Dy fjalë për librin “Enciklopedia e Kurveleshit”
Libri, “Enciklopedia e Kurveleshit” e autorëve Nasip Meçaj, Xhemil Çelaj dhe Fatmir Toçi, është një botim i plotë që përshkruan në nivel rajonal dhe kombëtarë këtë krahinë. I gjithë sfondi i Kurveleshit është trajtuar sipas 2000 zërave të të gjitha fushave.
Përveç historisë së personaliteteve të asaj zone, në këtë enciklopedi përshkruhet shumë qartë peizazhi gjeografik natyror dhe ai kulturor, veçoritë themelore të relievit dhe shumëllojshmëria e dukurive klimatike.
Kurveleshi është një njësi etnografike e Labërisë. Përfshin 15 fshatra të ndara në Kurveleshin e Sipërm (10 fshatra) dhe në Kurveleshin e Poshtëm (5 fshatra).
Enciklopedi e Kurveleshit përmban rreth 2000 zëra për:
– Ngjarje dhe data historike në shkallë fshati, krahine e kombëtare
– Figura dhe personalitete historike të artit e të kulturës të fshatrave e të krahinës
– Objekte dhe dukuri gjeografike e kulturore të krahinës
– Objekte historike e të kultit
– Veshje, orendi, pajisje e vegla tradicionale
– Ilustrime me harta, grafikë, tabela, skica, skema e fotografi
– Shtojcë me objekte të ndryshme e toponime sipas fshatrave
PARATHËNIE
Përpjekja për të hartuar Enciklopedinë e Kurveleshit është bërë shumë kohë më parë nga një grup intelektualësh të kësaj krahine. Por u desh gatishmëria dhe mbështetja financiare e presidentit të Shtëpisë Botuese “Toena”, që të merrej nisma për hartimin e botimin e tij.
Për organizimin e drejtimin e punës dhe për ta vënë atë në baza sa më shkencore në funksion të qëllimit të shtruar që në vitin 2003, u krijua Redaksia e Përgjithshme, redaksitë e fushave përkatëse dhe grupet e punës. U hartua projekt-platforma dhe kriteret e hartimit dhe ndërtimit të zërave në tërësi e për çdo fushë, sipas madhësisë (zë shumë i madh, i madh, i mesëm dhe i vogël), në shkallë sipas fshatrave nën drejtimin e autorëve prof. dr. Nasip Meçaj, Xhemil Çelaj e Fatmir Toçi. Në themel të punës së Redaksisë së Përgjithshme dhe grupit hartues u vunë të dhënat arkivore (qendrore e lokale), materialet e muzeve (në nivel qarku, rrethi dhe ato qendrore), botimet e ndryshme shkencore e historike në shkallë krahine dhe kombëtare për të gjitha fushat, historiku i fshatrave të hartuar në vitet 1960-1990, botimi i monografive kushtuar personaliteteve të ndryshme dhe fshatrave të veçanta apo vetë Krahinës së Kurveleshit, shtypi i përditshëm dhe periodik në të gjitha kohërat.
Kjo Enciklopedi përbën përpjekjen e parë për botimin e plotë në nivel rajonal dhe kombëtar, për një krahinë relativisht të vogël (me 15 fshatra) për të vijuar më pas me botime të ngjashme për krahina të tjera të trevës së Labërisë, të cilat do të krijonin bazën e nevojshme për botimin e Enciklopedisë së Labërisë.
Për ta bërë sa më të njohur nismën për hartimin dhe botimin e kësaj enciklopedie për masën e gjerë të kurveleshasve dhe, më tej, për të tërhequr mendimin e tyre, Redaksia e Përgjithshme dhe grupi i punës, botuan paraprakisht dhe e bënë publike në gazetën e Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria” dhe në disa gazeta të tjera lokale të shoqatave të fshatrave: “Platformën për përgatitjen e Fjalorit Enciklopedik të Kurveleshit”, “Kriteret orientuese të ndërtimit të zërave”, si dhe shkrimin redaksional “Të përgatisim së toku Fjalorin Enciklopedik të Kurveleshit”, fjalor që, në saje të materialeve të mbledhura, u plotësua si enciklopedi. U bënë takime të veçanta me përfaqësues të shoqatave të disa fshatrave si dhe me bashkëpunëtorë të fshatrave të tjera, ku u kërkua dhe u vendos bashkëpunim i ngushtë me ta. Gjithashtu, u ngritën grupe pune me disa fshatra dhe për të tjerët u tërhoqën bashkëpunëtorë. Me udhëzimet përkatëse dhe kriteret për botimin e Enciklopedisë së Kurveleshit u botua dhe një broshurë e veçantë, e cila u shpërnda në të gjithë vendin.
Në janar 2005, u arrit hartimi i fjalësit që do të përbënte bazën e botimit, i cili u botua në gazetën “Labëria”. Pas tre muajsh diskutimi zërat u plotësuan me të dhënat e domosdoshme dhe materiali, në formë maketi, për të gjitha zërat sipas fshatrave iu shpërnda përfaqësuesve të tyre për diskutim të përbashkët. Prandaj u organizua dhe një takim i gjerë, me përfaqësues të të gjitha fshatrave, ku u shkëmbyen mendime për informacionin që përmbanin zërat, nevojën e përsosjes së tyre apo edhe për shtimin e disa zërave të rinj.
Enciklopedia e Kurveleshit, që po vihet në dorë të lexuesve, përmban rreth 2.000 zëra nga të gjitha fushat. Zërat me karakter gjeografik janë rreth 150. Bie në sy peizazhi gjeografik natyror dhe ai kulturor, veçoritë themelore të relievit dhe individualiteti që e karakterizon këtë malësi, shumëllojshmëria e dukurive karstike, klima, hidrografia, dherat, mbulesa etj. Figurat dhe personalitetet e Kurveleshit (sipas fshatrave dhe në shkallë krahine e më gjerë) zënë pjesën më të madhe të saj me1150 zëra (nga të cilët 60 femra, 450 të vrarë në luftërat me forcat e huaja pushtuese, të shpallur ose jo si dëshmorë të atdheut, dhe të tjerët personalitete në fusha të ndryshme të jetës, në fshatra, në krahinë e më gjerë).
Në përzgjedhjen e figurave të ndryshme është mbajtur parasysh edhe lidhja e drejtpërdrejtë e tyre me Kurveleshin. Parë nga ky kënd, është pranuar të zënë vend ata persona që kanë lindur në Kurvelesh apo që kanë lindur në vende të tjera por me prindër të lindur në Kurvelesh. Është treguar kujdes i veçantë në përcaktimin e kritereve për përfshirjen e figurave të shquara e personaliteteve kurveleshas në këtë vëllim enciklopedik, e ndarë kjo në katër periudha:
a) Në periudhën nga lashtësia deri në prag të shpalljes së pavarësisë (prijës popullorë, komandantë çetash atdhetare a të formacioneve luftarake më të gjera popullore);
b) Në periudhën 1912-1939 zënë vend figura me përmasa krahinore e kombëtare në fushën atdhetare, shoqërore, intelektuale, shkencore, të administratës së lartë shtetërore dhe vendore, komandantë çetash luftarake të fshatrave e më gjerë;
c) Gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1944), janë përfshirë drejtues politikë e komandues të formacioneve luftarake (komandantë e komisarë çetash nacionaliste, partizane, balliste e më pas batalione të këtyre përkatësive, por që ishin autonome e jo në vartësi të formacioneve më të mëdha në ditët e inaugurimit të tyre; komandantë e komisarë të grupeve partizane, të komandave të vendit dhe të qarqeve, të brigadave, divizioneve dhe korparmatave, kryetarët e këshillave të parë të formacioneve të ndryshme politike të fshatrave dhe të krahinës, heronj të popullit, dëshmorët dhe të rënët e kombit në luftime e përpjekje me forcat e ndryshme pushtuese;
d) Periudha pas Luftës së Dytë Botërore deri më sot, janë përfshirë: drejtues të lartë në organet e shtetit, të administratës shtetërore qendrore e vendore (në organet vendore: kryetar lokaliteti, komune, bashkie, Komiteti Ekzekutiv, rrethi; në organet qendrore: drejtues të organeve qendrore në shkallë zëvendësministri e lart dhe të barasvlershëm me të, deputetë në Kuvendin e Shqipërisë (në të gjitha kohërat); anëtarë të organeve të ndryshme kushtetuese në shkallë vendi, komandantë e komisarë divizioni e korpusi; heronj të punës socialiste. Personalitete në fushën e artit, arsimit, kulturës, letërsisë, shkencës, folklorit, që kanë marrë tituj e grada të ndryshme (doktor i shkencave, profesor i asociuar doktor, profesor doktor, akademik, Mësues i merituar dhe i Popullit, Artist i merituar dhe i Popullit, Mjeshtër dhe Mjeshtër i merituar i sportit, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve), laureatë të Çmimit të Republikës apo edhe që janë shquar me veprimtari, pjesëmarrje konkrete sipas fushave përkatëse në shkallë vendi, drejtorë shkollash të mesme, botues dhe kryeredaktorë të organeve të ndryshme të shtypit të përditshëm dhe periodik. Personalitete të vlerësuar me tituj nderi nga këshillat e komunave, të bashkive dhe të qarqeve, që u janë ngritur buste apo me emrat e tyre janë emërtuar rrugë dhe objekte të ndryshme. Autorë botimesh e monografish të ndryshme me vlera njohëse për fshatra dhe vetë krahinën e Kurveleshit si dhe botime memoralistike ku evidencohet kryesisht jeta dhe lufta shumëshekullore në Kurvelesh e me rrezatim deri në shkallë vendi.
Ngjarjet historike krahinore apo dhe në nivel fshati trajtohen në rreth 250 zëra enciklopedikë, prej të cilëve: 32 janë zëra shumë të mëdhenj, 28 zëra të mëdhenj dhe rreth 190 zëra të mesëm dhe të vegjël. Përcaktimi i toponimisë së vendeve në bazë fshati, vendndodhja dhe kuptimi i emërtimit të disave prej tyre, përfshijnë rreth 260 zëra. Enciklopedia e Kurveleshit është e ilustruar dhe me shumë harta, grafikë, tabela, skica dhe skema të ndryshme. Në të janë vendosur 200 fotografi të figurave dhe personaliteteve nga të gjitha fushat e jetës dhe të veprimtarisë, 20 prej tyre janë femra, 100 fotografi me pamje të përgjithshme të peizazhit natyror dhe kulturor, të qendrave të banuara, të objekteve të kultit, monumenteve, lapidarëve, veshjeve popullore, instrumenteve të ndryshme muzikore karakteristike të krahinës, grupeve polifonike etj.
Në përbërjen e Enciklopedisë, sipas fushave, si zë më vete apo në zëra të tjerë të ndryshëm, gjejnë trajtesa konkrete çështje të tilla, si:
a) Gjeografia
b) Klima
c) Hidrografia dhe tokat
d) Bimësia dhe kafshët e egra
e) Mjedisi, turizmi malor dhe zhvillimi i qëndrueshëm
f) Problemet historike në nivel krahine dhe fshati
g) Problemet atdhetare dhe ushtarake
h) Arsimi dhe shkenca
i) Kultura, letërsia dhe sporti
j) Blegtoria, bujqësia dhe pyjet
k) Arkeologjia dhe objektet social-ekonomike
Përmbajtja e gjerë e kësaj Enciklopedie bën të mundur që ajo të ketë dhe një rreth të gjerë përdoruesish, në radhë të parë banorët e Kurveleshit kudo që ata janë brenda dhe jashtë vendit, studentët e universiteteve tona, mësuesit e nxënësit e klasave të larta të shkollave të mesme. Por ajo do të jetë shumë e dobishme dhe për të gjithë specialistët e shkencave natyrore e shoqërore, për ekonomistët e sociologët, për gazetarët e punonjësit e mediave dhe specialistë të tjerë thuajse nga të gjitha fushat e dijes, si dhe për publikun e gjerë.
Jemi të ndërgjegjshëm se kjo Enciklopedi ka nevojë për plotësim dhe saktësim të vazhdueshëm, duke mbetur gjithmonë një libër i hapur.
Si botim i parë i këtij lloji në fushën enciklopedike, ajo mund të ketë edhe ndonjë pasaktësi apo zbrazëti, ndaj autorët do të mirëpresin çdo vërejtje e sugjerim objektiv e dashamirës, me qëllim që t’i kenë parasysh në ribotimet e ardhshme.
Autorët falënderojnë:
Shoqatat kulturore atdhetare të fshatrave të Kurveleshit: “Bolena”, “Dr. Bilal Golemi”, “Kallarati”, “Kolonja”, “Nivica”, “Vëllazërimi Kuçiot”, “Vërmiku” për bashkëpunimin e ngushtë dhe ndihmesën e tyre për mbledhjen e të dhënave të nevojshme për hartimin e kësaj vepre.
Ndihmuan për mbledhjen e të dhënave:
Adem Gjika, Ali Bala, prof. dr. Ali Dhrimo, Arif Bizhga, dr. shk. Arqile Veshi, Arshi Dolla, Astrit Çeli, Bajram Mezuri, Bardho Hyseni, “Mësues i merituar” Bardhyl Xhama, Demo Rrokaj, Dervish Lloi, Dilaver Goxhaj, Eshtem Graçi, dr. shk. Fadil Nanaj , prof. dr. Farudin Krutaj, Ferdinand Kopali, Gëzdar Seriani, Guro Zeneli, Halil Qendro, dr. shk. Hasan Luçi, prof. dr. Hektor, Veshi, Idajet Llanaj, “Mësues i merituar” Hulusi Runa, prof.asoc. dr. Ilirjan Gjipali, Isuf Çela, Ismet Isufi, prof. dr. Jakup Mato , Jonuz Korkuti, Jorgo Melica, Kamber Alikaj, Kanan Zanaj, Kiço Gjipali, Lekë Sotiri, Hamdi Malaj, Memo Boçi, Muhamet Hoxha, Akademik Myzafer Korkuti, Odise Duka, Pajtim Hasani, Qani Bizhga, Rakip Bleta, prof. dr. Rami Memushi, Razip Golloshi, Refat Bleta, Rexhep Alimema, Rexho Isufi, Seit Alikaj, Selam Shkurti, Seri Tushi, Servet Tartari, Shaqo Peçi, Sheme Shega, Veledin Abazi, Xhafer Majko, Zeman Bardhi, Zenel Koshaj, Zenel Sinani, Zeqir Shehu.
