Faksimilet e një 83 vjetori lufte: Çfarë shkruan Vexhi Buharaja për Heroin e Popullit, Mumin Selami.

Botuar ne gazeten “Dita” nga Profesor Rami Memushaj
Më 19 tetor të këtij viti mbushen 83 vjet nga rënia në luftë me forca të milicisë fashiste në lagjen Topana të Vlorës e të rinjve Bajram Tusha, Hajredin Bylyshi, Hiqmet Buzi dhe Mumin Selami, të katër Heronj të Popullit.
Mumin Selami (1923–1942) ishte një i ri me prirje letrare, prej të cilit është ruajtur një ditar i mbajtur prej tij në Kallarat, në fshatin e vendlindjes, gjatë Luftës Italo-Greke, si dhe dy vjersha lirike të shkurtra. Krijime të tjera të tij humbën për shkak të përndjekjes nga fashistët, që nisi me burgosjen në Tiranë, vijoi me burgosjen në Vlorë dhe me internimin në vendlindje. Fletorja origjinale e ditarit nuk është ruajtur, por dikush nga të afërmit ka arritur ta daktilografojë në formë të një broshure me 25 faqe në formatin A5. Ditari përfshin periudhën nga 16 marsi deri më 19 prill 1941, kur ushtria greke u tërhoq. Dita e fundit që mbyll ditarin, është 19 prilli 1941. Ja ç’shkruan Mumini:
“E premte 19 prill 1941.
Sot ushtëria greke iku e gjithë. E liroi vendin e na u nismë për në shtëpira. Vajta në shtëpi. Shpëtuan prej gjyles ato të ndenjjes, vetëm një shtëpi tjetër më prishi. Ushtria greke ka bërë dëme të mëdha. Greku është natyral barbar edhe shkatërrues e pothuaj se gjithë ballkanasit kështu janë. Është popull serios (i pa punë) e tepër përtac. Kurdoherë duan që të rrinë mbi të tjerët. Të punojë populli i huaj e greku të rrijë në hie. Edhe për pabesi thonë se është i pa-besë, por unë nuk e kam provuar.
Nderi që është më kryesore e ne shqiptarëve nuk u cenua aspak. Dhe greku i ndershëm shum. Mundet që të kenë qenë betuar që të mos prekin në nder, nuk e dim, vetëm mund të themi që nuk qe ai greku i 14-ës, që bëri kaqë e kaqë barbarizma e të zeza. Populli grek e nderoi historin e tij, e është i lumtur edhe po të shuhet.”
Për Mumin Selamin me interes janë kujtimet e shkruara rreth 50 vjet më parë nga orientalisti dhe përkthyesi Vexhi Buharaja, shok shkolle i tij në Medresenë e Tiranës. Në këto kujtime, të pabotuara më parë, zbulohet personaliteti, interesat dhe prirjet letrare të Muminit.
