Nga Hiqmet Meçaj
Në vitin 1983, gjatë përgatitjeve për festivalin e Gjirokastrës, me kërkesë të Haxhi Dalipit, më shkëputën për një vit nga puna në arsim, natyrisht me pëlqimin tim si i apasionuar pas traditës folklorike.
I ramë kryq e tërthor gjithë zonës së Labërisë, si dhe pjesëve të ndryshme më të ulëta për të zhbiruar vlera të tjera që nuk ishin paraqitur më parë në Festivalet e Gjirokastrës.
Duhet të sqaroj se ishte formuar një komision ku merrnin pjesë veç meje dhe Haxhiut edhe muzikantë të tjerë të qytetit. Disa ditë debatuam për konceptimin e koncertit që do të përgatitnim. Muzikantët e tjerë veç nesh ngulmuan për spektakël të larmishëm kurse unë, sidomos, pas meje edhe Haxhiu, ngulmuam për zbulime të paekspozuara më parë, për të cilat unë isha i bindur se ekzistonin. Duke qenë se pala tjetër ngulte këmbë në konceptin e saj, unë deklarova se jepja dorëheqjen nga pjesëmarrja, sepse sipas meje isha i tepërt dhe nuk kisha çfarë të jepja si kontribut, kur merreshin pjesë të njohura, përgatiteshin këngëtarë dhe valltarë dhe vetëm kaq.
Haxhiu u shqetësua se donte të punonte me mua. Debati shkoi deri në Komitetin e Partisë, te sekretari përkatës por edhe te ai i Parë, që ishte Enver Halili.
Na thirrën të dy palët dhe zuri vend koncepti ynë, që ishte edhe më i vështirë për tu realizuar. Tani një episod për të qeshur por edhe për të qarë. Shkuam tek Komiteti Ekzekutiv, takuam Kryetarin, i cili na priti mirë fillimisht. Por kur i thamë përse kishim shkuar, për t’i kërkuar një makinë ta përdornim rreth dy muaj në terren, përgjigja e tij ishte kjo: Ju po shkoni të mblidhni folklor apo jo. Folklori nuk mblidhet me makinë, po ju japim dy kuaj ose dy mushka të shikoni çfarë folklori do mblidhni.
Ikëm prej tij të ofenduar por edhe duke qeshur kur mendonim se çfarë leshko e drejtonte Komitetin Ekzekutiv. Nuk u ankuam tek Sekretari i Parë, sepse s’na pëlqenin telashet që mund të hapeshin.
U nisëm me mjete rrethanore. Tani po ndaloj tek tema e mësipërme.
Pas shkuarjes në shumë zona, Tragjas, Dukat, Himarë, Pilur, Vranisht, etj, kaluam në zonën e Sevasterit. Aty grupi i Sevasterit na paraqiti dy materiale, njëri kishte si temë një sahat të vjetër muri të Enver Hoxhës, tjetri që mu duk shumë i veçantë dhe që ata na e shpjeguan si këngë vaji që këndohej burgjeve të kalasë së Gjirokastrës. Teksti e kishte titullin: “Janinë te rrapi falë”. Grupi i këngëtarëve nuk ishte i nivelit të lartë por i mirë megjithatë jo në atë masë sa ta paraqitnim atë këngë në Festival. Mbaj mend mirë se kishim me vete një magnetofon të stërmadh me shirit dhe me atë e regjistruam. U larguam nga Sevasteri dhe shkuam në fshatin Vajzë që ishte aty pranë. Aty përgjegjësi i kulturës i zonës na paraqiti grupin folklorik i cili nuk kishte ndonjë vlerë të veçantë që kërkonim ne. Këngëtarët na u dukën më të veçantë se ata të Sevasterit. I thashë Haxhiut ta provonim këngën e Janinës me këtë grup. Ishte disi më mirë por jo në nivelin që duhej.
Kur u kthyem në Vlorë Feti Brahimi i Lapardhasë na prezantoi grupin e tij, disa prej këngëtarëve mua më mbetën në mëndje. Diskutuam me Haxhiun që këtë këngë ta përgatiste ky grup dhe t’i dëgjonim. Teksti ishte po ai: “Janinë te rrapi falë, sjellin një zabit të vrarë, Zenel Çelo Progonanë… etj”. Kur kënga u përsos dhe arriti formën e kryeveprës që është sot, për të kontrolluar pëlqyshmërinë tonë maksimale, ftuam Çesk Zadenë, Avni Mulën, etj. Edhe ata mbetën të mahnitur nga kënga dhe grupi dhe na përgëzuan për këtë vlerë të papërsëritshme folklorike që kishim gjetur dhe ngritur në nivele shumë të larta, kjo natyrisht edhe në sajë të këngëtarëve të grupit.
Historia nuk mbaron me kaq. Vajti lajmi në Gjirokastër, ku Progonati pretendonte se kënga ishte e tyre nga që përmendej një trim nga Progonati. Dy Komitetet e Partisë, Gjirokastër-Vlorë u angazhuan që ta zgjidhnin këtë gjë. Më kujtohet si tani që mua dhe Haxhiun na thirri Enver Halili, Sekretari i Parë, dhe kërkoi sqarime si është puna dhe si duhet zgjidhur. Haxhiu i tha Sekretarit të Parë me këtë punë merret Hiqmeti. Ai me dashamirësi më tha: “Hiqmet ma shpjego, është këngë e Vlorës apo e Gjirokastrës. Po të jetë e tyre le t’ua japim”. U gjenda i papërgatitur, megjithatë as vetë s’e kuptova që dola nga situata shumë mirë. I thashë: “Ky është teksti provizor me të cilin po bëjmë prova për të mos e ekspozuar këngën tërësisht parakohe. Tekstin origjinal e di unë dhe as Haxhiut nuk ia kam thënë”. “Po qe kështu tha Sekretari i Parë, e zgjidh unë këtë punë, ju vazhdoni të qetë”.
Unë mbaja mend një varg të një kënge tjetër me Janinë por jo të gjithë tekstin. Shkova në bibliotekë dhe gërmova tek këngët e qëndresës shqiptare antiturke, por edhe te ato të mbrojtjes së Janinës nga ushtarët shqiptarë dezertorë të ushtrisë turke pas shpalljes së Pavarësisë.
E gjeta këngën dhe që të mos ndodhte ajo që po ndodh sot për të mohuar mua dhe kontributin tim si dhe peshën e madhe psikologjike që më rëndonte mbi shpinë i vura një çelës sigurie që asnjeri s’e ka kuptuar deri më sot. Tani po sqaroj pak këtë peshën psikologjike. Jemi në vitin 1983 kur Mehmet Shehu me lidhje të ngushta me Vlorën, Kadri Hazbiu etj, ishin eleminuar. Një pjesë e mirë e këngëve tona qenë vajtim. U akuzova nën zë se po vija grupin folklorik të Vlorës të vajtonte për tradhëtarët e Partisë. Megjithatë kjo nuk më dekurajoi e as më trembi të vazhdoja.
Tani cili është kodi i fshehtë i këngës?
Vargu i fundit nuk ekziston gjëkundi e kam shtuar unë.
Kënga flet për mbrojtjen e Janinës nga grekët, kurse vargu i fundit shtuar prej meje thotë: “Kur vranë Pashanë, i njohnë”. Është një varg absurd që shërben si kod i fshehtë kundër atyre që duan të përvetësojnë punën intelektuale të të tjerëve”