ZYRA E SHTYPIT DHE INFORMACIONIT TOENA
Ne vijim ne këtë faqe do te pasqyrojmë gjithçka qe ky libër paraqet për Kallaratin dhe kallaratasit.
Kallarati. Fshat i K. Poshtëm, pjesë e komunës së Vranishtit të rrethit të Vlorës (JP), në të dy anët e rrjedhjes së sipërme të Shushicës. Kufizohet nga lindja me Bolenën, nga jugu me Kuçin, nga perëndimi me Pilurin dhe Himarën, kurse nga veriu me Vranishtin. Kallarati ka një sipërfaqe me gjithë tokat bujqësore dhe kullotat prej 30 km². Tokat e bukës shtrihen kryesisht në të dy anët e lumit të Shushicës dhe në zonën kodrinore. Kodrat zënë rreth 50% të sipërfaqes së territorit të tij. Është fshati më i ulët i gjithë Kurveleshit, në në lartësinë mesatare 354 m mbi nivelin e detit. Si rrjedhim, ka një klimë jo të ashpër, që ftohet vetëm kur fryjnë era e lindjes ose garbia nga qafa e Shëngjergjit.
Emri i fshatit përmendet për herë të parë në defterin osman të vitit 1432 në trajtën Ka(l)lojrat e më 1507 Kiljorat, pastaj Calojerates në dy letra, njëra dërguar papës më 1581 dhe tjetra careshës së Rusisë më 1759. Prapashtesa -at, një prapashtesë e vjetër iliro-shqiptare për emra fisesh, ka pushuar së përdoruri qysh prej kohësh shumë të vjetra. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një fshat të fillimit të mijëvjeçarit të dytë, të një moshe me Zhulatin e Papa Zhulit apo Progonatin e Progonit. Sa i përket pjesës tjetër kallar-, kjo sot nuk ngjan me ndonjë fjalë të shqipes. Por trajta Calojerates e dokumentit italian, e cila përsëritet edhe në dokumentin grek të 1759-ës, të shpie te rrënja kallojer. Në Kallarat, me këtë emër quhen larvat e zeza me bisht të bretkosës; por tek arbëreshët e Italisë kjo rrënjë del si emër personi dhe si mbiemër. Pra, Kallarat do të thotë pasardhës i Kallojerit, që është themeluesi i fshatit.
Fillimisht, fshati ka qenë i vendosur në Kunjovë (shih), çka dëshmohet nga toponime të tilla, si Qafa e Kallarate dhe Arat e Gjokone. Sipas një kënge të vjetër, ka qenë një fshat i madh, me dyqane e me xhami. Më vonë, u shpërngul në rrëzë të malit të Bogonicës (shih), në vendin e quajtur rrëza e Pelingrisë, në lartësinë 423 m mbi nivelin e detit. Gërmadhat e shtëpive të ndërtuara në një shpat mali me formën e një gjysmë sfere që sheh nga lindja, i formuar nga rrëshqitjet malore. Braktisja e vendbanimit të vjetër dhe vendosja rrëzë të malit të Bogonicës është bërë rreth viteve 1660 dhe 1720 nga shkaku i sëmundjes së kolerës. Atëherë shumë banorë të tij u shpërngulën edhe në fshatra të tjera, si në Pilur, Borsh, Piqerras, Sasaj, Lukovë, Shën-Vasil e gjetkë. Pasi u dogj nga grekët në vitin 1914 (89 shtëpi të djegura, me popullsi 567 banorë), banorët e braktisën fshatin, nga i cili sot ruhen rrënojat e shtëpive dhe toponimi “Fshati i Djegur”, dhe u vendosën pranë arave, në të dy krahët e lumit. Por në vitet ’60–’80, banorët e krahut të djathtë i braktisën shtëpitë dhe u vendosën në krahun e majtë të lumit, nga Morreza në Qafën e Ubavit, përgjatë rrugës automobilistike Vlorë–Kuç.
Kallarati përbëhet nga 7 mëhallë: Gjinaj, Gjokon, Gjëzes, Mërtigjin, Misërgjon dhe Qesëraj, të cilat degëzohen në vëllazëri të shumta. Në regjistrin osman të tokave të sanxhakut të Shqipërisë del me 43 shtëpi, pra si një nga fshatrat e mëdha të Kurveleshit. Më 1854 del me 150 banorë, më 1914 me rreth 100 shtëpi, kurse më 1927 me 552 banorë. Deri afër fundit të shek. XX, numri i shtëpive të fshatit ka qenë rreth 100 dhe i banorëve rreth 500. Por me hapjen e vendit dhe lëvizjen e lirë të popullsisë, pjesa dërrmuese e familjeve u largua duke u vendosur në qytete, sidomos në Vlorë e Tiranë, kurse të rinjtë emigruan në Greqi e Itali, duke tërhequr më vonë edhe familjet ose duke krijuar familje në dhe të huaj. Në fshat tani kanë mbetur rreth 20-30 familje me të moshuar.
Sa i përket besimit, nga një raport i viteve 1716–1720 i misionarëve bazilianë të Himarës, Kallarati mbetej ende një ndër 14 fshatrat e krishtera të krahinës së Himarës. Deri më 1759, po t’i besojmë letrës së krerëve të Himarës, në të cilën thonë se janë të krishterë të besimit ortodoks, familjet myslimane në Kallarat kanë qenë ende në pakicë. Islamizimi duhet të ketë marrë hov nga fundi i shek. XVIII dhe ka përfunduar në fillim të shek. XIX. Edhe duke numëruar brezat, emrat e krishterë dalin 8 breza më parë, dmth. afro 200–240 vjet më parë popullsia ka qenë e krishterë. Me ndërrimin e fesë, edhe Kallarati ngriti objekte fetare, si xhamia në qendër të Fshatit të Djegur dhe, pas djegies së fshatit, në vitin 1916 xhamia u ndërtua te burimi i Morrezës, po nuk u përdor për shërbime fetare, pasi u kthye në shkollë.
Në tërësi, shtëpitë janë prej guri dhe janë një- e dykatëshe. Fshati i vjetër ka pasu pamjen e një qyteze, me shtëpi dykatëshe dhe me rrugica që zbrisnin në fund të fshatit. Por në vitet e kolektivizimit, muret e mbetura u prishën dhe gurët u përdorën për ndërtimin e shtëpive në Morrez, kështu që sot rruhen vetëm fragmente muresh dhe themelet e shtëpive. Modeli i shtëpive të vjetra është ruajtur vetëm në shtëpinë dykatëshe të Qejvane, me portë, avlli, murin dhe rrethinat e saj, e cila ruhet ende. Për të lidhur fshatin, që ndahet në mes nga Shushica janë ndërtuar pasarela (vinxha), si ajo e Lëmëplakut, që është më e vjetra, vinxha e Gjone dhe e përroit të Brate, që janë më të reja. Kallarati ka pasur tre mullinj: i Toçe, i Bodeit dhe i Lëmëplakut, ku bluanin edhe nga fshatrat fqinjë. Kallarati që në shek. XVIII ka pasur edhe kovaçhanë.
Kallarati ka pasuri të shumta ujore. Lumi i Shushicës e përshkon territorin e tij në gjithë gjatësinë prej 6 km. Ujërat e tij është shfrytëzuar për ujitjen e fushave që ndodhen në të krahët. Që në shek. XIX janë ndërtuar disa kanale ujitëse dhe ura të vogla prej guri (akuadukte), si kanali i Fierit, i Lëmëplakut, i Rapetës dhe i Kurpicës. Nga fundi i shek. XX, në Varth, në Povël dhe në përruan e Gjorme u vendosën stacione elektropompash për ngritjen e ujit në lartësi dhe ujitjen e tokave mbi ujë.
Kallarati ka disa burime, si: burimi i Valit në Bogonicë, Ujët e Gurëve, burimi i Gurrës, Bashait, Qesarules, Morrezës, Nikolagjit, Gjone, Gjoçalit, përroit të Gjorme, Gropës së Muçe, Prodës dhe pusi i Toçe në Morrez (tani jashtë përdorimit).
Territori i Kallarati ka qenë shumë i pasur me pyje e kafshë të egra. Pyjet me lisa të Trapit të Fiqe, të Vanrës, të Shelqit e Ramanait etj., pylli me rrepe në Morrëz, pylli në Brinjën e Ilqes zinin 40% të sipërfaqes së territorit të fshatit. Ruhen drurë të veçantë disa qindravjeçarë, si rrapi mbi 300-vjeçar i xhamisë së Konjiveshe, prralli mbi 250-vjeçar i Reçe në qafën e Ubavit, arra mbi 200-vjeçare e Golloshe në Basha, fiku i Fatos në Ubav mbi 150-vjeçar. Brigjeve të lumit dhe të përrenjve mbizotërojnë rrapi e shelgu, mareja, mretja, në kodrat e krahut të djathtë prralli, mbretja e dëllinja, kurse kodrat në krahun e majtë të lumit janë të mbuluara me mare e shqopë, dhe më pak mbrete, prrall e dëllinjë. Në pyjet rrëzë malit rritet ilqja, qelbësi e dëllinja etj. Gjenden edhe murrizi, thana, frashri etj. Kati i dushkut shtrihet nga kodrat buzë lumit e deri afër rrëzës së malit dhe ka dushqe të llojeve të ndryshme, si të butë, shpardh, qarr etj., të përzier me panjë, dhe ilqe; kati i halorëve, që ngrihet mbi të, ka bredh, krekëz, mëllezë e rrobull, që gjenden në shpatin lindor të Bogonicës. Në lartësinë 1400–1500 m shtrihet zona e kullotave verore, që përfshijnë majën e Bogonicës, Gjothanasin, Valet, majën e Zogut, ku dominon bimësia barishtore dhe me drurë të rrallë, si murrizi, kumbulla e egër dhe shkurre arithi. Në territorin e Kallaratit ka edhe bimë të shumta me vlera industriale dhe mjekësore, si dafina në Bogonicë, dëllinja, çaji i malit, rigoni, trumza, dafina, bari i bletës etj. Si rrjedhim i shfrytëzimit pa kriter të mbulesës bimore, i prerjes për dru zjarri, qymyr e shtylla për minierat, por edhe i djegies për t’i kthyer në kullota ose tokë arë, kanë pësuar dëme të mëdha jo vetëm pyjet, por edhe kafshët egra dhe zogjtë e shumtë. Sot në pyjet e Kallaratit mund të ndeshesh me ujkun, dhelprën, lepurin, kunadhen dhe më pak derrin e egër. Deri në prag të L2B ka pasur edhe sorkadhe. Nga shpendët, përveç grabitqarëve dhe shpendëve të vegjël, gjenden edhe pëllumbi i egër dhe thëllëza: pëllumbi i egër zbret dimrit me tufa të mëdha në pyjet e Shelqit dhe të Ramanait për lënde; thëllëza e egër gjendet në Gjothanas e Bogonicë, por dimrit zbret edhe më poshtë.
Ndër monumentet natyrore të Kallaratit janë mali i Bogonicës (sllav. bog “zot”) (shih), i quajtur kështu nga sllavët mbështetur në traditën vendëse, që e mbante këtë mal si vendin e zotave. Midis Bogonicës dhe malit të Skëndolleshit (1382 m) ndodhet Lëmi i Lejlerëve (shih), ose Lëmi i Shenjtorëve. Në këtë vend, të cilin tradita popullore e krahinës e mban si të shenjtë, deri para myslimanizimit të Labërisë bënin pelegrinazhe si fshatrat në rrjedhjen e sipërme të lumit të Shushicës edhe ato të Bregut të Detit. Monumente të tjera janë Honi, një çarje e madhe në faqen lindore të Bogonicës, vend shumë i përshtatshëm për ngjitje alpinistike dhe Guri i Hijes, një shkëmb masiv në formë paralelpipedi, i cili përdorej nga barinjtë e fshatit si pikë orientimi për të nxjerrë bravaret në kullotë mbasdite gjatë stinës së verës.
Përmendja e Kallaratit në dokumente duke filluar që nga shek. XV, do të thotë se ka qenë një pjesëmarrës aktiv në të gjitha lëvizjet kundër pushtimit osman. Banorët e tij kanë marrë pjesë në të gjitha kryengritjet e mëdha, duke filluar me kryengritjen e Gjergj Arianitit më 1432, në kryengritjet e përgjakshme të viteve 1481–1537, që e bënë të njohur krahinën e Himarës në Europë, deri në shpalljen e Pavarësisë. Çipini i Bolenës, në këmbë të cilit ishte Kallarati i vjetër, gjatë kryengritjes së vitit 1492 shërbeu si një nga malet ku popullsia dhe luftëtarët e krahinës u bënë një qëndresë heroike hordhive të sulltan Bajazitit, duke e detyruar të tërhiqej me turp dhe t’i njihte krahinës venomet.
Kallarati, krahas Kuçit, Vishatit, Çorrajt, Vakajt dhe Istariçes, është një ndër 26 fshatrat e sanxhakut të Vlorës për të cilat në një dokument osman të 15 majit 1507 thuhet se “në defterin e haraçit janë shënuar si kryengritëse dhe kokëforta”. Ky fshat ka kontribuar jo vetëm duke marrë pjesë me armë në të gjitha kryengritjet e Himarës (Labërisë), por edhe duke u përfaqësuar me pleqësinë e tij në kuvendet e krahinës të viteve 1577 e 1581, të cilat iu drejtuan për ndihmë papës së Romës, dhe në kuvendin e 1579-ës, që i kërkoi ndihmë careshës Elisabeta të Rusisë.
Kallarati nuk pati marrëdhënie të mira as me Ali Pashë Tepelenën. Kjo vërtetohet nga një fragment i një dokumenti të kohës, në të cilin thuhet se në Korfuz ishte bërë “një marrëveshje midis shqiptarëve dhe grekëve për të kundërshtuar shtypjen feudale të Ali Pashës”. Pjesë e kësaj marrëveshjeje qe edhe miratimi i një shume të hollash që do t’u jepej si ndihmë fshatrave pjesëmarrëse në kryengritje, nga të cilat Kuçit i jepeshin 7000 piastra, Kallaratit 4500 dhe Gusmarit 6300.
