NË RRUGËN E JETËS, NGA ÇIZE XHAFERAJ

NË RRUGËN E JETËS, NGA ÇIZE XHAFERAJ

Të shkruash për Kallaratin dhe banorët e tij, të djeshëm e të sotëm, është jo vetëm një detyrim moral, por më së pari edhe një detyrë për cilindo që është pjesë e tij. Gjatë gjysmës së dytë të shek. 20, fshati i Kallaratit ka pësuar disa herë tkurrje. Luftuan kallaratasit për një jetë më të mirë, u ndeshën me skamjen e varfërinë. Kapërcyen vështirësi e pengesa, luftuan të vjetrën për të sjellur të renë e përparimtaren.

Në rrugën e jetës, në këtë gjysmë shekulli, pësuan edhe goditje shpirtërore, por gjithmonë qëndruan të bashkuar. Lufta, për të arritur tek liria e 29 Nëntorit 1944, u solli atyre humbje njerëzore. Ranë në fushat e betejave bijtë më të mirë të tij. Disa mbetën viktima të kësaj lufte edhe pse ishin në anën e fitimtarëve. Pati edhe fëmijë që s’e gëzuan jetën, e humbën atë ose mbetën të gjymtuar. Të gjitha familjet kallaratase nga lufta kundër pushtuesve nazifashistë dolën të zhuritura edhe me mallin e gjënë që kishin. Mbi 2000 krerë bagëti të imta të Sako Karabollajt, i cili kishte ca vite që ishte larguar familjarisht nga Kallarati, u grabitën nga nazistët gjermanë e u bënë ushqim i tyre. Cjeptë me zile u hodhën gërxheve të malit të Dhëmblanit të Tepelenës. Kërkonin të zotin e s’e gjenin, Sako Labin, siç njihej ai me kopenë e tij në Përmet, Tepelenë e gjetkë. Shumë familje të tjera kallaratase humbën edhe cangadhet e vetme që kishin. Toka u bë shesh beteje kundër pushtuesve, duke u kthyer në një kallamishte të zhuritur. Bashkë me lirinë e fituar, kallaratasit nisën jetën e re me kujdesin ndaj tokës që e kishin trashguar nga të parët ose e kishin blerë me napolona floriri. E punonin me kujdes tokën, pa lënë rrëzë e mezhdë. E selitën atë si një pemëtore të vërtetë. Lulëzonin fushat e Fierës, Ubavit, Rapetës, Armixores, Lëmplakut e deri në Kurpica nga fiqtë, kumbullat, rrushi razaki e variete të tjera, arrët e shegët etj. Lulëzonin baçet pranë shtëpive nga Qafa e Dërrasës, ku jetonin vëllezërit Maman e Maze Boçaj, Dhoma e Qazim Fejzos që dhe gardhin e bënte me dy kate, në Varjesht te Murat Alushi, në Gjokushta të Islam Malos dhe në çdo familje kallaratase baçat e tyre ishin plot me pemë. Ajo tokë dhe ato pemë u rrisnin fëmijët e u mbanin familjet. E punonte tokën fshatari kallaratas me parmendën prej druri me pluar metalik që ua bënte me shumë kujdes ustai-mjeshtër i fshatit, Izet Dauti. Diku shfaqej i vetmi plug hekuri i Birçe Guxhë Ribajt që e zotëronin të bijtë. Jeta në Kallarat në vitet e para të çlirimit ishte tepër e vështirë. Ata që kanë jetuar aty vitet 1948,1949 i sjellin në kujtesë lakrat e egra dhe hithrat që nënat e gjyshet e tyre i mblidhnin kudo ku i gjenin. Ato ishin gjella e drekës apo e darkës të shumë familjeve. Edhe pse qumështin mund ta kishin, buka e misrit shpesh u mungonte. Në këto raste i drejtoheshin asaj prej elbi ose thekre. Buka e grurit nuk gjendej. Në Kallarat kulturën e grurit e kultivonin me pakicë në Povël kryesisht vëllezërit Kapo e Rushan Habilaj. Kishte ndodhur edhe kështu: e zonja e shtëpisë, kur i shkonim ne fëmijët për vizitë, hapte poçen, në të cilën zienin fasule, merrte një lugë prej tyre, i frynte hirit të vatrës dhe i hidhte