Shpjegimi i prejardhjes së emrave të vendeve është një temë shumë tërheqëse. Një temë të tillë ka hapur edhe gazeta “Kallarati”, e cila u bën thirrje bashkëfshatarëve të shfaqin mendimet e tyre për këtë çështje.
Pikërisht, në këtë shkrim synojmë të bëjmë etimologjinë e emrit Kallarat. Shpjegimi i prejardhjes së këtij emir më ka tërhequr prej kohësh. Para meje, studiuesi çorrjot Ali Dhrimo në një punim të tij për toponiminë e Kurveleshit thotë se “ky toponim është i gurrës vendëse dhe është formuar nga apelativi i gurrës greke kaλόγερος ‘murg’ dhe prapashtesa me origjinë ilire –at”. Duke u pajtuar në thelb me këtë shpjegim, në librin “Histori e Kurveleshit” kam sjellë në mbështetje të tij dëshmi nga dokumente të shkruara, por edhe emra vendesh e njerëzish të mbledhur në Kurvelesh dhe në regjistrat e kishës së Shën Mitrit në Horën e Arbëreshëve, në Sicili.
Por shpjegimi im është kundërshtuar nga zotërinjtë Gafur Shameti e Hiqmet Meçaj. Ky i fundit, në një shkrim me disa të dhëna për Kallaratin, duke u ndalur në prejardhjen e këtij emri, replikon
tërthorazi me shpjegimin tim, sikur gjoja unë e lidh emrin e fshatit me bretkosat “se kështu enkan quajtur larvat e bretkosave në dialektin vendës”. Nga sa shkruajnë, duket se të dy ose nuk e kanë lexuar librin tim, ose nuk e kanë kuptuar shpjegimin, madje edhe duke e shtrembëruar atë. Moskuptimi mund t’i falet të parit, nga që nuk është i fushës së filologjisë, por jo të dytit, që ka arsim filologjik dhe që ka mësuar se si bëhet etimologjia.
Para se të sjell argumente të tjera në mbështetje të shpjegimit që kam dhënë, po lejohem të vë në dukje se për shpjegimin e prejardhjes së një fjale nuk mjafton vetëm ta përqasësh atë me ndonjë fjalë të njohur të gjuhës me të cilën ngjan nga ana tingullore. Sidomos për shpjegimin e një emri vendi, së pari duhen gjetur dokumente të shkruara ku të dëshmohet kjo fjalë. Pastaj, nëse forma a format që ngjajnë më shumë me emrin e sotëm, nuk lidhen me ndonjë fjalë të gjuhës, do parë se mos ky emër ka ndonjë pjesë që përputhet me ndonjë fjalë të shqipes dhe nëse pjesa tjetër që mbetet gjendet edhe në fjalë të tjera dhe me të njëjtin kuptim. Pas kësaj, duhet shpjeguar pse ky vend (fshat, qytet etj.) është quajtur kështu, dmth. pse është marrë si bazë kjo fjalë rrënjë. Për të qenë më të sigurt, duhen shpjeguar edhe ndryshimet tingullore mes formës së vjetër të fjalës dhe formës së saj të re.
Nisur nga ngjashmëria tingullore, emri Kallarat ngjan me shumë emra fshatrash të Labërisë, si Dukat, Luzat, Lazarat, Qesarat etj., që kanë në bazë rrënjët Dukë, Luz, Lazar e Qesar, të cilët janë emra njerëzish që i dëgjojmë edhe sot. Nuk do shumë mund për të kuptuar se emrat e këtyre fshatrave janë formuar duke u shtuar rrënjëve të mësipërme pjesën –at. Me këtë element mbaron edhe emri Kallarat. Po ç’mund të thuhet për pjesën Kallar– që mbetet? A mund të lidhet kjo me ndonjë fjalë të shqipes? Ka që e lidhin me kalë, thjesht duke u nisur nga ngjashmëria tingullore dhe duke sjellë si argument që Kallarati ka qenë vendi i kuajve! Por ky shpjegim, që do ta quanim romantik, nuk qëndron as gjuhësisht, as historikisht. Si mund të ketë qenë vendi i kuajve një fshat malor, ku vetëm mushka dhe gomari mund të bëjnë punë, dhe ku folklori nuk jep asnjë dëshmi të traditës së rritjes së kuajve? Pastaj, pse l-ja e kalë është bërë ll? Po –ar apo –arat ç’janë e ç’kuptim kanë?
Për të dhënë një shpjegim bindës, duhet ndjekur rruga që vumë në dukje pak më sipër. Së pari, a del ky emër në dokumente të shkruara? Për fat të mirë, emri Kallarat dëshmohet në dokumente osmane e italiane prej gati gjashtë shekujsh. Për here -të parë ai del më 1432, në defterin osman të tokave të sanxhakut të Shqipërisë, në trajtat Kalojrat e Kallojrat, si fshat i vilajetit të Kaninës.
Në vitin 1507 del në trajtën Kiljorat, si një ndër fshatrat kryengritëse të sanxhakut të Vlorës; dhe në trajtën Calojerates, në letrën që krerët e krahinës së Himarës i dërgojnë papës së Romës në shkurt të vitit 1581. Kurse më 1583, në regjistrin turk të kazasë së Delvinës del me trajtën Kalloqerat (për shek. e 16-të, H. Meçaj sjell edhe dy trajta të tjera: Caloairates dhe Caloirates, nga ta cilat e dyta është e njëjtë me ato të vitit 1432). Për shek. e 17-të nuk na ka rënë në dorë ndonjë dokument, por një shekull më pas ky emër del dy herë: Calloghirates, në një relacion italisht të priftit arbëresh Pal Skiroi aty rreth vitit 1720, dhe Calozherates (sipas përkthimit shqip) në letrën e vitit 1759 dërguar careshës Elisabetë të Rusisë nga krerët e krahinës së Himarës. Ndërsa duke filluar nga shek. 19-të, si në dokumentet e huaja, edhe në folklorin vendës emri I fshatit del në trajtën që ka sot.
Nga krahasimi i trajtave italiane me ato turke të shek. XV–XVI, duket se trajtat që gjejmë në këto të fundit i afrohen më shumë shqiptimit vendës. Po edhe trajtat italiane, po t’u heqim mbaresën –es (një lloj mbarese që del edhe në Duchates, Drimades, Progonates, Zulates, Picernates etj.), nuk janë shumë larg trajtave turke: Calojerat, Calloghirat dhe Calozherat dhe Kalojrat/Kaloirat,Kallojrat, Kiljorat e Kalloqerat. Elementi i përbashkët –at i këtyre trajtave, sikundër ka vërejtur Georg Hani më 1854 në librin “Studime shqiptare” dhe e ka vërtetuar më pas gjuhëtari Eqrem Çabej, nuk është tjetër veçse prapashtesa e vjetër ilire –at(es), e cila ka vijuar të përdoret edhe në fillim të mijëvjeçarit të dytë për të formuar emra fshatrash prej emrit të paraardhësit, siç u pa më sipër. Nga krahasimi i pjesës që mbetet pasi këtyre trajtave u heqim –at(es), del se trajta bazë është ajo me ll, po të kemi parasysh se italishtja nuk ka ll dhe, si rrjedhim, e ka dhënë ll-në e shqipes me l. Pra, dy rrokjet e para të fjalës janë kallo.
Nga Prof. Dr. Rami Memushaj
Botuar ne Nr. 56 te Gazetes Kallarati