SHOQATA K/A “KALLARATI” ZHVILLON ZGJEDHJET E REJA

Shoqata “Kallarati”, në mbështetje të statutit të saj, zhvilloi më 10.12.2011 mbledhjen e saj për të bërë bilancin e punës së vet, zgjedhjen e kryesisë së re dhe të redaksisë së gazetës “Kallarati”. Në këtë takim morën pjesë: Kryetari i degës së Kallaratit, Bejo Xhaferri, i degës së Vlorës Pëllumb Gjonbrati, i degës së Tiranës Rami Memushaj, i degës së Fierit Kujtim Hysi dhe mjaft bashkëfshatarë të tjerë kallaratas.

Pak histori për shoqatën dhe gazetën “Kallarati”

1Më 12 Janar 2003, me nismën e një grupi bashkëfshatarësh kallaratas me banim në Vlorë dhe me pjesëmarrje bashkëfshatarësh, përveç Vlorës edhe nga Kallarati, Fieri, Tirana, u krijua shoqata atdhetare kulturore “Kallarati”. Qëllimi i kësaj shoqate ishte dhe vijon të jetë ruajtja dhe përhapja e vlerave më të mira atdhetare e kulturore të Kallaratit. Si një bashkim i distancuar nga çdo qëndrim politik i çdo ngjyre qoftë, shoqata ka për mision të bashkojë kallaratasit kudo që ndodhen, të bëjë të njohura figurat më të shquara të Kallaratit që kanë bërë emër në historinë e fshatit, të krahinës e të vendit por edhe përtej kufijve; të kujtojë datat historike të qëndresës shumëshekullore të kallaratasve kundër pushtuesve të huaj; të kultivojë te brezi i ri kallaratas vlerat më të mira të të parëve tanë, duke përjetësuar lart emrin e nderuar të Kallaratit nën moton “Ec ngado, po Kallaratin mos e harro”. Shoqata, me qendër në Vlorë, ka degët e saj në Tiranë, Vlorë, Fier, Kallarat dhe në Greqi. Mbledhja themeluese e Shoqatës zgjodhi kryesinë e saj me kryetar njërin nga nismëtarët, intelektualin e mirënjohur, bashkëfshatarin tonë Gafur Shametaj. Ai e drejtoi Shoqatën nga viti 2003 deri në vitin 2007. Gjatë këtyre katër vjetëve Shoqata ‘Kallarati” mori formë, u konsolidua dhe u bë e njohur jo vetëm për kallaratasit brenda e jashtë Shqipërisë, por edhe më gjerë. Ajo zuri një vend të merituar përkrah shoqatave simotra të fshatrave të tjera të zonës sonë Labe. Ajo e nisi veprimtarinë e saj me një varg angazhimesh e realizimesh në dobi të fshatit e të shoqërisë kallaratase. Në zgjedhjet e dyta të radhës më 2007 në krye të Shoqatës u zgjodh Kastriot Karabollaj. Si ri në moshë dhe i pakursyer për të kontribuuar për mbarëvajtjen e Shoqatës, ai në vijim të traditës së krijuar e ka drejtuar atë me shumë përkushtim e dashuri. Gjatë këtyre viteve të veprimtarisë së saj, shoqata ka zhvilluar një sërë aktivitetesh me karakter atdhetar, historik e kulturor. Ndër to do të veçonim takimin e brezave më 2005, 2009 e 2011; përkujtimin e veprës së Heroit të Popullit Mumin Selami; bërjen e filmit dokumentar për Kallaratin; sjelljen e eshtrave të patriotit Miftar Aliu nga Selcka e Gjirokastrës në vendlindjen e tij Kallarat etj. Shoqata krijoi edhe gazetën “Kallarati”, si përçuese të zërit të saj. Për herë të parë në histori, ajo e bëri fshatin tonë me gazetë. Nën drejtimin e z. Gafur Shametit, kryeredaktor i parë i saj, dhe aktualisht të z. Seit Jonuzaj, gazeta u ka bërë jehonë jetës dhe kontributit të kallaratasve në vite.