aty. I merrnim ne një e nga një. O, ç’ ”karamele” që ishin! Ajo ishte qirasia e një nëne bujare për ne fëmijët në ato vite të krizës së rëndë ekonomike. Shteti shqiptar i sapo formuar përcillte tek fshatarët taksën për tokën që zotëronin. Ajo ishte në natyrë: mish, lesh e vezë. Po a pillte toka vezë? Jo edhe po. Askush s’mund t’i shpëtonte detyrimit ndaj shtetit. Nëse nuk i kishe, vlera e tyre paguhej në lekë. U shfaqën në atë periudhë edhe triskat e kuponët. Këta të fundit kishin një vlerë të caktuar në lekë. I merrnin ata që dorëzonin te shteti prodhime blegtorale si: qumësht, mish, djathë, gjalpë etj. Një gjë e tillë bëri që shumë kallaratas ta kthenin syrin nga blegtoria. Pas vitit 1950 në Kallarat numëroheshin mbi 7000 krerë bagëtish të imta. Në Bogonicë e Vale veronin me blegtori këto vëllazëri: Memetajt, Stratajt, Davacajt, Laçajt, Breshanajt, Jonuzajt, Rjepajt, Ribajt, Demirajt. Dimrit disa prej tyre i shtegtonin kopetë në Delvinë, Hysoverdh e gjetkë. Mbi bazën e shtimit të prodhimit, nisi shkëmbimi tregtar. Ai kryhej larg, me Vlorën e Gjirokastrën dhe në këmbë. I shquar në këtë drejtim ka qënë Barxhul Musa Jonuzaj. Kallarati është fshat me një terren natyror të shtruar. Ai mbart në brendësi të tij burime ekonomike me vlera të veçanta. Ndërtimi i rrugës automobilistike Tërbaç-Vranisht-Kallarat-Kuç më 1946 bëri të mundur shfrytëzimin e disa nga burimet ekonomike të fshatit tonë. Aty u punësuan jo vetëm kallaratasit, po edhe bolenas, vranishjotë dhe punëtorë të ardhur nga Shqipëria verilindore. Punonin burra e gra, të rinj e të reja në drutë e ilqes e të lisit, nga ku nxirrnin e transportonin shtylla e traversa për minierën e serës së Selenicës. I transportonin nga një largësi mbi dy km dhe më krahë që nga Brinja e Ilqes, Korsia e Aramanaja e deri në Shesh të Rrethit. Në vitin 1947 u bë shpyllëzimi i plotë i disa dhjetëra hektarëve në Vanra. U ngrit aty një teleferik, me të cilin zbriteshin nga maja e Kullëxhiut në Varth qindra metrokubë dru zjarri. U prenë në pyjet me shkure dru zjarri, punë që drejtohej gjithmonë nga Ndërmarrja Pyjore. U shfrytëzua në atë periudhë druri i shqopes. Kucka e saj, pasi nxirrej nga toka, përgatitej në formë të rregullt dhe tregtohej për tu përpunuar për punime artistike. Nga druri i shqopes u përgatitën qindra tonë qymyr. I shikoje kallaratasit sa te njëri front pune tek tjetri. Ditën në dru e në shtylla, natën duke djegur qymyr. Ata,dalëngadalë, po e linin pas varfërinë dhe po e gjenin veten aty në fshatin e tyre, duke ia lënur të kaluarës hyzmetqarllëkun derë më derë. Të ardhurat mujore për çdo të punësuar ishin gjithmonë në rritje. Ato shkonin nga 3500 në 6000 lekë. Kishte edhe punëtorë të fuqishëm që siguronin edhe 9000 lekë në muaj, si Alim Laçaj, Dulla Laze, Selman Qejvanaj e shumë të tjerë. Në punësimin e kallaratasve,para dhe pas viteve 50-të, kanë dhënë ndihmesën e tyre: Sinan Xhemil Tozaj, ish drejtues në Minierën e serës së Selenicës; Ramadan Mehmet Rjepaj, ish përgjegjës i lëndës drusore për minierën e serës; Azbi Asllan Breshanaj, ish drejtues i mirëmbajtjes së rrugës automobilistike Vlorë-Kuç e Vlorë-Sevaster. Luftonin kallaratasit ta përmirësonin jetën e tyre. Disa, me një shikim më të largët, menjëherë