18 TETOR 1942 – 18 TETOR 2024. 82 VJETORI I RËNIES SË HEROIT TË POPULLIT MUMIN SELAMI

Në këtë përvjetor të 82-të rënies së “Heroit të Popullit” Mumin Selami, një ndër  katër heronjtë e Topanasë, zgjodhëm për lexuesit, miqtë e shokët e fejsbukut të shoqatës “Kallarati”, një shkrim të vitit 2016 të studiuesit, bibliografit, poetit dhe shkrimtarit Msc. Albert Habazaj nga Tërbaçi, kushtuar jetës dhe krijimtarisë letrare të heroit tonë, Mumin Selami.

“JETIMËT” – POEZI E PANJOHUR E NJË HEROI 19-VJEÇAR –

“Jetimët”, poezia e autorit dëshmor Mumin Selami, që botohet përherë të parë pas 75 vjetësh

Mumin Selami u lind më 23 dhjetor 1923, në fshatin Kallarat të Kurveleshit të Poshtëm, Bashkia Himarë, qarku i Vlorës. Babai i tij Selam Bajram Toçi ka qenë burrë i respektuar, patriot, pjesëmarrës dhe drejtues në luftërat që ka zhvilluar populli i Kallaratit si kundër turqëve e grekëve më 1914 dhe italianëve më 1920 në Vlorë. Ndërsa nëna e tij ishte deputetja legjendare nënë Duzja me emër nderi në Labëri, Vlorë, Tiranë e më gjerë. Sipas kujtimeve të veteranëve e shkrimeve të bashkëkohësve, Mumin Selami ishte i pari në Kallarat dhe nga të parët në Kurvelesh, që ngriti zërin kundër fashizmit.

Për nderim të emrit të tij të artë dhe tre shokëve, që së bashku me të luftuan kundër 400 karabinierëve e tradhtarëve dhe ranë heroikisht natën e zezë të 18 Tetorit 1942 në shtëpinë e vogël, përdhese në Topana, që kish mure me kallama po u bë kala, publicisti dhe shkrimtari i njohur Kleo Lati ka botuar monografinë e shkëlqyer “Heronjtë e Topanasë”, Tiranë, 8 nëntori”, 1979, me 223 faqe, e cila fitoi dhe Çmimin e parë në konkursin letraro-artistik të shpallur atëherë për nder të 35 vjetorit të Çlirimit të Atdheut.

Nga historia kemi mësuar se të rinjtë Hajredin Bylyshi, Mumin Selami, Bajrami Tushi e Hiqmet Buzi – pjesëmarrës të Luftës ANÇ, Heronj të Popullit, natën e 18-19 tetorit 1942 u gjetën të rrethuar nga forca fashiste në një shtëpi në lagjen Tophana të Vlorës, bazë ilegale e PKSH. Të rinjtë vendosën të çanin rrethimin dhe përmes zjarrit të dendur të armikut u sulën njëri pas tjetrit kundër fashistëve me revolver e bomba dore. Të katër u vranë duke luftuar. Akti i tyre pati jehonë jo vetëm në Vlorë, por në tërë Shqipërinë.
Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vëll. 3, 2009, f. 2309-2310, na jep këtë portret: “Mumin Selami, veprimtar i Lëvizjes ANÇ, Hero i Popullit. Lindi në Kallarat të Vlorës. Gjatë kohës që ndiqte gjimnazin e Tiranës, përqafoi idetë komuniste.

Pas pushtimit fashist të vendit u hodh në veprimtari dhe për këtë shkak u përjashtua nga shkolla, u burgos dhe u internua për më se një vit në fshatin e tij, ku vijoi veprimtarinë antifashiste. Me themelimin e PKSH përqafoi vijën e saj dhe vazhdoi luftën kundër fashizmit e bashkëpunëtorëve të tyre, duke marrë pjesë në atentate të guximshme.

U arrestua e u burgos dy herë; në Tiranë e në Vlorë, iu nënshtrua torturave, por për mungesë provash u lirua. U vra më 18 tetor 1942

Dihet se Mumini është marrë me letërsi dhe njihet një vepër e tij letrare “Përleshja e të vdekurve”. Në këtë shkrim ai i bën thirrje popullit të ngrihet kundër robërisë dhe shtypjes. Ai boton dhe vjershën “Mbi kockat e martirëve ngrihet atdheu”, 29 prill 1939. Kemi dijeni për një ditar të tij, nga i cili janë bërë të njohura shënimet e mbresëlënëse e të qarta: “27 Mars 1941” apo pjesa shkëputur nga “Loti i nënës”, gusht 1941. Në thelb Mumini qe poet revolucionar. Kishte nivel në krijimet e tij, ku dallon gjuha dhe shkrimi metaforik. Kemi shfletuar librin me poezi të autorëve dëshmorë “Flakëron me ngjyrë gjaku”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1979, me 163 faqe, përgatitur nga Kristaq Shtëmbari, ku përfaqësohen 24 dëshmorë me vjershate tyre dhe përkatësisht (sipas rendit alfabetik) Ali Demi, Dino Kalenja, Dhimitër Mino, Faredin Xhindole, Gjikë Kuqali, Hamdi Mëzezi, Hasan Luma (Sufa), Jani Dodi, Jorgji Dilo, Kristaq Tutulani, Kristo Isaku, Margarita Tutulani, Memo Meto, Mihal Duri, Mustafa Radovicka, Myrteza Pengili, Nimete Progonati, Perlat Rexhepi, Qemal Stafa, Salo Halili, Sinan Ballaci, Sulo Didi, Xhafer Cenko Lubonja dhe Zaho Koka.

