Pas një sëmundje të rëndë e të gjatë në datën 17 Shtator 2012 u nda nga jeta Hasan Shaqo Hysi.
Hasani lindi në Kallarat të Vlorës ne vitin 1931 në një familje të varfër me ndjenja patriotike dhe atdhetare, ashtu si çdo familje tjetër kallaratase.
I lindur dhe rritur në një ambient të tillë familjarë, pas mbarimit të shkollës në vendlindjen e tij në Kallarat, Hasani vazhdoi studimet në Shkollën Ushtarake Skënderbej dhe më vonë në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, duke u titulluar oficer në specialitetin e Tankeve.
Pas mbarimit të shkollës së Bashkuar shërbeu në Tiranë, ku për rezultatet dhe përkushtimin e tij në punë, dërgohet për kualifikim jashtë vendit.
Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer detyra të ndryshme si oficer aktiv në Tiranë dhe Berat. Kudo ku Hasani punoi u shqua për korrektësi, profesionalizëm e përkushtim në kryerjen e detyrave të ngarkuara dhe marrëdhënie korrekte e vëllazërore me shokët dhe eprorët, duke u dekoruar me urdhra e medalje të ndryshme.
Periudhën më të gjatë të karrierës ushtarake deri sa doli në pension, të jetës familjare, por edhe aktivitetit shoqëror, Hasani e kaloi në qytetin e Beratit që ai e deshi aq shumë.
Hasani ishte një njeri modest, kurajoz, fjalëpakë, punëtor dhe i dashur me njerëzit në familje, punë, në lagje e kudo. Falë këtyre virtyteve, bëri që ai të përballonte për vite të tëra sëmundjen e gjatë e të rëndë të tij.
Hasani gjatë gjithë kohës ka shprehur e treguar një dashuri të madhe për bashkëfshatarët dhe vendlindjen e tij Kallaratin. Pas daljes në pension vendoset familjarisht në Tiranë dhe merr kontakte me të gjithë të njohurit e tij e të familjes, si dhe kontribuon në mbarëvajtjen e Degës së Shoqatës Kallarati me qendër në Tiranë, por edhe në gazetën e saj me të njëjtin titull. Gjatë gjithë kësaj kohe ai tregoi përkushtim maksimal në propagandimin e vlerave historike, patriotike e kulturore të vendlindjes së tij Kallaratit.
Kudo ku punoi dhe jetoi, Hasani si në Berat dhe në Tiranë, ai ishte edhe një veprimtar i shquar në lagje, duke treguar e manifestuar virtytet e njeriut të kulturuar, të qytetëruar e patriot.
Përveçse një ushtarak i zoti e veprimtar shoqëror i dalluar, Hasani ishte mbi të gjitha një prind dhe bashkëshort shembullor. Me bashkëshorten e tij Farien, bijë nga Kallarati lindën, rritën, shkolluan dhe edukuan me sakrificë e në mënyrë shembullore tre fëmijët e tyre, vajzën Liljanën dhe dy djemtë, Kastriotin dhe Engjëllin.
Vdekja e Hasanit ka trishtuar jo vetëm familjen e tij, bashkëshorten, fëmijët, motrën, nipërit e mbesat, të afërmit, miqtë, por të gjithë shokët e tij, që e njohën nga afër ku ai punoi e jetoi dhe në veçanti bashkëfshatarët e tij që i deshte aq shumë në Kallarat, Vlorë, Fier, Tiranë e kudo tjetër.
Hasani me të vërtetë u nda fizikisht, por familja, të afërmit, shokët e bashkëfshatarët e tij do ta kujtojmë atë kurdoherë për atë ai çfarë la prapa, emrin e tij të mirë: si bashkëshort, prind, kuadër dhe veprimtar shembullor.
I pa harruar qoftë kujtimi i tij!
Dega e Shoqatës “Kallarati”, Tiranë.
Tiranë më, 18.09.2012