Kur nisi vala e kryengritjeve të mëdha të gjysmës së parë të shek. XIX, Kallarati mori pjesë masive në to. Në kryengritjen e vitit 1847 kundër reformave të Tanzimatit luftëtarët e Kallaratit u prinë nga Dervish Alikua (Kallarati), Lame Petani, Meçe Haxhiu e Birbil Hasani, emrat e të cilëve dalin në letrën e 15 gushtit 1847 me të cilën 89 krerët e kryengritjes iu drejtuan për ndihmë mbretit Oton të Greqisë. Kallaratasit, bashkë me bolenas e kuçjotë, zhvilluan luftime të ashpra në brigjet e Shushicës me forcat e mëdha turke që synonin të dilnin në Kurvelesh të Sipërm përmes grykës së Shurit. Po armiku e theu qëndresën e tyre dhe, për t’u hakmarrë, dogji fshatin dhe u vuri zjarrin të mbjellave. Ndër udhëheqësit e kryengritjes që u varën në Janinë, ishin dhe katër krerët kallaratas. Megjithatë, edhe pas reprezaljeve të mëdha, Kallarati, ashtu si gjithë Kurveleshi e Labëria, nuk u nënshtrua. Djemtë e tij Boro Ribi e Alim Delua u bashkuan me çetën e Mehmet Hysenit nga Kuçi; Remzi Janji me çetën e Sali Vranishtit etj.; brenda në fshat, u vra kryeplaku që po shkonte të spiunonte tek autoritetet turke. Në prag të pavarësisë, Kallarati kishte çetën e tij.
Kallarati ishte fshati i parë që u gjakos në përpjekje me bandat e andartëve grekë në nëntor 1912. Barinjtë kallaratas që ndodheshin me bagëtinë e tyre në Vumlo të Himarës, luftuan për disa orë me forcat greke, të cilat zunë Muço Karabollin, Yzeir Ribajn dhe Dervish Maçin dhe dy të tjerë,…. të cilët i internuan në Kalanë e Korfuzit, ku nga torturat shtazarake të Korofillaqisë tre prej tyre, vdiqën, veç djaloshit Dervish Maçi, që u arratis. Për të përballuar situatën e krijuar, fshatarët krijuan një komision, të përbërë nga Alem Totua, Lame Sinani e Hodo Kalemi, Murat Cane dhe Selam Bajrami. Komisioni i kërkoi Qeverisë së Përkohshme armë dhe armatosi me to mbi njëqind burra, që luftuan me forcat greke në malin e Gjothanasit, ku u vranë Murat Avduli e Çelo Boshi. Ndërkohë, komisioni dërgoi Birçe Guxhë Ribin te Spiro Milua në Himarë për t’i bërë të qartë se në territorin e Kallaratit nuk do të lejonin të shkelte këmbë andarti apo ushtari grek. Më 14 korrik 1914, ditën kur u zbraz Kurveleshi i Sipërm, Kallarati luftoi kundër një force greke prej 300 andartësh e ushtarësh, të cilat sulmuan fshatin nga disa drejtime. Burrat e fshatit e pritën me zjarr armikun, duke vrarë kapedan Cullaqisin, një nga komandantët grekë. Në këtë përpjekje të fundit u vranë Hyso Balili, Ramadan Hoxha e Dervish Maçi. Duke mos mundur t’i bënin ballë armikut të shumtë në numër, fshatarët u tërhoqën bashkë me familjet e tyre, duke u strehuar në Mesaplik.
Fshatarët u kthyen në shtëpitë e tyre në shtator të vitit 1916. Përpara i priste një dimër i vështirë: fshati ishte bërë shkrumb dhe, bashkë me të, e gjithë pasuria që kishin; bagëtia ishte shfarosur; pemët frutore ishin prerë e djegur. Duke qenë se shtëpitë ishin bërë të pabanuara, fshatarët e braktisën fshatin dhe u vendosën buzë lumit e përrenjve, aty ku kishin tokat, duke ngritur kasolle e duke u marrë me bujqësi, që në këto rrethana mbetej për ta i vetmi burim i jetesës. Vështirësitë e rifillimit të jetës nga e para nuk i penguan kallaratasit të mendonin edhe për luftimin e plagëve të pushtimit shumëshekullor. Më 1916, Telha Durua organizoi të parin kurs në gjuhën shqipe që u pasua nga hapja e shkollës po atë vit, ku shërbyen si mësues ai vetë dhe atdhetari Meçan Selami, i shkolluar në Korfuz.
Luftës me dimrat e egër dhe epideminë e gripit spanjoll, që mori shumë jetë njerëzish, iu shtua edhe rreziku i aneksimit nga Italia. Italianët, që në fillim u paraqitën si çlirimtarë, i nxorën shpejt në dritë qëllimet e tyre të vërteta, duke futur mësimin e italishtes në shkollën sapohapur dhe duke keqtrajtuar fshatarët. Revolta e fshatarëve kulmoi më 28 nëntor 1919, kur ulën flamurin italian dhe ngritën flamurin kombëtar, akt për të cilin italianët arrestuan disa fshatarë, ndër ta edhe gruan trime Dudë Hodaj. Thirrjes së Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare Kallarati iu përgjigj duke krijuar çetën e tij me 60 vetë, me komandant Fein Çelo Stratin (shih) e Habib Gjonin. Çeta mori pjesë në luftën e Gjormit dhe pastaj u aktivizua në mësymjen e përgjithshme të forcave kryengritëse më 11 qershor 1920. Në bashkëveprim me forcat e Dukatit, Gumenicës, Bolenës, Kaninës dhe Rrëzë, çeta e Kallaratit veproi në sektorin Uji i Ftohtë–Kaninë. Më 19 qershor çeta luajti rolin kryesor në thyerjen me sukses të kundërgoditjes së forcave italiane në afërsi të përroit të Kallafetit (në jug të Qishbardhës). Në këtë përleshje shkëlqeu përvoja luftarake dhe zgjuarsia e komandantit të Çetës, Fein Çelos, i cili e futi armikun në grackë duke e rrethuar nga të dy anët e grykës së Kallafetit dhe duke e asgjësuar krejtësisht. Në mësymjen e dytë të përgjithshme të forcave kryengritëse më 23 korrik çeta e Kallaratit mori pjesë në drejtimin Qishbardhë–m. e Vreshtave–Mesovun. Në këto luftime u vra Xhevair Golloshi dhe u plagos i riu Veip Balili. Krahas atyre që luftuan me armë kundër pushtuesit italian, bashkëfshatari i tyre Meçan Selami kreu gjatë Luftës së Vlorës detyrën e sekretarit të prefekturës me qendër në Drashovicë, në krah të prefektit Osman Haxhiu.
Revolucioni i Qershorit dhe ardhja e Nolit si kryeministër u prit me shpresa në fshat. Mjaft të rinj shërbyen në radhët e xhandarmërisë në këtë kohë, por, me rikthimin në fuqi të Zogut, u pushuan dhe u përndoqën. Fshati iu nënshtrua një dhune të egër, sidomos gjatë kohës së çarmatimit, kur famëkeqi Taf Kaziu me xhandarët gegë u lidhnin këmbët burrave me rripin e dyfekut dhe u kërkonin të dorëzonin armët që nuk i kishin, saqë disa u detyruan të blinin armë për të shpëtuar nga torturat. Gjatë viteve të Pavarësisë, gjendja ekonomike e fshatit ka qenë e mjeruar dhe përparimi ekonomik fare i parëndësishëm. Për të mbajtur familjet, shumë burra e të rinj shkuan si hyzmeqarë në Himarë ose në qytete, ku u punësuan në shoqëritë italiane të rrugëve në Vlorë dhe në puset e naftës në Kuçovë, ku disa prej tyre, si Feti Xhelo Tozaj etj. u përfshinë në lëvizjet greviste të kohës.
Lajmin për pushtimin fashist të vendit Kallarati e priti me indinjatë e zemërim të madh ndaj mbretit Zog, që e tradhtoi vendin. Shumë fshatarë shkuan në qendër të komunës në Kuç, ku kërkuan armë për ta pritura armikun me pushkë, siç kishte qenë tradita e Labërisë në shekuj. Në vitet e Luftës Italo-Greke, fshati u ndodh në vijën e parë të frontit dhe prandaj familjet u zhvendosën në pyjet e Kuçit, ku e kaluan dimrin e 1940-41 në kasolle. Edhe një herë grekët, që kishin hyrë si pushtues, e shkatërruan fshatin, aq sa në popull mbeti shprehja “sikur ka rënë greku”. Me largimin e ushtrive greke në prill 1941, banorët iu rikthyen dhe një herë nga e para punës për ringrijten e ekonomisë së shkatërruar. Ndërkaq urrejtja për pushtuesin, që u solli mjerim pas mjerimi, vinte duke u shtuar. Në ndërgjegjësimin e bashkëfshatarëve për luftë ndikoi edhe puna e të riut Mumin Selami, i cili për veprimtarinë e tij antifashiste në vitin 1941 u internua në vendlindje. Vrasja e Muminit nga forcat fashiste më 18 tetor 1942 në lagjen Topana të Vlorës e shtoi edhe më urrejtjen kundër fashizmit.
Në pranverë të vitit 1942 krijohet njësiti territorial i fshatit me 12-15 vetë, e cila në nëntor të po atij viti u riorganizua në çetën me emrin “Mumin Selami”, me komandant Veip Balilin dhe komisar Adil Petanin. Çeta e Kallaratit mori pjesë në çlirimin e nënprefekturës së Gusmarit më 28 Nëntor 1942; zhvilloi luftime të ashpra me forca italiane e mercenarët e Halil Alisë në betejën e Gjormit (dhjetor 1942–janar 1943); në shtator 1943 mori pjesë në çarmatosjen e trupave italiane në Gjirokastër, Delvinë, Sarandë, Himarë si dhe në luftime me forcat gjermane pranë garnizoneve italiane; në nëntor–dhjetor 1943 zhvilloi luftime në bashkëveprim me forcat e Zonës së Parë Operative në qytetet Gjirokastër, Libohovë, Përmet, Këlcyrë, Kiçok, Gllavë si dhe në Kurvelesh e në Luginën e Mesaplikut. Gjatë Operacionit gjerman të Dimrit 1943–44, bashkëveproi me forcat e Br5, 6S. Luftimet e fundit çeta i kreu në korrik 1944 në qafën e Janostasit, midis Vunoit e Himarës, me forcat e R523 gjerman. Në vitin 1943, çeta u përfshi në përbërje të batalionit “Ismail Haki” (shih). Efektivi i çetës ndryshonte nga një luftim në tjetrin, në përputhje me traditën e vendit, po nuk e kaloi numrin prej 86 luftëtarësh. Ruajti organizimin e saj deri më 29 nëntor 1944.
Pas krijimit të çetës, në mars 1943 krijohet këshilli antifashist nacionalçlirimtar i fshatit dhe më 20 korrik 1943, pas një pune të gjatë sqaruese të militantët komunistë Mustafa Matohiti, Memo Meto e Bexhet Mema, kallaratasit lidhën besën duke shkuar lekun në gojë për luftë pa kompromis kundër pushuesve fashistë e bashkëpunëtorëve të tyre. Po në korrik të atij viti themelohet tek Ura e Memetes celula e PK për fshatin, me katër anëtarë. Pas tyre krijohen edhe organizata e rinisë dhe e gruas. Kallarati, me vetëm 100 shtëpi, rreshtoi në radhët e formacioneve partizane 120 djem e vajza (përfshi dhe çetën territoriale), nga të cilët 20 ranë dëshmorë, ndër ta një Hero i Popullit, dhe 11 u plagosën. Gjatë Luftës në Kallarat qëndruan e luftuan shumë nga figurat më të shquara të luftës Antifashiste, si Abaz Shehu, Mustafa Matohiti, Memo Metua, Kadri Hazbiu, Hysni Kapua etj.
Gratë e Kallaratit përballuan në këtë Luftë vështirësi të mëdha, sidomos gjatë operacioneve ndëshkimore gjermane, duke u kujdesur për shpëtimin e fëmijëve dhe të ekonomisë së familjes. Me gjithë varfërinë e madhe, ato pritën kuadra të lartë e partizanë të thjeshtë, duke i larë e ndërruar dhe duke ndarë me ta bukën e gojës. Ndër to shquhet sidomos nënë Duzja, nëna e Heroit të Popullit Munmin Selami, e cila u bë një agjitatore e palodhur e Luftës në krahinë. Ajo krijoi organizatën e gruas në fshat, u zgjodh anëtare e këshillit krahinor të Kurveleshit, mori pjesë në Kongresin e Parë të Gruas Antifashiste në Berat dhe u zgjodh deputete e Kuvendit Popullor në dy legjislatura.
Vlen të theksohet se, me përjashtim të pak individëve që u rreshtuan në formacionet e BK, kjo organizatë nuk pati ndonjë ndikim në Kallarat. Fshati nuk pati as vëllavrasje, as edhe viktima të luftës. Falë punës dhe vigjilencës së lartë të njerëzve që punonin në terren, sa herë që armiku ndërmerrte operacione ndëshkimore, gra, fëmijë e pleq strehoheshin në shpellat e Bogonicës, kurse burrat e aftë për luftë rrëmbenin armët dhe bashkoheshin me çetën për të kryer detyrat që u ngarkoheshin.
Edhe nga kjo luftë, Kallarati u dëmtua rëndë. Shumë shtëpi të tij u dogjën nga nazifashistët dhe ballistët, humbje pati edhe në gjë të gjallë. Por menjëherë pas çlirimit të krahinës më 25 qershor 1944, populli u mobilizua për ndërtimin me punë vullnetare të shtëpive të djegura nga lufta, duke filluar nga shtëpitë e familjeve të dëshmorëve. Krahas kësaj, shumë të rinj e të reja morën pjesë në aksionet vullnetare të rinisë për ndërtimin e rrugëve dhe të hekurudhave.
