Luftime vetëmbrojtëse të kallaratasve kundër forcave andarte greke. Në vijim të pushtimit të vijave të fundit në Kurvelesh, deri 300 forca greke të përbëra nga ushtarë dhe andartë, të veshur të gjithë me rroba civile, të ardhura rishtas nga Korfuzi nën komandën e kapiten Leonidhës, në mëngjesin e 14 korrikut, ndërmorën një sulm të befasishëm në drejtimin Pilur- Kallarat. Forcat greke, përgjatë kreshtës së m. të Vetëtimës, në vendin ku ndahen m. i Kallaratit nga i Himarës, u ndeshën në zjarrin e befasishëm të çetës së Kallaratit. Sulmi u përsërit disa herë duke futur forca të reja. Vullnetarët kallaratas u tërhoqën më në thellësi, duke zënë vijën Lartësitë e Gjothanasit- Kodrat e Valit të Mesëm dhe pjerrësitë jugëperëndimore e perëndimore të m. të Bogonicës.
Çeta e gjendur nën trysninë e forcave të shumta greke, zhvillonte mbrojtje të manovruar, nga vija në vijë, organizoi prita me forca të shpërqendruara në Shalë të Përrallit, në Majë të Gjurasisë dhe në Majën e Gjondreut. Veprime më të fuqishme mbrojtëse Çeta e Kallaratit i organizoi në vijën m. i Gjimufit-m. Gjashtës-Harcen e Ramanit dhe të Verieshtit. Por, ndërkohë, forcat grkek kishin mundur të afroheshin nga drejtimi i Vranishtit për në Kallarat, nga shpina e çetës. Për t’i shpëtuar rrethimit, forcat vendase zunë pozicione më të përshtatshme në afërsi të fshatit.
Forcat greke pësuan humbje të shumta pranë burimit të Kocevrebës. Për hakmarrje, vetë komandant Leonidha u hodh në sulm dhe u vra nga zjarri i armëve të kallaratasve nga ndërtesa e xhamisë së fshatit. Forcat greke u tërhoqën në drejtim të q. së Pirres duke marrë me vete edhe trupat e të vrarëve. Këto ishin veprimet e fundit luftarake kundër grekut në këtë drejtim. Ato krijuan kushte më të përshtatshme për popullsinë e Kurveleshit për t’u futur në thellësi të Lumit të Vlorës, ndërsa popullsia e Kallaratit u shpërngul për në Smokthinë të pashqetësuar nga forcat greke. (Xh. Ç.)
Marre nga Libri “Enciklopedia e Kurveleshit”