KONTRIBUTI DHE QËNDRESA E KALLARATIT NDAJ PUSHTUESVE TË HUAJ NË LUFTËN NACIONALÇLIRIMTARE. Nga Seit JONUZAJ

Kallarati, ashtu si çdo fshat dhe krahinë e Shqipërisë ka dhënë kontributin e vet në çlirimin e vendit ne periudha te ndryshme të historisë se tij.

Nëpërmjet shkrimeve të mëposhtme, veterani Seit Jonuzj, sjell për lexuesit fakte dhe shifra të pjesëmarrjes dhe kontributit të kallaratasve në luftën nacionalçlirimtare ndaj pushtuesve të huaj fashistë dhe nazistë.

Pushtimi italian i Shqipërisë dhe qëndrimi i kallaratasve

Agresioni i armatosur kundër vendit tonë që ndërmori Italia fashiste me kryeministër Benito Musolinin, i mbiquajtur “Duçe” (Udhëheqës), më 7 prill 1939 i duhej asaj për përmbushjen e qëllimeve imperialiste, për ta shndërruar Shqipërinë në koloni të saj, për grabitjen e pasurive dhe për shfrytëzimin e pozitës strategjike të saj, me qëllim që ta përdoret territorin shqiptar si bazë nisjeje për pushtimin e vendeve të tjera të Ballkanit. Agresioni fashist italian kundër vendit tonë ishte pjesë e politikës agresive të shteteve fashiste për skllavërimin e popujve dhe për vendosjen e hegjemonisë botërore që shpuri në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Njëkohësisht ai ishte rezultat i qëndrimit kapitullues, antikombëtar i regjimit të mbretit famëkeq Ahmet Zogu.

A. Zogu dhe klika e tij nuk morën asnjë masë për t’i bërë ballë rrezikut që i kanosej vendit, por përkundrazi, sabotuan edhe qëndresën e armatosur popullore. Rreziku i drejtpërdrejtë i agresionit fashist ngriti në këmbë gjithë popullin shqiptar, i cili u hodh në demonstrata të fuqishme antifashiste, kërkoi armë të mbronte atdheun.

Si në mbarë vendin, edhe në Kallarat agresioni fashist italian dhe pushtimi i Shqipërisë më 7 prill 1939 u prit me brengë e hidhërim të madh, si një ngjarje tragjike që tronditi çdo kallaratas. Mungesa e plotë e mjeteve të informimit publik të asaj kohe bënte që lajmet dhe komentet në prag të pushtimit të mbërrinin në Kallarat, duke u përcjellë gojë më gojë, shpesh kundërthënëse e kaotike. Disa nga lajmet thoshin se mbreti ka marrë masa dhe do luftojë edhe vetë për të mos e lejuar pushtimin e vendit. Të tjerat thoshin se Italia është fuqi e madhe e nuk matemi dot me të. Por kallaratasit, si atdhedashës të të gjitha kohërave që u dhimbsej atdheu, nuk i besonin asnjë propagande të vënies në gjumë apo disfatiste, kapitulluese. Prandaj të gjithë ata që u ndodhën në fshat, u grumbulluan në Qafë të Ubavit, ku shprehën vendosmërinë për ta pritur me pushkë agresorin. Një grup i madh burrash u nisën për në komunën e Kuçit që të kërkonin armë për të shkuar drejt porteve detare ku pritej zbarkimi i trupave ushtarake italiane. Në komunë, ku gjetën edhe kuçiotë, bolenas etj., morën përgjigje nga titullarët e saj se mbreti i kish marrë masat për mbrojtjen e vendit, prandaj nuk ishte e nevojshme të armatoseshin dhe as të shqetësoheshin. Kallaratasit u kthyen në fshat të zemëruar nga kjo përgjigje.

Zbarkimi i forcave ushtarake italiane në Shqipëri dhe qëndresa ndaj tij.

Pra, mbrojtje të organizuar shtetërore ndaj agresionit italian nuk pati. I vetëshpalluri mbret i shqiptarëve, Ahmet Zogu, e la popullin në mëshirën e fatit dhe u largua nga vendi, duke rrëmbyer nga Banka e Shtetit edhe arkat me ar. Vetëm qëndresë spontane pati, kryesisht nga vullnetarë atdhedashës të popullit dhe aty-këtu, si në Durrës e Bestrovë të Vlorës, edhe nga ushtarakë patriotë. Për rrjedhojë, trupat ushtarake të ardhura me anije luftarake të shumta e të mbështetura nga aviacioni ushtarak, në mëngjesin e 7 prillit, “të premten e zezë”, siç e quajti populli atë ditë fatkeqe, nisën zbarkimin në portet shqiptare të Durrësit, Vlorës, Shëngjinit e Sarandës. Nga qëndresat e organizuara, më të fuqishmet qenë ajo e Durrësit dhe e Bestrovës së Vlorës.

Në Vlorë qëndresë nga vullnetarë popullorë pati në zonën e Skelës, ku u vra fshatari Hamit Vashko nga Gumenica, por qëndresa më e fortë e më e organizuar u bë në Bestrovë, ku mbërriti me ngut nga Elbasani një bateri e artilerisë kundërajrore e komanduar nga togeri atdhetar kallaratas Shahin Osman Jonuzaj. Kjo bateri artilerie bashkë me një repart këmbësorie të komanduar nga Neshat Kolonja, si dhe me vullnetarë popullorë të fshatrave përreth u vendosën në kodrat zotëruese të rrugës automobilistike Vlorë- Fier. Qëndresa e Bestrovës i detyroi trupat fashiste, që ishin duke marshuar nga Vlora për në Fier, të bllokoheshin për dy ditë rresht (7 e 8 prill) dhe të pësonin shumë të vrarë e të plagosur nga topat e baterisë së artilerisë së komanduar nga Shahini.

Për këtë qëndresë, studiuesi dhe historiani ushtarak italian Mario Montaresi shkruan: “Vështirësi të mëdha ndeshi kolona jonë. Në ora 6 e 30 filloi zbarkimi. Goditjet e para na u dhanë në molin e Vlorës nga ana e forcave shqiptare e pas zbritjes, forcat tona nisën përparimin drejt Fierit. Në atë kohë forcat shqiptare na kundërshtuan me zjarr në lartësinë e Bestrovës natën e 7 prillit. Shqiptarët ishin vendosur mirë në pozicionet e tyre. Në mbrëmje kolona jonë ishte në kontakt të ngushtë me shqiptarët, prandaj nuk mund të përparonte më drejt Fierit. E patëm të vështirë për të kaluar Bestrovën… Më 8 prill forcat tona marshuan drejt Fierit. Këtu, dëmet tona janë 93 ushtarë, nënoficerë e oficerë të vrarë e të plagosur”.

Pas pushtimit të Shqipërisë, pushtuesit menjëherë nisën fashistizimin e vendit, duke vendosur rregullat dhe simbolet e tyre në të gjitha fushat e jetës. Nisën burgosjet e kundërshtarëve dhe përjashtimet e të rinjve antifashistë nga shkollat. Një nga viktimat e parë të kësaj politike ishte edhe i riu kallaratas Mumin Selami, që shkroi mbi një libër fill pas pushtimit të vendit fjalët kuptimplote “Mbi kockat e martirëve ngrihet atdheu”. Ai u përjashtua nga shkolla dhe u burgos si antifashist.

Gjendja e rëndë ekonomike i detyroi shumë kallaratas, sidomos moshat e reja, të largoheshin nga fshati në kërkim të ndonjë pune në sipërmarrje e shoqëri të ndryshme italiane për të siguruar bukën e gojës për vete e për familjet e tyre që linin pas. Dhe megjithëse kryenin punë të rënda krahu e me orar të zgjatur, 10-12 orë në ditë, pa kushtet më elementare jetese, duke fjetur nëpër baraka apo në qiell të hapur nëpër ullishte të Vlorës e gjetkë, merrnin një pagë minimale. Prandaj ata nisën të merrnin pjesë në protesta e demonstrata që organizoheshin kundër pushtuesve fashistë italianë.

Punëtorë kallaratas, si gjithë punëtorët e tjerë, provuan shtypjen dhe shfrytëzimin e rëndë të pushtuesve italianë. Kjo i bëri të shtonin gjithnjë e më shumë urrejtjen kundër tyre. Për rrjedhojë shtohej edhe qëndresa e tyre kudo që ndodheshin, duke marrë pjesë aktive në protesta e demonstrata që organizoheshin kundër pushtuesve fashistë italianë.

Lufta II Botërore dhe LANÇ në Shqipëri

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste ishte pararendës i Luftës së Dytë Botërore. Kjo luftë u shpërthye nga shtetet agresive nazifashiste: Gjermania naziste, Italia fashiste dhe Japonia imperialiste për rindarjen e botës. Ajo nisi si luftë midis dy koalicione shtetesh: Anglia, Franca e Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga njëra anë dhe Gjermania, Italia e Japonia nga ana tjetër. Por me hyrjen në luftë edhe të Bashkimit Sovjetik dhe me ngritjen në luftë çlirimtare të vendeve të pushtuara të Evropës e Ballkanit, ajo mori karakterin e një lufte të drejtë antifashiste.

Lufta e Dytë Botërore filloi më 1 shtator 1939 me agresionin nazist kundër Polonisë. Këtij agresioni Britania e Madhe dhe Franca iu përgjigjën me shpallje lufte Gjermanisë. Në vazhdim, Gjermania dhe Italia gjatë viteve 1939-1941 pushtuan një varg vendesh të Evropës perëndimore, të Ballkanit dhe më 22 qershor 1941 Gjermania sulmoi pabesisht Bashkimin Sovjetik, megjithëse kishin një pakt mossulmimi midis tyre. Kështu, Anglia, Bashkimi Sovjetik dhe Amerika u bënë aleatë, duke krijuar Koalicionin Antifashist Anglo-Sovjeto-Amerikan kundër bllokut agresiv nazifashist, i cili mori emrin Boshti Berlin-Romë-Tokio.

Lufta e Dytë Botërore përfundoi më 9 maj 1945, kur Gjermania u detyrua të kapitullonte e të nënshkruante aktin e kapitullimit dhe mbi Raishtag të ngrihej flamuri i fitores mbi fashizmin. Kjo luftë botërore ishte më e madhja për nga numri i shteteve pjesëmarrëse (që përfshiu rreth 80% të popullsisë së botës), nga numri i ushtrive të këtyre shteteve prej 110 milionë forcash dhe nga dëmet e mëdha materiale e njerëzore që shkaktoi, duke u marrë jetën 50 milionë njerëzve të Evropës e më gjerë.

Populli shqiptar me organizimin dhe zhvillimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ), u rreshtua në krah të koalicionit antifashist Anglo-Sovjeto-Amerikan dhe popujve të tjerë të Ballkanit dhe Evropës. Kjo luftë çlirimtare e popullit tonë nisi me qëndresën popullore kundër agresionit fashist të 7 prillit 1939 dhe përfundoi me çlirimin e plotë të vendit më 29 nëntor 1944.

Vendi ynë ishte i vetmi në Evropën e pushtuar nga nazifashistët që realizoi çlirimin e plotë krejtësisht me forcat e tij. Sigurisht, që për këtë fitore, kushtet e favorshme i krijoi lufta e Koalicionit të madh antifashist Anglo-Sovjeto-Amerikan dhe fitorja e tyre mbi nazifashizmin.

KONTRIBUTI I KALLARATIT NË LUFTËN NACIONALÇLIRIMTARE

Në vazhdim të qëndrimit mbarëkombëtar kundër pushtuesve edhe Kallarati u ngrit në luftë të armatosur për çlirimin e vendit. I tërë fshati u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Krahas fshatrave të tjera të krahinës, që në fillim nisi edhe në Kallarat krijimi i strukturave organizative të luftës çlirimtare dhe i organizatave antifashiste që mobilizuan e drejtuan popullin në mbështetje të kësaj lufte. Të tillë ishin këshilli nacionalçlirimtar i fshatit, organizata e rinisë antifashiste, organizata e frontit nacionalçlirimtar, organizata e grave antifashiste, çeta territoriale etj. Shumë të rinj kallaratas filluan të rreshtoheshin në çetat partizane që nisën të krijoheshin në krahinën e Kurveleshit.

Këshilli nacionalçlirimtar

Një nga organizmat e para të Lëvizjes që u krijua në Kallarat ishte këshilli nacionalçlirimtar i fshatit. Ky këshill ishte një organ pushteti administrativoushtarak i rëndësishëm në shërbim të luftës çlirimtare. Prandaj, për krijimin e tij në Kallarat erdhën si të deleguar drejtues të rëndësishëm të Lëvizjes në Kurvelesh Mustafa Matohiti, Ali Lalaj etj. Pasi u takuan e biseduan me mbështetës të njohur të Lëvizjes, vendosën që mbledhja të bëhej në një shtëpi jashtë qendrës së fshatit, ngaqë këshilli krijohej në kushte ilegaliteti dhe nuk duhej të binte në sy kjo mbledhje. Si vend i përshtatshëm për mbledhjen u zgjodh shtëpia e Murat Birçe Ribajt në Basha. U bisedua edhe se kush duhej të merrte pjesë në atë mbledhje. Kështu, më 20 shkurt 1942 në mbrëmje, të deleguarit me kallaratasit e përzgjedhur për të marrë pjesë në atë mbledhje të fshehtë, iu drejtuan shtëpisë së Ribajve në Basha. Fillimisht të pranishmit u njohën nga të deleguarit me qëllimin e mbledhjes, me situatën politike në vend, me përpjesëtimet që po merrte Lëvizja Nacionalçlirimtare dhe me rolin e detyrat e këshillit nacionalçlirimtar etj. Pas sqarimeve e shkëmbimit të mendimeve, u kalua në krijimin e këshillit nacionalçlirimtar të përbërë nga:

 

1. Meçan Selam Qejvanaj – kryetar,

2. Telo Duro Zhibaj – sekretar,

3. Veliko Murat Breshanaj- anëtar,

4. Lelo Jazo Davacaj – anëtar,

5. Fein Çelo Strataj – anëtar,

6. Murat Birçe Ribaj – anëtar.

Të gjithë anëtarët e këshillit bënë betimin se do të ruanin fshehtësinë dhe do mbeteshin besnikë deri në fund në shërbim të luftës për çlirimin e atdheut. U caktua edhe një korrier i këshillit, Ormën Boro Ribaj, i cili po ashtu, u betua për konspiracion.

