Petrit Qejvani, një nga fëmijët e Ago e Asife Qejvanit, me origjinë nga Kallarati i Vlorës, u lind më 1 shkurt 1949 në Gjirokastër. Gjatë viteve 1968-1972 mbaroi studimet në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi dhe më vonë në vitet 1977-1978 kursin pasuniversitar për Kritikë Letrare. Prej disa vitesh 1973-1987 punoi si mësues letërsie, fillimisht në Kukës e më vonë në Llakatund dhe në disa shkolla të qytetit të Vlorës. Në vitet 1987-1990 për tre vjet kreu detyrën e drejtorit të Teatrit të Vlorës. Më vonë për disa vite punoi drejtor në disa shkolla të qytetit po në Vlorë. Karrierën e tij pedagogjike e mbylli si pedagog pranë Departamentit të Gjuhë-Letërsisë në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës. Pas një sëmundje të rëndë poeti, prozatori, publicisti, kritiku letrar, Petrit Qejvani në gusht 2014 ndahet nga jeta, duke lënë pas një sërë dorëshkrimesh në poezi, prozë, shkrime publicistike dhe kritikë letrare.
Sa qe gjallë poeti, me gjithë këmbënguljen e mjaft prej shokëve, miqve, kolegëve dhe të afërme të tij, nuk pati si qëllim, botimin e krijimtarisë së tij, jo të paktë e shumë të vlerësuar, por të shkruante dhe të pëlqehej nga lexuesi i çdo moshe.
Pas vdekjes së tij, ishin vëllezërit, motrat, miqtë, shokët e kolegët që bënë të mundur grumbullimin e krijimtarisë së tij dhe më vonë botimin e tyre.
Pas librit të parë poetik “Kënga e Zogut Blu” shkurt 2015 dhe librit të dytë me publicistikë “Fjala ime” qershor 2016, Petrit Qejvanit (pas vdekjes) me rastin e 75 – vjetorit të lindjes, i botohet libri i tretë “Performancë””, libër i cili u përurua në 3 shkurt 2023 në Tiranë nën kujdesin e nën kujdesin e z. Mehmet Gëzhilli, drejtor i shtëpisë botuese “Argeta LMG”, botuesit Genti Gëxhillit dhe vëllezërve e motrave të Petritit, në veçanti nga vëllai i vogël Lavdoshi.
Ky libër i ri është një triptik antologjik, me krijimtari të zgjedhur, në poezi, prozë të shkurtër dhe nga fusha e studimeve.
Në këtë përurim merrnin pjesë njerëz të artit e kulturës, miq, shokë, bashkëqytetarë nga Vlora, Tirana, por edhe nga qytetet të tjera si Kukësi, ku dhe nisi punën për herë të parë si mësues, nga Shkodra e deri nga Kosova, përfaqësuese nga shoqata “Labëria” dhe “Kallarati”, vëllezërit e autorit Maksimi e Lavdoshi, të afërm të familjes. Merrnin pjesë gjithashtu poeti e publicist i njohur kosovar profesor Agim Vinca, poeti i shquar Xhevahir Spahiu, deputeti dhe ish – Minstër Kulturës z. Bujar Leskaj, sociologu i njohur vlonjat Profesor Gëzim Tushi, aktori i njohur vlonjat “Nderi i Kombit” Bujar Asqeriu, gjuhëtari vlonjat Prof. Rami Memushaj, profesor Xhevat Lloshi, poetja Natasha Spahiu, historiani ushtarak, profesor Benard Zotaj, kryetari i shoqatës “Labëria”, dega Tiranë, profesor Zaho Golemi, filozofi vlonjat Bashkim Abazi, shkrimtari Vasil Premçi e Nikoll Bujaj.
Promovimi i librit u bë nga botuesi z. Mehmet Gëzhilli, njëkohësisht edhe si bashkëstudent me Petritin në vitet 1968-1972.
Takimi u moderua me kompetencë nga gazetari e shkrimtari i njohur, kryeredaktori i gazetës “Labëria” Albert Zholi.
Të gjithë, që morën fjalën duke filluar nga poeti Agim Vinca, Bujar Leskaj, Gëzim Tushi, Vasil Premçi, Bernard Zotaj, Rami Memushaj, Bashkim Abazi e Mehmet Gëzhilli, secili në këndvështrimin e vete, vunë në dukje personalitetin e Petritit si një intelektual me vlera të rralla, studiues, poet, publicist, analist, që aktualisht edhe pse mungon fizikisht, krijimtaria e tij është dhe do të jetë kurdoherë aktuale dhe e vlerësueshme, jo vetëm nga njerëzit e artit e të kulturës, por edhe njerëzit e thjeshtë, pasi i tillë ishte edhe vetë ai.
Mjaft tërheqës e bëri këtë takim recitimi i poezisë “PA MORAL”, prej aktorit vlonjat të mirënjohur, Bujar Asqeriut.
PA MORAL
Një grykësi e madhe, si epidemi,
Ka përfshirë shoqërinë shqiptare,
Dikush pasurohet me mandat deputeti,
Dikush me poste qeveritare.
Një njeri i zakonshëm shet vajzën për të jetuar,
Një tjetër shet fqinjën e vet për fitim,
Një politikan drejton trafikun e drogës,
Kurse një tjetër atë klandestin.
Një noter noterizon dokumente fallco
Një zyrtar të shet një vërtetim të rremë,
Dhe gjykatësi që duhet të ruante ligjin
Të lejon ta blesh dhe atë vetë…
Atëherë,
A mund të flitet për shtet?!
1998
Nga vëllai Lavdoshi ishte realizuar mjaft mirë edhe një video rreth krijimtarisë së Petritit, si dhe një poezi e interpretuar mjaft bukur nga aktori Reshat Arbana.
Në këtë promovim përshëndeti edhe botuesi i librit z. Mehmet Gëzhilli, i cili pasi vuri në pah cilësitë e Petrit si një intelektual i shquar, falënderoi gjithë pjesëmarrësit dhe diskutantët dhe premtoi se shtëpia botuese që drejton do të mirëpres çdo botim të mëvonshëm të Petrit Qejavanit.
Në fund të takimit, në emër të familjes Qejvani përshëndeti vëllai i vogël Lavdoshi, i cili falënderoi, pjesëmarrësit në përurim, botuesin e librit dhe të gjithë ata që shprehën, vlerësuan dhe lartësuan figurën e vëllait të tyre Petritit si një intelektual, poet, publicist dhe analist i rrallë, si dhe premtuan se më vonë libra të tjerë të Petritit, do të gjejnë botim.
Për ta që nuk patën mundësi të ishin të pranishëm dhe që nuk kanë mundësi të gjejnë librin, po hedhim në këtë faqe parathënien e librit nga Prof. dr. Begzad Baliu, si dhe disa diskutime të pjesëmarrësve që mundësuam t’i siguronim të shkruara.
TRIPTIKU I JETËS DHE VEPRËS SË PETRIT QEJVANIT
Parathënia e Prof. dr. Begzad Baliut
Hyrje
Shkrimtari, kritiku e analisti Petrit Qejvani është njëri prej intelektualëve të pesë dekadave të fundit të cilin e kam lexuar me kërshërinë e poetit, prozatorit, kritikut e analistit të fundit dhe po e rilexoj tani që është bërë kjo përmbledhje e zgjedhur (antologjike) e krijimtarisë letrare të tij.
