PËRUROHET NË TIRANË, LIBRI I RI I PETRIT QEJVANIT, “FJALA IME”

Pas librit të parë poetik “Kënga  e Zogut Blu”, Petrit Qejvanit  (pas vdekjes) i botohet libri i  dytë me publicistikë “Fjala    ime”, libër i cili u përurua në  datën 18 qershor 2016 në Tiranë  nën kujdesin e   botuesit Mehmet  Gëzhilli dhe vëllezërve e motrave  të Petritit.

Në këtë përurim merrnin pjesë    njerëz të artit e kulturës, miq,   shokë, bashkëqytetarë dhe të  afërm të Petritit, nga Vlora,      Tirana, por edhe nga qytetet të    tjera si Kukësi, ku dhe nisi    punën   për herë të parë  si  mësues, nga  Shkodra e deri nga Kosova. Merrnin pjesë gjithashtu prof. dr. Nasho Jorgaqi, prof. dr. Rami Memushaj, prof. dr. Xhevat Lloshi, kritiku Behar Gjoka, aktori vlonjat Bujar Asqeriu, gazetari Albert Zholi, studiuesit Vasil Premçi, Nikoll Bujaj, Sali Onuzi, operatori Ilia Terpini, Artist i Merituar etj.

Përurimin e hapi botuesi i librit zoti Mehmet Gëzhilli, i cili ishte edhe në rolin e moderatorit, por njëkohësisht edhe si bashkëstudent me Petritin në vitet 1968-1972. Të gjithë, që morën fjalën, vunë në dukje personalitetin e Petritit si një intelektual me vlera të rralla, studiues, poet, publicist, analist, që aktualisht edhe pse mungon fizikisht, krijimtaria e tij është dhe do të jetë kurdoherë aktuale dhe e vlerësueshme, jo vetëm nga njerëzit e artit e të kulturës, por edhe njerëzit e thjeshtë, pasi i tillë ishte edhe vetë ai.

Prof. dr. Rami Memushaj duke folur rreth botimit të këtij libri, ndërmjet të tjerash u shpreh: “Në këtë libër me titullin domethënës “Fjala ime”, Petriti na bën thirrje të jemi qytetarë, të luftojmë veset që kanë mbuluar si një bar i keq shoqërinë tonë, të ruajmë vlerat më të mira morale dhe të çmojmë gjakun e djersën e derdhur për ta bërë e ndërtuar Shqipërinë. Këto kumte të tij shpalosen në 82 artikuj, të shkruar në një hark kohor prej më pak se tre vjetësh, nga nëntori i vitit 2011 e deri në gusht 2014, kur kishte zënë shtratin për të mos u ngritur më, dhe të botuara në gazetat tona më në zë, si “Shekulli”, “Tema”, “Dita”, “Sot”, “Telegraf” etj. Një krijimtari shumë e pasur, po sidomos shumë aktuale, që e paraqet autorin si një publicist e polemist të vlertë”.

Mjaft tërheqës e bëri këtë takim recitimi i disa prej poezive, prej aktorit vlonjat të mirënjohur, Bujar Asqeriut, në mënyrë të veçantë asaj të titulluar “Atdheu”.


Atdheu im fitimtar dhe i mundur,

hero dhe tradhtar

patriot dhe i shitur

lirimbrojtës dhe mercenar,

atdheu im me një histori të shkruar nga shqiptarët

dhe një tjetër të shkruar nga të huajt (normale)

atdheu im me dy histori edhe prej vet shqiptarëve (anormale)

një histori e fitimtarëve

dhe një histori e të mundurve

kur të mundurit kthehen në fitimtarë,

fitimtarët kthehen në të mundur.

Atëherë rrëzohen statujat e heronjve

dhe vendosen ato të tradhtarëve.

Pastaj e kundërta.

Atdheu im me dy histori

dhe asnjë të vërtetë.

Atdheu im me dy palë heronj

E me dy palë tradhtarë,

Me heronj tradhtarë

Dhe tradhtarë heronj.

Atdheu im paradoksal

që më dhemb deri në palcë

që ke ecur gjithnjë me një këmbë e një patericë,

kur do t’i kemi

të njëjtë heronjtë

 

dhe të njëjtë tradhtarët?

 

Po kështu edhe recitimi i skicë-esesë “Kallarati”, kushtuar vendlindjes së prindërve të tij, e bënë edhe më të bukur këtë përurim.

Ja një pjesë e shkëputur nga kjo ese:

“Ka qenë fshat i madh dikur, thonë. Bile një këngë popullore flet për 42 dyqane!.Pak si shumë!..Gojëdhëna thotë se dikur një murtajë shoi fshatin dhe, mes lemerisë, ata që shpëtuan iknin ku të mundnin. Një pjesë e tij mbeti, për pamundësi largimi apo nga malli për vatrën,(ku i dihet?!) duke u zhvendosur pak më tej, aty ku sot është Fshati i djegur, një arkeologji e rrallë mbi tokë, një “Trojë e vogël” labe, shqiptare, djegur në fillim të shekullit XX (1914) nga po ata që dogjën Trojën e madhe. Këtë ndjesi më jep, sa herë e vizitoj, sidomos pasdite, në perëndim të diellit, kur nga rrezet e tij muret e rrënuar dhe pluhuri i shkatërrimit marrin një ngjyrë kafe të kuqërremtë. Ka dhe një pllakë në lapidarin simbolik atje. Sot fshati po braktiset sërish, por jo prej ndonjë fatkeqësie natyrore a pushtimi, por thjesht me dëshirë për një jetë më të mirë drejt qyteteve. Ndoshta kjo braktisje do të kthehet në një rilindje, në një pamje e funksion tjetër. Do të vijë koha, kur do të ndërtohen shtëpi të reja për efekt pushimi, sidomos në verë. Nuk është një ide fantastike. Besoj do të ndodhë kështu, bile jo larg, sapo ish fshatarët të “ngopen” me qytetin, gjë që e kanë bërë të tjerët para nesh. Sepse natyra në Kallarat është e bukur: mali, lumi, pylli i Morrezës me rrepe te lashtë, ajri i pastër, qielli i thellë…Duhet vetëm rruga e mirë për të shkurtuar kohën, pasi nga Vlora 50km nuk janë ndonjë distancë e madhe. Ndoshta një ditë një rrugë e mirë do të shkojë dhe atje…”