Takim llogaridhënës dhe zgjedhjesh të reja

Kryetari i shoqatës, z. Kastriot Karabollaj, pasi falënderoi të pranishmit, mbajti raportin e kryesisë, në të cilin informoi për punën e shoqatës nga zgjedhjet e fundit, për veprimtaritë e zhvilluara në Kallarat, Vlorë, Tiranë, Fier e Athinë, për punën e redaksisë së gazetës dhe të z. Seit Jonuzaj si kryeredaktor i saj. dhe për kallaratasit që kanë sponsorizuar në shumë veprimtari të shoqatës. Në raportin e tij, z. Kastriot Karabolli theksoi: “E gjithë kjo punë nuk ka qenë e lehtë, pasi është një punë vullnetare, prandaj duhet të bëjmë më tepër për të afruar pranë saj njerëz më të rinj në moshë e në mendime, të ofrojmë intelektualët kallaratas që nuk janë të paktë në të gjithë vendin, të forcojmë marrëdhëniet me njëri tjetrin”. Duke përfunduar, ai u bëri thirrje të gjithë bashkëfshatarëve për të ndihmuar shoqatën dhe fshatin e tyre, secili sipas mundësive financiare, intelektuale apo edhe çdo lloj mënyre, me qëllim për të mbajtur gjallë dashurinë për Kallaratin dhe për t’ua transmetuar atë si një testament edhe brezave më rinj.

Ndërsa z. Sefer Jonuzaj, financier i shoqatës, mbajti raportin financiar, në të cilin tregoi për pjesëmarrësit në mbledhje “thesarin” e shoqatës nga zgjedhjet e kaluara, kuotat e paguara për anëtarësim, sponsorizimet e ndryshme, shpenzimet e bëra për gazetën dhe për çdo aktivitet tjetër. U përshëndetën dhe lavdëruan të gjithë ata që kanë kontribuar për shoqatën në shuma të ndryshme si: Selman Memushi, Shkëlqim Laçaj, Besnik Mataj, Ylli Shakaj, Niko Jovani, Idajet Toçaj, Lavdosh Jonuzaj etj.

Në diskutimet që vijuan, e morën fjalën Rami Memushaj, Seit Jonuzaj, Bejo Xhaferaj, Petrit Qejvani, Kujtim Hysi, Gafur Shameti, Xhelo Dauti, Selman Memushi, Shkëlqim Lacaj, Enver Golloshaj, Idajet Toci, Gëzim Mataj etj, të cilët falënderuan kryesinë e shoqatës për punën e bërë në këto vite, duke bërë edhe një varg propozimesh të vlefshme.

