Nako Jovanajt i ka ndodhur një fatkeqësi e rëndë familjare. Para dy muajsh iu nda nga jeta bashkëshortja, Athina Qirjo Petraj, me të cilën kish lidhur jetën prej 53 vjetësh dhe kishin lindur së bashku, rritur dhe edukuar pesë vajza e një djalë. Kisha shkuar tri herë në shtëpinë e tij për ngushëllim. Këtë radhë vajta me një mision tjetër: t’i merrja një intervistë për të shtatëdhjetë e pesë vjetët e jetës së tij për gazetën “KALLARATI”.
Sapo do fillonim bisedën, në dhomë hynë dy bashkëfshatarët tanë: Enver Golloshaj dhe Bejkush Laçaj e pak më vonë, nipi i tij, Petrit Jovanaj. Ardhësit e ngushëllojnë me shprehjet e zakonshme të ritit mortor shqiptar, ndërsa Nakua, teksa i dëgjon, pëshpërit: Më mirë të kisha ikur unë. Fjalët i mblidhen lëmsh në grykë, nxjerr shaminë dhe fshin lotët që i rrjedhin në faqe. Pas një ore mbetëm përsëri vetëm dhe filluam intervistën.
Pyetje – Nako! Fisi Jovanaj në cilën mëhallë të Kallaratit bën pjesë?
Nakua – Babai thoshte që ne Jovanajt rrjedhim nga trungu i Breshanajve, ndërsa në një bisedë që kam bërë me Çize Xhaferajn, më ka thënë se fisi ynë bën pjesë në mëhallën Mërtiraj.
Pyetje – Cilët kanë qenë prindërit e tu?
Nakua – Babai im quhej Islam Malo Jovanaj, ndërsa nëna quhej Zilo Muho Ngucaj nga Kuçi. Ky çift lindi nëntë fëmijë. Në vitet 1935 e 1937 dy fëmijët e parë, një djalë e një vajzë, u ndanë nga jeta në moshën 12-vjeçare. Sot, nga nëntë fëmijët, jetoj vetëm unë, se para disa muajsh ndërroi jetë edhe motra e fundit, Shelegia.
Pyetje – Ç’mund të na thuash për fëmijërinë tënde?
Nakua – Jam lindur në vitin 1937. Sipas radhës jam fëmija i tetë. Kemi qenë katër motra e pesë vëllezër. Ishim të varfër. Babai punonte gjithë ditën ato pak ara që kishim në Gjokushtë, Gjimuf e Fierë, nuk siguronim dot as bukën e vitit. Kishim edhe pak dhen që i kullosnim në Hundë e Brinjë të Gurëve. Mbaj mend që nëna i lëshonte dhëntë që në të gdhirë dhe ato, të shoqëruara ngado qen, shkonin vetë në kullotë dhe në të ngrysur shkonte nëna që t’i mblidhte e t’i sillte në shtëpi.
Pyetje – Kur jini shpërngulur nga Kallarati?
Nakua – Në vitin 1940, në luftën italo-greke, ikëm nga Kallarati dhe u strehuam në Finiq të Sarandës, tek prifti i kishës që ishte mik me gjyshen tonë, nënë Safën nga fisi Gjonbrataj. Nga Finiqi shkuam në Sarandë. Babai punonte në pronat e beut të Borshit, Temo Husit. Në vitin 1944, në kulmin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, babai, për të na siguruar jetën na çoi për të banuar në Borsh, ndërsa vetë u aktivizua në prapavijë të formacioneve partizane që luftonin për çlirimin e vendit. Në Borsh nisa shkollën, ku kreva tri klasat e para të fillores. Mbaj mend edhe emrat e mësuesve të parë, Fiqirete Husin nga Borshi dhe Mulla Isufin.
Pyetje – Me ç’po më tregon, paske kaluar një fëmijëri endacake.
Nakua – Eh, unë isha fëmijë dhe nuk i kuptoja mirë hallet dhe vuajtjet e prindërve… Ata e dinë se ç’kanë hequr.
