Ndokujt mund t’i duket i çuditshëm ky titull. A mund të vihet në diskutim vlerësimi dhe kujtimi i veprës sublime të dëshmorëve? Sigurisht që jo, por për t’i dhënë kuptim më të plotë kësaj pyetje, le të njihemi me marerialin e mëposhtëm.
Ashtu si edhe vite më parë në faqet e fb-ut të shoqatës “Kallarati” në ditët e përvjetorëve të rënies së dëshmorëve të Kallaratit, janë hedhur vlerësime të jetës së tyre, siç qe rasti i datës 20 janar 2022 në kujtim të dëshmorit HALIL DINE HABILAJ, rënë në luftime me gjermanët në Protopapë të Korçës më 20 janar të vitit 1944. Por ky fakt sikur ka irrituar disa njerëz, kryesisht të moshës së re, ndoshta edhe me të njëjtën moshë me ata që sakrifikuan rininë e tyre për Shqipërinë e lirë e sovrane. Njerëzit me të vërtetë janë të lirë të shprehin mendimet e tyre, por të paktën në këtë pikë duhej të tregoheshin më të njerëzishëm. Dëshmorët dhe heronjtë nderohen e vlerësohen në çdo vend të botës dhe janë krenaria dhe identiteti i tyre. Dëshmorët nderohen çdo vit e nuk ka kufij se kanë kaluar kaq e aq vjet dhe jo të gjithë janë të periudhës së komunizmit. Dëshmorët kallaratas të vitit 1914 nuk shkuan të luftonin grekërit në Greqi, por luftuan dhe dhanë jetën për mbrojtjen e fshatit të tyre nga andartët grekë. Dëshmorët e luftës së Vlorës të vitit 1920 nuk shkuan të luftonin italianët në Itali, por erdhën italianët në Vlorë. Këta dëshmorë të kësaj periudhe dhe dëshmori i fundit i viteve të demokracisë i vitit 1998, të gjithë kallaratas, ç’lidhje kanë me komunistët!! Po dëshmorët e tjerë të luftës nacionalçlirimtare, edhe pse në krye të luftës ishte Partia Komuniste, a nuk duhen kujtuar e nderuar? Ata e dhanë jetën për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Ata nuk shkuan të luftonin kundër gjermanit në Gjermani, a kundër italianëve në Itali, por luftuan kundër gjermanëve e italianëve që erdhën në Shqipëri si pushtues. Dëshmorët kallaratas nuk e dhanë jetën në Kallarat, por në gjithë vendin nga jugu në veri e deri matanë kufijve tanë veriorë.
Pushtuesi grekë, italianë e gjermanë nuk erdhën për turizëm në Shqipëri dhe as për punë, siç shkuan shqiptarët pas viteve 90-të, por erdhën si pushtues, të armatosur, me pushkë, me mitroloza, me topa e mortaja, me tanke, me avionë e anije luftarake. Të gjithë ata që luftuan ndaj këtyre pushtuesve, a nuk duhen vlerësuar? Të gjithë ata që dhanë jetën në këtë luftë, a nuk duhen kujtuar? Të paktën një kujtesë në ditën e rënies të tyre, mendoni se nuk e meritojnë!? Po një buqetë me lule te varri i tyre, mendoni se nuk e meritojnë!? Nëse nuk bëni dot ato të parat, të paktën kur shkruhet për dëshmorët në facebook, nëse nuk dëshironi të bëni një “like” ose një koment pozitiv për kontributin e tyre, të paktën heshtni.
Dëshmorët e luftës, edhe në vitet e demokracisë, janë kujtuar e nderuar nga të gjitha qeveritë të majta e të djathta. Në çdo 5 maj të dy palët e partive politike, pavarësisht qëndrimeve pro e kundra për çështje të tjera, shkojnë e përulen para varreve apo simboleve të ngritura në kujtim të tyre.