pas çlirimit të vendit u larguan nga fshati. Ata u sistemuan në Vlorë, Tiranë, Selenicë, në fshatra të Delvinës e gjetkë. Numri i atyre që linin fshatin nga viti në vit shkonte në rritje. Brenda dhjetëvjeçarit 1945-1955 u larguan nga Kallarati 28 familje. Një lëvizje e tillë solli tkurrjen e fshatit dhe nga largime të tjera do të pasohej më vonë. Jo vetëm në madhësinë, por tkurrje e ligështim do të vinte papritur edhe në jetën e përditshme të familjeve kallaratase. Dita e 16 shtatorit 1956 të gjithë kallaratasit i tuboi në një mbledhje te burimi në Morrez. Dëgjonin me kujdes fjalën e të deleguarve të partisë e të qeverisë. Ata ishin bijtë e popullit, ishin ata që kishin luftuar për lirinë. Populli i Kallaratit kishte besim te fjala e tyre. Mallin dhe tokën t’i bashkoni e kooperativë të formoni-ishte kërkesa e tyre. Këto fjalë ata kurrë s’i kishin dëgjuar. Kapitalin që me djersën e ballit e gurë nën kokë kishin bërë, tani duhej lëshuar. Debat i zjarrtë nisi. Të deleguarit me kujdes dëgjonin. Shikimi i tyre ishte atje, ku “flinte lepuri”, tek ata që kooperativën do të mbanin në këmbë, te kapitalbërësit e jo tek ata që një “cirua” mall kishin. Atë ditë shtatori burrat kallaratas ditën ta tregonin madhështinë e tyre. Me radhë fjalën morën. I pari Muslli Ribaj dha fjalën. Pas tij, njëri pas tjetrit, Barxhul Jonuzaj, Maman Boçaj, Qerim Rjepaj, Teslim Strataj, Ferik Tozaj, Sabri Demiraj, Idriz Jonuzaj, të pasuar nga të tjerë. Tridhjetedy familjet e para bërthamën e kooperativës bujqësore formuan. Të tërë me një zë, kryetar të kooperativës së tyre që formuan zgjodhën të riun Salo Mataj dhe llogaritar ish oficerin me akademi artilerie italiane, Shahin Jonuzaj. Dy tufa me bagëti krijuan e çobanë që në ditët e para me to shkuan: Hasan Jonuzaj, Qerim Rjepaj, Budin Demiraj e Bejkush Laçaj. Ata që kooperativën në fillim s’e pranuan, me mallin e tyre në tregje shkuan. Kjo gjë e zvogëloi shumë blegtorinë në Kallarat. Për një periudhë 7-8 mujore fshati i Kallaratit kooperativës iu bashkua. Punonin kallaratasit me tokën e blegtorinë që kishin bashkuar, por syrin e kishin te 20 të imtat dhe 3 dynymë tokë që u kishin lejuar. E shikonin bashkimin si diçka të imponuar. Shpresa e një jete më të mirë që u qe premtuar u vinte si e turbulluar. Në tre vitet e para dita e punës me 7.5, 15 e 25 lekë u qe paguar. Familje të tjera në këto vite u larguan nga fshati. Në periudhën 15-vjeçare(1945-1960) u larguan nga Kallarati 57 familje. Bejtet ironizuese njëra-tjetrën pasuan, siç kanë qënë: “Gruaja shkon çdo ditë në punë, paratë vjen e i merr tek unë” apo “Mirësia e asamblesë, 4 misra nën lesë”, të cilat i thurte Vesel Hoxhaj. Kallaratasit nuk u demoralizuan, më shumë e më mirë punuan. Burri sofërshtruar Velo Hysaj, si kundërpërgjigje të atyre që kishte parë e dëgjuar, shprehej: “Janë kthesa të rënda e merren me vështirësi”. Kallaratasve në vitet 60-të shteti dorën u hodhi, plehra kimike e traktorë u solli. Mjekun veteriner me arsim të lartë,Subi Jonuzajn, në vitin 1966 atje ua dërgoi. Shkenca nisi të bëhej pjesë e ecjes përpara të fshatarit kallaratas. Nisën kallaratasit ta punonin tokën në thellësinë që kurrë pluari i parmendës s’kish shkuar. E drenazhuan, kanalizuan dhe fushat e