Vexhi Buharaja për Heroin e Popullit Mumin Selami
Ishte andej nga mbarimi i tetorit të vitit 1936, kur një ditë, në të perënduar të diellit, përpara shkollës sonë qëndroi një karrocë. Pamë të zbriste nga ajo me një valixhe të vjetër prej dërrase e me një trastë me plaçka një djalosh, ose, më drejt, një fëmijë 12-13 vjeç me gjatësi shtati nën mesataren, i pakët nga trupi, me një xhaketë bojë hiri prej rrobe të hollë e shumë të lirë, që i mbulonte vetëm dy të tretat e kurrizit e që ishte arnuar në dy bërrylat, dhe me një palë pantallona të zbërdhuqura, që vinin shumë të ngushta nga fundi e që mbërtheheshin me pulla në dy faqet e jashtme të kërcinjve. Të vinte çudi se si ai trup aq i imët mbante sipër një kokë të madhe, që ishte mu si “koka e Naim Frashërit”, siç do t’i thoshin më vonë shokët e tij, domosdo me kuptim të dyfishtë (edhe balli i tij i gjerë të kujtonte atë të Naim Frashërit)… Dhe këtë kokë të madhe me një dalje të theksuar në të bulbit e hijeshonin si kurorë ca flokë të dendur, kaçurrela, ngjyrë gështenjë, që vende-vende merrte ca si ngjyrime të lehta bionde. Por gjëja më e bukur në tërë atë trup të vogël ishin sytë, që shprehnin zgjuarsi, guxim, vendosmëri, ndjenja gati për shpërthim dhe …mendim, aq sa mund të përdoret kjo fjalë për një fëmijë 12-13 vjeç. I panjohuri i vogël, sapo zbriti nga karroca, mbasi na tregoi se kush ishte, pyeti pak si me drojtje në ndodhej aty i vëllai, Hasan Selami, që jepte me orë mësimin e gjuhës anglishte në klasën e parë dhe në të dytën. Kur i thamë se i vëllai nuk ndodhej në shkollë, shtangu në vend dhe u bë flakë i kuq në fytyrë. N. C. (alias N. E.), një shok yni më i madh nga ne, e kuptoi: djaloshi nuk kishte me se të paguante karrocierin. N. C. pagoi karrocierin dhe i priu djaloshit drejt korridorit të madh. Mumin Selami (sepse ai ishte) vinte në Tiranë nga një fshat i largët i Kurveleshit për t’u regjistruar, me një muaj e ca vonesë (sepse mezi i kishin dhënë një copë bursë), në klasën e parë të shkollës së mesme. Siç na pat thënë vetë më vonë, e ëma, kur e kishte nisur për Tiranë, kishte hallosur aq lekë sa ai të priste biletën e udhëtimit. Tërë atë ditë Mumini nuk kishte futur gjë në gojë.
Një muaj mbasi Mumini ishte regjistruar në shkollë, shokët e tij thoshin për të se ishte një djalë i mirë, i sjellshëm, i dashur, i çiltër e i shkathët, mendjemprehtë dhe me plot veti të tjera pozitive. Mbas 2-3 vjetësh, edhe pse ende shumë i ri, ai kishte formuar plotësisht personalitetin e vet, të cilin, kur e pat dashur puna, e pat treguar me tërë fuqinë e tij. Edhe pse kishte një nderim të veçantë për të vëllanë, nganjëherë vepronte ndryshe nga ç’i thoshte ai. Më kujtohet “greva” e nxënësve të klasave të ulëta në shkurt të vitit 1937. Në këtë kohë mjaft nxënës të shkollës sonë, sidomos të klasave të ulëta, u sëmurën nga gripi. Shkolla po e zvarriste thirrjen e mjekut. Edhe ushqimi që po u jepej të sëmurëve, ishte po ai i zakonshmi. Shokët e tyre që nuk kishin zënë ende shtratin, si shenjë proteste vendosën që të bojkotonin mësimin. Dhe me të vërtetë, të nesërmen shumica e tyre (ndër këta edhe Mumini, sado që i vëllai e kishte porositur të hynte në klasë) nuk u paraqitën në mësim. Mumini, i cili qe cilësuar si një nga organizatorët e “grevës”, u thirr në drejtori dhe u qortua se kishte “dhunuar” rregulloren e shkollës dhe kishte vepruar (siç qe