Të paktën të marrim shembull nga të huajt se si i nderojnë të rënët e kombit të tyre. Sa për dijeni në Tiranë, te Kodrat e Liqenit Artificial, ndodhen varret e rreth 60 ushtarëve gjermanë dhe të 46 ushtarëve anglezë rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. A e dini se ata kujtohen e nderohen çdo vit? A e dini se në nekropolin e Korçës prehen eshtrat e 640 ushtarëve të rënë për Francën në Ballkan nga viti 1916 deri në vitin 1918? Homazhet në këto tre pika kanë hyrë në protokollin e shtetit dhe përkujtohen me homazhe të organizuara nga ambasadat gjermane, angleze e franceze, ku marrin pjesë autoritete të larta shtetërore shqiptare.
Kur këto shtete përkujtojnë çdo vit ushtarët, pra dëshmorët e tyre, rënë për idealin e kombit të tyre, jashtë tokës së tyre, po ne shqiptarët (kallaratasit), a nuk duhet t’i kujtojmë dëshmorët tanë, rënë në tokën tonë për një ideal tepër të lartë, atë për mbrojtjen e trojeve shqiptare (kallaratase) nga pushtuesit e huaj!?
Për çdo komb të qytetëruar dëshmorët janë lavdia e krenaria e tij, janë ndër vlerat më të çmueshme, që nderohen nga të gjithë. Në historitë, enciklopeditë e botime të ndryshme, kudo atyre u kushtohet vëmendje e veçantë. Për ta janë shkruar e vazhdojnë të shkruhen libra, monografi e artikuj pafund. Kudo nëpër sheshet e kryeqyteteve e qyteteve të Evropës e më gjerë, sheh monumente, buste e pllaka në kujtim të tyre, rrugë e sheshe, shkolla e institucione me emrat e tyre. Në shumë institucione, shkolla e universitete janë të shkruar me germa të arta emrat e dëshmorëve ta dalë prej aty, ashtu siç është vepruar në fakt edhe në vendin tonë.
Përveç dëshmorëve dhe partizanëve kallaratas, tashmë të evidentuar, të inkuadruar në formacionet e ndryshme të ushtrisë nacionalçlirimtare, a ka të tjerë kallaratas që kanë kontribuar për Kallaratin gjatë luftës nacionalçlirimtare, por edhe më parë? A ka patur të persekutuar gjatë sistemit të kaluar? Po patjetër që duhet të ketë, prandaj çdo njëri është i lirë të shkruaj e vërtetojë me fakte kontributin ose persekutimin e tyre, edhe nëse deri më sot u është mohuar. Por të flasim me emra dhe fakte konkrete dhe jo në përgjithësi. Nëse keni shkrime të tilla, jemi të hapur t’i pasqyrojmë pa asnjë mëdyshje në fb dhe gazetën Kallarati me emrin tuaj, ashtu siç kemi vepruar në jo pak raste, të cilat i dini mjaft mirë. Pa fakte konkrete askush nuk mund të hedhë tymnaje dhe ta quaj shoqatën “Socialiste” apo “Komuniste”. Shoqata Kallarati është shoqatë atdhetare dhe kulturore, e themeluar në vitin 2003 nga një grup nismëtarësh me në krye, intelektualin e shquar, kallaratasin Gafur Shameti, i cili nuk pat qenë asnjë ditë komunist, përkundrazi, apo kryetari aktual Kastriot Karabolli edhe ky asnjë ditë komunist, të cilët e drejtuan dhe drejtojnë shoqatën jo për përfitime materiale e morale, por veç ndjenjës së patriotizmit dhe dashurisë së tyre ndaj fshatit të origjinës të baballarëve të tyre, pasi asnjëri prej tyre nuk ka lindur në Kallarat.
Shoqata dhe gazeta e saj i përmbahen me korrektësi misionit të saj, njohur në gjykatë në ditën e themelimit e të regjistrimit, ku në nenin 4 thuhet se, “Shoqata ka për detyrë të përkujtojë dhe nderojë dëshmorët e fshatit që kanë dhënë jetën në mbrojtje të lirisë e pavarësisë”
A mund ta quajmë shoqatën Komuniste/Socialiste, siç shkruajnë disa komentues?
Për çfarë e quani të tillë?
