Naim Frashëri – Poeti dhe atdhetari

PetritQejvaniTë flasësh për Naim Frashërin, asnjëherë nuk është e tepërt, është aq e lehtë dhe e vështirë njëkohësisht. Ndërkohë, të shkruash diçka të re është një kurth që i ngreh vetes, pasi për Naimin është folur e shkruar shumë dhe ndoshta më shumë se për cilindo krijues tjetër, dhe të shumtën e herëve është folur mirë dhe meritueshëm, me kompetencë, argumente, por edhe me dashuri. Për veprën e tij kanë folur e shkruar studiues e figura të respektuara të gjykimit e të analizës kritike të veprës së tij, mendimi i të cilëve përbën një konstante pohuese të vlerave të veprës së tij poetike, thuajse në mënyrë shteruese në kolonat kryesore. Dhe këtu kam parasysh ndihmesa të çmuara të studiuesve të njohur Dh. Shuteriqi, J. Bulo e posaçërisht akademikun Rexhep Qose. Ndërsa për çështje imcake “teknike” mund të diskutohet ende… Dhe siç ndodh gjithnjë me të mëdhenjtë, nuk mungojnë edhe zërat kundër tyre. Këta zëra, ndonëse të rrallë e të vjetër, arrijnë të dëgjohen edhe sot, zëra që kërkojnë të zbehin portretin poetik të poetit shenjtor, të cilët janë, jo vetëm të izoluar, por edhe pa jehonë në botën letrare shqiptare dhe në opinionin publik. Në këtë përvjetor të 160-të të lindjes së poetit, kjo fjalë e imja, më tepër se pretendim për të thënë patjetër diçka të re, është një përshëndetje që bëhet me nderim të veprës së pavdekshme poetike dhe atdhetare të N. Frashërit.

Si çdo shqiptar i ndërgjegjshëm, edhe unë shpesh kam pyetur veten se çfarë e bënte dhe e bën N. Frashërin kaq të dashur për shqiptarët? Ndoshta me të dashurin nga njerëzit e shquar të këtij vendi. Natyrisht, është poezia e tij që të çon te Naimi, ashtu si Naimi vjen te ne nëpërmjet poezisë. Por poetë Shqipëria ka pasur edhe para N.Frashërit e, sigurisht edhe pas tij. Dhe të mirë. Atëherë cili është “sekreti” i dashurisë së një populli për më shumë se një shekull për poetin e tij më të dashur? Vetëm poezia?! Është ajo dhe jo vetëm ajo. Çelësi, mesa duket, është diçka tjetër: është raporti poet-atdhe, individ-popull, është përqasja e veçantë që i bën poeti.

Shqipërisë, ku duket se ai individualen, personalen, pjesoren e sakrifikon pa mëdyshje para atdhetares. Sigurisht të gjithë e duan atdheun. Dhe kjo është e padyshimtë, siç është e padyshimtë që ne të gjithë duam prindërit tanë, shtëpinë tonë, siç duam edhe veten tonë. Por kjo nuk është një dashuri konstante dhe e barabartë për të gjithë. Sepse atdheu duhet me fjalë, por duhet më tepër me vepra, me shërbimet që i bën atij. Dhe N. Frashëri ka qenë shërbëtor i madh i Shqipërisë. Ai i shërben atdheut pa kursyer energjitë fizike e morale (shpirtërore); ai bënte atë që donte Shqipëria dhe jo atë që donte vetë të bënte. Kështu, ai është vetëdijshëm i sakrifikuar, i gatshëm për çdo shërbim ndaj atdheut. Ai tërë jetën, po të shprehemi në mënyrë popullore, ka qenë i shqetësuar nga “meraku” për Shqipërinë.

