Koka e falur nuk pritet". Po në rast se i dëmtuari s'pranonte, gjyqi e gjykonte çështjen dhe merrte masa dënimi për shkaktarin sipas shkallës së fajit. Në gjykimin e çështjeve, gjyqi i pleqve mbështetej në të drejtën zakonore të Labërisë, duke ndjekur disa procedura të caktuara. Pranë tij vepronte një lloj jurie hetimore; këta gjatë hetimit dhe në dhënien e vendimit mbështeteshin në "motërzimet" ose në analogji me çështje të gjykuara më parë, ashtu siç bëjnë gjykatat sot. Për ngjarjet e rënda, si vrasje, vjedhje e çështje nderi, angazhoheshin shumë njerëz për të ndihmuar në hetim të ngjarjes dhe gjykimi zgjaste. Pleqtë ngarkonin një person me përvojë dhe të ndershëm të quajtur "këpucar", ose "këpucëgrisur", që ishte njëlloj hetuesi. Ky e mori këtë nofkë, se gjatë hetimit, duke bredhur, do të griste këpucët.

Kur i akuzuari e pranonte fajin, gjyqi i pleqve e kishte të lehtë të jepte vendimin përkatës, që jepej në vend; kur i akuzuari s'e pranonte fajin, i kërkohej të betohej. Kur pleqtë apo akuzuesi nuk besonin në betimin e të akuzuarit, gjyqi më parë dëgjonte porotët (betarët) e të akuzuarit, të cilët bëheshin garantë për të. Betarët caktoheshin nga këshilli i pleqve dhe një pjesë nga i akuzuari, por të gjithë duhet të ishin të njohur për ndershmëri. Numri i betarëve varej nga ngjarjet e ndodhura: për vjedhje të bagëtive të imta 3 betarë, për të trashat 6–8, për vrasje, plagosje, pajtime gjaku etj. 24, pra nga 3–24 betarë.

Betarët, me leje të gjyqit të pleqve, merrnin të dhëna nga "këpucari"; në rast se nuk besonin në saktësinë e deponimeve të tij, i kërkohej të betohej për vërtetësinë e atyre që depononte. Kur porota bindej se provat e dhëna nga këpucari ishin të sakta, nuk betohej para pleqve për pafajsinë e të akuzuarit. Gjyqi e shpallte të akuzuarin fajtor dhe i jepte dënimin përkatës. Faji i ngelej të akuzuarit edhe në qoftë se mungonte qoftë dhe një prej betarëve.

Formulat e betimit për të besuar ishin: "Mbetsha pa gunë në dimër, pa dhallë në behar dhe pa grua në pleqëri", "Për atë diell që vete i lodhur", "Më thertë Çipini", "Më thertë Baba Tomori" etj., në qoftë se nuk them të vërtetën. Nga të moshuarit kemi dëgjuar për një person që akuzohej se kishte vjedhur një ka. I zoti i kaut kërkoi që i akuzuari të betohej. Ky pranoi, por, kur iu kërkua të betohej: "Mbetsha pa plakë në pleqëri", u tërhoq nga betimi dhe dorëzoi kaun. Në Kallarat, njërit i vodhën kaun. Për gjetjen dhe ndjekjen e gjurmëve praktikohej njihej si specialist Ramadan Strati, i cili, me kërkesën e të zotit të kaut, ndoqi gjurmët nga kishte shkuar kau. Gjurmët e shpunë në Kuç, afër shtëpisë së Malo Ruçit. Mbi këtë bazë, pronari i kaut e akuzoi atë si vjedhës, po Malua nuk pranonte. Këshilli i pleqve të Kuçit e gjykoi ankesën në bazë të normave zakonore dhe vendosi që, veç Malos, të betoheshin dhe 6 betarë. Betarët nuk kishin besim të plotë tek i akuzuari dhe si besimtarë trembeshin Zotit për betimin e rremë. Kështu që, kur u betuan, thoshin: "Për këtë e me thertë dhe Malo Ruçi jashtë". Me këtë u kuptua që ata nuk ishin garantë për Malon dhe këshilli i pleqve të Kuçit e detyroi Malon të kthente kaun.