Emri i Mumin Selamit nuk është. E çuditshme, por ndoshta përgatitësi nuk ka mundur ta gjejë këtë vjershë të heroit që po publikojmë sot. Falënderojmë studiuesin e pasionuar të folkorit lab, ish – mësuesin e spikatur të gjuhëve të huaja në disa gjimnaze të Lumit të Vlorës, krijuesin e talentuar Llambro Hysi, i cili, duke i folur kujtesës së punës në terren të viteve 1970, duke gërmuar në arkivat e tij na prezantoi një vjershë të rrallë të poetit dëshmor Mumin Selami, e cila publikohet për herë të parë për lexuesin shqiptar të mbas 75 vjetësh.

Është një poezi sociale, që shpreh talentin letrar të heroit të Topanasë, marrë nga gazeta “Tomorri”, e martë, 12 gusht 1941 me titullin “Jetimët” dhe nënshkrimin Mumin Selam KALLARATI”.

Ja teksti i plotë:

E pashë që ra nga syt’ e tu
Një lot i zjarrtë, i turbulluar,
Një lot që ngriu pa mbaruar
Rrugën që zu;
Dhe më erdhi keq, mik i ri,
O vogëlush fytyrë hënë,
Kur the që s’kam as babë, as nënë,
Jam pa njeri;
Kur the që dergjem në vetmi;
Nga gjithë shokët i veçuar,
Se unë jam një i mjeruar;
Pa pasuri;
Dhe tjetër lot nga syri ra,
Ja loti lotin e mbuloi,
Ja vdekja jetën skllavëroi
Trupi t’u tha…

Kaq është poezia. 16 vargje me rima të mbyllura, që janë dhe të pasura, ku vargu i parë rimon me të katërtin dhe i dyti me të tretin, sipas skemës abba, që i japin muzikalitet poezisë. Pa u futur në morfologjinë poetike, vjersha “Jetimët” është drithëruese si realizim për gjetjen dhe mesazhet që jep. Është një pikturë në vargje që na vjen si reminishencë poetike e skulpturës “I urituri”, veprës së parë të të madhit Odhise Paskali (Torino, 1924). Te “Jetimët” e autorit Mumin Selami ndihet bukur ritmi harmonik, që të bën për vete në ato vargje lakonike që ndriçojnë me dhembshuri, dashuri e humanizëm qytetar, me ngjyresë të freskët dhe origjinale artistike.

Kur Llambro Hysi ma dha vjershën ta lexoja (e kishte palosur pjesën lart ku qe shkruar emri i poetit), më tha: “Lexoje me kujdes dhe më thuaj sa vjeç ka qenë autori kur e ka shkruar”. E lexova një herë, dy herë, tre. Më pëlqeu. Shumë. Pulitja sytë. I thashë Llambros: “Ndoshta 50 vjeç. – Jo, jo – qeshte ai. “Lasgushi? Jo, Esenini? Jo. Lermontovi? Jo … Ngjanin dhe s’ngjanin. Kur ma shpalosi kreun e fletës, shumë të vjetëruar dhe aq të zverdhur nga vitet dhe pashë emrin Mumin Selam Kallarati, sinqerisht u befasova deri në tronditje. Gati e pamundur. Por shumë e vërtetë. Imitim nuk ka, po ndoshta as ndikim s’besoj se ka, ngaqë në atë kohë Munimi s’ ka patur mundësi të njihej me këto perla të letrësinë ruse.

Nuk njihej në Shqipëri as Esenini, as Pushkini, as Blloku, as Lermontovi. Siç kemi lexuar, vetëm romani “Nëna” i Maksim Gorkit qarkullonte fshehurazi me fashikuj. Në vjershën “Jetimët” dallojmë formatimin e kulturës së gjerë të autorit, stilin e tij, thjeshtësinë dhe natyralitetin në të shprehurin e ndjenjës me romantizëm dhe realizëm, një gjuhë metaforike që të bën magji e të rrëmben për të mos e harruar tekstin, një pjekuri të dukshme artistike shumë të parakohshme. Dhe ishte vetëm 18 vjeç kur e shkroi. 19, kur u bë lule lirie…

Besnik Gjonbrataj