Duke qenë përmbledhje e përzgjedhur e krijimtarisë letrare të tij, prej meje kërkohet jo vetëm qasje prej lexuesi e kritiku të poezive, prozave e kritikave të tij, po edhe prej historiani të letërsisë. Leximi nga aspekti historiko-letrar i përmbledhjes (antologjike) të veprës së tij kushtëzohet prej dy faktorësh: i pari, sepse autori i saj tashmë ka përmbyllur veprën jetësore dhe i dyti, sepse autorit në këtë vëllim i është përgatitur përmbledhja e përzgjedhur e gjithë krijimtarisë letrare e studimore. Në këtë rrjedh na del përpara një biografi sado e shkurtër, por e domosdoshme dhe vendi i tij ndër bashkëkohës, meqenëse fjala është për një përzgjedhje krijimesh letrare (poezi e prozë) dhe studime letrare, shtrirja kohore e të cilës kap një periudhë prej më shumë se pesë dekadash.
Autori dhe bashkëkohësit
Petrit Qejvani lindi në Palorto të Gjirokastrës, më 1 shkurt të vitit 1949. Në vitet 1968-1972 kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në Degën Gjuhë-Letërsi dhe kursin pasuniversitar njëvjeçar për Kritikë Letrare pranë Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë, në vitin akademik 1977-1978. Në vitet 1972-1987 shërbeu si mësues letërsie në Kukës dhe në Vlorë. Në tri vitet e mëpasme Drejtor i Teatrit të Vlorës dhe më pas mësues dhe drejtor në shkolla të ndryshme të qytetit të Vlorës. E mbylli karrierën pedagogjike në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, si lektor i Letërsisë Antike e Mesjetare, si dhe i Estetikës. U nda nga jeta në 13 gusht të vitit 2014.
Pas vdekjes, ju botuan veprat: vëllimi poetik Kënga e zogut blu (2015), si dhe libri me tekste nga fusha e publicistikës Fjala ime (2016). Libri i fundit, Performancë, që paraqitet tani, është një triptik antologjik, me krijimtari të zgjedhur në poezi, tregime dhe studime, të cilat i jepen lexuesit si një vepër postume, si një përmbledhje e përzgjedhur dhe si një mesazh në proces, njëkohësisht.
Prej biografisë sado të shkurtër të jetës së tij, të paraqitur këtu, nuk është vështirë të shihet se Petrit Qejvani, i takon brezit që krijimtarinë letrare dhe studimore e ka filluar në fund të viteve ’60, krahas studimeve themeltare në Universitetin e Tiranës dhe e ka vazhduar punën prej krijuesi (poeti e prozatori), po edhe studiuesi duke i vazhduar kërkimet e tij edhe me thellimin e mendimit kritik e krijues në institucionet më të larta shkencore. A është e rastit që gjatë kësaj kohe atij do t’i besohet jo vetëm drejtimi i institucioneve arsimore po edhe i institucioneve të larta artistike, sikur ishte besimi për të drejtuar njërin prej teatrove më të njohura të vendit, Teatrit të Vlorës. Ai e filloi krijimtarinë e tij letrare në një periudhë të pasur krijimesh letrare të brezit të tij. Është kjo periudha e shkrimtarëve të afirmuar si: Dritëro Agolli, Ismail Kadare e Fatos Arapi po edhe shkrimtarëve që po krijonin themelet e krijimtarisë së tyre serioze: Frederik Reshpja, Moikom Zeqo, Faslli Haliti, Thanas Dino, Sadik Bejko etj.
Poezia
Petrit Qejvani e ka filluar krijimtarinë letrare si poet dhe prozator. Ishte një periudhë e përpjekjeve për të dalë nga gërshërët e realizmit socialist, përpjekjet e të cilës mund të shihen edhe prej vjershave të tij të para. Fjala është për atë periudhë letrare e me ndikim kulturor e politik, kur shkrimtarët për probleme të natyrës poetike komunikonin edhe përmes poezisë. Kjo është periudha kur shumë shkrimtarë krijojnë edhe motivet, temat, teknikën e shkrimit etj. Në këtë sistem krijimi dallohet Ismail Kadare, Fatos Arapi, Moikom Zeqo etj., ndërsa në grupin tjetër Dritëro Agolli, Frederik Reshpja, Faslli Haliti etj.
Në grupin e dytë, shquheshin shkrimtarët për motivet popullore, me vargun lirik, për natyrën humane, për shpirtin skofiar, për dashurinë e dlirët etj., e në këtë radhë hynte edhe poeti i kërkimeve lirike e prozatori i tharmit poetik Petrit Qejvani:
Dashuria jonë u tha si ai druri i bukur i qershisë,
Që e thau thëllimi dimrin që shkoi
Dhe më kot fëmijët pritën verën të skuqnin buzët
Dhe kopshtari i kërrusur
Vështron i trishtuar qiellin
Me të drejtën e protestës
Për mundimin e tij
(Vegim i një kujtimi, 1971)
Megjithëse krijimtaria e Petrit Qejvanit, e përzgjedhur brenda këtij triptiku në rreth 80 faqet e para, i takon kryesisht periudhës së formimit të tij krijues, e kjo do të thotë tri dekadat e fundit, në tërësinë e saj ajo përshkon një biografi krijuese të tij. Në radhë të parë kemi të bëjmë me përzgjedhjen e lirikave të tij të dashurisë, të shkruara në të gjitha periudhat krijuese të tij, dhe rrallë e tek brenda tyre edhe elementë mitik e dromca politike të kohës.
Mbrëmë Desdemona ishte në pastiçeri me Otellon
Dhe unë u kënaqa kur i pashë të dy
Jagua i kërrusur përgjonte pas xhamave
Jagua i vetmuar po thinjej në shi…
(Dashuri e kohës sonë, 1970)
Poezive të tij ju prinë një lirikë e bukur e frymës agolliane që jo rastësisht edhe mban titullin A, por që ashtu sikur edhe në Fjalorin e gjuhës shqipe në këtë rast përdoret “si emër; emër i gjinisë femërore; kuptim i figurshëm; fillimi i diçkaje; gjëja e parë që duhet; njohuritë fillestare: e nis nga a-ja”:
Nuk e di si erdha drejt teje
Drejt meje s’di si erdhe ti.
Veç di që erdha aty ku duhej
Aty ku duhej erdhe ti.
(A)
Në këtë rrjedhë e gjithë lirika e tij poetike e përshkuar në vargje bashkohet në vargje dashurie e thërrime aktualiteti. Nëse në poezinë e parë zgjohen erërat e artit dhe dashurisë, në poezinë e radhës bashkohet arti i të dashuruarit të një grekeje dhe zgjimi i një historie të vjetër dashurie homerike me një histori bashkëkohore të Ligjit të Luftës ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë.
Petrit Qejvani ishte shkrimtar me dhunti të veçantë krijuese, me njohje të gjerë artistike në fushë të dramës, me një trashëgimi të pasur të letërsisë antike e mesjetare si dhe me kulturë akademike në fushë të perceptimit estetik, prandaj poezisë së tij, shpesh i dha edhe dimensione, përbërës të tjerë historik e estetik, por në thelbin e saj ruajti boshtin e dashurisë, brenda njësive leksikore, stilistike, motivore e krijuese të brezit të tij, që përshkohej nga fjalët simbole: grua, vajzë, e dashur, dhembje, kafene, baladë, sy, buzë, natë, qiell i zbrazët, pritje, pafundësi, kitarë, flokë të zezë, qelq që pret të thyhet, tronditje zemre, vegim, vjeshtë, sa shumë vjeshtë në krijimtarinë letrare të këtij brezi, që të kujtojnë krijimet letrare të Bodlerit, Verlenit e brezit të tij, dhe kryevepra Lulet e së keqes, të cilën shkrimtarit i postmodernes në Kosovë Beqir Musliut, në këtë kohë e pati transformuar në veprën e tij poetike Lulet e së keqes (1968) etj.