Në mëngjes, anëtarët e këshillit të porsazgjedhur, së bashku me të deleguarit, u zhvendosën nga Bashai në Përrua të Gjorme, në shtëpinë e Meçan Selamit. Këtu këshilli vazhdoi mbledhjen e tij të parë për konkretizimin e detyrave. Mustafa Matohiti me shokët e tij dha udhëzime të hollësishme për punën dhe detyrat konkrete që do të kryente këshilli dhe secili anëtar i tij. Të zgjedhurit në këshillin e sapoformuar nacionalçlirimtar ishin figura të njohura të fshatit me vlera atdhetare.

Këshilli nacionalçlirimtar i Kallaratit ishte një nga të parët që krijohej në krahinën e Kurveleshit, i dyti pas atij të Kuçit. Ky këshill luajti një rol të rëndësishëm politiko-organizativ në fshat gjatë gjithë luftës, si për mobilizimin e banorëve të fshatit në ndihmë të luftës çlirimtare, për pritjen e strehimin e forcave partizane nëpër familje, sigurimin e ushqimit për ta, mbledhje ndihmash ushqimore, veshmbathjeje për partizanët. Këshilli priste e strehonte ilegalët, ndiqte me kujdes lëvizjet e forcave armike, bashkërendonte veprimet me këshillat nacionalçlirimtare të fshatrave përreth dhe mbante lidhje me këshillin krahinor, duke informuar e marrë udhëzime prej tij etj. Këshilli, krahas problemeve të luftës, shërbente edhe si një organ qeverisës vendor dhe për zgjidhjen e problemeve të ndryshme të banorëve. Gjatë operacioneve ndëshkimore që ndërmerrnin forcat pushtuese, këshilli, në bashkëpunim me komandën e vendit, jepte kushtrim dhe merrte masa për largimin e banorëve nga shtëpitë duke i orientuar që të ngjiteshin për mbrojtje nëpër shpellat e malit dhe në vende të tjera të sigurta etj.

Pranë këshillit nacionalçlirimtar, më 12 prill 1942 u krijua edhe një njësit i armatosur me veprimtarë e simpatizantë të Lëvizjes me rreth 10-15 vetë. .

Rënia heroike e të riut Mumin Selami

I riu kallaratas Mumin Selami, i lindur në familjen Toçaj (Bajramaj) të njohur për atdhetari, ishte një djalë me formim atdhetar dhe ide përparimtare, antifashist i orëve të para. Mumini, jo vetëm që u shfaq hapur kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, duke marrë pjesë në manifestime e demonstrata proteste, por edhe fill pas pushtimit ai shkroi fjalët lapidar “Mbi kockat e martirëve ngrihet atdheu”. Fillimi i luftës italo-greke më 1940 Muminin e gjeti punëtor në Ujë të Ftohtë të Vlorës, në shoqërinë italiane “ÇELPA” që merrej me ndërtime ushtarake. Kur shfaqeshin avionët anglezë për bombardime, jepej alarmi që të gjithë punëtorët dhe ushtarët italianë të futeshin në tunel.

Në një nga këto raste, tregonte Bexhet Kreshpa nga fshati Brataj që punonte bashkë me të, Mumini, duke shfrytëzuar errësirën, i ngjiti në kurriz një koloneli italian një trakt antifashist. Pas largimit të avionëve, koloneli bashkë me punëtorët dhe ushtarët dolën nga tuneli. Kur e panë çfarë kishte nga prapa koloneli, ushtarët nisën ta tallnin me shprehjen “Il colonnelo fascista oggi mattina e nato comunista” (Koloneli fashist sot në mëngjes u lind komunist). Ai, urrejtjen e tij të madhe ndaj pushtueve fashistë e shfaqte në vijimësi e me zë të lartë kudo e me këdo, para të afërmëve të tij, para të rinjve dhe para çdo moshe, si në fshat, në shkollë në Tiranë, në punë në Vlorë e tj.

Në fund të prillit- fillim i majit 1941, kur ushtria greke u tërhoq dhe kallaratasit sapo kishin nisur të ktheheshin në vatrat e tyre, Mumini ndërsa po ndiqte nga oborri i shtëpisë së kushëririt të tij, Bajram Toçajt, një kolonë ushtarësh italianë që po marshonte përbri shtëpisë drejt Kuçit, u shpreh me urrejtje të thellë: “Ah, more qenër, këtu do u mbeten kockat edhe juve”. Mos fol kështu, të keqen motra, e qortoi me drithërimë e zonja e shtëpisë, Hania, nga frika se mos e dëgjonin ushtarët fashistë dhe e vrisnin. Ai iu përgjigj: “Ah moj Hane, unë mezi pres ditën që t`i hedhim në det këta këmishëzinj. Jam i lumtur që jam në moshë për të luftuar për çlirimin e Shqipërisë nga këta barbarë”.

Pas aktivitetit antifashist në Tiranë, Mumini dërgohet në Vlorë për të punuar me rininë vlonjate dhe për të kryer veprimtari kundër pushtuesve. Mirëpo kjo veprimtari kish rënë në sy të pushtuesve dhe ndiqej nga spiunët e regjimit fashist. Prandaj, natën duke u gdhirë 18 tetori 1942, Mumini me bashkëluftëtarët e tij, Haredin Bylyshi, Barjam Tushi e Hiqmet Buzi, u rrethuan nga 400 milicë e karabinierë në një shtëpi, ku punonin për detyrat e ditës së nesërme.

Thirrjen për dorëzim Mumini me shokët nuk e pranuan. Forcat rrethuese hapën zjarr kundër të rinjve. Për rrjedhojë u ndez një luftë e ashpër, në të cilën luftonin 4 trima me pistoleta e bomba dore kundër 400 forcave të armatosura deri në dhëmbë me të gjitha llojet e armëve. Lufta midis forcave të pabarabarta vazhdoi për orë të tëra, derisa të katër trimat ranë heroikisht njëri pas tjetrit për atdheun.

Pra, Mumini me shokët e tij e dhanë shembullin se si “mbi kockat e martirëve ngrihet atdheu”. Mumini me këtë akt u bë dëshmori i parë i Kallarati dhe ndër të parët në shkallë vendi. Kjo ngjarje tronditi fshatin dhe krahinën, duke e përjetuar me hidhërim të madh, shtoi urrejtjen ndaj pushtuesve dhe ndezi gjakrat e shumë të rinjve kallaratas dhe jo vetëm kallaratas që të rreshtoheshin në çeta partizane për të luftuar ashtu si luftoi Mumini me shokët e tij për çlirimin e atdheut. Akti i tij heroik dhe i shokëve të tij u vlerësua edhe nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë duke i dhënë titullit më të lartë, Hero i Popullit.

Çeta territoriale “Mumin Selami”

Si në të gjitha fshatrat e krahinës, edhe në Kallarat Lëvizja Nacionalçlirimtare po merrte gjithnjë e më shumë përpjesëtime të gjera, duke u futur thellë në ndërgjegjen e popullit. Kjo shkallë zhvillimi e Lëvizjes kërkonte edhe një mobilizim e organizim më të lartë të forcave të afta të fshatit për luftë kundër pushtuesve. Prandaj, në muajin nëntor 1942, njësiti i armatosur i krijuar në prill u shndërrua në çetë territoriale me një numër shumë më të madh pjesëtarësh.

U zgjodh dhe shtabi drejtues i saj me komandant Veip Balil Memushajn, Komisar Adil Lame Petanajn, nënkomandant Ormën Boro Ribajn dhe ekonomat (intendent) Maze Dushan Jonuzajn. U vendos që çeta të kishte emrin e dëshmorit të parë të fshatit, të rënë heroikisht pak kohë më parë, Mumin Selami. Me krijimin e celulës së partisë komuniste në korrik 1943, Adili u zgjodh sekretar i celulës dhe në këtë detyrë, në bazë të platformës së partisë, ai kaloi në detyrën e zëvendëskomisarit të çetës, ndërsa në detyrën e komisarit u caktua Kasëm Demiraj.

Radhët e çetës territoriale “Mumin Selami” shtoheshin vazhdimisht, duke u bërë pjesë e saj pothuajse të gjithë burrat dhe të rinjtë e fshatit që mund të përdornin armë. Por përbërja numerike e saj ndryshonte vazhdimisht për shkak se shumë pjesëtarë të saj, veçanërisht moshat e reja, kalonin herë pas here në çeta të rregullta partizane të Kurveleshit, në grupe e brigada partizane të krahinës, qarkut e më gjerë. Pra, çeta u bë burim luftëtarësh për formacionet partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Organizatat politike

Organizata e rinisë komuniste dhe antifashiste.

Brezi i ri, si moshë më e përhedhur e më energjike, ishte brezi më i pezmatuar e i revoltuar ndaj pushtimit të atdheut nga Italia fashiste. Prandaj i riu Mumin Selami me shokët e tij demonstronte në Tiranë për armatosje që të luftonin kundër agresorëve.

Të rinjtë kallaratas që punonin për të nxjerrë bukën e gojës në Minierën e serës në Selenicë, Fejzo Rjepaj, vëllezërit Sinan e Sihat Xhemil Tozaj, Hamza Qejvanaj, Hamit Qejvanaj, bashkë me punëtorë të tjerë kallaratas e jo kallaratas merrnin pjesë aktive në greva. Po ashtu, të rinjtë kallaratas merrnin pjesë në grevat që zhvilloheshin në sipërmarrjet italiane të ndërtimit ku punonin në Vlorë, si “Çelpa”, Xhenjo Ushtarake etj.

Pas krijimit më 23 nëntor 1941 në Tiranë të organizatës së Rinisë Komuniste të Shqipërisë dhe pas shtrirjes së kësaj organizate në tërë qarqet e vendit, u hodhën hapat për krijimin e kësaj organizate rinore edhe në Kallarat. Kështu, më 10 shkurt 1943, pranë Qafës së Ubavit, u organizua një mbledhje me të rinj e të reja të fshatit, në të cilën merrnin pjesë edhe veprimtarë të shquar të Lëvizjes në krahinën e Kurveleshit dhe të deleguar nga Komiteti Qarkor i PK për qarkun e Gjirokastrës. Kjo mbledhje shërbeu për krijimin e organizatës së rinisë komuniste të Kallaratit. Nga kjo kohë dhe gjatë muajve në vazhdim, radhët e saj erdhën duke u shtuar pa ndërprerje me anëtarë të rinj, djem e vajza.

Organizata e rinisë komuniste e fshatit shumë shpejt u bë një forcë aktive, e cila me veprimtarinë e saj propagandistike e agjitative që zhvillonte për t`u ngritur në luftë për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj fashistë, tërhoqi rreth vetes tërë masën e brezit të ri. Shumë nga pjesëmarrësit e mbledhjes themeluese të organizatës së rinisë kishin marrë pjesë tashmë në disa aksione e luftime, si në likuidimin e administratës fashiste të nënprefekturës së Kurveleshit në Gusmar më 28 nëntor 1942, në luftën e Gjormit kundër forcave italiane dhe mercenarëve të Halil Alisë fundi i dhjetorit 1942-fillimi i janarit 1943 etj.

Në bazë të detyrës së vënë nga forumet drejtuese të Organizatës së rinisë për Qarkun e Gjirokastrës, në dhjetëditëshin e parë të muajit nëntor 1943 u krijua në fshatin tonë organizata e rinisë antifashiste. Më vonë të dyja këto organizata u bashkuan dhe morën emrin Bashkimi i Rinisë Antifashiste të Shqipërisë (BRASH) me në krye të riun revolucinar dhe antifashistin e vendosur Fejzo Rjepaj.

Organizata e rinisë antifashiste e Kallaratit zhvillonte një veprimtari të gjerë për aktivizimin e mobilizimin e të gjithë rinisë së fshatit në LANÇ dhe jepte kontributin e saj të vyer në kryerjen e çdo detyre që shtronte nevoja e kësaj lufte. Nga radhët e saj vazhdonte nga koha në kohë, kalimi i të rinjve kallaratas në formacionet partizane të krahinës, përveç pjesëmarrjes në çetën territoriale të fshatit.

Me punën e bërë nga veprimtarët e Lëvizjes dhe organizata e rinisë në fshat me të rinjtë e të rejat u arrit, që shumica dërrmuese e tyre të rreshtoheshin në formacione partizane, çeta, batalione e brigada, ku luftuan me guxim, trimëri e vetëmohim, kundër pushtuesve fashistë italianë e nazistë gjermanë për çlirimin e atdheut.

Celula e Partisë Komuniste.

Pas krijimit të saj më 8 nëntor 1941, Partia Komuniste e Shqipërisë (PKSH) nisi shtrirjen e saj në të gjitha qarqet, qytetet e fshatrat e vendit, duke krijuar hap pas hapi komitete qarkore në qarqe dhe celula partie fillimisht në krahina e qytete dhe pastaj në fshatra.

Kështu, më 20 korrik 1943, Adil Lame Petanaj, Veip Balil Memushaj, Maze Dushan Jonuzaj dhe Kasëm Demir Demiraj, në praninë e të deleguarit të komitetit të partisë për rajonin e Kurveleshit Memo Meto, u mblodhën dhe vendosën krijimin e celulës së PKSH. Sekretar i saj u zgjodh Adil Petanaj.

Në vjeshtën e atij viti, në një nga mbledhjet e saj të datës 14 tetor, celula pranoi në gjirin e saj anëtarë të rinj nga elementët më të vendosur për vazhdimin e luftës kundër pushtuesve nazistë gjermanë që kishin zëvendësuar fashistët italianë tanimë të kapitulluar. Shokët që u pranuan ishin: Rruzhdi Lame Petanaj i ardhur nga Tirana, pas braktisjes së detyrës në karabinieri, vëllezërit Muço e Sadik Xhevit Gjonbrataj, Hyso Isan Begaj, vëllezërit Ferik e Cane Teslim Strataj dhe Barjam Qamil Toçaj. Në këtë mbledhje sekretar i celulës u zgjodh Rruzhdiu, në vend të Adilit që u largua për në Tiranë për shkaqe shëndetësore. Kohë pas kohe celula shtohej edhe me anëtarë të tjerë.

