Nga: Prof.dr.RAMI MEMUSHAJ
TIRANE – Në një shkrim të botuar ditë më parë, prof. Jani Thomai, bashkëkryetar i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, flet, ndër të tjera, edhe për shkallën e ndërhyrjes në rregullat e drejtshkrimit dhe në fjalorin e shqipes për të cilat u votua në mënyrë jonormale. Ai shpjegon se këto ndryshime janë tagër i këtij Këshilli, i cili “formulon mendimin më të përgjithshëm për çdo çështje” dhe “sugjeron mbi baza shkencore rastet kur drejtshkrimi duhet prekur”. Por, përballë shqetësimit të gjuhëtarëve dhe të opinionit të gjerë për vendimet e marra, përpiqet të na qetësojë duke thënë se Këshilli “nuk ka as fuqi urdhëruese a detyruese për shtetin, për arsimin, për median, për shoqërinë civile etj.”
Me këtë, bashkëkryetari i këtij këshilli dhe disa anëtarë të tij që betohen e stërbetohen për gjuhën standarde, paraqiten me një qëndrim të dyzuar, duke u përpjekur t’u bëjnë qejfin të dy palëve. Para opinionit sot duan të shfajësohen se nuk kanë bërë asgjë në dëm të gjuhës standarde, kurse nesër, kur propozimet e Këshillit të bien, të rrahin gjoksin si mbrojtës të saj. Nuk mund ta besosh që një këshill me 17 akademikë e profesorë të mblidhet në vapën e qershorit dhe të diskutojë tri ditë e të vendosë për gjëra për të cilat e di se nuk ka “fuqi urdhëruese” a “detyruese”. Si mund të qetësohemi kur nga një anë përpiqen të na bindin se asgjë s’ka ndodhur, kurse nga ana tjetër na thonë se Këshilli “sugjeron… rastet kur drejtshkrimi duhet prekur”. Kujt do t’ia sugjerojë Këshilli këto propozime, këtë bashkëkryetari i Këshillit nuk e thotë. Mos ndoshta ndonjë konference me të ftuar të “përzgjedhur” si ajo e dhjetorit 2010?!
Kjo të kujton historinë e atij djallit të vogël që rrinte të hyrja e shpellës ku do të mbahej një kuvend djajsh. Duke hyrë në shpellë, një djall plak ndalet pranë të voglit, i përkëdhel brirët dhe e pyet: “Çfarë bën këtu, ti vogëlush? “Asgjë”, – i përgjigjet djalli i vogël. “Asgjë, fare?” “Po ja, u përgjigj i vogli, – u hedh djajve gurë në opinga.” “O, po ti bëke punën më të madhe”, – i thotë djalli plak.
Cilët janë “gurët” që i po i hidhen shqipes standarde për ta bërë të çalojë? Dhe kush po ia hedh këta gurë? Ai që, sipas prof. J. Thomait, e ka quajtur Këshillin “ilegal”, të “fshehtë”, të “paaftë” dhe që “ia mohon të drejtën këtij Këshilli Ndërakademik e me përbërje kombëtare të diskutojë e të bëjë propozime për ndryshime në drejtshkrim, kur vetë boton fjalor drejtshkrimor me ndryshime të tilla pa ua ndier nevojën diskutimeve në ndonjë forum shkencor dhe çorienton kështu shkollën e gjithë ata që përdorin (e duhet të vijojnë të përdorin) rregullat e drejtshkrimit në fuqi që nga Kongresi i Drejtshkrimit” apo Këshilli Ndërakademik?
Po u përgjigjemi menjëherë pyetjeve të mësipërme, pa u marrë me të pavërtetat se e kam quajtur Këshillin “ilegal”, të “fshehtë”, të “paaftë” etj., për të cilat kushdo mund të bindet duke lexuar në internet shkrimet dhe intervistat e mia. Për t’u kuptuar më lehtë se kush po shkakton çoroditje, po sjellim pasqyrën që vijon, në të cilën jepet numri i fjalëve të shqipes drejtshkrimi i të cilave preket në Fjalorin drejtshkrimor të përfolur dhe në projektin e votuar nga Këshilli Ndërakademik.