1. Në punën për afrimin e brezit të ri kallaratas në shoqatë.

Afrimi i brezit të ri ishte në thelb të çdo diskutimi. Secili brez ka vendin e vet të padiskutueshëm në histori, shoqëri e kudo. E njëjta gjë duhet thënë edhe për kallaratasit. Një brez ikën dhe lë gjurmë në brezat pasardhës. Brezi i më të moshuarve gjatë këtyre viteve të qenies së shoqatës ka dhënë ndihmesa të çmuara. Është pikërisht ky brez që ka kultivuar dhe kultivon te brezi më i ri dëshirën dhe vullnetin për ta dashur vendlindjen e tyre. Veprimtarët e këtij brezi, me nismën e tyre, kanë organizuar mjaft veprimtari me karakter patriotik për fshatin. Është ky brez që në çdo dy vjet organizon takimin e brezave. Është ky brez që mban gjallë edhe gazetën. Ky brez, që ka përballuar kohë të vështira dhe që tani përballet edhe me vështirësitë e jetës dhe të moshës, vijon të kontribuojë për vendlindjen. Por duke njohur, vlerësuar dhe çmuar këtë kontribut të pazëvendësueshëm të këtij brezi dhe të brezave të mëparshëm, për atë çfarë ata mundën të bënin për Kallaratin, i takon brezit më të ri që të dijë ta përqafojë dhe kultivojë më tej këtë atdhedashuri ndaj vendlindjes. Janë të shumtë ata kallaratas që me mënyra të ndryshme mundohen të bëjnë diçka për fshatin e tyre. Duhen përshëndetur sponsorizimet e Shkëlqim Laçajt e të tjerëve për shoqatën. Secili sipas mundësive që ka duhet të bëj diçka. Qoftë edhe mbjellja e një rrapi në qendër të fshatit nga Mirit i Ribe, në një kohë kur të tjerë sillen me pyjet më keq se pushtuesit, është një gjest fisnik dhe një shembull qytetarie. Ne mburremi dhe ndihemi krenarë kur shohim dhe dëgjojmë që Saimir Strati fiton çmimin Guinness për të gjashtën herë; ndihemi përsëri krenar kur dëgjojmë që punimet artistike në gur të Agim Matit në Itali kapërcejnë kontinentin tonë; ndihemi krenarë kur Hyso Xhaferaj me zërin e tij të veçantë pushton skenat kombëtare e ndërkombëtare, përkrah artistëve të mëdhenj si Irini Qirjako etj.; ndihemi krenarë kur shohim që Ledian Memushaj aktivizohet në skuadrën e Kombëtares, e plot e plot raste të tjera. Por është detyrë e shoqatës që këta t’i bëjë të njohur për bashkëfshatarët dhe t’i afrojë, me qëllim që secili sipas mënyrës dhe aftësive të tyre të kontribuojnë për fshatin.

Megjithëse kohët e fundit të rinjtë janë afruar më tepër drejt shoqatës, duhet ende më shumë punë që mendimet dhe sugjerimet e tyre të merren në konsideratë, pasi është një brez i ri plot talent dhe dije. Duhet të pranojmë që brezi i ri kallaratas, ndoshta për shkak të largësisë, nuk është i lidhur fizikisht me vendlindjen e tyre a të prindërve. Por, falë teknologjisë së sotme moderne të internetit, ata janë të lidhur mes tyre. Nëpërmjet faqeve të facebook-ut “Rinia e Kallaratit”, “Kallarati & Bogonica” apo “Kuvendi i Kallaratit”, ata janë çdo ditë në kontakt me njëri-tjetrin, shkëmbejnë njoftime për fshatin dhe për bashkëfshatarët e tyre, për njerëzit, këngët, sportin, librat etj. Nuk ka më bukur kur Gjena në Angli, Bastri Hoxha,Taulant Mataj, Sonia Sadikaj në Itali (ish-mësuese në Kallarat), Agron Tozaj, Ariana Dautaj (Mehmetaj), Agim Dautaj (nip në Kallarat), Natasha Qejvani, Edison Xhaferraj, Fredi Breshanaj, Doriana Strati, Saimir Mataj etj. në Shqipëri; Lavdosh Qejvanaj, Dritan Boçi, Mihal Goxhi, Xhevdet Demiri në Greqi; Shezai Qejvani e Enxhi Ferraj (mbesë në Kallarat) në Amerikë mbajnë kontakte me njëri-tjetrin për të rejat e fshatit, hapin tema debati për kohën në të cilën jetojmë, por edhe për Kallaratin. Falë kësaj teknologjie, Martin Boçi, edhe pse vuan dënimin në burg, është shumë i mirinformuar për jetën e moshatarëve të tij në Kallarat; Dori Demiri në Kallarat, me celularin e tij, shpërndan fotot e vërshimit të lumit Shushica e të mbulimit të Bogonicës me dëborë; njoftimet e gazetës “Kallarati”, foto të ndryshme, librat rinj të autorëve kallaratas, raste gëzimesh a hidhërimesh bëhen të njohura më parë për kallaratasit emigrantë sesa për ata që jetojnë e punojnë në Shqipëri.

