Formacion luftarak vullnetar popullor i fshatit Kallarat. Përbëhej nga 57 luftëtarë me komandant Feim Çeli Strati (shih). Në ditët e para të Luftës së Vlorës ishte në rezervë dhe nuk mori pjesë. U aktivizua në mësymjen e përgjithshme të forcave kryengritëse më 11 qershor 1920. Çeta e Kallaratit, në bashkëveprim me forcat e Dukatit, Gumenicës, Bolenës, Kaninës dhe Rrëzës, veproi në sektorin Uji i Ftohët-Kaninë.
Në këto luftime çeta pati një të vrarë, Xhevair Golloshin dhe një të plagosur. Më 19 qershor çeta mori pjesë në thyerjen me sukses të kundërgodijes së forcave italiane në afërsi të përroit të Kallafetit (në jug të Qishbardhës). Në mësymjen e dytë të përgjithshme të forcave kryengritëse, më 23 korrik, çeta e Kallaratit mori pjesë në drejtimin Qishbardhë-M. e Vreshtave-Mesovun. (Xh. Ç.)
Marre nga Libri “Enciklopedia e Kurveleshit’