NJË LETËR PËRKUJTIMORE, nga Marsela Ribaj


Të nderuar zotërinj të Redaksisë së gazetës “KALLARATI”!

Urime për gazetën e punën tuaj dhe përshëndetje të sinqerta nga larg.

Unë që po ju shkruaj, quhem  Marsela Çize Ribaj, lindur e rritur në Kallarat. Ju lutem të rezervoni pak hapësirë në gazetën  “KALLARATI” për këtë letër në përkujtim të motrës tonë, Vjollcë, me rastin e 2-vjetorit të ndarjes nga jeta.

Ditët kalojnë me shpejtësi dhe koha lë pas mjegullën e kujtimeve të jetës së copëtuar në moshë të re të motrës sonë Vjollca. Lindur e rritur në Kallarat, ajo ushqente një dashuri të madhe për vendlindjen.

Vjollca lindi më 4 mars 1969 dhe u nda nga jeta më 26 maj 2010. Shumë shpejt u shkëput nga jeta. Ajo iku në kohën kur kishte për t’i dhënë shumë familjes e shoqërisë. Rritur nga dy prindër punëtorë, të thjeshtë e të respektuar, Çize e Zonjë Ribaj, ajo u bë shpatull e fortë e prindërve për të rritur motra e vëllezër më të vegjël. Sidomos një ndihmë të madhe dha për rritjen e vëllait të vockël, Evaristit, i cili ka shumë vjet që nuk ndodhet më midis nesh. Evi vdiq I vogël, më 7 tetor 1991 aksidentalisht në Varth. Vjollca kur shkonte në shkollë të mesme në Vranisht, çdo mëngjes shoqëronte vëllanë për në çerdhe dhe kur kthehej, e merrte për në shtëpi. Ajo ishte si një nënë e dytë për të. E sot që të dy ndodhen aty në zemër të Kallaratit, ku shumë nga ne kanë njerëzit më të dashur që kanë ndërruar jetë, por me shpresë se prehen në paqe. Vjollca ishte një vajzë bujare, e forte e me zemër të madhe.

Në gusht të 2007-s u mblodhëm në Kallarat, në festën “Takim brezash”. Po festonim bashkëfshatarë e kushërinj në verandën e klubit të dajo Zeqos. Vjollca nga  profesioni ishte kuzhiniere dhe e lumtur që ishim të gjithë bashkë, nxirrte nga duart e saja dhe hidhte në tavolinë gjëra të mrekullueshme, bashkë me alegorinë e gëzimin që krijonte në shpirtin e njerëzve të pranishëm. Kënduam deri vonë këngë labe e zëri i saj i fortë gjëmonte si zë bilbili. Sa i pëlqente të këndonte dhe alegria.. I pëlqente jeta, por pa e ditur se një ditë do t’i ndërpritej ajo në një moshë të re… Iu prenë ëndrrat në moshën më të bukur. Iu fikën dëshirat, shpresat dhe dalëngadalë u fik edhe vetë.

E tillë ishte motra jonë Vjollca. Prandaj unë i them asaj se, ti o motër, do të mbetesh e paharruar nga ne sa të jemi gjallë, do të jesh përherë me ne në çdo gëzim e hidhërim të jetës sonë.

 

Marsela RIBAJ

Marre nga gazeta Kallarati, Nr. 64

Next Post

INTERVISTË ME PENSIONISTIN ADEM MATAJ

Sht Tet 20 , 2012
Z. Adem, nga cila familje vini dhe cilës mëhallë i përkisni? Unë jam njëri nga fëmijët e Zigur e Fatime Mataj. Kjo familje i përket mëhallës Qesraj të Kallaratit. Nëna ime, Fatime Alushja vinte nga Jonuzajt e mëhallës së Gjizeze.