Megjithatë, të rinjtë kallaratas kanë dëshirë që edhe fizikisht të jenë më afër me njëri tjetrin. Por nisur nga interesat e rinisë në ditët e sotme, do të pëlqenin më tepër kryerjen e veprimtarive të një natyre më tërheqëse për ta si ato kulturore, sportive sesa të mbledhjeve të gjata e me presidiume. Mbetet detyrë e përbashkët e të gjithë brezave, – u theksua në këtë takim, – për të gjetur mundësitë dhe rrugët për të transmetuar dhe lënë si trashëgimi te njëri tjetri dashurinë për familjen dhe vendlindjen, Kallaratin,

2. Në përmirësimin e cilësisë së gazetës “Kallarati”

Gazeta “Kallarati”, numri i parë i së cilës doli në mars 2003-shit, ka arritur në numrin e saj të 60-të. Për afro 8 vjetësh ajo u ka bërë jehonë kontributit dhe përpjekjeve të kallaratasve për çlirim kombëtar dhe demokraci, figurave më të shquara të këtij fshati në gjithë historinë e tij, jetës kulturore e artistike etj. Janë me dhjetëra kallaratas që kanë kontribuar me shkrimet e tyre. Gazeta “Kallarati” e nisi rrugën e vet me një numër në muaj dhe me tetë faqe, por sot del në çdo dy muaj dhe me katër faqe. Pra, ajo sot, siç u theksua edhe nga diskutuesit e shumtë, ka rrezik të mbyllet. E para, për shkak të mungesës së financimit dhe, e dyta, për mungesë shkrimesh cilësore. Kryeredaktori i saj, z. Seit Jonuzaj, që e ka mbajtur gjallë këtë gazetë, hodhi idenë që të botohet në Tiranë dhe në redaksinë e saj të ketë njerëz të rinj. Por pjesëmarrësit e tjerë shprehën mendimin që gazeta, përveçse duhet të vijojë të botohet në Vlorë, duhet të ndryshojë përmbajtjen. U bë thirrje që intelektualët kallaratas të afrohen më shumë afër saj. Le të shërbejë si një shembull i mirë gazeta simotër e saj “Hora” e Vranishtit. Për të bërë vërejtje ka plot, por që të ndihmojnë janë pak. Përveç botimit e financimit të saj, me forcë u shtrua nevoja e ndryshimit të përmbajtjes, përcaktimit të një platforme të rubrikave që duhet të ketë gazeta. Si problem jo pak i rëndësishëm u diskutua dhe për mënyrën e shpërndarjes së saj në qytetet e tjera, si në Tiranë, Fier apo edhe në Athinë. U hodh, gjithashtu, ideja e përcaktimit të korrespondentëve vullnetarë të gazetës në disa qytete, gjë e cila do të ndihmonte në përmirësimin e përmbajtjes së gazetës. Gazeta duhet të vijojë, por duke e bërë sa më të afërt për lexuesit, sa më aktuale dhe sa më cilësore. Ky ishte mendimi i të gjithë pjesëmarrësve në këtë takim.

3. Gjetjen e rrugëve për financimin e Shoqatës dhe të Gazetës ‘Kallarati”

Sigurimi i burimeve financiare aq të nevojshme për organizimin prej shoqatës të veprimtarive atdhetare e kulturore dhe për botimin e gazetës, është një problem tjetër që u ngrit si në raportet e mbajtura dhe në diskutimet e pjesëmarrësve. Për çfarë është bërë deri tani, është meritë e atyre kallaratasve, bisnesmenë dhe njerëz të thjeshtë, që kanë kontribuar finaciarisht për shoqatën dhe gazetës e saj. Të gjithë, u theksua në takim meritojnë mirënjohje dhe herë pas herë duhen falenderuar duke hapur një rubrikë të veçantë në gazetë, ku të përmenden emrat e dhuruesve dhe shumat që dhurojnë për shoqatën.

