AGIM ”KALLARATI”, REALIZON MEMORIALIN E GREQISË SALENTINE NË LEÇE TË ITAISË.

Nga Besnik GJONBRATAJ

Jo më kot e kemi cilësuar edhe në shkrime të tjera që, Agimi tashmë në çdo punim që bën me krenari identifikohet me emrin mjaftë kuptimplotë e të bukur, “AGIM KALLARATI”. Punimet e tij prej guri në Leçe të Italisë, e kanë bërë të njohur si një mjeshtër i vërtetë i gdhendjes artistikisht të gurit, punimet e të cilit kanë kaluar deri në Amerikë, Kanada e patjetër në Evropë.

Para pak ditësh Agimi realizoi një memorial, kushtuar 12 fshatrave me origjinë greke në zonën e Leçes  Itali, ku në përurimin e tij mori pjesë edhe Presidentja e Greqisë, Shkëlqesia e Saj, Katerina Sakellaropoulou, e cila i shprehu Agimit falënderimet e saj për punimin e realizuar.

Siç tregon vetë Agimi, kur ajo e pyeti. Italian jeni? Jo – jam shqiptar, jam Agim Kallarati- iu përgjigja me plot krenari. Edhe pse shprehu një farë habie, ajo vlerësoi shumë punimin e kryer.

Me të drejtë mund të pyesni. Përse presidentja e Greqisë në këtë përurim memoriali në Itali?

Në Leçe, ku punon e jeton Agimi, ndodhen rreth 12 komuna (fshatra) me origjine greke. Nisur nga emri i mirë, që Agimi ka bërë në realizimin e shumë punimeve artistike prej guri, i kërkuan kompozimin dhe bërjen e një monumenti me stemat e të gjithë fshatrave me rastin e 20 vjetorit.

Agimi tregon se këto janë 12 fshatra për të cilat thuhet se janë me origjinë greke sepse kane folur greqisht, sidomos të vjetrit dhe me kalimin e kohës dhjetëra vjeçare, apo mund të themi dhe shekuj po fillonte të humbiste. Para 20 vjetësh u organizuan së bashku, bënë studime e gërmime dhe e rithemeluan të ashtuquajturën Greqia Salentine (Salentine sepse zona e Leçes quhet Salento, të themi si krahina e Kurveleshit apo Mesaplikut) dhe për 20 vjetorin kishin ftuar presidenten e Greqisë, zonjën Katerina Sakellaropoulou, e cila ishte e pranishme në këtë event. U bë një simpozium ku folën për historinë, lidhjet me Greqinë etj. Folën për disa hapa që kanë bërë këto 20 vjet, ndër të cilat edhe për gjuhën greke që e kanë futur në shkolla dhe në fund u inaugurua dhe monumenti që unë bëra,  i cili u pëlqye shumë, jo vetëm nga presidentja, por edhe nga të tjerët që kishin ardhur në këtë event. Nuk munguan komplimentet, qoftë nga ata që më njihnin më përpara, po ashtu edhe ata që kishin ardhur me këtë rast e më njohën aty, përfundon Agimi.

Po çfarë paraqet në vetvete monumenti?

Siç tregon Agimi, ai është krejtësisht punim artistik prej guri (pietra leccese) e ndërtuar sipas idesë së tij, me simbole të veçanta në greqisht për të treguar se në këtë zonë jeton një komunitet me origjinë të hershme greke. Në të katër faqet e kolonës janë gdhendur stemat e secilit fshat, ndërsa në bazament në dy anë të kundërta është gdhendur, në një anë simboli i Greqisë dhe në tjetrën stema e  Greqisë Salentine, ndërsa në dy faqet e tjera është shkruar në njërën italisht e në tjetrën greqisht eventin për të cilin u bë ceremonia.

Por në këtë monument, siç do t’i shikoni në foto, nuk mungon së shkruari edhe emri i autorit, Agim Mataj (KALLARATI), edhe pse në shumë punime të mëparshme për modesti Agimi nuk e shkruante emrin, por nga sugjerimet e kolegëve artistë, piktorë, skulptorë, është bindur që krahas modestisë, çdo vepër artistike, ka nevojë edhe për emrin, aq më tepër, kur vetë Agimi mbiemrin e ka për zell ta quaj “Agim Kallarati”.

Besoj duke shprehur edhe mendimin e gjithë kallaratasve, e falënderojmë Agimin për punimin e kryer, duke ngritur lart emrin e Tij, por edhe të vendlindjes, Kallaratit, duke e merituar plotësisht emrin “AGIM KALLARATI”.

Suksese në punime të tjera!

 

 

 

 

Besnik Gjonbrataj

Next Post

GURËGDHENDËSI, AGIM KALLARATI I DORËZON KYEMINISTRIT, ZOTIT EDI RAMA, NJË NGA PUNIMET E TIJ ARTISTIKE.

Sht Maj 7 , 2022
  Nga Besnik Gjonbrataj Gjatë vizitës që kryeministri i Republikës së Shqipërisë zoti Edi Rama bëri në Otranto, më 3 shtator 2021, me rastin e 30 vjetorit të eksodit shqiptar në Itali dhe përurimit të skulpturës “Kateri i Radës”, ashtu si shumë emigrantë shqiptarë që patën mundësi të shihnin e […]