Parathënia e këtij libri është bërë nga miku dhe shoku i tij Luan Malaj. Shumë nga shokët dhe miqtë e tij në pamundësi për të marrë pjesë, të ndodhur jashtë shtetit apo me detyra të tjera më të rëndësishme do të dërgonin mesazhe vlerësimi dhe urimi botuesit Gëzhilli dhe nëpërmjet tij të gjithë të pranishme për botimin e librit dhe do të vinin në dukje vlerat intelektuale dhe krijuese të Petrit Qejvanit.

Libri ishte botuar në një cilësi mjaft të mirë dhe nga familjarët për të pranishmit u shpërnda falas. Ky  libër mund të gjendet në libraritë, Tiranë, Fier, Vlorë dhe në Kosovë, ku botuesi e paraqiti edhe në panairin e librit të zhvilluar në Prishtinë para pak ditësh.

Në fund të takimit, në emër të familjes Qejvani përshëndeti motra e madhe Liria dhe vëllai i vogël Lavdoshi, të cilët falënderuan, pjesëmarrësit në përurim, botuesin e librit dhe të gjithë ata që shprehën, vlerësuan dhe lartësuan figurën e vëllait të tyre Petritit si një intelektual, poet, publicist dhe analist i rrallë, si dhe premtuan se libra të tjerë të Petritit, tashmë edhe në prozë, do të gjejnë botim së shpejti.

Për ta që nuk patën mundësi të ishin të pranishëm dhe që nuk kanë mundësi të gjejnë librin, po hedhim në këtë faqe parathënien e poetit Luan Malaj dhe fjalën e prof. dr. Rami Memushaj.

VEPRA POSTUME E PETRIT QEJVANIT SI PUBLICIST

Parathënie e librit  nga Luan MALAJ

E do puna dhe është bërë si rregull në botime që një libër i ri të shoqërohet me një parathënie, një shënim apo një vlerësim për përmbajtjen, vlerat apo risitë e librit, në mënyrë që të tërhiqet vëmendja e lexuesit dhe të nxitet ai për leximin e tij. Këtë do të përpiqem të bëj edhe unë me përkorje në këto pak rrjeshta, në hyrje të kësaj përmbledhjeje interesante në çdo këndvështrim.


 

Pse postume kjo vepër e Petrit Qejvanit? Sepse gati dy vjet më parë Petriti u nda prej nesh, në moshën 65 vjeçare dhe gjithë sa kishte shkruar e botuar nga krijimtaria e tij në poezi, në prozë, në publicistikë, në studime e kritikë letrare etj., ai e la të shpërndarë në organe të shtypit, në blogun e tij “Fjala ime” (që i ka dhënë edhe titullin përmbledhjes që kemi në duar), në profilin e tij në Facebook, në projektet e tij si pedagog universiteti, në blloqe, fletore e fletë vizatimi.

Megjithëse vinim nga i njëjti qytet, unë e njoha Petritin për herë të parë në Tiranë në vjeshtën e vitit 1968, kur ai, si edhe mbi një qind studentë të atij viti universitar (ndër të cilët spikatën që aty emrat e Çapajev Gjokutajt, Rudolf Markut, Vasilika Vasit, Bardhyl Agasit, Valentina Moskos, Agim Hidit, Irena Donos, Mehmet Gëzhillit, Violeta Hasanit, Fatbardha Demit, Feride Paplekës, Ilir Resnjës, etj.), nisi studimet në degën Gjuhë-Letërsi të fakultetit Histori -Filologji, ku mori udhë formimi i tij serioz kulturor e letrar dhe forcoi rrashtë personaliteti i tij shoqëror si intelektual me sqimë. Petriti kishte ndërprerë me dëshirën e vet studimet për gjeologji e miniera dhe e filloi nga e para këtë degë, sepse letërsia ishte dhe mbeti deri në fund pasioni i tij i thellë, kërkesë e brendshme e personalitetit të tij krijues, rruga ku ecte e merrte kontakte me mjedisin që e rrethonte, shtëpia e tij e parapëlqyer ku mblidhej e ndihej mirë pas çdo rrugëtimi.

 

Shkruante qysh në rininë e tij të hershme, në periudhën e studimeve, në vitet e punës si mësues në zonën e Kukësit e më pas në Vlorën e tij të adhuruar. Shkruante, por botonte pak. Ishte shumë kërkues dhe nuk entuziazmohej lehtë prej krijimeve të tij. Ishte i druajtur ndaj autoreklamës, por jo ndaj autostimës. Se ç’ talent krijues banonte brenda këtij kritiku të rreptë dhe kërkues të cilësisë ndër vete e tregoi botimi i përmbledhjes poetike “Kënga e zogut blu”, ku Petriti gati i panjohur del në dritë si një poet dimensional, me një ligjërim poetik të këndshëm e të thellë, sa popullor e klasik, aq edhe modern, me një poezi që përjetohet nga lexuesi me ndjesinë e takimit me vetë poetin përmes vargjeve të tij të sinqerta, të servirura me një thjeshtësi miqësore, si karakteristikë thelbësore e poetëve të vërtetë.

