E çuditshme kjo Athina,
nuk ka fund e as fillim,
nga rrëmuja e nga trishtimi
ngjaka pak me shpirtin tim.
Grumbuj, grumbuj, thyer, prishur,
ca kujtime kot i ruaj,
si Athina ca skulptura
shpirtdërrmuara si mua.
Po kur nata bie e dritat,
ndrijnë kurvat, epshi ndizet,
ndiej Sokratin tek pi helmin,
shoh Eskilin kur vetëvritet.
Një O’Nas* e pushton botën,
ndryshket kryqi bizantin,
njëqind gjuhë të ndaluara
konspirojnë në Athinë.
Midis tyre gjuha ime
feks e çfeks e dot nuk ndrin,
nga stërlodhja e nga trishtimi
ngjaka pak me shpirtin tim.
20.11.1999