PJESTIMI I FITORES. Nga Petrit Qejvani

                                               

PetritQejvaniArdhja ne pushtet e maxhorancës së majtë më 23 qershor, po shoqërohet edhe me disa dukuri tipike të koalicioneve, siç është ndarja e tortës fituese (qeveritare).


Por kjo nuk është një punë e lehtë pas tetë vitesh në opozitë dhe kur fitimtarët janë një tren me shumë vagonë. Mirëpo pushteti dhe shteti janë në ujdi përsa i përket proporcionalitetit të secilit dhe kanë limite.


Të gjithë aleatët janë rreshtuar me lugë në brez para asaj që ka mbetur tashmë nga torta qeveritare, pas ndarjes së pjesës qëndrore të tortës (qeveria) që u nda midis dy aleatëve të mëdhenj PS dhe LSI. Të vegjëlve sigurisht që as u shkonte ndër mend të shijonin atë pjesë, por këmbëngulës dhe të uritur presin aty racionin që do t’u japë.kryefitimtari,(kryeministri).


“Babagjyshi” i qeverisë ( jo i vitit te RI) Rama vështirë t’i kënaqë aleatët e vegjël grindavecë me thesin e limituar të “dhuratave”, të cilat, në ndryshim nga dhuratat simbolike të vitit të Ri, nuk janë ca kutiçka me arusha dhe karamele, por janë karrike që prodhojnë para, pra portofole. Megjithëse ka patur një kusht sipas të cilit shpërblimi me poste do të bëhet sipas kontributit: ajo parti, që i ka dhënë më shumë shuplaka qeverisë së rrëzuar, do ta ketë copën e tortës më të madhe. 


Disa prej tyre, ndonëse aleatë të vjetër, për shkak të numrit më të vogël të shuplakave dhënë qeverisë, që iku, mund të kënaqen thjesht duke ngjyer gishtin ose lëpirë lugën, pasi kanë mbaruar punë të mëdhenjtë…


Mirëpo nuk duket kështu. Ca të vegjël kanë oreks të madh. Për shembull një i vogël, por zhurmëmadh nuk e pranoi “racionin”, që i dha shefi i maxhorancës, pasi donte me shume.


Të tjerë të vegjël vazhdojnë pretendimet e tyre, siç ishte rasti i një partie aleate njëdeputetëshe, i cili kërkoi nja 13 drejtorë dhe prefekta, një tjetër, i së njëjtës familje politike, që kishte fituar disa qindra vota, deshi nja dy zv.ministra e ca drejtorë e kështu me radhë.

Sipas kësa logjike i bie që Shqipëria të ketë nja 200 prefektë, 500 drejtorë drejtorie, nja 100 zv.ministra, qindra doganjerë dhe mijra tatimorë etj.! Bile, disa  kryetarë partie aleatë deklarojnë se kanë kapacitete të tilla intelektuale për çdo lloj posti!…

Sigurisht që këtu ka babëzi dhe paturpësi dhe kjo situatë groteske të kujton së largu një personazh partizan të Kadaresë në ditët e para të pasçlirimit, kur qeveria komuniste e Enver Hoxhës po krijonte administratën e saj tashmë të zbrazur prej borgjezëve, i cili kishte dëgjuar se po ndaheshin postet dhe, kur takon një shok të tijin në rrugë, i thotë: Ë more vesh? Po ndahen postet! Tjetri u habit. –E di kush është bërë drejtor kinemaje? Ai që nuk ka  parë asnjë film!…


Sigurisht kjo situatë ka brenda ironinë dhe flet për një periudhë shumë të largët,  e cila justifikohej për shkak të një revolucioni, ku besimi politik (partiak) ishte kryesori. Por në parim analogjia qëndron.

Natyrisht Rama e di vet çdo bëjë, por kujdesi për cilësinë e listave të partive duhet të jetë në lartësinë e duhur. Kriter nuk duhet të jetë vetëm kontributi në rrëzimin e qeverisë Berisha (pra, numri i votave), por dhe profesionalizmi dhe figura morale. Shqiptarët  i lodhi dhe mërziti boll arroganca dhe amoraliteti i administratës Berisha. Tani duan një administratë tjetër, një administratë për qytetarët.


Se po shohim sërish të sillen rrotull ish-kryetarë partie, ish- sekretarë, ish-prefektë, ish kryetarë qarqesh.ish-doganjerë, që pasi zbritën nga fshati pas 1990 ( nuk kam asgje me fshataret, bile i respektoj per shpirtin praktik), po kërkojnë shpërblimin për angazhimin në fushatë pas deputetëve, se kanë harxhuar karburant, goma makinash dhe shuaj këpucësh për fitoren…

Disa prej tyre, shumë të shkathët dhe servilë, që i gjen gjithmonë të ngjitur pas pushtetit, me gjithëse jashtë profilit (agronomë, zoteknikë apo fizkulturistë), arritën doganierë ose drejtorë doganash e tatimesh dikur me socialistët, nderruan lukun, blene makina te shtrenjta, unaza si te sheikeve dhe zinxhire floriri, qe ju rrethonin qafat e majme, ndërsa tani, pas ikjes nga PS te LSI apo anasjalltas, duke ia parë hajrin pushtetit, kërkojnë sërish të jenë pranë qypit me mjaltë..


Prandaj PS dhe Rama duhet t’i filtrojnë kandidaturat, edhe kur kryetarët e partive aleate këmbëngulin për persona të veçantë,  shpesh të komprometuar dhe  të demaskuar në sytë e socialistëve të thjeshtë apo qytetarëve të tjerë.

Rilinja, në radhë të parë, duhet të jetë një Rilindje morale.


Marre nga blogu, Fjala ime

Next Post

XHAMIA E RE, PREMTIMI I RAMËS DHE INTERESI PUBLIK. Nga Petrit Qejvani

Pre Tet 18 , 2013
              Në ditën e Kurban Bajramit kryeministri Rama artikuloi më  qartë atë që tha para disa ditësh, kur mori vendimin për anullimin apo, më mirë, për reduktimin e projektit të ndërtimit të xhammisë së re së bashku me një pallat tetë katësh, si pjesë e […]
PetritQejvani