TREGIM-“RRUGA PËR LUVËR”

Hiqmet Mecaj

Ai hyri pa trokitur kur Nameti digjej nga ethe të forta gripi, dridhej dhe sytë i qenë ndezur nga shkëndija, ca të flakëruara e ca të shuara, si pluhur hiri. Ai foli pa u ulur, pa i dhënë dorën, përpëliste qerpikët, as u mundua të kërkonte të falur që tjetri qe në një gjëndje që s’mund ta dëgjonte. Seç tha diçka për njëfarë Rolandi, që Nameti nuk e dinte kush qe, mendja nuk i punonte mirë, e ftoi të dilnin jashtë, atë punë mund ta bënte vetëm ai, sepse në ca letra të Rolandit kishin gjetur emrin dhe mbiemrin e tij, gjë që tregonte se Rolandi e çmonte shumë pikërisht atë dhe asnjë tjetër.

Nameti i tha:

-Të lutem më lerë të qetë në ethet e mia,- por tjetri nuk e dëgjoi, sepse po ta kishte dëgjuar, nuk do të thoshte, vishu, jemi disa vetë që të presim, e më pas do të shtonte:

-Edhe Rolandi po të pret.

Dukej edhe tjetri qe në ethe të forta, edhe ai digjej, megjithëse duhej të qenë ethe të ndryshme nga ato të Nametit.

Më kot do t’i thoshte të mbushte një gotë konjak të fshehur mes librave të bibliotekës dhe po të donte kafe, të mundohej ta bënte vetë. Kur po i thoshte këto, qe dëgjuar dera të përplasej me forcë, kishte mbetur përsëri vetëm me zjarrminë e tij që duhej të ishte rreth dyzetës, qe detyruar të mbulohej e të dridhej, megjithëse përjashta dielli të përvëlonte.

Pastaj iu ngatërruan pamjet dhe kohët u futën te njëra tjetra të përthyera e të ngecura keq, si të ngjeshura në një shishe të madhe uji, që dikush e tund pa mëshirë. Kishte hyrë edhe një tjetër dikur ashtu, pa trokitur në derën që e kishte gjetur të pambyllur, ndoshta i dukej atij, dy fytyrat i plekseshin me njëra tjetrën, merrnin e jepnin sy, flokë, hundë, krijonin ngjashmërira të çuditshme që herë qartësoheshin e herë fshiheshin. Duhej të kishte ndodhur pikërisht kështu, ndoshta jo pikërisht kështu, po diçka më ndryshe, ai mund të quhej Roland dhe ka të ngjarë të kishte lidhje me këtë që sapo u largua, pa përshëndetur, pa kërkuar të falur, pasi kishte përsëritur disa herë, vishu, jemi disa vetë që të presim, edhe Rolandi po të pret.

Ai tjetri, që çuditërisht tani i dukej se ngjante shumë me atë që sapo doli duke përplasur derën, i kishte kërkuar vetëm një pesë, vetëm për të kaluar klasën, kishte nxjerrë një thikë të madhe me dhëmbë si sharrë dhe e kishte ngulur mbi komodinë, duke krijuar një të çarë të madhe. E çara është ende mbi komodinë dhe, po ta vështrosh mirë, mund ta dëgjosh sa herë të duash edhe zhurmën edhe frikën që bën thika kur ngulet mbi dërrasë. Mund të dëgjosh gjithashtu edhe fjalët që thotë ai, i cili patjetër quhet Roland, ose një pesë, ose kjo mund të ngulet në barkun tënd. Nameti i dëgjon të gjitha këto çdo ditë, megjithëse mund të kenë kaluar njëmijë e pesëqind ditë dhe nuk çuditet fare që edhe atëherë ishte me ethe të forta si sot dhe me temperaturë të lartë, kur hyri ai, se e kishte gjetur derën e jashtme të pambyllur.