- Se kryesia e saj dhe redaksia e gazetës mbahen nga njerëz vullnetarë, pa asnjë përfitim, që harxhojnë kohë dhe e kryejnë atë detyrë veç ndjenjës së dashurisë ndaj Kallaratit.
- Se shkruan për njerëzit e luftës, të punës dhe të demokracisë.
- Se shkruan për kallaratas pa dallim, që kanë bërë emër dhe ngritur lart emrin e Kallaratit, në arsim, kulturë, shkencë, shëndetësi, ushtri, sport, bujqësi, blegtori, ndërtim, etj brenda e jashtë vendit.
- Se përkujton data historike të jetës në fshat.
- Se organizon takimin e brezave përafërsisht çdo dy vjet,
- Se njofton bashkëfshatarët e vet për ndarjen nga jeta e përvjetor të njerëzve të tyre të afërt.
- Se paçelur ende mirë dita u bën një urim gjithë anëtarëve të fb që kanë ditëlindjen.
- Se shkruan e jep informacione për brezin e ri kallaratas që bën emër brenda e jashtë vendit.
- Se ka çelur dhe mban uebsajtin www.kallarati.com, falë kontributit të biznesmenëve kallaratas dhe e pasuron atë vazhdimisht, që rrallë fshatra e kanë.
- Se hedh foto e albume nga natyra dhe jeta në fshat.
- Se kujton këngët e kënduara nga grupet e Kallaratit.
- Se shpërndan lajme të ndryshme të aktualitetit shqiptar e më gjerë.
- Se mban lidhje me shoqatat e tjera të krahinës.
- Se pasqyron botimet e reja të bashkëfshatarëve tanë.
- Se bën dokumentarë të ndryshëm për Kallaratin.
- Se ngre zërin në instanca të ndryshme shtetërore për probleme jetike që shqetësojnë banorët e sotëm në Kallarat.
- Se u propozon institucioneve të qeverisjes lokale e qendrore dhënien e titujve të nderit figurave të shquara të Kallaratit ndër vite.
- Se pasqyron në fb çdo numër të ri të gazetës që ta lexojnë kudo që ndodhen bashkëfshatarët tanë, etj.
Ky është halli që ju shqetëson? Por jo, halli i ndonjërit nuk janë këto që rreshtuam më lart, halli i tyre është mosdakortësia e pëmendjes e pasqyrimit të jetës së dëshmorëve kallaratas në facebook-un dhe gazetën Kallarati.
Por duke i dhënë përgjigje pyetjes retorike, parashtruar në titullin e këtij shkrimi “A duhen kujtuar e vlerësuar dëshmorët e Kallaratit ”?, përgjigjia është se dëshmorët dhe heroi ynë do të përmenden dhe do të kujtohen brez pas brezi se e meritojnë. Ata do të kujtohen kushdo që ta drejtojë shoqatën, sepse është detyrim i përcaktuar në misionin e shoqatës, konkretisht në nenin 4 në ë cilin citohet: “Shoqata ka për detyrë të studiojë dhe propagandojë rolin dhe ndihmesën e kallaratasve në të gjithë historinë e luftërave të popullit shqiptar. Të përkujtojë dhe nderojë dëshmorët e fshatit që kanë dhënë jetën në mbrojtje të lirisë e pavarësisë. Të evidentojë dhe propagandojë figurat e shquara të bijve dhe bijave të këtij fshati si politikanë e shtetarë, shkencëtarë, artist, sportist etj”.
Shoqata ka për qëllim bashkimin e kallaratasve kudo që janë pa bindje partiake, prandaj le të bashkohemi të gjithë rreth saj edhe pse aktualisht ndodhemi anembanë botës. Ajo që na bashkon të gjithëve është dhe mbetet, dashuria për vendlindjen tonë ose të parëve tanë, KALLARATI.
Faleminderit të gjithëve për kontributin dhe mendimet, përfshirë edhe ato kundra, të cilat do të jenë në vëmendjen e kryesisë së shoqatës për të qenë sa më objektiv në trajtimin e problemeve që kanë të bëjnë me të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e Kallaratit.
Kryesia e Shoqatës “Kallarati”