Sa i përket kuotës së anëtarësisë, vitin e kaluar u pagua 600 lekë, 300 lekë kuotë anëtarësie dhe 300 lekë për gazetën. Për vitin që fillon u vendos që çdo anëtar të paguajë 1000 lekë gjithsej, si për gazetën, edhe për shoqatën. Edhe pse është kuotë e vogël, shpresojmë se do të ndihmojë për përmirësimin e gjendjes financiare të shoqatës. Të tjerë kallaratas dhe dashamirës të tij mund të paguajnë edhe më shumë. Por për ta lehtësuar mënyrën e pagesës dhe për t’u krijuar mundësinë edhe kallaratasve emigrantë anembanë botës, u hodh ideja për çeljen e një numri llogarie bankare, gjë që do ta ndihmonte këtë proces dhe do ta bënte më shpejt të realizueshëm dhe shumë transparent. Nëse kjo ide do të jetësohet, numri i llogarisë i shoqatës do të bëhet i ditur në faqet e gazetës, ashtu siç do të reklamohen edhe ata që do të sponsorizojnë për vendlidjen e tyre. Një gjë është e sigurt: çdo qindarkë leku e dhuruar për shoqatën gjatë këtyre viteve është administruar dhe përdorur me nikorqillëk. E tillë do të jetë edhe në të ardhmen.

Zgjedhjet e Kryesisë së re të Shoqatës

Kryesia e re e shoqatës që doli nga ky takim përbëhet nga 19 anëtarë, nga të cilët 11 në Vlorë, 4 në Tiranë, 2 në Fier dhe 2 në Kallarat. Anëtarë të kryesisë u zgjodhën: Kastriot Karabollaj, Seit Jonuzaj, Llano Llanaj, Sefer Jonuzaj, Pëllumb Gjonbrataj, Besnik Mataj, Selman Memushi, Petrit Qejvani, Lefter Hysi, Liri Shkurti, Violeta Xhaferri, Rami Memushaj, Idajet Toçi, Gramoz Xhaferraj, Besnik Gjonbrati, Edmond Strati, Kujtim Hysi, Luto Demiri dhe Bejo Xhaferri. Kryetar i Shoqatës u rizgjodh Zoti Kastriot Karabollaj, nënkryetar Besnik Gjonbrataj dhe sekretar Petrit Qejvani.

Redaksia e gazetës do të përbëhet nga 7 anëtarë dhe konkretisht: Seit Jonuzaj, Petrit Qejvani, Rami Memushaj, Besnik Gjonbrataj, Çize Xhaferraj, Hiqmet Meçaj e Lefter Hysi. Kryeredaktori i gazetës do të zgjidhet nga vetë redaksia më vonë.

Disa nga veprimtaritë e Shoqatës “Kallarati” për të ardhmen

Kryesia e re dhe kryetari i zgjedhur zoti Kastriot Karabollaj, pasi falënderuan pjesëmarrësit për besimin e tyre, përcaktuan disa nga drejtimet kryesore të punës së shoqatës për periudhën në vijim. U theksua se, ashtu si deri më sot, shoqata do të ketë për mision bashkimin e të gjithë kallaratasve kudo që ndodhen, pa dallime partiake, rreth një qëllimi të përbashkët, propagandimit të historisë së Kallaratit dhe të bijve dhe bijave të tij në kontributin e tyre në luftën për çlirimin kombëtar e demokratizimin e vendit në të gjitha periudhat e historisë, si pjesë e pazëvendësueshme e kontributit të të gjithë shqiptarëve dhe në mënyrë të veçantë kohës së sotme. Më mirë se deri më sot shoqata duhet të punojë me të rinjtë kallaratas dhe dashamirësit e tij (që edhe pse nuk janë kallaratas, i lidh diçka me këtë fshat me tradita) për t’i afruar e dhënë edhe ata kontributin e tyre. U pranua, gjithashtu, se do të punohej për përmirësimin e gazetës në formë dhe përmbajtje, që të tërheqë jo vetëm lexuesin kallaratas, por edhe të tjerë.