 

Unë them se “matej” me emra të mëdhenj të letërsisë kombëtare të kohës, veprat cilësore të të cilëve i lexonte me një vëmendje enciklopedike për t’u marrë shembull. I kam gjithnjë para syve ato çaste të bukura, kur ai djalosh me syze të errëta, i ngazëllyer nga leximi i veprave të autorëve me emër të madh, si p.sh. ato të I. Kadaresë, ende i magjepsur nga fuqia e mendimit dhe fjalës artistike të zgjedhur, hynte shpejt në biseda për letërsinë dhe, plot gjeste e pasion bëhej padron i saj, duke “recituar” pasazhe të tëra që i mbeteshin të “rishkruar” në mendje, falë një kujtese të hekurt aktoriale. Pra, kështu, si një usta i heshtur, ai shkoi një jetë të tërë gjithnjë i rezervuar ndaj krijimtarisë personale, si një prind i ashpër që kërkon të arrijë më të mirën te fëmija i vet. Veç vitet e fundit kishte filluar të ndryshonte nga pak qëndrimin e tij të ashpër dhe të zbutej disi, ca për arsyen se krijesa e tij ishte rritur mirë, kishte fituar vlera dhe duhej të ballafaqohej me realitetin letrar e kulturor që e rrethonte, por më tepër ai e kuptoi se fjala e zëri i tij nuk kishte asnjë arsye përse të mbaheshin të trysnuar, në kushtet e një situate tejet të rënduar, me përthyerje të mëdha dramatike (deri në tragjike si ato që u përjetuan në Vlorën e viteve ‘96-97) në jetën e vendit e të shoqërisë, me plot dilema e të papritura në rrugën pa kthim të demokracisë dhe të përparimit.

 

Si shumë intelektualë të tjerë të ndershëm, me kapacitet e përvojë të gjerë, duke iu përgjigjur me dëshirë e me impenjim shoqëror thirrjes së kohës, Petriti gjeti më me vend ta përqëndrojë talentin e tij krijues më tepër në fushën e publicistikës (një fushë thuajse krejt e re për vetë atë e për lexuesin e tij), si më të përshtatshmen për të shfaqur drejt për drejt idetë e mendimet e tij, për të dhënë ndihmesën e tij në dobi të interesit publik dhe për të komunikuar më natyrshëm me të gjithë, të përngjashëm ose jo me këndvështrimet e botëkuptimit të tij. Dhe cili ishte rezultati? Nga një poet, prozator e studiues i heshtur e i përkorë, vetëm në tre vjetet e fundit të jetës, ai na shfaqet një talent shpërthyes në fushën e publicistikës, sidomos të asaj me temën politike e shoqërore të ditës, duke thyer përfundimisht edhe tabunë e të përmbajturit për të bashkëpunuar me organet e shtypit të përditshëm e periodik, të rivlerësuara prej tij si një mjet i shpejtë e efikas komunikimi me lexuesit e interesuar.


 

Tre vjet… veprimtari intensive, nga nëntori 2011 e deri një muaj përpara se të humbte luftën e tij të pabarabartë me sëmundjen e pashërueshme, në mesin e gushtit 2014. Dhjetëra shkrime të ndarë në disa kapituj kryesorë tematikë në ndihmë të lexuesit, një publicistike e angazhuar dhe mjaft e larmishme, herë analitike e herë reflektive, herë polemike e herë meditative, me ndërgjegjen e ndjesitë e një qytetari aktiv e të një intelektuali të ndershëm që ndjek me përgjegjësi e me interes ngjarjet politike e ato shoqërore, evidenton dukuritë pozitive e negative në brendësi të tyre, mban qëndrim dhe reagon me mendimet e opinionet e tij të pavarura, të cilat thuajse në çdo rast përputhen e pasqyrojnë në thelb kërkesat e pritshmëritë e opinionit të shëndoshë shoqëror. Shohim në këto shkrime një publicist energjik, mendjehollë e gjuhëshpatë, nga “raca” e publicistëve që kultura jonë kombëtare ka njohur e ka vlerësuar, sidomos në vitet ’30 të shekullit të kaluar e deri në ditët tona.

 

“Kamera” vëzhguese e tij në këtë fushë bëhet shumë e ndjeshme ndaj jetës së përditshme, ndaj problemeve të mëdha të vendit dhe halleve të shoqërisë, ndaj të vërtetave të një realiteti të hidhur që i mblidhet si lëmsh në fyt dhe i bëhet helm në stomak, që tenton ta zhvlerësojë e ta zerojë në gjithçka, deri sa t’i mohojë edhe ekzistencën. Lëvrimi i kësaj publicistike, në këto tre vjet të fundit për të, i kthehet në një lloj valvule nga ku ai shfryn tensionet e brendshme dhe i mundëson gjetjen e një ekuilibri të nevojshëm për të jetuar e për të kontribuar si intelektual dhe qytetar aktiv.

