IDENTITETI KULTUROR I SHQIPTARËVE, KUMTESË

PetritQejvani

Mbajtur në takimin e përbashkët të mësuesve dhe pedagogëve shqiptarë dhe italianë në kuadrin e seminarit “Dialog midis dy kulturave”

Të nderuar kolegë,

Populli shqiptar është një ndër dy popujt më të vjetër të gadishullit të Ballkanit, së bashku me grekët. Paraardhësit e tij gjatë shekujve nuk janë thirrur me emrin e sotëm shqiptarë, por me emra të ndryshëm.Territori i vendit tonë, që prej kohës kur dëshmitë historike (arkeologjike dhe gjuhësore) bëhen më elokuente, ka qenë banuar nga ilirët .(Dhe kjo prej mijëvjeçarit të dytë para erës sonë). Gjatë Mesjetës banorët e Shqipërisë quheshin arbëreshë, emër që e mbajnë edhe sot shqiptarët e Italisë, që banojnë në Kalabri e Siçili si dhe shqiptarët e Greqisë, ndërsa në kohën e re e quajtën veten shqiptarë dhe vendin e tyre Shqipëri.

Duhet pohuar se identiteti kulturor i shqiptarëve dhe kultura e tyre në përgjithësi janë më të gjera se kufijtë e sotëm të shtetit shqiptar dhe kjo jo thjesht në kuptimin figurativ, pasi kultura e një populli gjithnjë është më e madhe se kufijtë e tij shtetërorë, por sepse shteti i sotëm shqiptar është vetëm gjysma e kombit shqiptar si territor dhe si popull dhe pra, edhe si kulturë, si krijmtari .( Dihet që kultura kombëtare është shumë dhe esencë e kulturave të trevave të ndryshme të një vendi dhe një populli).

Natyrisht, të flasësh për identitetin kulturor të shqiptarëve në një ligjëratë modeste është e vështirë, pasi vet tema është e pashtershme dhe, së dyti, se për ju , që dini shumë pak për Shqipërinë dhe sidomos për kulturën e saj, do të ishin më tepër të nevojshme fakte, që do t’ju informonin shkurt për atë që ju do të donit të njhnit, pa qenë nevoja për analiza të hollësishme, të pamundura në pak faqe. Për t’ju ndihmuar që të kuptoni ato që do të përmendim më poshtë është e nevojshme, shumë shkurt, të paraqesim pikat kulmore të historisë së popullit shqiptar.

Historia e popullit shqiptar dhe e kulturës së tij është plot paradokse. Duke qenë një ndër popujt më të vjetër të Ballkanit (gjë që pranohet gjerësisht nga albanologë e studiues të shquar të huaj dhe shqiptarë) në të njëjtën kohë është shteti më ri në Europë. Fiton pavarësinë më 1912 pas thuajse 5 shekujsh të pushtimit turk.

Ndërsa vazhdimësia e tij në trojet aktuale është mbi dymijë vjeçare, libri i parë shqip është ai i vitit 1555,”Meshari”i Gjon Buzukut. Shkolla e parë shqipe është hapur në Korçë, më 7mars 1887, ndërsa alfabeti i sotëm është miraruar më 1908 në

Kongresin e Manastirit, qytet që sot është pjesë e shtetit maqedon. Të gjitha këto jemi të detyruar t’i përmendim për të kuptuar sesa e vështirë ka qenë që ky popull të mbijetonte e të krijonte një kulturë shpirtërore e materiale, që do të bëhej mburoja e tij pas invazioneve të njëpasnjëshme në histori.

Faktet e përmendura më sipër do të kërkonin polemika e ballafaqime. Ato, me të drejtë , mund të lindin shumë pikëpyetje dhe vështirë të japësh përgjigje të saktë për secilën. Por një përgjigje të përgjithme , që gjithsesi për ju mund të tingëllojë disi e çuditshme, mund të japim: Shqipëria dhe shqiptarët kanë patur një fat dramatik historik.Vetëm në këtë kontekst mund të shpjegohen ato që u thanë më lart. Ata kanë qenë objekt i sulmeve e pushtimeve të pandërprera deri në vitin 1944, kur Shqipëria u çlirua përfundimisht. Sidoqoftë, fatal për kulturën shqiptare ka qenë pushtimi i gjatë turk prej afro pesë shekujsh, që i preu Shqipërisë lidhjet e natyrshme me Evropën dhe krishterimin.

Megjithë këtë duel të pafund midis luftës për asimilim të të huajve dhe rezistencës shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve, një ndeshje sfilitëse kjo, prapë se prapë,kultura popullore, që është dhe baza e kulturës kombëtare, mbijetoi. Ajo mbijetoi në artin e madh të popullit, në këngët dhe vallet popullore, në legjendat dhe përrallat e mrekullishme. Mjafton të pohojmë se shqiptarët kanë një nga eposet më të mëdhenj tëBallkanit ,”Eposin e kreshnikëve”, që është një cikël këngësh fantastike legjendare, kronikë e jetës arkaike shqiptare, një enciklopedi e jetës, punës, luftës dhe dashurisë.