Celula e partisë komuniste nisi punën me energji e vendosmëri, duke u bërë promotor i tërë veprimtarisë politiko-ushtarake e agjitativo-propagandistike që zhvillohej në fshat. Ata u vunë në krye të punës e të luftës intensive që bënte populli i Kallaratit për çlirimin e atdheut nga pushtuesit e huaj, duke luajtur një rol të rëndësishëm drejtues e organizues për mobilizimin e të gjithë popullit në atë luftë dhe në veçanti të organizatës së rinisë, të organizatës së grave dhe të strukturave të tjera të frontit nacionalçlirimtar, siç ishte edhe çeta territoriale si formacion i armatosur etj. E gjithë veprimtaria e celulës kryhej në emër të Frontit nacionalçlirimtar apo të këshillit nacionalçlirimtar ngaqë për shkaqe të luftës PK punonte në ilegalitet.

Organizata e grave antifashiste.

Gratë e Kallaratit, si të gjitha gratë e Labërisë, jo vetëm në punë, po edhe në luftëra për mbrojtjen e trojeve nga sulmet e të huajve kanë qëndruar përkrah burrave të fshatit. Këtë e tregojnë edhe vargjet e një kënge:

“Kallarati fshat i pakë,

trima burrat, trime gratë,

Që të shqyejnë me sëpatë”.

Kështu ndodhi edhe në luftën e vitit 1914 kundër sulmeve të bandave shoviniste greke, por edhe më masivisht e më të organizuara gratë e Kallaratit u gjendën përkrah burrave, vëllezërve e djemve të tyre edhe në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në këtë luftë gratë e fshatit tonë krijuan organizatën e tyre antifashiste, si mbështetëse dhe kontribuese me pjesëmarrje aktive në çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Ato, që me nisjen e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, fillimisht prisnin e strehonin në vatrat e tyre ilegalët, veprimtarët e Lëvizjes dhe në vazhdim, luftëtarët e lirisë, partizanët e çetave, grupeve e brigadave të Ushtrisë nacionalçlirimtare, të cilëve u shërbenin me të gjitha mundësitë që kishin, duke ndarë me ta edhe kafshatën e bukës së fëmijëve të tyre.

Organizata e grave u krijua më 25 gusht të vitit 1943 në shtëpinë e patriotes Duze Bajramaj, biri i së cilës, Mumini, ishte një nga të parët kundërshtarë të vendosur të pushtimit fashist dhe dëshmor i parë i fshatit e i krahinës që bëri jetën fli për çlirimin e atdheut. U mblodhën në atë shtëpi gratë më aktive në mbështetjen e luftës çlirimtare dhe vendosën krijimin e organizatës së tyre antifashiste. Pasi folën e diskutuan për luftën që po bëhej për çlirimin e vendit nga pushtuesit, për kontributin që po jepte Kallarati, për gjakun që po derdhej dhe për detyrat që u dilnin grave kallaratase, si gjithë grave shqiptare, në mbështetje të LANÇ, u kalua në zgjedhjen e këshillit (kryesisë) që do të drejtonte organizatën. Në këshill u zgjodhen 7 gra:

1. Duze Barjamaj,

2. Pashako Petanaj,

3. Meno Qejvanaj,

4. Shaze Hitaj (Meçaj),

5. Xhevo Jonuzaj,

6. Hyri Memushaj

7. Tefo Karabollaj.

Kryetare e këshillit u zgjodh Shaze Hitaj. Pas saj, në detyrën e kryetares së këshillit të grave janë zgjedhur, njëra pas tjetrës, Meno Qejvanaj e Xhevo Jonuzaj.

Detyrën e saj organizata e grave antifashiste në Kallarat e kreu me nder e lavdi, duke përballuar një peshë jo të vogël gjatë gjithë luftës dhe pas çlirimit në rindërtimin e fshatit dhe rimëkëmbjen e ekonomisë. Ajo zhvilloi një veprimtari të gjerë propagandistike me gratë për mbështetjen e luftës çlirimtare, për aktivizimin e tyre në ndihmë të partizanëve me ç`të kishin mundësi: ushqime, veshje të ndryshme si triko, çorape etj. Me mbledhjet e saj të dendura, organizata u hapi horizont dhe i emancipoi gratë e fshatit edhe për çlirimin e tyre nga zakonet prapanike e paragjykimet fetare etj, nga ndrydhja dhe inferioriteti para burrave për hir të zakonit ekzistues, për zhdukjen e zakoneve të vjetra të lidhjes së krushqive me mblesëri etj.

Dhe jo vetëm kaq, nga radhët e tyre, sidomos nga ato më të reja, pa u ndrojtur nga propaganda keqdashëse ndaj pjesëmarrjes së femrave në luftë e kundërshtarëve të LANÇ, dhe as nga përgojimet e gojëve të liga të prapanikëve, disa nuse e vajza hodhën pushkën krahut dhe u rreshtuan në formacionet partizane, duke luftuar kundër pushtuesve njëlloj si meshkujt. Të tilla ishin Qamile Goxhaj, Salto Golloshaj, Trëndafile Breshanaj, Zonjë Memushaj, Lalo Qejvanaj e Sano Muharremaj.

Gratë e Kallaratit përballuan me moral të lartë të gjitha operacionet ushtarake ndëshkimore të pushtuesve në krahinën tonë edhe kur ato shpesh ndodheshin vetëm me fëmijët nga që meshkujt ishin rreshtuar në formacione partizane apo ishin të angazhuar në aksione të ndryshme, si pjesëtarë të çetës territoriale.

Një nga vajzat kallaratase, Belere Boshaj, gjatë operacionit të parë të forcave fashiste italiane në prill 1943, duke u ndodhur me banim të përkohshëm në Horë të Vranishtit, ajo në mbrojtje të nderit të saj dhe nga urrejtja që kish për pushtuesit, me guxim rrëmbeu sëpatën dhe vrau me të një oficer italian që iu fut në kasolle dhe u përpoq ta kapte vajzën, ndërkohë që u vra edhe vetë ajo nga një ushtar fashist që shoqëronte oficerin.

Ndërsa Duze Bajramaj, nëna e dëshmorit të parë të fshatit, Mumin Selamit, pavarësisht nga pikëllimi i papërshkruar për Muminin dhe që më pas mori edhe lajmin tjetër të kobshëm se edhe djali i madh i saj në Egjipt ishte ndarë nga jeta nga një epidemi tifoje dhe megjithëse e moshuar dhe e vetme në shtëpi, përmblodhi forcat dhe u bë një agjitatore dhe veprimtare e flaktë e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke e shndërruar shtëpinë e saj në bazë të luftës çlirimtare.

 

Ajo priste e përcillte luftëtarët e lirisë deri edhe partizanë të plagosur , siç ishte rasti i partizanit të çetës së Rinisë të Qarkut të Gjirokastrës, Jonuz Galanxhi të plagosur rëndë në një ndeshje me nazistët gjermanë gjatë operacionit të dimritnë muajt e dimrit të vitit 1943. Duzja i shërbeu atij me të gjitha mundësitë, sikur të ishte djali i saj duke e ushqyer e mjekuar me barna popullore (mëllaga etj.) disa ditë me radhë, por ai ishte në kllapi dhe nuk mundi t`i mbijetonte dot plumbit që kish marrë në bark. Kur vdiq, ajo e qau me lotë dhe me ndihmën e bashkëfshatarëve e varrosi pas shtëpisë së saj derisa pas çlirimit të vendit erdhën njerëzit e tij dhe e tërhoqën trupin.

Duzja deklaronte: “Do luftoj me të gjitha forcat për të vënë në vend amanetin e djalit tim e të djemve të tjerë të nënave”. Me aktivitetin e saj, ajo u bë e njohur jo vetëm në krahinën e Kurveleshit e të Mesaplikut dhe në qarkun e Gjirokastrës, por edhe më gjerë. Pas çlirimit Duzja për kontributin e dhënë në luftë meritoi zgjedhjen deputete e Kuvendit Popullor nga populli i Lumit të Vlorës dhe i Kurveleshit të Poshtëm.

Përpjekje të Ballit Kombëtar për krijim organizate në Kallarat.

Kryesisht gjatë pranverës e verës të vitit 1943, në Kallarat u dyndën shumë eksponentë dhe emisarë të organizatës së Ballit Kombëtar që ishte krijuar në muajt e fundit të vitit 1942. Ardhja e tyre synonte të tërhiqte në anën e Ballit fshatin dhe të krijonte aty organizatë. Janë zhvilluar disa takime midis drejtuesve dhe veprimtarëve të Lëvizjes e të Frontit nacionalçlirimtar të Kallaratit dhe eksponentëve të Ballit Kombëtar që vinin në Kallarat. Në këto takime secila palë shpaloste e mbronte platformën e saj lidhur me luftën për çlirimin e vendit. Por ndërsa përfaqësuesit e Frontit nacionalçlirimtar këmbëngulnin për ngritjen e menjëhershme të popullit në luftë pa kompromis kundër pushtuesit të huaj, duke u bërë thirrje edhe ballistëve t`i bashkoheshin kësaj ideje, siç ishte vendosur në Konferencën e Pezës, përfaqësuesit e Ballit mbronin pikëpamjen se duhej pritur koha e volitshme, nuk duhej nxituar se kemi të bëjmë me fuqi të mëdha që nuk e hamë dot me to etj. Ata kundërshtonin pjesëmarrjen e femrave në luftë dhe çështje të tjera. Për çdo gjë zhvilloheshin debate e polemika të ashpra midis palëve dhe në fund përfaqësuesit e Ballit detyroheshin të largoheshin pa ndonjë rezultat të dukshëm. Ata nuk e thyen dot popullin atdhetar të Kallaratit për ta larguar nga lufta që kish nisur, as organizatë funksionale të tyre dhe as ndonjë formacion të armatosur nuk krijuan dot në Kallarat.

E vetmja gjë që mundën të arrinin emisarët e Ballit, ishte të bënin për vete e të shkëpusnin nga shumica dërrmuese e fshatit disa elementë, si dhe të lëkundnin disa të tjerë përkohësisht me deklarata joshëse se edhe Balli Kombëtar gjoja do luftonte për çlirimin e vendit, po kur t`i vinte koha, si dhe me propagandën dashakeqe e diskredituese ndaj Frontit nacionalçlirimtar për të qorrollisur simpatizantët e këtij Fronti. Për t`u prishur mendjen disave apo t`i lëkundur ndikuan edhe njohjet, miqësitë apo popullariteti që kishin disa nga të dërguarit e Ballit si njerëz të “kënduar” e të “ditur”.

Megjithatë, fare të paktë ishin ata elementë që kaluan me ndërgjegje në anën e Ballit Kombëtar dhe në çetat e kësaj force politike jashtë Kallaratit, megjithëse ishin atdhedashës që u dhimbsej atdheu dhe fillimisht mbështetës apo pjesëmarrës të Frontit nacionalçlirimtar. Por disa i shtyu të kalojnë me Ballin duke u larguar përkohësisht nga fshati poshtë Lumit të Vlorës edhe shtrëngimi ekonomik, veçanërisht gjatë dimrit të vështirë 1943-1944.

E vërteta rezultoi që krerët e Ballit Kombëtar në qendër, jo vetëm nuk kishin ndër mend të luftonin kundër pushtuesve, por edhe merrnin pjesë në qeverinë kuislinge dhe arritën të kishin bashkëpunim të ngushtë me pushtuesit e huaj kundër popullit që luftonte për çlirimin e vendit. Ndonjë veprimtari të dukshme në Kallarat të larguarit nga Fronti nacionalçlirimtar nuk mundën të kryenin sepse u vetëizoluan nga shumica dërrmuese e fshatit, përveç propagandës në rrethe të ngushta fisnore e miqësore kundër Lëvizjes.

Megjithatë, gjatë operacioneve që ndërmerrnin pushtuesit kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare në Luginën e Shushicës e në Kurvelesh, ndonjë prej tyre në Kallarat nuk mungonte që t`u jepte informata pushtuesve për pjesëmarrësit e LANÇ dhe shtëpitë e tyre, madje duke u vëne edhe në krye të skuadrave operacionale për t`i çuar te shtëpitë që pushtuesit u vinin zjarrin.

Mirëpo kundërvënia ndaj Frontit Nacionalçlirimtar e atyre që kaluan në anën tjetër, nuk mbeti pa pasoja të padëshiruara si për ta edhe për fshatin. Lufta ka ligje të rrepta, që largimi apo dezertimi prej saj dënohet rëndë. Kështu që viktima të këtyre ligjeve u bënë edhe disa nga kallaratasit.

Vlen të shënohet se fillimi i LANÇ gjeti në radhët e ushtrisë dhe xhandarmërisë (karabinierisë) qeveritare tetë ushtarakë kallaratas (4 oficerë e 4 nënoficerë). Të gjithë këta mbajtën qëndrim të matur e atdhetar ndaj fshatit të tyre dhe ndaj Lëvizjes për çlirimin e vendit.

Madje ndihmuan ose kaluan në anën e Lëvizjes. Kështu bëri kapiten Izet Bushaj që braktisi detyrën ushtarake në Tiranë, erdhi në fshat dhe iu bashkua Lëvizjes, duke u bërë pjesë fillimisht e çetës territoriale të Kallaratit e pastaj e Shtabit të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Kapiten Shahin Jonuzaj, pavarësisht qëndrimit në detyrë, ndihmonte Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe veprimtarët e saj me të gjitha mundësitë që kishte. Oficeri Demir Lato (Haxhiaj), si aktivist i Ballit Kombëtar vetëm një herë erdhi në Kallarat dhe i ati, patrioti Lato Lulo (Haxhiaj), i tha prerazi se Kallarati ishte lidhur me Lëvizjen, prandaj mos u mundo ta përçash. Dhe ai u largua pa bërë asnjë takim me bashkëfshatarët dhe pa ushtruar asnjë ndikim në fshat.

