-Kujtime dhe homazh për shokun tim të klasës e të jetës, Zoto Rjepajn-.
1 shtatori i vitit 1956 më gjeti të ulur në bankat e shkollës së lartë. Kisha mbaruar mature në gjimnazin “Ali Demi” të Vlorës dhe më ishte akorduar e drejta e stududimit për Institutin Politeknik, dega Gjeologji, Tiranë. Universiteti u krijua një vit më vonë. Godina ku kryenim mësimet ishte ajo që sot quhet gjimnazi “Qemal Stafa”. Klasa jonë ndodhej në katin e parë. Ishim gjithsej 58 studentë, të ardhur nga të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë. Prej tyre unë njihja vetëm dy që kishim qenë bashkë maturantë në gjimnazin e Vlorës. Ditët e para, të tre ne vlonjatët shoqëroheshim bashkë. Aty nga dita e pestë apo e gjashtë e fillimit të mësimeve, në bankën time ulet një djalë i gjatë, fl ok-e vetullzi, i pashëm.
– Gafur Shameti je ti, më pyeti ?
– Po, i thashë.
– Unë jam Zoto Rjepaj, vazhdoi ai –
Jemi bashkëfshatarë.
Nga Rjepajt unë njihja në Vlorë Veledinin, shokun e babait që vinte vazhdimisht në shtëpinë tonë. Me djalin e tij, Ibro Rjepajn, ne ishim bashkë në gjimnaz. Ai vazhdonte studimet në vitin e dytë, dega mësuesi. Atë ditë, sa mbaruam mësimet, rreth orës 14, bashkë me Zoton, u nisëm për në mensën e studentëve që ndodhej në qendër të Tiranës, fare pranë ndërtesës së sotme të Muzeut Kombëtar. Rrugës për në mensë bëmë shumë biseda. Ai më tregoi jetën e tij. Që i vogël kish mbetur jetim. I ati, Razo Rjepaj kish humbur jetën aksidentalisht në malet e Kallaratit, ku ndodhej me bagëti, ish goditur nga rrufeja. Zotua ish rritur në shtëpinë e fëmijës. Dy motra i kish në Tiranë, një tjetër në Vlorë, ndërsa i vëllai, Banushi, vazhdonte studimet jashtë shtetit.
Zotua, pas mbarimit të mësimeve në Shollën Ushtarake “Skënderbej”, kish vazhduar studimet në Shkollën e Bashkuar të Ofi cerëve, por ishte sëmurur nga pleviti, ndaj në trup mbante vazhdimisht fanellë leshi. I pajisur me raport mjekësor si i paaftë për karrierë ushtarake, atij i ishte akorduar e drejtë studimi dhe bursë në degën gjeologjike të Institutit Politeknik. Ai ishte dy vjet më i madh nga unë.
Që nga ajo ditë, Zotua u bë për mua më tepër se shok, u bë vëllai im i madh. Në konvikt u sistemuam bashkë, me krevatet ngjitur. Për 5 vjet nuk u ndamë nga njëri tjetri, bashkë në shkollë, bashkë në mensë, bashkë në konvikt, bashkë në kinema, teatër, stadium, kudo bashkë. Ai ishte shumë i dhënë për të bërë vizita tek familjet kallaratase që banonin në Tiranë: tek Sinan Xhemili, Barjam Toçaj, Asqerie Bushi e shumë të tjerë. Më shpesh shkonim te motrat e tij dhe te motra ime e madhe. Takoheshim dhe rrinim bashkë me Cano Breshanajn, villain e Çuman Breshanajt. Ai vazhdonte atëherë studimet në Institutin Bujqësor.
Zotua ishte tip i zgjuar, I dashur, me mjaft humor, por ajo që nuk do t’ia harroj kurrë, ishte e qeshura e tij karakteristike, ku merrnin pjesë të gjithë gjymtyrët e trupit. I rritur jetim, ai kishte shumë dhembshuri për njerëzit. Kur ishim në vit të dytë të studimeve, unë u sëmura rëndë nga gripi. Një javë rresht Zotua më ndenji te koka, më shërbente si vëllai vëllait.