 

Objekt i kësaj publicistike të larmishme në përmbajtje e në paraqitje bëhen fatet e Atdheut, në luftën e tij të gjatë e të mundimshme instalimin e një demokracie të vërtetë, për fat të keq të marrë peng për më se dy dekada nga politika e kulisave dhe e interesave personale, familjare e klanore të “njëshave” partiakë të radhës; në luftën për ndërtimin dhe funksionim real të shtetit të së drejtës, për të cilin flitet shumë e bëhet pak, aq sa e bën autorin të dyshojë te ky shtet dhe ta emërtojë edhe si demodiktaturë apo demofashizëm, një lloj hibridi të përçudshëm të një demokracie “origjinale” shqiptare, të përzier me elemente ende të gjallë të sistemeve antidemokratike të së shkuarës.

 

Shteti për ca e ca, shteti fantazmë për shumicën, shteti butaforik dhe i korruptuar në çdo qelizë të tij, shteti që të shet detin e Atdheut tënd, si në kohën e Mbretërisë së Ahmet Zogollit, që të mohon e të zhbën, pa të dhënë edhe të drejtat më elementare, madje të shtyp e të vret për interesa të kamufluara, si në rastin e Gërdecit e sidomos kur kërkon të konfrontohesh demokratikisht me të, si bëri më 21 janar 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë. Ky është “shteti që nuk e kemi”, e përmbyll karakterizimin e këtij shteti Petriti. Gati një çerek shekulli, nënvizon ai i tejmbushur, rropaten shqiptarët dhe nuk bëjnë dot shtetin, për të cilin deri në 23 qershor 2013 gjëmonin përditë daullet e tamtamet e një propagande që bënte për të vjellë. Dhe zë e kërkon pse-në e mundimshme, duke dalë në konkluzionin e hidhur të një paaftësie gjenetike tonën për të bërë shtet, me gjithë përpjekjet deri diku rezultative të krijimit të shteteve në shekullin që kaloi.

 

Në këtë kuadër ai vë gishtin në disa plagë që dhembin e kullojnë pa shërim edhe prej shekujsh, siç është plaga e tmerrshme e gjakmarrjes, e arkivuar dhe e ruajtur me fanatizëm në bodrumet lagështa të shpirtit e të mendësisë sonë të prapambetur, të topitur e të rënë në letargji për disa dekada dhe të rizgjuar e të riaktivizuar në mënyrë të ndjeshme e problematike në dy dekadat e fundit. Nga ana tjetër ai ngarkon me përgjegjësinë e kësaj katrahure ardhjen në pushtet të politikanëve të gdhirë pa pritur si të tillë, pa përvojë, aventurierë e servilë të pushtetit të vjetër komunist e mbi të gjitha, njerëz që nuk e donin Shqipërinë, ikonën emblematike të të cilëve ai e gjen në figurën e errët të Sali Berishës, të epitetuar nga një shkrim në tjetrin me mbiemra të ngjyruar me tonalitete përkeqësuese.


 

Figura e shfiguruar, e kompromentuar dhe e konsumuar e Berishës, e klanit, e “oborrtarëve”, e shpurës së tij parlamentare të djathtë zënë vend në një nga kapitujt e librit me titullin “Humbës dhe zullumqarë deri në fund”. Aty Berisha zbulohet si “baba i korrupsionit”, politikan kontraversal, pragmatist, ambicioz, egocentrist, përbindësh politik, “kuçedër me shtatë koka”, demagog klasi, i paturp deri në pacipësi, karizmatik deri në patologji, përherë në delir, paranojak e narcizist. Sharësi më i madh politik me një fjalor tipik të rrugës, një telendar i dalë boje. Fodull i papërmbajtur kur është sipër, servil e hileqar kur është poshtë. Njeri që për pushtetin personal nuk vështron ku vë këmbën, sakrifikon edhe shtetin. Një “Neron” shqiptar. Ai, partia që ndërtoi e udhëhoqi, bashkëpunëtorët e tij të afërt, mes të cilëve edhe kriminelë të pamëshirshëm e hajdutë të panginjshëm, e vranë qysh nga fillimi konceptin për shtetin e së drejtës dhe mbollën anarki e kaos, që hodhën rrënjë e tashmë nuk mund të shkulen dot. Ky është edhe thelbi i akuzës së Qejvanit ndaj tyre, akuzë që rëndon si një gur mulliri mbi shpatullat e kësaj fare pushtetarësh, pas rënies së komunizmit në Shqipëri.

 

 

Simbolin e këtij shteti kurrizdalë e hijeshtrembër, të korruptuar nga koka gjer në thonj, gjytyrim e të keqformuar, të kapur e të keqpërdorur, ai e sheh te drejtësia, të cilën e quan “e përdala e sisistemit”. Padurimi i një populli të cfilitur e të brejtur nga mosbesimi, të dërmuar nga pritja e gjatë, shpresëhumbur te politika e politikanët, si më të korrruptuarit e sistemit e të mbështetur nga një drejtësi e superkorruptuar, arrin kulmin me ndëshkimin me anë të votës plebishitare të 23 Qershorit 2013, të cilin Petriti e sheh si një “revolucion elektoral”, mesazhet e të cilit janë të hapura e të lexueshme edhe nga mendja më e plogët: rishikimi me themel i gjithë sistemit, reformimi tërësor në çdo fushë të veprimtarisë shtetërore dhe të institucioneve të tij, duke nisur nga drejtësia e shpërfytyruar dhe e anatemuar.

