DY MJEKË TË SUKSESSHËM TË FAMILJES GJONBRATAJ NË TIRANË

Dr. Endri Ilir Gjonbrataj, me origjinë nga Kallarati (nip i Sadik Gjonbrataj) dhe bashkëshortja e tij, Dr. Juarda Neki Gjonbrataj, me origjinë nga Erseka, janë një çift i ri mjekësh shqiptarë, të mirëarsimuar, të kualifikuar dhe me ambicie të mëdha në profesionin e mjekut dhe në fushën e kërkimit shkencor mjekësor.

Përgatitja e tyre profesionale, përvoja e fituar brenda dhe jashtë vendit, si dhe pjesëmarrja në veprimtari shkencore kombëtare e ndërkombëtare, dëshmojnë përkushtimin e tyre ndaj zhvillimit të vazhdueshëm profesional dhe ndaj misionit fisnik të mjekut.

Në punën e tyre të përditshme, Endri pranë Spitalit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Tiranë, dhe Juarda pranë Spitalit Multispecialistik Mediko-Kirurgjikal Italo-Shqiptar “Salus”, po në Tiranë, dallohen jo vetëm për profesionalizëm dhe korrektësi, por edhe për shpirtin human dhe gatishmërinë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, fakt që dëgjohet nga shumë pacientë të tyre. Por, përpara se të jenë mjekë të zotë, ata janë njerëz me edukatë, kulturë dhe ndjeshmëri të veçantë njerëzore, të mbartur nga familjet e tyre.

Në marrëdhëniet me pacientët dallohen për komunikimin e ngrohtë, respektin, durimin dhe fjalën qetësuese. Sepse, krahas dijes profesionale, diagnostikimit dhe mjekimit, të sëmurin e ndihmon dhe shpesh e shëron edhe fjala njerëzore.

Me punën dhe sjelljen e tyre, Dr. Endri dhe Dr. Juarda Gjonbrataj përfaqësojnë denjësisht brezin e ri të mjekëve shqiptarë, të cilët ndërthurin dijen shkencore me humanizmin, profesionalizmin me përkushtimin dhe ambicien me përgjegjësinë ndaj jetës dhe shëndetit të njeriut.

DR. ENDRI GJONBRATAJ – MJEK RADIOLOG

Dr. Endri Gjonbrataj është diplomuar në degën e Mjekësisë së Përgjithshme pranë Fakultetit të Mjekësisë, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, në periudhën 2004–2010.

Në vitet 2015–2019 kreu specializimin në Diagnozë me Imazhe, pranë Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.

Në vitin 2022, në Lubjanë, mbrojti me sukses Diplomën Evropiane në Radiologji (EDiR), të akorduar nga Bordi Evropian i Radiologjisë, një arritje që dëshmon nivelin e lartë të përgatitjes së tij profesionale.

Gjatë periudhës maj–gusht 2014 kreu një përvojë tremujore kërkimore, në kuadër të programit “Clinical Research Fellowship”, pranë Dongsan Hospital, në Korenë e Jugut.

Prej vitit 2020 është lektor i Mjekësisë Nukleare Diagnostike pranë një universiteti jopublik, duke dhënë kontributin e tij edhe në përgatitjen e brezave të rinj të studentëve të mjekësisë.

Dr. Endri është anëtar i Shoqatës Shqiptare të Radiologjisë dhe i Shoqatës Evropiane të Radiologjisë.

Ai është autor dhe bashkautor i publikimeve në revista ndërkombëtare, si dhe pjesëmarrës në kongrese e konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.

Që prej vitit 2019 ka ushtruar profesionin e mjekut radiolog në struktura spitalore publike dhe jopublike.

Aktualisht, Dr. Endri ushtron profesionin e tij si mjek radiolog pranë Spitalit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Tiranë.

DR. JUARDA GJONBRATAJ – MJEKE INTERNISTE

Dr. Juarda Gjonbrataj është diplomuar në degën e Mjekësisë së Përgjithshme pranë Fakultetit të Mjekësisë, Universiteti i Tiranës, në periudhën 2004–2010.

Nga prilli i vitit 2011 deri në prill të vitit 2015 kreu specializimin në Mjekësi Interne, pranë Shërbimit Universitar të Mjekësisë Interne dhe Hipertensionit, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë.

Gjatë periudhës maj–shtator 2014 kreu një përvojë kërkimore në kuadër të programit “Clinical Research Fellowship”, pranë Dongsan Hospital, në Korenë e Jugut.

Në qershor të vitit 2016 përfundoi një kurs të specializuar për ekografinë abdominale pranë SIUMB, në Tolmezzo të Italisë, duke pasuruar më tej formimin dhe aftësitë e saj profesionale.

Dr. Juarda ka marrë pjesë në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ajo është gjithashtu autore dhe bashkautore e artikujve origjinalë të botuar në revista shkencore ndërkombëtare.

Nga prilli i vitit 2011 deri në prill të vitit 2015 punoi si mjeke specializante pranë Shërbimit Universitar të Mjekësisë Interne dhe Hipertensionit, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Prej nëntorit të vitit 2015 ushtron profesionin e mjekes interniste pranë Spitalit Multispecialistik Mediko-Kirurgjikal Italo-Shqiptar “Salus”, në Tiranë.

Dr. Endri dhe Dr. Juarda Gjonbrataj janë janë prindër të një djali të vogël, janë dy mjekë të përkushtuar, të cilët me profesionalizmin, dijet, kulturën dhe komunikimin e tyre njerëzor kanë fituar respektin dhe mirënjohjen e pacientëve.

Ata janë të gatshëm dhe të disponueshëm për t’u ardhur në ndihmë të gjithë pacientëve që kanë nevojë për dijen, këshillimin dhe shërbimin e tyre mjekësor, por në mënyrë të veçantë edhe bashkëfshatarëve kallaratas.

Prandaj, cilido kallaratas që, për arsye shëndetësore, ndodhet pranë spitaleve ku ata ushtrojnë profesionin, mund t’u drejtohet pa hezitim, te të cilët do të gjejnë, jo vetëm kujdesin dhe korrektësinë e mjekut, por edhe përkrahjen, respektin dhe afërsinë njerëzore që buron nga lidhja me origjinën dhe njerëzit e saj.

Për kallaratasit, në veçanti, është kënaqësi dhe siguri të dinë se në dy institucione të rëndësishme shëndetësore të Tiranës punojnë dy mjekë të tillë, ku mund të gjejnë një derë të hapur, një këshillë profesionale dhe një fjalë të mirë.

Next Post

HISTORIKU I KALLARATIT

Die Gus 9 , 2026
– Një vepër për kujtesën, identitetin dhe trashëgiminë e brezave – Nga Besnik Gjonbrataj Nën drejtimin e Shoqatës Atdhetare dhe Kulturore “Kallarati”, para pak ditësh u botua libri “Historiku i Kallaratit”, një vepër e gjerë që synon të dokumentojë historinë, jetën, traditat, kulturën dhe zhvillimin e komunitetit kallaratas në rrjedhën […]