shprehur J. B.) “ala bolshevikçe” dhe u paralajmërua se në rast përsëritjeje, do të përjashtohej menjëherë nga shkolla. Tërë ato ditë u mbajt në gojë klasa e parë, “që ia kishte bërë forra”. Nga lëndët mësimore Muminit i pëlqenin më shumë historia dhe letërsia. Studionte gjithfarë veprash të gjinive letrare. Naim Frashëri ishte poeti i zemrës i Muminit. Me fjalë të thjeshta të një njeriu që e ka mjaft shijen letrare, por që i mungon baza teorike e argumentimit (ngaqë nuk e njihte teorinë e letërsisë), ai më tha një ditë se përse i pëlqente aq shuma poezia e Naimit. Unë arrita të kuptoja se Mumini e donte Naimin si poet, sepse e donte si patriot. Mjaft vargje nga “Bagëti e bujqësia” i dinte përmendsh. “Lulet e verës” nuk i ndante kurrë nga vetja. E pata parë të lexonte me pasion “Rubairat” e Omar Khajamit, në përkthimin me mjeshtëri të Nolit, madje më pas pat filluar t’i shijonte sadopak në përkthimin e famshëm anglisht të Fitzgeraldit. Dashuri të madhe kishte sidomos për folklorin. Në bankën e tij, pranë teksteve mësimore, do t’i gjeje “Valët e detit” të Spiro Dines dhe një apo dy vëllime të “Visareve të kombit”. Në një bllok të trashë shënonte gjithçka të bukur dhe interesante që ndeshte gjatë leximit të librave gjithfarësh: vargje, aforizma, fjalë të urta, sentenca morale. Megjithëse jo më i madh se 15 vjeç, kishte një rreth shumë të gjerë interesash kulturorë që nuk i kishin moshatarët e tij.
Leximi i veprave letrare dhe, domosdo, edhe talenti i tij i ndihmonin të shkruante hartime të bukura. Çfarëdo karakteri të kishte tema e hartimit që jepte profesori, Mumini e shtjellonte atë në mënyrë që të kishte mundësi të shfaqte ndjenjat e tij patriotike. Këtë e pat bërë sidomos pas pushtimit të vendit tonë nga Italia fashiste. Prandaj edhe mësuesi i gjuhës dhe i letërsisë (këtë e pata dëgjuar nga goja e mësuesit) e pat këshilluar që të ishte “më i kujdesshëm e më i përmbajtur”.
Më kujtohet sikur të kishte ndodhur dje: ishte andej nga ora 8 e mbrëmjes së datës 3 prill 1939. Nxënësit e shkollës sonë, secili në klasën e vet, ishin duke përgatitur mësimet e ditës së nesërme. Papritmas, dëgjojmë një si stuhi duke ardhur nga rruga e spitalit drejt shkollës sonë. Ishin nxënësit e shkollës teknike, të cilët, duke rendur me vrull fare pranë shkollës sonë (disa hynë edhe brenda në shkollë) na bënë thirrje që të bashkoheshim me ta dhe të derdheshim drejt qendrës së qytetit për të protestuar edhe kundër fashizmit që po përgatitej të sulmonte vendin tonë, edhe kundër klasës sunduese të vendit, që “na kishte shitur te Italia”. Disa nga shokët tanë ngurruan në fillim, sepse largimi nga internati natën pa lejen e drejtorisë për të demonstruar nëpër rrugët e qytetit ishte një shkelje e rregullores së shkollës dhe, veç kësaj, mund të merrej, siç tha kujdestari i turnit të natës, “si një rebelim kundër qeverisë”, gjë që mund të sillte mbylljen e shkollës. Por ata më guximtarët kapërcyen pragun e derës dhe u bashkuan me shokët e tyre të shkollës teknike. Një nga ata qe dhe Mumin Selami… Megjithëse kanë kaluar 38 e kusur vjet që nga ajo natë, më duket sikur e shoh Muminin duke çarë përpara e duke bërtitur me grushtin lart: “Poshtë Italia fashiste!”, “Poshtë Duçja”, “Poshtë të shiturit!”, “Rroftë Shqipëria!”. Tërë atë ditë vazhduan demonstratat. Populli dhe nxënësit e shkollave kërkonin armë për t’u nisur në front.
