Edhe një herë po shkruaj për atdheun dhe gjuhën, pasi e quaj të nevojshme ngaqë nga Kallarati (dhe nga e tërë Shqipëria) janë larguar shumë njerëz dhe kanë shkuar në shtete të ndryshme si në Greqi, Itali, Gjermani e gjetkë.
Në kohët shumë të vjetra, kur njerëzimi ishte në gjendje të egër, për shkaqe të ndryshme njerëzit nuk qëndronin në një vend, por lëviznin nga një vend në një tjetër. Një nga shkaqet e lëvizjeve kanë qenë luftërat midis grupeve apo fiseve të ndryshme. Më të fortët i mundnin më të dobëtit, i shfarosnin ose i detyronin të iknin në vende të tjera. Me kalimin e kohës lindi nevoja e nguljes në një vend të caktuar që ishte më i pëlqyer e me kushte më të mira për të jetuar. Por ky vend duhej mbrojtur. Dhe kështu njerëzit e një gjaku bëheshin bashkë për ta mbrojtur vendin që kishin zënë. E kështu, lidhja e gjakut ishte arsyeja që të formoheshin bashkësitë. Një arsye tjetër ishte mundësia e të marrurit vesh të njerëzve të një bashkësie me njëri tjetrin. Dhe kjo arrihej me anë të gjuhës së përbashkët që kishin. U krijuan edhe familjet. Një familje bashkohej me një familje tjetër për t’u fuqizuar, një fshat me tjetrin e një krahinë me tjetrën e kështu bashkësia zmadhohej dhe bëhej më e fuqishme për t’u mbrojtur, duke mbrojtur edhe dheun që u linin etërit dhe ky dhe i trashëguar u bë i domosdoshëm për të jetuar, u bë i shtrenjtë deri edhe i shenjtë. Prandaj luftonin për ta mbrojtur, gjë që edhe sot vazhdon të mbetet detyrë parësore mbrojtja e trojeve, mbrojtje e atdheut.
U krijuan edhe simbolet, siç ishte flamuri që mori edhe ky vlerën e shenjtërisë. Dhe të gjitha këto u bënë mbi bazën e një toke dhe të një toke të përbashkët. Prandaj atdheu, flamuri dhe gjuha janë të shenjta. Nëna, bashkë me qumështin e gjirit të saj, i mëkon fëmijës edhe gjuhën. Prandaj i thonë gjuha e nënës. Vllehët (dhe jo vetëm ata) kanë shekuj që janë larguar nga atdheu i tyre, por gjuhën e tyre e flasin në familje dhe me njëri tjetrin, sepse nëna e tyre në familje foshnjës, fëmijës i flet në gjuhën e saj.
E kundërta ndodh me shumë nëna shqiptare në Greqi, Itali, apo Gjermani etj. fëmijëve nuk u flasin shqip, por në gjuhën e vendit ku jetojnë e punojnë sot. Me “Na su paro to kako” e përkëdhel fëmijën nëna shqiptare në Greqi, në vend që t’i thotë shqip të keqen nëna. Ose tjetra në Itali: “Mio adorato figlio” etj. Shumë keq! Përkëdhelja e fëmijës nga nëna shqiptare duhet të bëhet në gjuhën e saj me fjalët që i dalin nga zemra. Shtrojmë pyetjen, si mund të ndiej kënaqësi kjo nënë duke e përkëdhelur dhe folur fëmijës me fjalë të një gjuhe të huaj?! Fëmijës kur i flet, ai merr kuptimin e fjalës, po thith edhe shqiptimin, si i bashkon buzët, ç’pamje merr fytyra. Ju nëna mund të mos e dini këtë, por kjo kështu është se është e vërtetuar shkencërisht. Arbëreshi profesor Agostino Xhordano që merret me gjuhën arbëreshe dhe boton edhe një revistë arbërisht, këshillon nënat arbëreshe që t’u mësojnë fëmijëve arbërishten. Dhe thotë shumë të vërteta për gjuhën e nënës.
U them nënave shqiptare kudo që janë t’u mësojnë fëmijëve gjuhën shqipe. Është ca e vështirë, por duhet ta bëjnë atë me këmbëngulje, siç thuhet, me thonj e me dhëmbë, duke u folur në familje me krenari shqip. Gjuhën e vendit ku ndodhen ata do ta mësojnë me shokët vendës dhe në shkollë. Mësuesja e shqipes të bëhet nëna. Kujtoni se ç’kanë hequr patriotët shqiptarë për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe deri në sakrifikimin e jetës së tyre si Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi etj. Koto Hoxhi tha: “Vritmëni, por gjakun mblidheni se do t’ju duhet të shkruani gjuhën shqipe…”. Duke mësuar e ditur shqipen, fëmija do të ketë edhe një gjuhë tjetër më tepër se moshatarët e tjerë të tij, përveç gjuhës së vendit ku ndodhet.
Enver GOLLOSHAJ
Botuar Ne Gazetën Kallarati Nr. 61. Janar – Shkurt 2012