Kujtime për “nënat dhe tetot” e Kallaratit, nga Farfuri Liskëndaj(Micaj)

Farfuri Liskendaj

Shpesh mosha e bën çdo njeri të kthejë kokën pas e të kujtojë vitet e kaluara me të mirat e të këqijat e saj. E bën të kujtojë vuajtjet, por edhe gëzimet dhe lumturinë që kemi shijuar në këtë jetë të mundimshme. Secili ka kujtimet e veta nga vendlindja e fëmijëria e tij.

Por për mua, për vetë kushtet në të cilat jam rritur, do të kujtoja si Horën e Vranishtit ku unë u linda, ashtu edhe Kallaratin, ku kalova vitet e para të fëmijërisë, kujtime të cilat i kam hedhur në letër ashtu siç më vinin në mendje netëve të vona ose gjatë bisedave me njerëz të familjes e të afërm të mitë.

Duke parë se gazeta Kallarati, boton shpesh kujtime e mbresa të njerëzve të tij, vendosa që këto kujtime t’ia dërgoj redaksisë së gazetës me besimin se do ti botojë, edhe pse nuk kam ndonjë dell të veçantë së shkruari. Së pari për të kujtuar gratë e burrat e Kallaratit, bashkëmoshatarë të mitë dhe së dyti disa vargje për vëllanë tim të vetëm, Kujtim Hysin me rastin e 65 vjetorit të lindjes së tij. Këto janë kujtime të ndryshme sa të trishtuara e të hidhura, aq edhe të bukura. Ato janë kujtime të moshës 5 deri 12 vjeç, që unë jetova në Kallarat. Janë kujtime të imponuara nga fëmijëria që unë kam kaluar me banorët e Kallaratit.

Nëse këto kujtime do të lexoheshin nga dikush, me të drejtë mund të shprehej: Çfarë e shtyn këtë zonjë të shkruaj për Kallaratin dhe jo për vendlindjen e saj Vranishtin dhe familjen e saj të Micajve? Përgjigja ime do të ishte: Dakord unë jam vranishnjote dhe për këtë jam tepër krenare, por duke qenë se për tragjedinë që pat pësuar familja ime, jetën e fëmijërisë e kalova në Kallarat, më takon të shkruaj diçka për këtë vend të bukur anës lumit Shushicë, të shkruaj dhe kujtoj njerëzit e mirë të këtij fshati me tradita si gjithë Labëria.

Për ata që nuk e dinë, ardhja ime në Kallarat, është e lidhur me vrasjen e babait tim në moshën 40 vjeçare dhe të vëllait të vetëm 14 vjeç në luftën Italo-Greke. Nëna ime Begzo Qamilja nga Vranishti mbeti e ve me tre vajza, ku më e vogla isha unë një vjeçe, e cila quhem Farfuri Dino Micaj. Forca e zakonit të atëhershëm e detyroi nënën time të martohej duke më marrë me vete edhe mua, që isha më e vogla, ndërsa dy motrat e tjera i rriti xhaxhai i babait i quajtur Xhelo Ramadan Micaj.

Nëna ime u martua në fshatin Kallarat në vendin e quajtur Rapeta me një burrë rreth të gjashtëdhjetave i quajtur Shaban Daut Hysaj. Edhe atë jeta e kishte vrarë shpirtërisht mbasi ishte martuar 6 herë dhe gratë i kishin vdekur dhe me to nuk kishte asnjë fëmijë. Nëna ime Begzua ishte e shtata grua. Shabani me nënën time u martuan në Tetor të vitit 1944 mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Në Tetor të vitit 1945 lindën një djalë që quhet Kujtim Shaban Hysaj. Është kjo arsyeja që unë i shkruaj këto kujtime, mbasi unë fëmijërinë time e kalova në Kallarat dhe banorët e këtij fshati ma imponojnë që ti kujtoj ata me respekt.