Naimi ishte mësues, udhëheqës, ideolog, politikan, profet, moralist, diplomat (kujto vjershën “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”). Kjo shpërndarje, ky “copëtim” i tij në kaq shumë fusha, kur dihet që potencialet intelektuale të njeriut janë të kufizuara, vetiu do të kishin koston e tyre në cilësinë e realizimit të secilës prej tyre e koston më të madhe do ta paguante patjetër poezia si një fushë tekanjoze dhe delikate, si thelb i mendimit dhe shprehjes së hollë njerëzore.

Naimi e do shumë Shqipërinë dhe prandaj shqiptarët e duan shumë Naimin. Flas në të tashmen pasi, si poet, Naimi është i gjallë, ashtu sikurse thoshte vetë në “Fjalët e qiririt”

“Kur më shihni se jam tretur

Mos pandehni se kam vdekur,

jam i gjallë e jam në jetë

jam në dritë të vërtetë”

Naimi i drejtohet Shqipërisë natyrshëm, fare thjesht. Dhe gjuha poetike në këtë rast është më e thjeshtë, më e sinqertë, si para nënës së vet:

“Shqipëri, o mëma ime”, thotë poeti, gjithë mall e dashuri, me tone të ngrohta e përdëllyese, si në një bisedë intime me nënën e tij.

Jo më kot thuhet se dashuritë e mëdha nuk kanë nevojë për fjalë të mëdha. Kanë nevojë për fjalë të ndjera dhe sidomos për vepra dashurie. Naimi i këndon bukur, ndonëse thjeshtë Shqipërisë. Ai këndon pa sforcime, pa poza, pasi në dashurinë për mëmën, për shtëpinë, për atdheun nuk shkojnë pozat, as artificet brilante, konstruktet e kërkuara e të mezigjetura formalisht.

Raportet e tij me Shqipërinë janë shumë të ngrohta, pasi janë raportet nënë-bir që përcaktojnë këto marrëdhënie, ku ka shumë dashuri dhe prandaj s’ka vend për retorikë, për pompozitet, për deklamacion. Sepse deklamacioni është më tepër arsye se ndjenjë. Dhe këtu kam parasysh jo krejt veprën e N. Frashërit, por veçmas poemën lirike “Bagëti e bujqësi”. Një “djalë për së mbari” kurdoherë është krenar për nënën e tij. Dhe Naimi është një i tillë. Nuk mund të harrohen e të të mos tronditin vargjet monumentale:

“Ti, Shqipëri më ep nder, më ep emrin Shqipëtar

Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr.

Shqipëria është Nordi që tërheq gjithherë shigjetën e busullës së tij poetike.

Në kohën e Naimit kishte një Shqipëri reale, të mjeruar, të shtypur, të sakatuar dhe një Shqipëri poetike të krijuar prej Naimit, të zbukuruar, të idealizuar, të parajsëzuar në kontrast të plotë me të parën. Një Shqipëri si ajo që ishte në të vërtetë, të demoralizonte, ndërsa Naimi ndërton një Shqipëri virtuale që të mobilizonte. Dhe mobilizimi ishte synimi i aksionit moral dhe atdhetar të poetit për të ndërtuar qëllimin e madh të Rilindjes Kombëtare dhe të atij vetë: Çlirimin e Shqipërisë prej robërisë, prej injorancës, prej prapambetjes së thellë. Sepse dihet që të demoralizuarit, çka ishin edhe shqiptarët në kohën e Naimit, nuk e kanë energjinë e nevojshme morale, shpirtërore për të ndërtuar aksione sulmuese, çliruese, emancipuese, gjerësisht ndërtuese. Optimizmi dhe shpresa janë shkëndija që ndez potencialet e fjetura shpirtërore, morale e pastaj ato politike, shoqërore e atdhetare, çka në fakt është ajo që kërkohej prej Shqipërisë e shqiptarëve në atë kohë dhe që e thotë poeti:

“Kam shumë shpresë

Te perëndia

Që të mos jesë

Kështu Shqipëria

Po të ndritohet

Të lulëzohet…

Dhe më poshtë jep edhe rrugën e realizimit të saj, rrugën e shpëtimit:

Vëllazëria

Edhe bashkimi

E njerëzia

Është shpëtimi…1)

Shqipëria është jo vetëm motivi themelor, por edhe muza e poetit.