Folklori shqiptar është shumë i pasur. Pjesa më e madhe dhe esenciale e tij i rezistoi asimilimit turko-aziatik. Në mungesë të gjuhës së shkruar, si për kompensim,shqiptarët krijuan një folklor të madh, si autobiografi të tyre. Ata që kanë rënë në kontakt me të janë befasuar nga bukuria , eleganca dhe delikatesa e tij.

Muza e shqiptarëve shpesh ka qenë e egërsuar nga hallet dhe brengat e mëdha,e përshkuar nga një epicitet tragjik , sepse shpesh ajo ka qenë e përgjakur nga invadimet e huaja. Megjithatë, gjersa shqiptarët mbijetuan, kjo i dedikohet identitetit të tyre kulturor, vetdijes së tyre të lartë si popull, kulturës së tyre të lashtë. Lidhur me specifikat e kësaj kulture, shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare, i përkthyer në shumë gjuhë të botës(edhe në italisht)në essenë e tij të njohur”Autobiografia e popullit në vargje”ka shkruar:” Për shumë shekuj me radhë poezia popullore ka qenë për njeriun shqiptar kronikë e jetës së tij, historia, dijet, morali, urtësia, arkivi, kujtesa kombëtare”.

Identiteti i kulturës shqiptare buron në radhë të parë nga ajo që atë e krijon një popull i veçantë-shqiptarët, që ka gjuhën e vet, historinë e vet, etikën , zakonet dhe moralin e vet. Identiteti shfaqet në radhë të parë në atë që gjithçka që krijohet, ekzekutohet dhe shfaqet shqip (në gjuhën shqipe). Ai shfaqet në mënyrën origjinale të jetesës, në zakonet e veçanta në ngjarje të rëndësishme të jetës së njeriut, si në ceremonitë e dasmave dhe vdekjeve, në mënyrën e të këndurit të këngëve dhe ekzekutimit të valleve. Për shembull: Veriu i Shqipërisë këndon solo apo duet, shoqëruar dhe me çifteli ose lahutë (vegla muzikore popullore me tela të ngjashme me mandolinatat ose violonçelat), ndërsa Shqipëria e jugut këndon në grup, ku secili ka detyra të përcaktuara. Këtu evidentohet solisti dhe isoja, mërmërima e grupit kur solisti këndon, që është një miratim i solistit, një “visto” me fjalë të tjera. Një krahinë e veçantë, Labëria, Vlora, karakterizohet nga kënga polifonike. Grupi e këndon këngën pa vegla muzikore, por harmonizimi i zërave është perfekt. Kjo ka tërhequr vëmendjen e muzikologëve të huaj. Kurse në zona të tjera kënga polifonike jugore shoqërohet edhe me vegla muzikore (Orkestër). Forma e të kënduarit pa orkestër e grupit është shumë e lashtë.

Kjo kulturë origjinale shfaqet gjithashtu në vallet popullore, në kostumet e mrekullishme ku dominojnë ngjyrat e forta (e kuqja, e bardha , ezeza) dhe kombinimet plot kontraste. Është për t’u theksuar se, ndonse një kulturë unike nga përmbajtja, nga thelbi , është shumë diverse për nga format e shprehjes. Kjo duket kudo: edhe në letërsinë, edhe në muzikën , edhe në pikturën shqiptare.

Zotërinj kolegë,

Shqipëria është një vend i vogël, por me një larmi të madhe shfaqjesh, qoftë në natyrën e vendit, qoftë në kulturë. Shqiptarët, në raport me madhësinë e popullit dhe vendit, kanë një prodhimtari kulturore të admirueshme. Por identiteti kulturor shfaqet jo vetëm në atë që quhet bota kulturore shqiptare në tërësi, por edhe në individualitetet e personalitetet e shquar të historisë e të kulturës që ka nxjerrë Shqipëria.

Le të përmendim disa prej tyre:

Gjergj Kastrioti Skënderbeu-heroi kombëtar i shqiptarëve,(1405-1468). Për 25 vjet rresht udhëhoqi shqiptarët në beteja të pabarabarta heroike me hordhitë e sulltanëve tuq, duke gozhduar forcat e tyre kryesore në Shqipëri dhe duke penguar marshimin turk drejt Europës së krishterë dhe prandaj papa e quajti Skenderbenë “kalorës i krishterimit.”

Humanisti i madh Marin Barleti, që ka shkruar e botuar në Venedik veprën “Rrethimi i Shkodrës”(De obsidione Scodrensi,Venedik 1504),”Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut”,Istoria de vita et rebusgestis Scanderbegi,Roma 1510.