Më shtator të vitit 1956 u krijua kooperativa bujqësore, me kryetar Salo Matajn, në të cilën u futën që në fillim shumica e familjeve. Në vitin 1965, kooperativa “Mumin Selami” e Kallaratit u bashkua me kooperativën e Bolenës, duke formuar kooperativën e bashkuar Bolenë-Kallarat, që u shpërbë në vitin 1985. Kallarati kishte si drejtim kryesor bujqësinë, kryesisht kultivimin e misrit, ku u arritën rendimente të larta, po edhe grurin e perimet. Duke filluar nga viti 1960, fshati siguroi bukën në vend për herë të parë. Në vitin 1970 u bë elektrifikimi i fshatit, që solli një rritje të nivelit të jetesës në fshat, duke u futur radioja në çdo shtëpi, po edhe televizori e lavatriçja. Që pas Luftës Kallarati ka pasur një infermier, por rreth viteve ’70 u ndërtua qendra shëndetësore me mjek, ndihmësmjek e mami. Fshati ka pasur shtëpi kulture që nga fundi i viteve ’50. Kurse shkolla fillore e fshatit, e hapur që pas L2B, në vitin 1975 u kthye në shkollë 8-vjeçare. Në to kanë mësuar dhjetëra e dhjetëra fëmijë të Kallaratit, po edhe të Kunjovës dhe të Lumit të Kuçit. Në vitet e para pas Clirimit mësuesit ishin të huaj, por dalëngadalë vendin e tyre e zunë mësues vendës, ndër të cilët të parët kanë qenë Enver Golloshi, Bilal Breshani, Hamit Muharremi e Çize Xhaferi. Djem e vajza kallaratas kanë punuar në rrethe të ndryshme të vendit e në fshatra të rrethit të Vlorës si mësues e si drejtorë shkollash; shumë të tjerë si oficerë e nënoficerë në radhët e Ushtrisë Popullore e të policisë, duke arritur deri në gradën e kolonelit; të tjerë si inxhinierë, mjekë e agronomë apo si drejtues ndërmarrjesh dhe njësish të pushtetit vendor. U shquan sidomos vëllezërit Sinan e Sihat Tozaj: i pari si drejtues i talentuar në sektorin e minierave, i dekoruar nga Presidiumi Kuvendit Popullor me titullin e lartë “Hero i Punës Socialiste”, kurse i dyti si kryetar komitetesh ekzekutive të rretheve dhe si sekretar i presidiumit të Kuvendit Popullor.
Bijtë dhe bijat e Kallaratit kanë kontribuar edhe në fushën e arsimit dhe të kulturës. Kallarati ka pasur gjithmonë rapsodë, këngëtarë e valltarë, si Veliko Murati, Elmaz Breshani e Llambro Hysi. Grupi polifonik i Kallaratit u vlerësua me çmim nga juria e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës më 1983; ka marrë pjesë edhe në festivale ndërkombëtare, si në atë të Kanës (Francë) në vitin 1989.
Kallarati ka një profesor doktor dhe një doktor shkencash, si dhe dy pedagogë universiteti. Shumë i njohur për romanet, novelat e filmat e tij është shkrimtari Neshat Tozaj. Në fushën e sportit janë shquar Çlirim Hysi, futbollist i ekipeve të 17 Nëntorit dhe të Dinamos dhe më pas drejtues i këtyre klubeve, si dhe “Mjeshtrja e Merituar e Sportit” Elisabeta Karabollaj, kampione e Europës (1999) në qitje me pistoletë. Në fushën e artit është bërë shumë i njohur emri i piktorit Saimir Sinan Strati, restaurues dhe autor mozaikësh të shumtë dhe 6 herë fitues i Çmimit “Guiness”. I njohur në Italinë e Jugut me punimet artistike prej guri është bërë Agim Mato Mataj. Shumë të rinj e të reja të tjera janë instrumentistë në orkestra të Greqisë dhe të Italisë.
ALIU Myftar (1780-1840). Hoxhë i Vilajetit. Lindi në Kallarat. Mërgoi që herët në Turqi, ku mbaroi Medresenë dhe më pas edhe në Rumani. Pati lidhje me Naum Veqilharxhin, i cili, në vitin 1840, e dërgon në Shqipëri me libra shqip. Kaloi nëpërmjet Greqisë dhe në Pogon u sëmur rëndë dhe vdiq në fshatin Selckë, ku u varros me nderime. Në gurin e varrit shkruhet “Hoxha i vilajetit Myftar Aliu, vdekur në vitin 1840, në fshatin Selckë”. (Xh. Ç)
Besëlidhja e Kallaratit (20 korrik 1943). Takim i kallaratasve për të mbajtur qëndrim të përbashkët gjatë LANÇ. Në zbatim të detyrave që shtroi Konferenca e Pezës (shtator 1942), pas një pune të gjatë sqaruese, nga militantët antifashistë Mustafa Matohiti, Memo Meto, Bexhet Mema etj., më 20 korrik 1943, në Basha u mblodh populli i Kallaratit për të lidhur besën për luftë pa kompromis kundër pushuesve fashistë e bashkëpunëtorëve të tij. Mbështetur në arritjet e deriatëhershme (krijimi Këshillit ANÇ, çetës territoriale e aksioneve të saj), u kërkua dhe u sigurua forcimi i unitetit rreth Frontit ANÇ. Mbështetur në traditën, si shenjë betimi ishte kalimi i një leku metalik në gojët e secilit dhe duke shqiptuar fjalën “Betohem”. Dhe Kallarati, me vetëm 100 shtëpi, rreshtoi në radhët e formacioneve partizane 120 djem e vajza (përfshirë dhe çetën territoriale), 20 dëshmorë të atdheut dhe 11 të plagosur. (Xh. Ç.)
Bogonica (1673,1m) është pjesë e vargut të Maleve të Vetëtimës. Ai ndahet prej malit të Çikës nga vali i Vranishtit, duke u ngritur si një kështjellë gjigante që bie në sy që larg. Nga tri anë, mali i Bogonicës rrethohet nga male e maja që zbresn shkallë-shkallë: nga veriu mali i Gjokëndreut (1393m), mali i Pirrëdrënjës (1402m) dhe Mali i Zi (1202m); nga perëndimi mali i Melishtit (1425m) dhe mali i Skëndolleshit (1382m) dhe mali i Bogonicës (1296m); nga jugu Maja e Zogut (1464m), ndërsa në juglindje mali i Gjothanasit (145m). Nga ana lindore e tij shpatet zbresin thikë mbi fshatin e djegur të Kallaratit, duke formuar hone e humnera të pakalueshme.
Maja e Bogonicës dhe shpatet perëndimore e jugore të saj janë të zhveshura nga drurët dhe shërbejnë si kullota verore, kurse në shpatet veriore e lindore rriten pisha, bredhi, dafina, ilqja etj. Mali nuk ka burime ujore; vetëm në fund të shpateve të tij, si në valin e Madh, në Hundën e Gurëve dhe në Qafën e Gurrës dalin burime me ujë shumë të ftohtë.
Me majën e rrumbullakët e të sheshtë, Bogonica është i vetmi mal i vargut të Akrokerauneve të cilit mund t’i ngjitesh nga disa anë dhe prej andej të soditësh larg derisa të ha syri. Nga lartësitë e majave të Bogonicës dhe të Gjokëndreut, shikon tërë fshatrat e Lumit të Vlorës, madje në ditë me mot të kthjellët arrin të shohësh deri kodrat e Levanit e rreth qafës së Koshovicës. Nga lindja e juglindja sheh malësinë e Kurveleshit të Sipërm dhe malet mbi Kuç, Fterrë e Çorraj; kurse nga perëndimi duken fshatrat e Bregut të Detit, ishujt përballë dhe Korfuzi.
Duke gjykuar nga topografia, po dhe nga emri, ka shumë të ngjarë që Bogonica të jetë mali i Akrokerauneve ku banorët paganë të Bregut dhe të rrjedhjes së sipërme të Shushicës i bënin nderime Diellit dhe kaonët, siç na thotë Hamondi, i bënin nderime dhe fli Zeusit Kaon. Ardhësit sllavë, duke u njohur me emrin e malit dhe traditën vendëse të nderimit të perëndive, e quajtën Bogonicë (bog “zot”, dmth. “mal i zotit”).
Gjatë shekujve, Bogonica ka shërbyer si një kështjellë dhe strehë mbrojtjeje nga ku banorët u kanë bërë ballë pushtuesve të ndryshëm. Vlen të përmendet ekspedita e vitit 1492 e ushtrive të Sulltan Bajazitit kundër krahinës së Himarës, kur njëri nga malet e përmendura nga kronistët turq ku u tërhoqën kryengritësit, të vendosur për të qëndruar deri në fund, ka qenë, pas shumë gjasash, mali i Bogonicës. Me shpellat e anës perëndimore, Bogonica ka shërbyer si strehë mbrojtjeje për banorët edhe në shekujt e mëvonshëm, deri në Luftën II Botërore. (R. M.)
BOSHI Çelo (?-1912). Vrarë në luftime me forcat andarte greke. Lindi në Kallarat. U vra në luftime me forcat e Spiro Milos në malin e Gjothanasit më 1912. (R. M.)
BRAHIMI Likë (?-1913). Vrarë në luftime me forcat greke. Lindi në Kallarat. Luftoi kundër forcave greke për mbrojtjen e Janinës, shkuar sipas detyrës së vënë nga qeveria e I. Qemalit, ku edhe vritet. (I.Ll.)
BRESHANAJ Filo (1921-1944). Dëshmor i Atdheut. Lindi në Kallarat. U lidh me LANÇ më 1943, partizan në Br14S më 1944. U vra në luftime me forcat gjermane në Shënvasi të Sarandës, më 20 shtator 1944. Shpallur dëshmor i Atdheut. (Xh. Ç.)
BRESHANAJ Nuredin (1923-1944). Dëshmor i Atdheut. Lindi në Kallarat. U lidh me LANÇ më 1942, partizan në Br1S më 1943, zëvendëskomandant kompanie. U vra në luftime me forcat gjermane më 14 shkurt 1944 në Qarrishtë të Elbasanit, gjatë Operacionit gjerman të Dimrit. Shpallur dëshmor i Atdheut. (Xh. Ç.)
BRESHANI Elmaz (1900-1969). Rapsod popullor. Lindi në Kallarat dhe jetën e kaloi në fshat, me bagëti. Siç e thotë dhe vetë në një këngë të tij, “në pyetshin dhe për mua,/ jam çoban me bagëti/, nga katundi Kallarat,/ i vogël 100 shtëpi,/ Elmaz Breshani më thonë,/ rritur me dhen e me dhi”. Jeta e shkuar e maleve me bagëti dhe mjedisi i Labërisë i zgjuan atij shpirtin e poetit, duke e bërë një rapsod që u bën jehonë kryesisht ngjarjeve të periudhës së Luftës, por dhe të Pasluftës. Ai u ka kënduar figurave të njohura të fshatit të tij, si Duze Bajrames dhe dëshmorëve të Luftës Antifashiste. (R. M.)
Breshani Veliko (1888–1944). Lindi në Kallarat më 1888. Mbaroi shkollën e mesme turke në Janinë. Mori pjesë në luftimet kundër bandave të andartëve grekë më 1914 dhe kundër pushtuesve italianë në Luftën e Vlorës më 1920. Me mbarimin e Luftës, u dërgua nga Ismail Qemali në Himarë, ku qëndroi dy muaj, së bashku me Gani Iliazin e Meçan Selamin, për të punuar kundër grekofilëve të Bregut. Ka qenë për shumë vite kryeplak i fshatit. U bashkua me Lëvizjen Antifashiste dhe në mars 1943 u zgjodh anëtar i Këshillit Antifashist të krahinës. Më vonë, u largua nga radhët e Lëvizjes dhe u lidh me Ballin Kombëtar. U dënua me pushkatim në qershor 1944.
Rapsod i njohur në Kurvelesh e Labëri për këngët e ndjera patriotike kushtuar luftërave të krahinës kundër pushtuesve grekë e italianë. (R. M.)
Burimi i Morrezës, vend i freskët e me ujë, në fshatin Kallarat, ku bëheshin takime a kuvende të kallaratasve në kohë vere. (Xh. Ç.)
Çeta e Kallaratit kundër andartëve grekë (1912-1914). Formacion luftarak popullor i fshatit Kallarat. U krijua me zbarikimin e forcave greke me Spiro Milon në krye (shih) më 8 dhjetor 1912 me bij të Kallaratit, që gjendeshin në Himarë duke i pritur ata me armë. Andartët kapën dhe internuan 5 kallaratas në Korfuz, prej të cilëve shpëtoi vetëm njeri. Kallaratasit u organizuan duke zgjedhur një komision me përbërje Alem Toto, Lame Sinani, Hodo Kalemi, Murat Cane dhe Selam Bajrami për organizimin e qëndresë së armatosur. Mbi këtë bazë u ngrit çeta e fshatit me 121 burra me komandant Murat Avdyli dhe Miftar Musa Golloshi. Krahas tyre, nga luftimi në luftim, morën pjesë edhe 38 gra kallaratase. Çeta zhvilloi lufitme më vete apo në bashkëveprim me ato të Kuçit, Bolenës në Borsh, Sarandë, Delvinë, si dhe duke thyer përpjekjet e forcave greke për pushtimin e fshatit Kallarat. (Xh. Ç.)
Çeta e Kallaratit në Luftën e Lëkurësit (1878). Formacion luftarak vullnetar i fshatit Kallarat. Çeta përbëhej nga 26 luftëtarë kallaratas nën komandën e Hodo Kalem Shakaj dhe udhëheqësit shpirtëror Sinan Lame Petanit. Morën pjesë në mësymjen e forcave të Kurveleshit të 9 shkurtit 1878, të drejtuara nga Myslim Gjoleka (shih) kundër forcave greke të zbarkuara nga Korfuzi e zbrapsjen e tyre në fushën e Vrinës dhe pushtimin e Kalasë së Lëkurësit. Çeta e Kallaratit, bashkë me atë të Kuçit e të Bolenës morën pjesë edhe në luftimet mbi kala. Në luftime mbetën të vrarë dy luftëtarë, Balil Xhaferi dhe Dalan Qejvani, si dhe pati shumë të plagosur. (Xh. Ç.)
Çeta e Kallaratit në Luftën e Vlorës. Formacion luftarak vullnetar popullor i fshatit Kallarat. Përbëhej nga 57 luftëtarë me komandant Feim Çeli Strati (shih). Në ditët e para të Luftës së Vlorës ishte në rezervë dhe nuk mori pjesë. U aktivizua në mësymjen e përgjithshme të forcave kryengritëse më 11 qershor 1920. Çeta e Kallaratit, në bashkëveprim me forcat e Dukatit, Gumenicës, Bolenës, Kaninës dhe Rrëzës, veproi në sektorin Uji i Ftohët-Kaninë. Në këto luftime çeta pati një të vrarë, Xhevair Golloshin dhe një të plagosur. Më 19 qershor çeta mori pjesë në thyerjen me sukses të kundërgodijes së forcave italiane në afërsi të përroit të Kallafetit (në jug të Qishbardhës). Në mësymjen e dytë të përgjithshme të forcave kryengritëse, më 23 korrik, çeta e Kallaratit mori pjesë në drejtimin Qishbardhë-M. e Vreshtave-Mesovun. (Xh. Ç.)