Le të thuhet më në fund, se poezinë e tij e përcjell një etikë e lartë krijuese, të cilën jo të gjithë bashkëkohësit e kanë dhe jo të gjithë e kanë ruajtur qoftë edhe për hire të disa veçorive stilistike të saj. Në krijimtarinë e tij letrare, etika e fjalës dhe etika e mendimit shfaqet sa në poezi po kaq edhe në prozë.
Proza
Në këtë vëllim të përzgjedhur më shumë se sa hapësirën e poezisë zë vend proza. Në vitet ’70-të shekullit të kaluar këtë veçori të tij të pranisë së prozës në vend të poezisë, Profesor Rexhep Qosja do ta quante pjekuri të krijimtarisë sonë artistike. Një numër kaq të madh tekstesh, një hapësirë kaq të vëllimshme dhe për një periudhë kaq të gjatë krijuese, po kaq sa edhe të poezisë, dëshmojnë për pjekurinë krijuese të tij, formimin shkencor e estetik dhe përgatitjen teoriko-letrare të individualitetit të tij.
Në këtë vëllim janë përfshirë tregimet e zgjedhura, të cilat, megjithëse nuk ruajnë një kronologji tematike, ndoshta do të ishte më me interes që të ruanin gjithashtu edhe kronologjinë e shkrimit a të botimit: Dialog në mes të vjeshtës (1996), Keqardhja për mësuesin (1994), Në gjirin e popullit (1974), Një orë gjeografie, Pas pesë vjetësh (1974), Performancë (2008), Qiriu në dritaren e kishës (1972), Si e zbulova “Zërin e Amerikës” (2012), dhe Udhëheqësi i diplomës, një temë mjaft e largët personale.
Ajo që përshkon të gjitha tregimet, pavarësisht kohës kur janë shkruar dhe pavarësisht temës që trajtojnë është linja e etikës që përcjell narratorin. Autori, në të vërtetë narratori i të gjitha tregimeve, flet në vetën e parë a të tretë dhe rrëfen për periudha të caktuara e tema të caktuara, por në rrëfimin e tij, në diskursin a ligjërimin e tij, ruan e përmbyll me synim përfundimtar etikën e fjalës, etikën e mendimit dhe natyrshëm, etikën e rrëfimit.
Nëse në tregimet e periudhës së parë, autori duke i rënë etikës së rrëfimit, dukshëm i ikën ligjërimit të prozës shqipe të realizmit socialist, në tregimet e periudhës postkomuniste, me ligjërimin e tij shton veçoritë letrare të tekstit duke i dhënë përparësi ironisë, po duke mos kaluar në sarkazmë e shund, çfarë e gjejmë përgjithësisht me bollëk në prozën e letërsisë shqipe të kësaj periudhe. Vetëm mund të merret me mend një tekst i periudhës së viteve ’70 me temë partizane, sikur është tregimi Në gjirin e popullit (1974); dhe vetëm mund të merret me mend ironia, sarkazmi e madje shundi në një prozë të shkruar në kohën tonë, sikur është tregimi Si e zbulova “Zërin e Amerikës” (2012). Nuk mund të mos theksoj këtu se tregimet e periudhës së parë kanë më shumë dramë të përgjithshme dhe më shumë dramaticitet të brendshëm të rrëfimtarit. Ato janë shkruar sa për tu lexuar po kaq edhe për tu vënë në skenë a gjiruar film. Tregimet e periudhës së dytë ndërkaq janë më afër teatrit dhe kanë më shumë zhvillime të brendshme. Tregimet e periudhës së parë sikur i prijnë drejtuesit të ardhshëm të Teatrit a të Filmit, ndërsa tregimet e periudhës së dytë sikur e përcjellin nga skena drejtorin e Teatrit të Vlorës. Le të shpresojmë se botuesi do të na jap së shpejti edhe vëllimin e tregimeve të plota të këtij autori, i cili në asnjë mënyrë nuk mbetet prapa bashkëkohësve të tij: Fatos Kongoli, Ridvan Dibra, Zija Çela, Ferhat Cakaj, Bashkim Shehu, Kiço Blushi etj.
Studimet
Vëllim i përzgjedhur i poezisë, prozës e studimeve të Petrit Qejvanit përmbyllet me disa studime, që në një mënyrë a një tjetër, përmbyllin edhe biografinë letrare dhe profesionale të tij. Ndryshe sikur nuk mund të ndodhte. Petrit Qejvani e ka filluar jetën e tij prej mësuesi në fshatrat në të thella të Shqipërisë Veriore, e ka vazhduar jetën profesionale prej drejtuesi të Teatrit të Vlorës dhe e ka përmbyllur jetën prej ligjëruesi në Universitetin e vendlindjes “Ismail Qemali”. E ka filluar jetën prej poeti e prozatori dhe e ka përmbyllur atë duke shkruar e ligjëruar tema të mëdha të letërsisë shqipe e botërore. Në këtë vëllim janë përfshirë në mënyrë simbolike katër artikuj: Identiteti kulturor i shqiptarëve (1994), Naim Frashëri – Poeti dhe atdhetari (2006), Për librin e G. Tushit “Politika dhe qytetari” (2007), Petro Marko – Shkrimtari dhe qytetari ose drama që vjen prej utopisë (2008) dhe Mbi fizionominë poetike të Ali Asllanit. E ne presim që në një botim më vete një ditë të kemi edhe artikuj të tjerë, për të mos thënë edhe ligjëratat universitare për letërsinë antike dhe mesjetare, të kërkuara edhe sot prej universitarëve tanë.
Në këtë përmbledhje editori, sikur i ka vënë qëllim vetës ta përfaqësoj studiuesin me nga një tekst profilizues (shqiptarët, Naim Frashëri, Ali Asllani, Petro Marko dhe dy miq të tij krijues), në të vërtetë një tekst autorial për shqiptarët, si një mesazh për të huajt; një studim domethënës për universin krijues e shpirtëror për Naim Frashërin; një tekst monografik të munguar për poetikën e Ali Asllanit; një mesazh zhgënjimi për Petro Markon dhe brezin e tij dhe së fundi dy reçensa miqësore. Si të tilla, këto tekste përmbyllin biografinë e jetës dhe bibliografinë profesionale, biografinë e edukatorit të një brezi të largët dhe bibliografinë e pedagogut të një brezi në formim.
Pasi ka përmbyll një jetë të pasur prej edukatori, shkrimtari, intelektuali e ligjëruesi në katedrën më të lartë universitare dhe pasi ju ka dhënë lamtumirën bashkëkohësve të tij, Petrit Qejvani e ka filluar jetën prej autori vëllimesh letrare, publicistike e shkencore. Pas botimit të dy vëllimeve me poezi e tekste publicistike dhe pa e parë dritën edhe ndonjë vëllim tjetër me proza e studime, ai këto ditë vjen me një vëllim të përzgjedhur (triptik) me poezi, proza dhe studime përfaqësuese.
Megjithëse ende pa njohje të plotë të portretit krijues të tij, sot mund të themi se Petrit Qejvani me këtë vëllim na vjen i plotë dhe i tejshquar, me të gjitha veçoritë e tij jetësore e krijuese. Prandaj, le të jetë kjo vepër një homazh për 75-vjetorin e lindjes së tij, që tash mund të quhet edhe 75-vjetor i krijimtarisë letrare të brezit të tij.
PETRIT QEJVANI-INTELEKTUALI ELEGANT VLONJAT – NGA GËZIM TUSHI –
Sot kemi rastin të kujtojmë, rikujtojmë, pse jo edhe të takohemi literalisht me mikun, shokun, kolegun, njeriun që edhe pse iku para kohe nga kjo botë, ka lënë të plotë emrin, kontributin social dhe intelektual, por edhe një pjesë të krijimtarisë së tij cilësore e të spikatur, të sintetizuar në tipologjinë e një Triptiku.
