Intervistë me Yzeir Ribin

BISEDË FSHATÇE ME YZEIR RIBIN
Yzeir Ribin, kush nuk e njeh në Kallarat e më gjerë. Një burrë rreth 55 vjeç, shpatullgjerë, i fuqishëm, hijerëndë e i ashpër në pamjen e parë, por shumë i dashur, zemërgjerë, bujar e mikpritës në brendësi të shpirtit të tij. Nëpërmjet punës që ka bërë si zetorist e traktorist, ai është

tepër i njohur në tërë Kurveleshin e Poshtëm e Lumin e Vlorës, si njeri punëtor, i ndershëm e zanatçi i shkëlqyer. Në jetë të tërë me zetor e traktor. Me qindra e mijëra ha tokë të pluguar prej tij, me mijra tonë grurë të shirë me makinë shirëse, me mijëra tonë materiale të mbartura me zetor.

Aktualisht emigrant në Greqi si shumë bashkëfshatarë të tij , por përsëri pa ju ndarë zanatit të tij të vjetër, atij të zetoristit, por tani më tepër si mekanik. Me mallin për Kallaratin, për vendlindjen e tij, për njerëzit, rrugët, gurët e tokën, me mjaft vështirësi mundëm t’i shkëputnim disa kujtime për punën e jetën e tij familjare në Kallarat e së fundi tani në Greqi.

1-Po ju drejtohem zoti Yzeir, apo mos ndoshta do të dëshironit shoku Yzeir ?

-Unë nuk do të dëshiroja që askush të më thërriste ” zoti “, sepse me këtë fjalë kam parasysh njerëz shumë të pasur dhe unë i tillë nuk jam. Por edhe me fjalën “shok ” nuk do të isha dokard, mbasi kjo fjalë më kujton ndonjë kryetar kooperative, drejtor SMT-je, përgjegjës sektori e ndoshta edhe ndonjë brigadier me të cilët për arsye pune kam qenë shumë pranë tyre dhe për të gjithë ruaj konsideratë e respekt të veçantë, por duke qenë se në detyra të tilla nuk kam qenë asnjëherë më mirë do të ishte të më thërrisnit thjesht Yzeir.

2- Dakord atëherë po ju thërras Yzeir. Duke qëndruar disa ditë këtu në Athinë më lindi ideja të bënim bashkë një intervistë për gazetën “Kallarati “. Cili është mendimi juaj ?

-Unë nuk jam mësuar të jap intervista, sepse ju thashë pak më parë nuk kam qenë në detyra drejtuese dhe nuk kam mbajtur kurrë fjalime. Në qoftë se do të bisedojmë bashkë, bisedojmë vençe, ashtu fshatçe, pa emrin vure si të duash. Megjithatë të lutem intervistë mos e quaj. Atë fjalë le ta lemë për intelektualët apo politikanët. Bashkë le të bisedojmë këmbëkryq si dikur të moshuarit tanë në Qafë të Ubavit apo në Morrez.

3-Yzeir , edhe pse për lexuesit je mjaft i njohur, diçka më tepër për ju dhe familjen tuaj ?

-Siç e dinë të gjithë, unë jam rritur bonjak, pasi në vitin 1966 babai im Ahmeti, vdiq në një moshë fare të re 47 vjeç. Unë atëherë isha vetëm 15 vjeç dhe katër motrat më të vogla. Babai vdiq kur ne kishim nevojë më shumë se asnjëherë tjetër për të. Në këto kushte barra për të përballuar këtë fatkeqësi të rëndë, i ra nënës tonë Fëzes dhe mua, qoftë si më i madhi i fëmijëve, por edhe si djalë. Por dua të theksoj se nuk na mungoi asnjëherë edhe ndihma e fisit tonë Ribaj dhe bashkëfshatarëve dhe drejtuesve të fshatit të asaj kohe.

4-Gjatë kohës që kini jetuar në Kallarat, kini ushtruar zanatin e zetoristit e traktoristit. Si e zgjodhët këtë profesion ?

-Siç thashë më lartë, duke qenë fëmija i madh i familjes, më takonte të filloja punë në një moshë fare të re. Kështu në vitin 1968 më mori dajua im Nexhip Limaj në NB-në e Kotës, fillimisht si ndihmës traktorist e më vonë traktorist e zetorist. Me qëllim për të qenë më pranë familjes, në fund të vitit 1969 kthehem në SMT-në e Vranishtit si zetorist, ku punova 25 vjet me radhë në këtë zanat që do ta quaja sa të vështirë e të lodhshëm, po edhe aq të bukur, tërheqës e mbi të gjitha mjaft dobiprurës.

5-Në qoftë se do të ishte e mundur të bënit një llogaritje, sa ha tokë kini pluguar, sa tonë grurë kini shirë e transportuar gjatë kohës që kini punuar si zetorist ?