Kurse kapiten Veledin Rjepaj gjatë luftës mbajti një qëndrim asnjanës, duke vazhduar detyrën si ekonomist ushtarak. Në nëntor të vitit 1944, edhe këta të tre oficerë kaluan në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku u vendosën në detyra drejtuese sipas profilit të secilit, duke vazhduar edhe disa vjet pas çlirimit në funksione ushtarake, pa pasur asnjë pasojë për qëndrimin e tyre gjatë luftës.

Ndonjë prej këtyre oficerëve që u ndëshkua nga gjykatat popullore në vitet e pasçlirimit, ndëshkimi nuk kish lidhje me qëndrimin e tyre gjatë luftës. Po kështu edhe n/oficerët Rruzhdi Lame Petanaj, Lilo (Halil) Dine Habilaj, Abaz Muslli Shakaj e Hasan Shamo Meçaj, jo vetëm e mbështetën dhe e ndihmuan Lëvizjen, por kaluan edhe në radhët e formacioneve partizane.

Betimi i popullit në Basha dhe riorganizimi i këshillit nacionalçlirimtar

Ardhja shpesh e emisarëve të ndryshëm të Ballit Kombëtar në Kallarat, sidomos deri në gjysmën e parë të vitit 1943, takimet dhe propaganda që bënin, nuk mbetën pa pasoja. Filluan aty-këtu të tërhiqnin në anën e tyre elementë të veçantë, apo t`i bënin të lëkundeshin, megjithëse fillimisht pothuajse i tërë fshati kish përqafuar Lëvizjen Nacionalçlirimtare.

Për të parandaluar përçarjen e fshatit për të forcuar bashkimin e popullit rreth Frontit nacionalçlirimtar, celula e partisë komuniste vendosi të bëhej një mbledhje me popullin për t`u betuar se do të qëndronte besnik deri në fund i rrugës që kishte nisur në krah të Frontit nacionalçlirimtar për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj.

Mbledhja u vendos të bëhej më 20 gusht 1943 tek burimi i Bashait. Aty u grumbullua pjesa më e madhe e popullit që pati mundësi të vinte. Meqenëse partia komuniste ishte në ilegalitet, mbledhja u organizua dhe u drejtua nëpërmjet këshillit nacionalçlirimtar dhe komandës së vendit. Në këtë mbledhje merrte pjesë si i deleguar i organeve drejtuese të Lëvizjes në Kurvelesh, një nga veprimtarët e njohur të Lëvizjes antifashiste në krahinë, bolenasi Bexhet Mema.

Mbledhjen e hapi sekretari i këshillit nacionalçlirimtar, patrioti Telha Zhibaj, i cili foli për rezultatet e arritura në mobilizimin e popullit të fshatit në luftën për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj dhe për punën e këshillit nacionalçlirimtar në zbatim të detyrave që shtronte situata e luftës. Ai vuri në dukje nevojën e qëndrimit të bashkuar i të gjithë fshatit rreth Frontit nacionalçlirimtar. Këshilli nacionalçlirimtar u bënte thirrje elementëve që nga ndikimi i propagandës së palës kundërshtare , ishin larguar nga Fronti nacionalçlirimtar, të riktheheshin në rrugën e luftës çlirimtare që ndiqte shumica dërrmuese e fshatit, ndërsa të lëkundurve u bëhej thirrje që të mos largoheshin nga radhët e Frontit nacionalçlirimtar që lufton për dëbimin e pushtuesve të huaj.

Në mbledhje folën edhe anëtarët e këshillit nacionalçlirimtar dhe veprimtarë e simpatizantë të LANÇ, të cilët vunë në dukje punën e bërë në dobi të çlirimit të atdheut, duke u bërë njëkohësisht thirrje elementëve të gënjyer të bashkohen me shumicën e popullit për të vazhduar luftën çlirimtare. Edhe Bexhet Mema në fjalën e tij bëri një pasqyrë të situatës dhe të sukseseve të arritura në aksionet luftarake kundër armikut, si dhe të përpjesëtimeve gjithnjë e më të mëdha që po merrte lufta për çlirimin e vendit. Theksoi nevojën e forcimit të bashkimit të të gjithë popullit në këtë luftë.

Në fund, sekretari i këshillit nacionalçlirimtar, ngarkoi komandantin e vendit, Veip Balil Memushajn, t`u jepte me radhë të gjithë të pranishmëve një monedhë metalike që ta kalonin në gojë, duke u betuar sipas zakonit tradicional, se do t`i mbetej besnik Frontit nacionalçlirimtar për të luftuar deri në çlirimin e plotë të vendit. Nuk mbeti asnjë pa e shkuar lekun në gojë.

Me këtë betim populli i Kallaratit u zotua se do vazhdonte deri në fund luftën pa kompromis kundër pushtuesve. Dhe ky betim e zotim u mbajt plotësisht nga populli i Kallaratit. Pra, betimi i popullit në Basha pati vlerë të madhe se e mbajti popullin grusht, duke frenuar përçarjen dhe largimet e mëtejshme nga Fronti nacionalçlirimtar. Betimi u zhvillua në një atmosferë të ndezur entuziaste, me brohoritje e duartrokitje.

Pas betimit, u kalua në riorganizimin dhe plotësimin e këshillit nacionalçlirimtar, për të zëvendësuar tre nga anëtarët e këshillit që ishin larguar prej tij dhe kishin kaluar në palën kundërshtare. Për ta fuqizuar këshillin, u shtuan edhe anëtarë të tjerë që të përfaqësoheshin në të të gjitha lagjet (mëhallët) e fshatit. Kështu, nga 6 anëtarë që kishte këshilli i parë, u zgjodhën 10, si më poshtë:

1. Meçan Selam Qejvanaj – kryetar;

2. Telo Duro Zhibaj –sekretar ;

3. Muço Xhevit Gjonbrataj – anëtar;

4. Sali Asllani (Breshanaj) – anëtar;

5. Feti Xhelo Tozaj – anëtar;

6. Zimo Haxhi Abazaj – anëtar;

7. Mehmet Hysen Goxhaj – anëtar;

8. Lato Lulo Haxhiaj – anëtar;

9. Veip Balil Memushaj – anëtar;

10. Maze Dushan Jonuzaj – anëtar.

Pas zgjedhjes, këshilli i ri bëri betimin para popullit se do të vazhdonte me përkushtim e besnikëri detyrat si organ pushteti administrativ e ushtarak në mbështetje të luftës deri në çlirimin e plotë të vendit. Ky këshill, me punën e tij vazhdoi të përballonte me sukses të gjitha problemet që shtronte nevoja e LANÇ dhe çlirimi i vendit, si dhe të zgjidhte problemet e mosmarrëveshjet e mundshme në gjirin e popullit. Këshilli nacionalçlirimtar i fshatit ishte i vetmi organ pushteti vendor qeverisës që banorët për çdo problem apo hall i drejtoheshin në ato kohë lufte për ndihmë e zgjidhje.

Veprimtaria e këshillit nacionalçlirimtar në Kallarat po fuqizohej e po shtrihej gjithnjë e më gjerë në drejtim të angazhimit sa më masiv e të gjithanshëm të fshatit për problemet e Luftës nacionalçlirimtare. Në vazhdim të vendimeve të tij, këshilli vendosi edhe për caktimin e një shtëpie të veçantë si bazë furnizimi ushqimor për partizanët kalimtarë.

Si e tillë u zgjodh shtëpia e Zimo Haxhi Abazajt që ishte pranë rrugës e pranë qendrës së fshatit, Qafës së Ubavit, ku ndodhej edhe zyra e këshillit nacionalçlirimtar dhe komanda e vendit. Në këtë shtëpi kallaratasit e lidhur me LANÇ çonin ndihma ushqimore si miell, fasule, djathë, gjalpë, gjizë etj. të cilat gatuheshin e mbaheshin gati për të furnizuar luftëtarët e lirisë që ishin në kalim e sipër. Këtë përgatitje e bënte vetë Zimua me ndihmën edhe të dy fëmijëve të tij të mitur, Namik e Bejaze Abazaj.

Qafa e Ubavit – qendër e veprimtarisë politiko – luftarake

Qafa e Ubavit, e ndodhur në qendër të fshatit edhe më përpara njihej si qendër për fshatin sepse vetëm aty kishte një dyqan ku mund të psonisnin fshatarët ndonjë send ushqimor apo shtëpiak. Prandaj nuk ishin të paktë ata burra, sidomos ata që nuk kishin shumë larg shtëpitë, që vinin aty për të pirë te ky dyqan ndonjë kafe apo raki, apo për të bërë ndonjë lojë me letra e zare dhe për të kaluar kohën me biseda brenda dyqanit apo përjashta në troqicë.

Por me fillimin e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare Qafa e Ubavit u gjallërua shumë, ajo u shndërrua në një qendër e të gjitha veprimtarive politiko-luftarake që zhvilloheshin në Kallarat. Në Qafë të Ubavit morën kontaktin e parë veprimtarët e Lëvizjes antifashiste të Kurveleshit me disa nga burrat atdhetarë të Kallaratit për të biseduar mbi problemet e Lëvizjes, për krijimin e këshillit nacionalçlirimtar dhe për ngritjen e popullit në luftë për çlirimin e vendit.

Qafa e Ubavit do të bëhej pastaj qendra e veprimtarisë së këshillit nacionalçlirimtar dhe e komandës së vendit. Si zyra për këshillin dhe komandën e vendit vëllezërit Telo e Beqir Zhibaj lëshuan njërën nga dhomat e dyqanit të tyre që kishin në Qafë të Ubavit. Pranë Qafës së Ubavit u krijua organizata antifashiste e rinisë dhe e grave, si dhe çeta territoriale e Fshatit. Qafa e Ubavit gjatë gjithë luftës shërbeu si vendgrumbullim dhe nisjeje e çetës territoriale për në aksione e misione luftarake dhe e përcjelljes së luftëtarëve kallaratas për në çetat partizane.

Sa herë që jepej kushtrimi me 3 apo 5 pushkë e një bombë nga Bregu i Petane, pjesëtarët e çetës territoriale dhe populli linte çdo punë dhe nisej me nxitim drejt Qafës së Ubavit. Aty drejtuesit e komandës së vendit e të këshillit sqaronin gjendjen dhe vinin detyrat përkatëse sipas situatave të krijuara, ndërsa çetës territoriale i jepej detyra luftarake dhe drejtimi për ku duhej të nisej.

Qafa e Ubavit ishte vendi i shumë mbledhjeve të rëndësishme me popullin për probleme të lidhura me mbështetjen sa më të fuqishme të LANÇ apo përballimin e operacioneve të armikut e të situatave të tjera. Në afërsi të Qafës, pranë përroit të Ubavit shpesh herë bëheshin mbledhje të organizarave politike.

Qafa e Ubavit ishte qendra e pritjes dhe e shpërndarjes nëpër familje të fshatit për ushqim e fjetje të partizanëve të formacioneve të Ushtrisë nacionalçlirimtare që vinin në Kallarat. Po aty priteshin e përcilleshin funksionarët e lartë të Lëvizjes për Qarkun e Gjirokastrës e Kurveleshin si Bedri Spahiu, Haki Toska e drejtues të tjerë të Qarkorit të Gjirokastrës, si dhe Mustafa Matohiti, Memo Meto, Bexhet Mema e drejtues të tjerë të komitetit krahinor të Kurveleshit.

Me një fjalë, Qafa e Ubavit gumëzhinte nga veprimtaritë e ndryshme gjatë gjithë luftës. Ajo kishte një gjallëri të paparë të përditshme. Aty mbërrinin çast pas çasti telefonata, korrierë apo letra për komandën e vendit dhe këshillin e fshatit me lajme, udhëzime e detyra nga forumet drejtuese më të larta të LANÇ në krahinë, si dhe nga fshatrat fqinjë.

Ndërsa gjatë muajve të verës, për shumë mbledhje e veprimtari politikoshoqërore e të tjera shërbente Morrëza me hijen e rrepeve shekullorë dhe me burimet e ujit të ftohtë. Edhe Morreza gjatë kësaj periudhe gumëzhinte nga gjallëria e madhe e mbledhjeve të organizatave të rinisë, të gruas, të frontit etj.

Çeta territoriale “Mumin Selami” në veprime e misione luftarake

Pas krijimit të saj, çeta territoriale “Mumin Selami” e Kallaratit nisi pjesëmarrjen aktive në veprime e misione luftarake të ndryshme brenda Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër. Këto veprime ajo i kryente në bashkëveprim me çetat territoriale të fshatrave të tjera të Kurveleshir të Poshtëm, si të Kuçit, Bolenës etj, por edhe me forca të rregullta partizane.

Kështu, në bashkëveprim me çetat e tjera të krahinës së Kurveleshit, nën komandën e Mustafa Matohitit, çeta territoriale “Mumin Selami” e Kallaratit mori pjesë në rrethimin dhe çlirimin e n/prefekturës së Kurveleshit më 28 nëntor 1942 në Gusmar nga forcat dhe administrata fashiste.

Me këtë aksion luftarak të rëndësishëm, u likuidua dhe u shporr administrata e pushtuesve nga n/prefektura e Gusmarit, duke u vendosur aty pushteti i popullit dhe Kurveleshi u bë zonë e çliruar. Aty nuk mundi më të rikthehej administrata fashiste. Kjo përbënte një fitore të madhe për krahinën, qarkun dhe luftën çlirimtare në tërësi. Ajo fitore gëzoi e ngriti peshë zemrat e popullsisë së krahinës, duke shtuar besimin e saj në fitoren përfundimtare të çlirimit të vendit nga pushtuesit e huaj.

Me urdhër të Jakomonit, mëkëmbësit mbretëror italian, të kryeministrit kuisling Mustafa Kruja dhe prefektit të Gjirokastrës, tradhtarit Tahir Kolgjini, u ndërmor një operacion ndëshkimor ushtarak në shkallë të gjerë me rreth 5000 trupa të shoqëruara me avionë bombardues kundër krahinës së Kurveleshit, me qëllim shpartallimin e çetave partizane, çarmatosjen e popullsisë dhe rivendosjen e pushtetit fashist.