Në pranverën e vitit 1957, Zotos i vjen një pako me tesha, veshmbathje nga i vëllai i tij, Banushi që studionte jashtë shtetit. E hapëm pakon bashkë, në dhomën ku flinim. Brenda kishte një kostum veror, një palë këpucë me bira, bluza, çorape dhe veshje të brendshme. Më dhuroi mua një pjesë të tyre. Së bashku me Zoton, i veshur me kostumin, këpucët dhe këmishën e re, dolëm xhiro nëpër Tiranë.
E shihja me admirim. Ishte shumë i gëzuar, i qeshte fytyra. Pushimet verore të shkollës, në vitin 1958 nuk i bëmë. Klasën tonë e shpërndanë në të gjitha rrethet e Shqipërisë për kërkim mineralesh të dobishme. Për koincidencë, mua dhe Zoton na dërguan në lokalitetin e Zerqanit të rrethit të Dibrës. Përsëri të dy bashkë për tre muaj rresht. Nga njëri-tjetri na ndau emërimi në punë pas mbarimit të studimeve në Universitet. Zotua do të punonte inxhinier në Ndërmarrjen Gjeofizike në Tiranë, ndërsa unë në malet me pisha të Munellës në rrethin e Pukës. Edhe në Munellë u bëmë përsëri bashkë. Zotua erdhi me shërbim për të kryer në këtë zonë studime gjeofizike. U gëzova shumë. Një muaj fjetëm në një dhomë. Më vonë, sa herë shkoja në Tiranë me shërbim, e kërkoja në ndërmarrjen e tij. Dilnim bashkë, por jo më si student pa një kacidhe në xhep, por si të punësuar me rrogë të majme. Shkonim nëpër lokale dhe, me birrën përpara, kujtonim jetën universitare, moshën më të bukur të rinisë.
Koha ecte, vitet ndiqnin njëri-tjetrin, largësia na bënte të takoheshim më rrallë. Zotua martohet me një vajzë nga Vlora, të bijën e Behar Leskovikut, një person publik në këtë qytet. I kasha shkuar disa herë në familjen e krijuar Zotos në Tiranë. Edhe ai më vinte në familjen time në Vlorë.
Në vitin 1993 u takuam në Vlorë. Ishte takimi i fundit me Zoton. U ulëm në një lokal. Ishte i mërzitur, ishte gruan sëmurë, donte ta nxirrte jashtë shtetit për kurim. U ndamë, duke i uruar shërim të shpejtë të bashkëshortes. Më vonë mora vesh se qe larguar nga Shqipëria, banonte në Itali. Para pak muajsh takova në Vlorë nipin e tij, Lefter Allushajn. E pyeta për Zoton e në veçanti për gruan e tij që ishte e sëmurë. Zotua, më tha Lefteri, është sëmurë rëndë, i shtruar në spital në Itali. U trishtova shumë, nuk e prisja këtë lajm. I kërkova numrin e telefonit. Lefteri nxorri bllokun dhe ma dha numrin. U ndava me Lefterin dhe në trurin tim filluan të xhiroheshin të gjitha detajet e jetës që kishim kaluar me Zoton, gëzimet e hidhërimet që kishim ndarë bashkë. I rashë numrit të celularit dhe një zë i mekur u përgjigj nga përtej detit: Të faleminderit Gafur. Jam rëndë. Jam shumë rëndë. Jam pa shpresë. Nuk di si ta përshkruaj momentin e vështirë, në të cilin u gjenda pas kësaj bisede. Po më ikte nga jeta një shok I rrallë.
Sot ai nuk është më
Lamtumirë Zoto, shoku im I klasës dhe i jetës!
Gafur Shametaj
Botuar ne gazeten Kallarati, Nr. 55