Prof. dr. Rami Memushaj –  Shtetësinë mund ta ndërrosh, kombësinë jo

Shtetësinë mund ta ndërrosh, kombësinë jo 

 

 

 

 

 

 

 

Këta tridhjetë e ca vjet nga ndërrimi i sistemit, si rrjedhim i hapjes së vendit shqiptarët kanë mërguar në kontinente e vende të ndryshme dhe shumë syresh kanë marrë shtetësinë e këtyre vendeve. Shtysa për marrjen e një shtetësie tjetër janë nevojat jetike të emigrantëve për t’u integruar në jetën e vendeve ku jetojnë dhe për të përfituar të drejta si të qytetarëve vendës të këtyre shteteve.  

Ndërrim i shtetësisë është një e drejtë e çdo qytetari që mërgon në një vend tjetër, një e drejtë e pranuar nga legjislacioni i çdo shteti. Po këtë të drejtë disa shtete europiane, si Rusia, Greqia, Serbia e Bullgaria, po e shfrytëzojnë për të krijuar artificialisht pakica etnike, duke pajisur me pasaporta të tyre qytetarë të vendeve fqinje, të cilët nuk jetojnë në shtetin që u lëshon pasaportën. Pasojat e veprimeve të tilla të Greqisë, Bullgarisë e të Serbisë po i ndien edhe vendi ynë. Kështu, fqinji ynë jugor ka pajisur me pasaporta greke e u paguan pensione njerëzve që as kanë jetuar e as kanë punuar në Greqi, si p.sh. në krahinën e Himarës, me synimin për të krijuar minoritet grek. Kjo politikë e korruptimit të qytetarëve shqiptarë është denoncuar qysh 20 vjet më parë nga prof. Kristo Frashëri dhe autori i këtij shkrimi në librat dhe në artikujt e tyre për Himarën, si një plan “me pasoja të rrezikshme për qetësinë dhe stabilitetin e vendit… që po zbatohet në dritën e diellit dhe në sytë e Bashkimit Europian dhe të institucioneve të tjera të Europës së Bashkuar, madje edhe me paratë e taksapaguesve europianë” (Memushaj, Himara, 2004, f. 12).  

Në shërbim të kësaj politike aneksioniste primitive që prej dy shekujsh po ndjek Greqia ndaj Shqipërisë, janë organizata si Sillogu Vorioepirot dhe Sillogu i Himarës në Greqi, Federata Panepirote e Amerikës dhe, pas viteve ’90, organizata “Omonia” e PBDNJ në Shqipëri. Për përmbushjen e këtyre qëllimeve të Greqisë, jo me armë si deri më 1940, po duke u përpjekur të ndryshojnë përbërjen etnike të krahinave të bregut të Jonit nga Himara në Konispol, po punojnë militantë të helenizmit që bëjnë pjesë në këto organizata.  

Kështu, në një udhërrëfyes të Himarës të vitit 2006, kur Vasil Bollanoja ishte kryetar i bashkisë, lexojmë: “Gjatë luftës mesinike në shekullin e 7-të para Krishtit në Himarë erdhën Spartanë, gjë që shënon fillimin e një lidhjeje farefisnore midis këtyre dy krahinave. Me këtë lidhje do ndeshemi shpesh gjatë rrjedhës së historisë, gjë që ka krijuar një traditë të përbashkët midis tyre. Veç kësaj popujt e këtyre dy krahinave kanë origjinë më të lashtë të përbashkët dorike. Shumë elementë të gjuhës së lashtë dorike ruhen akoma në dialektin vendor të Himarës (Guidë turistike e Himarës, 2006, f. 9).  

Pra, “historianët” e Bollanos na thonë se me ardhjen e spartanëve në dy ishujt greqishtfolës – Himarë dhe Dhërmi e Palasë – u zbulua se kishin lidhje farefisnore dhe këto lidhje nuk janë shuar edhe me kalimin e rreth 30 shekujve. Duke mos u marrë me gjithë të pavërtetat që shqiptohen në këtë fragment, po ndalemi në thelbin e tij, në tezën se këto tri fshatra janë me prejardhje helene. Si u gjendën këto dy enklava greke në trevën e Kaonisë, e cila ishte shumë larg vendit të dorëve, Peloponezit? Përgjigjet janë dy: banorët e këtyre dy ishujve gjuhësorë janë ose dorë të ardhur nga Peloponezi në kohë të mugëta të historisë, ose mbeturina të dorëve, që, sipas disa historianëve grekë, lëvizën nga Shqipëria e Mesme drejt Peloponezit, mbeturina që ruajtën të paprekur identitetin helen dhe dialektin e lashtë dorik.  