“Nat’ atje është tjetër natë, edhe dita tjetër ditë. Në pyjet e gjelbëruar, atje rrinë perënditë”, – një gjetje e mrekullueshme poetike. Një Shqipëri ideale, e zbukuruar fuqishëm, vend i bukur dhe i shenjtë, do të thotë poeti, i denjë për qëndrim perëndish. Do guxim të madh poetik e qytetar që ka për bazë të vet dashurinë e pafund për atdheun që të thuash diçka të tillë, që Shqipëria është e denjë për perënditë, që Olimpi të boshatiset prej perëndive dhe Shqipëria të bëhet atdheu i tyre.

Dashuria e paanë e Naimit duket jo vetëm tek pasioni për t’i kënduar Shqipërisë globalisht (në tërësi), por edhe analitikisht (në hollësi) duke mos u lodhur së numëruari asgjë të saj, nga flora dhe fauna e vendit, nga malet dhe fushat, përrenjtë dhe lumenjtë, nga mbitoka e nëntoka e saj, duke përshkruar imagjinativisht gjithë territorin e saj (jo të sotmin e cunguar) duke përmendur edhe krahinat e qytetet kryesore të Shqipërisë (Arbërisë).

Ja hyrja e famshme e poemës, aq e njohur për shqiptarët:

“O malet e Shqipërisë e ju o lisat e gjatë

Fushat e gjera me lule, q’u kam ndërmend

Ditë e natë.

Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar

çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar”

Dhe më poshtë:

“Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë,

Vëllezërit shqiptarë që venë në punë e vijnë”.

Dhe duke iu drejtuar dallëndyshes thotë:

A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen prej Çamërie.

Me këto milera fjalë e me gluhë perëndie?

Apo vjen nga Labëria, pra me duke kaqë trime…

A po vjen nga fush’ e Korçës, nga vend i mir’ e i gjerë

A më vjen prej Malësie, prej Skarpar, prej Dobreje

Nga Vijosa, nga Devolli, prej Vlor’ e prej Myzeqeje?

Për me marrë drejt Shkumbinë edhe’ Elbasan e Tiranën,

Kostur, Përlep, Follorinë, Dibër, Ipek e Jakovën,

Mat’ e Ysqyp e Prishtinë dhe Mirdit’ e Tetovën”.

E më poshtë pastaj përmend me radhë Krujën e Skënderbeut dhe Lezhën, e deri Ulqinin e pushtuar nga malazezët. Por dihet që talenti, edhe ai poetik, nuk shkon gjithnjë paralel me patriotizmin, nuk është në të njëjtin nivel. Porse të shkrihesh njëmend për atdheun tënd, të digjesh nga dashuria për të, të krijosh një atdhe jo vetëm figurativisht, së jashtmi, si peizazh, por ta krijosh atë edhe shpirtërisht, ta zbukurosh atë kur ai është në mjerim, kjo nuk bëhet thjesht me talentin poetik, por kërkon dhe një “talent” tjetër, “talentin” atdhetar (talentin e “të dashurit” të atdheut) dhe në këtë “talent” Naimi është i pashoq. Dhe prandaj ai është i gatshëm të shkrihet si qiriri për njerëzinë d.m.th. shqiptarët (Shqipërinë)

“Që t’u ap pakëzë dritë

Natënë t’ua bëj ditë”