Ditë më pas, kur do t’i kishin ikur ethet, ai do ta shikonte përherë më me kujdes të çarën e asaj thike me dhëmbë e do t’i kthjelloheshin shumë gjëra, që sipas mendimit të tij nuk ishin edhe aq të ngatërruara dhe kishin lidhje me një djalë të gjatë, që nuk qe e vështirë t’i kujtohej se e quanin Roland, se ulej gjithnjë në bankën e fundit, e zinte gjumi, por nuk mungonte asnjëherë. Kishte një fytyrë të rrumbullaktë dhe Lefteria e ngacmonte, eja tani Landi na i qaj ca vargje nga Mjeda. Fytyra e rrumbullaktë ngrihej me përtim, thoshte nja dy fjalë që arrinin deri në veshët e tij: pusho moj putanë, klasa gjëmonte nga gazi, kurse profesor Nametit s’i mbetej veç t’i ndëshkonte për atë fjalën e pacipë e t’i nxirrte të dy nga klasa. Nuk është vështirë të kuptohet se kemi të bëjmë me shkollë nate, kur Lefteria është nënë me dy fëmijë, prashit tërë ditën bythat e ullinjve, kurse Rolandi bën çdo muaj të njëjtat bullona në një torno të vjetër kineze në ofiçinën e peshkimit. Nameti nuk e ngre Rolandin asnjëherë, veç i ka vënë kusht që po deshi të kalojë, duhet vetëm të thotë përmendësh katër vjersha: nga Naimi, Çajupi, Noli, Migjeni, Mjedën e ka shpikur Lefteria, meqë e di që Rolandi do të nxehet dhe pas kësaj profesori do t’i nxjerrë jashtë, sa për të ndezur një duhan se i çahet hunda.

Mirëpo Rolandi, që ka vendosur ta kalojë klasën me çdo kusht, ka tjetër mëndje. Ai i thotë Nametit një natë, kur e përcjell pas mësimit, se mund ta çojë deri në shtëpi duke e mbajtur në krahë si të ishte vazo kristali, mund t’i sjellë Mimozën kur të dojë ai, se Mimoza, veç që është e bukur, por është një kuçkë e vogël që t’i bën të gjitha marifetet, pastaj nxjerr ca premtime të tjera, njërin më interesant se tjetrin, kur sheh që Nameti nuk pranon, vetëm e vetëm të shpëtojë nga vjershat, që i hapin barkun kur i dëgjon, jo më t’i mësojë përmendësh.

-Nuk do ndahemi mirë bashkë,- thotë Rolandi para se të largohet.– Më vjen keq të vritemi për ca budallallëqe,- dhe me budallallëqe nënkupton Naimin, Çajupin, Nolin, Migjenin, gjë që e mërzit së tepërmi Nametin, domosdo këto fjalë do ta bëjnë me nerva, do t’i thotë diçka për kombin, për kulturën, për kujtesën, ndërkohë që Rolandi do të jetë larguar dhe ai do ta ndjejë se po flet pa njeri pranë, gjë që do ta nervozojë edhe më keq.

Do të vinte patjetër dita e nguljes së thikës, kur Rolandi të mësonte se ishte planifikuar për të mbetur. Viktima e parë do të ishte sipërfaqja e verdhë e komodinës, pasi ai të hynte pa trokitur, se do ta gjente derën të pambyllur, kurse Nametin në ethe të forta. Do t’i thoshte ta bënte kafenë vetë, të merrte konjakun brenda librave të bibliotekës, ta shkulte thikën që andej ku e nguli dhe në fund të fundit të qetësohej, se nuk po i bëhej ndonjë padrejtësi e madhe, përkundrazi ai kishte fyer katër figura të shquara të kulturës kombëtare dhe nuk qe i denjë për të kaluar. Mos më qi kokën, kishte thënë Rolandi pasi kishte shkulur thikën, ia kishte tundur metalin tërë dhëmbë përpara hundës, kishte përmendur një krahasim të frikshëm për barkun dhe komodinën, pastaj pasi të gjente shishen e konjakut e të mbushte dy gota plot, të tijën do ta kthente njëherësh e do ta rimbushte.