Çeta territoriale e Kallaratit (LANÇ) Formacion luftarak popullor i fshatit Kallarat. Çeta, fillesat e veta i ka me krijimin e njësitit të armatosur të Kallaratit (pranverë e vitit 1942, me 12 veta). Në nëntor 1942 ajo u riorganizua, duke marrë emrin “Mumin Selami”, me komandant Veip Balilin dhe komisar Adil Petanin (dëshmor). Mori pjesë në çlirimin e nënprefekturës së Gusmarit më 28 Nëntor 1942, zhvilloi luftime të ashpra me forca italiane e mercenare të Halil Alisë në betejën e Gjormit (dhjetor 1942-janar 1943), në shtator 1943 mori pjesë në çarmatosjen e trupave italiane në Gjirokastër, Delvinë, Sarandë, Himarë, si dhe në luftime me forcat gjermane pranë garnizoneve italiane; në nëntor- dhjetor 1943 zhvilloi luftime në bashkëveprim me forcat e Zonës së Parë Operative në qytetet Gjirokastër, Libohovë, Përmet, Këlcyrë, Kiçok, Gllavë, si dhe në Luginën e Mesaplikut dhe në Kurvelesh. Gjatë operacionit gjerman të Dimrit 1943-44, bashkëveproi me forcat e Br5, 6S. Luftimet e fundit çeta i kreu në korrik 1944 në Qafën e Janostasit midis Vunoit e Himarës kundër forcave të R523 gjerman. Në vitin 1943 çeta u pëfshi në përbërje të batalionit “Ismail Haki” (shih). Përbërja luftarake e çetës nuk kishte numër fiks. Në radhët e saj luftuan, nga njëri lufitim në tjetrin, 86 luftëtarë. Ruajti organizimin e saj deri më 29 Nëntor 1944.(Xh. Ç.)
DEMIRAJ Avdul (1923-1944). Dëshmor i Atdheut. Lindi në Kallarat. U lidh më LANÇ, partizan në çp “Hajredin Tremishti” më 1942, më vonë kalon në Br6S. U vra në luftime me forcat gjermane në Dukaj të Tepelenës, më 25 korrik 1944. Shpallur dëshmor i Atdheut. (Xh. Ç.)
DEMIRAJ Murat (?-1912). Vrarë në luftime me forcat andarte greke. Lindi në Kallarat. U vra në luftime me forcat e Spiro Milos në malin e Gjothanasit më 1912. (R. M.)
Dëshmorët kallaratas të kryengritjes së vitit 1847. Dervish Aliko Qejvani (Kallarati), Lame Sinan Petani, Birbil Hasan Toçi dhe Meçe Haxhi Meçaj qenë ndër krerët e kryengritjes së vitit 1847 kundër reformave të Tanzimatit. Dervish Alikua kishte qenë kajmekam i kazasë së Delvinës. Bashkë me Lame Petanin janë ndër nënshkruesit e letrës që krerët e kryengritjes i dërguan mbretit Oton të Greqisë më 15 gusht 1847 për t’i kërkuar ndihmë. Pas shtypjes së kryengritjes, krerët e saj që u zunë nga serasqeri Mehmet Reshit Pasha, u shpunë në kalanë e Gjirokastrës dhe prej andej u dërguan të lidhur me vargonj në Janinë, ku iu nënshtruan torturave çnjerëzore. Katër krerët kallaratas janë ndër ata që u ekzekutuan me varje tek Rrapi i Janinës.
Dëshmorët e Kallaratit të luftës me grekët (1912-1914). Murat Avdul Demiri e Çelo Mustafa Boshi u vranë në dhjetor 1912 në malin e Gjothanasit, në luftime me forcat e Spiro Milos, të cilat donin që prej andej të zinin luginën e sipërme të Shushicës. Ramadan Muhamet Hoxha, Hyso Balil Xhaferi e Dervish Sali Maçi u vranë në luftimet e zhvilluara më 14 korrik 1914 me andartët grekë që sulmuan nga disa drejtime fshatin e Kallaratit. Presidiumi i Kuvendit Popullor i ka dekoruar me medaljen “Për veprimtari patriotike”.
Gazeta “Kallarati”. Organ i shoqatës kulturore atdhetare me të njëjtin emër e fshatit Kallarat. Numri parë doli në vitin 2003. (Xh. Ç.)
GJOMBRATAJ (MEMUSHAJ) Sulltanë. Veprimtare shoqërore, deputete. Lindi më 16 janar 1930 në Kallarat. Kreu shkollën e mesme teknologjike. Anëtare aktive e organizatës së Rinisë ANÇ të fshatit, pjesëmarrëse në aksione vendore e kombëtare të rinisë për rindërtimin e vendit të shkatërrur nga lufta. Për kontributin e dhënë është dekoruar me “Urdhrin e Punës” të klasës II dhe III. Punoi për disa vjet në administratë në Tiranë dhe u rikthye në Vlorë më 1956. Punëtore në Kombinatin e konservave, birgadiere dhe përgjegjëse turni. Prej vitit 1960 e deri më 1979 ka qenë anëtare e Këshillit të Rrethit të Vlorës, deputete e Kuvendit Popullor në legjislaturën e pestë dhe të gjashtë (1966-1974). Ka dalë në pension në vitin 1986. (XH. Ç.)
GJOMBRATAJ Muço (1908–1976). Kryetar lokaliteti (komune). Lindi në Kallarat. U lidh që në fillim me LANÇ, pjesëtar i çetës territoriale të fshatit. Pas çlirimit të vendit, në vitet 1946-1948 kreu detyrën e kryetarit të lokalitetit Bolenë-Kallarat dhe më vonë, për shumë vjet kryetar i këshillit popullor të fshatit, duke dhenë në dihmesë për rritjen e frymës së repsektit vëllazëror në mes bashkëfshatarëve. (R.M.)
GJONAJ Tare (1926-1944). Dëshmor i Atdheut. Lindi në Kallarat. U lidh me LANÇ më 1942, partizan në Gr3P të Mallkastrës. U vra në luftime me forcat gjermane në Q. të Balëbardhë të Tomoricës, në tetor 1944. Shpallur dëshmor i Atdheut. (Xh. Ç.)
GOLLOSHI Ali (?-1913). Vrarë në luftime me forcat greke. Lindi në Kallarat. Luftoi kundër forcave greke për mborjtjen e Janinës, sipas detyrave të vëna nga Qeveria e I. Qemalit, ku edhe vritet. (I.Ll.)
GOLLOSHI Ferrik (1916-1944). Dëshmor i Atdheut. Lindi në Kallarat. U lidh me LANÇ duke u rreshtuar në çetën territoriale të fshatit. U vra në Q. Gjashtë në Sarandë, në luftime kundër forcave gjermane më 25 gusht 1944. Shpallur dëshmor i Atdheut. (Xh. Ç.)
GOLLOSHI Xhevair (1896–1920). Dëshmor i Atdheut. Lindi në Kallarat. Luftëtar në çetën e fshtatit në Luftën e Vlorës. U vra në luftime me forcat italiane në Mesovun të Kaninës. Shpallur dëshmor i Atdheut. (Xh. Ç)
Grupi polifonik i Kallaratit. Nuk lidhet më ndonjë grup të veçantë. Nga të dhënat e të moshuarve, Kallarati ka pasur, herë pas here, grupe të mira të këngës dhe të valles polifonike. Përmenden si vallëtare e vallëtarë virtuozë të shekullit XIX Zade Straten, Labikë Elmazi, Salihe Dere, Pashako Maze, Lelo Jazo, Rrapush Hyseni, Manxhar Mezini, Nelo e Xhebro Golloshi, Zigur Ademi. Duke filluar nga fundi i shek. XIX, si këngëtarë popullorë mbahen mend Isan Sejdiu dhe më vonë Veliko Murati e pas tij Elmaz Çelo Breshani. Në pjesën e gjysmëshekullit të dytë të shekullit XX, kënga kallaratase u pëpunua artistikisht, duke u ngritur në një nivel më të lartë. Për këtë, një ndihmesë të veçantë dha mësuesi Llambro Hysi (shih). Për vlerat e tij grupi mori pjesë në Festivlain Kombëtar folklorik të Gjirokastrës në vitin 1983, duke u vlerësuar me çmime nga juria e festivalit. Ka marrë pjesë edhe në festivale ndërkombëtare, si në atë të Kanës (Francë) në vitin 1989, duke konkurruar në mes të 50 grupeve folklorike. (R.M.)
Guri me Hije, gjendet në Grykën e Honit në L. të M. Bogonicës në lartësinë 900m mbi nivelin e detit, pranë fshatit Kallarat. Përfaqëson një masiv të madh shkëmbi që duket rreth 15 km larg. Fshatarët e Kallaratit, të Bolenës dhe të Kuçit, mbështeutr në vëzhgimet e shumta, në të kaluarën, hijen e tij e shfrytëzonin për të matur kohën gjatë ditës nëpërmjet lëvizjes së hijes së shkëmbit. Ndaj dhe populli këndon: “Dielli malit kur bie/, Ndriçon tek Guri me “Hije”/, Guri që kohën tregon/, asnjë minut nuk gabon…” Xh. Ç.)
HABILAJ Halil (1918-1944). Dëshmor i Atdheut. Lindi në Kallarat. U lidh me LANÇ, partizan në shtabin e Qarkut. U vra në luftime me forcat gjermane më 1944. Shpallur dëshmor i Atdheut. (Xh. Ç.)
LATO Demir (?–1948). Lindi në Kallarat. Pas mbarimit të shkollës së mesme tregtare shërbeu në Tiranë si financier. Shquhet për ndjenja atdhetare dhe si antizogist. Kishte një rreth shumë të gjerë njohjesh. Njeri altruist, i gatshëm për të ndihmuar këdo dhe me ç’të mundej, sidomos bashkëfshatarët, për të cilët shtëpia e tij ishte gjithmonë e hapur. Kujtohet sidomos për ndihmat për shkollën e fshatit, së cilës i pat dhuruar harta, flamurin kombëtar, portretin e mbretit dhe fletore e lapsa për fëmijët. Për këto gëzonte nderimin e bashkëfshatarëve, të cilët e ruajtën respektin për të edhe kur anoi nga nacionalistët. Megjithëse u lidh me Ballin Kombëtar, nuk pati ndonjë veprimtari në dëm të Luftës Antifashiste. Më 1946 arrestohet si anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”. Vdes në burg në vitin 1948, pa iu provuar fajësia. (R. M.)
HOXHA Ramadan (?-1914).Vrarë në luftime me forcat andarte greke. Lindi në Kallarat. U vra në luftime për mbrojtjen e fshatit nga andartët grekë më 14 korrik 1914.(R. M.)
HOXHA Zeqo. Këngëtar virtuoz i polifonisë labe. Lindi në Kallarat. Këngëtar virtuoz i grupit polifonik të Kallaratit. U bë i njohur me këngën “Ç’u këput një këmbë mali”. Pjesëmarrës në Festivalin folklorik të Gjirokastërs (1983), lauruar edhe me çmim, në festivalin ndërkombëtar të Kanës (Francë) 1989. (Xh. Ç)
HYSAJ (DAUTAJ) Bilbil (?-1913). Vrarë në luftime me forcat greke. Lindi në Kallarat. Luftoi kundër forcave greke për mbrojtjen e Janinës, shkuar sipas detyrave të vëna nga Qeveria e I. Qemalit, ku edhe vritet. (I. Ll.)
HYSAJ Nelo (1916-1945). Dëshmor i Atdheut. Lindi në Kallarat. U lidh me LANÇ më 1942, partizan në Br22S më 1944. U vra në luftime me forcat gjermane në Jugosllavi, në janar 1945. Shpallur dëshmor i Atdheut. (Xh. Ç.)
HYSI Çlirim. Sportist, pjesëtar i ekipit kombëtar të futbollit. Lindi më 1945 në Kallarat. Ka mbaruar IKF “V. K.” (1966), UT për Fakultetin Juridik (pa shkëputje nga puna): Ka kryer kualifikim pasuniversitar në degën e filozofisë të UT. Ushtroi sportin e futbollit me ekipin e “17 Nëntorit” (1963) e pastaj me atë të “Dinamos”, si sulmues i majtë. Është aktivizuar në përbërje të ekipit kombëtar dhe në rang klubesh në Kupat e Europës. Pasi la futbollin, për shumë vite ka qenë shef i Klubit Sportiv “Dinamo” dhe më pas i “17 Nëntorit”.(R. M.)
HYSI Llambro. Ruajtës dhe përpunues i traditës së polifonisë labe. Lindi në Kallarat. Ka dhënë ndihmesë të vyer në përpunimin artistik të këngës labe. Duke u mbështetur në këngën e vjetër “O Stamboll të rëntë zjarri”, duke ruajtur të kënduarit me longatje të traditës. Krijoi këngën “Ç’u këput një këmbë mali”, të ekzekutuar me mjeshtëri nga këngëtari Zeqo Hoxha (shih). Ka përpunuar edhe këngë të tjera si ato “Djepi ynë burim floriri”, “Plaka me plakun çu zunë”, “Flokëthinjurit kanë ardhë” etj. (Xh. Ç)
JANJAJ Islam (1924-1944). Dëshmor i Atdheut. Lindi në Kallarat. U lidh më LANÇ më 1943, partizan në prill 1944 në Br12S. U vra në luftime me forcat gjermane në Radhimë, në shtator 1944. Shpallur dëshmor i Atdheut. (Xh. Ç.)
JONUZAJ Seit. Ushtarak, punonjës shkencor. Lindi në Kallarat në vitin 1929. Mori pjesë në LANÇ, në Br8S, duke vijuar deri në Vishegrad. Pas luftës u dërgua për studime në fushën e detarisë ushtarake, fillimisht në Kroaci dhe në vitin 1948-1952 në Baku të Azerbxhianit, në Akademinë Detare “Kirov”. Kreu kurs pasuniversitar në Leningrad (1957-1958). Ka kryer detyra në radhët e Flotës Luftarake Detare Shqiptare deri në funksionin e shefit të shtabit të brigadës së anijeve mbiujës edhe pedagog në AU “M. SH” dhe në atë të Marinës. Pjesëmarrës në çminimin e kanalit të Korfuzit në vitin 1958 si specialist. Është autor i materialeve të ndryshme studimore, kumtesave e referateve shkencore. Bashkautor i Fjalorit katërgjuhësh të termave të detarisë (shqip, anglisht, rusisht, italisht). (Xh. Ç)
JONUZI Shahin (1906–1975). Lindi në Kallarat në vitin 1906. Gjatë periudhës 1929–1934 kryen studimet në Akademinë e Artilerisë në Itali, në specialitetin artileri kundërajrore. U kthye në atdhe dhe hyri në shërbimin ushtarak me detyrë komandant baterie. Në mëngjesin e 7 prillit 939, në krye të baterisë që komandonte, niset nga Elbasani dhe mbërrin në Bestrovë të Vlorës. Aty, në bashkëpunim edhe me një batalion këmbësorie organizojnë qëndresën kundër kolonës së bersalierëve italianë që kishin zbarkuar në Skelë të Vlorës, duke penguar përparimin e tyre. Vetëm ditën e dytë trupat fashiste mundën të vijonin rrugën për në Fier.