Në një rast tjetër, vjedhja ndodhi brenda fshatit. Qejvan Kamberi vodhi kaun e Çelo Boshit. Çelua, që e kishte zbuluar se kaun ia kishte marrë Qejvani dhe e kishte therur, kërkoi që çështja të gjykohej nga këshilli i pleqve. Gjykimi u bë në Harcën e fshatit dhe vendimi që u dha ishte që Qejvani, në vend të kaut, t'i jepte dhentë. Dhe vendimi u zbatua.

Xhebro Muçua për këtë vuri këto vargje satirike:

Qejvan, kokë qoshe-qoshe...

Ç'i bëre dhëntë kataroshe?

I dhe për Balashin e Boshe.

Për fajet e lehta ose dëme në ekonomi, fajtori dënohej me "kanosi" (gjobë) që duhej t'ia paguante të dëmtuarit. Shlyerja bëhej në natyrë, me para ose me punë publike. Për të caktuar masën dhe llojin e gjobës, këshilli i pleqve kishte çmesit, që kishin përvojë dhe ishin të ndershëm. Këto gjoba vijuan edhe kur hynë në fuqi ligjet e shtetit kombëtar. Njihen për çmesë në bujqësi e pemëtari pas viteve '30 të shek XX Nelo Golloshi, Rrapo Breshani dhe në blegtori Maman Boçi, Teslim Strati e Sabri Demiri. Gjoba mblidhej nga njerëz zbatues të vendimit dhe nga bekshiu i fshatit (këshillit), të cilat askush nuk kishte të drejtë t'i kundërshtonte. Kuvendi i Labërisë disa krime, si: tradhtia, prerja në besë e mikut, e hasmit që kishte kërkuar falje; kusaria në ditët e dasmës, vdekjes, vjedhja e teshave të gruas, sharkut të çobanit, këmborës e ziles së përçorëve; vrasja e qenit, zanatçiut, udhëtarit te huaj dhe njerëzve të kultit (hoxhës, dervishit, priftit); kurvëria, prekja në nder e gruas, motrës, nënës, qoftë dhe duke i prerë rrugën, duke i marrë shaminë apo duke i prerë tërkuzën e ngarkesës, i ka quajtur çështje nderi dhe ka caktuar dënime të rënda, që fillonin dënimin me vdekje, me djegie të pasurisë, dëbim nga fshati ose mëhalla.

Dënime të tilla janë dhënë edhe mbi banorë të Kallaratit. Kështu, pas luftës me andartët grekë në Lëkurës të Sarandës, robërit e zënë u ndanë nëpër fshatra. Në Kallarat midis tyre ishte një oficer dhe një ndihmësmjeke e quajtur Helenë, që ishin vendosur në shtëpinë e Toçe, rrëzë Bogonicës. Qëlloi që gjatë kësaj kohe të sëmurej rëndë një djalë i quajtur Hamit, i cili nuk dihet se i ç'fisi ishte. Gratë e familjes, të shqetësuara, vunë ulërimat që u ngritën më këmbë lagjen. Burra e gra vrapuan për ndihmë, po djali kishte kaluar në gjendje kome dhe nuk dinin çfarë të bënin. Për fat të mirë, në ato çaste vjen ndihmësmjekja Helena, e cila e diktoi që djali kishte kapërcyer gjuhën në gurmaz, merr një lugë, i hap gojën dhe i nxjerr gjuhen dhe në të njëjtën kohë i jep frymë me gojën e saj. Djali shpëtoi. Familja dhe vetë Hamiti e falënderuan Helenën dhe krijuan njëfarë miqësie me të, miqësi që u bë shkak për një ngjarje jo të këndshme.

