“KRONIKË E NJË FSHATI QË PO RINGJALLET” – Reportazh –

                                                                                                                                Nga Lefter HYSAJ

Kallarati, ky fshat i Labërisë dhe i Kurveleshit të Poshtëm, vendosur në anën e majtë të rrjedhjes së Shushicës, pjesë e Njësisë Administrative Horë – Vranisht dhe Bashkisë Himarë, përshkohet në tërë gjatësinë e shtrirjes së tij nga rruga e re Vlore – Qeparo, e cila i ka dhënë frymëmarrje të gjithë fshatrave të Luginës së Shushicës. Rruga e re ka bërë që fshati të gjallërohet, të mendohet për ringritje ekonomike, të mendohet për bujtina e për turizëm, të behet plazh në Borsh e Qeparo e gjumin t’a bësh për shtatë palë qejfe në Kallarat.

historinë e tij Kallarati përmendet që në vitin 1432 në rregjistrat e kadastrës osmane si një fshat me siperfaqe dhe popullsi të konsiderueshme, më vonë në vitet 1507 dhe 1582 përmendet në letrat dërguar Papatit në Romë. Gjatë historisë së tij Kallarati ka rënë dhe është ringritur disa herë. Thonë që origjina është nga pllaja e Kurveleshit të Sipërm. Banorët u vendosën në vendin e quajtur Kunjovë, një vend i bukur me këndvështrim nga perëndimi. Rreth viteve 1700 për shkak të kolerës, por dhe të konflikteve për kullota me fshatrat Kuç e Bolenë, fshati u shpërngul dhe u vendos në Pllajën e Pilingrisë, në shpatin lindor të malit të Bogonicës.

U ndërtua një vendbanim i ri, ndoshta më i bukuri në gjithë Labërinë, me planimetri, i vendosur sipas mëhalleve, me rrugë që lidhnin të gjitha mëhallat me xhaminë në qendër të fshatit, me ndërtesa guri dy katëshe, mure të cilat edhe sot pas 109 vitesh janë në këmb si për të dëshmuar qendresën e kallaratasve ndaj armikut dhe të ligës. Por në korrik 1914 në zbatim të planit shovinist të Vorioepirit andartët grekë të mbeshtetur nga antishqiptari Spiro Milo, pas një qëndrese heroike të banorëve e dogjën plotësisht fshatin e bukur në pllajën e Pilingrisë duke lënë mbrapa gjurmët e shfrenuara të një shovinizmi që e ndjejmë edhe sot.

Për herë të dytë Kallarati ra, por nuk vonoi dhe pas dy tre viteve fshati u ndërtua në të dy anët e Shushicës, me shtëpitë afër tokave bujqësore. U dogj përsëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, por në vitet 1946- 1948 shtëpitë u rindërtuan me vullnetarizëm. Në vitet 1970-1980 ne zbatim të planit të krijimit të qendrave te fshatrave me projekte të urbanizuara, Kallarati pothuaj u zhvendos i tëri. U ndërtuan rreth 50 shtëpi të reja duke u përqendruar në tre lagje: Morrez, Qafë e Ubavit dhe Basha.

Në vitet ’90 me ndryshimin e sistemit politik – ekonomik filloi një rënie tjeter, braktisja e fshatit nga pjesa më e madhe e popullsisë drejtë qyteteve apo shteteve të tjera për një jetë më të mirë. Në vitin 1989 Kallarati kishte 136 familje dhe afërsisht 640 banorë, nga të cilët 40% ishin fëmijë 0-14 vjeç. Kishte çerdhe, kopsht, shkollë, qendër shëndetsore, maternitet, mjek, infermier, mami, vater kulture, grupin e njohur folklorik. Në kushtet e varfërisë ekonomike jeta sociale e kulturore ishte plotë gjallëri si për të dëshmuar vitalitetin e kallaratasve.