-Është e vështirë të bësh një përllogaritje të tillë, sepse ato janë me qindra e mijëra, por unë di të them një gjë, që nuk ka ngelur tokë në Kallarat, Kuç, Bolenë, Vranisht Tërbaç e Smokthinë pa e shkelur e punuar nga ana ime, jo vetëm njëherë por disa herë. Pa le pastaj edhe më tutje në Dukat, Sevaster, Novoselë e të tjera vende në rrethin e Vlorës. Por në mënyrë të veçantë unë dëshiroj të kujtoj punën e kryer në kooperativën tonë Kallarat – Bolenë. Ndieja kënaqësi të veçantë që në atë tokën e pluguar prej meje, të merrej rendiment i lartë në drithëra.

6-Kur kini ndjerë më tepër kënaqësi në punë, më parë apo gjatë këtyre viteve të fundit ?

– Mua më takon të flas më tepër në lidhje me profesionin tim si zetorist. Sot kushtet kanë ndryshuar shumë dhe po të flasësh për teknikën bujqësore sot ajo është tepër e përparuar. Një fakt i tillë nuk duhet mohuar. Por sot kemi teknikë moderne, por nga ana tjetër kemi toka të lëna djerrë, fenomen që në të kaluarën e afërt nuk ekzistonte. Mundësitë e fshatarit kallaratas sot për sot nuk janë që të plugojnë e mbjellin tokën e tyre për shkak të tarifave të larta si edhe për pasojë se shumica e forcave të afta për punë janë larguar në mërgim, ashtu si edhe unë. Unë bashkë me shokët mundoheshim shumë për mirëmbajtjen e mjeteve sepse pësonin edhe defekte dhe mundësitë për riparimin e tyre ishin të pakta, por me atë kujdesin tonë, bënim që në raste sezonesh korrje-shirje dhe në mbjellje të drithërave t’i kishim në gatishmëri. Kjo ishte kënaqësia më e madhe për ne. Mund të plugonim ose shinim me orë të tëra, ditën dhe natën pa pushim e përsëri të ndienim kënaqësinë e punës

Unë si edhe të gjithë bashkëfshatarët e mi, kujtoj me nostalgji, ato vite të punës, që kam punuar në Kallarat, që pas asaj lodhjeje në korrje e shirjen e grurit, sipas traditës gjenim edhe kohën për një mish të pjekur e një gotë raki në hijet e rrapeve buzë lumit, ashtu sikundër kujtoj edhe bukën babanace, ndonjë kokërr qepë e pak gjizë të kripur që shtronim së bashku me shokët kur hanim drekën vite më parë, por edhe ajo kishte kënaqësinë e vet.

Sot kushtet kanë ndryshuar shumë, por megjithatë secila kohë ka veçantitë e rëndësinë e saj. Me të vërtetë sot mund të jetojmë diçka më mirë, por kënaqësinë më të madhe unë si Yzeir e ndjeja atëherë kur punoja me bashkëfshatarët e mi dhe për të mirën e fshatit e vendit tim. Ndërsa këtu në Greqi mund të fitosh diçka më tepër, por je larg të afërme, fisit e fshatarëve të tu dhe punon për llogari të dikujt tjetër, që ndoshta edhe nuk ta di e ta vlerëson aq sa duhet mundin e djersën e derdhur.

7-Sot ndodheni në Athinë. Ç’ju shtyu të vinit këtu ?

-Unë kam ardhur këtu në gusht të vitit 1998. Si shumë të tjerë edhe unë erdha për arsye ekonomike. Por arsyeja tjetër, ndoshta më kryesorja, është se në fillim erdhën djemtë dhe meraku i çdo prindi është që t’i ketë ata sa më pranë, ndoshta jo për t’i mbajtur nën tutelë, por do të thosha nën kujdesin prindëror. Unë aktualisht punoj mekanik në një ofiçinë bujqësore. Kam mësuar edhe greqisht që s’më kishte shkuar ndonjëherë në mendje. Në përgjithësi kaloj mire dhe them se bëj një jetë normale .

8- Ndonjë detaje nga puna këtu ?

– Puna kudo ka mbresa, por unë do të kujtoja një rast nga puna këtu në Athinë . Isha duke punuar tek një grek për t’i rregulluar zetorin. Pasi e rregullova hipa në të dhe fillova të plugoj si dikur në Fier të Poshtëm apo në Ubaf. Ai u habit e tha : “Si ka mundësi që të plugosh kaq mirë ?,,

9-Duke qenë në mërgim, sa e kujtoni ju Kallaratin e lagjen tuaj Bashain ? Ç’mall ndieni për to ?

-Patjetër që malli është i madh dhe këtë mund ta besoj vetëm ai që e provon. Mezi po pres ditën që të kthehem përfundimisht atje sepse kot nuk i thonë që “Guri i rëndë peshon në vend të vet “

Sado mirë që të jemi

Gjumë rehat nuk kemi

Gjumi që ka lezet

Në gjirin e nënës së vet.

Nuk mund ta mohoj dot mallin për fshatin tim të lindjes dhe për lagjen Basha që unë u rrita. Ndiej kënaqësi kur i shoh të bukur e të lulëzuar.

Kanë kaluar 90-të vjet

Kallarati si qytet

Buzë Shushicës na flet

Në tre lagje ka lezet.