Një natë, Hamiti shkon në banesën ku jetonte Helena. Ajo e priti, por këtij, si duket, i kishin lindur ndjenja dashurie dhe u përpoq ta puthte. Gruaja bërtiti, dëgjuan fqinjët dhe fshati e mori vesh që ishte Hamiti. Veprimi i tij u konsiderua çështje nderi që njolloste fshatin në sytë e botës, se gruaja ishte e huaj dhe robe lufte. Për këtë pleqësia e gjykoi Hamitin, që nuk e dënoi me vdekje, por me dëbim përgjithmonë nga fshati. Hamiti detyrohet të shkoi nizam në ushtrinë turke, ndërsa Helena pas ca kohe u përcoll me respekt në vendin e saj, në Greqi. Hamiti nuk u kthye më në Kallarat. U mendua se mund të ishte vrarë ose kishte shkuar tek Helena në Greqi.

Alem Totua vrau për çështje pronësie kushëririn e parë të tij, Lifto Memushin. E gjeti këtë duke punuar arën që Alemi mëtonte se i takonte dhe, për të gjetur një shkak për sherr, e uroi: "Puna prapë!". Liftua iu përgjigj: "Prapë paç!" Pas kësaj Alemi nxori koburen dhe e vrau tek punonte. Ky qe një krim shumë i rëndë brenda vëllazërisë. Pleqësia e fshatit u mblodh dhe, pasi i gjykoi me hollësi rrethanat e vrasjes, e dënoi Alemin me dëbim familjar për disa vjet në Dukat, ku edhe sot familja e Qejvane ka miq. Kur personi i dënuar vuante dënimin në vendin e dëbimit, familja e të dëmtuarit nuk kishte të drejtë të merrte hak. Rregulla tjetër e kanunit ishte që gjatë vuajtjes së dënimit personi i dënuar nuk duhet të shkelte në territorin e fshatit të vet, përndryshe, po ta thyente këtë rregull, familja e të vrarit kishte të drejtë të merrte hak. Dëbimi ishte një masë për të ndaluar gjakderdhjen. Largimi i vrasësit për një kohë të gjatë i ulte gjakrat dhe gjakmarrja ndërpritej. Kështu ndodhi edhe në rastin e Alemit, që, pas kthimit, rivendosi lidhjet me vëllazërinë. Po që nga ajo kohë, pasardhësve të tij nuk u janë ndarë fatkeqësitë.

Por duhet thënë se disa ngjarje që kishin të bënin me çështje nderi ose edhe me çështje të tjera janë zgjidhur me vetëgjyqësi, që kanë çuar në humbje jetësh. P.sh., Fein Çelo Strati në vitet 1910–1912, zë në flagrancë Delo Haxhi Karabollin me të motrën, të martuar me Ramadan Hoxhën, i cili në këtë kohë ishte ushtar larg familjes. Mbështetur në kanun, Feini vret të motrën dhe jaranin (sipas kanunit, femra që zihej në flagrancë quhej bushtër, kurse mashkulli qen). Kjo i nxori famën Feinit, që në atë kohë ishte vetëm 15 vjeç. Karabollajt donin të merrnin hak, por kanuni i ndalonte, pse ishin vrarë të dy në flagrancë. Më vonë, këto dy familje u falën, duke shkuar Feini, i shoqëruar nga fisi, te Damua, sipas zakonit duke mbajtur pushkën me grykë poshtë.

Viktimë e ngjarjeve të tilla ishin sidomos gratë. Kështu, Meçan Imer Strati, i cili kishte marrë për grua Mezine Maçin, kur kthehet njëherë nga çeta e Sali Vranishtit, nuk e gjen gruan në shtëpi. Kjo kishte shkuar në derëbabe. Kur pyeti pjesëtarët e familjes, dikush prej tyre iu përgjigj pa e peshuar: "Nuk e dimë. Kështu është: Jep paranë e merr belanë." Duke dyshuar se ishte fjala për çështje nderi, Meçani shkoi në shtëpi dhe, pa u menduar thellë, e vret të shoqen. Haka Mezines nuk iu mor, po vetë Meçani më vonë u pendua dhe krimi që bëri i mbeti peng për tërë jetën.

