DETARI NGA KALLARATI, nga Seit Jonuzi

Seit JonuzajI vendosur në luginën e lumit Shushicë, larg detit dhe i rrethuar nga male të larta, ku Bogonica me Valet e Gjonthanasin nuk e lënë të ketë lidhje me detin e as ta shikojë atë, kjo gjë nuk ka qenë pengesë që nga Kallarati, krahas kuadrove e specialistëve të fushave të tjera të ketë të tillë edhe për detarinë. I pari djalë i fshatit tonë që u bë detar, duke u specializuar jashtë shtetit për detari ushtarake pas çlirimit të vendit nga pushtuesit e huaj nazifashistë, ishte Selam Meçan Qejvanaj.

Pas tij u shkollua dhe u kualifikua në akademitë detare ushtarake më në zë jashtë shtetit autori i këtij shkrimi. Më vonë kreu studimet detare në vendin tonë dhe u bë një anijedrejtues me emër i Flotës tregtare Vladimir Ramadan Rjepaj dhe po kështu më vonë edhe Vladimir Kasëm Demiraj e të tjerë sot apo edhe në të ardhmen.

Por me këtë shkrim duam të përkujtojmë pikërisht detarin e parë kallaratas, Selam Qejvanajn, me rastin e 5-vjetorit të ndarjes nga jeta. Kush ishte Selam Meçan Qejvanaj? Selami ishte i biri i Meçan Selamit dhe i Xhixho Rakipes (Qejvanaj). Ai kish lindur më 1926 në një vatër atdhetare të Kallaratit. Meçani ishte një patriot i njohur, pjesëmarrës në ngritjen e flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë më 1912 në Vlorë, një nga mësuesit e parë të shkollave shqipe në Grykën e Mesaplikut e më gjerë që nga vitet e para të Pavarësisë, pjesëmarrës i Luftës së Vlorës më 1920 etj. Në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, Meçani familjarisht mori pjesë në të, duke dhënë një kontribut të vyer për çlirimin e vendit. Vetë Meçani gjatë gjithë luftës ishte në krye të këshillit antifashist nacionalçlirimtar që ishte një pushtet administrativo-ushtarak për kohën e luftës në fshat, ndërsa djali i madh i tij, Xhezairi në Brigadën e 8 partizane dhe i vogli, Selami në Brigadën e Parë partizane, luftuan me armë në dorë deri në çlirimin e plotë të vendit. Kurse djali i mesëm, Perlati ishte aktivist i organizatës së rinisë antifashiste dhe pjesëtar i çetës territoriale të fshatit. Pra, të gjithë meshkujt e kësaj familjeje ishin pjesëmarrës aktivë të luftës çlirimtare kundër pushtuesve të huaj nazifashistë të vendit. Selami mori pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi Brigada e Parë Sulmuese e lavdishme për çlirimin e vendit dhe të trojeve shqiptare jashtë kufijve shtetërorë, siç ishte Kosova. Madje ai në një nga betejat e asaj brigade, në Librazh, u gjend në rrethim nga nazistët gjermanë, u zu prej tyre dhe bashkë me bashkëfshatarin e tij Sinan Lame Petanajn dhe bashkëluftëtarin tjetër Sotir Dodonën u internuan në kampin nazist të Prishtinës. Pas ca kohe, falë shkathtësisë së tyre, përmes një kanali të ujërave të zeza, ata mundën të dilnin nga kampi, t’u shpëtonin kthetrave torturuese e masakruese të xhelatëve Nazistë dhe të arrinin t’i bashkoheshin brigadës së tyre për të vazhduar luftën.

Fill pas çlirimit të vendit, në kuadrin e riorganizimit të Forcave të Armatosura nga ushtri partizane në Ushtri të rregullt Kombëtare (Popullore) me lloje të ndryshme forcash, Komanda e Përgjithshme dha udhëzimet e duhura edhe për krijimin e një force detare për ruajtjen e kufirit detar. Për këtë, gjatë vitit 1945 u gjetën e u grumbulluan ata pak detarë që kishte në Shqipëri, u gjetën nëpër porte disa mjete të vogla lundruese të mbytura apo të prishura, të cilat u nxorën nga deti, u riparuan dhe u armatosën me nga një mitraloz. Më 15 gusht 1945 u ngrit me ceremoni flamuri në motoskafin e parë që u nxor nga deti dhe kjo datë hyri në kalendar si dita e krijimit të Forcës detare. Por duhej zhvilluar e fuqizuar kjo forcë e re dhe për këtë, krahas mjeteve lundruese, duheshin kuadro e specialistë detarë. Prandaj u morën nga radhët e ushtrisë të rinj ish partizanë dhe u dërguan jashtë shtetit për shkollim detar. Një nga këta djem ishte edhe Selam Qejvanaj. “Më 25 maj 1946, shkruan Selami në shënimet që na ka lënë, na grumbulluan në Tiranë 45 nënoficerë që vinim nga reparte të ndryshme dhe na vendosën pranë garnizonit. Unë erdha nga Pogradeci. Ishim në dispozicion të Degës së Marinës dhe në korrik të 1946-s na transferuan në portin detar të Durrësit, nga ku më 6 gusht na dërguan në Divulje të Dalmacisë (Jugosllavi) në një shkollë detare për të mësuar profesionet e nevojshme të detarisë”, shkruan ai. Me kthimin në Durrës nga shkolla detare jugosllave, Selami nisi shërbimin në ato pak anije (motobarka) ushtarake që kishte fillimisht Forca detare. Ai shumë shpejt do të bëhej një detar i aftë e i shkathët, Prandaj karriera e tij nuk vonoi të ngjiste shkallët nga një detyrë në tjetrën më të lartë, nga komandant anijeje të drunjtë në komandant anijeje metalike bashkëkohore, në komandant grupi e regjimenti anijesh dhe detyra të tjera të rëndësishme në forcat detare.

