100 VJETORI I PAVARESISE – Refleksione, nga Lefter Hysaj

NJE FSHAT I VOGEL NE BRINJE…

Lefter HysiPamja që të afron sot “Fshati i Djegur” më shtyu që të shkruaj rreth asaj ngjarje që la gjurmë në historinë e Kallaratit. La gjurmë sepse u krijua një toponim i ri nga një ngjarje me motive patriotike, atdhedhashëse. La gjurmë sepse mund të jetë nga të paktat objekte shekullore në Shqipëri që edhe sot ruhen si dëshmi të oreksit shovinist antishqiptar të fqinjëve jugor grekë.

Koha ka bërë të vetën për 98 vjet, gurët kanë lëvizur, muret kanë zënë myshk por trojet shtëpi, xhamia, Harca e fshatit, Shala e Çipit, Qafa e Pirrës e Gjothanasi janë aty si dëshmitarë të pa vdekshëm për të na treguar historinë e asaj qëndrese në vapën përvëluese të korrikut e në zjarrin e madh të fillimit të Luftës se Parë Botrore.

Sot kur mbushen 98 vjet nga 14 Korriku i vitit 1914 dhe Shqipëria po përgatitet të kremtojë 100 Vjetorin e Pavarësisë, ngjarje të tilla si lufta e kallaratasve kundër andartëve grekë duhet të na ngjallin refleksione.

Historia bëhet por shkruhet për t’u mësuar.

Kallaratasit gjithmonë kanë shkuar pas rrjedhës patriotike. Gjithmonë në ngjarje të mëdha gjen burra kallaratas që e “shënuan” emrin e fshatit të tyre në librin e nderit.

…Kallarat 100 shtëpi

Në mes të kazasë rroftë…

Pjesëmarrje në kryengritjet e vitit 1847, në lëvizjen patriotike të Rilindjes Shqiptare, në ngjarjet e para pavarësisë, në pjesëmarrjen në Kuvendin e Vlorës, në Luftën e 1920 e më vonë tregojnë se kallaratasit ishin atdhedashës e me gjakun e tyre mbrojtën trojet e vatanet pjesë e atdheut.

…Atdheu fillon tek vetja…

Shpallja e Pavarësise ne 28 Nëntor 1912 ishte ngjarje kulmore që gëzoi zemrat e shqipëtarëve në të githa trojet. Dëshmitarë të haresë së madhe që zotëroi Vlorën ato ditë u bënë edhe kallaratasit Meçan Selami, Lame Petani dhe Hodo Kalemi të cilët morën pjesë në mitingun e Shpalljes së Pavarësisë.

Krijimi i Qeverisë së Vlorës ngjalli shpresat se “Shqipëria do të bëhej…”, por synimet shoviniste të fqinjëve të mbështetur edhe nga një pjesë e Fuqive të Mëdha të kohës bënë që …Shqipëria u bë por u bë e vogël, e gjymtuar duke shkëputur nga trupi i saj gjysmën e teritoreve dhe popullësisë.

Megjithëse Kosova, Ulqini, Plava e Gucia, Tetova e Struga, Kumanova e Dibra, Paramithia e Filati, Preveze e Margëlliçi mbetën jashtë Shqipërisë oreksi i Serbeve, Malazezëve e Grekëve nuk u kënaq.

Rënia e Perandorisë Otomane i dha shkas fqinjëve që me luftrat ballkanike dhe marrëveshjet midis tyre ta sakatonin më tej Shqipërinë… një shtet midis Matit e Vjosës… kjo duhet të ishte Shqipëria.

… “Shqipëria fillon përtej maleve veriore të Epirit dhe kufiri veri-perëndimor i Greqisë duhet të jetë lumi i Vjosës…” ky ishte plani Grek. Nga Karaburuni në Qafën e Llogarasë, ne Qafën e Gurrës, ne Kallarat, Bolenë, Tepelenë, Këlcyrë e Korçë kjo ishte vija që linte brenda Vorioepirit e Greqisë edhe Kallaratin.

Lufta e 1914 në Kallarat nuk u shkaktua… ngaqë ca djem vranë një pararojë greke…lufta e kallaratasve ashtu si e tërë kurveleshasve ishte luftë për mbrojtjen e atdheut nga aneksimi Grek, ishte pjesë e asaj levizje të madhe kombëtare që nisi me Lidhjen Shqiptare të Prizërenit e cila duhet nderuar se ndoshta për herë të vetne u hartua një Program me katër pika ku prioritet ishte bashkimi i trojeve shqiptare.

Them “ndoshta” sepse qeveritë shqiptare që u krijuan e qeverisën më vonë Shqipërinë, disa nga rrethanat e pavolitshme historike, të tjera nga përulësia e servilizmi ndaj fuqive të mëdha e qeverive fqinje, të tjera nga miopia dhe interesa te ngushta te vetat apo të momentit asnjëherë nuk arritën të bashkojnë mëndjet shqiptare për të hartuar një program të qartë të bashkimit kombëtar.

Grekët dhe Serbët pavarësisht sloganeve të integrimit i kanë që nga 1840 programet e tyre të “Megaliidhe-së” e “Naçertanies” e i ruajnë edhe sot ne sirtar, i nxjerrin herë pas herë hapur apo fshehtas dhe veprojnë kundër interesave shqiptare. Shembujt janë jo të paktë nga 1912 e deri më sot.