-Tërë këto libra, ç’i bën,- thotë Rolandi me zë të trashur nga konjaku.

Merr nga biblioteka një vëllim të trashë që mezi ngrihet, e hap dhe Nameti vë re që është enciklopedi pikture.

I kujtohen të gjitha këto pikë për pikë, siç ndodhën, uljen e Rolandit në cepin e krevatit, heshtjen e tij, përqëndrimin e thellë, dy orë të tëra duke shfletuar, kërkesën për ta marrë librin në shtëpi, deri sa e thau të gjithë shishen. Megjithëse në ethet e zjarrmisë së lartë, Nameti vë re mirë si shkëlqen fytyra e Rolandit, balli i rrudhet, ul kokën të shohë më mirë, nuk thotë asnjë fjalë, nuk kërkon asnjë shpjegim. Janë çaste vërtetë të paqarta, pa fjalë, vetëm në fund do të pyesë, të gjitha këto janë prej letre? Pasi t’i tregojë shkurtimisht se ato janë fotografitë e atyre pikturave, se pikturat e vërteta janë brenda koleksioneve të mëdha dhe se koleksionet e mëdha ndodhen brenda muzeve të artit, Rolandi do të pyesë ku ndodhen këto muze të artit. Nameti do të bëhet pishman njëmijë herë që do t’i përmendë njërin prej tyre, pikërisht Luvrin, domethënë Parisin që nënkupton Francën, do t’i thotë gjithashtu se edhe pikturat janë kujtesë kombëtare, pa i bërë krahasim me vjershat që Rolandi nuk i do, në kohën kur Rolandi do t’i bëjë kërkesën për ta marrë librin në shtëpi për disa ditë, duke harruar në të njëjtën kohë se pak më parë i ka tundur thikën para hundës dhe i ka thënë diçka të tmerrshme për çarje barku. Mirëpo pikërisht në këto çaste ka kuptuar më së miri se ka filluar vdekja e Rolandit.

Zjarrmia e lartë ka edhe ajo të thekurat e saj, ca ngjarje i lan e i bën xham, ca të tjera i turbullon, i pret copa copa, i ngjit si t’i dojë qejfi, duke shtuar nga vetja edhe ca të tjera të pangjara, që të bën t’i besosh, sikur kanë ndodhur vërtetë mu para hundës tënde. Ajo historia me Jasharin e gjatë, atë shufrën e hollë të fëmijërisë, i vjen tani e shkoqur bukur dhe e bën të qeshë aq sa i dhëmbin brinjët. Jashari e fton ta pijnë një kafe, por meqë s’ka kohë, i kërkon të dalë në Skelë, aty rreth orës dhjetë të paraditës. Nuk i thotë fare se është përgjegjës i ofiçinës së peshkimit, domethënë përgjegjës edhe i Rolandit, por këtë do ta marrë vesh kur të shkojë për kafe, kur Jashari ta fusë në ofiçinë, t’i paraqesë një për një të gjithë ata që punojnë aty nëpër torno e freza, të lyer në faqe e nëpër sy me graso. Më në fund do t’i dalë edhe Rolandi, pak i turpshëm, ose gjoja i turpshëm, ndryshe nga natyra e tij. Patjetër Rolandi ia ka treguar Jasharit nguljen e thikës në komodinë, i ka treguar dhe për vjershat, sepse katër prej tyre, duke mos përjashtuar as Jasharin fillojnë të recitojnë përmendësh Naimin, Çajupin, Nolin dhe Migjenin. Nameti edhe mallëngjehet edhe i vjen për të qeshur me këta burra të moshuar që bëjnë para tij si karagjozë, megjithatë merr vendimin e madh që Rolandi tani e meriton pesën, i përqafon të gjithë pasi ngjit pak nga ajo boja e zezë e tyre dhe del buzë detit me Jasharin për të kujtuar vitet e tyre të largëta kur ngjiteshin nëpër kodra, kur panë për herë të parë atë marinarin që e bëri tre herë me gjimnazisten e bukur, ndërsa edhe ata e tundën pak cipalin e tyre. Kujtuan edhe gjëra të tjera, po për pesën e Rolandit nuk folën fare.