Forcat e këtij operacioni u pritën me luftime të ashpra nga çetat partizane dhe populli i krahinës, por falë epërsisë së madhe numerike të tyre dhe armatimeve e mjeteve, ato arritën të pushtonin fshatrat e Kurveleshit të Sipërm dhe të hakmerreshin, duke bërë reprezalje e djegie shtëpish. Për të mos rënë në dorë të armikut, populli i kësaj krahine u tërhoq drejt pyjeve e maleve dhe së bashku me partizanët, zuri pozicione luftimi, duke mos i lënë të qetë forcat e operacionit armik, me sulme të befasishme në krahë e në shpinë të tyre gjatë gjithën kohëzgjatjes së operacionit.

Për të mos i lënë forcat armike të hynin në Kurvelesh të Poshtëm, partizanët dhe populli i armatosur, nën drejtimin e kuçiotit Memo Meto, zunë të gjitha shtigjet, siç ishin grykat e qafat e Kuçit etj. Kallaratasit me një pjesë të çetës territoriale “Mumin Selami, bashkë me kuçiotë e kurveleshas të tjerë, u vendosën në Qafë të Gomarthit, ndërsa me një pjesë tjetër të çetës së tyre, kallaratasit me të tjerë mbuluan drejtimin e Qafës së Shkallës-Pilur-Himarë.

Megjithatë, në sajë të qëndresës së popullit e të partizanëve, armiku me operacionin e tij nuk mundi ta realizonte objektivin për të rivendosur pushtetin e tij në Kurvelesh.

Në luftën e Gjormit.

Pas operacionit të dështuar ushtarak ndëshkimor të dhjetorit 1942, të ndërmarrë nga pushtuesit italianë dhe autoritet kuislinge në krahinën e Kurveleshit e në Qarkun e Gjirokastrës, një operacion tjetër u ndërmor prej tyre, kësaj radhe në Qarkun e Vlorës, në drejtim të luginës së lumit Shushicë. Kështu, me urdhër të mëkëmbësit italian të Perandorit Viktore Manueli dhe të kryeministrit kukull Mustafa Kruja nr. 61/1, datë 17.12.1942, nisi një operacion i madh kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare, e cila kishte marrë përpjesëtime të gjëra në gjithë Qarkun.

Çeta partizane “Plakë” e Vlorës, njësitet guerile në qytetin e Vlorës dhe njësitet e armatosura e çetat territoriale të fshatrave të qarkut, me aksionet e tyre që po bëheshin gjithnjë e më të shpeshta kundër pushtuesve, kishin krijuar një gjendje shqetësuese për pushtuesit. Prandaj, ata mobilizuan forca të shumta ushtarake, të pajisura me armatim bashkëkohor, duke angazhuar edhe rreth 1500 mercenarë të tradhtarëve Halil Alia e Selim Kaloshi dhe nisën operacionin.

Këto forca, me mbërritjen në qytetin e Vlorës, e nisën goditjen me arrestime të veprimtarëve të Lëvizjes, tortura e plaçkitje. Në këto rrethana, udhëheqja e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare në Qarkun e Vlorës iu drejtua popullit me një thirrje të veçantë që të bashkohej, të shtrëngonte radhët e të përgatitej për të përballuar ditë të vështira.

Pas luftimeve të zhvilluara në afërsi të fshatit Tragjas me çetën partizane “Plakë” e popullin e armatosur, ku forcat e pushtuesit fashist dhe mercenarët bënë arrestime, plaçkitje e djegie shtëpish, më 30 dhjetor 1942 nën komandën e konsullit italian, kolonel Klementis, 1500 mercenarët morën drejtimin Tragjas-mali i Gjormit- Gjorm.

Në mëngjesin e 31 dhjetorit, një kolonë ushtarake italiane prej 1000 vetësh, e shoqëruar me automjete të blinduara e artileri, u nis nga Vlora në drejtimin Drashovicë-Gjorm-Brataj me qëllim që këto forca nga poshtë dhe ato që vinin nga mali i Gjormit nga lart, të rrethonin forcat partizane të zonës dhe t’i asgjësonin. Por forcat e operacionit dështuan, sepse në Gjorm u gjendën përballë një qëndrese të vendosur të popullit të armatosur e trim të krahinës së Mesaplikut, Kudhes-Sevasterit, të Kurveleshit, deri edhe të Mallakastrës etj.

Në Kallarat, me t’u dhënë kushtrimi 5 pushkë e një bombë nga Bregu i Petane në mëngjesin e 31 dhjetorit, se cili pjesëtar i çetës la çdo punë, ngjeshi armët dhe rendi me nxitim drejt Qafës së Ubavit. Pas grumbullimit aty i të gjithë luftëtarëve, sqarimit të situatës e të detyrës dhe organizimit, rreth mesditës çeta, bashkë me çetën territoriale që mbërriti aty nga Kuçi me komandant Sejfudin Meçen e komisar Ali Lalajn, u nisën për në Brataj-Gjorm,

Në krye të çetës së Kallaratit printe shtabi i saj me komandant Veip Balilin (Memushaj), komisarin politik Adil Petanajn, nënkomandant Ormën Boro (Ribaj) dhe ekonomat Maze Dushan Jonuzaj.

Ndër kallaratasit pjesëtarë të çetës që u nisën për në Gjorm ishin:

1. Bajram Toçaj,

2. Nebo Qejvanaj,

3. Murat Alushi (Jonuzaj),

4. Jazo Hysaj,

5. Ferik Strataj,

6. Velo Hysaj,

7. Tahir Gjonbrataj,

8. Hyso Begaj,

9. Mehmet Zhibaj,

10. Sihat Tozaj,

11. Selam Qejvanaj,

12. Fuat Petanaj,

13. Xhemil Tozaj,

14. Tafil Boro Ribaj),

15. Kapo Habilaj,

16. Memush Balili,

17. Rrapo Breshanaj,

18. Dulla Qejvanaj,

19. Mëno Demiraj,

20. Xhebro Golloshaj,

21. Ago Hitaj (Qejvanaj),

22. Izet Dauti,

23. Nelo Golloshaj,

24. Ferik Golloshaj,

25. Ferik Tozaj,

26. Manxhar Mezini,

27. Shaban Dauti,

28. Ziflo Alushi (Jonuzaj),

29. Shaqo Nuro (Hysaj),

30. Çelo Karabollaj,

31. Raniz Hoxhaj,

32. Durmish Qejvanaj,

33. Ali Ribaj,

34. Reiz Breshanaj,

35. Veip Azemi,

36. Skëndo Azemi,

37. Nurçe Hoxhaj,

38. Besho Hitaj,

39. Besim Kasëmi,

40. Ali Memushaj,

41. Sejdi Begaj,

42. Haxhi Ilazi,

43. Sali Asllani,

44. Hadër Bejko,

45. Dalan Memushaj,

46. Shuko Karabollaj, etj.


Aty nga ora 16, në Bramyshnjë të Tërbaçit, kur po binte një rrebesh shiu me tufan, u del përpara një kalimtar i panjohur dhe u thotë se fashistët u kthyen në Vlorë, prandaj kthehuni se do lodheni kot. Duke mos i besuar këtij personi, që në fakt ishte agjent i fashistëve, çetat vazhduan rrugën, duke u strehuar përkohësisht nga shiu aty-këtu, nëpër shtëpi të pakta që gjendeshin afër udhës.

Me mbërritjen në Brataj, çetat e Kuçit dhe e Kallaratit u informuan se një kolonë ushtarake e shoqëruar me autoblinda, tanke e artileri po lëvizte përgjatë luginës së Shushicës në drejtim të Gjormit e Lepenicës. Çetat vazhduan lëvizjen drejt Lepenicës. Ndërkohë focat armike kishin arritur të zinin pozicione luftimi te përroi i Ksirolakut. Aty, rreth orës 18, çeta “Mumin Selami” e Kallaratit dhe ajo e Kuçit nisën një luftim shumë të ashpër me armikun. Vendi u kthye në tym e flakë, errësira e natës që po binte çahej nga predhat gjurmëlënëse të armëve të armikut.

Me gjithë epërsinë e madhe në njerëz e armatim të forcave armike, çetat nuk e ndalën sulmin mbi pozicionet e tyre, derisa pas rreth një ore e gjysmë luftimesh, luftëtarët popullorë i pushtuan pozicionet e armikut. Fashistët, për t’i shpëtuar rrethimit gjatë natës, u detyruan të tërhiqeshin, por çetat e Labërisë trime u vunë në ndjekje për t’i mbajtur nën presion e goditje të vazhdueshme.

Gjatë natës duke u gdhirë 31 janari i 1943-shit, çeta e Kallaratit, në bashkëpunim të ngushtë me çetën e Kuçit dhe më pas me çetat e fshatrave të tjerë, u angazhuan në luftime të ashpra me forcat fashiste italiane dhe mercenarët e Halil Alisë. Këta i kthyen shtëpitë e Gjormit në pozicione luftimi për t’u mbrojtur nga luftëtarët e lirisë. Luftimet vazhduan gjithë ditën, ku mbetën shumë armiq të vrarë e të plagosur. Në radhët e agresorëve filloi shthurja e paniku. Armikut po i ngushtohej unaza e rrethimit.

Për të ngritur moralin e forcave të tij, armiku vuri në veprim, përveç topave, mortajave e tankeve edhe aviacionin luftarak, i cili bombardoi e mitralonte pa pushim pozicionet e çetave. Njëkohësisht avionët hidhnin edhe fletushka për të demoralizuar qëndrestarët. Luftimet vazhduan me ashpërsi të madhe edhe më 2 janar 1943.

Dhe si gjithë luftëtarët e tjerë trima të Labërisë, edhe kallaratasit, me sulmet e kundërsulmet e tyre kundër pushtuesve fashistë e mercenarëve të tyre, u dalluan për vendosmëri, guxim e trimëri të rrallë. Në përleshje me ta, u plagos trimi i shquar kallaratas, Ormën Boro Ribaj. Me gjithë plagën e marrë, ai nuk u tërhoq nga luftimet, por me trup të përgjakur vazhdoi sulmet mbi kundërshtarin. Në këto luftime fashistët italianë e mercenarët e Halil Alisë dhe të Selim Kaloshit lanë mbi 80 të vrarë e shumë të plagosur. Ndër të vrarët ishte edhe vetë komandanti i operacionit, kolonel Klementis.

Më 2 janar armiku solli përforcime të mëdha për të çarë rrethimin, në mënyrë që të shpëtonte forcat e rrethuara nga asgjësimi i plotë. Megjithatë, ai nuk i shpëtoi dot shpartallimit, derisa u detyrua të tërhiqej në panik në drejtim të Vlorës. Ndërsa çeta territoriale “Mumin Selami” e Kallaratit, sikurse të gjitha çetat e tjera të krahinës, u kthye fitimtare dhe krenare në fshat, pa asnjë humbje njerëzish.

Përfundimi me sukses i luftës së Gjormit, duke i shpartalluar forcat e atij operacioni ushtarak fashist, e ngriti lart moralin e popullit, jo vetëm në qarkun e Vlorës, por në mbarë vendin, duke shtuar besimin në fitoren për çlirimin e atdheut nga pushtuesi i huaj.

Përballimi i operacionit fashist italian në Kurvelesh, prill 1943.

Zgjerimi i Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare në Kurvelesh që u kurorëzua me shkatërrimin e pushtetit fashist të komunës së Kuçit dhe më 28 nëntor 1942 edhe të nënprefekturës së Gusmarit (Kurveleshit), pjesëmarrja masive edhe e fshatrave të Kurveleshit të Poshtëm Kuç, Kallarat, Bolenë etj. në luftën e Gjormit, si dhe veprimtaria politiko – luftarake e çetave “Haredin Tremishti” e “Avni Rustemi” në një zonë të gjerë që përfshinte Kurveleshin, Tepelenën, Dropullin, Bregdetin e Sipërm, Vurgun, Rrëzomën e Konispolin, duke dhënë goditje të pandërprera, si kundër garnizonit të Borshit më 27 janar 1943, në Zhubden më 9 shkurt 1943 etj. ku merrnin pjesë edhe luftëtarët kallaratas efektivë të këtyre çetave.

E tërë kjo veprimtari antifashiste e popullit dhe e çetave të Kurveleshit përbënte një rrezik të madh për pushtuesit dhe qeverinë kuislinge në Tiranë dhe autoritetet e pushtetit në qarqet e Gjirokastrës e të Vlorës.

Prandaj, për të paralizuar luftën e popullit të Kurveleshit, fashistët italianë dhe bashkëpunëtorët e tyre, në prill të vitit 1943 ndërmorën një operacion spastrimi me pjesëmarrjen e mbi 10 mijë ushtarëve të divizionit “Parma”. Pushtuesit donin të shpartallonin me çdo kusht bazën e fuqishme partizane të Kurveleshit, të asgjësonin forcat partizane, të rrëzonin këshillat nacionalçlirimtare, të ringrihnin pushtetin e tyre fashist dhe të mbillnin frikë e panik në popull.

Operacioni qe i befasishëm, por drejtuesit dhe organizmat e Lëvizjes morën masa të shpejta për ta përballuar atë, duke ngritur e organizuar popullin në luftë pa vonesë. Kallaratasit, të inkuadruar në çetën territoriale “Mumin Selami”, shkuan me shpejtësi dhe zunë pozicione luftimi në Qafë të Dërrasës që ishte drejtimi nga lëviznin forcat kryesore të armikut për të hyrë në Kuç, i cili ishte bazë kryesore e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në krahinë.

Kolonat e ushtrisë italiane, të shoqëruara nga aviacioni u futën nga të gjitha drejtimet për të djegur e shkatërruar fshatrat e Kurveleshit. Epërsia në njerëz e mjete luftarake dhe befasia e operacionit, duke pasur edhe mbështetjen e bashkëpunëtorëve të tyre, nga njëra anë dhe zënia e popullit në befasi, të papërgatitur për qëndresë me armë, bënë që armiku të futej në krahinë pa ndonjë pengesë të rëndësishme. I vetmi luftim që u zhvillua me forcat fashiste, ishte ai Rrëzës së Vake ndërmjet fshatrave Çorraj e Borsh, ku një pjesë e çetës “Hajredin Tremishti” mundi të asgjësonte pothuajse krejt pararojën e trupave armike që po marshonin në atë drejtim.