Aty nga fundi i shek. XIX, këshilli i pleqve të Kallaratit gjykoi për vjedhje për dy-tre vjet të taksave të fshatarëve dhe dënoi me vdekje taksidarin Shafi Janjin, duke ngarkuar persona për zbatimin e vendimit. Shafiu, për të shpëtuar, vendosi të largohej për ca kohë në Korfuz. Ai mbante roje Ibro Rjepin, po ditën që u nis Ibroja nuk qe me të. Në mëngjes herët, tek ura e gurtë midis Bashait dhe Fshirave (tani ura e Shefiut), i dalin 3-4 djem, emrat e të cilëve kurrë nuk u morën vesh. Këta e presin dhe, mbasi i urojnë rrugë të mbarë, e ftojnë të dredhin nga një cigare. Në ulje e sipër e godasin me sëpatë në kokë dhe e varrosin në një gropë aty afër. Ibro Rjepi, cili do të ketë qenë vënë në dijeni për planin, u fsheh për ndonjë jave, pastaj shkoi tek familja e Shafiut dhe i thotë që vajti në Korfuz dhe do të rrijë gjatë.

Vrasja mund të mos ishte zbuluar dhe Shafiu do të kërkohej në Korfuz. Por, siç thotë popullit, toka nuk mban të fshehta. Pas 2-3 muajsh, qymyrxhinjtë zbulojnë rastësisht trupin e një të vdekuri të groposur. Lajmëruan në fshat dhe doli që trupi ishte i Shafiut. Ibro Rjepi u cilësua si bashkëpunëtor në krim dhe dënohet me burgim nga shteti turk. Pas daljes nga burgu, Tasim Janji vret për hakmarrje Ibron. Por meqenëse vrasja e Shafiut ishte bërë me vendim të këshillit të pleqve bazuar në kanun, fisi i Janje nuk duhet të merrte hak. Për këtë, djemtë e Ibros, Razo e Qerim Rjepi, për hakmarrje vrasin më 1924 Tasim Janjin. Çështja u mbyll me kaq dhe të dy familjet u pajtuan.

Po kur ishte fjala për kryengritje a luftë kundër pushtuesit gjaqet liheshin mënjanë ose në kohë më të vona faleshin. Kështu, Daut Veiz Shakaj, në vetëmbrojtje, në grindje e sipër për një dele vret Demir Avdul Demirin dhe dy familjet ngelën në gjak. Dauti, pasi doli nga burgu, u largua nga fshati e u vendos në Qishbardhë të Vlorës dhe Demirajve u mbeti haka pa marrë. Po plasi lufta kundër fashizmit, të dy palët u rreshtuan në një front dhe pas çlirimit Demirajt e falën gjakun.

Një ngjarje tjetër tragjike ndodhi në verën e vitit 1940 në Valin e Poshtëm. Dy të rinj, Avdul Demiri dhe Jaho Xhebro Golloshi u grindën për disa arka fishekësh të mbetura nga Lufta Italo-greke. Në grindje e sipër, Abdyli e plagos me një gur në kokë Jahon, i cili, megjithëse mjekohet, ndërron jetë pas disa ditësh në spital. Në janarin 1943, kushëriri i Jahos merr hak, duke vrarë nipin e Avdulit, Aliko Mëno Demirin, në moshë 13–14 vjeç, po, në të njëjtën kohë, plagoset dhe vetë. Këshilli antifashist dhe populli e dënuan këtë veprim të bërë ndaj një moshe të vogël dhe në kohën që hakmarrja ishte ndaluar nga ligjet e LANÇ. Feriku i vënë nën presion popullor, pendohet dhe, duke qenë luftëtar në çetën "Mumin Selami", bie dëshmor në luftë kundër nazistëve. Me ndërhyrjen e Këshillit, të dy familjet u pajtuan dhe vijuan luftën së bashku për çlirimin e atdheut.