E si mos të kujtoj Xhaxho Shabanin, që më priti në prehër si fëmijën e vet!. Ai ishte një burrë i lartë në gjykim, i dashur dhe i shtruar, me një edukatë të madhe, prej tij kishe se çfarë të mësoje. Ai ishte shumë bujar dhe mikpritës për të gjithë. Ai më donte dhe më respektonte, jo vetëm mua që isha bërë pjesëtare e shtëpisë e asaj familje, por edhe dy motrat e mia, ai i priste dhe i përcillte njësoj si vajzat e tij. Xhaxho Shabani ishte me zemër të madhe, ai na rriti të barabartë me djalin e tij Kujtimin. Prandaj unë e kujtoj atë me shumë respekt. Unë aty gjeta ngrohtësi. Xhaxhua kishte edhe katër nipër e mbesa, fëmijët e vëllait të tij Myzafer Daut Hysaj, i cili kishte vdekur dhe i kishte lënë jetim. Ata ishin nën kujdesin e xhaxhos bashkë me nënën e tyre teto Selimenë. Fëmijët quheshin Xhelo, Hamide, Abaz, Xhixho. Xhelua kishte ikur me punë partie mbasi kishte qenë në luftë partizan. Hamideja u martua shpejt qysh 1946. Abazi me gjithë nënën e tij Selimenë ishin kujdestarët e fëmijëve. Unë isha afërsisht në një moshë me Xhixhon dhe u rritëm bashkë, duheshim shumë, nuk ziheshim asnjëherë. Teto Selimeja, një grua e vuajtur por shumë e dashur, na mbante të bashkuara, na mësonte e na edukonte.

Por fshati Kallarat gjithë banorët e tij i kishte të veçantë, të dashur e gojëmjaltë me marrëdhënie shumë të sinqerta me njëri tjetrin. Aty unë gjeta shumë ngrohtësi, nga gjithë ata burra e gra. Si ta harroj nënë Ilmo Maçen bashkë me xha Zenelin, gjitonët e xhaxho Shabanit, të cilët ishin të vetmuar mbasi dhe një djalë të vetëm që patën Arshiun, vdiq gjatë Luftës. E kujtoj nënë Ilmon me keqardhjen e një fëmije të atëhershme kur zbriste në arat e saj poshtë në Rapeta për të punuar, në momente të caktuara linte shatin në një anë dhe ulej në ugar e qante të birin me ligje, i cili i kishte bërë hatanë. Më vjen keq që djalit të saj më vonë iu hoq titulli dëshmor. Qante sa lodhej dhe pastaj gjente prapë forca e ngrihej e vazhdonte punën. E kujtoj edhe xha Zenelin kur nxirrnim bagëtinë, ato pak që kishim, lart nga maja e Rapetës bashkë, një burrë i vrazhdët, i heshtur e i vetmuar. Unë si fëmijë e ndihmoja ia ktheja e ja mblidhja bagëtitë siç më porosiste ai, më bënte muhabet e më tregonte plot histori, ishte burrë i pashëm, i shkëlqenin rrobat, këmisha e xhamadani, ishte burrë me kulturë.

Nga krahu tjetër i shtëpisë së xhaxho Shabanit kishim gjitone Tefo Karabollen, një grua e madhe, kryeneçe, edhe ajo kishte mbajtur peshë të rëndë, mbasi kishte mbetur e ve me një tufë djemsh, por edhe ajo kishte të mirat e saja. Ajo të jepte ngrohtësi. Të lidhur shumë ishim edhe më fëmijët e Shaqo Nuro Hysit. Nuk i harroj dot Teto Bedenën e xha Shaqon me një dashuri të qetë. Ata kishin tre fëmijë një djalë e dy vajza. Unë u bëra me të dyja shoqe, por më e madhja ishte Nasipe Hysaj, ku ne nuk u ndamë asnjë çast por edhe në shkollë kur filluam shkollën bashkë.

