100vjetori
Vinaora Nivo SliderVinaora Nivo Slider

Duze Barjami, gruaja labe, që u përball me Enver Hoxhën, shkruar ne gazeten Telegraf nga Zenepe LUKA


Kush është nëna e heronjve, deputetja e tre legjislaturave, që punoi për Vlorën dhe gruan shqiptare

Mbushi plot një gjysmë shekulli që është ndarë nga jeta, deputetja e tre legjislaturave, që ndërroi jetë në fund të legjislaturës së tretë, në gjysmën e vitit 1961. Heroika e saj u përkujtua me botimin e një libri titulluar “Nënë Duzja”. Duze Barjami është njëra prej grave të shquara labe, që vjen si legjendë e Lumit të Vlorës dhe merr përmasa kombëtare. Gruaja trime, luftëtarja, nëna e Heroit të Topanasë, pjesëmarrëse në Kongresin Antifashist të Grave në Berat, gruaja e parë deputete fill pas çlirimit, është e gjallë në kujtesën e njerëzve, që e kanë njohur, por e harruar nga kujtesa e shtetit. Vlerat dhe virtytet e saj, flitet nëpër vatrat familjare të Bolenës, Kallaratit, përgjatë Lumit të Vlorës, por edhe në qytet dhe më gjerë.

Shtëpia e saj në Kallarat ishte shndërruar në muze, që u përcillte brezave heroikën, qëndresën, shpirtin e ndjeshëm ndaj atdhetarisë. Për djemtë që ikën, krenarinë e nënës labe, për të mos u dhënë përpara dhimbjeve që sjell jeta, aq më tepër kur është fjala për sakrificën ndaj Kombit. Pas viteve ‘90-të u shkatërrua, kjo pasuri, duke rrënuar edhe muret e shtëpisë. Por ndërsa koha ikën, nënë Duzja vjen, figura e saj lartësohet. Kjo figurë që zë pak vend edhe në muzeun e Vlorës, për vetë vlerat që mbart, duhet të përjetësohet dhe vlerësohet nga shteti, për të mbetur e gjallë tek brezat që vijnë dhe të mos e cilësojnë një legjendë..

 

Kush është Nënë Duzja e Lumit të Vlorës?


I thërrisnin nënë Duze, bijës nga Bolena, martuar në Kallarat tek Selam Barjami, një figurë e rëndësishme për zonën, që bënte pjesë në shtabin udhëheqës në qëndresën kundër grekëve. Ishte vajzë e fisit Mingaj në Bolenë, halla e Luftar Bolenës me nam. Për fatin e saj të keq, bashkëshorti i vdiq i ri dhe iu desh të bëhej prind i dyfishtë për të rritur fëmijët vërtetë me një mijë mundime, por me stoicizmin e një burrneshe labe. E papërkulur përpara vështirësive të jetës, të varfërisë, shumë të rëndësishëm e vlerësonte shkollimin, kulturën, prandaj bëri çmos të arsimonte fëmijët. Djali i madh Hasani, pasi përfundoi Medresenë në Tiranë, ndoqi studimet në Egjipt në degën Teologjisë, duke rënë në sy për përgatitjen e shkëlqyer në mësime. Fati i keq vazhdonte ta ndiqte nënë Duzen, që në vend të shpresës për të birin, mori dhimbjen. Hasabi vdes nga një epidemi, nëna u helmua, por nuk u dha, nuk u mposht. Megjithëse nuk e pa kurrë djalin e saj, që ende nuk ka një varr, dhimbja do të shpërthente dhe nëna trimëreshë do të qante me ligje. Me gjithë përkujdesjen e nënës ia kushtoi djalit tjetër Muminit, që me zellin që kishte, vijoi shkollën e mesme në Tiranë. Duke qenë një i ri, dalë nga një vatër atdhetare patriotike, Mumini u lidh me luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe e propagandoi atë. Ai krijoi baza në qytetin e Vlorë dhe në tetor të vitit 1942 u vra nga fashistët në luftën që u bë në lagjen Topona.

 

Propaganduese e luftës


Si për amanet të djemve, kjo grua vërtetë e paepur, hyri në rrugën e lavdishme të luftës, duke u bërë propaganduese fshat më fshat, shtëpi më shtëpi. Dashuria për vendin, urrejtja për pushtuesin, dhimbja për bijtë e bënë Duze Barjamin një zë të fuqishëm, që përfshiu uragan djemurinë në luftë. “Ta shporrim fashizmin se do të na vrasë të gjithëve”. “Shqipëria do të bëhet, nuk humbet”- filozofonte ajo. Çfarë i duhej tjetër Nënë Duzes, veç lirisë dhe përparimit? Me reputacionin që kishte, ajo krijoi Organizatën e Grave Antifashiste të Kurveleshit dhe Qarkut të Gjirokastrës.

 

Çfarë kanë thënë për nënë Duzen


Historiani Novruz Barjami:


“Ishte një grua e rrallë me emër, një arkiv i kulturës dhe traditave popullore të Labërisë. Ruante të freskëta ngjarjet e kohës së Tanzimatit, kishte zë të bukur, sido që këndonte rrallë, sepse jeta e saj ishte një brengë”.

 

Veterani Seit Jonuzaj:


“E kam njohur nga afër. Figura e saj rrethohej me aureolën e heroizmit. Kur u vra edhe Mëmini, një kunatë e saj preu një shirit rrobe të zezë dhe deshi ta vinte në parmakun e derës së nënë Duzes. Kur e pa ajo, u kthye: Hiqe. Nuk mbyllet dera ime, të gjithë partizanët janë djem të kësaj shtëpie”.