Le të kthehemi te Korriku i 1914. Në Nëntor 1912 repartet e ushtrisë greke nën komandën e Spiro Milos zbarkuan në Himarë. Qëllimi i tyre ishte që të siguronin krahun veri-perëndimor te Vorioepirit e me anë te pushtimit të mos lejonin shtrirjen e pushtetit të qeverisë së Vlorës përtej Qafës së Llogarasë.

Në një telegram të komandantit të garnizonit të Kuçit në Kurvelesh që mban datën 8 dhjetor 1912, drejtuar Kryetarit të Qeverisë së Përkohëshmë zotit Ismail Qemali thuhet : “Sot në Liman të Palermos nën roje të dy kryqëzorëve, kanë dalë dy vaporrë transporti me ushtarë grek”. Në kushtet kur Qeveria e Vlorës ishte në fillimet e veprimtarisë së saj e në rrethana të pa favorshme sepse hapsira gjeografike ku vepronte ishte e kufizuar dhe mundësitë materiale i kshte të pakta, Ismail Qemali më 9 Dhjetor 1912 i kthen përgjigje komandës së garnizonit Kuç. “…presim nga zelli juaj patriotik… për të ruajtur katundet tuaja”.

Kështu që krahinave të jugut të Shqipërisë u mbetej të përballeshin me forcat greke që në drejtime e forma të ndryshme përpiqeshin të realizonin synimin e tyre. Në krahina dhe fshatra u krijuan komisione për të drejtuar luftimet kundër forcave greke. Ne 26 Dhjetor 1912 Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes Kombëtare të Delvinës Mehmet Ali Pasha, i drejton telegram Kryetarit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës ku i shkruan : “Për ti bërë ballë sumit të grekëve në Himarë duhet të përqëndrohen nëpër postet e asaj ane rezervistët e vullnetarët e fshatrave të lidhura me kazanë e Vlorës, si ato te Kuçit, Bolenës e Kallaratit.”

Lufta kundër forcave Greke në vitet 1912-1914 ishte lufta e popullit të vetorganizuar për të mbrojtur çdo pëllëmbë tokë. Kallaratasit u bënë pjesëmmarës aktiv në këtë luftë.Ata i bënë kërkesë Qeverisë së Vlorës për ndihmë në armatime dhe Selam Barjami, Beqir Xhibaj e Ramo Karabolli sollën në fshat 60 armë. Ndërkohë që kurveleshasit përpiqeshin të organizoheshin , forcat greke filluan sumin për të hyrë në brendësi të krahinës ku u ndeshën me armët e barinjve. Kjo ndodhi edhe në Gjothanas ku kallaratasit Muco Karabolli, Yzeir Ribaj, Sali Maçi i pritën me armë pushtuesit dhe dhanë jetën nga torturat në burgun e Korfuzit.

… Gjothanas sipër në gropa,

lufton sa dridhet Evropa…

Kjo situatë ku kurveleshasit e gjithë jugu përpiqej ti bente ballë ushtrisë greke vijoi gjatë vitit 1913 dhe gjysmën e parë të 1914, ndërkohë qe në skenën politike ndodhën ndryshime. Qeveria e Vlorës dhe Ismail Qemali në kushte teje të pa favorshmë të brendshme (veprimet anti shqiptare të Esat Toptanit) dhe të jashtme, ardhja e KNK dhe veprimet e fqinjëve me përkrahjen e disa Fuqive të Mëdha dha dorëheqjen, kështu që lufta ndaj pushtuesve grekë udhëhiqej vetëm nga vetëdija popullore.

6Ne 14 Korrik 1914 forcat greke me një udhërrëfyes shqiptar, sulmuan Kallaratin nga disa drejtime. Fshati krijoi Komisionin e Mbrojtjes të përbërë nga Selam Barjami, Alem Toto, Hodo Shakaj, Lame Petani e Hyso Balili. Komisioni bëri thirrje për organizimin e mbrojtjes ku 121 burra e 38 gra u bënë pjesë e “murit te gjallë” që bëri historinë.

…çpaskej një telim të mirë,

40 burra një të shtirë…

Forcat prej qindra grekësh më së fundi pas një qëndrese të gjatë ku dhanë jetën Murat Avduli, Çelo Boshi, Hyso Balili, Dervish Maçi e Ramadan Hoxha e u plagosën gjashtë persona të tjerë e pushtuan dhe e dogjën fshatin.

Që ateherë kallaratasit u shpërngulën dhe fshatit të bukur në Pllajën e Pilingrisë i mbeti emri”Fshati i Djegur”, për të na kujtuar se Atdheu ynë është ky truall i zhuritur nga luftrat, janë këto troje dëshmi e historisë, janë varret e te rënëve në luftë për liri, janë këngët prush e zjarr të popullit, është gjuha e bukur shqipe “nishani” që na dallon nga kombet e tjera dhe kolona vertebrore që i lidh shqiptarët nga Mitrovica në Preveze, nga Durrësi e Ulqini në Preshevë, Shkup e Manastir.

Kallarat me, 14 Korrik 2012

Lefter Hysaj

Next Post

Titull i ri

Mër Gus 1 , 2012
Ne ripunim