Vrasje të banorëve të Kallaratit kanë ndodhur dhe në fshatra të tjera. P.sh., Alim Delo Mehmeti në vitet 1906–1908 ishte kaçak. Për t'u ruajtur nga turqit ishte strehuar në malin e Dukatit tek disa sharrëxhinj të pajtuar nga një i dukat me emrin Murat. Gjatë një sherri mes shokëve të tij dhe sharrëxhinjve, këta vrasin një nga kaçakët që ishte me Alimin, i cili, për hakmarrje vret dy sharrëxhinj dhe hyn kështu në hasmëri me Muratin. Ky i fundit detyrohej nga kanuni t'u merrte hakën sharrëxhinjve, që ishin nën mbrojtjen e tij, dhe vret Alimin. Por zinxhiri i vrasjeve nuk mbaroi me kaq. Edhe pse Murati qe në të drejtën e tij, më 1943 vëllai i Alimit, Llano Delua, së bashku me Nebo Qejvani, vrasin një djalë nga fisi i Muratit.

Këtë e tregon dhe kënga që i është kënduar Alimit:

Atje në Lumë të Bardhë

Shkuan ca udhëtarë,

Gjetën një njeri të vrarë,

Alim Delo Kallaranë.

Alim Delo Kallarati

E kish porsitur i jati,

Djalë mos shko nga Dukati,

Se do të vrasë Murati,

Se s'i ka dalë inati,

Se inati s'i ka dalë

Për sharrëxhinjtë që ke vrarë .

Për motive të dobëta në Shënvasi të Delvinës më 1923 vrasin Meto Jazo Davacin (Sinafarvi), të cilit iu mor haka; në një rast tjetër, një i smokthinjot vret më 1933 në Vlorë shokun e punës Leven Boro Ribin për t'i marrë lekët. Edhe këtij haka iu mor më 1943. Njeriu që nuk merrte gjakun, ofendohej duke i thënë: "Ike, more! Mos më shite p..., se ti s'je i zoti të marrësh hakë." Nder fitonte ai që merrte hakën pa vajtur dreka. Kështu ndodhi kur një nga Ibrajt e Vranishtit vret në mal Aziz Karabollin. Damo (Karabolli) nuk u mor me të vrarin, por shkoi dhe vrau brenda drekës të vëllain e vrasësit, Matush Ibron, që e arriti në Qafë të Dushkut duke shkuar për Vlorë. Kjo bëri bujë të madhe jo vetëm në fshat, por dhe në krahinë si një rast shumë i rrallë.

Zakoni e kërkonte që në marrje të gjakut ose në mbrojtje të merrnin pjesë të afërmit dhe miqësia. Kështu u veprua në Kallarat kur u mor haka e Halim Delos në Dukat, ku veç të vëllait (Llanos) mori pjesë dhe Nebo Qejvani; në marrjen e hakës për Leven Ribin mori pjesë dhe i kushëriri Muslli Birçe Ribi etj. Ditën që gjaku lahej, qëllohej me pushkë dhe bëhej një ceremoni. Hakmarrësi e quante veten të çliruar, të nderuar dhe nuk fyhej më.

Ndodhte që në kohë lufte ose kur jetoje bashkë larg fshatit, hasmët bashkëjetonin me njëri-tjetrin. P.sh., Teslim Strati dhe Damo Karabolli ishin të dy me dhen në Bogonicë. Në grindje e sipër për barin e dhenve, Damua u orvat ta vriste Teslimin, por iu blloku dograja (arma). Teslimi, për vetëmbrojtje e plagos me kamë në këmbë. Për këtë të dy u burgosën në Korçë. Teslimi pagoi edhe shpenzimet mjekimit të Damos. Por të dy jetuan bashkë në burg, sikur të mos kishte ndodhur asgjë dhe ushqimet që u vinin nga familjet, i hanin së bashku. Edhe kur u liruan nga burgu, nga Korça për në Kallarat udhëtuan bashkë. Mirëpo kur arritën në kufi të fshatit, Damua i thotë Teslimit: "Tani ruaju, se më ke hasmë."

