NJË MBRËMJE BASHKIMI MES KALLARATASVE
Më 15 korrik 2026, në Durrës u zhvillua një takim i veçantë i bashkëfshatarëve kallaratas me banim në këtë qytet, në kuadër të procesit të riorganizimit dhe zhvillimit të zgjedhjeve të reja në degët e Shoqatës “Kallarati”.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, miqësore dhe bashkëpunuese, ku nuk munguan emocionet, kujtimet, vlerësimet dhe dëshira për t’i dhënë Degës së Durrësit një hov të ri.
Në takim morën pjesë, të deleguar nga Kryesia e Shoqatës “Kallarati”:
🔹 Prof. dr. Rami Memushaj
🔹 Bako Xhaferaj, kryetar i Degës së Tiranës
🔹 Besnik Gjonbrataj
ZGJEDHJET E REJA NË DEGËN E DURRËSIT
Pas diskutimeve për veprimtarinë e deritanishme, forcimin e degës dhe nevojën për një organizim më aktiv, u zhvilluan zgjedhjet për drejtuesit e rinj të Degës së Shoqatës “Kallarati” në Durrës.
Me mirëkuptimin dhe mbështetjen e pjesëmarrësve u zgjodhën:
🔹 Kryetar i Degës së Durrësit – z. Gjergj Dautaj
🔹 Nënkryetar i Degës së Durrësit – z. Rezart Tozaj
Zgjedhja e drejtuesve të rinj u prit me kënaqësi dhe me besimin se kjo degë do të bëhet më aktive, më e organizuar dhe më e pranishme në jetën e Shoqatës “Kallarati”.
PROF. DR. RAMI MEMUSHAJ: VLERËSIM PËR DEGËN DHE KONTRIBUTIN E SAJ
Në fjalën e tij, prof. dr. Rami Memushaj falënderoi Degën e Durrësit për kompaktësinë, organizimin dhe pritjen e ngrohtë të rezervuar për pjesëmarrësit.
Ai vlerësoi kontributin që kjo degë ka dhënë ndër vite në mbështetje të veprimtarive të Shoqatës “Kallarati”, në ruajtjen e lidhjeve me vendlindjen dhe në pjesëmarrjen e vazhdueshme në aktivitetet e zhvilluara në Kallarat.
Profesor Rami Memushaj theksoi se Dega e Durrësit ka qenë ndër vite një nga degët që ka treguar përkushtim, seriozitet dhe dashuri të veçantë për vendlindjen.
KUJTIM PËR VETERANIN ABAZ DAUTAJ
Me respekt të veçantë, Prof. dr. Rami Memushaj kujtoi veteranin dhe veprimtarin e shoqatës, të ndjerin Abaz Dautaj, i cili u nda së fundmi nga jeta.
Abaz Dautaj, së bashku me fëmijët e tij, Gjergjin dhe Ilirin, me nipërit Geraldin dhe Albanin, si dhe me pjesëtarë të tjerë të fisit Dautaj, ka qenë i pranishëm në pothuajse çdo aktivitet të zhvilluar në Kallarat.
Pjesëmarrja e tij familjare në veprimtaritë e shoqatës mbetet një shembull i çmuar i dashurisë, përkushtimit dhe respektit për vendlindjen.
Në këtë kuadër u përmend edhe kontributi i nipërve të tij, Gerald dhe Alban Dautaj, për realizimin e ndriçimit të qendrës së fshatit, një nismë e dobishme dhe e mirëpritur nga i gjithë komuniteti. Ata vazhdojnë të mendojnë e të punojnë për Kallaratin, edhe përmes projekteve të reja në të ardhmen.
KONTRIBUT PËR BOTIMIN E “HISTORIKUT TË KALLARATIT”
Prof. dr. Rami Memushaj falënderoi gjithashtu Degën e Durrësit dhe kontribuesit e saj për mbështetjen financiare të dhënë për botimin e afërt të “Historikut të Kallaratit”.
Ky botim përbën një vepër me rëndësi të veçantë për ruajtjen, dokumentimin dhe përcjelljen e historisë së fshatit tonë te brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Kontributi financiar i Degës së Durrësit në këtë nismë u vlerësua si një dëshmi konkrete e lidhjes së fortë që kallaratasit e këtij qyteti vazhdojnë të ruajnë me vendlindjen.