Mirëpo që atë ditë Rolandi nuk erdhi më në shkollë, në bazë të mungesave u përjashtua, askush nuk e dinte ç’kishte pësuar e ku ndodhej. Nameti nuk e vuri re fare mungesën. Qe humbje vetëm e një ngjarjeje, po jo e gjithë ngjarjeve të jetës së tij. Ato venë e vinë bashkë me fytyrat, ca shuhen e ca shfaqen dhe sidomos për një mësues që e ushtron profesionin e tij prej gati një çerek shekulli, këto zhdukje fytyrash janë të vërteta të përditshme që nuk të mallëngjejnë.

Më pas ndodhën ca ngjarje që e turbulluan jetën e qytetit aq shumë, sa nuk ishte parë që prej rreth dyzetepesë vjetësh. Ca kalorës nate i mbushën të gjitha lagjet me shkresurina kundër atyre që qeverisnin prej kohësh që s’mbaheshin mend. Ishin vërtetë kalorës hipur mbi kuaj dhe erdhën nga kodrat e qytetit pa i parë kush. Të tjerë kishin nxirë muret me ca shkronja të mëdha analfabetike në dukje, po fjalët Poshtë dhe Rroftë dalloheshin mirë, sidomos të qarta ishin kush duhej të rronte e kush duhej të binte poshtë. Atë mëngjes qytetin e pushtoi terrori, u dukën uniforma jeshile me mburoja e armë të veçanta, me një emër rrënqethës që të kujtonte briskun. Nametit i kujtohen të gjitha këto me imtësi, gjithashtu i kujtohet edhe se si disa ditë më pas, kur po pinte një kafe te “Bishti i dhelprës”, erdhi e iu ul në tavolinë pikërisht ai i fshiri nga mëndja, Rolandi. Kishte njolla të zeza në fytyrën e shtrembëruar tmerrësisht, dy dhëmbë të thyer dhe duart të ënjtura te kyçet. Çdo gjë u bë e qartë kur Rolandi tregoi me humor se si e kishin lidhur me këmbët e duart e hapura me fytyrë nga muri për një javë rresht, si e kishin shembur në gjithë trupin me ata bastunët kauçukë, si i kishin vënë te tëmthat disa herë revolen për ta ekzekutuar dhe të gjitha këto për ato shkresurinat e rrugëve dhe zhgaravinat nëpër mure.

Mirëpo Rolandi i rrëfeu këto gjëra duke qeshur, janë bij kurvash, tha dhe qëlloi tavolinën me grusht, pastaj i kishte treguar Nametit një tufë me kartëmonedha në dollarë, kam mbledhur plot dymijë, arrijnë për të shkuar deri në Luvër?- pikërisht kështu shfreu.

Nametit iu kujtua turbull libri i trashë me piktura atë ditën e nguljes së thikës në komodinë, diçka pyeti, mori përgjigje të çoroditura, heshti, e pa në sy dhe ndjeu se Rolandi e kishte marrë prej kohe vendimin e madh për të vdekur, gjë që Nameti nuk mund ta pengonte, vetëm se u përpoq ta shtynte sa më tepër të qe e mundur. Tani Rolandi dinte shumë, shumë më tepër se ai, përmendte Pikaso e Rembrand, Praksitelus e Mikelanxhelos, Van Gog e Gogen. Ai dinte ku qe kulla Eifel, rrugicat që të çonin në Luvër, Katedralen e famshme të Parisit. Me mendje jetonte ditë e natë vetëm atje, bënte gjithfarë kontrabandash për të mbledhur dollarë, që një ditë të ishte atje. Për çudi Nameti vuri re që Rolandi tashmë kishte filluar të fliste një frëngjishte të mjerë, gjuhë që pa dyshim e torturonte shumë, po që nuk e kishte mposhtur. Siç duket edhe këto qenë një shkak më tepër që të dyshohej e të shtrembërohej aq keq nga jeshilët e briskut se kishte ardhur natën nga kodrat si kalorës për të hedhur shkresurinat me Poshtë e me Rroftë.