Ndër veprimtaritë e parashikuara për të ardhmen u veçuan: fillimi i punës për hartimin e historikut të Kallaratit; organizimi i veprimtarive me rastin 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë; organizimi i takimit të brezave të bëhet në çdo 2 vjet; veprimtari me rastin e 100-vjetorit të djegies së fshatit nga andartët grekë më 1914; vendosja e një pllake përkujtimore për qëndresën e fshatit më 1914 në Morrez si ajo që është në Harcë të fshatit; vendosja e një pllake përkujtimore në Koprift për kryengritjen e Tanzimatit më 1847; veprimtari përkujtimore për dëshmorët dhe heronjtë e fshatit, por edhe për figura të tjera të shquara të Kallaratit, të të gjitha kohërave; ngritja e një grupi artistik të fshatit, duke gjetur sponsorizues; promovime librash për Kallaratin; evidentimi i të gjithë kallaratasve kudo që ndodhen, sipas degëve në rrethe me qëllim krijimin e një databaze të përgjithshme; hapja e një faqeje të veçantë interneti për Kallaratin me ndihmën e ndonjë sponsorizuesi kallaratas; propagandimi i veprimtarive të shoqatës në medien e shkruar dhe elektronike; rritja e bashkëpunimit me shoqatat simotra në rrethin e Vlorës dhe më gjerë etj; njësimi i pagesës së kuotës së anëtarësisë dhe i pajtimit vjetor në gazetë në masën e një mijë lekëve gjithsej; çelja e një numri bankar të shoqatës etj.

Në këtë takim nga zoti Xhelo Dautaj u hodh edhe një ide mjaft me vlerë mundësinë e shpalljes së Fshatit të Djegur “Fshat Muze”. Kjo duke pasur parasysh ndërtimin e fshatit në një pozicion gjeografik të rrallë, me një arkitekturë të veçantë, që sot do ta kishin zili arkitektët më të mirë, dhe qëndresën e armatosur të fshatit më 1914 ndaj andartëve grekë, ku ngelën të vrarë edhe katër dëshmorë. Le të shërbejë edhe kjo nismë për intelektualët kallaratas që të bëjnë përpjekjet e duhura ligjore me institucionet përgjegjëse shtetërore për ta realizuar, e cila do të ishte vlerësimi më i mirë që do t’i bëhej fshatit tonë të dashur.

Në mbyllje të këtij shkrimi, një falënderim për organizatorët e këtij takimi të vlefshëm të Shoqatës ‘Kallarati” në Vlorë dhe në mënyrë të veçantë për kafen dhe drekën në lokalet e dy kallaratasve, Balil Memushaj dhe Andon Laçaj, të cilët, me pritjen dhe bujarinë e treguar, bënë që takimi të ishte mjaft i ngrohtë, miqësor dhe mbresëlënës.

Suksese të mëtejshme Shoqatës “Kallarati” dhe u mbledhshim në takime të tjera edhe më të mira.

Besnik Gjonbrati

Vlorë, më 10 dhjetor 2011

Botuar ne Nr.61 te Gazetes “Kallarati”

Next Post

Një kumt i keq për shqipen standarde, nga Prof.dr. Rami Memushaj

Sht Kor 7 , 2012
Një javë më parë u mbajt në Tiranë mbledhja e Këshillit Ndërakademik për gjuhën standarde. Në njoftimin për shtyp të kryesisë së këtij Këshilli thuhet se tema e diskutimeve ishte “Drejtshkrimi i zanores ë të patheksuar në shqipen standarde” dhe se, sipas rregullores së Këshillit, “ishin hartuar më parë dy […]
RamiMemushaj