XHELO TOZAJ: “PËR VENDLINDJEN DUHET TË PUNOJMË TË GJITHË”
Në takim përshëndeti edhe z. Xhelo Tozaj, ish-ushtarak dhe aktivist i shquar i Shoqatës “Kallarati”, por edhe i organizatave të ndryshme shoqërore në Durrës.
Ai falënderoi organizatorët për zhvillimin e këtij takimi dhe vlerësoi rëndësinë e bashkimit të kallaratasve rreth shoqatës.
Në fjalën e tij, Xhelo Tozaj përcolli mesazhin se për vendlindjen duhet të punojnë dhe të kontribuojnë të gjithë, secili sipas mundësive, përvojës dhe aftësive të veta.
Xhelo Tozaj është mjaft aktiv në jetën shoqërore dhe në rrjetet sociale, ku shkruan për Kallaratin, për Kukësin, ku shërbeu për shumë vite, për Organizatën e Veteranëve dhe për Shoqatën e Ushtarakëve. Kudo ku merr pjesë, ai përcjell mendimin dhe fjalën e tij.
Edhe në këtë takim shkëmbeu mendime dhe mori vlerësime për krijimtarinë kushtuar vendlindjes nga mësuesja e gjuhës dhe letërsisë, Luiza Gjonbrataj (Hysi), e pranishme në takim. Kujtojmë se në numrin e fundit të gazetës “Kallarati” është botuar edhe një poezi e tij kushtuar vendlindjes.
KAPEDAN VLADIMIR RJEPAJ, NJË JETË NË DET DHE ME ZEMËR NË KALLARAT
Me emocion dhe kënaqësi foli edhe kapedan Vladimir Rjepaj, një emër i njohur dhe i respektuar në Durrës.
Kapiten Vladimir Rjepaj mbetet një nga emrat më të nderuar të historisë së detarisë shqiptare. Biografia e tij lidhet ngushtë me periudhën e artë të Flotës Tregtare Detare Shqiptare, ku ai shërbeu si drejtues i disa prej anijeve më të rëndësishme transoqeanike të vendit.
Kulmi i karrierës së tij erdhi kur iu besua komanda e anijes “Arbëria”, një nga anijet më të mëdha dhe më moderne tregtare që ka pasur Shqipëria, me kapacitet mbajtës mbi 14 mijë tonë.
Gjatë karrierës së tij të gjatë detare ka lundruar me anije tregtare në shumë prej porteve më të njohura të botës.
Megjithëse jeta dhe profesioni e kanë çuar larg, lidhja e tij me Kallaratin ka mbetur gjithmonë e fortë.
Kapedan Vladimir Rjepaj u shpreh i gëzuar dhe i vlerësuar për pjesëmarrjen në këtë takim, të cilin e cilësoi të ngrohtë, mbresëlënës dhe me vlera të veçanta për bashkimin e kallaratasve në Durrës.
ERVEHE HABILAJ DHE KUJTIMET E VATRËS SË KULTURËS
Një tjetër prani e veçantë në takim ishte ajo e vajzës kallaratase, Ervehe Habilaj, banuese prej vitesh në Durrës dhe më parë emigrante për një periudhë të gjatë në Greqi.
Në vitet e rinisë së saj, Ervehe Habilaj ka qenë një vajzë tepër aktive në jetën shoqërore dhe kulturore të Kallaratit, duke ushtruar detyrën e përgjegjëses së Vatrës së Kulturës së fshatit, e cila në ato vite, ishte një nga qendrat më të rëndësishme të jetës kulturore në Kallarat.
Aty zhvilloheshin veprimtari të ndryshme, lexoheshin libra, shpërndaheshin gazetat dhe ndiqej televizioni bardhë e zi. Ishte një vend ku banorët takoheshin, mësonin, shkëmbenin mendime dhe argëtoheshin së bashku.
Për Ervehe Habilajn, pjesëmarrja në këtë takim ishte një rikthim emocional te njerëzit dhe kujtimet e vendlindjes.
Ajo u ndje e nderuar dhe e gëzuar që u ritakua me shumë bashkëfshatarë, të cilët kishte vite pa i parë për shkak të emigracionit të gjatë në Athinë, në veçanti me Bakon si komshi, me Besnikun do bashkë nxënës të së njëjtës shkollë.
