100vjetori
Vinaora Nivo SliderVinaora Nivo Slider

SI E KAM NJOHUR SIHAT TOZAJN, NGA RIZA PASHO SADIKAJ

Fshati Kallarat në rrethin e Vlorës është një nga fshatrat me tradita patriotike në krahinën e Kurveleshit. Shtrihet në luginën e lumit Shushicë, midis malit të Çipinit dhe malit të Bogonicës. Nga verilindja Kallarati kufizohet me fshatin tim, Bolenën. Si kufitarë që jemi, kemi lidhje të ngushta me njëri-tjetrin, miqësi, krushqi e marrëdhënie pune dhe bashkëjetojmë në harmoni të plotë në atë hapësirë gjeografike ku ndodhen fshatrat tona.. Për rrjedhojë, i njohim mirë edhe njerëzit e figurat e shquara të njëritjetrit.

Sihat Tozaj 1Në këtë shkrim po hedh mendimet e mia se si e kam njohur njërin nga burrat më në zë të Kallaratit, Sihat Xhemil Tozajn, bir i këtij fshati. Sihati kish lindur më 1926 në shpatin e përroit të Gjorme në një familje fshatare fisnike e atdhedashëse në disa breza, duke luftuar me armë në dorë kundër pushtuesve osmanë, grekë e italianë. Në Luftën e Dytë Botërore, kjo familje ishte bazë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që priste e përcillte partizanët, ndërsa djemtë e kësaj familjeje, Sinani e Sihati, hodhën pushkën krahut dhe u rreshtuan në çeta partizane. Sinani, që ishte vëllai i madh i Sihatit, u angazhua qysh në fillim të vitit 1942 në organizatën e rinisë të fshatit, pastaj në çetat partizane të Kurveleshit dhe me krijimin e Brigadës së 6 Sulmuese bëhet efektiv i saj. Edhe Sihati rreshtohet në çetën territoriale "Mumin Selami"të fshatit e pastaj në çetat partizane të Kurveleshit. Në këto formacione Sihati mori pjesë në aksione e luftime të zhvilluara në Kurvelesh, në Mesaplik, Gjorm, Sarandë, Gjirokastër etj, Në 25 prill 1944, ditën e krijimit të Brigadës së 8 Sulmuese në Sheper të Zagorisë, Sihati, së bashku me shumë shokë kallaratas, bolenas, kuçiotë e kurveleshas të tjerë, gjirokastrite, tepelenas etj, rreshtohet në këtë brigadë. Në radhët e saj Sihati mori pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi ajo që nga Pogoni, Girokastra, Përmeti, Delvina e Konispoli në jug dhe në vazhdim, në Berat, Lushnjë e Tiranë dhe pastaj në Mal të Zi e Bosnjën jugore deri në Vishegrad të Jugosllavisë, derisa përfundoi Lufta e Dytë Botërore me kapitullimin e Gjermanisë naziste, më 9 maj 1945. Pas përfundimit me sukses të misionit për të ndjekur këmba-këmbës hordhitë naziste edhe përtej kufirit tonë verior, mision që u kish ngarkuar Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Divizionit të 5-të dhe atij të 6, në të cilin bënte pjesë Brigada e 8, aty nga fundi i vitit 1945 Brigada e 8 u kthye në atdhe.

Në fillim të vitit 1946, Sihati u përzgjodh, së bashku me shokë të tjerë, për të kaluar në terren. Ai u dërgua të merrej me punë partie e pushteti në Mirditë. Aty atij, në bashkëpunim me drejtuesit e Mirditës si Bardhok Biba e të tjerë, krahas punës për konsolidimin e pushtetit të ri vendor, iu desh të merrej edhe me eliminimin e bandave kriminale që vepronin në zonat e veriut. Sihati ishte një punëtor i palodhur, njeri besnik, me një zgjuarsi e intuitë të rrallë, me cilësi të veçanta komunikimi e sjelljeje me njerëzit. Prandaj ai fitoi zemrat e mirditorëve. Atë e kish kalitur jeta, lufta partizane. Sihati aty nga viti 1949, pas punës së suksesshme në Mirditë, duke lënë gjurmë dhe mbresat më të mira te mirditorët, ai kaloi ca kohë edhe në krahinën e vendlindjes së tij me të njëjtin mision si "shok terreni", siç quheshin në atë kohë ata që punonin në bazë. Pastaj do emërohej me punë në disa sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, si drejtues i SMT-së së Vlorës, të Delvinës, të Roskovecit, të Fushë-Krujës, drejtor i fermës së Thumanës. Njëkohësisht kreu dhe studimet e larta për agronomi në Institutin e lartë Bujqësor të Tiranës, duke u bërë kështu një kuadër i lartë i kompletuar për problemet e bujqësinë.

Në vitin 1964 Sihati vendoset në detyrën e sekretarit të komitetit të partisë për problemet e bujqësisë në rrethin e Vlorës. Edhe në këtë detyrë ai shfaqi më së miri aftësitë e një organizatori të mirë. Ishte gojëmbël, edukator dhe një kombinues i mirë i marrëdhënieve me kuadrin drejtues dhe me popullin. Duke qenë operativ në terren, ai nuk linte fshat e ndërmarrje ekonomiko-bujqësore dhe pëllëmbë toke pa shkelur. Shkonte parcelë më parcelë, ku punonte traktori, ku punonte punëtori. Nuk linte organizatë partie pa vajtur dhe kudo jepte udhëzimet e duhura për përmirësimin e punës. Me këtë mënyrë të punuari ai u bë njeriu i dashur dhe i njohur në gjithë rrethin e Vlorës.

