DUKE KËRKUAR EMRIN E ÇUPËS

Hiqmet Mecaj


Çupa ime emër s’ka,
çupa ime s’ka krevat,
është e vogël çupa ime,
po do rritet pak nga pak..

Edhe nisëm babagjyshin,
ik e ik me shkop në dorë,
kapto vite, kapto shekuj,
porsi male me dëborë.

Babagjyshi ik e ik,
vajti hyri në kështjella,
rapsodive u trokiste,
si një mysafir te dera.

Dhe u kthye babagjyshi.
çupën puthi mu në ballë:
-Ah, kjo bota, edhe emrat,
na grabiti tok me mallin.

Vogëlushja ime s’dinte,
nëna donte ta thërriste,
çupa rrinte si një kukull,
si pëllumb gugu, gugiste.

Çupa ime s’ka krevat,
çupa ime emër s’ka,
është e vogël çupa ime,
mami në pëllëmbë e mba…

Im vëlla u nis me motrat
te kahonët, te ardianët,
kapto vite, kapto shekuj,
po një emër dot s’u dhanë.

Po si thua ti moj çupë,
të të lëmë ty kështu?
Nënëgjyshja të do shumë,
nuk të flet dot kuturu.

Ne të gjithë kemi emër,
motra, nëna dhe vëllai,
si t’i flasim vogëlushes,
kur na qan, që të mos qajë?

Na u nis dhe nënëgjyshja:
-Çupën nuk e lë pa emër,
do gërmojmë krejt malet tona,
do ta gjejmë atë patjetër.

U përkulëm ne të tërë,
sikur mblidhnim xhevahirë
gërma gërma rrokjet sitëm,
nxorëm emrin Dasantilë.

1972

Next Post

PRANË ULLINJVE, POEZI

Sht Maj 26 , 2012
Po të pres e dashur, te ky trung i lashtë.Ky ulli i moçëm me degët e tijmbulon heshtjen time,ky ulli i moçëm,që rrënjët ka shtrirë thellë lashtësisë.Kushedi se ç’dorë e mbolli këtu,ndoshta dy të rinjsi unë e ti,dy stërgjyshër tanë,që as varr, as emër përmbi tokë s’kanë.Kushedi sa herë u […]
Hiqmet Mecaj