Nuk ka kaluar aq shumë kohë sa të tronditet kujtesa jonë sociale dhe të zbehen lidhjet interpersonale dhe interaktive me këtë njeri. Personalisht mendoj se Petriti ishte dhe mbetet një njeri i veçantë për nga kultura individuale, aftësitë e komunikimit social dhe pasha publike. Një figurë kulturalisht e spikatur, që pushtetin e dijes e kishte kapital të personalizuar, që shfaqej kudo në mënyrë evidente, në biseda shokësh, debate miqësore, tryeza akademike apo tubime letraro-shkencore. Në qënien e Petritit ishte organik uniteti si njeri, intelektual “par excellence”, profesionist me deontologji të sigurt dhe dimension të qartë të njeriut tërësisht urban.
Ka qenë një tipar i tij evident, që pavarësisht se ku ndodhej fizikisht, apo çfarë pozicioni apo pozite sociale e administrative kishte në atë moment, (gjë që si për të gjithë ka qenë determinante dhe jo e varur nga vlerat e tij) zëri, fjala, kultura, personaliteti i tij ishte gjithnjë dinjitoze. Njeri i veçantë që i dallohej fjala, shikimi, gjuha elegante e trupit, temperamenti, humori e qeshura e gjerë, batuta e kripur, shakaja e përhershme. Në çdo gjë ai kishte një sens mase organik, që e bënte atë tërheqës, komunikues, bashkëbisedues të këndshëm që të mbante të tërhequr si “magnet klasi”. Nuk e teproj, po qe se them se pesha e tij intelektuale ka qenë imponuese, deri ditën që mbylli sytë.
Sa herë kujtoj Petritin, relacionet e mia të gjata miqësore, shoqërore gjithnjë më vijnë në mendje fjalët e një filozofi të madh frances të kohës sonë, se për njeriun vetëm “dija është pushtet”. Këtë e dinte fare mirë Petriti i cili luciditetin intelektual, dijen korente të shumanshme letrare, politike, filozofike e qytetare e kishte gjithnjë në mënyrë të pandryshuar, objektin kryesor të krenarisë së vet Intelektualisht të merituar.
Të brendshme, organike por edhe të shfaqur mjeshtërisht në jetën intelektuale e letrare publike. Libri që kemi në duar e pasqyron, mbase jo plotësisht të vërtetën e dimensionit intelektual me aftësi të gjëra krijuese si poet, prozator, eseist, estet elegant i artit, kulturolog, politolog dhe kritik i talentuar. Në të gjitha këto fusha është i njohur kontributi i tij konsistent. Gjithnjë një mendje krijuese origjinale, asnjëherë manierist apo epigon i të tjerëve. Ai qoftë në fjalë apo në penë nuk ishte i ngurtë, dogmatik apo skematik. Këtë do ta kuptoni kur të lexoni “Triptikun” e tij.
Bufoni dhe më pas Marksi, duke e marrë nga latinët e vjetër përdornin shpesh sentencën se “Stili është njeriu”. Në këtë kontekst mendoj se nëse ka një vlerë fare të sigurt (midis shumë vlerave të tjera) për Petrit Qejvanin është siguria e patundur, se kudo ku ai “vuri penën” apo “lëshoi fjalën”, ishte gjithnjë vetja e tij, shpirti krijues, mendja dialektike e shpirti i tij i pandryshuar, gjithnjë kritik. Ai e urrente ontologjikisht si gjënë më të shëmtuar epigonizmin apo plagjiaturën servile. Madje ai i kishte indikatorët e sigurt, për të evidentuar dhe dalluar këto patologji letrare dhe intelektuale kudo ku shfaqeshin. Mjafton të shikoni poezitë e Petritit. Të gjitha të përkryera. Meditative dhe filozofike. Asnjëherë prozaike apo empirike.
Petriti ishte edhe mësues, pedagog, edukator ndër më të mirët e kohës së tij. Nxënësit dhe studentët që kanë patur fatin të dëgjojnë ligjëratat e tij në auditorë, kanë mbresa të shumta, emocione estetike të forta. Duke qenë krijues Petriti ishte mësues pa shumë “disiplinë pedagogjike” e didaktike të ngurtë e burokratike. Sepse kur atë e rrëmbente frymëzimi në auditor i “shkelte” kanonet e vjetra të pedagogjisë në emër të dimensionit estetik.
Padyshim si çdo njeri edhe Petriti kishte idhujt e vet, intelektualë e krijues me potencë të kulturës kombëtare dhe internacionale, por që sikurse thotë Frensis Bekoni, nuk e penguan atë të kuptojë botën në mënyrë origjinale dhe po në këtë mënyrë edhe ta pasqyronte në krijimtarinë e vet. Njerëzit në jetë kanë idhujt dhe idolet e tyre. Edhe Petriti kishte disa. Por duke qenë një mendje sovrane dhe personalitet i kultivuar dhe kulturuar, elegant e sqimatar, selektiv dhe mendje organikisht kritike, idhujt e tij kanë qenë të kursyer. Edhe pse ata kanë qenë objekt i bisedave tona të përbashkëta, unë nuk i mbaj mend të gjithë simpatitë letraro-kulturore dhe figurat e dashura të tij.
Por nga shoqëria jonë e përbashkët prej katër dekadash, kemi folur për shumë figura omnipotente të kulturës, artit, politikës. Por besoj se një nga “ganxhat” e forta që na mbajti gjallë shoqërinë dhe bisedat tona ishte Kadareja i madh.
Petrit Qejvani është padyshim “kadareologu” më i madh i qarqeve intelektuale dhe artistike të Vlorës. Kam frikë se në këtë “areal kadareian”, ai ishte ndoshta nga më të shquarit edhe në nivel kombëtar. Ai e njihte në mënyrë shteruese dhe në të gjitha nuancat e holla stilin, origjinalitetin dhe tërë korpusin e veprës së tij.
Para pak ditësh e kam takuar për herë të dytë Ismail Kadarenë, gjeniun e letrave shqip dhe midis të tjerave i kam folur për Petritin si krijues, intelektual por dhe si “investues” i pakursyer, për të bërë të njohur veprën dhe vlerat artistike të shkrimtarit tonë të madh. Petriti kishte shumë pasione. Ai për çdo gjë fliste me energji, elokuencë dhe kompetencë për çdo gjë poezinë, pikturën, teatrin, kulturën. Por kur fillonte “temën e Kadaresë” të gjithë të tjerët heshtnin.
Pak kohë para se të ndërronte jetë, unë dhe bashkëshortja ime, miq të vjetër e të njohur të tij, gjetëm mënyrën që të takoheshim. Ramë dakord të takoheshim te kafja e tij e preferuar tek ish Fabrika e Orizit. U tronditëm, u pezmatuam thellë. Ndihej hija e së keqes që kishte pushtuar tërë qenien e tij të dikurshme. Por vetëm fizikisht, jo atë mendore dhe sidomos sensin e humorit. Edhe pse pranë gjendjes terminale, i dërmuar fizikisht, ai nuk donte t’ia dorëzonte personalitetin “forcave të jashtme” që po i gërryenin në mënyrë përfundimtare shëndetin.
Ky ishte takimi im i fundit me shokun, mikun, kolegun. Unë isha një nga miqtë e tij të shumtë. Sepse ai ishte supersocial dhe kishte shumë miq. Por duke qenë sqimatar, shumica prej tyre ishin të zgjedhur sipas “mizurës” së tij intelektualisht dhe qytetarisht të pagabueshme.