Pyetje – Më the që tri klasat e para të shkollës i kreve në Borsh, po klasën e katërt e të tjerat ku i vazhdove?
Nakua – Në vitin 1948 na kërkoi Kallarati që të ktheheshim në fshat. Prindërit, pasi e shoshitën mirë, vendosën të ktheheshin në vendlindje. Shtëpi nuk kishim, kishim vetëm arat e kullotat. Erdhëm në Kallarat, duke sjellë nga Borshi rreth 40 kokë dhen, dy lopë dhe rraqet e shtëpisë. Vuajtëm në fillim për strehim, por pushteti shumë shpejt na ndërtoi banesë.
Në Kallarat fillova klasën e katërt. Mbaj mend mësues Kozma Llazarin nga Lukova dhe mësuese Lizën nga Shkodra. Klasa kishte rreth 20 nxënës, më shumë ishin çupa. Në klasë kisha Imer Stratajn, Zilo Tozajn, Neki Xhaferajn, Agim Qejvanajn, Bexhet Jonuzajn me të cilin ishim në një bankë etj… Nxënësi më i mirë i klasës ishte Imer Strataj. Klasën e pestë e të gjashtën i kreva në Kuç. Rrija te dajot. Ndërsa klasën e shtatë e bëra në Himarë, më mbante një mik i familjes, Jorgo Bollanua.
Mbasi mbarova 7-vjeçaren, shkova në Vlorë. Aty kisha motrën, Shelegen që ishte e martuar. Në Vlorë u futa në punë dhe natën vazhdoja gjimnazin, të cilin e mbarova me nota të shkëlqyera. Pastaj shteti më akordoi bursë për vazhdimin e studimeve të larta në Poloni, në universitetin e Krakovit, në degën elektromekanike. Universitetin e mbarova më 1956 dhe u ktheva në atdhe, ku më emëruan kryeenergjetik në minierën e serës së Selenicës.
Në Selenicë u njoha me Athina Qirjo Petron, bijë e dëshmorit të Selenicës. Athinaja kish mbaruar shkollën për financë në Shkodër dhe punonte financiere në Ndërmarrjen e Furnizimit të Punëtorëve (NFP) në Selenicë. U dashuruam me njëri tjetrin dhe këtë dashuri e kurorëzuam me martesë në vitin 1959. Po në këtë vit shteti më çoi në shkollë ushtarake në Tiranë, për specializim në armë të veçanta. Athinanë e hoqa nga puna dhe e çova te prindërit e mi në Kallarat.
Më 1961 mbarova shkollën ushtarake dhe u emërova në Korçë, në regjimentin e artilerisë me komandant Bako Dervishin. Në ushtri punova vetëm një vit dhe me kërkesën time u largova. U ktheva në Vlorë , ku u emërova inxhinier elektrik në TEC-in e këtij qyteti. Këtu bleva këto shtëpi që kam edhe sot, në të cilat jetova me gruan dhe prindërit.
Vitet që pasuan sollën kalvarin e transferimeve në punë: drejtor i Prapavijës së Sektorëve të Naftës, drejtor i Ndërmarrjes së Furnizimit të Punëtorëve në Vllahinë, zëvendësdrejtor i NFP në Selenicë dhe, së fundi, drejtor i Ndërmarrjes së Shitblerjes në Vlorë, ku më 1991 më nxorën në asistencë, ndërsa më 1992 dola në pension të parakohshëm.
Pyetje – Për gjithë këtë aktivitet e përkushtim në punë, a je vlerësuar nga shteti?
Nakua – Po, jam vlerësuar. Kam marrë tri dekorata pune të klasit I, II dhe III, si dhe dekoratën e Trimërisë.
Pyetje – Dekoratën e trimërisë?
Nakua – Po. Në vitin 1961, kur isha oficer në Korçë, aty krimineli Irfan Goskova hynte si diversant brenda kufirit tonë dhe qëllonte mbi oficerët tanë. Në një moment u ndodha ballë për ballë me të, u tregova më i shkathët, qëllova i pari dhe e vrava. Për këtë akt më dekoruan me dekoratën e Trimërisë.