Nja një muaj pasi vendi ynë ishte pushtuar nga Italia fashiste, agjentë fashistë, sigurisht për qëllime të caktuara, përhapën në shkollën tonë lajmin se studentët shqiptarë që vazhdonin studimet e larta në Kajro të Egjiptit (gjithsej 10-12 veta), kishin shkuar në ambasadën italiane dhe i kishin shprehur kësaj gëzimin për pushtimin e vendit tona nga Italia dhe e kishin siguruar atë për besnikëri ndaj Duçes, Muminit sikur t’i kishte prerë dikush kokën, aq shumë u trondit. A thua ta kishte bërë këtë tradhti të përzier me palaçollëk edhe i vëllai, Hasani, i cili nga vjeshta e vitit 1937 ndodhej në Kajro për studime? Sa u çel e sa u gëzua Mumini kur, pas një muaji, S. B., që kthehej në atdhe mbasi kishte mbaruar studimet, dhe studentët A. A. dhe J. H., që erdhën për të kaluar pushimet e verës në atdhe, na siguruan me betim se asnjë student shqiptar nuk kishte shkelur në ambasadë dhe se, ashtu si mbarë populli shqiptar, dhe studentët tanë në Kajro e kishin pritur me hidhërimin më të madh pushtimin e vendit nga fashistët italianë.
Për të kuptuar edhe më mirë qëndrimin e studentëve shqiptarë në Kajro, mjafton letra e Enver Hoxhës drejtuar mëmë Duzes, nënës së heroit Mumin Selami. Enveri, midis të tjerash shkruan: “Djali juaj, Hasani, si gjithë studentët e tjerë shqiptarë në Kajro, u indinjua për pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Ai, si përkthyes, së bashku me grupin e shqiptarëve ka protestuar para dyerve të ambasadave amerikane dhe angleze për këtë pushtim.” Në tetor të vitit 1939, dmth. vetëm mbas 6 muaj të pushtimit të vendit, filloi në shkollën tonë, e veçanërisht në klasat e ulëta, një veprimtari e dukshme patriotike antifashiste, natyrisht në forma të thjeshta, që përcaktoheshin nga shkalla e rezistencës së popullit tonë në këtë fazë. Në të gjitha klasat këndoheshin këngë patriotike (rekordin e mbante vjersha “Moj Shqipni, e mjera Shqipni” e Vaso Pashës), e cila këndohej me aq zjarr nëpër klasa, nëpër korridore, nëpër salla, recitoheshin vjersha me përmbajtje patriotike, mbaheshin fjalime të shkurtra, në të cilat dënohej agresioni fashist kudër vendit tonë; u shtuan kontaktet me nxënësit e shkollave të tjera. Në këtë kohë dëgjuam të flitej për një të ri të quajtur Laze Hito, i cili nëpërmjet Mumin Selamit, kishte shfaqur dëshirën të njihej me shokët e shkollës sonë për të koordinuar veprimtarinë propagandistike e politike kundër pushtuesit fashist. Për shkak të arrestimit të Muminit, nuk arritëm të njiheshim me këtë shok. Në këtë kohë nxënësit e klasave të ulëta po përgatitnin shfaqjen e dramës “Besa” të Sami Frashërit. Po në këtë kohë mësuam se edhe Mumin Selami, që posa kishte filluar klasën e katërt, kishte shkruar një dramë me përmbajtje patriotike, e cila gjithashtu do të vihej në skenë. Unë nuk e pata parë këtë shkrim të Muminit. Siç dëgjuam më vonë me rastin e arrestimit të Muminit, shokët e tij të klasës, që agjentët e SIM-it të mos hidhnin në dorë, në rast kontrolli, ndonjë material komprometues për Muminin, e kishin fshehur këtë dramë.