Të gjitha këto e bindën se Rolandi po rropatej vërtetë pak si tepër për të vdekur sa më shpejt, por që nuk ia tha. I tha vetëm se aq dollarë nuk mjaftojnë, se ndoshta duhen edhe një herë aq, vetëm e vetëm për t’ia shtyrë edhe ca kohë vdekjen, që Rolandi po e kërkonte me aq ngulm.

Tani që i ka rënë pak zjarrmia se ka pirë dy aspirina njëherësh e vret mëndjen të gjejë si i lindi mendimi që Rolandi po kërkonte me ngulm të vdiste. Ai djalë dy metra i gjatë e i bukur, me fytyrë të rrumbullaktë e gjak të nxehtë, që nuk mund të lexonte dot as një faqe libri, qe gëlltitur i gjithë nga ngjyrat, loja e dritëhijeve, figurat e Rembrandit që dalin nga errësira, kishte hyrë i tëri në një botë tjetër, nga ku e kishte të vështirë të dilte. Ai rronte ditë e natë atje, nëpër fushat e pamata me luledielli të Van Gogut, te vajzat e egra të ishujve të Gogenit, nëpër urat dhe liqenet e Manesë, mes figurave kubiste të Pikasos, tundëte orët e vdekura të Dalisë. Rolandi jetonte te e ndaluara, ishte i mbështjellë i gjithi prej saj, realisht rronte vetëm atje, kurse këtu ishte një i vdekur. Kur i tha një ditë:

-Roland, do të të vrasin,- Rolandi qeshi dhe si u mendua pak u përgjigj se do të shkonte atje edhe po ta vrisnin. Prandaj Nametit nuk i mbetej tjetër veç t’ia shtynte pak atë çast, ndoshta do të ndodhte mrekullia, megjithëse të paktë qenë ata që shpresonin se pushteti i kohëve që nuk mbahej mend, mund të zbutej sadopak, sa për të hapur kufijtë e t’i jepej mundësia edhe Rolandit të udhëtonte të paktën dhjetë ditë sa të shikonte Luvrin.

Rolandi hyri në lojën e të dukurit dhe të zhdukurit, shfaqej vetëm sa për të treguar tufën e dollarëve që gjithnjë trashej, merrte përgjigjen se duhen edhe më, vazhdonte rrjedha e zakonshme e fytyrave të reja, çdo ditë diçka boshatisej e prap mbushej, kështu që mungesa e tij nuk binte edhe aq në sy. Edhe nekrologjinë për vdekjen e tij e pa një ditë pa vëmendje, iu duk si fytyrë e njohur por nuk u përqendrua, se binte shi dhe ishte pa çadër. Edhe kur e ndali në rrugë Lefteria, që tashmë e kishte mbaruar shkollën e i tha, e more vesh për Rolandin e i tregoi si kishte ndodhur, Nameti iu përgjigj thjesht se e dinte prej kohësh që Rolandi kishte vdekur, që kur hapi për herë të parë librin e madh me piktura e filloi të mblidhte dollarë, gjë që e habiti me të vërtetë Lefterinë dhe seç tha e tronditur ca gjysmafjalë nëpër dhëmbë që nuk u dëgjuan, por pa dyshim duhej të kishin një kuptim të tillë: profesori paska rrjedhur.

Kurse na del që ai djalë qenka gjallë dhe e priste atje përjashta së bashku me atë që hyri pa trokitur e i ngjante aq shumë. Ndoshta bëhej fjalë për tjetër njeri, ose ndoshta ai që kishte vdekur nuk ishte Rolandi i vërtetë. Në kohë të turbullta, kur qyteti dhe deti ishin të rrethuar nga vdekja, çdo gjë mund të ndodhte. Mbase edhe zjarrmia e lartë kishte faj, krijonte ngjashmërira të kota, shpikte ngjarje e fytyra të gënjeshtërta.