Kjo poezi simbolike alegorike është kredoja e N. Frashërit, është “Kodi” që zbërthen gjithë kumtin e veprës së tij poetike. Pa retorikë, pa përbetime për të fituar pikë atdhetarie, pa interes personal, por për të kundërtën, për t’i sakrifikuar ato, i “Përuluri i madh” para shqiptarëve dhe Shqipërisë, si asnjëherë tjetër, na shfaqet çuditërisht jo modest, i bindur për kontributin e vet ndaj kombit të vet dhe bashkëkombësve të tij. (Natënë t’ua bëj ditë). Dhe kjo është një ndërmarrje e madhe, titanike që nuk mund ta bëjë një “qiri”…

Vlera e mesazheve të veprës së Naimit sot Ose ç’i thotë N. Frashëri kohës sonë: Kontributi i një poeti dhe vlera e tij nuk mund të ndahen nga mesazhi apo mesazhet e veprës së vet. Mesazhi i parë dhe më i madh i poetit është; “Të ngjallim Shqipërinë” sikurse shprehet në vjershën “Gjuha jonë”.

Vëllezër shqipëtarë,

Të prekim urtësinë

Të zem’ udhën e mbarë

Të ngjallim Shqipërinë.

Naimi me mesazhet e veta në përgjithësi si ai i përsosjes morale, i kultivimit të së mirës, i shkuljes së të keqes, gënjeshtrës, errësirës, e sidomos me mesazhin atdhetar është bashkëkohës i madh yni. Ai kërkon një Shqipëri “zonjë” në kuptimin e plotë të kësaj fjale: një Shqipëri të lirë, krenare, të përparuar, dinjitoze përballë kombeve të tjera, ku njerëzit të jenë të lirë, të arsimuar, të kulturuar, të iluminuar dhe, mbi të gjitha, të duan njëri-tjetrin, “si vëllezër”. Prandaj kjo fjalë është e shqiptuar prej tij. Por, që të ngjallim, “të bëjmë” Shqipërinë, në fillim duhet “të zëmë udhën e mbarë” siç porosit poeti, pasi Shqipëria nuk bëhet po qe se shqiptarët nuk ndryshojnë sjelljen, po qe se ata nuk sillen mirë me njëri-tjetrin dhe me Shqipërinë. Dhe kuptohet që kjo nuk është një sjellje dosido, por një sjellje diturore, politike dhe patriotike.

Lum kush të rrojë

Ta shohë zonjë…

Kjo nuk është vetëm dëshirë, por edhe besim i poetit tek e ardhmja e ndritur e Shqipërisë, një mesazh i madh shpresë në një kohë të mugët. Para kësaj pasqyre të mesazheve të Naimit ne shqiptarët e sotëm nuk do të dukeshim fort mirë dhe do të na skuqej faqja nëse do të ishim të ndjeshëm dhe të ndërgjegjshëm, aq sa duhet për gjendjen tonë aktuale, ndonëse prirjet drejt së mirës nuk mungojnë…

Megjithatë, nga koha e sotme duket se mesazhet e poetit janë aktuale dhe, bile, disa të paplotësuara… Dhe kjo, veç të tjerash, edhe për fajin e vet shqiptarëve që grinden, këtë zakon me sa duket historik, e vazhdojnë edhe sot e kësaj dite… duke harxhuar energji për të penguar e përbaltur njëri-tjetrin e duke mos lënë pa cenuar figura të tilla si Naimi, Noli, Kadare, Agolli, Qosja dhe duke përhapur një imazh të palakmueshëm të Shqipërisë në botë. Detyrë imediate e elitës së sotme intelektuale është pastrimi i vetes (katarsisi) si dhe pastrimi i atmosferës prej baltës së prodhuar reciprokisht për të ndotur njëri-tjetrin dhe rrjedhimisht Shqipërinë. Askush nuk mund të pastrohet duke ndotur të tjerët.