Populli i Kallaratit, i lidhur ngushtë me Lëvizjen, duke parë rrezikun që po i kanosej nga ky operacion, për të shpëtuar jetën, la shtëpitë dhe u ngjit maleve të Bogonicës etj, për t`u strehuar nëpër shpella. Gjatë operacionit, ushtria italiane e përshkoi territorin e fshatit tonë me dy kolona të mëdha trupash. Kolona kryesore, pasi dogji fshatin Kuç, nisi marshimin Kuç-Kallarat-Brataj. Kolona tjetër lëvizi në drejtimin Qafë Shkallë-Fshati i Djegur i Kallaratit-Vranisht. Po edhe një kolonë e tretë ndoqi drejtimin Kuç-Bolenë-Mesaplik.

Në Kallarat italianët dogjën vetëm 3-4 shtëpi që hasën gjatë rrugës së lëvizjes së tyre, ngaqë në atë kohë shtëpitë e fshatit ishin të shpërndara larg njëra tjetrës e rrugës kryesore të lëvizjes. Ata në Kallarat kapën e arrestuan sekretarin e këshillit nacionalçlirimtar, Telha Zhibaj, i cili mundi t`iu ikte në Brataj dhe të kthehej në fshat për të vazhduar detyrën në krye të këshillit nacionalçlirimtar.

Ndërsa në Horë një vajzë e re kallaratase, Belere Maliq Boshaj, e cila, pas vdekjes së të atit në Povël të Kallaratit, jetonte me të ëmën e rimartuar në Llojaj të Vranishtit. Ajo ishte e aktivizuar në grupet e rinisë antifashiste në Vlorë, ku punonte si shërbëtore te një mjek. Rastisi që në ditët e këtij operacioni fashist ajo kishte ardhur për të parë nënën dhe familjarët e tjerë. Një oficerit fashist të forcave italiane që po lëviznin në drejtim të Vlorës, i ra në sy vajza e bukur, iu afrua pranë kasolles dhe e kapi për ta përdhunuar, por Belerja, jo vetëm për të ruajtur nderin e saj, po edhe si një e re antifashiste që i urrente pushtuesit, i shpëtoi nga duart dhe aty pranë rrëmbeu një sëpatë dhe i çau kokën oficerit, duke e shtrirë të vdekur përtokë. Ndërsa ushtari që shoqëronte oficerin shkrepi armën dhe e vrau Beleren. Për shkaqe burokratike asaj deri sot nuk i është dhënë nga organet vendimmarrëse shtetërore titulli dëshmore që e meriton plotësisht.

E tillë ishte përballja e Kallaratit dhe e krahinës me këtë operacion, me të cilin forcat fashiste, përveç djegies e shkatërrimit të shtëpive dhe ndonjë vrasjeje si rasti i Belere Boshajt, nuk e arritën objektivin kryesor që ishte shpartallimi i forcave kryengritëse. Këtë e pranon edhe komandanti i operacionit në raportimin që i bënte komandës eprore: “Forcat kryengritëse, të favorizuara nga terreni, kanë mundur t`i shpëtojnë rrethimit” (Comando supreme FFAA Albania Notiziario urensile, mese di aprile 1943, AQSH).

Çeta territoriale e Kallaratit në Kurvelesh të Sipërm

Pas kryerjes me sukses të një misioni për sigurimin e përfaqësuesve të Frontit Nacionalçlirimtar në bisedime me krerë të Ballit Kombëtar te përroi i Kserolakut, midis Bratajt e Lepenicës, çeta territoriale “Mumin Selami” e Kallaratit, tashmë në përbërje të batalionit territorial “Ismail Haki” të Kurveleshit të Poshtëm, ditët e fundit të muajit qershor të 1943-shit ajo u nis për në Kurvelesh të Sipërm për të marrë pjesë në luftimet që zhvilloheshin në zonën e Vasjarit të Tepelenës kundër pushtuesve italianë. Në ndihmë të këtyre forcave ishte nisur edhe çeta partizane “Haredin Tremishti”.

Pas mbërritjes në Salari, lëvizja e mëtejshme e forcave partizane dhe territoriale u ndërpre nga që forcat fashiste ishin informuar për lëvizjen e këtyre forcave dhe kishin bllokuar rrugën automobilistike Vlorë-Tepelenë. Në pamundësi për të lëvizur më tej, çeta e Kallaratit, së bashku me çetat e tjera territoriale të Kurveleshit të Poshtëm u kthyen në fshatrat e tyre.

Ndërsa çeta partizane “Haredin Tremishti”, në të cilën bënin pjesë shumë kallaratas, mundi të çante përmes forcave fashiste dhe të kalonte Vjosën, duke dalë në Vasjar e në Damës dhe në mbrëmjen e datës 1 korrik 1943 u nis në ndihmë të çetave partizane “Musa Fratari” e “Koto Hoxhi” të angazhuara në luftime me fashistët italianë në Grykën e Mezhgoranit. Në mëngjesin e 2 korrikut çeta “Haredin Tremishti”, me në krye komisarin Asim Zenelin, u hodh në sulm të rrufeshëm mbi armikun, duke e shpartalluar atë e duke vrarë e plagosur rreth 120 pushtues, ndërsa të tjerë, për të shpëtuar u hodhën në Vjosë e u mbytën dhe një pjesë u dorëzua tek partizanët. Në përleshje trup me trup me ta mbeti i vrarë komisar Asim Zeneli.

Në këtë ndeshje të përgjakshme me fashistët italianë të armatosur deri në dhëmbë me armë e mjete teknike bashkëkohore, duke u shoqëruar edhe me tanke, makina të blinduara e avionë luftarakë, u dalluan për guxim e trimëri partizanët kallaratas:

1. Avdul Demiraj,

2. Nuredin Breshanaj,

3. Ilmi Boshaj,

4. Mehmet Karabollaj,

5. Sinan Petanaj,

6. Selam Qejvanaj,

7. Hamit Qejvanaj,

8. Çune Qejvanaj,

9. Dalan Memushaj,

10. Sihat Tozaj,

11. Sherif Gjonaj,

12. Vesel Hoxhaj etj, ashtu sikurse edhe bashkëluftëtarët

e tyre kuçiotë, bolenas dhe kurveleshasit e tjerë, pjesëtarë

të çetës “Haredin Tremishti”, duke e kthyer Mezhgoranin në

legjendë.


Në Qafë të Kreshpës e në Vaun e Dafinës.

Më 13 gusht 1943 çeta territoriale “Mumin Selami” e Kallaratit, me urdhër të komandës së shtabit të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, u nis në drejtim të Kurveleshit të Sipërm për të mbërritur në Qafë të Kreshpës me detyrë për t`u ardhur në ndihmë luftëtarëve të lirisë që kërcënoheshin të goditeshin nga forcat bashkëpunëtore të pushtuesve italianë dhe për të zënë pozicione në atë qafë për t`u ndeshur me forcat italiane të pushtimit që orvateshin të hynin në Kurveleshin e Sipërm nga drejtimi i Salarisë.

Në Grykë të Shurit luftëtarët e Kallaratit u bashkuan me forcat vullnetare të Kuçit e të fshatrave të tjera të Kurveleshit të Poshtëm dhe nën komandën e Memo Metos dolën në Kurvelesh të Sipërm. Pasi paralizuan veprimet e bashkëpunëtorëve të pushtuesve aty, i vajtën në ndihmë çetës partizane të Bregut që kërcënohej nga sulmi i armiqve.

Bashkëpunëtorët e pushtuesve italianë, me të marrë vesh mbërritjen aty të forcave të shumta vullnetare, u detyruan të hiqnin dorë nga sulmi dhe u tërhoqën me shpejtësi, duke u shpërndarë fshehurazi.

Pas përfundimit të këtij misioni në Qafë të Kreshpës, Memo Meto mori një urdhër tjetër që me disa nga forcat vullnetare që kish nën komandë të shkonte në Rrëzomë të Delvinës për të përfaqësuar Frontin Nacionalçlirimtar në një mbledhje të organizuar nga krerët e reaksionit me popullin e zonës.

Për kryerjen e këtij misioni, Memo Meto midis forcave që do merrte, zgjodhi edhe çetën “Mumin Selami” të Kallaratit. Luftëtarët kallaratas, bashkë me të tjerët, në muzgun e mbrëmjes së 16 gushtit 1943 u nisën duke lënë pas njërin pas tjetrit fshatrat Nivicë, Rexhin, Gusmar, malin e Golemit, Kaparjelin, Zhulatin, Fushëbardhën, Qafën e Skërficës dhe paraditën e datës 17 gusht mbërritën në Vaun e Dafinës, midis Rrëzomës e Bregdetit të Sipërm, ku zhvillohej mbledhja.

Për të parandaluar ndonjë grackë të mundshme, luftëtarët e çetave territoriale zunë vende të përshtatshme dhe qëndronin në gatishmëri për të kundërvepruar nëse do paraqitej nevoja. Ndërsa Memo Meto me shokë të tjerë u bënë pjesë e mbledhjes, ku oratorët reaksionarë mbanin fjalime për t`i mbushur mendjen popullit të largohej nga rruga e luftës çlirimtare. Në fjalën e tij Memo Meto, si përfaqësues i Frontit Nacionalçlirimtar, e hodhi poshtë demagogjinë sabotuese të kundërshtarëve dhe i shpjegoi popullit se përse e vetmja rrugë e çlirimit të atdheut ishte lufta pa kompromis.

Këshu që nga debatet e zhvilluara populli u sqarua, ndërsa organizatorët e mbledhjes dështuan në realizimin e qëllimeve të tyre. Madje edhe xhandarët që shoqëronin krerët e reaksionit kaluan në anën e Frontit Nacionalçlirimtar.

Edhe këtë mision çeta territoriale “Mumin Selami” e përmbushi me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe u kthye krenare në fshat në pritje të detyrave dhe aksioneve të tjera. Vlen të theksohet se çeta territoriale “Mumin Selami” e Kallaratit ishte një çetë kompakte, e gatshme në çdo situatë për të kryer veprime luftarake apo çdo mision që do t`i ngarkohej kudo që do ta lypte nevoja e luftës.

Çeta “Mumin Selami” në aksione të tjera kundër pushtuesit fashist.

Pas kryerjes me sukses të misionit për sigurimin e përfaqësuesve të Frontit Nacionalçlirimtar në bisedimet me krerë të Ballit Kombëtar te përroi i Kserolakut, çeta territoriale “Mumin Selami” e Kallaratit, tashmë në përbërje të batalionit territorial “Ismail Haki” të Kurveleshit të Poshtëm të formuar në muajin prill pas operacionit të fashistëve italianë në Kurvelesh, ditët e fundit të muajit qershor të 1943-shit ajo (çeta) u nis për në Kurvelesh të Sipërm për të marrë pjesë në luftimet që zhvilloheshin në zonën e Vasjarit të Tepelenës kundër pushtuesve italianë. Në ndihmë të këtyre forcave ishte nisur edhe çeta partizane “Haredin Tremishti”.

Pas mbërritjes në Salari, lëvizja e mëtejshme e forcave partizane dhe territoriale u ndërpre nga që forcat fashiste ishin informuar për lëvizjen e këtyre forcave dhe kishin bllokuar rrugën automobilistike Vlorë-Tepelenë. Në pamundësi për të lëvizur më tej, çeta e Kallaratit, së bashku me çetat e tjera territoriale të Kurveleshit të Poshtëm u kthyen në fshatrat e tyre.

Ndërsa çeta partizane “Haredin Tremishti”, në të cilën bënin pjesë shumë kallaratas, mundi të çante përmes forcave fashiste dhe të kalonte Vjosën, duke dalë në Vasjar e Damës dhe në mbrëmjen e datës 1 korrik 1943 u nis në ndihmë të çetave partizane “Musa Fratari” e “Koto Hoxhi” të angazhuara në luftime me fashistët italianë në Grykën e Mezhgoranit. Në mëngjesin e 2 korrikut çeta “Haredin Tremishti”, me në krye komisarin Asim Zenelin, u hodh në sulm të rrufeshëm mbi armikun, duke e shpartalluar atë e duke vrarë e plagosur rreth 120 pushtues, ndërsa disa të tjerë, për të shpëtuar u hodhën në Vjosë e u mbytën dhe një pjesë u dorëzua tek partizanët. Në përleshje trup me trup me ta mbeti i vrarë komisar Asim Zeneli.

Në këtë ndeshje të përgjakshme me fashistët italianë, u dalluan për guxim e trimëri partizanët kallaratas:

1. Avdul Demiraj,

2. Nuredin Breshanaj,

3. Ilmi Boshaj,

4. Mehmet Karabollaj,

5. Sinan Petanaj,

6. Selam Qejvanaj,

7. Hamit Qejvanaj,

8. Çune Qejvanaj,

9. Dalan Memushaj,

10. Sihat Tozaj,

11. Sherif Gjonaj,

12. Vesel Hoxhaj etj.


Djemtë e Kallaratit në çetat e para partizane dhe Brigadat Sulmuese

Krahas pjesëmarrjes në çetën territoriale, ishin të shumtë të rinjtë kallaratas që nisën të rreshtoheshin që në çetat e para partizane të Kurveleshit dhe në vazhdim në batalionet, grupet e brigadat partizane që krijoheshin kohë pas kohe në Qarkun e Gjirokastrës e të Vlorës dhe më gjerë.

Në radhët e këtyre formacioneve partizanët kallaratas luftuan me guxim e trimëri, duke merituar edhe caktimin në detyra drejtuese komanduese e politike të shkallëve të ndryshme.

Kështu, me krijimin e Çetës së Parë partizane të Kurveleshit dhe e para në qarkun e Gjirokastrës, më 1 prill 1942 në Lajthizë të Gusmarit, merrnin pjesë në të edhe kallaratasitl

1. Adil Petanaj,

2. Fein Çelo,

3. Sulo Beqiri.

Por këta të dy të fundit, më vonë, u larguan nga formacionet partizane, duke kaluar në radhët e Ballit Kombëtar.