Kur e ndjeu veten pak më mirë, mendoi të dilte, ta zgjidhte këtë lëmsh, që kot së koti kishte lidhje edhe me të, se ai që quhej Roland, që edhe paska vdekur edhe qenka gjallë, paska lënë një shkresë, ose paska me vete një shkresë, ku përmendet emri i tij, por për çfarë, as që mund ta gjente dot, sado ta vriste mendjen.

Pas disa kohësh do t’i kujtonte të gjitha me imtësi, ndoshta do t’i harronte prap, por gjithsesi kur të zbriste poshtë, vërtetë do ta prisnin katër vetë, që nxituan ta futnin në një xhip të madh, por Rolandi mungonte. Dhe kur të hynin në një shtëpi të vjetër me oborr, në dhomën e madhe të së cilës qante një grua, ai do të bindej se Rolandi i gjatë dymetrosh ishte brenda asaj kutie në madhësi dy pëllëmbë, mbuluar me mëndafsh të kuq, vendosur në një shtrat të vjetër, zbukuruar dosido. Do të dëgjonte si ndodhi që Rolandi u katandis për t’u futur në kuti, pikërisht atëherë, kur vendosi të ikte prej këtu për të shkuar atje. Te telat me gjëmba e kishin plagosur. Ata që e kishin plagosur e kishin ndjekur dhe në atë tokën tjetër, e kishin qëlluar nga afër disa herë duke e lënë atje, për ta varrosur banorët e asaj tokës tjetër. Nameti do të mësonte gjithashtu se ishin pikërisht ata banorë të tokës tjetër që kishin gjetur emrin dhe adresën e midis tyre edhe një shkresë ku përmendej emri i tij. Tashmë kufijtë s’qenë më të mbyllur, pushteti i kohëve që s’mbahej mënd kishte rënë dhe një ditë mbërriti që andej letra ku thuhej në gjuhë të huaj ku ndodhej Rolandi. Kjo qe e gjitha.

Tani ata njerëz pritnin çdo të thoshte Nameti, ndoshta do të shkruante disa fjalë te pllaka e mermertë që po përgatitej, ndoshta do të shfrynte kundër vrasësve, mirëpo ai tashmë po mendonte tjetër gjë. Ai po mendonte se Rolandin e vrau ai libri i madh i bibliotekës së tij, se ai djalë i bukur dy metrosh që tani rrinte brenda një kutie dypëllëmbëshe, tani do të ishte gjallë në se nuk do të kishte bërë shoqëri me Mikelanxhelon e Dalinë, me Van Gogun e Gogenin, se vrasësit e vërtetë të tij nuk ishin ushtarët, por pikërisht ata, domosdo edhe Nameti, që nxitoi ta prezantonte me ata. Doemos të gjitha këto nuk mund t’ia thoshte asaj nëne që qante mbyturazi, as vëllezërve e babait, se ata patjetër do të thoshin: qenka i rrjedhur, mirëpo diçka duhej të thoshte, prandaj e kishin marrë me aq ngut, pikërisht ditën që digjej nga zjarmia e lartë.

Më në fund u dëgjua nga të gjithë të thotë diçka të pakuptimtë, që ai patjetër do t’ua sqaronte dhe ata më në fund do ta pranonin.

-Çojeni në Luvër.

Pikërisht kështu u tha dhe ata pikërisht kështu vendosën.

2004

–Last edited by besniku on 2009-06-23 15:37:52 —

Next Post

TREGIM- "PËLLUMBAT E EGËR TË JAJA 1 POLIT"

Sht Maj 26 , 2012
Dola si zakonisht atë mëngjes shtatori për frapenë te Flizvua. Mes rrepeve të lashtë, që fëshfërinin nga era, gjeja qetësinë e vendit tim, të cilin e kisha braktisur prej më se tetë vitesh. E preferoja lokalin Goody’S edhe për rrepet edhe për lirësinë e çmimeve, por edhe sepse aty mblidheshin […]
Hiqmet Mecaj