Mirëpo në historinë e lashtë të gadishullit të Ballkanit nuk ka dëshmi lëvizjesh të tilla. Asnjë prej dijetarëve grekë e romakë, që nga Herodoti e deri te Stefan Bizantini, nuk përmend dyndje fisesh greke në Epir. Por, edhe sikur për një çast të pranojmë se në këto treva ka një substrat helen të shek. XI–VIII para erës së re, sikundër përpiqen të provojnë historianët modernë grekë apo historianë të huaj, si Shtadtmyleri, N. Hamondi etj., ky substrat nuk kish si të mos asimilohej nga elementi vendës, ashtu siç u asimiluan pa lënë gjurmë kolonitë greke të bregdetit ilir apo siç u asimiluan sllavët e ardhur në këto troje 13-14 shekuj më vonë. Dëshmi kolonizimi të Himarës nga grekë të Peloponezit nuk gjenden as në burimet dokumentare dhe tregimtare të periudhës prej S. Bizantinit e deri në fundin e sundimit otoman në Shqipëri. 

Le të shohim se ç’thonë burimet historike mesjetare për përkatësinë etnike të himarjotëve. Dëshmia e parë vjen nga një dokument venedikas i vitit 1201, sipas të cilit “kontinenti përballë Korfuzit banohet nga shqiptarët (arbanenses)” (P. Xhufi, “Dilemat e Arbërit”, 2006, f. 302). Dy kronika të shek. XIV–XV, “i përmendin shqiptarët si elementin e vetëm të qëndrueshëm që popullonte Epirin” (po aty, f. 303). Në një dokument të një autori anonim të shek. XV thuhet se Epiri “ashtu si në të shkuarën banohej nga ilirët epirotë, po ashtu në kohën e tij banohej nga shqiptarët, që ishin farë ilire” (po aty, f. 305). Barleti, në “Histori e Skënderbeut”, duke bërë fjalë për pjesëmarrjen e princërve shqiptarë në Kuvendin e Lezhës më 2 mars 1444, për himarjotët, që i cilëson si “një popull i pamposhtur dhe trim, që të mos them luftarak”, thotë se u përfaqësuan nga Andrea Topia, zot i Himarës (Histori, f. 97). Himarjotët përmenden nga kronisti venedikas Stefano Magno si “popuj të një vendi malor, që janë më shumë se 50 fshatra”, të cilët kishin ftuar Gjon Kastriotin më 1481 “t’i zbonin turqit dhe të fitonin lirinë” (G. Sathas, Documents inédits…, T. VI, f. 229) dhe më 1485 po ky autor thotë për ta: “Queli di Zimera, populi Albanesi” (Ata të Himarës, popull shqiptar) (po aty, f. 236). Në vitin 1532, një vëzhgues i huaj shkruan: “Provinca e Shqipërisë është e ndarë në tri pjesë… Pjesa e parë është nën zotërimin dhe pushtimin e venedikasve, e dyta është nën pushtimin e sulltanit, e treta është në zotërimin e shqiptarëve, nga shkaku i maleve të ashpra që ka aty, sepse ka disa njerëz nëpër ata shkëmbinj dhe fise të ndryshme që mbahen në atë vend, siç na kanë thënë… Dhe ata mbahen në një vend e në një pjesë të Shqipërisë që tani quhet Himarë”. (Memushaj, Himara, f. 39). Ka edhe dëshmi të tjera të shek. XVI dhe të fillimit të shek. XVII për përkatësinë etnike shqiptare të himarjotëve, të cilat përmenden në librat për Himarën.  