Çeta e Kurveleshit, me komandant luftëtarin e njohur Bexhet Mema e komisar Mustafa Matohitin, u hodh menjëherë në veprime aktive propagandistike e luftarake në krahinë e më gjerë për të përhapur në popull programin e Frontit nacionalçlirimtar të luftës për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj.

Kurse në çetën partizane “Haredin Tremishti”, të krijuar në Kuç në dhjetor 1942, me partizanë kryesisht nga fshatrat e Kurveleshit të Poshtëm, që nga fillimi e deri në formimin e batalionit partizan “Asim Zeneli”, u rreshtuan kallaratasit:

1. Ilmi Boshaj,

2. Mehmet Karabollaj,

3. Nuredin Breshanaj,

4. Avdul Demiraj,

5. Hasan Qejvanaj,

6. Dalan Memushaj,

7. Sinan Tozaj,

8. Hamit Qejvanaj,

9. Sinan Petanaj,

10. Selam Qejvanaj,

11. Sherif Gjonaj,

12. Çune Qejvanaj,

13. Fuat Goxhaj,

14. Ahmet Karabollaj,

15. Numan Goxhaj,

16. Mato Hoxhaj,

17. Hamza Qejvanaj,

18. Esat Breshanaj,

19. Arif Breshanaj,

20. Tare Gjonaj,

21. Nelo Hysaj,

22. Alim Laçaj etj.


Në këtë çetë kaloi për ca kohë edhe Fein Çelo para se të largohej përfundimisht nga radhët partizane. Pjesëtar i kësaj çete qe për ca kohë edhe Adil Petanaj. Në disa raste, në të kanë marrë pjesë edhe Hyso Begaj, Sihat Tozaj e Vesel Hoxhaj, ku janë angazhuar në aksione të ndryshme që ka kryer çeta “Haredin Tremishti” kundër pushtuesve.

Çeta “Haredin Tremishti”, e drejtuar nga shtabi i saj i përbërë nga luftëtarët e shquar Kadri Aliu, Mitro Xhani, Veledin Zeneli dhe Xheladin Beqiri, përshkoi jo vetëm fshatrat e Kurveleshit, po;r kaloi edhe në Bregdet, Rrëzomë të Delvinës, Vurg, Konispol, Dropull, Tepelenë, Zagori etj. Kudo që kaloi, ashtu si edhe Çeta e Parë e Kurveleshit, përcolli në masat e gjëra të popullit platformën e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, duke propaganduar luftën që po bëhej për çlirimin e vendit.

Në shumë fshatra ndihmoi në krijimin e këshillave nacionalçlirimtare. Me aksionet e luftimet që zhvillonte kjo çetë kundër pushtuesve ngrinte lart moralin dhe besimin e popullit në fitore. Në këto veprimtari të kësaj çete kanë meritën e tyre edhe luftëtarët kallaratas si pjesë e saj.

Adil Petanaj më pas u kthye në fshat për t`u marrë me veprimtari politiko – agjitative në mbështetje të luftës çlirimtare. Kurse Hasan Qejvanaj kaloi në çetën partizane “Halim Xhelo” e pastaj në Brigadën e 5-të Sulmuese të Qarkut të Vlorës, ndërsa Esat Breshanaj kaloi në çetën e Rinisë po të Qarkut të Vlorës.

Në çetën partizane “Halim Xhelo” kanë marrë pjesë edhe vëllezërit kallaratas me banim në Hysoverdh:

1. Hamdi Shaipi

2. Nexhip Shaipi

3. Zyber Shaipi (Elezaj).

Ndërsa në çetën partizane të Gorë-Oparit në Qarkun e Korçës u rreshtua kallaratasi
1. Lilo Habilaj,

Në çetën partizane të Dumresë të Qarkut të Elbasanit bënte pjesë kallaratasil
1. Abdurraman Zhibaj

Në formacionet partizane të krahinës së Pezës në Qarkun e Tiranës ka marrë pjesë:
Rruzhdi Petanaj, nga ku pastaj erdhi në Kallarat dhe iu bashkua çetës territoriale “Mumin Selami” e pastaj u rreshtua në Brigadën e 8 Sulmuese.

Numri i kallaratasve pjesëmarrës në formacionet partizane gjatë viteve 1943-1944 shtohej vazhdimisht, sepse edhe lufta çlirimtare po merrte përpjesëtime gjithnjë e më të mëdha dhe krijimi i formacioneve të reja partizane ishte i pandalshëm, krijoheshin çeta të reja, pastaj batalione, grupe e brigada njëra pas tjetrës, radhët e të cilave mbusheshin edhe me kallaratas që vinin nga çetat e para partizane dhe nga çeta territoriale e fshatit që ishte një burim i pashtershëm për formacionet e rregullta partizane.

Më 15 gusht 1943 në Vithkuq të Korçës u krijua e para njësi e madhe e Ushtrisë nacionalçlirimtare, Brigada e parë Sulmuese. Efektivi i saj përbëhej nga luftëtarë të zgjedhur e të sprovuar në shumë aksione të çetave e batalioneve nga vinin. Ndër këta luftëtarë që u rreshtuan në radhët e kësaj brigade ishin edhe djemtë kallaratas të ardhur nga çeta partizane “Haredin Tremishti” e Kurveleshit:

1. Nuredin Breshanaj,

2. Tare Gjonaj,

3. Dalan Memushaj,

4. Sinan Petanaj,

5. Selam Qejvanaj,

6. Avdurraman Zhibaj, i ardhur nga batalioni partizan i Dumresë.

7. Adil Petanaj, bashkuar kësaj brigade më 7 mars 1944.

Partizanët kallaratas në Brigadën e parë Sulmuese i kryen me nder e dinjitet detyrat që u ngarkoi populli dhe atdheu. Ata u dalluan si luftëtarë aktivë, trima e të guximshëm. Nisur nga këto cilësi komanda e Brigadës disa i vuri edhe në detyra drejtuese. Kështu, Nuredin Breshanaj fillimisht u bë komandant skuadre dhe më vonë nënkomandant kompanie, ndërsa Adil Petanaj u bë komisar kompanie. Të dy këta, Nuredini në Qarrishtë të Elbasanit më 13 mars 1944 dhe Adili më 20 maj 1944 në afërsi të Gramshit, bien trimërisht në fushën e nderit në luftime të ashpra me nazistët gjermanë.

Ndërsa Selam Qejvanaj e Sinan Petanaj në luftime në rrethim kapen nga forcat gjermane dhe dërgohen në kampin nazist të përqendrimit në Prishtinë, por atje, pas ca kohe torturash çnjerëzore, me zotësinë dhe shkathtësinë e tyre mundën të arratiseshin nga kampi, t`iu shpëtonin thonjëve të gestapos dhe të ktheheshin në brigadë, kur konsideroheshin të vrarë dhe në familjen e Petanajve në Kallarat qe hapur kuja për Sinanin.

KALLARATI NË LUFTË EDHE ME PUSHTUESIT NAZISTË.

Fill pas kapitullimit të Italisë fashiste, në Shqipëri vërshuan forcat ushtarake naziste të Gjermanisë hitleriane për të zëvendësuar forcat italiane. Pushtuesit e rinj ishin edhe më barbarë, por popullin atdhedashës shqiptar dhe Ushtrinë e tij nacçl. nuk e frikësonte kjo gjë. Lufta për çlirimin e vendit vazhdoi edhe më me furi kundër pushtuesve nazistë. Kallarati, si e gjithë krahina, nuk e uli aspak vrullin e veprimtarisë luftarake kundër tyre, duke vazhduar me vendosmëri pjesëmarrjen në luftë, si me çetën territoriale, ashtu dhe me mbushjen e radhëve të formacioneve partizane me bij e bija të tij.

Një nga drejtimet e rëndësishme të veprimeve luftarake të çetës territoriale “Mumin Selami” ishte bregdeti. Në këtë zonë, kryesisht në sektorin e Himarë-Portopalermos, Borshit e Sarandës, çeta “Mumin Selami” me rreth 55 vullnetarë, vepronte bashkë me çetat e tjera të batalionit territorial “Ismail Haki” të Kurveleshit të Poshtëm, si dhe me forca partizane që mbulonin zonën bregdetare.

Në Palermo çeta territoriale e Kallaratit, së bashku me çetat e tjera të batalionit “Ismail Haki dhe në bashkëveprim me çetën partizane të Bregut, qysh në ditët e para të ardhjes së nazistëve në bregdetin tonë, thyen brenda ditës dy sulme të fuqishme të njëpasnjëshme të forcave gjermane, të shoqëruara nga tanke e autoblinda dhe të mbështetura nga ajri me avionë luftarakë.,

Çeta territoriale “Mumin Selami” e Kallaratit kishte zënë pozicione luftimi në zonën e fortifikuar të Kalasë së Borshit. Në këtë drejtim nazistët dhanë goditjen më të madhe, duke përqendruar forcat dhe mjetet kryesore përgjatë rrugës Borsh-Kuç. Dy grupe të artilerisë gjermane goditën për një orë rresht me zjarr të dendur zonën e Kalasë, por pa sukses. Luftëtarët kallaratas të vendosur aty i mbajtën me këmbëngulje pozicionet e zëna, duke i thyer sulmet e këmbësorisë armike.

Mitrolozi “Breda” i përdorur nga luftëtari trim, Mehmet Zhibaj, i kositi nazistët në rrugën automobilistike. Luftimet në sektorin e Borshit vazhduan deri vonë në nëmje. Gjermanët, duke e parë se nuk çanin dot përgjatë rrugës Borsh-Kuç, një pjesë nisi t`i ngjitet përpjetë maleve Borsh-Fterë-Kuç për t`u dalë në krah e në shpinë forcave partizane e territoriale që luftonin në zonën e Kalasë së Borshit. Ndërsa pjesa tjetër e forcave gjermane vazhdonte sulmet përgjatë rrugës Borsh-Kuç.

Në këto luftime, përveç humbjeve njerëzore nga ana e gjermanëve, pati të vrarë e të plagosur edhe nga forcat çlirimtare. Një nga të plagosurit rëndë ishte edhe partizani Jonuz Galanxhi që do përfundonte në shtëpinë e patriotes së madhe Duze Bajramaj në Kallarat, ku dhe nuk i mbijetoi dot plagëve, megjithë kujdesin dhe mjekimet popullore që i bënte Duzja, siç do t`i bënte djalit të saj.

Gjatë datave 2-4 tetor luftime të ashpra u zhvilluan me forcat armike edhe në malet e Kuçit e të Golëmit. Kulmin luftimet e forcave nacionalçlirimtare kundër forcave naziste e arritën në Qafë të Dërrasës. Aty kallaratasit, kuçiotët e bolenasit dhe çeta partizane e Rinisë e qarkut të Gjirokastrës zhvilluan luftime të ashpra një ditë e një natë, duke arritur të thyenin me sukses sulmet e njëpasnjëshme të forcave hitleriane.

Më 5 tetor 1943 forcat gjermane zunë Kuçin, Golëmin, Progonatin e Gusmarin, ndërsa në Kallarat mbërritën në mesditën e 6 tetorit, por e gjetën të zbrazur nga populli. Pleq e plaka dhe gratë me foshnja në duar e me nga një trastë miell apo ndonjë ushqim ishin ngjitur malit të Bogonicës për të shpëtuar kokën. Meqë nuk gjetën njeri në fshat, gjermanët rrahën me artileri nga Qafa e Ubavit shpatet e malit të Bogonicës për të trembur popullin dhe për të ngjallur panik. Pas këtij veprimi, nazistët vazhduan lëvizjen përgjatë luginës së Shushicës për në Vlorë.

Në gjysmën e dytë të nëntorit 1943, çeta territoriale “Mumin Selami” mori pjesë në luftime në Libohovë, Këlcyrë, Kiçok etj. Pas përfundimit të këtyre veprimeve luftarake, territorialët kallaratas, bashkë me luftëtarët e tjerë të Kurveleshit të Poshtëm, u kthyen në fshat. Por pa kaluar shumë kohë, çetës “Mumin Selami” iu desh përsëri të angazhohej në veprime të tjera luftarake në luginën e Shushicës, si në Mesaplik e gjetkë.

Në luftimet e zhvilluara në Kallarat, gjatë operacionit të Dimrit, luftëtarët e çetës “Mumin Selami” dhe populli, në këtë situatë të rëndë, u qëndroi përkrah partizanëve të Brigadës së 5-të Sulmuese dhe të formacioneve të tjera partizane që vepronin në territorin e fshatit tonë që tashmë ishte shndërruar në një zonë të nxehtë lufte, si tërë Labëria e Shqipëria.

Që në mëngjesin e datës 15 shkurt 1944, forcat e batalionit të dytë të Brigadës së 5-të zunë vargun e kodrave të Djegipisë, Ubavit, Shalat e Fierit etj. Grupet e luftëtarëve të çetës territoriale të Kallaratit u përforcuan me skuadra partizanësh të batalionit të dytë të Brigadës së 5-të dhe zunë kodrat e shtigjet mbizotëruese për të pritur me luftë forcat armike.

Rreth orës 9.00 forcat armike u ndeshën në luftime të ashpra nga të gjitha drejtimet. Ato kishin ardhur nga Vlora me plot bujë e urën e zjarrit në dorë për të masakruar popullin e djegur fshatrat e Grykës së Mesaplikut e të Kuveleshit. Trualli i Kallaratit dhe kryesisht kodrat e Gjimufit, Bregu u Nakos, Maja e Dushkut, Çetllazi, Bregu i Ferrës dhe i Mesëm, Rrethi i Trapit të Bege, Kodhimat etj, u shndërruan në llogore nga ku territorialët kallaratas dhe partizanët e Brigadës së 5-të i vunë forcat armike nën goditje të forta.

Përkrah kallaratsve në këto luftime morën pjesë edhe luftëtarë territorialë të Kuçit që sulmonin nga Bletëza dhe luftëtarë të çetës territoriale të Bolenës që sulmonin nga ana e kufirit të këtij fshati me Kallaratin. Në këto ndeshje forcat armike u thyen dhe u detyruan të tërhiqeshin ne drejtim të Mesaplikut, duke u ndjekur këmba-këmbës nga forcat territoriale të Kallaratit etj, së bashku me forcat e Brigadës së 5-të Sulmuese.