Kur u hap shkolla fillore në Morrez në vitin 1947, unë vajta në shkollë në Klasën e Parë,. Aty zura shumë shoqe të ngushta, si Shaze Hoxhaj, Fari Llanaj, Besnike Janjaj, Bejaze Demiraj, Lale Golloshi, Nure Ribaj, Miro Boçi e shumë të tjera me të cilat jemi dashur shumë me njëra tjetrën aq sa dhe sot takohemi me një pjesë të tyre. Kujtoj me respekt nënat tona që nuk na ndanin nga njëra tjetra. Tetot e Kallaratit dinin të thoshin vetëm “Të keqen tetua”. Kush u kishte dhënë atyre atë dashuri, zoti apo natyra? Si mund ti harroj unë ato “nëna” e “teto” me shami të zeza por me një dashuri e ëmbëlsi të paparë; nënë Hava Matja, një grua e bëshme me një humor të ëmbël, teto Bedena, Pestrovë Borja, Bejkë Llanaj, Trëndafile Demiraj, Selime Dautja, Vuladi Llanaj, e cila ishte e motra e xhaxho Shabanit, teto Xhiko Gjonbrati që kur vinte e punonte në Rapeta nuk pushonte së përkëdheluri Kujtimin dhe mua. Këto teto e shumë teto të tjera të Kallaratit dinin vetëm të na ëmbëlsonin me ato fjalë të ëmbla, ato ishin të punës e të nderit, pa lere kur hapnin përparëset e tyre e na gostitnin me çfarë të kishin, rrush, fiq, kumbulla e çfarë t’u ndodhej. Nuk kam si ti harroj kur punonim në fushën e Rapetës nëpër tokat e tyre dhe kur kalonte ndonjë udhëtarë i njohur e i panjohur që ishin të lodhur nga rruga e kërkonin ujë, ato u jepnin ujë e dhallë nga e tyre, rrush, fiq, misra për të pjekur e çfarë të kishin. Ashtu ishin gatuar tetot e Kallaratit ku mua më dhanë shumë ngrohtësi e më lehtësuan fëmijërinë time të vështirë.

Deri tani fola për tetot e Kallaratit, por Klallarati kishte edhe burra të veçantë, të zgjuar e të gjykueshëm me mençuri e zemër të madhe. Kujtim shumë të veçantë kam për Mëno Demirajn, Muço Gjonbratin, Salo Matin, Tafil Boron etj, të cilët ishin dhe në Këshillin Popullor të fshatit.

Një diçka e veçantë në jetën time të fëmijërisë. Në vitin 1947 ra një epidemi e madhe fruthi në gjithë krahinën. Në Kallarat disa fëmijëve iu ndërpre dhe jeta, të tjerë e kaluan atë shumë rëndë. Vendi i gjithë ishte në krizë për të gjitha, për bukë, ilaçe, rrugë, makina. Spital kishte vetëm në Kuç, por nuk kishte rrugë dhe duhej të shkoje vetëm me kafshë, që jo të gjithë kishin kafshë. Unë kalova këtë epidemi shumë keq. Kalova në gjendje kome. Nënë Duze Bajramja një grua e hekurt, deputetja e krahinës së Kurveleshit, nëna e heroit të Popullit Mumin Selamit dha një kontribut shumë të çmuar. Ajo ngriti në këmbë Pushtetin e Kallaratit për të gjithë fëmijët, por në veçanti për fëmijët jetim. Ajo vetë, xha Muçua, xha Mënua iu kushtuan në mënyrë të veçantë fëmijëve jetim të mbetur nga lufta, një nga të cilët isha edhe unë, mbasi kalova shumë rëndë gati për të vdekur. Në shtëpinë tonë vinin të gjitha tetot e i bënin shoqëri nënës time dhe xhaxhos: nënë Havaja, teto Bedena teto Tefua, nënë Selimeja etj. Por i veçantë ishte interesimi i Pushtetit Popullor dhe nënë Duzes të cilët bashkë me xha Muçon e xha Mënon gjetën një mushkë e më çuan në spitalin e Kuçit. Aty u interesuan personalisht dhe ndërhynë direkt tek mjeket. Këtë interesim e bën krejt në mënyrë humane, por e bën edhe për respekt të xhaxho Shabanit, të cilët e vlerësonin shumë. Në sajë të interesit të tyre unë shpëtova dhe u ktheva përsëri në shkollë midis shoqeve dhe shokëve të klasës së parë.