Pas çlirimit u rikthye në shërbimin ushtarak, duke punuar për rimëkëmbjen e kësaj arme dhe kualifikimin e kuadrave të rinj të ardhur nga rreshtat partizane. Më 1947 lirohet dhe kthehet sërish në vendlindje, ku qëndroi derisa mbylli sytë. Ndonëse i shpërfillur nga regjimi, shtëpia e tij mbeti e hapur, sidomos për oficerët dhe studentët kallaratas, që, sa ktheheshin për pushime, shkonin ta takonin në oazin e bukur të Qesarules, që e kishte qëndisur me duart e veta me perime e pemë të shumta. (R. M.)
KARABOLLAJ Shuko (1910-1944). Dëshmor i Atdheut. Lindi në Kallarat. U lidh më LANÇ, partizan më 1944 në Br8S. U vra gjatë operacionit gjerman të Qershorit 1944 në Sopik të Gjirokastrës. Shpallur dëshmor i Atdheut. (Xh. Ç.)
KARABOLLI Elisabeta. Qitëse, kampione Evrope, “Mjeshtre e Merituar e Sportit”. Lindi në Kallarat. Në vitin 1979. U afrua pranë klubit spotiv “Partizani” në kryeqytet duke u stërvitur për qitje me pistoletë sportive. Kampione kombëtare në qitje. Në vitin 1997 mori pjesë në kampionatin evropian, duke zë vendin e dytë dhe dy vite më vonë, në garat e zhvilluara në Gjermnai, zë vendin e parë duke bërë të këndohet Hymni i Shqipërisë dhe të ngrihet flamuri kombëtar. Jeton në SHBA. (Xh. Ç)
Kisha e Kallaratit, vendosur në krahun e djathtë të përroit, nën majën e Buzës së Deles (shih), në vendin e quajtur Gjipleqe. Aty gjenden dhe varrezat e vjetra të fshatit, rrënojat e të cilave janë edhe sot. (Xh. Ç.)
Kunjova. Vend që gjendet në P. të vargmalit të Çipinit, midis malit të Pleshovicës dhe Çipinit të Bolenës, në rrjedhjen e sipërme të përroit të Pajamehut, në pyllin e Pllajës së Lugjeve, në lartësinë 500-1000 m. Sot një lagje e Kuçit, dikur Kunjova, ka qenë vendbanimi më i hershëm i Kallaratit, para se banorët e tij të zhvendoseshin në anën tjetër të lumit të Shushicës, në rrëzën e Pelingrisë. Ky vendbanim u themelua nga njëri prej fiseve që në kohë të hershme zbritën prej pllajës së Kurveleshit të Sipërm, në kërkim të hapësirave të reja për jetesë. Dëshmi e kësaj janë toponimet, si Qafa e Kallarate, Gropa e Gjokone (fis i Kallaratit) etj., por edhe një këngë popullore, vargjet e së cilës thonë: “Kallarati për karshi,/ në Kunjov’e për veri”. Duke qenë i shtrirë rrëzë maleve dhe midis kodrash me lartësi 500-1000 m, të mbuluara me pyje, Kunjova ofronte kushte të përshtatshme për mbarështimin e bagëtive të imta, por edhe për bujqësi, në rrjedhjen e mesme të përroit të Pajamahut. Banorët e fshatit furnizoheshin me ujë nga burimi i Majës së Lugjeve, që jep 250 litra ujë në orë.Sipas të dhënave të më të moshuarve, Kunjova ka qenë fshat i madh dhe me shumë kisha e xhami. Ai u braktis për shkak të epidemisë së kolerës ku, vetëm gjatë një nate, vdiqën qindra veta. Për t’i shpëtuar epidemisë, një pjesë e banorëve e braktisën fshatin dhe u vendosën në Rrëzën e Pelingrisë (fshati i djegur i Kallaratit), kurse një pjesë u shpërngulën në Piqerras, Sasaj, Lukovë e Shën Vasil apo edhe në fshatra të brendshme e të Labërisë. Zhvendosja mendohet të ketë ndodhur pas pushtimit turk, kur kishte filluar myslimanizimi i Labërisë, pas gjithë gjasash midis shek. XVII–XVIII, kur dëshmohen edhe dy epidemi kolere, njëra rreth vitit 1660 dhe tjetra në vitin 1720. (R. M.)
Afërdita Rakip Laçaj. Ka lindur më 1962 në Vlorë. Lojtare në ekipin e basketbollit për femra të Flamurtarit, në vitet më të mira të këtij ekipi. Ka fituar disa herë titullin kampione e vendit. Ka marrë pjesë në ndeshje ndërkombëtare brenda e jashtë vendit. Për rezultate të larta në sportin e basketbollit ka marrë titullin “Mjeshtre Sporti” dhe është dekoruar me medalje të artë. (R. M.)
Lëmi i Lejlerëve. Qafë midis malit të Bogonicës dhe malit të Skëndolleshit (1382 m). Njihet edhe si Lëmi i Shenjtorëve. Në këtë vend, të cilin tradita popullore e krahinës e mban si të shenjtë, deri para myslimanizimit të Labërisë, bënin pelegrinazhe si fshatrat në rrjedhjen e sipërme të lumit të Shushicës edhe ato të Bregut të Detit. Banorët ngjiteshin në këtë vend në fillim të muajit qershor, kur bagëtia dilnin në male. Ata thernin si kurban desh të zinj, këndonin dhe hidhnin valle, zhvillonin gara të ndryshme, bisedonin me njëri-tjetrin se si e kishin kaluar dimrin, cili nga miqtë kishte ndërruar jetë, si ishin prodhimet bujqësore dhe blegtorale dhe i uronin njëri-tjetrit një verë të mbarë. Uronin që gjatë verës të kishte lagështirë, që të rriteshin prodhimet bujqësore dhe bari për bagëtitë, që mali të kishte ujë për të pirë tufat e bagëtive, që viti të kishte qumësht dhe bletët të bënin mjaltë. Me ndërrimin e fesë në Kurvelesh, pelegrinazhi në lëmin e Lejlerëve bëhej vetëm nga barinjtë e të dy anëve kur dilnin me bagëti në kullotat verore në javën e parë të qershorit. Ata bënin kurban bagëti dhe luteshin që të binte shi. (Xh. Ç.)
LLANAJ Llano. Agronom, dr. shk. Lindi në Kallarat më 1929. Përfundoi studimet e larta në ILB të Kamzës në vitin 1963. Ka kryer detyra të ndryshme në sektorin e Bujqësisë, si kryetar kooperative bujqësore (Sevaster e Risili), kryeagronom në NBSH Llakatund dhe deri në vitin 1990 drejtor i stacionit të kërkimeve shkencore të Frutikulturës në Vlorë. Ka mbrojtur temën për doktor i shkencave në vitin 1990, pjesëmarrës në disa konferenca ndërkombëtare për ullirin, ku ka mbajtur edhe kumtesa e referate. Në vitin 1992 doli në pension nga “reforma”. Jeton në Vlorë. (Xh. Ç)
LUBONJA (PETANI) Hëna. Mjeke nefrologe, studiuese shkencore. Lindi në Kallarat në vitin 1935. Mbaroi studimet e larta në Bullgari më 1960 dhe në vitin 1968 kreu specializim për nefrologe në Rumani. Punoi si mjeke patologe, pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë (1868). Në janar 1969 zbatoi për herë të parë hemodializën, punë që e vijoi deri në vitin 1975, duke hedhur bazat e repartit të nefrologjisë në vend. (Xh. Ç)
Luftimet me grekun në Kallarat (Korrik 1914). Luftime vetëmbrojtëse të kallaratasve kundër forcave andarte greke. Në vijim të pushtimit të vijave të fundit në Kurvelesh, deri 300 forca greke të përbëra nga ushtarë dhe andartë, të veshur të gjithë me rroba civile, të ardhura rishtas nga Korfuzi nën komandën e kapiten Leonidhës, në mëngjesin e 14 korrikut, ndërmorën një sulm të befasishëm në drejtimin Pilur- Kallarat. Forcat greke, përgjatë kreshtës së m. të Vetëtimës, në vendin ku ndahen m. i Kallaratit nga i Himarës, u ndeshën në zjarrin e befasishëm të çetës së Kallaratit. Sulmi u përsërit disa herë duke futur forca të reja. Vullnetarët kallaratas u tërhoqën më në thellësi, duke zënë vijën Lartësitë e Gjothanasit- Kodrat e Valit të Mesëm dhe pjerrësitë jugëperëndimore e perëndimore të m. të Bogonicës. Çeta e gjendur nën trysninë e forcave të shumta greke, zhvillonte mbrojtje të manovruar, nga vija në vijë, organizoi prita me forca të shpërqendruara në Shalë të Përrallit, në Majë të Gjurasisë dhe në Majën e Gjondreut. Veprime më të fuqishme mbrojtëse Çeta e Kallaratit i organizoi në vijën m. i Gjimufit-m. Gjashtës-Harcen e Ramanit dhe të Verieshtit. Por, ndërkohë, forcat grkek kishin mundur të afroheshin nga drejtimi i Vranishtit për në Kallarat, nga shpina e çetës. Për t’i shpëtuar rrethimit, forcat vendase zunë pozicione më të përshtatshme në afërsi të fshatit. Forcat greke pësuan humbje të shumta pranë burimit të Kocevrebës. Për hakmarrje, vetë komandant Leonidha u hodh në sulm dhe u vra nga zjarri i armëve të kallaratasve nga ndërtesa e xhamisë së fshatit. Forcat greke u tërhoqën në drejtim të q. së Pirres duke marrë me vete edhe trupat e të vrarëve. Këto ishin veprimet e fundit luftarake kundër grekut në këtë drejtim. Ato krijuan kushte më të përshtatshme për popullsinë e Kurveleshit për t’u futur në thellësi të Lumit të Vlorës, ndërsa popullsia e Kallaratit u shpërngul për në Smokthinë të pashqetësuar nga forcat greke. (Xh. Ç.)
MAÇI Dervish (?-1914). Vrarë në luftime me forcat andarte greke. Lindi në Kallarat. Vrarë në luftime me forcat andarte greke në mbrojtje të fshatit të tij më 14 korrik 1914. (R. M.)
MATAJ Agim. Përpunues artistik i gurit. Lindi më 1955 në Kallarat. Pas përfundimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak shërbeu si specialist në zbulimin ushtarak. Në vitin 1993, për arsye ekonomike, emigroi në Leçe të Italisë. Me punimet artistike të gurit, tërhoqi vëmendjen e biznesmenëve dhe të njerëzve të kulturës dhe të artit italian. Punimet e tij i ka ekspozuar në panaire në Vlorë e Tiranë, duke u nderuar edhe me diplomë të veçantë. Ndër punimet e tij janë oxhaqe guri e tryeza për dhoma pritjeje në variantin “Barroko Leçe”, kolona “Kapitelo”, harqe, veshje, stilizime të skulpturës dhe skulpturë realiste, orë muri e tavoline etj. (R. M.)
MATAJ Salo (1930–2007). Lindi në Kallarat. Veprimtar i patrembur i organizatës së Rinisë Antifashiste në fshat. Pas çlirimit, merr pjesë aktive në punën për rindërtimin e fshatit si dhe në aksione lokale e kombëtare të rinisë për ndërtim urash, rrugësh e hekurudhash. Me krijimin e kooperativës bujqësore më 1956, zgjidhet kryetar i saj, detyrë që e kreu për një kohë të gjatë. Më vonë ka qenë kryetar i këshillit të bashkuar Kallarat-Bolenë. Për punë të palodhur e përkushtim është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.
Meçaj Hiqmet. Lindi në Vlorë më 1944. U diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe prej Universitetit të Tiranës më 1966. Poet dhe dramaturg. Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve qysh prej vitit 1967. Fitues i çmimit “Libri më i mirë poetik i vitit 1983” me vëllimin poetik “Tokë e pagjumë”. Laureuar me Çmimin e Republikës. Ndër botimet e tij janë vëllimet poetike “Nisja”, “Vdekja e qirinjve”; romani “Kukulla e pyllit”, drama “Vite të vështira” etj. (R. M.)
MEÇAJ Meçe (?-1847). Prijës popullor, kapur e ekzekutuar nga forcat osmane. Lidi në Kallarat. Një ndër prijësit e kryengritjes kundër Tanzimatit më 1847. Pas dështimit të kryengritjes, u kap nga forcat osmane dhe u ekzekutua me varje në Janinë. (R. M.)
MEMUSHAJ Ali (1924-1943). Dëshmor i Atdheut. Lindi në Kallarat. U lidh me LANÇ duke u rreshtuar në çetën e fshatit më 1943. U vra në luftime me italianët në shtator 1943 në Kallarat. Shpallur dëshmor i Atdheut. (Xh. Ç.)
MEMUSHAJ Rami. Pedagog, autor librash, prof. dr. Lindi në Kallarat më 1943. Përfundoi studimet e larta në UT (1968) për gjuhë shqipe. Ka bërë disa specializime pranë Universitetit të Berklit në SHBA (1992-1993), të Roskildes në Danimarkë (1993) e të Bremenit në Gjermani (1995). Ka punuar si mësues dhe si drejtor para dhe pas diplomimit në Gjorm, Vranisht, Bolenë, Vajzë dhe Llakatund. Prej shtatorit 1974 filloi punën si pedagog në katedrën e gjuhës shqipe të UT, ku vijon të punojë deri më sot. Gjatë kësaj kohe ka shërbyer si lektor i shqipes në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit (1989-1991) dhe të Palermos (1998-2000). Ka mbajtur leksione edhe në universitete europiane e amerikane. Ndihmesat e tij kryesore me botime janë në fushën e gjuhësisë. Po, përveç këtyre, ka kontribuar edhe me shkrime, artikuj e libra në fushën e historisë së krahinës së Labërisë dhe të Kurveleshit. Nga këto, vlejnë për t’u përmendur librat “Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike” (2003) dhe “Histori e Kurveleshit, I” (2004). (Xh. Ç.)