 

Këtu ai ndalet në të përpjetën e vështirë që qëndron përpara së majtës fituese e qeverisë së kryesuar nga Edi Rama si dhe në dilemat e kësaj fitoreje. Ato kanë nisur që me formimin e koalicionit problematik PS-LSI dhe vijojnë me dritëhije edhe pas fitores, duke ushqyer në heshtje pakënaqësi te mbështetësit masivë të maxhorancës së re. Në këtë rast autori bëhet zëdhënës i këtyre pakënaqësive e të pakënaqurve nga mospërdorimi i forcës dërmuese i dha vota e lirë pushtetit politik të aleancës së majtë, duke përqafuar idenë e një kërkese për një “EULEX-i special” për drejtësinë në Shqipëri, edhe pse është i ndërgjegjshëm në të njëjtën kohë se bëhet fjalë për një “hipotezë të çartur” apo një thirrje të dëshpëruar, si ajo e F. Nanos 16 vjet më parë, kur hodhi tezën e një “protektorati italian”, në kuptimin e ndihmës së drejtpërdrejtë të një shteti të Europës për të zgjidhur problemet tona të koklavitura keqas. Kjo vjen nga që ai nuk beson se politika është në gjendje ta bëjë vetë një pastrim rrënjësor të tillë (për fat të keq koha ka vërtetuar këtë pamundësi apo mosdashje, edhe në këta dy vjet që ai mungon) dhe se ndërhyrja e vendosur ndërkombëtarëve e bën të mundur. Veç ndërkombëtarët lypset të jenë të qartë e të prerë, të lenë gjuhën e mesazheve që grimcohen në ajër ose tingëllojnë si kambana për veshë të shurdhër, të jenë plotësisht në anën e popullit shqiptar e të Shqipërisë, për të bërë që ajo të demokratizohet plotësisht, me një demokraci funksionale e në veprim e jo vetëm me ligje të shkruara, të cilëve u mungon hapësira reale për t’u zbatuar. Ata duhet të bëjnë arbitrin e rreptë e të paanshëm, jo trajnerin apo tifozin e një krahu të caktuar, siç ka ndodhur në realitet me shumë ndërkombëtarë që kanë bërë varavingo ndër ne, pa arritur ta luajnë si duhet rolin me peshë e përgjegjësi të arbitrit të paanshëm.

 

 

Një kapitull tjetër përbëjnë në libër shkrimet që merren me temën shumë të debatuar për rishikimin e korrigjimin e kontributeve të figurave historike si dhe rishkrimin në përgjithësi të historisë, sidomos të pjesës që lidhet me trajtimin e Luftës Nacionale Çlirimtare të popullit tonë nga pushtuesit e huaj fashistë e nazistë, ku bën majë tendenca e qëllimshme e zhvlerësimit të saj, duke e thirrur me një emër tjetër, fyes për të vërtetën historike, si një luftë civile, të nxitur e të zhvilluar nga PKSH-ja dhe Enver Hoxha nën ndikimin e orientimin e komunistëve jugosllavë, për të marrë gjithë pushtetin politik në duart e veta, duke mos e ndarë atë me forcat nacionaliste e të Balli Kombëtar, pas “ikjes” (jo pas dëbimit me luftë të pabarabartë dhe me forcën e armëve të pathyera të ushtrisë partizane çlirimtare!?) të pushtuesve të huaj nga vendi. Sado që pranon se historia e luftës mund të rishkruhet drejtësisht e në mënyrë shkencore, të korrigjohen gabimet e keq- a mostrajtimet, të bëhen plotësimet e nevojshme bazuar në dokumente autentike, P. Qejvani i bën mur çdo “arsyetimi” tendencioz të pinjollëve të kolaboracionistëve për të ndryshuar të vërtetat historike për luftën dhe për vendin e rolin e tyre në këtë luftë. Forcat nacionaliste e balliste që dhanë një kontribut fillestar në periudhën e parë të luftës, u damkosën si kolaboracionistë me pushtuesit në pjesën më të rëndësishme e vendimtare të saj. Këtë damkë ata ia vunë vetes me vullnetin e tyre të plotë dhe Historia firmosi e vulosi. Ajo njohu e i thirri në emrin e tyre çlirimtarët e vërtetë. Kështu që ajo mund të rishkruhet më mirë e me drejtë, por as mund të zhbëhet e as mund të përsëritet.


 

Në një kapitull më vete janë përmbledhur shkrimet me temën e moralit e të psikologjisë sociale në krizë të thellë, të njeriut të çoroditur e të çorientuar në këtë xhungël pa anë e udhë ku ligji formulohet e firmoset në teatrin qesharak që mban emrin e Parlamentit, por në realitet atë e bën pushteti politik i “të fortëve” dhe paraja, e grumbulluar me korrupsion e me metoda të paligjshme, me duar të pista e në rrugë të pista. Autorit i bën përshtypje të thellë dhe mallkon psikologjinë e dorëzimit të njeriut të shoqërisë bashkëkohore përpara së keqes së përhapur në përmasa gjigande, filozofinë e të kënaqurit me pak që të bën të zgjedhësh “të keqen më të vogël” e të mos kesh synime për “të mirën më të madhe”. Ai i shpall luftë të hapur mendësisë minimaliste të qytetarëve tanë të lodhur nga sundimi i gjatë i së keqes në shoqëri, të mësuar e të mjaftuar me pak liri, me pak mirëqenie e me pak ose aspak prosperitet. Alarmohet prej krimit të shëmtuar në Xhafzotaj dhe background-it të komplikuar të lidhur me të. I acarohen nervat përballë bambumomanisë foshnjore shqiptare gjatë kremtimit të festës tradicionale të Vitit të Ri.