Ndër këto burime, me rëndësi të veçantë janë regjistrat osmanë të tokave shqiptare. Këtu po i referohemi defterit të sanxhakut të Delvinës të vitit 1583, në të cilin jepen lista të kryefamiljarëve të çdo fshati. Në këtë defter Himara, Dhërmiu e Palasa dalin me 285 kryefamiljarë. Nga këqyrja e listës së tyre na ka dalë se 75% e emrave dhe e llagapeve të tyre janë emra të vjetër ilirë, si: Lekë, Qesar, Pirro, Zot(o); emra shumë të vjetër të krishterë, kryesisht me burim latin, që në gojën e shqiptarëve kanë përfunduar në trajtat: Dedë, Dhimë/Dhimo, Gjikë, Gjin, Gok(ë), Goga, Gjon, Kond, Likë, Mark, Mëhilli, Martin/Mërtir, Nikë, Pal, Premti, Strat, Todër, Zhupë etj.; emra vendesh, si: Kudhësi, Zagoria; dhe emra të përgjithshëm, si: Balsh, Bardh, Demi, Koka/Kuka, Mërkuri, Plaku. Por edhe pjesa tjetër e emrave me burim të dyshimtë ose grek nuk e kanë shkronjën -s në fund, që është karakteristike për greqishten. Pra, emrat dhe llagapet e shek. XVI të banorëve të të tri fshatrave vërtetojnë në mënyrë të pakundërshtueshme përkatësinë e tyre etnike shqiptare.  

Me rëndësi janë edhe dëshmitë e të huajve që kanë qëndruar ose që kanë udhëtuar në Himarë. Të tilla dëshmi për përkatësinë etnike të banorëve të Himarës, Dhërmiut e të Palasës dhe gjuhën e tyre na vijnë nga murgjit bazilianë që shërbyen në misionin e Himarës në shek. XVII–XVIII. I pari ndër ta, Neofit Rodinoja, i cili nga korriku 1633 e deri më 1648 shërbeu në Himarë, që ishte kryeqendra e misionit, thotë se ngarkoi të përkthente doktrinën e krishterë një meshtar me emrin Dhimitër, që “e njeh shkëlqyeshëm gjuhën shqipe, sepse është vendës dhe një katolik i vërtetë(Nilo Borgia, I monaci, I, 1935, f. 49). Një tjetër misionar, De Kamilis, në një relacion të vitit 1672 propozon shkollimin në Kolegjin Grek në Romë të dy ose tre të rinjve nga “nga zonat kryesore të krahinës” që mund të jenë më të vlefshëm se “njohin mirë gjuhën shqipe, e cila flitet në të gjithë krahinën” (po aty, f. 158). Një tjetër misionar, Filoteo Zassi, në një raport të vitit 1699, pyetjes nr. 8 lidhur me gjuhën e krahinës i përgjigjet: “gjuhët e nevojshme për këta popuj janë greqishtja dhe shqipja”(I monaci, II, f. 72); kurse në përgjigjen e pyetjes 13 thotë: “Të gjithë janë katolikë: në Himarë janë 1500 frymë, në Dhërmi po ashtu, … në Palasë 600…” dhe në përgjigjen e pyetjes 17: “Janë të ritit ortodoks” (f. 73). Por dihet se katolikë të ritit unit ishin shqiptarët e krahinës. Misionari arbëresh Zef Skiroi, në një relacion të vitit 1729 shkruan për dështimin më 1720 të ekspeditës turke kundër Korfuzit “pjesërisht falë trimërisë së shqiptarëve të rivierës himarjote” (po aty, f. 129).  

Nga dëshmitë e udhëtarëve të huaj po sjellim ato të fillimit të shek. XIX të dy anglezëve. Dëshmia e parë vjen nga konsulli anglez Martin Lik, i cili e vizitoi Himarën më 1804. Në librin e tij “Travels in Northern Greece, vol. I” (1835), duke folur për Nivicë-Bubarin, Lukovën, Piqerasin, Borshin, Qeparoin, Himarën, Pilurin, Vunoin, Dhërmiun, Palasën dhe Dukatin, ai thotë: “greqishtja flitet pothuajse nga të gjithë burrat, kurse italishtja nga ata që kanë jetuar jashtë; por gratë përgjithësisht nuk dinë gjuhë tjetër përveç shqipes” (f. 88). Fakti që gratë dinin vetëm shqip, do të thotë se greqishtja nuk ishte gjuhë amtare e këtyre fshatrave. I dyti është Henri Holandi, që në librin e tij “Travels in the Ionian Isles, Albania…, 1815” thotë: “Himarjotët i përkasin fisit shqiptar të Labëve” (f. 517).  