MEMUSHAJ Veip (1900-1974). Atdhetar, komandant i Komandës së Vendit gjatë LANÇ. Lindi në Kallarat. Mori pjesë në çetën e fshatit gjatë Luftës së Vlorës më 1920, ku edhe u plagos. Në vitin 1941 për gjashtë muaj u mbajt në burgjet fashiste në Vlorë e Tiranë. U lidh që në fillim me LNÇ, anëtar i këshillit ANÇ të fshatit dhe komandant i çetës territoriale që nga krijimi. Në gusht 1943 u emërua komandant i komandës së Vendit në Kallarat. Me mbarimin e Luftës, u caltua komandant vendi në Bregeditn e Poshtëm. Pasi u lirua për shkaqe shëndëtësore, u emërua kryetar. Mbas luftës, në mënyrë të pamerituar e bugosën, e torturuan dhe e dënuan me 15 vjet burg me akuzën “armik populli”, duke kryer verëm 1.5 vjet.
MISËRGJONI Kamber (1805-1880). Burrë zakoni, kryeplak për 25 vjet. Lindi në Kallarat. Në kryengritjen e vitit 1847 ka qenë përkrahës i kapedanëve të Kallaratit Sinan Lame e Dervish Aliko. Ka qenë burrë i urtë, i mënçur dhe i drejtë në gjykime. Njihte dhe zbatonte me korrektësi rregullat e Kanunit të Labërisë. Ndaj edhe thirrej për të ndarë sherre në mes familjeve apo edhe në krahinë Për këto cilësi fshati e pati kryeplak për 25 vjet radhazi (rreth 1856-1880). Vdiq në moshën 75 vjeçare në vendlindje. (Xh. Ç)
MUÇO Xhebro (1824-1913). Rapsod e mjek popullor. Lindi në Kallarat. Duke pasur dhuntinë të thurë vargje, të cilat përcilleshin te njerëzit edhe në formë kënge, ai ka evidentuar edhe luftërat antiosmane të popullit të Kallaratit që nga Kryengritja e Tanzimatit (1847) e deri në fillim të shekullit XX, por edhe hallet, dertet e popullit. Veçohet “Komitët nga Kallarati”. Vjershat e tij kanë qenë të ndërtuara me 4-6 vargje. Dallohej edhe për humorin e hollë në disa prej krijimeve të tij, si në ato “Unë jam ngarkuar rëndë”, “Qesëraj u marrtë lumi”, “Keshë ngrënë a s’keshë ngrënë”, “Se ç’u dogj Hora për një”, duke ironizuar anët negative të banorëve të fshatit e të krahinës. Xhebrua ushtronte edhe profesionin e mjekut popullor për thyerjet e kockave, plagët e zjarrit, plagosjet, organet e frymëmarrjes etj. (Xh. Ç)
MURATI Veliko (rreth 1888-1960). Atdhetar, anëtar i Këshillit krahinor ANÇ të Kurveleshit. Lindi në Kallarat. Kreu shkollën e mesme turke në Janinë. Pjesëmarrës në çetat e fshatit në luftimet kundër andartëve grekë (1913-1914), në Luftën e Vlorës (1920). Ka qënë kryeplak i fshatit Kallarat (1920-1934), duke luajtur rol të madh në pajtimin e mërive e deri gjaqeve. Gjatë LANÇ, edhe pse i moshuar, në mars 1943 u zgjodh anëtar i Këshillit ANÇ të fshatit dhe të krahinës së Kurveleshit. Mbresat e tij nga luftërat dhe nga jeta e përditshme i ka derdhur në vargje, në formë bejtesh, një pjesë e të cilave kanë fituar anonimatin dhe këndohen në fshatra të ndryshme të Labërisë. Ka qenë edhe këngëtar i dëgjuar i këngës labe në Kallarat e më gjerë. (Xh. Ç)
NËNË DUZJA (Duze Bajrami), (1890-1961). Veprimtare e shquar e gruas antifashiste, deputete. Lindi në Bolenë, në familjen e Mingajve, dhe u martua në Kallarat me Selman Bajramin. Karakteri dhe shpirti luftarak i saj u sprovuan në LANÇ. Ajo jo vetëm nuk u thye nga humbja e djalit, Mumin Selamit (shih), por u bë një veprimtare e shquar e LANÇ në Lumin e Vlorës, duke u kthyer në një simbol të gruas antifashiste e atdhetare. Krijoi në fshat organizatën e gruas antifashiste, u zgjodh anëtare e Këshillit Krahinor të Kurveleshit dhe të Qarkut të Gjirokastrës. Pjesëmarëse në kongresin e par të Gruas Antifashiste në Berat, deputete në Kuvendin Popullor në dy legjislatura. (Xh. Ç)
PETANAJ Adil (1920-1944). Dëshmor i Atdheut. Lindi në Kallarat. U lidh më LANÇ më 1942, partizan në çetën e Pezës më 1944 dhe në Br1S si zëvendëskomisar kompanie. Bie më 20 maj 1944 në Polis të Elbasanit, në luftime me forcat gjermane. Shpallur dëshmor i Atdheut. (Xh. Ç.)
PETANI Lame (?-1847). Pjesëmarrës në kuvende ndërkrahinore. Lindi në Kallarat. Një ndër krerët e kryengritjes kundër Tanzimatit. Nënshkrues i letrës që krerët e kryengritjes kundër Tanzimatit i dërguan mbretit Oton të Greqisë më 15 gusht 1847. Pas dështimit të kryengritjes, u kap nga turqit dhe u ekzekutua me varje në Janinë. (R. M.)
PILINGRIA. Emri i vendbanimit të mëparshëm të Kallaratit, në këmbët e faqes lindore të malit të Bogonicës. Aty u vendosën banorët e Kallaratit pas shpërnguljes nga Kunjova për shkak të kolerës. Kur banorët parë të Kallaratit mbërritën aty, banorët e mëparshëm të Pilingrisë e kishin braktisur edha ta fshatin për t’i shpëtuar kolerës. Të posaardhurit gjetën vetëm priftin e fshatit, i cili ishte duke u falur mbi lagjin. I trembur nga të huajt, prifti u largua me shpejtësi në pyll. Nga kjo ka mbetur edhe shprehja: “E la si prifti mbi lagjin”, që përdorin kallaratasit për dikë që e lë një punë të pambaruar.
Kallarati u ndërtua, duke marrë formën e një fshati tipik shqiptar, me shtëpi dykatëshe apo me një kat e gjysmë, me avlli dhe me rrugica në formë rrezesh që zbrisnin në fund të fshatit. Por në korrik 1914 fshati u dogj nga bandat shoviniste greke. Pas largimit të ushtrisë greke më 1916, fshatarët nuk u kthyen të rindërtonin shtëpitë, por u vendosën në krye të arave dhe luginave të përrenjve. Gërmadhat e tij ruhen ende, ndonëse janë dëmtuar shumë nga marrja e gurëve për ndërtimin e shtëpive të reja. (R. M.)
Qafa e Ubavit, shtrihet në qendër të fshatit Kallarat. Vend ku mbidheshin burrat e fshatit për biseda apo edhe për kuvende në periudhën e dimrit. (Xh. Ç.)
QEJVANAJ Hamza (1926-1944). Dëshmor i Atdheut. Lindi në Kallarat. U lidh me LANÇ më 1943, partizan në Br6S. U vra në luftime me forcat gjermane në Qesarat të Gjirokastrës, gjatë operacionit të Dimrit. Shpallur dëshmor i Atdheut. (Xh. Ç.)
QEJVANAJ Hasan (1910-1944). Dëshmor i Atdheut. Lindi në Kallarat. U lidh me LANÇ, u rreshtua në Br5S. U vra në luftime me forcat gjermane në Kukës, në shtator 1944, duke qenë në detyrën e zëvëndëskomandantit të kompanisë. Shpallur dëshmor i Atdheut. (Xh. Ç.)
QEJVANI Dajlan (?-1878). Vrarë në luftime me forcat andarte greke. Lindi në Kallarat. Ka rënë në luftime me andartët grekë në Luftën e Lëkurësit, në shkurt 1878. (Xh. Ç)
QEJVANI Dervish (?-1847). Kajmekam, pjesëmarrës në kuvende ndërkrahinore. Lindi në Kallarat. Ka kryer detyrën e kajmekamit të kazasë së Delvinës. Një nga drejtuesit e Kryengritjes kundër Tanzimatit më 1847. Nënshkrues i letrës së krerëve kryengritës dërguar mbretit të Greqisë Oton më 15 gusht 1847. U kap nga turqit pas dështimit të kryengritjes, u burgos në Kalanë e Gjirokastrës dhe u ekzekutua me varje në Janinë. (R. M.)
QEJVANI Meçan (rreth 1892-1965). Kryetar komune, delegat në Kongresin e Lushnjës. Lindi në Kallarat. Vijoi shkollën e Muradijes në Vlorë. Me porosi të Ismaili Qemalit, Meçani dhe Halim Xhelo Tërbaçi u dërguan për vijimin e gjimnazit në Korfuz. Në vitin 1911 të dy ndërprenë studimet për tu kthyer në atdhe. Morën pjesë në veprimtarinë atdhetare dhe në shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912. Më 1913 u emërua mësues i parë i shkollës së Vranishtit, më 1916 në shkollën e Kallaratit. Në vitin 1919 u internua nga italianët për veprimtari kundëritaliane. Një nga delegatët e Vlorës në Kongresin e Lushnjës, në janar 1920. Pjesëmarrës në Luftën e Vlorës si sekretar i Komitetit “Mbrojtia Kombëtare”, që e drejtonte Osman Haxhiu. Punoi disa vjet mësues në Himarë dhe nga viti 1935, kryetar komune në Gjinar e Shpat të Elbasanit; në vitin 1941 për 6 muaj kryetar komune në Gostivar të Maqedonisë. Në vitin 1942 kryetar i të parit këshill ANÇ të fshatit Kallarat. (Xh. Ç)
RIBAJ Ali (1917-1946). Dëshmor i Atdheut. Lindi në Kallarat. U lidh me LANÇ. Partizan në Br6S. U vra në mbrojtje të kufirit në Bilisht më 1946. Shpallur dëshmor i Atdheut. (Xh. Ç.)
RIBAJ Ormën (1916-1943). Dëshmor i Atdheut. Lindi në Klallarat. U lidh me LANÇ që në fund të vitit 1941. U vra nga italianët në Kaninë të Vlorës në prill 1943. Shpallur dëshmor i Atdheut. (Xh. Ç.)
RIBAJ Tafil (1908–1973). Lindi në Kallarat më 1908. Partizan në çetën territoriale “Mumin Selami” të Kallaratit. Pas çlirimit të vendit, kryetar i organizatës së Frontit Demokratik dhe kryetar i këshillit popullor të fshatit për një periudhë të gjatë kohe. Për ndershmërinë e tij dhe urtësinë e treguar në trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve, mbetet një figurë e nderuar për Kallaratin. (R. M.)
RIBI (MAJKO) Afeza (1890- 1973). Bejtexheshë e vajtojcë e njohur. Lindi në Kallarat më 1890 dhe u martua në Vranisht, në familjen Majkaj. E njohur si vajtocë me bejte e rapsodi në vajtime të ndryshme (në raste vdekjesh), ku ndërtonte ligjërime të gjata. Ajo, me bejtet e saj godiste edhe të meta të shoqërisë e padrejtësi të ndryshme. Është e dëgjuar për replikat me bejte edhe me burra ku më e spikatura është ballafaqimi me Selim Hasanin e Brate, rapsod i njohur që ka botime të tëra me vjersha popullore. Prodhimtaria e Afezasë është mbledhur nga Instituti i Folklorit. (Xh. Ç)
SEJDIU Isa (1886- 1919). Rapsod popullor. Lindi në Kallarat. Mori pjesë në çetën e fshatit Kallarat kundër andartëve grekë në vitin 1913-1914, ku edhe u plagos. Ka thurur shumë vargje për bashkëluftëtarët, por dhe për vese apo cene të shoqërisë. Ka qenë edhe këngëtar virtuoz. Vdiq në fshat nga plagët e marra në luftë. (Xh. Ç)
SELAMI Hasan (1910–1943). Lindi në Kallarat më 1910. Pasi kreu shkollën qytetëse në Vlorë, ndoqi medresenë e Tiranës, të cilën e mbaroi me rezultate të larta më 1935. Më 1936 fillon studimet në Universitetin Teologjik “Al- Hazar” të Egjiptit, në fakultetin e filozofisë. Studimet i mbaroi në vitin 1939 me rezultate të shkëlqyera. Në të njëjtën kohë ndoqi edhe Universitetin Amerikan të Kajros për degën letërsi e pedagogji. Ishte njohës i përsosur i arabishtes, anglishtes, persishtes, frëngjishtes e italishtes. Në verën e 1939-ës mbrojti doktoratën për predikim e misionari. Në vjeshtën e vitit 1939 nisi një specializim tjetër për mbrojtje doktorature për historinë islame.
Pas pushtimit të Shqipërisë organizoi një protestë me shqiptarë e të huaj përpara ambasadave të huaja me parullën: “Ç’kërkon fashizmi italian në Shqipëri?”
Rrethanat e Luftës II Botërore e penguan Hasanin të kthehej në atdhe. Ai mbeti në Kajro, ku vdiq më 1943, në moshën 33-vjeçare, nga një epidemi tifoje.
SELAMI Mumin (1923-1942). “Hero i Popullit”, dëshmor i Atdheut. Lindi në Kallarat. Fillimisht punoi si hyzmeqar dhe më pas ndoqi studimet në gjimnazin e Tiranës (1939). U lidh më anëtarë të grupeve komuniste dhe përqafoi idetë e tyre. Pas pushtimit të vendit u hodh në veprimtari atdhetare antifashiste. U përjashtua nga shkolla, u burgos dhe u internua një vit në vendlindje. U arrestua sërish, u nënshtrua torturave çnjerëzore, por, për mungesë provash, u lirua. Propagandues i flaktë i qëndresës së armatosur antifashiste dhe atentator i guximshëm. Bëri edhe provat e para për shkrime letrare duke lënë në dorëshkrim disa prej tyre. Ra heroikisht, me armë në dorë, në një luftim të pabarabartë në një shtëpi të rrethuar nga forca të shumta fashiste në Tophana të Vlorës më 18. 10.1942, bashkë me shokët e rinj komunistë Hajredin Bylyshi, Bajram Tushi (shih) dhe Hiqmet Buzi. Shpallur dëshmor i Atdheut. (Xh. Ç)
SERAJ Zyber (1916-1946). Dëshmor i Atdheut. Lindi në Kallarat. U lidh më LANÇ më 1942. Patizan në Br5S më 1943. U vra në vitin 1946 në Mavrovë. Shpallur dëshmor i Atdheut. (Xh. Ç.)