Kur u takova me Muminin për herë të parë pas daljes së tij nga burgu dhe e pyeta për fatin e kësaj drame të tij, ai më tha se ajo ishte zhdukur përgjithmonë. Nja dhjetë ditë para se të arrestohej, Mumini më pat dhënë nja 4-5 poezi të shkurtra të nënshkruara me pseudonimin “Agimi”, prapa të cilit, siç më tha Mumini, fshihej një nxënës i gjimnazit të Tiranës. Në të vërtetë, siç na siguroi një shok klase i Muminit dhe siç u detyrua të pranonte pak si me turp edhe vetë Mumini, ato poezi i kishte shkruar vetë, po për modesti m’i kishte paraqitur si krijime të një shoku të tij. Këto poezi përshkoheshin nga dashuria e zjarrtë për atdhe dhe dëshmonin për talentin e padiskutueshëm të autorit, i cili herë hapur dhe herë në mënyrë alegorike shprehte urrejtjen për pushtuesit fashistë. Më kujtohet mirë se në këto poezi, në përgjithësi, edhe pse në mënyrë të mjegulluar, spikaste shpresa, madje besimi në çlirimin e afërt të atdheut. Duhet shënuar se e gjitha kjo veprimtari patriotike që zhvillohej në shkollën tonë ishte spontane, e papërcaktuar dhe jo sipas një plani dhe programi të caktuar; nuk respektoheshin rregullat e konspiracionit. Të gjitha këto sepse mungonte një qendër e vetme drejtuese.
Andej nga data 10 dhjetor 1939 Mumin Selami, aktiviteti antifashist brenda shkollës dhe jashtë saj i të cilit kishte rënë shumë në sy, u arrestua në rrugë. Qenë arrestuar edhe sa të rinj të tjerë, si Lame Hito e të tjerë. Tri ditë pas arrestimit të Muminit erdhën në shkollën tonë në cilësinë e hetuesve dy agjentë të kuesturës fashiste, një më plak me trup të pakët dhe një më i ri, i shëndoshë, i cili na paskësh ditur mirë shqip. Që të dy ishin veshur si civilë. Në kabinetin e drejtorit të shkollës dhe në prani të këtij e të nëndrejtorit (ky qe si përkthyes, se ne sapo e kishim filluar italishten dhe nuk mund të shpreheshim dot në këtë gjuhë) ata morën në pyetje nja 10-15 nxënës, si V. B., H. Sh., Z. H. (apo H. Z.?) etj. Herë nëpërmjet metodës së provokimit, herë me të mirë dhe herë nëpërmjet kërcënimit e shantazhit, ata kërkuan “që të deponohej e gjithë veprimtaria politike që Mumen (kështu e shqiptonin ata emri Mumin) Selami kishte zhvilluar në shkollë dhe mundësisht edhe atë që kishte kryer jashtë shkollës. Ata donin të dinin se çfarë vjershash e skeçesh kishte shkruar Mumini dhe kush i kishte këto, çfarë fjalimesh kishte mbajtur ai, cilët ishin bashkëpunëtorët e tij në shkollë dhe jashtë kësaj. Ajo që na çuditi më shumë qe pyetja e tyre se cilët nga shokët e shkollës sonë kishin marrë pjesë bashkë me Mumin Selamin në mitingun që ishte mbajtur më 28 Nëntor 1939 në varrin e Naim Frashërit, ku paskëshin marrë pjesë 70-80 nxënës shkollash, ku ishin mbajtur fjalime dhe ku “Mumen Selami në mbarim të mitingut kishte nderuar me grusht”… Ne që nuk dinim gjë për këtë miting, e muarëm pyetjen e tyre si një provokim dhe iu përgjigjëm në mënyrë të prerë agjentëve të kuesturës se asgjë nuk kishte ndodhur te varri i Naim Frashërit. Por ata ngulnin këmbë në të tyren. Shkurt, agjentët e SIM-it nuk nxuarën asgjë nga shokët e shkollës sonë për ta përdorur si material kundër Mumin Selamit. Ata u larguan duke thënë se do të ktheheshin përsëri mbas dy ditësh, kohë e cila, sipas tyre, ishte mjaftueshme që ne të “mendoheshim”. Por ata nuk erdhën më në shkollën tonë.