Më në fund, le të vijmë në vitin 1935, kur Gjyqi i Përhershëm i Drejtësisë Ndërkombëtare në Hagë mori në shqyrtim çështjen e hapjes së shkollave greke në fshatrat shqiptare të Shqipërisë. Shqipëria i paraqiti kësaj gjykate listën e fshatrave të minoritetit grek me dhe pa shkolla greke. Në këtë listë me 93 fshatra greke, e cila u pranua nga Gjyqi i Hagës, po edhe nga Greqia, nuk gjendet asnjë nga fshatrat e Himarës. Pra, më 1935 qeveria greke nuk i njihte si minoritare Himarën, Dhërmiun dhe Palasën (K. Frashëri, Gazeta shqiptare, 15.09.2010). 

Po vetë himarjotët çfarë kanë thënë për përkatësinë e vet etnike? Këtë e marrim vesh nga letërkëmbimi i tyre me papën dhe me careshën e Rusisë. Kështu, në letrën e parë dërguar papës Gregori XIII ata nënshkruajnë “Dalla Chimara, cioe dall’Epiro degli Albanesi, 12 Luglio 1577…; dall’ Epiro gli Albanesi Sacerdoti chierici e Laici …” (Nga Himara, dmth. nga Epiri i shqiptarëve, 12 korrik 1577…; nga Epiri priftërinjtë, klerikët dhe laikët shqiptarë…” (I monaci …, I, f. 13). Dhe në shkurt 1581, në letrën e dytë të 38 fshatrave të krahinës për këtë Papë, ata i premtojnë se “do të ngremë flamurin në emër të Shenjtërisë Suaj dhe të mbretit Filip dhe kështu do të bashkojmë me çështjen tonë të gjithë Shqipërinë dhe Morenë, duke qenë se shqiptarët dhe grekët janë të shumtë në numër” (f. 18–19). Pra, të gjitha fshatrat nënshkruese, përfshirë edhe Palasën, Dhërmiun e Himarën, e dallojnë veten si shqiptarë nga grekët e Peloponezit. Edhe pas dy shekujsh, në një letër të 16 tetorit 1759 të 47 fshatrave të mëdha të krahinës (ku Himara, Dhërmiu e Palasa janë të parat në listë) drejtuar Elisabetës së Rusisë për t’i ndihmuar të çliroheshin nga zgjedha otomane, përfaqësuesit e tyre thonë, ndër të tjera, se “flasim shqip, atë gjuhë që flitet në Shqipërinë e Afërme dhe në Bosnjë, po në vende të ndryshme të mësuarit flasin greqisht e familjet më të shquara përdorin edhe italishten” (Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, II, Tiranë, 1962, dok 192).  

Mbrojtësit e tezës se këto tri fshatra janë greke, e mbështetin mëtimin e tyre kryesisht në dy relacione, që i gjejmë në librin e N. Borxhës. Njëri është i një autori të ngarkuar nga Propaganda Fide-ja për t’i bërë një vlerësim misionit katolik të Himarës, i cili shkruan: “Është e vërtetë që grekët e Himarës i duan dhe i çmojnë misionarët, duke qenë se u intereson të kenë mësues që t’u japin mësim falas fëmijëve” (I Monaci…, I, f. 37). Tjetri është relacioni i dytë i Zef Skiroit, që thotë se nga 14 fshatrat që kanë mbetur ende të krishtera, “Himara, kryeqendër e provincës, Dhërmiu dhe Palasa janë të kombësisë greke; Iliazi, Vunoi, Kallarati, Piluri, Qeparoi, Piqerasi, Lukova, Shën Vasili, Hundëcova, Nivica dhe Lëkurësi janë me kombësi shqiptare (I monaci… II, f. 133). Por që të dy mendojmë se e bëjnë këtë pohim duke u nisur ngaqë flasin greqisht, për më tepër që Skiroi në relacionin e parë, që u përmend pak më sipër, flet për trimërinë e “shqiptarëve të rivierës himarjote”.  