Një pjesë prej tyre janë sot këtu, për ta kujtuar atë dhe veprën e tij.
E kanë thënë britanikët: Zogjtë me të njëjtat pupla gjithnjë rrinë dhe fluturojnë së bashku. I përjetshëm qoftë kujtimi Petrit Qejvanit…
NJOHJA ME PETRIT QEJVANIN SI NJERI, INTELEKTUAL DHE KRIJUES I TALENTUAR – NGA PROF. DR. RAMI MEMUSHAJ-
Është gjë e bukur që përvjetori i dikujt që është ndarë nga jeta, të kujtohet duke i paraqitur një libër të shkruar prej tij. Kjo sikur e sjell atë të gjallë në kujtesën tonë e na bën ta na duket sikur bisedojmë me të. Kështu po na ndodh sot, me Petritin, që po mbush dhjetë vjet që është ndarë nga jeta.
Thonë se vepra zbulon shpirtin e autorit, karakterin e tij, formimin e tij psikologjik e social. Kjo e vërtetë dëshmohet edhe në rastin tonë. Këto veçori të personalitetit të njeriut mbruhen në familje dhe që në moshë të vogël. Fëmija është pasqyrë e prindërve të vet. Kështu që po them dy fjalë për familjen e Ago e Hasife Qejvanit. I kam njohur që fëmijë i vogël, se i kishim shtëpitë afër me Xha Malon, gjyshin e Petritit. Xha Malua na lidhte mua, Lirisë dhe Ibros (Ibro Jonuzit) dyfeqet prej kallami misri, se nuk dinim t’i lidhnim, dhe Hasifeja na nxirrte ndonjë gjë për të ngrënë. Agua ishte ushtarak dhe nuk e kisha parë. Më vonë ai e tërhoqi familjen në Gjirokastër. Të dy me Hasifenë ata lindën dhe rritën me sakrifica dhe edukuan një vatër fëmijë: Lirinë dhe Petritin, që u bën mësues, Refatin që u bë inxhinier ushtarak, Maksimin, që u bë mjek, Natashën, Vjollcën dhe Lavdoshin. Pikërisht ato virtyte të larta morale që kishin trashëguar nga të parët – atdhedashurinë, ndershmërinë, thjeshtësinë, urtësinë dhe të qenët i drejtë – Agua dhe Hasifeja ua mëkuan edhe fëmijëve të tyre.
Këto cilësi i manifestoi në jetë dhe i mishëroi në veprën e vet Petriti. Duke lexuar vëllimin “Performancë”, që po paraqitet për herë të parë në përvjetorin e 75-të të lindjes së tij, të bie në sy laryshia e temave që trajton, si në poezitë e tij dhe në tregimet. AI ishte me shpirt poeti, gjë që e shprehnin sytë e tij ëndërrimtarë dhe që e mishëroi më shumë në poezitë e tij. Kjo duket edhe në poezitë e këtij vëllimi, të shkruara gjatë një periudhe 45-vjeçare, që kur ishte fare i ri dhe deri kur lëngonte në shtrat nga sëmundja e rëndë. Ka në të poezi lirike, ku i këndohet dashurisë dhe femrës; ka poezi kushtuar natyrës; ka poezi qytetare, në të cilat ai shpreh shqetësimin për plagët shoqërore të periudhës së tranzicionit. Duke qenë një vrojtues i vëmendshëm dhe shumë i ndjeshëm ndaj dukurive negative që po kaplonin shoqërinë shqiptare pas viteve ’90, ai nuk rri pa i shprehur përjetimet e tij në krijimet e veta. Kështu, në poezinë “Atdheu im me dy histori”, e cila merr shkas nga përpjekjet e qeverisë së djathtë për të revizionuar historinë, duke mohuar Luftën Antifashiste, ai me dhimbje shkruan: “Atdheu im me dy histori/ dhe asnjë të vërtetë./ Atdheu im me dy palë heronj/ E me dy palë tradhtarë,/ Me heronj tradhtarë/ Dhe tradhtarë heronj.” Në një poezi tjetër, të titulluar “Kaos”, Petriti konstaton poetikisht gjendjen kaotike të shoqërisë shqiptare të krijuar nga mungesa e zbatimit të ligjit. “Tek ne/ Nuk ka kahje të lëvizjes./ Mungon shigjeta e orientimit/ Mund të ecësh si të duash/ Njëherësh nga lindja dhe nga perëndimi/, thotë ai, – “Semaforët e jetës shoqërore janë prishur/ …/ Po deshe vret në mes të ditës/ Pa pasur frikë se ndëshkohesh për krimin./ Gjykatësi i vetëm –/ Pikëllimi…”,
Ai nuk lë dhe plagën tjetër të shoqërisë shqiptare, materializmin e skajshëm, rendjen pas parasë dhe pasurisë. Në poezinë “Pa moral”, ai stigmatizon politikanët që e kanë kthyer politikën në biznes dhe zyrtarët në përgjithësi, që i shesin me para shërbimet që i japin qytetarit. “Një grykësi e madhe, si epidemi,/ Ka përfshirë shoqërinë shqiptare,/ Dikush pasurohet me mandat deputeti,/ Dikush me poste qeveritare./ Një njeri i zakonshëm shet vajzën për të jetuar,/ Një tjetër shet fqinjën e vet për fitim,/ Një politikan drejton trafikun e drogës,/ Kurse një tjetër atë klandestin./ Një noter noterizon dokumente false/ Një zyrtar të shet një vërtetim të rremë,/ Dhe gjykatësi që duhet të ruante ligjin/ Të lejon ta blesh dhe atë vetë…/ Atëherë,/ A mund të flitet për shtet?!” Nuk ka penë tjetër që në kaq pak rreshta të ketë bërë autopsinë e një shoqërie të sëmurë.
Përkundër të pangopurve, që s’lënë krim pa bërë për t’u pasuruar, ai vë njeriun e ndershëm. “kjo botë shëmtohet sa herë pasuria bëhet qëllim në vetvete dhe e vret njeriun”, shkruan ai në hyrje të poemthit
“Kënga e njeriut të ndershëm”: Unë jam i ndershëm, ndaj dhe i pasur/ Dhe mbret e bos s’më hyn në sy,/ Se kurthe, servilë e prapaskena/ I mbyt me një det me dashuri./ Dhe nuk shoh ëndrra me euro,/ As me çeqe a me trafik./ Më mjaftojnë zemrat e miqve,/ Që vlejnë më shumë se një çiflig.”