10- Ç’mund të na thoni për organizimin e degës “Kallarati” këtu në Athinë ?

-Me krijimin e shoqatës atdhetare e kulturore ‘Kallarati” me qendër në Vlorë, edhe ne kemi krijuar një degë të saj. Sot në Greqi bëhemi mbi 90 familje. Vetëm në Athinë jemi mbi 60, pa llogaritur edhe mbi 30 bija kallaratase. Ne kemi zgjedhur një kryesi mbi bazën e fiseve e mëhallëve. Kemi një lidhje e komunikim mjaft të mirë me njëri tjetrin. Mblidhemi në raste festash e gëzimesh, pimë birrë e këndojmë labçe. Kujtojmë çdo gjë që na lidh me vendlindjen, ashtu si edhe për raste të tjera jo të këndshme vdekjesh apo vizita të shtruarve në spitale. Megjithatë mendoj se veprimtaria e degës sonë është e njohur për lexuesit nëpërmjet gazetës “Kallarati “

11-Kohët e fundit kini filluar të shkruani poezi. Si ju lindi ky frymëzim?

– Unë nuk pretendoj të jem ndonjë poet. Mundohem të shkruaj diçka që më lind aty për aty. ( Me mjaft modesti më tregon një bllok të madh me poezi të ndryshme të shkruar prej tij ). Por mendoj se frymëzimi kryesor është fakti i të qenit larg vendlindjes, larg njerëzve, pra në kurbet. Një fakt i tillë të frymëzon, të bën të shkruash e të thurësh vargje edhe pa qenë i tillë asnjëherë. Me këtë dua të them se njeriu në jetë mund të bëjë gjithshka. Vullneti e kurajua nuk duhet t’i mungojnë asnjëherë.

12-Mund të na krijosh në moment disa vargje për Kallaratin ?

-Me kënaqësi.

Plot me histori e halle

Ai popull në ato male

Ai popull në ato gryka

Kallarat zëmër me çika.

13-Jini lexues i rregullt i gazetës ‘Kallarati”, njëkohësisht edhe bashkëpunëtor i saj. Ç’mendime kini për të ?

-Në radhë të parë unë dua të përshëndes të gjithë nismëtarët kallaratas që u vajti mëndja e krijuan shoqatën tonë mjaft të dashur “Kallarati” dhe hodhën rrënjët e saj .Mendoj që është një organizim brenda të cilit e gjen veten kushdo kallaratas, kudo ku punon e jeton sepse ajo është një shoqatë jo politike, por atdhetare e kulturore. Njëkohësisht përshëndes edhe redaksinë e gazetës, në mënyrë të veçantë ata pensionistë kallaratas që me pasion kontribuojnë për të. Megjithatë me mirëkuptim dëshiroj të shpreh nja dy vërejtje, gjithmonë për të mirën e gazetës. E para mendoj që për një person të mos shkruhet disa herë dhe aq më tepër nga njerëz të afërm të tij, sepse një gjë e tillë bie në sy nga lexuesi dhe nuk dalin vlerat e vërteta edhe të vetë personit për të cilin flitet që mund të jetë njeri shumë i nderuar. Të dytën e kam për ata që nuk shkruajnë, në mënyrë të veçantë për intelektualët kallaratas të vjetër e sidomos të rinj, që nuk janë të paktë, e që deri tani rrinë larg shoqatës e gazetës së saj ‘Kallarati “

14- Cili do të ishte mesazhi juaj për bashkëfshatarët kallaratas kudo që ndodhen?

-Këtë mesazh do të kisha dëshirë ta shprehja në vargje:

Kallarat o djep floriri

Ç’djem e vajza ke stolisur

Le t’i kthejnë sytë nga ti

Je nëna që i ke rritur

Ja pra të dashur lexues, ky është portreti i Yzeir Ribit, njeri i punës, i shoqërisë, zetorist, traktorist, emigrant, por mbi të gjitha ai është e kërkon të mbetet Yzeiri kallaratas.

E pra le t’i njohim njerëzit e punës e t’i vlerësojmë ata, sepse njerëz të tillë ka plot të tjerë në Kallarat, Vlorë, Fier,Tiranë, Greqi, Itali e kudo ku ata jetojnë e punojnë, pavarësisht në se kanë qenë ose vazhdojnë të jenë në profesion bujk, çoban, punëtor, intelektual, politikan apo shkencëtar. Ata janë e mbeten bij të nderuar të fshatit tonë Kallarat.

Intervistoi: BESNIK GJONBRATAJ

ATHINË, Korrik 2004

Botuar ne Gazetën Kallarati, Nr 19, Nëntor 2004

Next Post

Intervistë me Hiqmet Mecaj

Sht Pri 28 , 2012
Bisedë me shkrimtarin HIQMET MEÇAJ Curriculum Vitae in extenso Revista Haemus: I dashur zoti Hiqmet Meçaj. Çelësi i jetës së një poeti shpesh fshihet në vargjet e tij, mbase edhe në një varg të vetëm, i cili ndodh që as vetë poetit të mos i bjerë në sy. Pas një […]
hiqmet-mecaj