 

Ndjen neveri nga kategoria e atyre moralistëve idealistë, pragmatistëve, avokatëve vullnetarë të pushtetit të “të fortëve ”, opinionistëve, moderatorëve, ekzibicionistëve, të shumuar si kërpudhat e helmëta pas shiut dhe të afruar nga padronët e së keqes sociale për të ushqyer me “teoritë” e “sharmin” e tyre edhe më tepër degradimin, çoroditjen dhe marramendjen të dobëtve të pa fat, pa para e pa përkrahje. Vihet përballë e shfaq me forcë kundërshtitë e tij ndaj hipokrizisë e dy- a mëshumëfytyrësisë të bërë modë në botën shpesh herë boshe të VIP-ave, të polit të kulturës së pakulturë dhe të mediave të rreshtuara sahanlëpirshmërisht me pushtetin prej nga gëzojnë përfitimet materiale e morale si shpërblim për veten e tyre.

 

Një mizëri problemesh qëndrojnë përpara autorit të shqetësuar të këtyre shkrimeve, të cilat ai i evidenton me durim e dhembje, i analizon, i shkoqit, i ftillon, i shoqëron me idetë e mendimet e tij dhe i përcjell te lexuesit me thjeshtësi e natyrshmëri, me qëllimin përfundimtar të zgjojë e të ndriçojë ndërgjegjen shoqërore dhe botën shpirtërore të këtij lexuesi, për ta bërë atë pjesëtar aktiv të procesit të vështirë të zgjidhjes së këtyre problemeve në të mirën e çdo individi të marrë veças e të gjithë shoqërisë në tërësi. Sigurisht që në libër lexuesi i mirinformuar do të gjejë ndonjë çështje të nënvizuar disa herë e me shumë forcë, pa edhe ndonjë tjetër të kapërcyer nga koha apo të pa vërtetuar nga realiteti në periudhën dy vjeçare që ka vijuar pas shkrimit të fundit të autorit, por kjo është një dukuri që haset rrallë dhe nuk ndihet gati fare në përmbajtjen e librit të karakterizuar nga një aktualitet i dukshëm dhe i prekshëm si me dorë, që i bën autorin e lexuesin si dy miq që bisedojnë për të njëjtin hall.


 

Këto shënime të shpejta nga kontakti mbresëlënës me librin që kemi në duar do të doja t’i mbyllja, duke veçuar shkrimin “Një lamtumirë si një këngë”, me rastin e ceremonisë madhështore të përcjelljes të Artistes së famshme të Popullit, Vaçe Zela, e cila u nda nga jeta vetëm gjashtë muaj më përpara se Petriti. Në shkrimin e tij ai derdhi pa kursim gjithë nektarin e shpirtit të tij artistik, duke i ngritur himn jetës e kontributit të artistes së kthyer ne legjendë, kur thotë se ajo lindi për të mos vdekur, siç lindin të mëdhenjtë e çdo fushe, lindi për të mbetur këtu si frymë e transformuar në këngë. Guxoj të heq një paralele (le të mos tingëllojë shumë e goditur) midis asaj buqete përjetësisht të freskët këngësh që Vaçja na dhuroi me gjithë dashurinë e pasionin e shpirtit saj të thellë dhe kësaj tufe shkrimesh që na ka lënë publicisti i talentuar Petrit Qejvani, të cilat i bashkon thelbi i krijimtarisë dhe i veprës të kthyer në trashëgimi, që krijuesit e çdo dimensioni u lenë të prasmëve, pasi shuhen e marrin rrugën e qiellit, midis yjeve e pluhurit kozmik tek bëhen pjesë e pandarë e tyre. Vepra që ata lenë pas, ashtu siç shkruan Petriti për Vaçen, të pushton shpirtin, të ngroh zemrën e të bën më të mirë. Na bën më të mirë…

 

“FJALA IME” – KUMTE TË NJË KRIJUESI

Nga prof. dr. Rami MEMUSHAJ

 

Në këtë libër me titullin domethënës “Fjala ime”, Petriti na bën thirrje të jemi qytetarë, të luftojmë veset që kanë mbuluar si një bar i keq shoqërinë tonë, të ruajmë vlerat më të mira morale dhe të çmojmë gjakun e djersën e derdhur për ta bërë e ndërtuar Shqipërinë. Këto kumte të tij shpalosen në 82 artikuj, të shkruar në një hark kohor prej më pak se tre vjetësh, nga nëntori i vitit 2011 e deri në gusht 2014, kur kishte zënë shtratin për të mos u ngritur më, dhe të botuara në gazetat tona më në zë, si “Shekulli”, “Tema”, “Dita”, “Sot”, “Telegraf” etj. Një krijimtari shumë e pasur, po sidomos shumë aktuale, që e paraqet autorin si një publicist e polemist të vlertë.