Më vonë unë u largova nga Kallarati, krijova familje me bashkëshortin tim Laver Liskëndaj nga Brati, ku pjesën më të madhe të jetës e kalova në Fier dhe kohët e fundit në Tiranë mes fëmijëve e të afërme të mi, duke kaluar një pleqëri të lumtur e të mbarë.

I kujtoj me respekt të thellë të gjitha “nënat” e “tetot” e Kallaratit dhe të gjithë ata burra të nderuar që përmenda më lartë.

Duke iu uruar gjithë kallaratasve kudo që ndodhen shëndet, gëzim e lumturi, dëshiroj që mbylljen ta bëj me vargjet e mëposhtme:

Kallarat fshat me tradita

Edhe unë aty u rrita

Ju dërgoj shumë urime

Se aty kam shumë kujtime

Është edhe fëmijëria ime

Me respekt,

Farfuri Dino Liskëndaj (Micaj)

Tiranë


_______________________________________________________________________

Për vëllanë e vetëm Kujtimin, me rastin e 65 vjetorit te lindjes

O Kujtim të keqen motra,

Kam ca kujtime të forta,

Do i shkruaj ti dijë bota

Se ashtu na erdhi jeta

Që na hodhi në Rapeta

Aty larg në një breg

Nëna jonë e helmuar

Me zemër të përvëluar,

Se burrë e djalë kish mbuluar

Dhe vatanin kish ndërruar

Me xhaxhon u bashkua

Më ty seç u gëzuan

Në vitin dyzet e pesë

Tetori nëntëmbëdhjetë

Në bregore në Rapetë

U dëgjua një dyfek

Bedena bashkë me Havanë

Lajmëruan Kallaranë

Se Shabani u bë me djalë

Shazja me Duze Bajramë

Kujtim emrin ta dhanë

O Kujtim se i kujtove

Dhe jetën ua ndryshove

Dhe ne motrat na gëzove

U rrite me dashuri

Dhe me shumë pekuli

E mban mend o vëlla xhani

Si tundej lumi e zalli

Kur neve këndonim këngë

Unë e rregulloja zënë

Ti ia hidhje rëndë rëndë

Xhaxhua këngë na tregonte

E bashkë me neve këndonte

Këndonim e tundej jeta,

tej përtej gjëmon Rapeta

Erdhi koha që u ndamë

Trupin me lot e lamë

Ngashëreheshim në gjumë

Se na merrte malli shumë

Po ne prapë u afruam

Dhe mirë e bukur kaluam

Në çdo dasmë e sebep

Ti na ke dhenë lezet

65 Vjetët ti i gëzofsh

Me Tinon shpejt u bashkëkofsh

Me Shefon e motrat e martofsh

Me nipër e mbesa pleqërofsh

Motra Jote, Farfuri Dino Liskëndaj (Micaj)

Tiranë

Botuar ne gazetën Kallarati

Next Post

Sportistët kallaratas

Die Pri 22 , 2012
  Kallarati edhe pse një fshat i vogël, ka dhënë kontribut modest në zhvillimin e llojeve të ndryshme të sportit në vendin tonë. Nga gjiri i këtij fshati me tradita luftarake e liridashëse kanë dalë edhe mjaft sportistë cilësorë, të cilët janë bërë të njohur jo vetëm brenda vendit, por […]