Kur, me përmbysjen e regjimit monist, Shqipëria u hap ndaj botës, vërshuan këtu nga Europa lloj-lloj organizatash e misionesh për të na ndihmuar kalimin në shoqërinë pluraliste. Po shpesh “workshop”-et e tyre, dmth. seminaret si i themi shqip, qenë pa ndonjë vlerë, sa u bënë edhe objekt humori, si “workshop”-i ka u mësohej shqiptarëve si bëhej rakia. Këto nuk kanë kaluar pa u vërejtur dhe pa u stigmatizuar nga Petriti, që i bën objekt të humorit të tij të hollë në tregimin e gjatë “Performanca”, ku heroi i tregimit revoltohet në një “workshop” të organizuar nga të huajt me temë si t’u heqim kompetencat drejtorëve të shkollave që të mos kthehen në diktatorë, duke dalë kundër presidiumit e kundër sallës që po mrekulloheshin nga diskutimet e atyre që kërkonin të zhvisheshin drejtorët nga çdo kompetencë, sikur e keqja Shqipërisë do t’i vinte nga drejtorët. Po e keqja, në të vërtetë, i vinte nga ata që ishin në krye të pushtetit, të cilët nuk kishin pastruar nga mendësitë moniste. Dhe këtë Petriti e thotë me finesë nga fundi i tregimit, kur, ndërsa ishte duke pirë një kafe, shfleton gazetën dhe ndalet te faqja e jetës parlamentare, ku sytë i “mbetën te deklarata fantastike e kreut të Kuvendit, një ish i persekutuar politik i diktaturës, i njohur për shprehjet ekstra , i cili kishte thënë në një takim me përfaqësues të rinisë së djathtë, ku ishte ftuar dhe Mis Albania e vitit, se miset nuk mund të jenë të majta!…”
Bir i një familjeje që në Luftën Antifashiste i dha atdheut një dëshmor, Petriti dëshmohet në poezitë dhe tregimet e tij njeri me shpirt atdhetari. Dhe atdheu për të nuk është vetëm Shqipëria politike, po më e madhe, siç është në të vërtetë. Gjatë një vizite në Prishtinë në vitin 2008 atij i bën përshtypje stenda me fotografitë e të zhdukurve në luftën e viteve 1999-2000. Dhe u kushton këtyre poezinë “Ndjesa e munguar” në të cilën denoncon krimet e kryera nga Serbia. Ai shkruan: “Kjo stendë e thjeshtë është akuza më e rreptë/ Për barbarinë serbe, që kaloi me furi./ Dhe pas kësaj tmerrnaje gjëja e parë,/ Që duhet të bënin serbët, patjetër,/ Do të ishte kërkimi i ndjesës shqiptarëve,/ Që të niste kështu pastrimi i ndërgjegjes./ Por serbët këtë ende s’e kanë bërë/ Dhe ky është krimi më i madh nga çdo krim./ Kjo do të thotë se serbët ende janë sëmurë/ Dhe do të duhet kohë për shërim…” Një pohim, vërtetësinë e të cilit po e demonstrojnë serbët më veprimet e tyre edhe 15 vjet nga koha kur Petriti shkroi këtë poezi. Serbët janë një komb i sëmurë nga shovinizmi ekstrem dhe urrejtja për viktimat e tyre, shqiptarët. Do të duhej që kjo poezi të afishohej në stendën me fotografitë e të zhdukurve si një akuzë për mizoritë e Serbisë dhe për t’i treguar botës se serbët nuk janë shëruar nga shovinizmi.
Botimi që po paraqitet sot, ta forcon bindjen e krijuar nga leximi i dy vëllimeve të para të tij se Petriti ishte një mjeshtër i fjalës. Ai kishte një shpirt poeti, por jo nga këta poetët që thurin bejte dashurie, po qenie sociale, njeri me ndjenja, me nuhatje të hollë, me horizont kulturor. Do të kishim pasur prej tij edhe shumë kontribute të tjera letrare, po të mos i ishte ndërprerë jeta në kulmin e fuqive të tij krijuese. Por edhe me kaq sa shkroi, ai do të mbetet në kujtesën jo vetëm të të afërmve, po dhe të gjithë atyre që i kanë lëçitur apo do t’i lëçitin librat e tij.
PETRIT QEJVANI, PJESË E PJEKURISË SË KRIJIMTARISË ARTISTIKE – NGA PROF. ASOC. DR. BERNARD ZOTAJ-
Libri “Performancë” me tri nuanca të arrira
Përkujtimorja për të paharruarin Petrit Qejvani, edhe pas 10 viteve të ndarjes nga jeta, ishte një dukuri e veçantë për tërë rrethin familjar, miqtë dhe shokët e tij. Njerëz dhe figura që lënë gjurmë edhe në shekuj do të kujtohet për veprën e tyre të lënë në biblioteka tona. Është një kënaqësi që redaktori Luan Malaj, botuesi Genti Gëzhilli na kanë sjellë “Performancë” të Petrit Qejvanit në tri nuanca mjaft të arrira. Shpreh mirënjohjen për Prof. Begzat Baliu për një përshkrim në hyrje të “Performancës”, mjaft kuptimplote dhe mbresëlënëse, për të shijuar leximin e triptikut me arritjet më të mira, sipas përzgjedhësve, pasi vepra e shkruar nga Petrit Qejvani është e gjitha Performancë.
Libri “Performancë” e përgatitur dhe e përzgjedhur nga e gjithë krijimtaria letrare e studimore, na sjell orgjinal shkrimtarin, kritikun dhe analistin Petrit Qejvani, që ishte dhe mbeti intelektual në pesë dekadat e fundit, poet, prozator, kritik dhe analistit. Nëpërmjet këtij triptiku njihemi dhe me një biografi të shkurtër, por të pasur në shtrirjen kohore të periudhës prej më shumë se pesë dekada.
Prej biografisë del se Petrit Qejvani, i takon brezit që krijimtarinë letrare dhe studimore e ka filluar në fund të viteve ’60, të shek. XX. Ishte kjo një periudhë krijimesh letrare të brezit të ri të Shqipërisë, sepse ishte periudha e shkrimtarëve të afirmuar si: Dritëro Agolli, Ismail Kadare e Fatos Arapo po dhe e shkrimtarëve që po krijonin themelet e krijimtarisë së tyre serioze: Frederik Reshpja, Moikom Zeqo, Faslli Haliti, Thanas Dino, Sadik Bejko etj.
Në këtë kohë dolën dhe shkrimtarët që shquheshin për motivet popullore, për varg lirik, për natyrë, shpirt dhe dashuri për jetën, ku hynte dhe poeti i kërkimeve lirike dhe prozatori e studiuesi Petrit Qejvani.
Në vitet ’70 ë shek. XX u kalua në veçori të prozës dhe në vend të poezisë, siç shprehet akademik Qosja u afirmua një pjekuri e krijimtarisë artistike. Teksti i periudhës së viteve ’70 temë për zemër kishte temën nga lufta partizane. Këtë e vrejmë dhe në prozën e tij, sidomos në tregimet “Në gjirin e popullit” “Qiriu në dritaren e kishës”, etj.
Një triptik me ngjyra reale
Nëpërmjet librit me përzgjedhje “Performancë” të Petrit Qejvanit ne njihemi me biografinë letrare dhe profesionale të tij, me jetën e një mësuesi në fshat në zona të thella të Shqipërisë, për të vijuar me drejtues teatri dhe në përmbyllje të jetës, ligjëruesi në universitet. Nëpërmjet këtij triptiku shumë të pëlqyer na vjen biografia e një edukatorit të një brezi të hershëm dhe bibliografia e një pedagogu që edukon një brez në formim.
Dakortësohem me mendimin e prof. Begzatit së është ende i pa njohur dhe jo i plotë portreti krijues i tij, por me këtë prurje plotësohet deri diku portreti i ndritur i Petrit Qejvanit.
Homazhi që i bëjmë në 75-vjetorin e lindjes së tij, të ngelet si njëpikënisje për të zbardhur të plotë të gjithë veprën e Petrit Qejvanit.
Nga leximi i këtij triptiku më kanë ngelur në mëndje thëniet lapidar të tij, si “liria është monumentale”, apo “krenari me përulësi, trimëri me dhëmbje, dashuri me nostalgji”, si dhe “të njohim sakrificat e njeriut në luftë, për faktin se në luftë ndodhin gjërat më të pabesueshme”, etj.