Pavarësisht nga këto dy raste, që nuk mjaftojnë për t’i vënë në pikëpyetje pohimet e të huajve, dëshmitë e shkruara të vetë himarjotëve dhe dokumentin për Gjyqin e Hagës, mendojmë se sa u tha më sipër provon katërcipërisht përkatësinë etnike shqiptare të himarjotëve.  

Por pas krijimit të shtetit grek, ndikimi i Greqisë mbi fshatrat e Bregut ka ardhur duke u rritur. Si pasojë e politikave favorizuese të ndjekura prej saj ndaj kësaj treve, veprimtarisë së kishës, që, pas largimit të misionit bazilian, ra plotësisht në duart e klerikëve grekë, si dhe e shkollave greke, filluan të shfaqen ndjenja progreke. Ruajtja edhe pas Kryengritjes së Tanzimatit e venomeve vetëm për Bregun e Sipërm, si pasojë e ndikimit të Patrikanës dhe të qeverisë greke, patën si pasojë një afrim të mëtejshëm me Greqinë dhe njëfarë tërheqjeje të himarjotëve nga kauzat për të cilat luftonte pjesa tjetër e Shqipërisë.  

Kjo u pasqyrua në zbehjen e rolit të himarjotëve në lëvizjen kombëtare për pavarësi që nga mesi i shek. XIX e deri më 1920 dhe në shfaqjen e një ndjenje autonomie, që arriti kulmin në prag dhe pas shpalljes së Pavarësisë. Kështu, më 19 nëntor 1912, majori himarjot Spiro Spiromilo, në krye të andartëve grekë nga Kreta dhe të vullnetarëve himarjotë, zbarkoi në Himarë, zuri shpejt fshatrat e Bregut dhe pas pak ditësh, bashkë me forca të rregullta greke, nisi sulmet kundër fshatrave të Kurveleshit të Poshtëm dhe Dukatit. Për Spiromilon banorët e Bregut të Sipërm nuk ishin as grekë, as shqiptarë, po himarjotë që kanë jetuar tërë jetën në një krahinë autonome, prandaj duhet të ndaheshin nga Shqipëria dhe të formonin një republikë më vete, “Republikën e Himarës”, që do të mbështetej te Greqia si vend ortodoks.  

Qëndrimi refraktar i elementit grekoman vijoi edhe pas Luftës së Vlorës. Kështu, qeveria shqiptare e dalë nga Kongresi i Lushnjës vetëm më 1921 e shtriu autoritetin e saj mbi Himarën, por duke u detyruar t’u njihte venomet 7 fshatrave. Megjithatë, elementët grekomanë nuk hoqën dorë nga kundërshtimi i pushtetit qendror. Më 1924 ata u ngritën kundër masave të qeverisë për shqiptarizimin e krahinës, që e bënin shqipen gjuhë zyrtare, kurse greqishten gjuhë të dytë. Revolta pati edhe më vonë, të cilat u shtypën nga Ahmet Zogu. Dhe Bollanoja na thotë në guidën e tij se pushtimin e dytë të Shqipërisë së Jugut nga Greqia më 1940 himarjotët (nënkupto: grekomanët) “e pritën me entuziazëm dhe në mënyrë festive” (f. 12). Edhe më 1945 himarjotët nuk pranuan të merrnin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme.  

Pasojat e kësaj veprimtarie antishqiptare duken në regjistrimet e popullsisë të viteve 1923 dhe 1945, ku situata etnike dhe gjuhësore e Himarës, Dhërmiut dhe Palasës del e përmbysur. Më 1923 këto tri fshatra deklarohen 100% greke, kurse më 1945 deklarohen si grekë 98,36% e banorëve të tyre (Ardit Bido, Beteja për 20 përqindëshin, 2023, f. 105 dhe 107). Gjendja është përmbysur në gjashtë regjistrimet e periudhës 1950–1989. Po pas vitit 1991, në Regjistrin e Gjendjes Civile rishfaqen individë që deklarohen si grekë në njësitë administrative Himarë dhe Lukovë të bashkisë së Himarës, po në shifra të papërfillshme (Himara me 1,53% grekë, Dhërmiu me 1,14% Palasa me 0,45% dhe Gjileka me 0,57%) (po aty, f. 102), ndërkohë që Greqia mëton se këto fshatra janë me shumicë minoritare (po aty, f. 95). Për regjistrimin e fundit të dhënat ende nuk i njohim. Duke komentuar këto luhatje të ndjenjës identitare, A. Bidoja flet për “fluiditet të identitetit”. 