E gjithë kjo lëndë është ndarë në 6 kapituj. Në kreun e parë janë përfshirë artikuj që trajtojnë tema të ndryshme, si provincializmi politik, albanofobia dhe inferioriteti ndaj të huajve, korrupsioni politik dhe i sistemit të drejtësisë, nevoja për një shtet të fortë dhe për ndëshkimin e korrupsionit, islami radikal dhe bashkëjetesa midis besimeve etj. Kreu i dytë u kushtohet çështjeve të historisë, përpjekjeve të së djathtës për ta ribërë historinë, për të përmbysur historinë e Luftës Antifashiste dhe për t’i kthyer heronjtë në tradhtarë e tradhtarët në heronj, frikën e së majtës, sidomos të Partisë Socialiste, për të mbrojtur këtë luftë etj. Kreu i tretë merret me zhvillimet politike të viteve 2013–2014, ku vendin kryesor e zënë artikujt për aleancën PS-LSI, për figurën e Ramës dhe të Metës etj. Kreu i katërt u kushtohet figurave të së djathtës, të cilat i portretizon si me penelin e piktorit. Kreu i pestë merret me rolin e faktorit të jashtëm në jetën politikën shqiptare, qorton diplomatë të Perëndimit për qëndrime të njëanshme dhe në dëm të interesave të vendit, por i lavdëron kur sheh se e lexojnë mirë realitetin dhe japin mesazhe pozitive për shqiptarët. Në kreun e gjashtë, që bashkë me kreun e parë janë më të gjatët, Petriti i bën një skanim shoqërisë së sotme shqiptare, si shoqëri që ka humbur shumë nga vlerat pozitive.

Të jesh qytetar, thotë ai, nuk mjafton të veshësh kostume firmato a minifund, të kesh makinë, të pish kafe në Rogner a te Blloku. Duhet të kesh mendësi qytetare, të mos pajtohesh me të keqen, po ta luftosh atë. Duke marrë si shembull fitoren e qytetarëve turq mbi qeverinë për prishjen e një parku dhe kthimin e tij në qendër tregtare, ai thotë se aksioni qytetar i tyre tregon që nuk mjafton ta shpallësh një të drejtë, po ta mbrosh atë deri në fund, sepse të drejtat fitohen me luftë qytetare dhe jo me lutje. Për shoqërinë tonë ai vëren me dhimbje se “jemi një shoqëri indiferente”, “një shoqëri që vegjeton”, madje, më keq, një “shoqëri e nënshtruar”, sepse “nuk e kemi kurajën e nevojshme t’i kundërvihemi qeverisë kur kemi të drejtë”, pasi e “kemi të ngordhur nervin e protestës qytetare”. Dhe për këtë qorton intelektualët “pa shtyllë kurrizore”, njerëzit pa skrupuj moralë që i servilosen politikës, si dhe shoqërinë civile të korruptuar, e cila nuk e ngre zërin për krimet mjedisore. Të duket kaq aktuale kjo kritikë e tij kur kujton skenat e shëmtuara të para dy-tre muajve, kur shoqëria civile protestonte për gjoja prerjen e pemëve në Parkun e Liqenit, po nuk proteston për kafehanet dhe ndërtimet pa leje që kanë pushtuar Parkun dhe rrethinat e tij, për shfarosjen e florës dhe faunës së Shqipërisë, për shqepjen e barkut të lumenjve dhe shqyerjen e kurrizit të kodrave e të maleve tona.

Shumëkush mund të pyesë pse Petriti nuk kishte shkruar më parë. Për këtë pyetje ka një përgjigje. Vitet 2011–2013 ishin vitet kur degradimi i qeverisjes, dhuna e saj mbi qytetarët, korrupsioni dhe prapështitë e politikës kishin arritur në atë shkallë sa nuk mund të duroheshin më. Korrupsionin e pa edhe në Universitetin e Vlorës, ku qe lektor për disa vjet. Në vend që të ishte vendi ku studentët, që do të jenë mësuesit, juristët, ekonomistët e politikanët e ardhshëm, universiteti kishte degraduar, duke u kthyer në vendin ku notat shiteshin e bliheshin, ku rekrutimi i pedagogëve të rinj bëhej jo mbi bazën e dijeve dhe të aftësive të tyre, po me kritere të tjera. Ky universitet nuk ngjante fare me atë që kishte kryer vetë dhe që mendonte se duhet të ishte. Dhe Petriti nuk ishte tip që pajtohej me të keqen, ai ishte një tip rrebel. Shokët e tij të degës së gjuhës shqipe tregojnë se ishte një ndër tipat që nuk druheshin ta thonin mendimin e tyre të pavarur. Këtë pavarësi e tregoi gjatë gjithë jetës. Kushtet politike i kishte për t’u anëtarësuar në Partinë e Punës. Rridhte nga një familje atdhetare: xhaxhain e kishte dëshmor, babain pjesëmarrës në Luftën Antifashiste dhe komunist, por nuk i shkoi mendja të futej në parti. Sepse shihte që partia, e mbushur me të paaftë e servilë, e kishte zhytur vendin në një varfëri të skajshme. Varfërinë e pa me sytë e vet në Kukës e në Vlorë, ku shërbeu si mësues për 15 vjet. Duke e përjetuar thellë realitetin e zymtë, ai mbeti një shpirt i pavarur edhe në diktaturë.

Pas përmbysjes së sistemit, si të gjithë shqiptarët, ai priste që punët të shkonin më mirë, ndërkohë që gjendja po degradonte. Pikërisht, mospajtimi me të keqen që po e kaplonte shoqërinë tonë, e shtyu të rrokte penën. Dhe talenti nuk i mungonte, çka e shohim edhe nga shkrimet e botuara në këtë përmbledhje, të cilat dëshmojnë një formim kulturor për t’u pasur zili, aftësi për të depërtuar në thelbin e dukurive dhe frymë të spikatur polemizuese. Ndonëse shumë nga shkrimet i kemi lexuar kur janë botuar në gazeta, përsëri ato lexohen me ëndje. Sepse ka portretizuar bukur personazhe të jetës politike dhe kulturore, ka stigmatizuar veset dhe bartësit e tyre, ka tërhequr vëmendjen e shoqërisë për dukuritë negative që po e kaplojnë dhe ka parashikuar zhvillimet e mëpastajme politike në vend.