****
Shifrat për fjalët që sipas projektit të Këshillit Ndërakademik do të shkruhen ndryshe, janë llogaritur bazuar në “Fjalorin drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (2011) të Dhrimo–Memushaj, me 70 mijë zëra leksikorë, i cili e paraqet shumë më mirë nga fjalorët e tjerë pasurinë leksikore të shqipes së sotme. Megjithatë, raporti i fjalëve që është votuar të shkruhen ndryshe me numrin e përgjithshëm të fjalëve mbetet i njëjtë, në mos edhe rritet, nëse do të merrnim për bazë qoftë “Fjalorin drejtshkrimor” të 1976-ës (me 33 mijë fjalë), qoftë “Fjalorin e gjuhës shqipe” të 2006-ës (me 45 mijë fjalë), pasi fjalët në diskutim janë pjesë e leksikut bazë të shqipes.
Nga pasqyra duket se për disa ndryshime, si ato për shkrimin me eu të euro, Europë etj., për shkrimin pa ë të emrave mashkullorë të tipit burrë dhe të fjalëve të formuara prej tyre (burr e jo burrë, gjum e jo gjumë, gjumdhënës e jo gjumëdhënës, gjalp etj.), për shkrimin pa -i fundore të tri foljeve (ik, ec dhe hip) dhe të disa fjalëve të tjera, ka përputhje midis dy projekteve.
Por ndryshimet e miratuara nga Këshilli Ndërakademik shkojnë shumë larg në krahasim me Fjalorin tonë. Këshilli ka miratuar këto ndryshime:
– Të mos shkruhet ë në fjalët vetë dhe gjithë kur me to formohen fjalë të prejardhura a të përbëra (vetqeverisje, gjithsi, i gjithfuqishëm etj. dhe jo vetëqeverisje, gjithësi, i gjithëfuqishëm etj. si shkruhen sot).
– Fjalët e prejardhura të formuara nga tema që mbarojnë me ë + bashkëtingëllore dhe prapashtesa që nisin me zanore të shkruhen të gjitha pa ë (emër – emroj dhe jo emëroj, dimër – dimroj dhe jo dimëroj etj.).
– Të mos shkruhet ë mbështetëse (mjeksi dhe jo mjekësi, pleqri dhe jo pleqëri, miqsor dhe jo miqësor, numroj dhe jo numëroj etj.).
– Fjalët e prejardhura të formuara me prapashtesën -tar nga emra femërorë si anë, arkë etj. të shkruhen pa -ë (antar dhe jo anëtar, arktar dhe jo arkëtar etj.)
Për të kuptuar se ç’do të ndodhë me drejtshkrimin dhe me fjalorin e shqipes, po ndalemi së pari në rastin e fundit, për të cilin ndiqet një logjikë e gabuar, e kundërt me atë të ndjekur në rregullat aktuale: përjashtimet (27 raste) bëhen rregull që mbulon të gjitha fjalët e formuara nga tema më -ë me prapashtesën -tar, të cilat sot shkruhen me -ë (87 fjalë). Pra, rregulla përmbyset. Dhe cili është thjeshtimi i drejtshkrimit dhe përfitimi në memorien e përdoruesit nga ky “thjeshtim”, kur përsëri, sipas z. J. Thomaj, do bërë përjashtim për fjalët luftëtar e naftëtar. Por si luftëtar e naftëtar janë edhe 25 fjalë të tjera në të cilat krijohen grupe treshe bashkëtingëlloresh aspak të lehta për t’u shqiptuar, kështu që përjashtimi duhet t’i përfshijë të 27 fjalët. Si mund të flitet për thjeshtim të drejtshkrimit dhe për ekonomi gjuhësore kur nga mosshkrimi i ë-së, veç përmbysjes së panevojshme të mësipërme, krijohen edhe tri çifte homonimesh (artar “bujk” nga arë dhe artar “argjendar” nga ar; dertar “portier” nga derë dhe dertar “njeri me derte” nga dert; dhe voztar “vozabërës” nga vozë dhe voztar “vozitës”? Si mund të flitet për përfitim kur nga mosshkrimi i ë-së fundore të temës në këto fjalë të prejardhura tronditet ndjenja gjuhësore e shqipfolësve (e kemi fjalën për ata që mësojnë gramatikën e shqipes në shkollë dhe ata që e përdorin shqipen si gjuhë të shkruar), të cilët do t’i shkruajnë pa -ë jo vetëm fjalë të tilla si anëtar, po dhe anëcak, anësi, anësor, anësisht, anëzor, anëzim, anëshkrim, anërrugë etj., të formuar nga emri anë dhe pastaj edhe vetë këta emra në emërore dhe kallëzore të pashquar njëjës.