Me hapjen e Shqipërisë, luftëtarë të flaktë të helenizmit, si Vasil Bollanoja, Fredi Beleri, Piro Dhima dhe kandidati i tanishëm për kryetar i bashkisë së Himarës Petro Gjikuria, anëtar i Federatës Panepirote të Amerikës, Vangjel Dule i PBDNJ-së etj., po punojnë ethshëm për helenizimin jo vetëm të fshatrave të Bregut, po edhe të Labërisë së brendshme, duke përdorur “armën e korrupsionit”, po të shprehemi me fjalët e prof. Kristo Frashërit. Këta jo vetëm vetëdeklarohen si grekë, po i deklarojnë si greke edhe fshatrat e tyre, madje edhe gjithë krahinën. Për këtë shtrembërojnë historinë, siç ndodhi në simpoziumin e Himarës të vitit 2010, të organizuar nga V. Bollanoja; nxitin elementët grekomanë për të organizuar mitingje kundër qeverisë; përpiqen të ndryshojnë edhe gjuhën duke greqizuar onomastikën e krahinës: p.sh., Sopotin e quajnë Sopoto, Akrokeraunet – Akrokeravne, Ujvarën e Borshit e quajnë Ouivara etj.; si dhe duke u dhënë trajtë greke emrave e mbiemrave shqiptarë, p.sh.: Gjergj Zaho shkruhet Jorjis Zahos, Milto Qesari – Miltos Caisaris, Llambro Gjiçali – Labros Gjicalis, Mondi Kolagji – Mondis Koliakis, Andon Hamiti – Antonis Hamitis etj. (Guida).  

Të gjitha këto nuk janë tjetër veçse përpjekje për të ndryshuar “ADN”-në e krahinës, përkatësinë e saj etnike. Në kurthin e këtyre përpjekjeve për helenizimin e Himarës kanë rënë edhe njerëz të politikës e pushtetarë, që flasin për minoritet grek në Himarë. Në të vërtetë, ata që vetëquhen grekë a që të tjerët i quajnë grekë, janë shqiptarë himarjotë me pasaporta greke. Autori i këtij shkrimi, i mbështetur në listën emërore të zgjedhësve të bashkisë së Himarës për zgjedhjet vendore të vitit 2003, por edhe në burime të tjera, ka provuar se deri atëherë në Himarë nuk kishte grekë (Memushaj, Himara, f. 184–185). Nuk dimë të jenë shpërngulur në Himarë këta 20 vjet qytetarë grekë nga Dropulli, Vurgu, Greqia apo nga ndonjë vend tjetër, por, edhe po të ketë të tillë, numri i tyre do të jetë krejt i papërfillshëm. 

Kushtetuta e vendit tonë, në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar, i njeh individit të drejtën për të deklaruar hapur përkatësinë e vet etnike (neni 20). Këtë e siguron “Konventa kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare” (1998), paragrafi 1 i nenit 3 të së cilës thotë: “Çdo person që i përket një pakice kombëtare do të ketë të drejtën që të zgjedhë lirisht për t’u trajtuar apo jo si i tillë, dhe nuk do të ketë asnjë disavantazh nga kjo zgjedhje apo nga ushtrimi i të drejtave që lidhen me këtë zgjedhje”.  

Ky nen përjashton pengimin nga shteti të individit për të shprehur përkatësinë e tij kombëtare, por nuk nënkupton aspak liri absolute të individit në zgjedhjen e përkatësisë kombëtare. Këtë e bën të qartë “Komentari mbi dispozitat e Konventës kuadër”, ku lidhur me paragrafin e mësipërm bëhet ky sqarim: “35. Ky paragraf nuk nënkupton thjesht një të drejtë për një individ që të zgjedhë arbitrarisht që t’i përkasë një pakice kombëtare. Zgjedhja subjektive individuale është pandashmërisht e lidhur me kriterin objektiv përkatës të identitetit të personit.” Dhe me “kriter objektiv” duhen kuptuar vendlindja, vendbanimi, prejardhja e prindërve, gjuha, konstitucioni shpirtëror, lidhja kufitare me vendin amë etj.  

