FSHATI KALLARAT NË DEFTERËT OSMANË TË VITEVE 1551 E 1583

 

Nga prof. dr. Rami Memushaj

 

 

 

 

 

 

Megjithëse Kallarati është gati njëmijëvjeçar, emri i tij dëshmohet për herë të parë më 1432, në Defterin osman të tokave të sanxhakut të Shqipërisë dhe pastaj në defterët e mëvonshëm, që hartoheshin sa herë kishte ndryshime të ndarjes administrative të Shqipërisë në kaza e sanxhaqe. Vite më parë, prof. Petrika Thëngjilli (studiues i periudhës osmane që tani jeton në Itali), më pat dhënë një fotokopje të fletëve për kazanë e Kurveleshit nga Defteri i vitit 1583 i sanxhakut të Delvinës. Meqenëse për shkak të problemeve me shikimin prof. Thëngjilli nuk mundi të më ndihmonte me përkthimin e tyre, iu drejtova për ndihmë historianit osmanist Ferid Duka për të më përkthyer pjesën e Kallaratit. Profesor Duka, me gjithë detyrimet e veta pedagogjike e shkencore, gjeti kohë për të m’i përkthyer jo vetëm emrat e taksapaguesve të Kallaratit në regjistrin e vitit 1583, por edhe në regjistrin e vitit 1551. Për këto i jam shumë mirënjohës.

Ndryshe nga Defteri i vitit 1432, që jep vetëm numrin e familjeve, në këta dy defterë, që nuk besoj të jenë të vetmit, jepen emrat e personave të tatuar. Në të dy regjistrat taksapaguesit ndahen në kryefamiljarë e beqarë, po me dallimin që në regjistrin e vitit 1551 shënohen cilët ishin beqarë (të pamartuar apo vejanë që numëroheshin si shtëpi më vete). Lista e emrave i bën shumë interesantë këta defterë, pasi në ta mund të kërkojmë katragjyshët tanë. Sipas studiuesve të këtyre regjistrave, shumica e individëve janë regjistruar me emrin e tyre dhe me emrin e babait. Kjo është një traditë që ka vazhduar deri në shekullin e njëzetë. Kështu, kemi Barjam Qamili, Muço Xheviti, Nazo Murati, Ruzhdi Lame, Sulo Nexhipi etj., ku emri i dytë është emri i babait). Si shembuj emrash me tri pjesë janë Memush Balil Memushaj e Veip Balil Memushaj, ku Balili është babai, kurse Memushi është gjyshi. Pra, më shumë të ngjarë ka që në këta defterë emri i dytë të jetë emri i babait. Megjithatë, raste si emri Bezhani, që e mbajnë si pjesë të dytë 9 veta (Duka, Gjoni, Gjoni, Gjoni, Nika, Nika, Nika, Nika dhe Thanasi), dëshmojnë që Bezhani nuk është emri babait, po mbiemri, pasi një baba nuk mund t’i quante 3 djem me emrin Gjon dhe katër të tjerë Nikë; po kështu edhe me emrat e dytë Gjoni (1551 e 1583) dhe Andria, Kosta, Menkshi e Nika më 1583. Edhe prof. F. Duka mendon që emri i dytë është llagap, përndryshe, në defter do të ishte shkruar, p.sh. Gjergji i biri i Todrit dhe jo Gjergj Todri. Gjithsesi, kjo është punë e historianëve që merren me studimin e asaj periudhe. Për shkak të kësaj pasigurie, po edhe të largësisë në kohë (4 shekuj e gjysmë), çdo lidhje midis këtyre emrave dhe fiseve të sotme është e dyshimtë.

Të dhënat e këtyre defterëve janë shumë të rëndësishme për historinë e fshatit tonë. Së pari, të gjithë kryefamiljarët janë të krishterë, si më 1551, edhe më 1583, pra edhe pas 150 vjet pushtimi Kallarati mbetej një fshat 100% i krishterë. Kjo del jo vetëm nga këqyrja e emrave, po edhe nga taksa e ispenxhës (taksa për rajatë e krishterë), që ishte 25 akçe për familje. 2050 akçet që shënohen në defterin e vitit 1551 i paguanin 82 familje, pra të gjitha familjet ishin të krishtera. Më 1583 kjo taksë ishte 2100 akçe, që i bie të paguanin 84 familje, pra dy familje nuk e paguanin. Po a ishin këto dy familje myslimane? Nga emrat nuk duket të ketë të tilla.

Së dyti, pothuajse të gjithë emrat janë të traditës kishtare shqiptare, që në shekujt e parë pas ndarjes kishës së krishterë në katolikë dhe ortodoksë më 1054 ka qenë më afër katolicizmit se ortodoksisë. Kështu që nuk ka emra ortodoksë në trajtën greke, me përjashtim të Andrea, Jani e ndonjë tjetër. Kjo tregon se në shekullin e gjashtëmbëdhjetë në Labërinë e brendshme ndikimi i kishës ortodokse të Bizantit, që i greqizon emrat e përveçëm, ishte pothuajse zero.