Povlës, Përroit të Gjorme e Gjimufit ujitjes iu nënshtruan që kurrë asnjërit në mendje s’i kishte shkuar. Punonin shumë kallaratasit. Gratë me fëmijët në djepe të ngarkuar, në anë të mezhdës i linin, kur ende kopshte e çerdhe s’kishin ndërtuar. Zhapiu e gjarpri mbi fëmijën kishte kaluar, por zoti i kishte shpëtuar. Burrat e gratë kallaratase malit të Bogonicës i ngjiteshin me gjethe të ngarkuar, kur tendat e dhëne kishin për të ndërtuar. Kishte ndodhur që edhe me jetë njerëzish ishin paguar. Gratë shtatzëna, te vinxhi me dy tela, me thesin me lënde ngarkuar, kalonte. Edhe pse në një kuvend të Horës gruas tërkuza i qe hequr, kjo gjë kurrë s’u zbatua. Gruaja mbeti “robe” e barrës së ngarkuar. Shumë u lodhën e shumë punuan kallaratasit. Tokën me grurë, jonxhë, lolium e shumëllojshmëri perimesh e mësuan. Rendimente të larta, nga 90 kv misër e 45 kv grurë për hektar morën. Kur hapa të mirë kishin hedhur, jetën plotësisht për ta përmirësuar, pa pritur e pa kujtuar u erdhi një urdhër i padëshiruar. Bagëtitë e oborrit e lopën e vetme nga shtëpia t’i largoni e tufëza me shenjë të krijoni. Fshatarët urdhrit iu bindën, tufëza me dhen e dhi krijuan. Lopën më breg të pazarit e çuan dhe “tufëzat’ e shenjës s’u mor vesh ku vanë e ku shkuan. Fshatarit kallaratas kartoni i shenjës i mbeti në duar. Kurrë fshatari kallaratas s’e kishte besuar se qumështi për fëmijën dhe një plak të sëmurë për ta shytuar do t’i kishte munguar. Kallaratasit prapë nuk u ligështuan. Me shpresa për të shkuar tek e mira edhe më shumë punuan. Parcela të mëdha disahektarshe i sistemuan që kombajna e traktori lirshëm të punonte. Pemë të shumta në tokë ranë. Parcela të reja me kumbulla e vreshta u mbollën. Kur kooperativa misionin e saj e përfundoi, asgjë nga ato që kallaratasit në 35 vjet kishin selitur e ndërtuar, nuk u dukën më se ku kishin “jetuar”. Pas viteve 90-të, rruga e jetës së kallaratasve hapësira të reja do të merrte. Emigrimi, kjo plagë e shekujve të kaluar, te porta e tyre u prezantua. Shumë të rinj e familjarë kallaratas rrugën e refugjatit morën. Malet me borë e lumenj të rrëmbyeshëm kaluan, të tjerë me gomone detin “gjunjëzuan”. Disa kamxhikët e ushtarëve grekë mbi shpatullat e tyre provuan. Edhe në burgjet e Greqisë për ditë e muaj qëndruan. Emrat e tyre mbi ata të shqiptarëve të tjerë i shkruan. Mes sakrificash të shumta, bijtë e Kallaratit u bënë pjesë e Evropës së qytetëruar. Të shumta kanë qënë familjet që këto vite të demokracisë nga Kallarati u larguan. Shumica e tyre në qytetin e Vlorës janë sistemuar. Mbi 30 prej tyre vila një- e shumëkatëshe kanë ndërtuar, biznese kanë ngritur e pjesë e ecjes përpara janë bërë. Edhe pse në këto vite Kallarati shumë është zvogëluar, bijtë e tij të larguar syrin drejt tij po e kthejnë me vizion e hapësira të reja, aty për të ndërtuar e jetuar.

Çize XHAFERAJ

Botuar ne Gazeten “KALLARATI”, Nr. 45, Maj-Qershor 2009

Next Post

Deputet kallaratas ne Kuvendin Popullor

Pre Maj 4 , 2012
A e dini se Kallarati edhe pse nje fshat i vogël deri në vitin 1992 ka patur 4 Deputete te Kuvendit Popullor? Dhe këta janë: 1-Duze Bajramaj në 3 legjislatura 2-Sulltana Gjonbrataj në 2 legjislatura 3-Sihat Tozaj në 5 legjislatura 4-Gafur Shameti në 1 legjislaturë