Në vitet 1970-1979 Sihati drejtoi Komitetin Ekzekutiv të rrethit të Vlorës. Edhe si kryetar i këtij komiteti Sihati pati rezultate të mira në zhvillimin e bujqësisë e të blegtorisë. Gjatë kësaj periudhe çdo ekonomi e rrethit të Vlorës e çdo fshat arriti të siguronte bukën në vend dhe të shlyente detyrimet e shtetit. Rezultate të mira pati edhe në industri dhe sektorët e tjerë të rrethit. Gjej rastin të shënoj se si Sihatin Vlora ka pasur edhe të tjera kuadro të nderuara e të respektuara që kanë punuar shumë për Vlorën, siç mund të përmendim Namik Xhafajn, Veiz Pipën, Peti Shambllin, Petro Dodën e shumë të tjerë. Po ashtu edhe në zona të rrethit kanë punuar me përkushtim e ndërgjegje të lartë Maman Saliu, Metlli Jaupi, Kadri Aliu e të tjerë.

Sihati ka dhënë një ndihmë të madhe në ishkooperativat bujqësore kodrinore e malore, sidomos për shtimin e rendimentit të prodhimit bujqësor e blegtoral, ndërtimin e kanaleve ujitëse dhe plehërimin e tokave etj.. Si bir i fshatit ai interesohej shumë, duke ardhur shpesh e duke na dhënë udhëzime se si të organizohej më mirë puna dhe si të shtohej prodhimi. Në kooperativë ta kishte ënda që të takoheshe me një kuadër të tillë gojëmjaltë e të respektuar Një ndihmë të madhe i dha ish-kooperativës Bolenë-Kallarat për ndërtimin e urës mbi lumin e Shushicës, si dhe ndërtimin e objekteve social-kulturore. Ura u ndërtua me ndihmën e Ndërmarrjes Rruga-Ura që drejtohej nga biri bolenas Hysni Leskaj. Ndihmuan për urën edhe Veiz Gjebero e Bexhet Mema, Kamber Alikaj etj.

Si kryetar i kooperativës që isha, Sihati më vuri detyrë të siguroja fondet nga buxheti i kooperativës dhe të organizoja forcat e punës, si dhe të siguroja bazën materiale për ndërtimin e urës. Kështu që populli i Bolenës e i Kallaratit dhe organet e pushtetit e të ekonomisë e realizuan me sukses këtë vepër të madhe të fshatit, bashkë me rrugën 7 km Vranisht-Bolenë, vepër e popullit të Bolenës dhe e rinisë së fshatit dhe e zonës së Mesaplikut që punuan vullnetarisht, si dhe e Sihatit si kryetar i Komitetit Ekzekutiv, i cili ndihmoi financiarisht nga rezervat e Komitetit dhe me drejtim teknik e bazë materiale derisa u mbarua ura. Populli i Bolenës dhe i gjithë zonës i është mirënjohës Sihatit dhe gjithë atyre që kntribuan me punën, aftësitë dhe mundësitë e tyre për mbarëvajtjen e zonës sonë. Si kuadër me vlera, Sihati aty nga fundi i vitit 1979 u transferua në Gjirokastër me detyrën e sekretarit të parë pë Parisë së rrethit. Edhe atje ai dha një kontribut të veçantë në ecurinë e përmirësimit të punës në të gjithë sektorët e veprimtarisë e të ekonomisë së atij rrethi. Sihati ishte zgjedhur në disa legjislatura edhe deputet i Kuvendit Popullor. Ndërsa në nëntor të vitit 1982 ai u emërua në detyrën e lartë të sekretarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, detyrë me të cilën e mbylli me nder karrierën e tij në shërbim të popullit e atdheut. Si ish-kryetar kooperative dhe kuadër rreth 20 vjet në vartësi të Sihatit, unë nuk gjej fjalet me te mira qe meriton te shkruash per te.

20 mars 2013.

Riza Pasho Sadikaj, Bolene, emigrant ne Itali

Botuar ne Gazeten "Kallarati", Nr 68

SI E KAM NJOHUR SIHAT TOZAJN, NGA RIZA PASHO SADIKAJ

SPONSOR i faqes www.kallarati.com

Sponsor te faqes www.kallarati.com

GAZETA "KALLARATI"

NUMURI I LLOGARISË I SHOQATËS ATDHETARE & KULTURORE “KALLARATI”

Banka: Societe Generale Albania.
Në LEK në numrin e llogarisë: 1175099
Në EURO në numrin e llogarisë: 1175101
Pë çdo kontribut kontaktoni në adresat:
kontakt@kallarati.com
gazetakallarati@yahoo.com
Sefer Jonuzi Cel: 00355682745862

Nga Blogu

09 Shkurt, 2017

Rrugëtimi në jetë i veteranit 90 vjeçar Xhelo Dautaj

  -Rrëfim-   Një rrugëtim në jetë prej 90 vjetësh nuk janë as shumë, por as… Lexo më shumë...
26 Dhjetor, 2016

TË NOHIM SHKRIMTARIN DHE PËRKTHYESIN BAJRAM KARABOLLI

Bajram Karabolli - lindur në Mavrovë (Vlorë) në 1943, prindërit e tij me… Lexo më shumë...
27 Tetor, 2016

NË KALLARAT U FESTUA ME KRENARI 100-VJETORI I HAPJES SË SHKOLLËS SË PARË SHQIPE

  Nga Besnik GJONBRATAJ AMBJENT FESTIV NË KALLARAT Në datat 13 dhe 14 gusht… Lexo më shumë...

Lajmet nga vendi