Duhet thënë se Kallarati nuk ka qenë i dëgjuar për hakmarrjet. Po megjithëse të pakta, vrasjet për motive të ndryshme dhe hakmarrja qenë një zakon i egër. Ky zakon u zhduk vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, kur autoriteti i shtetit u rrit si kurrë ndonjëherë më parë. Kështu, nga 1944 e deri sot në fshatin tonë nuk ka pasur asnjë rast vrasjeje, madje as konflikte të rënda që të kenë përfunduar në gjyqe. Pas shtypjes së kryengritjes së Tanzimatit, në Shqipëri u zbatua sistemi i kryepleqësisë. Nga kryepleqtë e kësaj kohe mbahet mend Kamber Çelua, si një njeri i shkolluar, mençur e i zoti. Për të ndihmuar fshatarët që të mos i dërgonin djemtë nizamë (ushtarë) e redifë (rezervistë) dhe të mos paguanin taksat, i mashtronte organet qeveritare turke duke u deklaruar se s'kemi të tillë emra, se janë shumë fukarenj, të vetëm e pa ndihmë. Madje, përdorte dhe mashtrimin duke i regjistruar djemtë si bij të dajove, xhaxhallarëve, hallave e tezeve që s'kishin djem ose duke bërë ndarje fiktive brenda familjes. Pasues të tij kanë qenë më vonë Lame Petani II dhe Hodo Kalem Shakaj, i cili vendosi që zgjedhja e këshillave të bëhej me vota të fshehta dhe jo të hapëta si më parë.

Pas krijimit të shtetit shqiptar, kryepleqtë dhe pleqësia kanë gjykuar me ligjet e shtetit, duke i dhënë zgjidhje të drejta çdo ngjarjeje të ndodhur. Të tillë kanë qenë Lame Sinan Petani, Alem Qejvani, Shamo Meçe, Veliko Breshani, Fein Strati, Lelo Davaci, Remzi Janjë etj. Organizimi me pleqësi në Kallarat vijoi deri në shkurt 1942, kur u zëvendësuan me këshillin antifashist nacionalçlirimtar për të cilin do të flitet më poshtë. Në sistemin e vetëqeverisjes, organi me i lartë kolegjial ligjvënës dhe ekzekutiv i fshatit dhe i krahinës ka qenë Kuvendi. Kuvend quhej një mbledhje në të cilën përfaqësoheshin me të drejta të barabarta i përfaqësuesve të çdo familjeje, vëllazërie, lagjeje ose fshati. Kuvendet mblidheshin për çështje shumë të rëndësishme. Kuvendi i fshatit mblidhej kur lagje të veçanta ose i gjithë fshati, nuk ishte dakord me vendimin e pleqve të tyre. Të rëndësishme kanë qenë Kuvendet Kombëtare, që kane vendosur, për luftën kundër të huajve, si Kuvendi i Mesaplikut më 1847 për t'u hedhur në kryengritje kundër sundimit osman, kuvendet në Barçalla dhe në Beun më 1920 për luftë kundër Italianëve, Kuvendi i Labërisë i vitit 1924 për luftën kundër zakoneve prapanike, si dhe kuvendet e mbledhura në Kallarat e Kurvelesh gjatë Luftës Antifashiste, vendimet e të cilave mobilizuan popullin në luftë kundër pushtuesve fashisto-naziste dhe tradhtarëve te vendit.