Njohje me autorin
Petrit Qejvani lindi në Palorto të Gjirokastrës, në 1 shkurt të vitit 1949. Në vitet 1968-1972 kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në degën Gjuhë-Letërsi dhe kursin pasuniversitar një vjeçar për Kritikë Letrare pranë Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë në vitin akademik 1977-1978. Në vitet 1972-1987 shërbeu si mësues letërsie në Kukës dhe në Vlorë. Në tri vitet e mëpasme Drejtor i Teatrit të Vlorës dhe më pas mësues dhe drejtor në shkolla të ndryshme të qytetit të Vlorës. E mbylli karrierën pedagogjike në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, si lektor i Letërsisë Antike e Mesjetare, si dhe i Estetikës. U nda nga jeta në 13 gusht të vitit 2014. Pas vdekjes, u botuan vëllimi poetik “Kënga e zogut blu” (2015) dhe libri “Fjala ime” me publiçistike (2016). Libri i fundit, “Performancë”, është një triptik antologjik, me krijimtari të zgjedhur në poezi, tregime dhe studime të Petrit Qejvanit në përkujtimoren e 10 vjetorit të ndarjes nga jeta.
GJURMË TË EKZISTENCËS HUMANE. MENDIME MBI LIBRIN PERFORMANCË – TRIPTIK ANTOLOGJIK, ME KRIJIMTARI TË ZGJEDHURA TË AUTORIT PETRIT QEJVANI.
Nga Dr Bashkim Abazi, Shkrimtar, studiues, filozof.
Kur përballesh me identitetin e qenies – si ekzistencë e “të qenurit”, e dallon standardin e autonomisë; në trajta metaforike e të supozuara të pjesëve të njohura apo të fshehura në trurin njerëzorë, përjetohen gradualisht vorbulla shtjelluese pafund. Në analogji me kohën dhe brezin, brenda rrethit me hipnoza ideologjike e psiko-sociale, përjetohen edhe metamorfozat e qenies me intelekt, të përtypura me kurajë, vështirësi dhe përshtatur me lirinë formale; për t’i dhënë perceptim individit, që e ushtron vullnetin për të jetuar – si energji të jetës së përkorë.
Qenia njerëzore është një tërësi, ku çdo pjesë është dëshmi e përpjekjeve për të bërë qëndresë, të vetruajtjes dhe të vërtetave jetësore. Tek “Performancë”, e autorit Petrit Qejvani, ajo është e shfaqur edhe si sfidë. Një profil jetësorë dhe krijues – krejt ndryshe nga tradita, në skenarë hipotetik të identitetit dhe përthyerjeve filozofike, për më shumë ndjenjë dhe kuptim, të lind dëshira për raportet trup-mendje; prirjen e kushtëzuar apo të nxitur njerëzore për balancë midis përndjekjes individuale dhe harmonisë jetësore.
Antologjia “Performancë” të fton në meditime reflektuese, analiza sintetike serioze, renditje të gungave të jetës, të një shpirti lirik, lëvrues të ndjenjave dhe rrëfimtar të vlerave të qenësishme humane.
Mos tentoni të ndryshoni njerëzit, ata kanë lindur për të qenë vetvetja dhe jo çfarë ju doni, që ata të jenë. Franz Kafka (Letra Felices) arsyetoi prirjen e njerëzve për ta shndërruar dike, ashtu si ata e dëshirojnë; dhe nga ana tjetër, individë, që demonstrojnë pamundësinë për t’u zhbërë dhe mospranuar tjetërsimin e identitetit dhe karakterit. Një prirje me pasoja kërcënuese për integritetin profesional, psikosocial, etik…
Antologjia triptik e përzgjedhur, në poezi, prozë dhe studime është plotësuese e portretit, shpirtit krijues letrar dhe artistik të autorit. Portreti i performancës – me 64 poezi, 233 strofa, 1113 vargje; 10 tregime dhe 5 studime, me mbi 4000 fjalë – bart dhe shpreh tërësinë e përmbajtjes shpirtërore; ai është pasqyrë e ngarkesave emocionale, e raportit të brendshëm me realitetin. Në krijimtari reale, si riprodhim apo formë, si simbol apo metaforë, mjet artistik apo gjurmë, ai nuk e fsheh misionin, qëllimin, mesazhin, fabulat.
Brenda portretit shtjellohet inteligjenca shpalosëse, reflektuese, paragjykuese në meditim dhe spiritualitet; ajo e urdhëron, e bën autorin të vendosur, brenda dhe jashtë rregullave me parime, e përmbush qenien e tij epistemike drejt të vërtetave. Tek gjurma e identitetit të Petritit ndërthuren pjesë artistike, morale, intelektuale. Me emocione tek e shprehura, shenja, gjendjet me tronditje, shpërfytyrime, transformime e ribërje, ai ka ditur të zbrazë shpirtin e shqetësuar nga pritja, ankthi, dhimbja; të trazuar nga dashuria, vuajtja, durimi, qëndresa, trishtimi. “…ti s’di ç‘është dashuria/ gjersa mbi të shkele pa të drejtë/ shpesh, njeriu ka nevojë të vetmashtrohet/nuk e hëngrëm provokimin/brazda të lehta që i përshkonin ballin/…
Në çdo rast, ai ringrihet mbi pozitivizmin e fryrë të epokës që jetoi…”grua-vajzë, vajzë-grua/është e gdhendur në kujtesë nga gërmadhat e kujtimeve/gjyshja ishte gëlqere në fytyrë…Si qenie e përfshirë tek arti, kultura, letërsia, nxit motivimin e qëllimeve me ndjenja kënaqësie, gëzimi e lumturie, pa e përjashtuar edhe heroiken, fisnikërinë, urtësinë. “…dashuria e parë është një pemë, që nuk thahet kurrë”.
Më mirë se kushdo, këto vlera i transmeton poeti, studiuesi, shkrimtari. Poetika ka të renditura traditën – në 40 poezi, me 4 vargje. Lëvrimi i llojshmërisë së grupuar sipas kohës, më shumë se sa shija lirike e autorit, në gjurmët e Petrarkës, Serembes, Agollit, Spahiut me strofën-varg 7, 9, 11, 13, 17, dëshmon gjendjet psikologjike dhe spirituale të autorit. Janë tri poezi të gjata: “Biondja e Pireut”, 10 strofa; “Pendimi”, 8 strofa dhe “Në kafene”- baladë për dashurinë” me 60 vargje.
Është interesant fakti i debutimit poetik në modelet e zgjatura metrike dhe kompozicionale të poezisë me 1,2,3 nën/ndarje, në dy raste: poezia “Për politikën dhe popullin” me 82 vargje, “Kënga e njeriut të ndershëm” me 88 vargje. Autori i përdor të gjitha llojshmëritë e rimës, tradicional ABAB, klasik AABB, modern AAAB dhe të shfrenuar nga ligjësitë semantike dhe semiotike të fjalës dhe shkrimit.
Pjesa e prozës, me fillimet e krijimtarisë në v. 1971, përkon me të njëjtën periudhë poetike dhe studimore. Ky proces sui generis, i jep të drejtë logjikës me causa sui për të provuar dhe gjetur identitetin krijues. Autori lufton me vetëqenien, natyrën, kohën. Tek “Dialog në mes të vjeshtës” shpreh dilemat: ç’punë kam unë me poetët/unë e kam me vjeshtën/ ah, poezia për vjeshtën/vargjet e poetëve nuk më bëjnë më përshtypje/nuk kanë atë efekt sa të më bëjnë të ndërroj mendim… ai i barazohet stinës si “i ngjashëm”, ku bashkë me atë humbasin ngjyrat, bien gjethet, ndihet shija e hidhur e humbjes.