Së treti, po të pranojmë se emrat e dytë janë llagape, del se ka lëvizje të popullsisë. Kështu, më 1583 nuk dalin më llagapet Çaqi, Deda, Golemi, Llazari, Masha, Mekshi, Mërtiri, Qesari, Strata, Toma e Varfi; por dalin llagapet Çani, Gjergji, Jani, Komini, Nase, Pëllumi, Sava, Thanasi, Throni, e Varo, çka do të thotë se në 30 vjet lëvizjet janë të dukshme. Sidoqoftë, këtu jemi të pasigurt, për arsyen që parashtruam në paragrafin e mësipërm.

Me rëndësi janë të dhënat e këtyre dy defterëve për pasuritë e fshatit dhe për kulturat bujqësore të tij. Në këta regjistra del se Kallarati kishte tre mullinj, për të cilët në defterin e parë thuhet se ishin “gjysmëvjetorë. Janë tre mullinjtë që njohim edhe sot: mulliri i Bodeit e mulliri i Toçe, që punonin gjatë periudhës së shirave, dhe mulliri i Lëmëplakut, që punonte gjatë verës. Fshati rriste derra dhe mbante bletë (po çuditërisht nuk përmenden bagëtitë e trasha dhe të imëta, veç derrave); mbillte grurë (misri në Europën Jugore hyri nga Spanja në shekullin e shtatëmbëdhjetë), elb, mel, bathë, thjerrëza dhe perime; kishte hardhi dhe ndoshta edhe vreshta, përderisa detyrohej të paguante çdo vit 200 medre musht (1 medre = 4 okë, ose 5,131 litra).

Siç kemi shkruar edhe te “Histori e Kurveleshit”, taksat që merrte pushtuesi ishin të papërballueshme. Kështu, më 1551 fshati detyrohej të paguante 13.985 akçe (baras me 9 kg e 230 g argjend), që i binte mesatarisht 170,56 akçe për familje. 32 vjet më vonë, më 1583, fshati duhej të paguante 13.700 akçe, dmth. rreth 160 akçe për familje, me një ulje të vogël në krahasim me vitin 1551.

Se sa të rënda ishin këto taksa, kjo kuptohet, po të kemi parasysh që si taksë merrej një e dhjeta e prodhimit vjetor. Nuk mund të besohet që më 1551 Kallarati të prodhonte 2.300 barrë drithëra (1 barrë = 153,95 kg), pra 3.542 kv, 2.000 medre musht (10.262 litra), të kishte aq shumë zgjoj e derra; apo më 1583 të prodhonte 2.100 barrë drithëra (3.234 kv), 2.000 barrë musht etj. Këto tatime shumë të rënda ishin arsyeja pse popullsia hidhej në kryengritje të herëpashershme.

 

Kallarati në regjistrat osmanë

  1. Defter-i mufassal-i liva-i Delvina (Defteri i hollësishëm i sanxhakut të Delvinës), nr. 273, viti 1551

Fshati Kallogjerat (ose: Kallogjerȃn), varet nga e përmendura (nahija e Kurveleshit); timar i ushtarëve beshlinj (merrnin 5 akçe në ditë) të kalasë së përmendur (kalasë së Nivicës)

Nika Bezhani, Thanas Bezhani, Nika Bezhani, Gjon Bezhani, Qesar Gjoni, Duka Qesari, Martin Llaqi, Nika Llaqi, Toma Llaqi, Toma Llazari, Gjon Masha, Gjon Kondi, Menksh Gjoni, Kond Nasta, Martin Gjini, Gjon Varfi, Gjergj Todri, Gjon Zhupa, Duka Zhupa, Andria Zhupa, Toma Andria, Duka Toma, Martin Gjini, Menksh Kondi, Martin Menkshi, Martin Golemi, Gjin Golemi, Meksh Golemi, Andre Gjoni, Gjin Mekshi, Gjin Mekshi, Golem Mekshi, Duka Asti, Martin (I)Strata, Gjon (I)Strata, Ason Llaqi, Toma Gjini, Gjin Toma, Poloni (Pullumi?) Toma, Gjin Gjoni, Gjin Toma, Gjin Varfi, Poloni Zhupa, Gjon Martini, Deda Martini, Gjon Duka, Martin Duka, Kond Duka, Bezhan Duka, Gjon Bezhani, Nika Bezhani, Duka Bezhani, Kond Gjini, Gjon Gjini, Andria Gjoni, Andria Nika, Duka Mërtire, Hila Martini, Llaq Kosta, Gjon Bezhani, Nika Bezhani, Nika Kosta, Zhupa Nika, Andria Zhupa, Duka Nika, Gjon (Gjin?) Nika, Toma Nasta, Kosta Andria, Deda Nika, Gjin Çaqi, Andria Toma, Kosta Gjoni, Llaqi Gjoni, Llaqi Thanasi (b), Stoja Kosta (b), Nika Gjoni (b), Qesar Toma (b), Toma Qesari (b), Andria Kondi (b), Gjon Todri (b), Gjin Zhupa (b), Golem Menkshi (b).