Duke i marrë me radhë këto kritere, del se banorët e Himarës, Dhërmiut, Palasës, por edhe të çdo treve që nuk kufizohet me Greqinë, nuk plotësojnë asnjë prej tyre: ata kanë lindur në Shqipëri nga prindër shqiptarë me gjyshër e stërgjyshër shqiptarë, që e kanë pasur shqipen gjuhë amtare, dhe banojnë në Shqipëri; gjuha amtare e brezave të sotëm është po shqipja (nuk dimë në ç’masë greqishtja është bërë lingua del cuore, dmth. gjuha e parë e të lindurve këta 30 vjet në këto fshatra, ku para 20 vjetësh 64% e nxënësve ishin fëmijë prindërish të ardhur nga krahina të tjera të vendit); formimi i tyre psiko-social është bërë në truallin shqiptar, me të cilin i lidhin mijëra fije. Sa i përket lidhjes kufitare me vendin amë, do pasur parasysh se, nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, pakicë kombëtare konsiderohet një grup etnik i shkëputur politikisht, po jo gjeografikisht nga shteti amë, dmth. grup etnik që është përfshirë në një shtet tjetër, por që banon në një krahinë kufitare me shtetin mëmë. Nga kjo pikëpamje, këto fshatra, si gjithë Bregu i Detit, nuk kanë kufij tokësorë me Greqinë. Në dritën e gjithë këtyre fakteve del se pakica greqishtfolëse e Himarës nuk është e etnisë greke.  

Duke iu rikthyer shprehjes së A. Bidos “fluiditet i identitetit”, lind natyrshëm pyetja: a mundet individi ta ndryshojë identitetin e vet etnik? Përgjigjja është se përkatësia etnike nuk mund të ndërrohet. Ashtu si ADN-ja është pasaporta biologjike e individit që vlen për identifikimin e tij, edhe përkatësia etnike është pasaporta psiko-sociale e individit, që nuk mund të ndërrohet sipas nevojës a dëshirës. Në Shqipëri ka qytetarë shqiptarë me pasaporta italiane, amerikane etj. që e mund ta ndiejnë veten si italianë, si amerikanë etj., po kjo s’i bën ata me kombësi italiane ose amerikane etj. Kjo vlen edhe për himarjotët me pasaporta greke. Ata mund të këndojnë e të hedhin valle greke, mund t’i përkthejnë këngët e vallet labe e t’i këndojnë dhe ato greqisht, mund t’i vajtojnë greqisht të vdekurit, mund t’i tregojnë greqisht përrallat shqiptare, mund të flasin vetëm greqisht, po kjo s’i bën ata grekë. Se tjetër është ta ndiesh veten grek dhe tjetër të kesh kombësinë greke.  

Pra, shtetësia mund të ndërrohet, por kombësia jo, ajo ka të bëjë me identitetin psiko-social të individit. Këtë duhet ta dinë pushtetarët tanë që flasin për minoritet grek në Himarë, dhe ata që merren me çështjet e pakicave a me demografi, sidomos ata të INSTAT-it, institucion ku duhet të ketë njohës të legjislacionit europian e ndërkombëtar për pakicat, që të mos na nxjerrin pakica egjiptiane, bullgare e serbe atje ku nuk ka pasur të tilla, thjesht duke u nisur nga pasaportat ose nga deklarimet e individëve. Kjo mosnjohje e legjislacionit krijon probleme të paqena, tensione brendaetnike e konflikte artificiale, si në rastin e Himarës, apo kërkesa për favorizime të këtyre “pakicave”, si trajtime preferenciale, financime ekstra, hapje shkollash etj., dukuri që shteti shqiptar është përpjekur t’i kufizojë që më 1928, me “Statutin Themeltar të Mbretërisë”. 

Besnik Gjonbrataj

Next Post

Gazeta "Labëria", shtator 2024

Enj Sht 5 , 2024