E njëjta logjikë vërehet edhe për mosshkrimin e ë-së mbështetëse. Në drejtshkrimin aktual, rregulla për shkrimin e saj përfshin shumicën dërrmuese të fjalëve të prejardhura që vijnë nga emra mashkullorë dhe prapashtesa që nisin me bashkëtingëllore (të cilat janë me qindra), duke përjashtuar vetëm fjalët e formuara nga tema që mbarojnë vetëm me një bashkëtingëllore dhe prapashtesat -tar, -tor, -ti dhe -toj, numri i të cilave është mjaft i kufizuar. Në ndryshimet e miratuara mosshkrimi i zanores ë të patheksuar kthehet në rregull që vepron pa asnjë përjashtim. A nuk kemi edhe këtu një përmbysje të drejtshkrimit?
Nga numërimi i fjalëve që preken nga propozimet e Këshillit Ndërakademik del se janë më shumë se 2.500 zëra fjalori, ose 36‰ të fjalëve. Kjo do të thotë që në çdo një mijë zëra 36 prej tyre do të shkruhen ndryshe. Por numri i fjalëve që do të shkruhen ndryshe, pritet të jetë edhe më i madh. Nuk dimë ende si është vendosur të shkruhen qindra e qindra fjalë të formuara nga tema që mbarojnë me ë dhe prapashtesa ose tema që nisin me bashkëtingëllore, si anësi, anësor, anëcak, punëtor, anëshkrim, punëdhënës etj.; nuk dimë a do të shkruhen me -jan, edhe 280 fjalë të tjera që sot shkruhen me -ian (naimian, lasgushian, italian etj.); po ashtu nuk dimë ç’është vendosur për prapashtesën -nj të shumësit të 279 emrave mashkullorë (mullinj, ullinj etj.), të ruhet -nj apo të shkruhet -j; nuk dimë edhe mjaft zgjidhje të tjera. Po të jetë se është vendosur për shkrimin pa ë të temave të fjalëve të prejardhura e të përbëra, për shkrimin me -jan dhe jo -ian apo për shkrimin me -j dhe jo me -nj të prapashtesës së shumësit, atëherë shifrat e mësipërme dyfishohen, që do të thotë se në çdo 100 fjalë 6 a 7 syresh do të shkruhen ndryshe.
Pra, del se ka ndryshuar jo “drejtshkrimi i 50 fjalëve”, po është prekur rëndë drejtshkrimi i gjuhës standarde. Me zbatimin e këtyre ndryshimeve, shqipja standarde kthehet në një labërishte të shkruar ose në një gegërishte me rotacizëm po pa pjesoren gege. Në bazë të këtyre shifrave paraprake, mund të thuhet se është votuar jo për përsosjen e normës drejtshkrimore, po për ndryshimin e bazës së gjuhës standarde.
Pasqyra e mësipërme tregon se në “Fjalorin drejtshkrimor” (2011) të Dhrimo–Memushajt preket shkrimi i vetëm 572 fjalëve, baras me 8‰ të korpusit të fjalorit, ose 8 fjalë në çdo një mijë fjalë fjalori, d.m.th. katër herë e gjysmë më pak ndryshime nga ç’ka miratuar Këshilli Ndërakademik. Një numër kaq i vogël ndryshimesh nuk e prek bazën e rregullave të drejtshkrimit dhe nuk krijon probleme për sa i përket zbatimit të tyre në praktikën e ligjërimit.