Kuvendet mblidheshin në vende të caktuara. Si vende të tilla para djegies së fshatit, në Kallarat ka qenë xhamia, më vonë Gjimufi, po më shumë Qafa e Ubavit, ku ishte vendosur dhe qendra e pleqësisë dhe organet e Luftës Antifashiste. Por në kohën e Luftës, për siguri, kuvendet e fshatit janë mbajtur në vende larg rrugëve, si në Basha, Qesarule e Morrez. Qendër e përhershme kuvendesh deri në vitin 1960 ka qenë Qafa e Ubavit. Por kur qendra e fshatit u zhvendos në Morrez, mbledhjet bëheshin atje. Pas viteve '90 të shekullit që shkoi në Morrez janë mbledhur disa herë brezat për të përkujtuar ngjarje historike dhe të rënët e kombit. Do thënë se, me krijimin e shtetit shqiptar, e drejta zakonore ka pushuar së vepruari në Kallarat. Por në kohëra pushtimi, në mungesë të autoritetit shtetëror kombëtar, fshati, si gjithë Labëria, është qeverisur me normat e kanunit. Kështu ndodhi gjatë pushtimit fashist e nazist të vendit, kur shteti ligjor u zëvendësua nga qeveri kuislinge. Populli i Kallaratit, si gjithë populli nuk ka qenë kundër shtetit ligjor, por kundër pushtuesve dhe shërbëtorëve vendas të tij. Mosbindja ndaj ligjeve të pushtuesit dhe zbatimi i së drejtës zakonore, me të metat dhe të mirat e saj, ishte shenjë e mosbindjes së popullit, po dhe domosdoshmëri për t'i shpëtuar asimilimit kombëtar.

Që të funksiononte vetëqeverisja, u duhej bërë ballë ekspeditave të pushtuesve, të cilët Kurveleshin e kishin halë në sy dhe për ta mposhtur kanë përdorur të gjitha mjetet. Për të mbrojtur veten dhe krahinën, dhe në Kallarat burrat kanë qenë organizuar në çeta, që kanë qenë formacioni tradicional luftarak i shqiptarëve. Të përbëra nga jo më shumë se 100 vetë, aq sa një kompani në ushtritë moderne, çetat ishin shumë të manovrueshme në çdo situatë të motit dhe të luftimit. Pjesëmarrja në çeta bëhej sipas rregullës "nga një burrë për shtëpi". Ajo drejtohej nga një prijës i zgjedhur nga vetë luftëtarët, i cili ishte më guximtari, më trim e më me përvojë. Ky drejtonte vetëm gjatë kohës së aksioneve apo luftimeve, në kohë paqeje nuk kishte asnjë funksion. Për mungesë aftësie prijësi shkarkohej dhe në vend të tij zgjidhej një tjetër. Kushtrimi për luftë me parë bëhej me bobël (bri kau) ose me krisma pushke. Gjatë Luftës Antifashiste kushtrimi ishte pesë pushkë e një bombë. Kur jepej sinjali për luftë, të gjithë anëtarët e çetës linin punët (qetë në parmendë dhe bagëtitë në vathë), merrnin armët, dhe niseshin me shpejtësinë e rrufesë për të zënë shtigjet nga pritej të sulmonte armiku. Kur mbaronte aksioni ose lufta, çeta kthehej në fshat dhe luftëtarët merreshin me punët e tyre. Ata ishin "fshatar dhe luftëtar", sikundër thotë një udhëtar i huaj kur flet për labët. (1)Ky organizim luftarak që i përgjigjej karakterit të demokracisë fisnore, u ruajt në Kallarat deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore.

Kushtet natyrore, luftërat e paprera në mbrojtje të lirisë dhe vatanit kalitën tek kallaratasit shumë veti të çmuara e virtyte, si: guximin, trimërinë, burrërinë, besën, shkathtësinë në luftë, urrejtjen ndaj armikut dhe dashurinë për atdheun. Sami Frashëri, duke folur për luftëtarët e Kurveleshit thoshte: "Janë trima guximtarë, që gëzojnë admirimin e fqinjëve dhe të huajve." Shumë udhëtarë të huaj e kanë përshkruar Kurveleshin si një vend të banuar nga njerëz trima e të paepur. Cilësia që çmohej më shumë tek meshkujt edhe në Kallarat, ka qenë burrëria, në të gjitha shfaqjet e saj. Mashkulli duhet të ishte më i zoti se të tjerët. Ai që dallohej për zotësi quhej "pragndezës"; kurse ai që nuk ishte i zoti e s'bënte dot prokopi dhe mallin, po të kishte ia bënin rrëmullë të tjerët, quhej "pragshuar". Trimat, si rregull, dalloheshin nga çepeja që mbanin prapa zverkut. Ai që s'ishte trim dhe i zoti qesëndisej me fjalët: "Kur s'je i zoti i dyfekut, ç'e do çepenë prapa zverkut?" Familjet e pazonja hynin nën mbrojtjen e fisit, apo dhe të ndonjë familjeje me autoritet.