Në mëngjesin e 16 shkurtit 1944, territorialët kallaratas, bashkë me partizanët e Brig. 5-të Sulmuese, ndërmorën një sulm të rreptë në drejtim të Vranishtit, ku luftimet vazhduan edhe gjatë datës 17 shkurt, derisa armiku u detyrua ta lëshonte Vranishtin dhe të tërhiqej në drejtim të fshatit Brataj, ndërsa territorialët e Kallaratit, pas kryerjes me sukses të kësaj detyre luftarake, u kthyen në fshatin e tyre.

Në agimin e 19 shkurtit 1944, çetat territoriale e Kallaratit dhe e Kuçit, bashkë me batalionin e tretë të Brigadës së 6 Sulmuese, nisën në drejtim të Lumit të Vlorës, ku në bashkëveprim edhe me forcat e Brigadës së 5-të Sulmuese u dhanë goditje forcave armike në Mesaplik, Brataj, Smokthinë e Velçë. Në këto luftime armiku u thye dhe nisi tërheqjen në drejtim të Vlorës, duke lënë shumë të vrarë, disa të mbytur në lumin Shushicë gjatë përpjekjes për të kaluar në anën tjetër të tij.

Në zjarrin e luftimeve të ashpra me armikun, bijtë e Kallaratit vazhdonin rast pas rasti të mbushnin rreshtat e njësive partizane. Kështu, në Brigadën e 5-të Sulmuese u rreshtuan:

1. Hasan Laze Qejvanaj,


2. Nexhip Sheraj


3. Zyber Sheraj


4. Shuaip Sheraj (tre vëllezër me banim në Hysoverdh),


5. Ahmet Rait Karabollaj,


6. Hariz Goxhaj


7. Qamile Goxhaj (burrë e grua).

Ata dalloheshin për guxim e trimëri në çdo luftim, derisa Hasani dhe Zyberi dhanë edh jetën për çlirimin e vendit.

Po kështu, në Brigadën e 6-të Sulmuese u radhitën kallaratsit:

1. Avdul Demiraj,

2. Hamza Qejvanaj,

3. Ilmi Boshaj,

4. Sinan Xhemili (Tozaj),

5. Mehmet Karabollaj,

6. Çune Qejvanaj,

7. Fuat Goxhaj,

8. Hamit Qejvanaj,

9. Numan Goxhaj,

10. Mato Hoxhaj,

11. Mehmet Zhibaj,

12. Xhemal Gjonaj,

13. Sefer Jovanaj,

14. Qazim Mataj

15. Çelo Karabollaj.

 

Brigadën e 8 Sulmuese u rreshtuan një pjesë e madhe kallaratasish:

 

 

1. Rruzhdi Petanaj,


2. Ormën Ribaj,


3. Maze Jonuzaj,


4. Kasëm Demiraj,


5. Hyso Begaj,


6. Bajram Toçaj,


7. Ferik Strataj,


8. Xhafer Xhaferaj,


9. Sihat Tozaj,


10. Arif Breshanaj,


11. Sherif Gjonaj,


12. Qemal Goxhaj,


13. Myrdar Breshanaj,


14. Namik Abazaj,


15. Xhelo Dautaj,


16. Xhezair Qejvanaj,


17. Arshi Abazaj,


18. Kapo Habilaj,


19. Mystehak Habilaj,


20. Zeno Jonuzaj,


21. Besho Hitaj,


22. Tare Karabollaj,


23. Shuko Karabollaj,


24. Ali Ribaj,


25. Isuf Breshanaj,


26. Seit Jonuzaj,


27. Lalo Qejvanaj,


28. Salto Golloshaj,


29. Zonjë Memushaj,


30. Trëndafile Breshanaj etj.


Një pjesë e mirë e tyre vinin nga çeta territoriale “Mumin Selami”, të tjerët nga çetat partizane të Kurveleshit. Që në luftimet e para që zhvilloi kjo brigadë me forcat naziste, partizanët kallaratas treguan trimëri të rrallë dhe dy prej tyre: Ormën Boro Ribaj dhe Shuko Ramo Karabollaj ranë në përleshje me nazistët më 8 qershor 1944 në Sopik të Gjirokastrës.

Në radhët e Brigadës së 12-të Sulmuese u rreshtuan kallaratasit:

1. Cane Strataj,


2. Esat Breshanaj,


3. Razip Karabollaj,


4. Sinan Strataj,


5. Sejdi Begaj,


6. Islam Janjaj,


7. Bilal Shakaj,


8. Belere Shakaj,


9. Nesim Gjonaj,


10. Zagoll Demiraj.

Brigadën e 14 Sulmuese u radhitën luftëtarët kallaratas:

1. Sadik Gjonbrataj


2. Tahir Gjonbrataj,


3. Filo Breshanaj,


4. Petref Zhibaj,


5. Sadik Breshanaj,


6. Nedim Gjonaj,


7. Dervish Qejvanaj,


8. Zanko Muharremaj.

 


Ndërsa në Brigadën e 19 SulmuseL

1. Xhafer Jonuzaj.

Në disa brigada të krijuara gjatë muajve të vjeshtës së të vitit 1944, kryesisht në zonën e Shqipërisë së Mesme si Brigada 22 e 23 Sulmuese etj. u rreshtuan kallaratasit:

1. Nelo Hysaj,


2. Alim Laçaj


3. Shahin Jonuzaj,


4. Demir Lato


5. Veledin Rjepaj,


Tre te fundit u emëruan në detyra drejtuese sipas profilit ushtarak që kishin, pasi ishin oficer, studiuar ne Itali..

Megjithëse Kurveleshi e lugina e Shushicës, pas operacionit të Qershorit 1944, nuk u shkel më nga pushtuesit, veprimet luftarake çeta territoriale “Mumin Selami” i vazhdoi në zonën e Bregdetit. Ajo, së bashku me çetat territoriale të Kuçit, Bolenës e fshatrave të tjera, vazhduan luftimet për çlirimin e Himarës, në bashkëveprim me forcat e Brigadës së 12 Sulmuese.

Një luftim të ashpër me forcat naziste çeta “Mumin Selami” e zhvilloi më 29 korrik 1944 në Qafë të Gjonostathit, Vuno. Për këtë luftim togeri gjerman Haberl shkruan: “…Në buzë të shkëmbinjve më arritën dy banditë, të cilët më kuptuan që isha oficer dhe me sa dukej deshën të më zinin rob, meqenëse nuk qëlluan kundër meje. Banditin që kisha më afër munda ta vrisja, pastaj u zhduka në mes të shkëmbinjve…” (AIH DUGJ, f. 314-664). “Banditi” i vrarë nga oficeri nazist, ishte pjesëtari i çetës territoriale “Mumin Selami”, trimi Ferik Golloshaj. (Shih Historiku i Brigadës XII Sulmuese, faqe 130-131, Tiranë 2002).

Me luftimet në zonën bregdetare të Himarës, çeta territoriale “Mumin Selami” e përmbylli me nder veprimtarinë e saj luftarake. Ajo u kthye në fshat krenare e ballëlartë. Si pjesëmarrëse në sa e sa aksione e luftime me pushtuesit nazifashistë ajo dha një kontribut të vyer në realizimin e çlirimit të vendit, duke i sjellë nder e lavdi fshatit.

Por bijtë e bijat kallaratase që ndodheshin në rreshtat e brigadave partizane vazhdonin luftën për çlirimin e plotë të Shqipërisë. Madje luftëtarët kallaratas të Brigadave të 5-të, të 6-të, të 8-të, të 22 e të tjera Sulmuese, dhe pas çlirimit të vendit, i ndoqën këmba-këmbës hordhitë naziste edhe përtej kufirit verior të Shqipërisë deri në shkurt të vitit 1945 në Kosovë, Mal të Zi e deri në Vishegrad të Bosnjë-Hercegovinës të Jugosllavisë, ku mbeti i vrarë edhe trimi Nelo Nazër Hysaj.

Ky ishte shkurtimisht kontributi i Kallaratit në LANÇ, ku edhe Kallarati, si gjithë Shqipëria, derdhi jo pak gjak të bijve të tij, shpallur dëshmorë me vendim të organeve shtetërore vendimmarrëse, të cilët po i rreshtojmë më poshtë.

1. Mumin Selam Bajramaj, dëshmori i parë i fshatit dhe Hero i Popullit, rënë më 18 tetor 1942.

2. Halil (Lilo) Dine Habilaj, rënë më 20 janar 1944 në Protopapë të Korçës.

3. Nelo Nazër Hysaj, rënë më 20 janar 1945 në Vishegrad.

4. Hamdi Shuaip Sheraj, rënë më 1 shkurt 1944 në Mavrovë.

5. Nexhip Shuaip Sheraj, rënë më 3 shkurt 1944 në Salari.

6. Hamza Malo Qejvanaj, rënë më 8 shkurt 1944 në Qesarat të Gjirokastrës.

7. Nuredin Selam Breshanaj, rënë më 13 mars 1944 në Qarrishtë të Elbasanit.

8. Tare Çelo Gjonaj, rënë më 3 prill 1944 në Qafë të Gjarpërit, Skrapar.

9. Adil Lame Petanaj, rënë më 20 maj 1944 në Librazhd.

10. Ormën Boro Ribaj, rënë më 8 qershor 1944 në Sopik të Gjirokastrës.

11. Shuko Ramo Karabollaj, rënë më 8 qershor 1944 në Sopik të Gjirokastrës.

12. Avdul Demir Demiraj, rënë më 25 korrik 1944 në Dukaj të Tepelenës.

13. Ferik Miftar Golloshaj, rënë më 29 korrik 1944 në Qafë të Gjonostathit, Vuno-Himarë.

14. Islam Tasim Janjaj, rënë më 17 shtator 1944 në Tragjas-Radhimë.

15. Filo Faslli Breshanaj, rënë më 20 shtator 1944 në Shenvasi të Sarandës.

16. Hasan Laze Qejvanaj, rënë më 20 shtator 1944 në Lusen, Kukës.

17. Ali Sulo Memushaj, vdekur në Kallarat më 26 shtator 1943.

Përveç këtyre dëshmorëve të rënë gjatë luftës, lista vazhdon me dëshmorë të tjerë të rënë pas çlirimit në mbrojtje të kufirit shtetëror apo në mbrojtje të rendit publik:

18. Ali Birçe Ribaj, rënë më 15 janar 1946 në Zagradec të Bilishtit në mbrojtje të kufirit.

19. Zyber Shuaip Sheraj, rënë më 17 shtator 1946 në Gjikmano të Mavrovës në ndjekje të diversantëve.

20. Ferik Teslim Strataj, rënë më 13 gusht 1949 në mbrojtje të kufirit në Vidohovë të Bilishtit.

Por përveç këtyre dëshmorëve të LANÇ-it, listës së dëshmorëve të Kallaratit u shtohen edhe:

21. Murat Avdul Demiraj, rënë në mbrojtje të fshat nga  andardët grekë në korrik 1914.

22. Dervish Sali Maçaj, rënë në mbrojtje të fshatit nga andardët grekë në korrik 1914.

23. Ramadan  Muhamet Hoxhaj, r ënë në mbrojtje të fshatit nga andardët grekë në korrik 1914.

24. Çelo Mustafa Boshaj, rënë në mbrojtje të fshatit nga andardët grekë në korrik 1914.

25. Hyso Balil Xhaferaj, rënë në mbrojtje të fshatit nga andardët grekë në korrik 1914.

26. Xhevair Musa Golloshaj, rënë në luftë kundër fashistëve Italianë më 1920.

27. Elham Sulejman Elezaj (Shuaipaj), rënë më 9 Majgusht 1998 në Tiranë në ndjekje të keqbërësve.

Ne përulemi me nderim para tyre dhe brezat e Kallaratit do t`i kujtojnë në shekuj, ashtu siç porosit edhe kënga e përjetësimit të tyre:

Shokë të gjithë dëgjoni

Çdo t`u them për Kallaranë

Kurrë të mos i harroni

Dëshmorët partizanë.

Do t`u them emrat me radhë

Dhe vendet ku janë vrarë:

Mumin Selami në Vlorë

Adil Petani Librazh

Filo Faslliu Lukovë

Ferik Golloshi Himarë

Në Dukaj tek po luftonte

Avdul Demirin e vranë

Në Sopik malet me borë

Ormën Boro luftëtar

Shuko Ramo Karabolli

Atje mbetën të Vrarë.

Çdo t`u them për Tare Gjonë

Dhe Hamza Malo Qejvanë

Islam Janji në Radhimë

Për liri e dhanë xhanë.

Hasan trimi si ai

Mu në Kukës në veri

Nelua në Mal të Zi

E bënë jetën fli.

Po për Nuredin Selamnë

Djalë i zgjuar e guximtar

Që u vra në Elbasan

I rrethuar nga gjermanë.

Tre Shaipajt në Mavrovë

Të tre trima luftëtarë

Lilo Habili në Korçë

Për atdhe e derdhë gjanë.

Ali Ribi në kufi

Ali Memushi korrier

U sëmur e ndërroi jetë.

Sa herë që t`i kujtoni

Ferik Stratajn mos e harroni.

Të gjithë trima si luanë

Derdhën gjakun e kulluar

Nënat dhe motrat i qajnë

Me zemër të pikëlluar.

Nga: Seit JONUZAJ

 

Next Post

NOSTALGJIA PËR KËNGËN LABE DHE MALLI PËR VENDLINDJEN. Intervistë me këngëtaren, Evgjeni Jonuzi.

Sht Tet 17 , 2020
  Intervistoi: Besnik GJONBRATAJ Evgjeni Jonuzi, një vajzë simpatike, bjonde me flokë të gjata, e lindur në Kallarat, aty në lagjen e bukur e plot gjelbërim të Bashait, e rritur me mundime si gjithë moshataret e saj nga prindërit Besim e Hajdili Jonuzaj, një nxënëse e urtë e thjeshtë, por e […]