Sot në Kallarat banojnë 30 familje me një, dy apo tre banorë, fëmijët numurohen me gishtat e dorës. Por rruga e re ka bërë që të lind shpresa për një ringjallje tjetër edhe më të bukur e më të fortë se herët e tjera. Dhe kjo shpresë u shprehur më së miri në festën “Takimi i brezave”, organizuar nga Shoqata A/K Kallarati dhe Kryesia e Fshatit më 12 gusht 2023. Atë mbrëmje qendra e fshatit e zbukuruar dhe e ndriçuar më së miri u mbush nga mbi 600 pjesëmarrës, ardhur nga gjithë anët, nga Kanadaja e largët, nga Franca e Gjermania, nga Italia e Greqia, nga Tirana, Durrësi, Fieri, Vlora, Korça, miq nga Belgjika e Kosova. Erdhën jo vetëm emigrantët, erdhën të moshuar e të rinj, erdhën nipër e mbesa ql kanë lindur jashtë vendit apo fshatit, erdhën nuse e dhëndur të Kallaratit. Mes fëmijëve që lodronin në shesh ishin Glauku tre vjeçar nga Italia, Lukasi nga Tirana, Irisa nga Vlora e plotë të tjerë që atë mbrëmje shijuan atmosferën e bukur të kësaj mbrëmje vere. Festa kaloi shumë këndshëm me këngët e këngëtarëve: Maja Aliçkaj, Ermira (Kola) Strati nuse në Kallarat, Gjergji Leskaj. Pjesëmarrja e grupi të xhirimit të emisionit “Autokton” i gazetares Anila Ahmataj ishte një plus i këtij eventi. Këngët dhe vallet vazhduan gjer në orlt e para të mëngjesit të datës 13 gusht.

Kjo festë e hareshme është lajmëtari gëzimsjellës se Kallarati po ringjallet përsëri. Shenjat e kësaj ringritje janë të shumta. Janë shtepitë e reja të bukura dhe komode të ndërtuara së fundi nga Arjanit e Hektor Rjepaj, Miri Ribaj, Myzafer Qejvani, Agron Tozaj, Rimi Memushaj e të tjerë. Janë parcelat me dru frutorë si arra, lajthi, ullinj etj, të mbjella nga Luan Jonuzi, Gledion Hysaj, Hasan Mehmetaj, Lavdosh Jonuzi, Kastriot Qejvani etj. Janë përpjekjet për të ngritur biznese shërbimesh. Në Kallarat fryn era e turizmit, mund të bëhet plazh në bregdet për 25 minuta duke fjetur në klimën e shëndetshme të Kallaratit. Bijtë e bijat kallaratase janë plotë dëshirë e ide për të investuar në fshat, për të kontribuar, jo vetëm për veten e tyre, por dhe për komunitetin, ashtu siç bënë për festë: Ylli Breshani, Arjanit e Hektor Rjepaj, Bujar Memushaj, Andon e Shkelqim Leskaj e plote të tjerë.

Por ringjallja e fshatit dhe dëshira e kallaratasve për të ngritur jetën dhe ekonominë aty ku është trualli i të parëve, aty ku kanë kujtimet e fëmijërisë, aty ku kanë rrënjët që i mbajnë tëç lidhur fort me këtë vend të bukur mes lumit Shushica e malit hijerëndë të Bogonicës kërkon edhe vëmendjen dhe mbështetjen çe pushtetit vendor për të zgjidhur disa probleme të cilat ndikojnë jo pak në të sotmen dhe të ardhmen siç jane: Menazhimi topografik dhe kadastral i trojeve dhe tokave e kullotave të Kallaratit, sepse pengon planet zhvillimore siç janë ndërtimet e reja, mbrojtja e tokave bujqësore nga gërryerja, sidomos pas ndërhyrjeve në shtratin e lumit për të marrë inerte (gjer tani janë mbi dy hektarë tokë e erroduar), ndriçimi rrugor në qendrat e lagjeve. Kallaratasit janë gati t’a ringrenë fshatin e tyre, ashtu siç kanë bërë disa herë gjatë historisë,veçse krahas dëshirës dhe vullnetit të mirë të banorëve duhet edhe mbeshtetja e shtetit dhe pushtetit vendor.

Mirupafshim në festën e ardhshme në fshatin tonë të bukur.

Kallarat, më 13.08.2023

Besnik Gjonbrataj

Next Post

TOPONIMET E KALLARATIT - Nga prof. dr. Rami Memushaj

Enj Gus 24 , 2023
            Kjo listë emërvendesh (toponimesh) të Kallaratit është mbledhur në verën e vitit 1964 nga prof. dr. Rami Memushaj, në atë vit drejtor i Shkollës 8-vjeçare Bolenë, në përgjigje të thirrjes së Institutit të Gjuhësisë për mbledhjen e toponimeve të fshtrave. Emërvendet janë mbledhur nga […]