Ervehe Gorishti veterane lufte:


“Duze Barjami, i thërrisnim nënë, jo vetëm kallaratasit, por të gjithë ata që e njihnin në Kurvelesh dhe në gjithë Lumin e Vlorës. Kudo që i shkelte këmba kësaj gruaje të shquar, deputete e Kuvendit Popullor. Ishte dhe mbetet një shembull për gruan shqiptare”.

Dr. Makbule Çeço:

“Jam njohur me historinë e nënë Duzes dhe ndjehem krenare që ishte nga Bolena, që është vendlindja e tim eti. Ajo është një figurë komplekse me virtytet më të mira të grua labe, si trimëria, qëndresa, bujaria, patriotizmi, që mbeti shembull për gruan shqiptare”.


Nexhmie Hoxha


“E kujtoj edhe sot, e kam parasysh atë grua të gjallë të Labërisë, që na emocionoi së tepërmi në Kongresin e Gruas Antifashiste që u mbajt në Berat. Kjo nënë dëshmori, megjithëse e moshuar, deputete e Kuvendit Popullor për tre legjislatura fill pas çlirimit, zinte një vend nderi dhe vlerësohej për kontributin aftësitë dhe vlerat që shpaloste kjo grua e Labërisë”.

 

Enver, më gjej kockat e tim biri!


I shkruante letra Enverit me shkronja kapitale. “Më ndihmo të gjej kockat e tim biri që të prehet në tokën mëmë”. Këtë brengë ajo do ta përsëriste shpesh edhe në bisedat me njerëz të kupolës së lartë, që e mbanin afër dhe e nderonin Duzen e Barjamin. Enver Hoxha i shkruan me dorën e tij: “E dashur nënë Duze. Sipas kërkesës tuaj, u interesova pranë ambasadorit tonë në Egjipt, Delo Balili për çështjen e të ndjerit, djalit tuaj Hasan. Ai është takuar me shokë të djalit tuaj, që e kishin njohur nga afër e kishin jetuar bashkë në Egjipt. Ai mori vesh se i ndjeri Hasa, krahas Universitetit Islamik në Egjipt, ndiqte edhe Universitetin Amerikan të Kajros, ku ka dalë shkëlqyeshëm me mësimet në vitin 1942, që është vlerësuar nga autoritete e shkollës nëpërmjet ish-legatës së ish- qeverisë së atëhershme në Kajro. Në ceremoninë e komunikimit të këtij falënderimi është bërë edhe një foto, që po jua dërgoj me këtë letër. Djali juaj ka qenë shumë mirë në prill të vitit të 1939 kur Italia pushtoi Shqipërinë. Ai shkoi si përkthyes i një grupi patriotësh shqiptarë të emigruar në Egjipt për të protestuar pranë ambasadave amerikane dhe angleze në Kajro kundër agresionit fashist. Hasani vdiq më 14 prill më 1943 në Teqenë bektashiane shqiptare në Kajro. Të gjitha teshat dhe sendet e tij personale u asgjësuan nga autoritetet egjiptiane, me qëllim që të neutralizonin përhapjen e tifos, që në atë kohë ishte një epidemi. Më vonë autoritet egjiptiane e morën Teqenë për nevojat e tyre, ndaj dhe janë zhdukur varret që ishin atje. Kështu që nuk dihet, se ku ndodhen eshtrat e djalit tënd Hasani, pasi ambasadori ynë bëri të gjithë përpjekjet për t’i gjetur ato, por nuk dhanë asnjë rezultat. Më vjen shumë keq e dashur Nënë Duze që nuk munda të plotësoj dëshirën tuaj si nënë, por sikurse e shihni, kjo ishte e pamundur. Megjithatë, kujtimi i djalit tuaj do të jetë i paharruar për të afërmit dhe shokët e tij dhe për të gjithë ne, që ju njohim juve si një grua patriote”. Ju përqafoj/ I juaji Enver Hoxha.


02/10/2011 07:46:00  Zenepe LUKA. Gazeta TELEGRAF


Duze Barjami, gruaja labe, që u përball me Enver Hoxhën, shkruar ne gazeten Telegraf nga Zenepe LUKA

SPONSOR i faqes www.kallarati.com

Sponsor te faqes www.kallarati.com

GAZETA "KALLARATI"

NUMURI I LLOGARISË I SHOQATËS ATDHETARE & KULTURORE “KALLARATI”

Banka: Societe Generale Albania.
Në LEK në numrin e llogarisë: 1175099
Në EURO në numrin e llogarisë: 1175101
Pë çdo kontribut kontaktoni në adresat:
kontakt@kallarati.com
gazetakallarati@yahoo.com
Sefer Jonuzi Cel: 00355682745862

Nga Blogu

09 Shkurt, 2017

Rrugëtimi në jetë i veteranit 90 vjeçar Xhelo Dautaj

  -Rrëfim-   Një rrugëtim në jetë prej 90 vjetësh nuk janë as shumë, por as… Lexo më shumë...
26 Dhjetor, 2016

TË NOHIM SHKRIMTARIN DHE PËRKTHYESIN BAJRAM KARABOLLI

Bajram Karabolli - lindur në Mavrovë (Vlorë) në 1943, prindërit e tij me… Lexo më shumë...
27 Tetor, 2016

NË KALLARAT U FESTUA ME KRENARI 100-VJETORI I HAPJES SË SHKOLLËS SË PARË SHQIPE

  Nga Besnik GJONBRATAJ AMBJENT FESTIV NË KALLARAT Në datat 13 dhe 14 gusht… Lexo më shumë...

Lajmet nga vendi