Në shkrimet e kësaj përmbledhjeje Petriti na shfaqet si një mjeshtër i portretit. Ai me pak penelata u bën portretin fizik e moral një vargu personazhesh të jetës politike e kulturore të Shqipërisë e të Kosovës. Në galerinë e personazheve të portretizuar prej tij gjen politikanë të djathtë e të majtë, intelektualë që me veprën e tyre frymëzojnë dhe intelektualë të shitur, nihilistë e vanitozë. Përpara nesh kalojnë Berisha, që karakterizohet prej tij si njeri me guxim e energji të pazakontë, shoqëruar me një egocentrizëm të pashoq, karizmatik deri në patologji; Rugova si njeriu që u përpoq ta përballonte me gandizëm gjenocidin e Millosheviçit; Thaçi si i ri elegant dhe karizmatik me merita të veçanta në çlirimin e Kosovës e me karrierë në ngjitje; Ilir Meta si “një ‘Don Zhuan’ i suksesshëm i skenës sonë politike”, që “e braktis një ‘dashuri politike’, kur nuhat se i duhet një ‘dashuri e re’, që i siguron përfitime politike”.  Edi Rama, figura qendrore e socialistëve, si alternativa e vetme për të larguar të keqen, por që thyhet shpejt nga trysnia e kundërshtarit dhe e ndërkombëtarëve. Pas portreteve të politikanëve, vijnë portrete emrash publikë, gazetarësh, analistësh, opinionistësh, ekspertësh të ekonomisë e të politikës. Ndër ta gjen nihilistë të pandreqshëm, që kanë marrë përsipër demistifikimin e historisë dhe të figurave historike e kulturore të botës shqiptare, dumbabistë të pështirë, njerëz të medies që i quan “dervishë mediatikë të pushtetit”, intelektualë pa shtyllë kurrizore, që për interesa materialë nuk e kanë për gjë të kthejnë 180 gradë. Mes këtyre ndrit portreti i Vaçe Zelës, të cilën e merr në mbrojtje nga akuzat se i këndoi diktaturës. Duke iu kundërvënë këtyre akuzave, ai thotë se Vaçja i këndoi atdheut jo se nuk e dinte ku jetonte, po “se me instinktin e artistes së madhe e dinte se kënga ishte balsam për shpirtin, se kënga thoshte shpesh atë që nuk e thotë dot thjesht fjala”.

Petriti na shfaqet në këtë përmbledhje edhe si njeri me shpirt të ndjeshëm. Festimi i Vitit të Ri në Shqipëri me krisma e bubullima fishekzjarrësh i kujton atij 97-n. Ai është për një kremtim të bukur, festiv, të qetë dhe me sa më shumë drita e ngjyra si në Europë, dhe jo me krisma si në vendet e botës së tretë. Duke dalë përtej Shqipërisë, ai hidhet deri në Spanjë. Mundjen me dema e quan një betejë mizore të njeriut me kafshët, shfaqje që tregon anën e tij të errët, një ndeshje të turpshme dhe të pandershme, ku njeriu dhe kafsha nuk ndeshen me ç’u ka falur natyra, po njëri me shtiza hekuri, kurse tjetri me brirët.

Petriti kishte shpirt artisti, gjë që e kemi parë edhe në vëllimin e tij me poezi “Zogu blu”. Ky shpirt artisti duket edhe në shkrimet publicistike të kësaj përmbledhjeje. Të bie në sy figuracioni i pasur, përdorim i qëlluar i epiteteve, antitezave e metaforave, aftësia për të zgjedhur fjalën, përdorimi i frazeologjisë popullore për të karakterizuar persona e dukuri, rrjedhshmëria e frazës dhe logjika e fortë. Të gjitha këto, bashkë me karakterin aktual të shkrimeve, e bëjnë këtë përmbledhje të këndshme në të lexuar. Për gazetarët e rinj ky libër është një manual që i mëson të jenë të pavarur, jokonformistë e të guximshëm për të thënë gjykimin e vet edhe nën trysni të poltikës. Me të gjitha këto, Petriti do të vijojë të jetojë në zemrat tona, si një zë që na thërret t’i bëhemi gardh zvetënimit të vlerave morale dhe të ruajmë vetitë e mira që na kanë dalluar si popull.

Duke e përfunduar, nuk mund të mos lëvdojmë z. Gëzhilli për këtë botim luksi si dhe autorin e parathënies, z. Luan Malaj, i cili i ka bërë një analizë të imtë kësaj vepre, duke na zbuluar personalitetin e Petritit si qytetar dhe si intelektual.

Pergatiti per faqen kallarati.com

Besnik Gjonbrataj

20 qershor 2016

 

Next Post

PËRUROHET NË TIRANË, LIBRI I RI I PETRIT QEJVANIT, “FJALA IME”

Enj Qer 30 , 2016
Pas librit të parë poetik “Kënga  e Zogut Blu”, Petrit Qejvanit  (pas vdekjes) i botohet libri i  dytë me publicistikë “Fjala    ime”, libër i cili u përurua në  datën 18 qershor 2016 në Tiranë  nën kujdesin e   botuesit Mehmet  Gëzhilli dhe vëllezërve e motrave  të Petritit. Në këtë […]