Mund të përmendim si detyra ende të paplotësuara; integrimin e brendshëm (atë ndërshqiptar, në Shqipëri e Kosovë) pastaj integrimin Shqipëri-Kosovë e mandej integrimin e shqiptarëve në Evropë, detyrë e paplotësuar prej nesh, ndërkohë që kemi një atdhe jo të plotë ende…

Në kohën e sotme, po aq sa kur ishte gjallë, N. Frashëri u duhet shqiptarëve me këshillat e me mësimet e tij të thjeshta e të mëdha që “të shkrihemi” për Shqipërinë dhe jo të “shkrijmë” Shqipërinë për veten (dukuri kjo jo hipotetike sot) u duhet si model i qytetarit me moral të lartë, me shpirt të madh dhe sidomos me “prometeizmin” e tij, siç e ka përcaktuar qartësisht bukur prof. Rexhep Qosja. Në kohën tonë me krizë morale të shoqërisë shqiptare, përsosja morale është antidoti më i mirë, jeta dhe vepra e N. Frashërit është modeli më i vyer. Thënë ndryshe, për të bërë një Shqipëri më të mirë, tek secili nga ne duhet pak më tepër N. Frashëri.

Pa njerëz me moral të shëndoshë nuk ka atdhe të shëndoshë. Por në këtë kohë pragmatike dhe egërsisht materialiste (në kuptimin më të keq të fjalës) ku “era” e parasë është muza kryesore e shoqërisë dhe e individit, unë e kuptoj shumë mirë që idealizmi i N Frashërit duket diçka fantastike dhe utopike, kurse ne të tjerët, që merremi me këto punë, dukemi si jashtëtokësorë!…

Megjithatë, unë besoj në këtë vend, ashtu si kudo në botë nuk ka vdekur ende mirësia, bukuria shpirtërore, miqësia e vëllazëria, solidariteti, ndonëse sot janë në minorancë. Por të shikosh përtej së keqes e të sotmes, është detyrë e intelektualit të vërtetë.

Nga mesazhet e N. Frashërit duhet të mësojë në radhë të parë elita shqiptare intelektuale e sidomos ajo politike, e cila duhet të provojë para shqiptarëve se atdheun e do jo vetëm me fjalë…

Parë me syrin e botës së sotme gjithnjë e më globale, ka rrezik që patriotizmi të duket një relike e romantikës nacionaliste sesa një ndjenjë e përhershme dhe N. Frashëri të duket po ashtu anakronik, bashkë me patriotizmin e tij.

Prandaj dhe kjo është një arsye më shumë që t’i ruajmë e t’i selitim më mirë “rrënjët” tona për të mos u tharë në një botë gjithnjë e më globaliste e kozmopolite, sepse “pa rrënjë” do të thotë “pa identitet”. Prandaj te poema “Parajsa” Naimi thotë:

“Parajs’ e vërtetë

Është Mëmëdheu në jetë”

Prandaj, edhe një herë vepra e tij, sidomos “Bagëti e bujqësia”, është ungjilli ku duhet të gjejnë forcën morale shqiptarët, ta lexojnë e rilexojnë e ta mësojnë edhe përmendësh për të larguar pesimizmin kolektiv, se ky vend, i injektuar nga tranzicioni i gjatë dhe dramatik s’bëhet. Përkundrazi bëhet duke shtuar dashurinë për njëri-tjetrin dhe Shqipërinë.

1 “Shpreh” N. Frashëri “Vepra të zgjedhura” V.I. Tiranë 1980, f. 1962

 

Petrit QEJVANI

PERLA – Revistë shkencore – Kulturore tremujore

Viti XI 2006 Nr. 2 (41) fq. 36-44

Botuesi: Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” – Tiranë

Next Post

SHQIPTARËT DHE “GJUHA E TJETRIT”

Hën Maj 28 , 2012
Më 4 nëntor gazeta “Shqip” botoi një artikull të Monika Stafës me titullin intrigues “Gjuha e tjetrit” një ndër 12 pikat”. Qysh në fillim duhet thënë se duke lexuar edhe disa shkrime të tjera të saj, parapëlqeva të mendoj se edhe kësaj radhe do ta lexoja me interes dhe kënaqësi […]
PetritQejvani