STRATAJ Dudë (1873–1938). Një grua atdhetare e dalluar për trimërinë e treguar në ngjarjet para e pas Pavarësisë. Më 28 Nëntor 1919, ajo mori pjesë krahas burrave të fshatit në uljen e flamurit italian dhe ngritjen e flamurit tonë kombëtar në shkollën e fshatit. Për këtë, ajo u arrestua nga autoritet italiane të pushtimit dhe u burgos 6 muaj në burgun e Vlorës. (R. M.)
STRATAJ Ferik (1910-1949). Dëshmor i Atdheut. Lindi në Kallarat. U lidh me LANÇ më 1942, partizan në Br8S më 1944. U vra në Vidohovë të Korçës, në mbrojtje të kufirit shtetëror gjatë provokacioneve greke të gushtit 1949. Shpallur dëshmor i Atdheut. (Xh. Ç.)
STRATI Fein (1895–1961). Komandant çete atdhetare. Lindi në Kallarat. U njoh si burrë zakoni. Luftëtar kundër forcave andarte greke më 1914 dhe në Luftën e Vlorës kundër forcave italiane, ku u zgjodh komandant çete. U shqua për dinakëri e dinamizëm luftarak në luftimet në Grykën e Kallafetit më 19 qershor 1920, duke u quajtur “dhelpra e Kallaratit”. Fillimisht u lidh me LANÇ që në vitin 1942, duke u rreshtuar në çp të Kurveleshit dhe atë “Hajredin Tremishti”. Mori pjesë edhe në çlirimin e nënprefekturës së Gusmarit. Më pas u hodh në formacionet luftarake të Ballit Kombëtar. Pas Luftës u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm, që më pas, për shkak të ndihmesës së dhënë në LANÇ, iu kthye në 20 vjet burg. (Xh. Ç.)
STRATI Klarita. Qitëse, rekordmene kombëtare. Lindi në vitin 1972 në një fmilje me prindër kallaratas. Që në fëmijëri ushtroi sportin e qitjes me ekipin e “Apollonisë”.. Në vitin 1988 mori pjesë në Garat Ndërkombëtare të Qitjes në Bullgari, duke zënë vendin e dytë. U aktivizua me ekipin “Studenti” dhe në garat e zhvilluara për vitin 2007 në ushtrimin “Qitje me pistoletë 1×40”, theu rekordin kombëtar me 387 pikë, (një pikë më shumë nga rekordi i mëparshëm). (R. M.)
STRATI Saimir. Grafist, restaurues i mozaikut, fitues i çmimit “Gines” në mozaik. Lindi më 1966, në qytetin e Fierit, në një familje me prejardhje nga Kallarati. Është diplomuar më 1989 në Akademinë e Arteve të Bukura, në degën e grafikës. Po këtë vit fitoi Çmimin e Parë në Konkursin Kombëtar të Arteve të Aplikuara. mbëtar të Arteve të Aplikuara. Jurues i mozaikëve në kantieret antike të Butrintit, Apolonisë dhe të Bylisit. Më 1996 hap të parën ekspozitë vetjake. Dy vjet më pas, një tjetër ekspozitë, ku paraqiti edhe punët e para në mozaik. Që nga viti 2004 është anëtar i Shoqatës “British Assosation for Modern Mosaic”, organizatë botërore mozaicistësh me qendër në Londër. Në vitin 2005 ka realizuar me 400 disqe në përmasat pak më shumë se natyralja portretin-mozaik të Adriano Çelentanos. Në harkun kohor të tre vjetëve ka fituar tre çmime Gines: të parin më 2006 me mozaikun e autoportretit të Leonardo Da Vinçit, të realizuar brenda 24 ditësh në një dërrasë 2m x 4m me 500 kg gozhdë të përmasave dhe ngjyrave të ndryshme; të dytin më 2007 me mozaikun “Shpirti i lirë”, me përmasa 4x2Shpirti i lirë”, renda 40 ditësh duke përdorr kunja dhëmbësh; dhe të tretin më 2008, me mozaikun “Mesdheu”, me siprfaqe 91,87m2, të realizur brenda 27 ditësh duke përdorur tapa shishesh. R. M.) (Pas botimit te kësaj Enciklopedie Saimiri ka fituar çmimit “Gines” per te gjashten here)
SHAKAJ Hodo (rreth 1875-1926. Komandant çete atdhetare, kryeplak reformator. Lindi në Kallarat. U arsimua në Gjirokastër e Janinë. Kryeplak i Kallaratit që në fillim të shekullit XX, duke futur sistemin e votimit në fshat për zgjedhjet e kryeplakut dhe të pleqësisë së fshatit. Ngriti flamurin shqiptar në shkollën e fshatit në vitin 1919. Për këtë akt u arrestua bashkë me disa bashkëfshatarë. Komandant i çetës së fshatit në Luftën e Vlorës, pjesëmarrës në Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924. U arrestua nga qeveria e Zogut dhe vdiq nga torturat në burgun e Gjirokastrës në vitin 1926. (Xh. Ç)
SHAKAJ Drita. Voljebolliste. Lindur në Vlorë më 1957. Mjeshtre sporti në volejboll. Ka luajtur me ekipin e vajzave të “Flamurtarit” të Vlorës. Është aktivizuar edhe në ekipin kombëtar. Është kampione kombëtare dhe fituese e Kupës së Republikës. Ka përfaqësuar sportin shqiptar me ekipin e Dinamos edhe jashtë shtetit. (R. M.)
SHAMETI Gafur. Inxhinier, deputet, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Lindi në Kallarat. Në vitin 1961 përfundoi studimet e larta për gjeologji. Ka punuar në minierën e Munellës, Memaliajt dhe inxjinjer në fabirkën e tullave në Vlorë për 20 vitet e fundit. Zgjedhur deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsë në legjsialaturën e vitit 1996. Është marrë edhe me krijimtari letrare, kryesisht në fushën e humorit me skeçe, parodi e komedi, duke qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve që nga viti 1971. Ka fituar edhe çmime kombëtare. Banon në qytetin e Vlorës. (Xh. Ç)
SHERAJ Hamdi (1920-1944). Dëshmor i Atdheut. Lindi në Kallarat. U lidh me LANÇ duke u rreshtuar në çetën territoriale të fshatit. U vra në luftime me forcat gjermane në Mavrovë, gjatë operacionit të Dimrit 1943-1944. Shpallur dëshmor i Atdheut. (Xh. Ç.)
SHERAJ Nexhip (1923-1945). Dëshmor i Atdheut. Lindi në Kallarat. U lidh me LANÇ më 1943, partizan në Br7S më 1944. U vra në luftime me forcat gjermane në shkurt 1945, në tokat e Jugosllavisë. Shpallur dëshmor i Atdheut. (Xh. Ç.)
SHERAJ Zyber (1916–1946). Lindi në Kallarat më 7 korrik 1916, por më pas familja e tij u vendos në Mavrovë. Mori pjesë në çetën territoriale të Mavrovës. Më 28 nëntor 1943 inkuadrohet në Brigadën V Sulmuese. Pas çlirimit të vendit kalon në forcat e ndjekjes. Bie më 17 shtator 1946 në Gjikmano të Mavrovës, në ndjekje të diversantëve. Me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit nr. 93 datë 12 shtator 1972 shpallet dëshmor i Atdheut. (R. M. )
Shoqata “Kallarati” e krijuar më 12 janar 2003, si shoqatë kulturore atdhetare, me shtrirje territoriale, me qendër në Vlorë dhe me qëllim për të ruajtur e transmetuar vlerat më të mira të Kallaratit. Shoqata ka simbolin e vulën e vet në formë rrethore me lapidarin e 16 dëshmorëve të fshatit në qendër dhe mbishkrimin “Shoqata Kallarati”. (Xh. Ç.)
TOÇI Birbil (?-1847). Prijës popullor, kapur e ekzekutuar nga forcat osmane. Lindi në Kallarat. Një ndër prijësit e Kryengritjes kundër Tanzimatit më 1847. Pas dështimit të Kryengritjes, u kap nga forcat osmane dhe u ekzekutua me varje në Janinë. (R. M)
TOÇI Hasan (1780-rreth1850). Ushtarak, komandnat çete atdhetare. Lindi në Kallarat dhe u rrit në oborrin e Ali Pashë Tepelenës, ku iu dha titulli Bylykbash (komandant kompanie). Pas vdekjes së A. Pashës, u kthye në vendlindje. Në krye të kallarjotëve mori pjesë në luftimet kundër forcave të Çelebi Mehmet Pashës duke i shkaktuar disfatë. Më 1831 shkoi në ndihmë të Zylyftar Podës. Mori pjesë edhe në luftimet për marrjen e kalasë së Beratit në vitet 1834-1835. (Xh. Ç)
Tozaj Neshat (1943–2008). Lindi në Kallarat më 1 janar 1943. Ka kryer studimet në Shkollën e Policisë dhe për drejtësi në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike të Universitetit të Tiranës. Ka punuar si oficer në Sektorin e Ekspertizës Kriminalistike të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe për shumë vjet ka qenë përgjegjës i Laboratorit Qendror të Kriminalistikës.
Shkrimtar, që nga viti 1990 në profesion të lirë. Ka lëvruar gjininë e tregimit, të novelës, të romanit, të skenarit letrar për filma artistikë dhe pas vitit 1990 ka botuar esse dhe publicistikë. Ka botuar në shqip 22 libra: 10 romane, shumë novela e përmbledhje me tregime dhe ese. Një nga veprat e tij që pati jehonë edhe jashtë vendit është romani “Thikat” (1989), i botuar edhe në Greqi (1990) e Francë (1991). Në Francë ka botuar edhe vepra të tjera. Është autor e bashkautor i 9 skenarëve për filma të shfaqur në kinematë tona.
Më 1990, është njëri nga tre nismëtarët për themelimin e Forumit Intelektual për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (sot Komiteti Shqiptar i Helsinkit). Në vitin 1992 njëri nga dy nismëtarët për themelimin e shoqërisë për të mbrojtur të drejtën e autorit në fushën e artit. Qysh atëherë dhe deri në fund të jetës qe drejtor Ekzekutiv i agjencisë “Albautor” për autorët e muzikës dhe të audiovizualit. (R. M.)
TOZAJ Sihat (1927-2001). Kryetar i Komitetit Ekzekutiv, Sekretar i Presidumit të Kuvendit të RSH. Lindi në Kallarat. U lidh me LANÇ, fillimisht në çetën territoriale e më pas partizan në Br8S. Pas çlirimit ka kryer detyra të ndryshme si funksionar i PPSH (ish PKSH) dhe për mbi 15 vjet si drejtues i stacionit të makinave e traktorëve në ndërmarrje të ndryshme të vendit, për disa vite kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Vlorës (1968). Në vitin 1983 u emërua në detyrën e lartë të Sekretarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor (Presidencës). Në tri legjislatura ka qenë deputet në Kuvendin Popullor. Pas vdekjes, me vendim të Këshillit të Qarkut të Vlorës u shpall “Nderi i Qarkut” . (Xh. Ç)
TOZAJ Sinan, (1923-2006). “Hero i Punës Socialiste”. Lindi në Kallarat. U lidh me LANÇ. Fillimisht me njësitin guerril e pastaj, nga fillimi vitit 1943 në radhët e çetës partizane “Hajredin Tremishti” e Br6S. U plagos në Mirditë, duke humbur njerin sy. Megjithëse mbeti invalid, ai mori pjesë aktive në veprimtarinë ekonomike si drejtues në sektorin e naftës e të minierave. Në 20 vjetët e fundit qëndroi në detyrën e drejtorit të ndërtimit të Minierave të Shqipërisë. Për kontibut të shquar në sektorin e minierave iu dha titulli “Hero i Punës Socaliste”. (Xh. Ç)
Ura pranë qafës së Bodeit, në përruan ngjitur Kallaratit, urë e ndërtuar në vitet 1810-1815 në kohën e A.P.Tepelenës, që ka shërbyer njëherazi për kalimin e këmbësorëve, por dhe të vijës së ujit për vaditjen e tokave në fushën e Ubavit dhe të Fierit. (Xh. Ç.)
Valet, dy fushëgropa me origjinë tektonike në anën jugore të majës së Bogonicës, të quajtura Vali i Poshtëm dhe Vali Mesëm, me një sipërfaqe rreth 5 ha. Nëpërmjet Qafës së Honit kalohet në Valin e Vranishtit. (Xh. Ç.)
Vëra e Ariut, gjendet në shpellat në grykën e Honit, në shpatin lindor të M. të Bogonicës (shih), pranë fshatit Kallarat. (Xh. Ç.)
XHAFERAJ Hyso (?-1914). Vrarë në luftime me forcat andarte greke. Lindi në Kallarat. Mori pjesë në luftimet për mbrojtjen e Janinës, në kodrat e Bezhanit (1912-1913). Vrarë në luftime me andartët grekë në mbrojtje të fshatit. më 14 korrik 1914. (Xh. Ç.)
XHAFERI Balil (?-1878). Vrarë në luftime me forcat andarte greke. Lindi në Kallarat. Ka rënë në luftime me andartët grekë në luftën e Lëkurësit, në shkurt 1878. (Xh. Ç)
ZHIBAJ Telha (1892-1965). Mësues, pjesëmarrës në Kongresin e Labërisë. Ndoqi shkollën fillore shqip-turqisht (mejtep) në qytetin e Vlorës. Mori pjesë në çetën e fshatit kundër andartëve gekë në vitin 1914. Në vitin 1916, në shtëpinë e Dushan Seitit hapi kurse për mësimin e shkronjave shqipe për fëmijët e fshatit. Po këtë vit hapi shkollën shqipe në Peshkëpi. Si mësues ka punuar edhe në Nivicë, Zhulat, pjesëmarrës në Kuvendin e Labërisë në Kuç në vitin 1924. U lidh me LANÇ. U burgos nga fashistë italianë në burgjet e Vlorës e të Tiranës. (Xh. Ç)