Kallaratit, fshatit të nënës dhe të babait, të cilin të gjithë pushtuesit e kanë djegur dhe bashkëfshatarët e mi e kanë ngritur prapë.
Ka vetëm mure,
ka vetëm hi,
dyer nuk ka.
Ku të trokas?
Ku të trokas?
Kujt t’i thërras?
Kujt t’i thërras?
Nën hi dhimbje e madhe,
dhimbje e madhe mbi hi.
Djegur ditët,
djegur netët,
djegur mëngjeset
dhe mbrëmjet djegur.
0, mos trokit,
o, mos kërko,
nën hi e mbi hi,
ditë e net djegur.
Po rri me djalin,
i mësoj të lexojë gërmadhat,
të kuptojë sa i shtrenjtë është bari
nën muret e djegura nga barbarët.
Rilindin mëngjeset,
rilindin mbrëmjet,
rilindin ditët,
rilindin netët.
Im bir kokën në frëngji e mbështet,
mbulohet nga bari i gjelbër.
*botohet siç ka qenë