Lidhur me këtë cilësi, në Kallarat tregohet për dy vëllezër, nga të cilët njëri ishte i pazoti (vulëhumbur), ndërsa tjetri falë zotësisë së tij kishte bërë prokopi, e kishte vënë kope me dhen. Ky u thirr për të kryer shërbimin ushtarak, mirëpo familja mendoi që në vend të këtij të shkonte bedel i pazoti, i cili nuk pranoi dhe mori përsipër të mbante kopenë. Dhe u ngjit në mal për të marrë në dorëzim dhentë. Vëllai që do të shkonte ushtar e kishte të qartë që ai do ta shkatërronte kopenë, prandaj i bën një kurth. Bëri sikur iku në fshat, po në të vërtetë u fsheh. Në mbrëmje, kur kopeja erdhi në nome, vëllai i pazoti u ul pranë zjarrit të hante bukë. Ky nga sipër e qëllon pandërprerë me gurë. I tmerruar, pa e ditur se kush e godiste, la kopenë vetëm dhe shkon në shtëpi dhe i thotë të vëllait që kishte mbërritur para tij: "Shko në dhen, pasi do të vete bedel në vendin tënd. Shyqyr që shpëtova, se deshe me vranë."

Për histori të tilla kanë lindur dhe këngë, si:

Ç'u dive, çeço, ç'u dive?

– Ashtu, a zemëra ime,

Më humbën gjysmat e dhive,

Cjap larashi me zile.

Ku je ti moj nikoqire,

Më bej një kupë me sillë

Se do marr hakën e dhive.

Po ti hakën s'e more,

Harram dhe kupa që krove.

Marre nga Libri "Historiku i Kallaratit, shkruar nga Enver Strati

Për me shume lexoni librin e plote "Historiku i Kallaratit, botim i vitit 2010, shkruar nga Enver Strati

HISTORIKU I KALLARATIT, NGA ENVER STRATI

KËNGË & VIDEO

SONDAZH

Cili është mendimi juaj për uebsaitin tonë të porsa çelur www.kallarati.com?
 

FACEBOOK FanBox

SPONSOR i faqes www.kallarati.com

Sponsor te faqes www.kallarati.com

GAZETA "KALLARATI"

NUMURI I LLOGARISË I SHOQATËS ATDHETARE & KULTURORE “KALLARATI”

Banka: Societe Generale Albania.
Në LEK në numrin e llogarisë: 1175099
Në EURO në numrin e llogarisë: 1175101
Pë çdo kontribut kontaktoni në adresat:
kontakt@kallarati.com
gazetakallarati@yahoo.com
Sefer Jonuzi Cel: 00355682745862

Nga Blogu

09 Shkurt, 2017

Rrugëtimi në jetë i veteranit 90 vjeçar Xhelo Dautaj

  -Rrëfim-   Një rrugëtim në jetë prej 90 vjetësh nuk janë as shumë, por as… Lexo më shumë...
26 Dhjetor, 2016

TË NOHIM SHKRIMTARIN DHE PËRKTHYESIN BAJRAM KARABOLLI

Bajram Karabolli - lindur në Mavrovë (Vlorë) në 1943, prindërit e tij me… Lexo më shumë...
27 Tetor, 2016

NË KALLARAT U FESTUA ME KRENARI 100-VJETORI I HAPJES SË SHKOLLËS SË PARË SHQIPE

  Nga Besnik GJONBRATAJ AMBJENT FESTIV NË KALLARAT Në datat 13 dhe 14 gusht… Lexo më shumë...

Lajmet nga vendi