Nevoja e përmirësimit të drejtshkrimit na shpuri tek ideja për të bërë një fjalor në vitin 2006, kur grupi i gjuhëtarëve të Tiranës për drejtshkrimin pranë Këshillit Ndërakademik i kundërshtoi propozimet e grupit gjegjës të Prishtinës në të cilat kërkohej as më pak e as më shumë po përmbysja e drejtshkrimit ekzistues, me kërcënimin se mosbërja e ndryshimeve “do ta rrezikonte seriozisht ekzistencën e gjuhës standarde” (Shih R. Memushaj, Për shqipen standarde, Tiranë, 2012, f. 94). Meqë grupi i Tiranës nuk pati ndonjë alternativë të vetën, duke u mjaftuar vetëm me disa ndryshime të papërfillshme, i ndjeri prof. Ali Dhrimo dhe autori i këtij shkrimi, atëherë të dy anëtarë të këtij grupi, iu vunë punës për të dhënë një përgjigje shkencore për përmirësimet që i duheshin bërë drejtshkrimit. Këtë punë e përfunduam të vetëm (pasi nuk arritëm të tërhiqnim në këtë projekt tjetërkënd) në dhjetor 2010, pikërisht në kohën kur në Durrës mbahej konferenca për gjuhën standarde, organizuesit e së cilës bënë çmos të impononin projektin e vet për ndryshimin e bazës së saj, një hap përpara në përmbushjen e të cilit e hodhën me projektin e votuar në qershor nga Këshilli Ndërakademik.
Ky fjalor, botimin e të cilit prof. J. Thomai u mundua ta pengonte kur ishte duke u faqosur, dhe tani po përpiqet ta dënojë me anë gjykatash, nuk është një plagjiaturë, sikundër po mundohen ta paraqesë ai dhe ndonjë tjetër, po një vepër e punuar ex-novo, tek e cila dy autorët kanë arritur jo duke u nisur nga hiçi. Prof. A. Dhrimoja kishte drejtuar për më shumë se dhjetë vjet revistën “Gjuha jonë”, kishte botuar monografi e artikuj për normën morfologjike si dhe fjalorët më të mirë gjermanisht-shqip e shqip-gjermanisht, fjalësi i të cilëve na shërbeu si bazë për fjalorin drejtshkrimor. Kurse bashkautori tjetër i vihej kësaj pune pas një përvoje 35-vjeçare me drejtshkrimin në universitet, me disa vepra e shumë shkrime kushtuar gjuhës standarde, ku ka një varg propozimesh konkrete për përmirësimin e normës drejtshkrimore e morfologjike, disa nga të cilat i gjejmë edhe në propozimet e Këshillit Ndërakademik. Pra, kjo vepër është një përgjigje e dy njohësve të mirë të normave morfologjike, drejtshkrimore e fonetike për çështjen se në ç’masë mund të ndërhyhet në gjuhë.
Nuk është e vërtetë as ajo që thotë prof. J. Thomai se fjalori ynë drejtshkrimor “çorienton kështu shkollën e gjithë ata që e përdorin”, pasi në të është paraqitur norma ekzistuese drejtshkrimore dhe morfologjike e shqipes standarde, duke sjellë për herë të parë edhe një projekt të plotë të përmirësimeve që mund t’u bëhen këtyre normave. Për të mos i çorientuar përdoruesit, propozimet i kemi dhënë në formë liste në “Hyrjen” e veprës, kurse në korpusin e fjalorit i kemi bërë të dukshme duke i shkruar me ngjyrë të kuqe, ndërkohë që trajtat normë gjegjëse janë dhënë me ngjyrë të zezë.
Ndryshe nga ç’thonë ata që flasin për Fjalorin tonë pa e shfletuar, kjo vepër paraqitet si alternativa më e mirë për përmirësimin e normës drejtshkrimore e morfologjike, dhe jo për përmbysjen e saj, sikundër propozon Këshilli Ndërakademik. Në të ne shprehemi qartë: “Këto ndryshime janë caku përtej të cilit nuk mund të ndërhyhet në normën drejtshkrimore të shqipes standarde. Por pranimi i tyre dhe kthimi në normë varet, në fund të fundit, nga tumirja prej planifikuesve gjuhësorë.” Kështu që pohimet se “nuk është dhënë për diskutim në institucionet përkatëse”, se “është një vepër e parakohshme” etj., nuk qëndrojnë. Është një vepër në kohën e duhur që u drejtohet gjuhëtarëve shqiptarë të të gjitha trevave. Përpara tyre tani ka dy projekte: projekti i “Fjalorit drejtshkrimor”, që synon përsosjen e normës drejtshkrimore, dhe projekti ndërakademik, i cili ndryshon drejtshkrimin në atë shkallë sa prek bazën e gjuhës standarde.
*Pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)