Po kështu një tok klerikësh katolikë të ndritur si Frano Bardhi, humanist, leksikograf, botoi në Venedik veprën “Gjergj Kastrioti i Epirit, i quajtur përgjithësisht Skënderbeg, princ shumë trim e i pathyeshëm i shqiptarëve(Georgius Castriotes Epirensis, vulgo Scanderbeg, Epirotarum Princeps fortissimus ac invincitivimus); Pjetër Budi, klerik katolik dhe poet , botoi në Romë tri vepra në gjuhën shqipe:”Doktrina e kërshtenë “1618, “Pasqyra e të rrëfyemit”,1621,dhe” Rituali roman” 1621; Pjetër Bogdani , klerik katolik, shkrimari më i shquar i letërsisë së vjetër shqipe, poet. Studioi në Romë, ku u doktorua në teologji dhe filozofi.Vepra e tij “Çeta e profetëve “(Cuneus prophetarum) u botua më 1685 në Padova. Më 1677 ishte kryepeshkop i Shkupit.

Në pikturë: Onufri (Shek. i 16-të) i shquar në pikturën murale dhe atë të ikonës, çoi më tej arritjet e artit paleolog. Pikturoi afresket e mëdha”Pantokratori”dhe”Shën Mëria.”Permendet për të kuqen e paimitueshme.

Ibrahim Kodra, piktor i famshëm modern, postkubist. Jeton e krijon në Itali (Milano). Një grup poetësh e personalitetesh të mëdha të Rilindjes shqiptare si N.Frashëri ,Gjergj Fishta, Migjeni, poetë të përkthyer dhe jashtë Shqipërisë.

Fan Noli, prift ortodoks, një figurë brilante e letërsisë dhe kulturës shqiptare, poet, përkthyes, kritik arti, politikan, oraror, kryeministër i së parës qeveri demokratike që doli nga revolucioni demokratiko-borgjez i 1924. Shqipërues i Shekspirit dhe Omar Khajamit, autor i kritikës së famshme “Betoveni dhe revolucioni francez”të vlerësuar nga B.Shou, dramaturg i njohur anglez.

Jeronim de Rada1814-1903) themelues i kulturës arbëreshe në Itali, poet shquar, estet, publicist. Nxori të parën gazetë shqiptare “L’albanese d’Italia”. Po kështu Gavril Dara, poet arbëresh (Siçili), luftëtar për bashkimin e Italisë. Mik i Garibaldit, i cili e emëroi sekretar të përgjithshëm në qytetin Xhirxhenti më 1860. Më 1862 këshilltar i prefekturës së Palermos.

Xhon Belushi, aktor i njohur amerikan me origjinë shqiptare.

Aleksandë Moisiu, aktor më famë botërore me origjinë shqiptare, ka luajtur me sukses në teatrot e Vjenës dhe Berlinit në vitet 30 të këtij shekulli.

Kultura dhe letërsia shqiptare përfaqësohen sot denjësisht nga shkrimtari i shquar I.Kadare, disa herë kandidat për çmimin Nobel, i botuar edhe këtu, në Itali me veprat “Kështjella”dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur.”Ky autor është përkthyer në mbi 30 gjuhë. Një shkrimtar tjetër i njohur shqiptar është dhe D.Agolli me romanin satirë “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo,” të botuar e vlerësuar në Francë e Gjermani, që e gjetëm edhe këtu në Leçe,etj.

Të nderuar kolegë,

Kjo ishte shumë shkurt ajo që unë u përpoqa t’ju bëj të njohur në lidhje me identitetin e kulturës shqiptare. Kuptohet që, siç e përmenda edhe krye të këtij kumtimi informativ, është e vështirë të trajtosh bindshëm një temë të tillë në pak faqe, aq më pak para jush, që, për arsye të shumta, e sidomos për atë të izolimit për një kohë të gjatë të Shqipërisë nga bota perëndimore, i keni njohuritë për këtë kulturë, të pakta.

Do të isha i lumtur nëse, sado pak, kjo do t’ju ngjallte më tej kuriozitetin për kulturën shqiptare, kontakti me të cilën nuk do t’ju zhgënjejë.

Petrit Qejvani, 24 tetor 1994, Santa Cesarea Terme, Lecce -Itali(Mbajtur në takimin e përbashkët të mësuesve dhe pedagogëve shqiptarë dhe italianë në kuadrin e seminarit “Dialog midis dy kulturave”) nën kujdesin e shoqatës “Agimi”

P.S. Shih për këtë gazetën “La gazzetta del mezzogiorno,”26 tetor 1994 f.12

Next Post

MBI FIZIONOMINË POETIKE TË ALI ASLLANIT

Die Maj 27 , 2012
MBI FIZIONOMINË  POETIKE TË ALI ASLLANIT, nga Petrit Qejvani  Për Ali Asllanin është folur e shkruar jo pak, përkundër pandehmës së krijuar për shkak të heshtjes gati 50 vjeçare të periudhës së socializmit. Ndonëse edhe atëhere diçka është pohuar rreth veprës së tij në hyrje të dy-tre botimeve të seleksionuara, […]
PetritQejvani