I ngjashëm tek “Pas pesë vitesh” dhe “E tradhëtoj se e dua”, me thelbin: të urresh a priori pafajësinë e qenies së dhjamosur, dordolec me qëndresën e justifikuar “e tradhtoj në emër të jetës”, shpalosen rikthimet me forcën e mposhtjes së emocioneve. “Hodha hi mbi zjarrin e dëshirave të saj, sepse hi mund të hidhej tashmë, gjithçka tjetër ishte realisht e pamundur dhe e padrejtë/Po zbrisja nga planeti mjegullnajë, që mban emrin femër/ Në djall takimi nesër/ Nuk do të mendoj më për atë (personazhi Keti, Ariana).
Alegorik dhe gjykues sintetik, tek “Udhëheqësi i diplomës”, “Keqardhja për mësuesin” gjejmë analogji kritike dhe groteske me prozën “Një orë gjeografie” dhe “Performancë”, kur vendos dialogun udhëheqës shkencor, drejtor, mësues, nxënës (për njohjen e Indisë nga personazhi i filmit Vagabondi Raxh Kapuri. “Përse more hartën e Evropës, kur do t’ju flisje për Kinën dhe Indinë/ që t’ju tregoja se Kina dhe India nuk janë pjesë të Evropës/ si mund të jetë sa më pak i rrezikshëm drejtori i shkollës! Kështu, mund të specifikohen edhe tregimet “Qiriu në dritaren e kishës” …prifti: luftën e bëjnë të çmendurit/ gjyshja: si nuk pushoi kjo djallo luftë/ ndryshe nga italianët, gjermanët janë të egër, por me cipë, si në rastin e vrasjes së xha Telos, se nuk ju dha mushkën (e përsëritur edhe tek tregimi “Në gjirin e popullit”).
“Si e zbulova Zërin e Amerikës”- v.2012 është i veçantë, si retrospektivë e moshës, marrëdhëniet me babain dhe pjekurinë e autorit. Dialogët: baba, kur këta gënjejnë, përse i dëgjon/i dëgjoj të mësoj sa të djallëzuar janë/ gërshetohen me të njëjtën dilemë, drejtuar fotografisë në kornizë: i bëj me mendje pyetjen që i bëja dikur, duke u munduar të kuptojë ç’thonë sytë e tij…si atëherë kur sytë shpesh fshihnin në thellësi shumë të vërteta e dyshime, duke i mbytur me një shikim bosh, pa domethënie, pluhur të asgjësë.
Por, tek Petriti ka një dritare të fshehur trilluese me kategoritë filozofike të Aristotelit: shkak – pasojë, rastësi – domosdoshmëri, forma – përmbajtja, mundësia – realiteti. Të ndërthurura me studimin dhe rrëfimin, tek poezia lexuesi përballet me filozofinë e intuitës dhe të modifikimit të intelektit në një realitet me tri kohë. E konceptuar si “e kushtëzuar” nga sistemet, autori i dorëzohet me vullnet rastësisë së H. Bergson për të shpallur autonominë e profilit të vet dhe e percepton hakmarrjen ndaj realitetit, duke mos qenë si ai. Tek poezia “Kurrë”, ai shprehet kategorik ndaj melodramës jetike: Kurrë në jetë urrejtje nuk mbolla/dhe në urrejtje dashuri kërkova.
Ndryshe nga E. Kant – si vullnet i lirë, përtej kohës dhe hapësirës, i ngjashëm me Niçe dhe Bergson, autori e përjashton atë nga besimi hyjnorë dhe u jep frymë krijimit sipas shkakësive jetësore. Tek triptiku ndeshim panoramën e një shpirti lirik, në lëvizje, të vetëdijshëm dhe fluturues për ndjenjë dhe kuptim; si nevojë për ngritje, largësi nga materialja…drejt qenies antroposofike. Shpirtërorja e autorit thotë asgjë dhe gjithçka. Ai e shëtit realitetin e shpirtit në nivelin “e nevojshëm e të domosdoshëm”; mbi mundësi e rastësi, imazhe dhe stil sfidues i jep rrugë narracioneve mikluese, joshëse, duke i shmangur konceptet dhe doktrinat. Tek poezia “Rastësisht” e dekodon kalvarin jetësorë me vargjet: ne rastësisht vijmë në jetë/rastësisht edhe dashurojmë/ne urrejmë rastësisht/rastësisht edhe tradhtojmë…
Si S. Esenin, për ofiqin e poetit dhe prozatorit, Petriti nuk i kërkon falje gjithësisë. Ai ndjehet qytetar i botës, që mund të jetë kudo, që ju jepet të gjithëve, por ndryshe nga ai. Në qasje për të justifikuar qenien rrebeluese jashtë rrethit të pengesave e parazgjedh germën “A”, grindet me alfabetin epitaf të morfemave, dhe i rendit si borxhe të marra nga mërmërima, psherëtima patetike, ndaj asaj pjese indulgjente, që e kërkon shëlbimin tek renditjet dhe pranimet ideologjike, pseudodoktrinat dhe aspak tek “të qenurit” vetvetja e patjetërsueshme nga absurdi i parimeve, kodeve etike, virtyteve me vlera dhe jo vese. Ai e detajon këtë thelb të ekzistencës individuale dhe kolektive si falje shpirti qëndrestar. Sa bukur e dëshmon: qëndroja si tuaf përpara gotës/ një mitraloz i rëndë kollitej frikshëm/litarë shirash binin nga qielli/
Tek pjesa e tretë-studime me “Identitetin kulturor të shqiptarëve” 1994 Itali, Naim Frashëri – poeti dhe atdhetari, ungjilli ku duhet të gjejmë forcën morale, kundër pesimizmit se “…ky vend s’bëhet”, autori bën apel për dashuri për njeri-tjetrin. Për librin e Gëzim Tushe, Petro Marko – shkrimtari dhe qytetari ose drama që vjen prej utopisë…do ta performoja me fjalët e autorit: i lumtur nëse kjo do t’ju ngjall kuriozitetin për kulturën shqiptare, kontakti me të cilën nuk do t’ju zhgënjejë!
Mbi kozmologji dhe eskatologji të thjeshtë, ai përbën rastin paradigmatik të hulumtimeve cilësore. “Mbi fizionominë poetike të Ali Asllanit” studiuesi shpërthyes P. Qejvani, poetin – vlonjat me “V” të madhe – i ndrojtur, modest, lirik, këndonjës individual, mjeshtër të harmonisë; këtë personalitet poetik që “…e thërret muza”, që rimon vargje me ngjyrë: Vlorën thelb e kam në zemër/ ditën e kam dritë/ natën e kam ëndërr/ … e vendos dinjitoz me vargun e Çajupit vajtues, Fishtës epik dhe tradicional, Poradecit tokësorë dhe qiellorë, Mjedës ndriçues të ndjenjave përdëlluese për njeriun, Migjenit dramatik dhe kontestues të kohës, Nolit të zjarrtë dhe penës semantike të fjalës. Eudiamonik në formim, hiperbolik në metaforë dhe metonimi, autori ka shpalosur shtysat e diplomës filologjike, duke i zgjeruar dimensionet e saja krijuese, pedagogjike, letrare, studimore – shkencore dhe filozofike.
Thuhet se “për atë që ikën fizikisht nga kjo jetë, jeton aq kohë sa njerëzit e kujtojnë”. Poeti Faslli Haliti, tek poezia “Ndarje” gulçon: si kërmilli, gjithçka do të marr me vete/dhe këngë, dhe heshtje. Sot, në këtë 75 vjetor, geni trashëgues i familjes Qejvani na ka dhuruar sharmin e portretit dhe melodinë e këngës “Performancë” të poetit, prozatorit dhe studiuesit Petrit Qejvani.
Urime, ju faleminderit për dëgjesën.
Përgatiti për faqen kallarati.com
Besnik Gjonbrataj
3 shkurt 2024