Taksapagues – 82

Shtëpi – 73, beqarë – 9

Tatimet në akçe:

Ispenxha – 2.050; grurë – barrë: 110, vlera: 4.840; elb – barrë: 60, vlera: 1.680; mel – barrë: 50, vlera: 1.400; bathë dhe thierrëza – barrë: 10, vlera: 440; musht – medre: 200, vlera: 2.400; e dhjeta e zgjoit – 290; taksa e derrave – 269; taksa e barit – 365; taksa e perimeve – 146; mullinj (gjysmëvjetorë) – njësi: 3, taksa: 45; badihavaja, taksa e martesës, gjoba për krime, pula dhe të tjera – 100.

Shuma13.985 akçe

(faqja 248 e Defterit)

 

  1. Defter-i mufassal-i liva-i Delvina (Defteri i hollësishëm i sanxhakut të Delvinës), nr. 91, viti 1583

Fshati Kallogjerat (ose: Kallogjerȃn), varet nga Kurveleshi (nahija)

Kond Gjini, Brat Gjini, Kond Duka, Nika Duka, Kosta Nika, Gjon Nika, Kond Nika, Vllaq Andria, Vlash Martini, Gjon Martini, Gjon Thanasi, Gjin Nika, Thanas Throni (Garuni, Aroni, Merushi, Mirushi?), Marin (Kurtes, Meris, Mertes?) Nika, Thron Gjergji, Gjika Sava, Gjon Nika, Gjoka Andria, Duka Gjon Varfi, Martin Kosta, Nika Zhupa, Gjon Kosta, Zhupa Nika, Andria Nika, Duka Nika, Kond Andria, Kond Gjin Menkshi, Gjin Menkshi,

(faqja 73/a e Defterit)

Kond Menksh Martini, Golem Menkshi, Martin Menkshi, Gjika Nika, Thanas Nika, Tupe Nika, Duka Bezhani, Zhupa Menkshi, Qesar Menkshi, Zhupa Llaqi, Gjoka Andria, Deda Nika, Martin Jani, Gjon Çani, Gjoka Gjergji, Gjon Todri, Gjin Nase (Tase?), Tusha (Tupe?) Nase Gjini, Kond Duka Gjoni, Martin Gjon Duka, Gjoka Kondi, Kond Bezhani, Martin Kondi, Gjin Asti, Nika Tupe, Kond Kosta, Menksh Kosta, Bezhan Kosta, Duka Kosta, Thanas Tusha (Tupe?), Gjin Duka, Nase Gjoni, Gjin Pëllumi, Andria Tusha (Tupe?), Deda Tusha (Tupe?), Nika Komini, Tusha (Tupe?) Gjini, Progan Gjini, Nika Llaqi, Kond Varo, Duka Andria, Tusha (Tupe?) Andria, Kond Gjoni, Mesir Gjoni, Gjin Zhupa, Zhupa Gjoni, Nikolla Gjoni, Bezhan Martini, Nika Thanasi, Llaq Menksh Gjoni, Gjin Duka, Gjergj Gjoni, Gjon Llaqi, Duka Kosta, Tusha (Tupe?) Nika, Zhupa Tusha (Tupe?), Tusha Nika, Gjon Martini.

Kryefamiljarë – 86

Shtëpi – 80, beqarë – 6

Tatimet në akçe:

Ispenxha – 2.100; Grurë – barrë: 50; vlera: 2.250; elb – 100; vlera: 2.900; mel – barrë: 50; vlera: 1.450; bathë, qiqra dhe bizele – barrë: 10; vlera: 450; e dhjeta e mushtit – medre: 200; vlera: 2400; e dhjeta e zgjoit – 400; mullinj – njësi: 3; taksa: 45; taksa e barit – 100; taksa e perimeve – 200; taksa e derrave – 170; badihavaja, taksa e martesës dhe të tjera sipas vendimit të mëparshëm – 600.

Shuma13700 akçe

(faqja 73/b e Defterit)

Shënim:

Para emrave që fillojnë me dy bashkëtingëllore, shkruesi ka shtuar një i, të cilën përkthyesi e ka vënë në kllapa. Kjo zanore është shtuar për të lehtësuar shqiptimin në turqishte, e cila nuk ka dy bashkëtingëllore mes zanoresh. Pra, (I)Strata, është Strata.

 

Besnik Gjonbrataj

Next Post

"KRONIKË E NJË FSHATI QË PO RINGJALLET" - Reportazh -

Pre Gus 18 , 2023
                                                                                                    […]