Drejtoria e shkollës, për të qenë në rregull me qeverinë, po atë ditë i preu bursën Mumin Selamit, i cili, kur të dilte nga burgu, “nuk duhej të shkelte në territorin e shkollës”.
Muminin në fillim e patën mbyllur në një binsë të pallatit që ndodhet afër pishës në rrugën e Dibrës dhe pastaj e patën çuar, me sa di unë, në burgun e vjetër. Nuk e mbaj mend nëse pat dalë në gjyq dhe nëse qe dënuar apo jo. Di vetëm që qëndroi në burg nja 4-5 muaj dhe mbas lirimit të tij nga burgu qe larguar nga Tirana, me sa duket, me urdhër të Ministrisë së Brendshme fashiste dhe pat shkuar në fshatin e vet, në Kallarat. Unë u takova me të (për të parën herë mbas daljes së tij nga burgu) në qershor të vitit 1941 në Tiranë, ku ai erdhi mbas mbarimit të Luftës Italo-greke. Më tha se kishte mbetur shumë i kënaqur nga shokët e shkollës, të cilët nuk u kishin dhënë asgjë agjentëve të SIM-it kur ai qe arrestuar një vit e gjysmë më parë. Ai shtoi: “Sikur shokët të kishin treguar aktivitetin tim brenda shkollës dhe jashtë saj, unë mund të kisha shkuar në litar.” Por edhe ai, me gjithë torturat çnjerëzore që i kishin bërë, nuk kishte nxjerrë asgjë për shokët e tij. Dhe kjo u kuptua gjersa asnjë nga shokët e tij nuk u arrestua. Harrova të shënoj se, kur u arrestua Mumini, qe dëgjuar të thuhej se ai kish qenë një “element turbullues, një komunist i rrezikshëm, një axhami mistrec, që për pak qe bërë shkaktar që të mbyllej shkolla etj,” Vetëm duke filluar nga qershori i vitit 1941 unë e dëgjova Muminin që të fliste hapur për “komunizmin”, për “bashkimin Sovjetik”, për “padrejtësinë shoqërore”, për shfrytëzimin kapitalist”, për “organizimin e klasës punëtore” etj. Vura re se ai tashti ishte pjekur mjaft politikisht, kishte zgjeruar horizontin e tij kulturore dhe kishte përvetësuar një varg konceptesh politike e filozofike. Ishte rritur shumë edhe niveli i tij i të shprehurit. Megjithëkëtë, në këtë kohë ai nuk ishte më shumë se 17 vjeç.
Një ditë në shtator të vitit 1941 i shkuam për vizitë S. B. në zyrën e tij. Ai ishte ca mendjemadh. E gjetëm të kapardisur në karrige, në njërën dorë mbante cigaren dhe në tjetrën filxhanin e kafesë, një llustraxhi leckaman po i llustroste këpucët. Muminit nuk iu durua: “Hajde, hajde, sa mirë është kështu!”, i tha ai me një nënqeshje ironike. Duhet shënuar se Mumini e përdorte ngandonjëherë ironinë, por kjo ishte një ironi me kripë”, që nuk kalonte në banalitet dhe në fyerje të bashkëfolësit.
Shokëve të tij të shkollës, që e patën njohur nga afër Muminin, që patën njohur ëndrrat, ndjenjat, mendimet dhe idealet e jetës të Muminit, nuk iu duk aspak çudi kur ai zgjodhi më vonë rrugën e militantit komunist, rrugë të cilën ai e ndoqi me besnikëri gjer në vdekje dhe e cila e bëri atë të pavdekshëm.
Berat, më 23 korrik 1977
V. B.
(Vexhi Buharaja)
Për më tepër kliko mbi linkun e mëposhtëm:

Besnik Gjonbrataj

Next Post

Gazeta Kallarati nr. 115

Mar Tet 14 , 2025