Karakteristikë e veçantë e tij, përveç aftësive profesionale, ishte edhe kërkesa e lartë e llogarisë për zbatimin e detyrave, për rregullin e disiplinën ushtarake të domosdoshme këto veçanërisht në det. Por ishte edhe shumë i drejtë e parimor. Gjatë karrierës së tij në forcat detare Selami me anijet që komandonte dha një ndihmesë të vyer në ruajtjen e ujërave tona detare nga shkeljet e anijeve të huaja, nga zbarkimi i grupeve diversioniste në bregdetin tonë dhe për pastrimin e këtyre ujërave nga minat detare të vendosura gjatë Luftës së Dytë Botërore etj.

Një detyrë me rëndësi ndërshtetërore ishte çminimi i ngushticës së Korfuzit më 1958 nga grupi i anijeve minaheqëse të komanduara nga Selami. Për këtë çminim që interesohej qeveria greke dhe siç ishte marrë vesh ajo me palën shqiptare, shkoi në Korfuz një delegacion qeveritar i Republikës Popullore të Shqipërisë, ku bëja pjesë edhe unë si anëtar i tij, për zhvillimin e bisedimeve me delegacionin e qeverisë mbretërore greke dhe bërjen e marrëveshjes për çminimin e ngushticës. Delegacionin tonë e shpuri nga Saranda në Korfuz anija që komandohej nga Selami.

Ishte hera e parë që një anije ushtarake shqiptare futej në portin e Korfuzit, prandaj kishte ngjallur kuriozitet të madh, saqë qindra banorë të atij ishulli kishin mbushur rrugët dhe ballkonet e ndërtesave kundruall portit për të parë anijen shqiptare. Dhe Selami me aftësitë e tij të rralla e çoi anijen tek moli aq bukur, sa i mahniti shikuesit dhe autoritetet detare greke që na prisnin. Dhe jo vetëm kjo i mahniti autoritetet detare, por edhe rregulli, pastërtia dhe pamja e jashtme e anijes , si dhe paraqitja e jashtme dhe disiplina e detarëve shqiptarë, kur grekët shkelën në anijen tonë. Këtë gjë e shprehu plot gojën kryetari i delegacionit grek, Dhimotaqis. Dhe merita kryesore për këtë zbardhje faqeje para të huajve ishte e Selamit si komandant kërkues. Bashkë me Selamin, ai si komandant i grupit të anijeve minaheqëse e unë si kryespecialist në atë çminim, e kryem me sukses të plotë detyrën që na ishte vënë, duke çminuar një hapësirë detare që nga skaji jugor i kufirit Stilo e deri në Jallin e Vunoit, punë intensive, e cila zgjati mbi 5 muaj. Dhe gjatë kësaj kohe e pune të përbashkët nuk dëgjova asnjë detar të shprehte ankesën apo pakënaqësinë më të vogël për komandant Selamin. Përkundrazi, të gjithë flisnin me simpati për të dhe kështu flasin edhe sot ata që e kanë njohur nga afër apo kanë punuar me të, duke e vlerësuar si burrë të lartë, kur e kujtojnë në biseda të rastësishme. Po edhe në marrëdhënie shoqërore Selami ishte shumë korrekt dhe i shoqërueshëm me kolegët, bashkëpunëtorët, vartësit dhe eprorët. Pra ky ishte Selam Qejvanaj, detari kallaratas. Ai mbylli sytë më 18 maj 2007. Por kujtohet e do të mbetet i

Paharruar si një njeri model. Selami krijoi edhe një familje të shëndoshë, duke u martuar me gjirokastriten Drita Kaçi, me të cilën lindën, rritën dhe edukuan për së mbari tre djem e një vajzë: Kujtimin, Mondin, Ilirin dhe Xhixhon që i flasin Noshe. U uroj të gjithëve të rrojnë dhe Selamin ta kujtojnë, jo vetëm se e kishin baba, por edhe se ishte burrë i nderuar që i ka lënë krenarë.


Seit Jonuzaj

Botuar ne gazeten Kallarati, Nr. 63 Majj-Qershor 2012

Next Post

LAVDI DËSHMORËVE TË KALLARATIT, nga Bejo Xhaferraj

Sht Gus 11 , 2012
Si në të gjithë vendin, edhe në Kallarat u përkujtua me homazhe e nderime dita e dëshmorëve. Paraditën e 5 Majit, populli i fshatit u grumbullua në Morrëz, para lapidarit të dëshmorëve dhe bustit të Heroit të Popullit Mumin Selami. Shënojmë se, për të nderuar dëshmorët, njerëzit erdhën aty pa dallim […]
Lapidari kushtuar deshmoreve ne Kallarat