Pyetje – Si kuadër drejtues në ekonomi në rrethin e Vlorës, a ke kontribuar në ndihmë të vendlindjes tënde, Kallaratit?
Nakua – Po, kam kontribuar. Gjatë viteve të elektrifikimit kam dërguar në Kallarat materiale për linjat elektrike. Kam dërguar bazë materiale për ndërtimin e dy urave-vinç, njëra në Povël e tjetra poshtë Karabollajve. Mora dhe një djalë nga fisi Gjonaj dhe e specializova për elektricist, i cili punoi për shumë vite në Kallarat.
Pyetje – Cili ka qenë hobi yt në jetë?
Nakua – Hobi im ka qenë gjahu. Kam qenë gjahtar ajri, vrisja thëllëza. Në Kallarat gjuaja në Val dhe në fshatin e djegur.
Pyetje – Gjahu është aq sa i bukur, aq dhe i rrezikshëm, a të është rrezikuar ndonjëherë jeta?
Nakua – Disa herë. Më tronditësja më ka ndodhur në malin e Bardhë të Sevasterit. Rrëshqita në borë rreth 400 metra dhe po të mos më kishte mbajtur një shqope, do kisha përfunduar në një humnerë që nuk do të më gjenin dot.
Pyetje – Dhe tani një pyetje disi e vështirë për mua. Sa kohë ke i paralizuar?
Nakua – Në vitin 1991, kur më pushuan nga puna, pësova hemorragji cerebrale. Nuk lëvizja fare, por falë kurimit që më bëri mjeku i talentuar Maksim Qejvanaj, bashkëfshatari ynë, kam filluar të lëviz me shkop nëpër shtëpi.
Pyetje – Kam dëgjuar se në vitin 1990 ke bërë një debat me ish-presidentin e vendit të asaj kohe, Ramiz Alinë, është e vërtetë?
Nakua – Po, e vërtetë është. Ramiz Alia kishte ardhur në një mbledhje të plenumit të komitetit të Partisë të Vlorës dhe në fund të një fjalimi të gjatë për situatën e komplikuar politike, kërkoi nëse kishte ndonjëri pyetje. U ngrita dhe i thash: Shoku Ramiz, përse nuk del në televizor apo të bësh një miting në Tiranë dhe t’i thuash troç popullit se në këto kushte ne jemi të detyruar të rishikojmë politikën? Ti s’e bën këtë se ke frikë. Sa mbaroi mbledhja, dy oficerë të sigurimit më hodhën hekurat. Për këtë u dënova me tre muaj burg.
Pyetje – Sa fëmijë ke?
Nakua – Kam gjashtë fëmijë, pesë vajza e një djalë, të gjithë të shkolluar, të martuar dhe më kanë bërë dymbëdhjetë herë gjysh.
Pyetje – Në Shqipëri i ke fëmijët?
Nakua – Tri vajza jetojnë e punojnë në Firence të Italisë, të tjerët i kam këtu.
Pyetje – Cila është stina që të pëlqen më shumë?
Nakua – Dimri, nga që kam qenë gjahtar.
Pyetje – Ushqimi yt i preferuar?
Nakua – Buka me dhallë.
Pyetje – Vesi që urren më tepër?
Nakua – Gënjeshtra.
Pyetje – A je i kënaqur nga jeta?
Nakua – Kam qenë i kënaqur, por humbja e gruas sime të dashur ma prishi ekuilibrin.
Pyetje – Cila është dëshira jote?
Nakua – Kam vetëm një dëshirë që fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve të jenë të lumtur.
Pyetje – Ç’mendim ke për gazetën “KALLARATI”?
Nakua – Uroj të bëhet më e mirë…
Intervitoi: Gafur SHAMETI
Botuar ne Gazeten Kallarati Nr.61 Janar- Shkurt 2012