(Fabul (jo)sipas Ezopit)
Bretkosat ishin të mërzitura. Vinin rrotull kënetës së paanë dhe shqyheshin në thashetheme. Nuk mund të thuash që diskutonin, sepse bretkosat nuk dinë të diskutojnë, të japin mendim apo të bëjnë debat. Pse? Sepse bretkosat nuk dinë të dëgjojnë. Jo se kanë defekt nga veshët, po kur diskutojnë, diskutojnë të gjitha njëherësh – kush do dëgjojë pastaj? Po të mos i besoni këto që ju them, shkoni i dëgjoni në kënetën e paanë. Do të bindeni se ato shqyheshin në thashetheme.
Ato thoshin se ishin shumë të mërzitura, se kishin për mbret një bullar lolo, që flinte gjithë ditën në diell. Natën, po t’i çonte dikush për të ngrënë, hante, po mos t’i çonte, nuk mërzitej. Epo, bullar ishte, treste dhjamin që kishte. Mbreti bullar flinte dhe hante, ose nuk hante dhe nuk interesohej fare për punët e shtetit. Hajdutët, dallkaukët, mashtruesit, kriminelët, të gjithë të hurit e të litarit, e koshin dorën të lirë, nuk i pengonte asgjë. Bretkosat e reja përdhunoheshin, tregtarët grabiteshin, pijanecët bëheshin tapë e bënin skandale. Thjesht, nuk mund të jetohej dot në mbretërinë e kënetës së paanë, me bullarin mbret.
Këto thoshin e po stërthoshin bretkosat e mërzitura. Dhe vendosën t’i luteshin Zotit.
-O Zot, na është bërë jeta mynxyrë nga bullari mbret. Ky që kemi, ka zemër të mirë, nuk e shajmë, por nuk bën për mbret. Na dërgo dikë me autoritet, të na vërë rregull, të na tregojë si të punojmë e ta lulëzojmë kënetën e paanë. Të lutemi, o Zot.
Zoti ua dëgjoi lutjen. Por, si Perëndi që ishte, domethënë me që ishte i zgjuar e me pushtet, ua tha ca fjalë. Dhe bretkosat, që vetëm flisnin e nuk dinin të dëgjonin, kuptohet, as fjalët e mençura të Zotit nuk i dëgjuan.
Kur u ngritën të nesërmen nga gjumi, në kënetën e paanë kishte rënë llahtara. Zoti pruri për mbret një gjarpër të tmerrshëm me dy koka dhe stomak të pafund. Pushuan thashethemet, se për thashetheme merrje dënimin ekstrem – humbje jete apo punë të detyruar në skajet e përtejme të kënetës së paanë. Ndalohej çdo gjë që bëhej më parë. Tregtia qe e kontrolluar, kriminelët u zhdukën. Gjithçka urdhërohej nga gjarpri i tmerrshëm mbret me stomak të pafund. Bretkosat mund të hanin, të këndonin, të visheshin, të bënin shëtitje, vetëm me leje. Gjarpri i tmerrshëm mbret pasurohej, bretkosat po treteshin përditë nga lodhja, nga njëllojshmëria e gjërave që u lejohej; por më tepër ngaqë u ndalohej të bënin thashetheme. Filluan të pëlcasin e të vdesin një nga një. Të alarmuara, vendosën të shpëtonin fisin e bretkosave, prandaj një ditë prej ditësh, fshehurazi iu drejtuan prapë Zotit.
-Zot, o Zot, na është bërë jeta llahtarë nga gjarpri i tmerrshëm mbret që na dërgove. Të lutemi, o Zot i madh, ky ka zemër të keqe, nuk na lë të punojmë, të këndojmë, të flasim, të mendojmë. Që vuri rregull nuk e shajmë. Grabitje të vogla në rrugë nuk ka më, as përdhunime, as krime. Por ka vjedhje të mëdha, grabitje të mëdha. Ato i bën mbreti gjarpër i tmerrshëm dhe oborri i tij gjarpëror. Na dërgo dikë që edhe të na vërë në punë me rregull, edhe të gëzojmë jetën, që ta lulëzojmë kënetën e paanë.
Ua dëgjoi lutjet Zoti dhe filloi t’u thotë ca fjalë të mençura Perëndie e me autoritet. Por bretkosat, si bretkosa që ishin, dinin vetëm llafe, thashetheme, por nuk dinin të dëgjonin.
Kur u bë ditë të nesërmen në mëngjes, kënetën e paanë e kishin pushtuar llafet, thashethemet, diskutimet e zjarrta. Në qendër të kënetës, aty ku rrinte më parë gjarpri i tmerrshëm mbret, ishte një trung i nxirë, i kalbur vende – vende, që nxirrte ca flluska të vogla. Bretkosat në fillim i erdhën rrotull me frikë, pastaj e prekën, pastaj e shkundën, i folën e më në fund i hipën përsipër. Njëra, një holluce bretkosë, e vockël fare, guxoi dhe i kërceu atje ku mendohej se ishte koka.
Ky është mbreti?! Pse, ky trung do të na ndreqë kënetën e paanë? Bën ky trung për mbret? Këto e thashetheme të tjera, pyetje e diskutime, e mbytën kënetën. Bretkosat këtë herë u llahtarisën më tepër se nga mbreti gjarpër, ishin të fyera më shumë se nga bullari mbret. Nuk e meritonin të kishin një trung në krye. Krimi, përdhunimi, shkatërrimi, pasiguria, çdo gjë e keqe do të dilte tani nga fundi i shpirtrave të trazuar e kënetën e paanë do ta merrte lumi. Menduan t’i luten prapë Zotit, por ai kësaj radhe nuk i dëgjoi, sepse edhe ato nuk e dëgjuan. Po të kishin qenë të vëmendshme, do të kishin dëgjuar ca gjëra të çmuara. Sa keq!
Sa keq edhe për ne, se nuk do t’i marrim vesh kurrë ç’u tha Zoti i mençur e plot autoritet bretkosave të kënetës së paanë, e cila edhe sot e kësaj dite gëlon nga thashethemet, diskutimet, krimet, prostitucioni e gjëra të tjera e vazhdon të ndërrojë mbret. Deri kur kështu? Perëndia i shikon dhe pëshpërit e menduar: “Tani mendoni për veten, o bretkosa të mjera. Mësohuni edhe të dëgjoni!”