Prania e saj i dha takimit më shumë ngrohtësi, emocion dhe nostalgji për jetën kulturore të dikurshme të Kallaratit.
NJË HOV I RI PËR DEGËN E DURRËSIT
Të gjithë pjesëmarrësit shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar me drejtuesit e rinj, për të afruar më shumë kallaratas rreth shoqatës dhe për të kontribuar në zhvillimin e veprimtarive shoqërore, kulturore, atdhetare dhe humanitare.
Riorganizimi i Degës së Durrësit përbën një hap të rëndësishëm, pasi në këtë qytet jetojnë shumë familje kallaratasish, të cilat ndër vite kanë treguar lidhje të forta me vendlindjen dhe kanë mbështetur veprimtaritë e Shoqatës “Kallarati”.
Një urim i veçantë shkon për drejtuesit e sapozgjedhur, z. Gjergj Dautaj dhe z. Rezart Tozaj, të cilëve u urojmë suksese, mbarësi dhe bashkëpunim të frytshëm në detyrat e tyre.
Besojmë se, me përkushtimin e tyre dhe me mbështetjen e të gjithë kallaratasve në Durrës, kjo degë do të marrë një hov të ri dhe do të japë një kontribut edhe më të madh në forcimin e Shoqatës “Kallarati”.
BAKO XHAFERAJ DHE GJERGJ DAUTAJ, DY KRYETARËT E SAPOZGJEDHUR NË TIRANË DHE DURRËS
Si Bako Xhaferaj, ashtu edhe Gjergj Dautaj, janë dy ish-ushtarakë, prej vitesh aktivë në jetën e shoqatës dhe kontribues të vazhdueshëm, përfshirë edhe mbështetjen financiare për veprimtaritë e saj.
Ekziston besimi se ata do t’u japin degëve të Tiranës dhe të Durrësit një frymëmarrje të re, duke forcuar njëkohësisht edhe bashkëpunimin ndërmjet dy degëve, të cilat janë gjeografikisht pranë njëra-tjetrës.
Urime dhe suksese në drejtimin e Degës së Shoqatës “Kallarati” në Tiranë dhe në Durrës!
REZART TOZAJ, NJË SHPIRT ARTISTI ME DASHURI PËR KALLARATIN
Rezart Tozaj është piktor e mëdues në Durrës dhe ka një dashuri të veçantë për vendlindjen e babait të tij, Xhelo Tozaj.
Ai ka shpirt artisti dhe këtë ndjeshmëri e shpreh edhe në dashurinë ndaj Kallaratit. Rezarti ka marrë pjesë në shumë veprimtari të zhvilluara në fshat, veçanërisht në “Takimin e Brezave” dhe në “Piknikun Pranveror”.
Zgjedhja e tij si nënkryetar i Degës së Durrësit përbën një vlerësim për veprimtarinë, përkushtimin dhe lidhjen e tij të vazhdueshme me vendlindjen.
PROCESI DO TË VAZHDOJË EDHE NË DEGËT E TJERA
Procesi i zgjedhjeve të reja, i zhvilluar më parë në Degën e Tiranës dhe tashmë edhe në Durrës, do të vazhdojë në Vlorë, Fier dhe në degët jashtë vendit, në Greqi, Itali dhe kudo ku jetojnë e veprojnë kallaratasit.
Pas përfundimit të zgjedhjeve në të gjitha degët, procesi do të kulmojë me zgjedhjet e përgjithshme të Shoqatës “Kallarati”, në përputhje me Statutin e saj. Në takim u shprehën mendime që, për të mundësuar pjesëmarrje sa më të gjerë, të shqyrtohet edhe mundësia e zhvillimit të tyre online.
Takimi i zhvilluar në Durrës tregoi edhe një herë se, pavarësisht largësisë dhe viteve që kalojnë, lidhja me vendlindjen mbetet e fortë.
Bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe pjesëmarrja janë themeli i një shoqate të fortë.
Të punojmë të gjithë së bashku për bashkimin e kallaratasve, ruajtjen e kujtesës historike dhe promovimin e vlerave të Kallaratit!
“Ec ngado, po Kallaratin mos e harro!”
Për Shoqatën “Kallarati”
Besnik Gjonbrataj












































